Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NĖ BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PĖR KOHĖN
”REPUBLIKA E SHTATĖ”
“AMBASADOR NĖ BALLKAN”
“LOTĖT E SORKADHES”, botimi i dytė
LOTĖT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

“AEROPORT LUFTARAK Shkrimi i parë, 1997” TRAZIRA POLITIKE MBËRRIN MES AVIONËVE MIG NË KUÇOVË


(Botuar në “Shqiptarja.com” më 21 shkurt 2017)

Shkrimi i parë

Fillimisht një paraqitje të dhënash

Ndërsa në disa vise të jugut e sidomos në Vlorë kishin nisur trazira proteste kundër qeverisë dhe veçanërisht presidentit Sali Berisha, ngjarjet që do të përshkruajmë në vijim zhvillohen në aeroportin ushtarak të Kuçovës, pranë qytetit të Beratit.
Në ato muaj të fillimit të vitit 1997 komandant i kësaj baze ajrore qe koloneli Agim Matraku.
Aerodromi i Kuçovës u ndërtua prej italianëve dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore u përdor gjerësisht në luftimet e tyre për të pushtuar Greqinë. Edhe gjermanët vendosën në këtë aeroport disa avionë “Messerschmitt”. Këta u përpoqën të kryenin veprime mbrojtëse kur në zona të caktuara të Shqipërisë bombardonte aviacioni anglo-amerikan. Aeroplanët kryesisht gjuajtës, por ndopak edhe bombardues “Messerschmitt”, u përdorën edhe në operacionin e dëbimit nga qyteti i Beratit, në fundnëntor 1943, të partizanëve që prej dy muajsh, pas kapitullimit të Italisë, e mbanin atë nën kontroll.
Si bazë ajrore e Ushtrisë Popullore ky aerodrom u përurua në 15 maj 1955. Tashmë e pajisur me avionë MIG-15 të prodhimit sovjetik, në ceremoni mori pjesë edhe Enver Hoxha.
Paralel me pistën e vjetër, të ndërtuar mjaft cilësisht prej italianëve dhe e cila qe me gjatësinë e një kilometri, u ngrit ajo e Mig-ëve. Fillimisht për këta avionë reaktivë ajo ishte 2000 metra, më pas duke mbërritur deri në 2400.
Ndërkaq baza ajrore e Kuçovës mbrohej prej katër baterish kundërajrore të vendosura brenda aeroportit, në qytetin e Urës Vajgurore, në lartësinë e Gurit të Bardhë dhe në krahun verior të kështjellës së Beratit.
Aeroporti luftarak i Kuçovës (Shqipëria përdorte për qëllime mbrojtjeje një bazë ajrore në Rinas, pranë Tiranës dhe një tjetër në Gjadër, afër Lezhës), kishte një uzinë të madhe për rimontin e plotë të avionëve. Një pjesë e saj ndodhej në fushë, në mbitokë, dhe pjesa më e madhe në tunel.
Në një tunel tjetër, të posaçëm, harkor, brenda një kodre, strehoheshin afro pesëdhjetë Mig. Në rast ngutjeje për të vepruar sa më shpejt, ata, sapo dilnin nga strehimi nëntokësor, për t’u ngritur nuk shkonin deri tek pista kryesore, por përdornin një emergjente në sapodalje të tunelit.
Kur ra sistemi shoqëror i këmbëngulur prej Enver Hoxhës dhe nga doktrina politike e komunizmit stalinist aerodromi kishte një skuadrilje (12 avionë) Mig 17, dy skuadrilje (24 aeroplanë) Mig 19, 36 avionë mësimorë të tipeve të ndryshëm, mes të cilëve 8 qenë Mig 15, të përshtatshëm edhe për luftim.
Motin më të lulëzuar të fuqisë së vet luftarake baza ajrore e Kuçovës e kishte pasur në 1975, duke rivalizuar fort shtetet fqinj, por më pas prishja me kinezët dhe ndërprerja e ndihmës ushtarake prej tyre, përkrah shumimit të investimeve të NATO-s tek aviacioni luftarak italian dhe grek, i përmbysi raportet e mëparshme të epërsisë.
Gjithsesi flota ajrore e armatosur e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë një tregues aftësie nuk e dobësoi gjer në rënie të enverkomunizmit: qe vendi i tretë në botë për shpejtësinë e vendosjes së gjendjes së gatishmërisë. Pas tre minutave çiftet e gatshme të avionëve që rrinin në pikën e startit të pistës çoheshin në ajër dhe kufirin shtetëror e kapnin brenda 7-8 minutave.

Komandanti i bazës ajrore

I hipi \"Opelit\" të tij privat dhe u ngjit në majë të kodrës kryesore të qytetit të Kuçovës. Ishte ende herët dhe i kishte hipur dëshira për të qenë vetëm me veten. Kur ishte fëmijë këtë gjë e bënte kaq shpesh sa në shtëpi binte alarmi. E kërkonin gjithandej, që prej prapadollapeve e deri në nënshkallë, ku një zgavër e vogël e mbante lehtësisht. Kur u rrit këto ndënie vetëm me veten iu rralluan, por iu zhdërruan në arratisje. Tashmë ai ikte jashtë qytetit.
Kishte gjashtë muaj që nuk e kishte bërë këtë \"ikje\" tradicionale të jetës së tij. Që kur një vit më parë, në mes të gushtit 1996 e emëruan komandant të këtij aeroporti ushtarak. Pararendësin e tij e kishin shkarkuar pasi nga Ministria e Mbrojtjes patën ardhur ngulshëm tre ekipe kontrolli. U fol turbullt se arsyeja kishte qenë korrupsioni. Të ndëshkuarin e ulën një shkallë më poshtë dhe e bënë komandant grupi ajror. Duke e lënë késhtu edhe në cilësinë e zëvendëskomandantit të bazës. Kurse ai kishte lënë kreun e grupit ajror dhe qe bërë komandant.
Atë ditë që e thirrën në ministri dhe Shefi i Shtabit të Ushtrisë i komunikoi detyrën e re, ai iu lut shoferit që ta kthente makinën drejt një pylli në jug të kryeqytetit. Përreth gjethet e plepave kishin një fëshfërimë dridhëse. Ai e njihte këtë përpëlitje të tyre, sepse kishte lindur në një fshat të bukur të jugut e të futur nën ombrellën gjigande të një plepnaje.
Detyra e re e kishte mbushur me një rrëmujë ndjenjash që ja pengonin frymëmarrjen. Ishte rritur me idenë se në jetë ose del i pari ose nuk je hiçgjë. Karrierën e kishte dëshiruar, sigurisht edhe të bëhej komandant i bazës. Veç ajo i kishte ardhur shumë papritur, kur as nuk mund ta mendonte.
Para se ta nisnin për tek shefi i Shtabit një mesogrua e personelit i kishte bërë shakanë \"zoti kolonel, po të bëjmë komandant pa u penguar nga bindjet e tua politike\". Ai ishte skuqur. Zonja pati nënkuptuar se qe një i majtë nën një qeveri të djathtë.
I majtë!?
Ai ishte ushtarak dhe nuk i pëlqente politika. Madje as në qytetin e tij nuk e dinte ku i kishin selitë partitë e së majtës dhe cilët ishin drejtuesit e tyre.

Fragmente jete

Ishte 45 vjeç. Qe vetëm trembëdhjetë kur pati filluar shkollën ushtarake \"Skënderbeu\" dhe aty, pikërisht nën një ditë me qiell të kaltër e ku nëpër ajrin e ftohtë të kryeqytetit vërtitej uturima e një avioni reaktiv, kishte marrë vendimin për t\'u bërë pilot.
Por kur ngjiti shkallët e shkollës ushtarake dhe kërkoi specializimin e ri, e refuzuan. I thanë se ishte i shkurtër. Në të vërtetë kishte një trup mesatar, ndërsa pilotët më së shumti qenë më të gjatë se ai. Më në fund pas një muaji e gjysmë këmbënguljeje iu dha një e drejtë studimi për degën e aviacionit. Analizat fizike i kishin dalë shkëlqyer.
Kështu nëntëmbëdhjetë vjeç, i diplomuar për Mig-17, u caktua pilot gjuajtës në këtë bazë.. Pastaj u specializua dy herë në Kinë. Në kurse njëvjeçare. Për Mig-19. Instruktorët kinezë qenë sjellë mirë dhe ua kishin dhënë pa xhelozi të fshehtat e profesionit. Edhe pse gjatë zhvillimit të kursit të dytë marrëdhëniet politike mes Shqipërisë dhe Kinës patën marrë një rrokullimë të frikshme.
Tani, në fund të shkurtit 1997, tek qe ngjitur në majë të kodrinës mbi qytet, shihte se si një mjegull e lagësht davaritej mbi hapësirën e pamasë të fushës së Moravës dhe të Perondisë, deri më tej ku gjendej kështjella antike e Beratit dhe shtëpitë piktoreske të tij.
Mjegullën ai e kishte ogur të mirë. Gjatë gdhirjeve të plogëta të dimrit ajo e mbështillte aeroportin me një përqafim të gjatë dhe dukej se të dy palët qenë dashuruar marrëzisht. Ajo, me një xhelozi të çuditshme, nuk linte që sytë e botës të shihnin katër avionët e gatishmërisë, as atë rresht shkëlqimtar të dhjetë të tjerëve në pistën rezervë, as konturet e uzinës së riparimit të tyre, më e madhja në vend, as të lëshonte një gisht pamje nga pista e dytë dhe e dredhtë që të çonte në disa tunele sekrete në barkun e kodrave të periferisë.
Papritur radiotransmetuesi i vogël që rrinte në xhepin e brendshëm të palltos së meshintë, sëmboi një tingull kuitës. Ishte shoferi. Thoshte se kishte mbërritur para shtëpisë dhe e pati pritur mëkot. Pastaj i kishte rënë ziles dhe nuk iu desh pak kohë që të kuptonte se komandanti qe përfshirë nga trilli i të ikurit jashtë qytetit.
I ktheu përgjigjen se po zbriste nga kodra. Pas pak minutash, hipur tashmë në makinën e tij të punës, hyri në rrugën e gjërë që të çonte për në aeroport. Rojet tek postoblloku i parë mbajtën drejtqëndrim. E shoqëruan me sy dhe pritën përshëndetjen e tij të zakonshme. Në të djathtë ishte makina e oficerëve të shtabit. Katër prej tyre e kishin bërë zakon ta prisnin çdo mëngjes këtu. Pastaj të dy makinat kalonin edhe postbllokun e dytë dhe hynin në brendësi të repartit. Ndalnin vetëm para vendkomandës. Pastaj plot pas një gjysmë ore komandanti dhe eskorta e tij delte nga zyrat e bëhej rreshtimi i mëngjesit.
Këtë rregull komandanti i bazës nuk e prishi as sot. Tek vështrimi i të tjerëve, pilotëve dhe teknikëve, dalloi shqetësim. Ndërsa, tek shihte rreshtimin e trupës luftarake, ndjente pikëllim. Pilotët qenë veshur me uniforma të ndryshme. Pak nga ato që kishin mbetur nga depot e ushtrisë komuniste, disa komplete dhuratë nga Kina, një duzinë ndihmash nga aviacioni turk, dikush tjetër sajuar me se të kishte mundur. Në pesë vjet rresht financimet e qeverisë ishin shkurtuar në mënyrë drastike. Prej saj vinin vetëm shkresa që porositnin tendera të pafund për blerje ushqimesh e ndonjë riparim. Asnjë avion i blerë rishtas, asnjë pajisje e re ushtarake, asnjë projektor. Edhe motorët rezervë të avionëve ishin të shumë e shumë viteve më parë. Kishin mbetur me avionët rusë e kinezë të dekadave pesëdhjetë e gjashtëdhjetë. Të vjetër, por të mirëmbajtur megjithatë.
Në ato gjashtë muaj të detyrës së tij ai u përpoq të rikthente tek reparti atmosferën e një ushtrie që të paktën stërvitej rreptësishtë. Vetëm një muaj pas emërimit, në shtator, filloi fluturimet natën. Regjimenti kishte katër vjet që nuk e kryente një stërvitje të tillë. Një muaj më vonë nga riaktivizimi i fluturimeve natën, në tetor, organizoi me gjashtë pilotë stërvitje me qitje-bombardime. Kishte tre vjet që ato nuk bëheshin. Në nëntor kryhej një stërvitje e madhe e ushtrisë në grykëderdhjen e një lumi. Përveç këmbësorisë merrnin pjesë edhe njësi tankesh. Për herë të parë edhe forca ajrore. Baza e tij u paraqit me gjashtë avionë, të cilët kryen qitje me predha dhe raketa.
Që prej vitit 1977 regjimenti nuk kryente qitje me raketa ajër-ajër dhe ajër-tokë. Ato ishin 57 milimetërshe dhe një avion Mig-19 mbante gjashtëmbëdhjetë copë. Po të mos furnizohej me predha, mund të mbartte edhe gjashtëmbëdhjetë të tjera.
Kur riti i takimit rreshtor me trupën e pilotëve dhe teknikëve përfundoi, ai nuk kishte bërë drejt vendkomandës as pesë hapa, kur në radio u dëgjua se nga qendra kishte mbërritur urdhëri i kalimit të bazës ajrore në gatishmëri luftarake.

Demonstrata politike në Vlorë

Më në fund në regjiment gjithçka ishte vënë në gadishmëri të plotë. Edhe të treqind e pesëdhjetë e dy ushtarët, edhe pilotët e teknikët, edhe avionët e stërvitjes dhe ata luftarakë, parku i makinave të shërbimit, rrjeti i ndërlidhjes dhe struktura e projektorëve, kulla e vrojtimit dhe vendkomanda, ishin riparë rezervat në magazina dhe siguruar ushqimi për tre ditë. Shefat e shërbimeve po i raportonin një nga një.
Kur gjithçka për vendosjen në gatishmëri përfundoi dhe një pjesë e anëtarëve të shtabit po iknin mbase drejt menxës, në qytet u shuan të gjitha dritat e ra befasisht një errësirë e thellë. U duk sikur Kuçova me të gjithë jetën e vet, pallatet dhe banorët e saj, rrugët dhe makinat që nxitonin nëpër zbrazësinë e tyre, dyqanet me vitrinat e neonta, kalimtarët e fundit, pemët e parqeve dhe stolat, vilat e vetmuara, u zhytën mijëra pashë nën tokë.
Komandanti pa orën e dorës. Po afronte njëzetë.
-Nuk më pëlqen kjo fikje dritash- dëgjoi të thoshte njërin prej oficerëve që i rrinte pranë. Por ai vetëm e vështroi. Ishte dimër dhe rrjeti elektrik i qytetit nuk e përballonte dot ngarkesën. Kështu që herë pas here lagjeve të veçanta u ndërpritej energjia sipas një grafiku. Megjithatë sot fikja ishte tërësore. Si absurde, si e pakujdesshme, si e qëllimtë.
-A nuk po shkojmë të shohim lajmet?- tha. Salla e argëtimit ishte vetëm disa dhjetra metra larg dhe mund të mbërrinin dëgjimin e lajmeve. Kur bashkë me disa oficerë hynë në të ajo ishte gati e shkretë. Gadishmëria luftarake kishte bërë e vetën.
Lajmet kishin filluar. Folësja kujdesej të ishte e qetë dhe pamjet e kronikave rrëshqitnin mbyturazi. Gati pa zhurrmë. Vetëm ndonjë fjalë e saj denonconte opozitën socialiste, duke e akuzuar se ishin në krye të demonstratave të paligjshme. Komandanti e shkëputi vështrimin nga ekrani. Hodhi sytë në dritare, atje ku duhej të ishte silueta e errësuar e qytetit të tij. Papritmas hapësira e errët u mbush me dritë. Kishin lëshuar energjinë elektrike.

Turbullirë edhe në Berat

E diel. Nga qyteti i Beratit, më pak se dhjetë kilometra larg në vijë ajrore prej Kuçovës, mbërritën lajme tronditëse. Udhëtarët zbrisnin të zbehur nga autobuzat interurbanë apo nga autoveturat e furgonët dhe tregonin me një frymë se edhe atje po ndodhnin turbullira. Pothuaj ishte e sigurtë se një turmë njerëzish kishin djegur godinën e bashkisë dhe të prefekturës, gjykatën dhe prokurorinë, kishte sulmuar dhe pushtuar komisariatin. Të tjerë rrëfenin se zjarri i ishte vënë edhe selisë së Partisë Demokratike.
Më pas gjithçka po bëhej përherë e më e qartë. Tablonë po e kompletonin me nxitim edhe agjencitë e huaja të lajmeve në shqip. Madje një reporter i Radio-Tiranës, rezident në Berat, shtoi plot se nën flakë nuk ishte përfshirë asnjë ent privat. Madje atyre as që u ishte thyer ndonjë xham. Furia e turmës së vogël e që më pas i ishte afruar qindëshes, kishte qënë shumë preçize: Vetëm institucionet shtetërore.
Vetëm duke u zbardhur dita e henë u kuptua që forca të shumta të policisë speciale kishin kapur përfundimisht pikat kyçe të Beratit. Në orët e para të pasmesnatës mbi aeroport kishte ardhur helikopteri i parë me trupa nga Tirana, më pas një i dytë. Baza ajrore ishte njoftuar për kalimin e tyre të shpeshuar atë natë. Autokolonat e makinave u ndjenë më vonë. Gjatë gjithë natës ato kaluan buzë aeroportit ushtarak dhe u ngutën drejt Beratit. Ky qytet atë vit shijonte mirëqenien e të ardhurave të mëdha nga firmat huamarrëse, nga emigracioni po ashtu dhe përflitej se jo më pak dollarë e marka i vinin nga një kontrabandë droge që një pjesë e të rinjve e bënin në Zvicër.
Duhej të ishte ora nëntë e ditës, kur në aeroport u ul një helikopter. Njeriu që zbriti kishte qenë ministër i brendshëm. Kishte lindur në Berat dhe tani po shkonte të kuptonte se ç\'kishte ndodhur dhe në se mund të ndikonte në fashitjen e egërsimit të papritur të tij.
Ish-ministri piu vetëm një kafe, vështroi me kureshtje transhetë e hapura, ushtarët me armatim e në gatishmëri të plotë dhe vetëm në fund e pyeti komandantin në ai kishte merak se mos sulmohej dhe shkatërrohej edhe baza ajrore. Komandanti vuri buzën në gaz, por shpejt e kuptoi se ky kishte qënë një gjest pa kuptim dhe besimtepruar. “Nuk besoj të na sulmojnë, tha, por edhe në ndodhte një gjë e tillë, unë do të urdhëroj të qëllohet mbi ta”.
Ish-ministri ia kishte ngulur vështrimin. Komandanti i bazës përsëriti: “Po sulmuan do të qëllojmë pa hezitim”.
Pas pak minutash ish-ministri u lajmërua se i erdhi eskorta dhe makina e blinduar që do ta çonte në qytetin e tij.
Arrestimet masive në Berat u morën vesh që në orët e para të mëngjesit. Flitej për pesëqind të tillë, por kjo dukej si fjalënajë e shfrenuar. Akoma më shumë kur u përhapën thashetheme se shumicën e tyre e kishin mbyllur nëpër ish-tunele ushtarake dhe po i rrihnin me shufra hekuri.

(Vijon)

Ylli Polovina




Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com