Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NĖ BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PĖR KOHĖN
”REPUBLIKA E SHTATĖ”
“AMBASADOR NĖ BALLKAN”
“LOTĖT E SORKADHES”, botimi i dytė
LOTĖT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

“AEROPORT LUFTARAK 1997” FORCA SPECIALE DHE “XHUPA TË ZINJ” SHËRBIMESH TË FSHEHTA


(Botuar në “Shqiptarja.com” më 22 shkurt 2017)

Shkrimi i dytë

Tre njerëz policie tek porta e aeroportit

Fonogrami ishte i shkurtër dhe komandanti i bazës ajrore e vërtiti pak kohë nëpër gishta. Letra kërciste lehtë, sikur ankohej: \"Urdhëroj ngritjen në ajër të një avioni \"Mig-19\". Fluturimi i tij do të ketë qëllim stërvitor dhe do të kryhet natën mbi qytetet...\".
Në gjashtë muajt e detyrës së tij si komandant i bazës nuk i kishte ndodhur të vinte një urdhër i tillë. Edhe kur aeroporti pas disa vjetësh rinisi fluturimet stërvitore natën, vendimin e kishte marrë në shtabin e tij epror Ministria dha vetëm miratimin. Dërgoi edhe një ekip vëzhgimi. Tani po ndodhte e kundërta. Kur atij dhe shtabit të bazës as që i kishte shkuar ndërmend, Ministria urdhëronte prerë.
Sigurisht kjo ngritje avioni ushtarak nëpër natë nuk kishte qëllim stërvitor. Se kur ekuipazhet e pilotëve duhej të kryenin këtë lloj përgatitjeje e dinte ai. E dinte edhe Ministria e Mbrojtjes. Planizimi zyrtar ishte për në muajin maj. Tani ndodheshin herët, në fund të janarit.
Nuk e kuptoi se cila forcë e brendshme e nxiti ta bënte shuk atë copë letër. Si nëpër një mjegullim kozmik atij iu shfaqen verbuese titujt e mëdhenj në faqen e parë të gazetës së partisë në pushtet: \"Ruani bashkitë nga socialistët, ata i djegin\", \"Shqipëria e djegur nga brigadat e kuqe\".
Pas pak në telefon i thanë se tek postblloku i parë kishin ardhur tre vetë të veshur me xhakavento të shkurtra meshini. Me ngjyrë të zezë. Oficeri i rojes kishte gati një orë që nuk po i lejonte të hynin në aeroport, megjithëse ata patën këmbëngulur e treguar me nervozizëm dokumentat që vërtetonin se ishin punonjës të Ministrisë së Brendshme. \"Kjo është një bazë ushtarake, kishte sqaruar gjakftohtë njeriu i aerodromit, unë nuk mund t\'ju fus në territorin e saj pa një leje të shkruar nga Ministria e Mbrojtjes. Më vjen keq, por kështu janë rregullat\".
Tre civilët shfrynin dhe sërish i nxirrnin dokumentet: \"Jemi të Ministrisë së Brendshme. Për arsye shtetërore ne mund të hyjmë kudo\".
Oficeri i rojes ngrinte supet dhe e fillonte sqarimin nga fillimi: “Sigurisht, sigurisht. Ju kuptoj. Arsyet shtetërore janë të rëndësishme, shumë të rëndësishme. Edhe mua arsyet shtetërore më pengojnë t\'ju lejoj të hyni në territorin e bazës\".
Tre xhakaventat e zeza pastaj folën diçka me një radio dore dhe, pasi e mbyllën atë, u dukën edhe më këmbëngulës: \"Ne jemi ngarkuar me një problem sigurie, jemi njerëz të shërbimit të sigurisë\". Ushtaraku i rojes së aerodromit vinte buzën në gaz: \"Ju kuptoj, ju kuptoj. Çështjet e sigurisë janë të rëndësishme, shumë të rëndësishme. Edhe unë i sigurisë jam, siguroj bazën ajrore\".
Kështu dialogu shurdh kishte arritur në një pikë të nxehtë dhe njëri nga xhakaventot më në fund ulëriti \"E di ti që unë të arrestoj në vend!\"
Nga shungullima e britmës, si nga një valë goditëse, ushtaraku bëri instinktivisht praptas, ndërsa dy ushtarët roje të postbllokut ngritën grykat e automatikëve.
-Atëherë po flas me komandantin- shqiptoi megjithatë përmbajtur dhe bëri me dorë gjestin e uljes së armëve.
Komandanti i bazës e dëgjoi oficerin e rojes si i shushatur. Tre njerëz të Ministrisë së Brendshme kërkonin të hynin në bazë pa autorizim! Natyrisht që nuk mund t\'i lejonte. Madje po besonte se ata ishin të çmendur.
-M\'i nxirr në telefon!
Pastaj priti në heshtje. Larg, nëpër linjat kabllore, vërtitej pështjellim zhurmash si të ishte duke u avitur një stuhi e largët. Ndërkaq në receptor u dëgjuan disa kërcitje. Të thata. Sikur doreza e telefonit të fërkohej ashpër në lëkurë meshini.
-Komandanti i bazës jeni?- u dëgjua qartë zëri përmatanë. Jehona e asaj stuhie të largët ende ishte e pafuqishme për t\'i rrëmbyer e flakur fjalët e porsashqiptuara nëpër humnerat e telave.
-Unë jam- ktheu përgjigje.
-Gëzohem. Jam hetues i policisë. Duhet të hyjmë në aeroport. Kështu është puna.
Komandanti i bazës ndjeu cepat e buzëve t\'i thaheshin.
-Çfarë pune është kjo \"kështu\"?
Përtej, nëpër morinë e përcjellësve telefonike, pështjellimi i stuhisë ndihej më i afërt.
-Ashtu është puna-mbërriti jo i qartë zëri- Do të takojmë një njeri.
-Cilin?
Tjetri u ngërdhesh:- Njërin. Nuk mund ta themi emrin. Do ta marrim me vete.
Komandanti i bazës e ndjeu gjuhën të helmët.
-Më vjen keq, zotëri hetues, por nuk mund t\'ju ndihmoj. Në bazë nuk mund të hyhet pa një autorizim special e të dhënë vetëm nga Ministri i Mbrojtjes. Aq më tepër tani që ne jemi në gatishmëri ushtarake.
Përtej u duk sikur kërciti meshini i xhakaventos.
-Ka armiq të demokracisë që mbajnë edhe uniformë ushtarake. Ne duam të bëjmë vetëm detyrën. Ju mbase edhe bëni një sy gjumë, kurse ne...
Tjetri shqiptoi diçka të pakuptueshme, si të përçartur. Kishte të ngjarë që edhe po largohej dhe në ikje receptori po i kapte dobët fjalët.
Menjëherë mori në telefon ministrinë e tij dhe informoi për atë çka i kishte ndodhur. Përmatanë receptorit e lidhën me shefin e zyrës operative dhe pas pak përgjigjia ishte miratuese.

Forca speciale të policisë dhe ushtrisë vendosen rreth ndërtesës së Parlamentit, pallatit Presidencial, selinë së Kryeministrisë, të Ministrisë së Jashtme dhe të Mbrojtjes

Mesnata ishte e ftohtë dhe komandanti i bazës ajrore i rrasi duart thellë xhepave të kapotës. I kishte inspektuar të gjithë, që nga ushtarët nëpër llogore e deri tek tunelet. Gjithçka ishte në rregull. Dukej sikur shpërthimi i anarkisë në të gjithë rajonin e qytetet fqinj brenda bazës ushtarake nxiste të kundërtën, disiplinën.
Por sa kohë do të zgjaste kështu? \"Ishulli\" i tij nuk mund të rezistonte gjatë. Të parët që e provokuan ta ngacmonin kishin qenë tre \"xhupa të zinj\", të dytët kishte të ngjarë të ishin grumbuj njerëzish nga rruga. Apo nga nënrruga. Nga nëntrotuaret, anësheshet, rruginat e pista të periferisë, klubet e tymosura të natës, bilardot e pluhurosura, nënstrehët e stadiumit, ku lypësit ndiznin zjarr dhe bënin gjumë me një sy mbyllur e tjetrin hapur.
Mbi aeroport thëllimi të priste. Fusha, ku ishte ndërtuar baza ajrore, qe një luginë e gjerë dhe e gjatë sa dukej e pafund. Në jug mbyllej me malin e lartë të Tomorit, të mbushur përherë me borë, në veri shtriqeshin kodërza të buta e të mbuluara me ullinj. Megjithatë në dimër më të shumtët e ditëve këtu qenë të ftohta. Nëse do të frynte jugu, era do të rrëmbente me vete të gjithë mpikun e ftohmës së borës në majë të Tomorit e do ta shkarkonte patjetër mbi aeroport. Nëse do të shfrynte veriu aeroporti ishte i pambrojtur. Mbi të menjëherë binte ngrica.
Para tij pista dremiste nën një dritë të vagëlluar, të përgjumur, lëngonjëse gjer në fikje. Ishin ndezur vetëm pak projektorë, aq sa rregullorja e përcaktonte si të mjaftueshme për t\'u vrojtuar nga rojet.
Komandanti eci drejt zyrës së tij. Në dhomë prej radios të lënë me kohë hapur lajmet vazhdonin monotonisht. Po fliste spikeri që kishte çelur edicionin: \"Mbrëmë rreth orës nëntëmbëdhjetë në Institutin e Riedukimit në Ballore të Kavajës pati një revoltë të të dënuarve. Për të na informuar për situatën të ndjekim materialin e gazetarit tonë...\".
Komandanti i bazës ajrore ktheu vrullshëm butonin. Një radio e huaj, në të cilin tashmë treguesi i valëve kishte mbetur, fliste me një frymë se në Shqipëri forca speciale të policisë dhe ushtrisë ishin vendosur rreth ndërtesës së Parlamentit, po shumoheshin për të mbrojtur pallatin Presidencial, selinë e Kryeministrisë, të Ministrisë së Jashtme dhe atë të Mbrojtjes. Trupa të armatosura qenë vendosur edhe rreth godinës së Radiotelevizionit të Shtetit dhe Bankës Qendrore. Presidenti i vendit ishte autorizuar nga parlamenti të përdorte ushtrinë për të përballuar zemërimin e mijëra të mashtruarve nga shoqëritë financiare huamarrëse.
Komandanti i bazës i ra ballit me pëllëmbën e dorës. Njerëzit po çmendeshin. Edhe shteti i tyre po marrosej.

Sot natën do të fluturoj vetëm unë

Ishte ora shtatë e tridhjetë e mëngjesit kur shefi i shtabit të bazës ushtarake iu paraqit menjëherë. Tek dera, trokitja e tij, si gjithnjë, ishte e butë. Thua përplaste apo fërkonte gishtat e vegjël një fëmijë. Kur hyri brenda dhe ngriu në drejtqëndrim, përshtypja si përherë la shije tjetër. Ai ishte i gjatë. Madje kur i afrohej komandantit të vet dukej akoma edhe më i gjatë.
-Të thirra për disa probleme- i shkoqi një nga një fjalët komandanti i bazës ajrore.
-Si urdhëron!
Shefi i shtabit për një fragment të sekondës pësoi një lëkundje. Duhej të kishe vështrim të mprehtë që ta vije re. Lëkundjen e shpejtë nuk e bëri me lëvizje të trupit përpara, as pas. Ai u lëkund vetëtimthi në fillim majtas dhe pastaj djathtas. Po kaq rrufeshëm ngriu sërish në gatitu.
-Sot do të fluturoj natën. Vetëm unë. Dua që masat përgatitore të kenë përfunduar para orës gjashtëmbëdhjetë.
-Do të bëjmë gjithçka të mundur.
Komandanti po e vështronte me ngulm. Dëshironte një përgjigje më të sigurt.
-Avionin do ta bëjmë gati, edhe pistën, edhe grupin e shërbimit. Të gjitha.
Pas këtyre fjalëve fytyra e shefit të shtabit kishte marrë të përskuqur.
-Faleminderit!, shqiptoi komandanti.

Një shtet nuk duhet të mundet nga zjarrvënës

Para tij ishin rreshtuar të gjithë: pilotë e teknikë, oficerë të këmbësorisë dhe të artilerisë kundërajrore, guzhinierë, rrobaqepës dhe pastrues, mekanikë dhe inxhinierë. Asnjëherë nuk i kishte grumbulluar bashkë në ato gjashtë muaj të ushtrimit të detyrës. Madje as edhe ditën kur oficerë madhorë të ministrisë e kishin prezantuar me funksionin e ri.
Gatishmërisë së shefit të shtabit për t\'i paraqitur forcën iu përgjigj butësisht: Nuk është nevoja.
Të grumbulluarve u tha pak fjalë për situatën e rendit publik në disa qytete dhe për masat që po merrte shteti për stabilizimin e saj. Ata e dëgjonin në heshtje. Nuk pipëtinin. Ndoshta ndiheshin të nemitur nga pamja befasuese e vetë turmës së madhe. Si të paralizuar e të shtypur nga pesha e saj.
Ai u tha se një shtet nuk duhet të mundet nga zjarrvënës. As nga njerëz që plaçkitin. As nga shkatërrimtarë gjykatash, komisariatesh, selish të partive. Aspak nga të rinj që për të protestuar, përdorin gurët. Ne duam të ndërtojmë një shtet pa flakë që shkrumbojnë, pa policë që përdorin brutalisht shkopinjtë e gomës, pa arkiva të shfarrosura, një shtet që të jetë për të gjithë, për breza që janë e që ikin, për ata që vijnë pas pak vitesh dhe të tjerë që do të jetojnë në mijëvjeçarin tjetër. Shteti nuk është as për një brez politikanësh, as për një apo dy qeveri.
Mbi njerëzit e rreshtuar tashmë heshtja nuk kishte rënë, por plandosur. Thua ua kishte marrë frymën.

Fluturim me avion të paarmatosur

Dita po fironte aq me nxitim sa ngjante që ndritën e saj po e përpinte një shtjellë e padukshme stuhie kozmike e shpërthyer mes pështjellimit të yjeve. Komandanti kishte dalë në pistë dhe po rrinte i vetëm. Pas tij teknikët qenë në minutat e fundit të përgatitjes së avionit, me të cilin ai do të fluturonte atë natë.
Nisi të kundrojë qiellin. Ai e donte shumë atë. Për shumë njerëz, në mos për të gjithë, qielli ishte vetëm ajër, boshllëk, materie që po t\'i aviteshe, as prekej, as shihej, as shijohej. Porse për të ndodhte e kundërta: sa më shumë i afrohej aq me tepër edhe e shihte, edhe e prekte.
Lëvizi pavullnetshëm këmbët. I nxitur nga një impuls që nuk e kuptoi nga cila humbellë e nëndërgjegjes i vinte. E njihte atë, e dinte që ishte instikt, instikti i fluturimit. Ai po e shtynte drejt ajrit, atje ku ishte qielli.
Më në fund muzgu e mbështolli pa u ndjerë, butë, si t\'i kishte hedhur mbi shpinë një pallto të ngrohtë. Ndoshta avioni i tij tani qe gati. Ai e dinte që vartësit e tij druheshin t\'ja prishnin çastet e vetmisë dhe ishte gjithnjë mirë që më parë atë ta braktiste vetë.
U kthye.
Befas në një shpërthim gjigand rezesh u ndezën buzë pistës të gjithë projektorët.
Ishte hapur, shkëlqimtare gjer në verbim, ndjellëse gjer në dehje, hutuese gjer në marramendje, rruga drejt qiellit.
-Komandant!- u dëgjua fare afër tij një zë i përmbajtur- Migu është gati për fluturim.
-E lajmëruat ministrinë që jemi gati?
-Po.
Në të vërtetë komandanti i bazës kishte pritur që pas urdhrit të parë për fluturim, nga dikasteri i Mbrojtjes të vinte anullimi i tij. Ishte i pakuptimtë dhe i pashpjegueshëm ajo ngritje avioni nëpër natë. Veçanërisht nxitimi me të cilin po kërkohej që të zbatohej. Aeroplanët ushtarakë reaktivë, siç ishte edhe Mig-19, me të cilin do të fluturonte, me zhurmën e ferrshme që krijonin, ushtronin efekte të mëdha psikologjike mbi popullsinë. Natën këto pasoja ishin akoma më raskapitëse.
Apo pikërisht efekti i presionit psikologjik mbi njerëzit po kërkohej?
-Atëherë të shkojmë ta zbatojmë urdhrin- shqiptoi komandanti dhe nxitoi për tek avioni. Makina fluturuese, kur u ndodhën pranë njëri-tjetrit, befas feksi një dritë të zmeraldë. \"O Zot, ky ka shpirt!\" mendoi i malluar dhe i fërkoi njërin krahë. Duralumini, edhe pse ishte palcë dimri, iu duk i ngrohtë.
-Kemi armatosur vetëm mitralozët- i raportoi një nga teknikët.
Ai u bë i vëmendshëm.
-Ky ishte urdhri?
-Nuk ka asnjë urdhër që saktëson armatosjen apo jo të avionit- ndërhyri shefi i shtabit.
-Po përse nuk e pajisët edhe me raketa?
-Menduam që kjo gjë ishte e panevojshme- foli më në fund kryetekniku i armatimit.
-A ka urdhër të posaçëm nga ministria dhe unë nuk e di? Avioni duhet të jetë i armatosur apo jo?
-Zoti komandant, menduam, pra e peshuam që të gjithë- dhe propozojmë që të jenë të armatosur vetëm mitralozët. Në rast se ju dëshironi...
-Dëshiroj një nder: Ia hiqni armatimin edhe mitralozave! Ky është një fluturim i thjeshtë zbulimi natën. Krejt i thjeshtë. Komanda qendrore e ka gjykuar të bëhet dhe ai do të bëhet. Ajo nuk ka dhënë asnjë detyrë luftarake, sepse edhe situatë për urdhra të tillë nuk ka. Prandaj nuk është aspak e nevojshme të jem i armatosur jo me bomba dhe raketa, por as edhe me plumba.

(Vijon)

Ylli Polovina



Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com