|
Ibrahim Biçakçiu, fati i një kryeministri midis nazi-gjermanëve dhe komunistëve
(Botuar në gazetën “Dita” me 19 dhe 20 shkurt 2017)
Pushtimi nazi-gjerman e nisi historinë e vet të shkurtër në Shqipëri dhe po ashtu e mbylli me të njëjtin kryeministër, Ibrahim Biçakçiun.
Krahas qeverive të tjera bashkëpunuese (Rexhep Mitrovica dhe Fiqiri Dine), periudha e ushtrim pushtetit ekzekutiv të Ibrahimit qe e tëra nën shenjën e shkurtësisë. Lufta e Dytë Botërore po mbyllej me mundjen e Boshtit Fashist ROBERTO (Romë-Berlin-Tokio) nga Aleatët (SHBA, Britani e Madhe, Bashkimi Sovjetik).
Ylli Polovina
Pesëdhjetë e dy ditë qeverisjeje pati Ibrahim Biçakçiu për herën e parë (14 shtator-5 nëntor 1943); dyzetë e nëntë për herën e dytë (6 shtator–25 tetor 1944). Për një rastësi, por mbase edhe kuptimësi, ishin që të dyja qeveri vjeshte, stinë me rënie gjethesh.
Njëqind e një ditët e tij (gjithsej) janë megjithatë shumë të veçanta, mjaft intriguese dhe të ndihmojnë më dukshëm se çdo koleg i tij shqiptar i kohëpushtimit hitlerian, t’i shpjegosh e mirëkuptosh këto momente të ndërlikuara të historisë kombëtare. Të bëjnë të mos ngutesh për ta parë gjithçka bardhë e zi dhe mbyllur çdo debat me bindjen se nazistët erdhën në vendin tonë se ashtu u ra rruga apo se qeverisësit shqiptarë këtë kohë në Tiranë qenë kolaboracionistë të thekur e tradhtarë pa din e iman.
Shënimet e të plotfuqishmit të Hitlerit në Shqipëri
Në fund të gushtit 1943 u emërua nga Adolf Hitleri “I plotfuqishmi i posaçëm i Ministrisë së Jashtme Gjermane për Europën Juglindore”. Ky qe austriaku Herman Nojbahër. Detyra e tij e re ishte koordinimi i kësaj politike të Berlinit në hapësirat e Sërbisë, Malit të Zi, Shqipërisë dhe Greqisë. Rezidencën Nojbahër e kishte në Beograd. Me detyrën e re njëkohësisht ai ruajti edhe postin e mëparshëm të marrë në tetor 1942, i ngarkuar i posaçëm i Rajhut për çështjet ekonomike dhe financiare në Greqi.
I vlerësuari si “diplomati fluturues”, deri në dhjetor 1940 Herman pati qenë kryetar i bashkisë së Vjenës dhe sapo u lirua prej kësaj detyre u caktua si i dërguar i posaçëm për çështjet ekonomike në Bukuresht.
Pikërisht ky tre herë i “Posaçëm”, në një libër të tij kujtimesh ka përfshirë edhe dhjetë faqe për Shqipërinë dhe prej kësaj lënde, përkthyer nga një njohës i mirë i gjuhës gjermane dhe sidomos për ngjarje të kohës së Luftës së Dytë Botërore, Gaqi Karakashi, do t’i referohemi fillimisht opinionit që ka për Ibrahim Biçakçiun.
Shkruan Herman Nojbahër: “Dy njerëz u përpoqën fillimisht veç e veç të krijonin një Komitet Përfaqësues Kombëtar, i cili do të shpallte pavarësinë e Shqipërisë dhe do të merrte përsipër qeverinë provizore të vendit: shqiptari Ibrahim Bej Biçaku nga Elbasani dhe kosovari Xhafer Deva nga Mitrovica. Negociohej ditë e natë. Duke respektuar rreptësisht “iniciativën vetjake”, unë shmanga çdo pjesëmarrje personale në këto konsultime të nxehta dhe prisja. Bile bëra diçka tjetër: në mbrëmjen e 12 shtatorit fluturova drejt Beogradit për të shmangur çdo shenjë presioni. Në datën 13 u ktheva përsëri në Tiranë dhe prita, duke qenë në dijeni të përhershme mbi ecurinë e gjërave në lidhje me krijimin e Komitetit Kombëtar. Miqve tanë u theksoja gjithnjë domosdoshmërinë e krijimit të një qeverie kombëtare të aftë për të vepruar. Kjo për hir të interesave më të larta të vendit, të Vermahtit gjerman dhe të diplomacisë. Përndryshe do të ishte krejtësisht e paevitueshme ndërhyrja në administratë dhe në ekonomi. Bile nëse fatet e vendit nuk i merrnin në dorë burra të ndërgjegjshëm për përgjegjësinë e tyre, atëherë nuk do mund të shmangej dot një qeveri e okupatorit, e cila nuk dëshirohej prej nesh.
Në 14 shtator të dy grupet u morën vesh për krijimin e një komitetit, në krye të të cilit u vu Ibrahim Bej Biçaku”. Këto çaste Ibrahimi, i lindur në Elbasan më 10 Shtator 1905, ishte 38 vjeç.
Ky Komitet Kombëtar me gjashtë anëtarë, ku ministër i Brendshëm qe Xhafer Deva, kreu detyrën e qeverisë së përkohshme deri sa në 5 nëntor nisi punën me statusin e plotë të një kabineti qeveritar Rexhep Mitrovica.
Për rishfaqjen e dytë si kryeministër të Ibrahim Biçakut, këtë herë jo në një kabinet të përkohshëm, por si qeveri e plotë, në librin e tij të kujtimeve Herman Nojbahër nuk shkruan kronologjikisht asnjë rresht. Gjithsesi në një nënkapitull të dhjetëfaqëshit për Shqipërinë, të titulluar “Mbi personalitetet shqiptare”, pasi përshkruan Mehdi bej Frashërin dhe Xhaferr Devën, shënon: “Ibrahim Bej Biçaku, trashëgimtar i emrit të një familjeje të madhe nga Elbasani, ishte lidhur gjithashtu ngushtë me rrethin e kulturës gjermane nëpërmjet studimeve për një kohë të gjatë në Vjenë. Ai ishte pothuajse një burrë i ndrojtur, modest, krejtësisht simpatik. Ishte president i Komitetit Kombëtar, që mori përsipër në 14 shtator 1943 qeverinë e përkohshme. Ishte dhe kryeministri i fundit kur trupat gjermane u tërhoqën, pra në fillim dhe në fund të një faze aktive të historisë shqiptare”.
Po ashtu në këtë dhjetë faqësh Nojbahër nuk thotë se në korrik 1944 Ibrahim Biçakçiut i qe akorduar nga Hitleri dekorata e “Shqypes Gjermane” e klasit të parë. Ndërkohë në dokumentet britanike dy herë kryeministri shqiptar i periudhës naziste të pushtimit përcaktohet si “një biznesmen, më shumë se sa një politikan”.
I akuzuar njëherësh si progjerman dhe mik i komunistëve
Sipas historiografisë shqiptare (kryesisht autorit Hamit Kaba), në shtator 1944, pasi prej Wermachtit (dhe Hitlerit) qe vendosur që gjermanët të tërhiqeshin nga Ballkani jugor dhe dora-dorës edhe prej tërë gadishullit, në Tiranë mori epërsi manovra e realizimit të një marrëveshjeje mosluftimi të përkohshëm me Lëvizjen Nacionalçlirimtare.
Nazi-gjermanët qenë të detyruar për tërheqje, sepse në 31 gusht 1944 Ushtria e Kuqe pati hyrë në Bukuresht dhe Rumania filo-fashiste rënë krejtësisht në duart e saj. Në 5 shtator Bashkimi Sovjetik i deklaroi luftë Bullgarisë dhe një ditë më pas ajo u dorëzua pa kushte. Ditë më fatale se 6 shtatori 1944 për ushtrinë gjermane të vendosur në Evropën Juglindore nuk kishte. Duke filluar nga kjo ditë trupat aleate antifashiste, sovjetikët nga sipër dhe anglo-amerikanët nga poshtë (Afrika e Veriut dhe Italia e Jugut), mund t’i futnin në një darë të madhe dhe t’i asgjësonin e neutralizonin fizikisht me shpejtësinë dhe sigurinë më të madhe.
Pikërisht 6 shtatori qe edhe dita kur në Tiranë u shpall kabineti qeveritar i Ibrahim Biçakçiut. Për gjermanët ato çaste ky ishte kryeministri më i nevojshëm për t’u përdorur në rrethanat e porsakrijuara, sepse mund të lehtësonte projekt-paktin e armëpushimit të veçuar të komunistëve me pushtuesit në largim. Nazistët e kishin mëse domosdoshmëri kursimin e çdo jete të gjallë, në zbatim të një plani për t’i frenuar sulmet e aleatëve në lindje dhe në perëndim, që me disa beteja të rrepta në Evropën Qendrore dhe një bombe atomike në përgatitje e sipër, të përmbysnin fatin e luftës.
Sipas historianit Kaba “Gjermanët pretendonin se shtypi qeveritar e kishte zbutur luftën kundër LNÇL, duke hequr me rekomandim nga lart artikujt të ndryshëm që sulmonin ideologjinë komuniste dhe komunistët shqiptarë”. Këto vërejtje, sipas autorit të sipërcituar, ata i kishin madje edhe për qeverinë pararendëse me të Ibrahimit, kabinetin e Fiqiri Dines.
Sigurisht nazi-gjermanët e dinin që Ibrahim Biçakçiu kishte raporte miqësore me komunistët, në fund të fundit edhe sepse Esat Dishnica, miku i palëkundur i Enver Hoxhës, qe martuar me një nga dy motrat e tij. Dyqani “Flora”, njëra nga bazat kryesore të PKSH-së në Tiranë dhe po ashtu fole e vetë Hoxhës, ishte pronë e Ibrahimit!…
Ekzistojnë disa dëshmi që e provojnë se Biçakçiu, në mendësinë e kulturën e tij mospajtues me ideologjinë komuniste, nuk qe kundërshtar i egër me bartësit e saj. Po veçojmë një rast që i përket periudhës së parë të qeverisjes së tij si kryeministër kalimtar, vjeshtë 1943. Në librin “Jani Basho, “Sa kam shpirt, kam shpresë”, me autor Jovan Basho, 2002, ndodhet edhe ky episod: “Në vjeshtën e vitit 1943 forcat gjermane rrethojnë dhe kapin Kopi Nikon (nip i Dr. Bashos) dhe Pirro Vakon, poradecarë partizanë. I çojnë në burgun e Tiranës dhe vendosin t’i pushkatojnë. E ëma e Kopit, Tipa, që ishte e motra e Janit (Ksanthipi Niko), i shkon dhe duke qarë i lutet që ta ndihmojë, duke i thënë se vetëm ti mund ta shpëtosh Kopin. Në këtë kohë ishte krijuar Komiteti Ekzekutiv, drejtuar nga Ibrahim Biçaku, edhe ky i diplomuar në Vjenë dhe mik i Janit.
Jani i shkoi në zyrë dhe i thotë përse kishte vajtur. Biçaku u ngrit, hapi një sirtar, nga ku prej një dosjeje nxori urdhrin e pushkatimit.
-Dëgjo, more Basho, – i thotë, – ky urdhër s’del nga ky sirtar…”
Ndërkaq për periudhën e dytë të kryeministrimit të Ibrahim Biçakçiut, Xhelal Staravecka, tek libri i tij i kujtimeve “Para gjyqit të historisë”, shkruan se “pas rënies së qeverisë së Fiqiri Dines u hap fjala se esnafet (borgjezia e Tiranës) dëshironte Ibrahim Biçakun për të formuar qeverinë. Ajo fjalë ishte e vërtetë, ishte vepër e …dhe e shumë të tjerëve që rrinin në shumë karrige, pasi sipas mendimit tim, kishte ardhur koha dhe nuk priste më që të hynin në skenë në favorin e Partisë Komuniste për të siguruar të ardhmen…”
Pak më pas Staravecka ngul këmbë se ”Me këtë rast Mehdi Frashërit i shkuan paria e Tiranës dhe i thanë që qeverinë ta formonte Ibrahim Biçaku dhe Regjenti thirri Ibrahim Biçakun dhe e ngarkoi të bënte listën e ministrave”.
Një paragraf më poshtë: “Kur pyeta Mihal Zallarin që ishte kryetar i Parlamentit nëse do t’i jepte votëbesimin Ibrahim Biçakut, dhe nëse ia jepte për cilën arsye, ai si jo i zgjuar që ishte, më tha se do t’ia jepte pasi ishte i vetmi person që nuk e kishte keq me komunistët”!…
Xhelal Staravecka e vijon gjykimin e vet edhe me këto fjalë: “Edhe borgjezia e Tiranës, nuk qe më pak e mbetur në mes të rrugës nga mendja e ndryshkur dhe e mykur, kur u bind në kohët e fundit se do t’ia hidhte komunizmit duke ndërhyrë pranë regjentit për formimin e qeverisë nga Ibrahim Biçaku. Sidoqoftë plani ishte bërë me përsosmëri, Ibrahim Biçaku si gjermanofil do të shërbente si tabelë në atë kabinet…Në atë kohë partizanët vinin çdo natë e bënin pushkë në periferinë e Tiranës”.
Ekzistojnë burime të tjera, jo tërësisht të dokumentuara, se Ibrahimi, pa e ditur se cili qe personalisht komunisti me pseudonimin “Tarasi”, e njoftoi kushëririn e tij Esat Dishnica se gjermanët po organizonin një operacion të posaçëm për kapjen e tij kudo ku ndodhej apo, në pamundësi t’u binte në dorë i gjallë, edhe ta vrisnin.
Disa burime të tjera, mes tyre edhe nga mjedise të rangut të tij shoqëror, pra prej bejlerëve (tek këta të fundit gjykimi i tyre i shprehur jo pa qesëndi), Ibrahim Biçakçiu konsiderohet autori i informimit të rretheve të larta të Shtabit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar me të gjithë grafikun kohor të tërheqjes së trupave gjermane nga Shqipëria.
Por ndërsa duket që këtë kohë prej komunistëve figura e tij vlerësohet si e pranueshme, realisht Enver Hoxha tërë kohën sa ishte gjallë, në të shkruar është shprehur tepër negativisht. Kështu në librin e tij “Kur u hodhën themelet e Shqipërisë së Re”, botuar në 1984, në faqet e shumta kushtuar Kongresit të Përmetit ai thotë se në ditën e parë të tij, në 24 maj 1944, në raportin para delegatëve “fola për përpjekjet e reaksionit për të minuar e për të sabotuar Luftën Nacionalçlirimtare, për të larguar popullin nga Partia dhe nga Fronti. Edhe në këtë pjesë të raportit, tregoja historikisht për format që kishte ndjekur kjo veprimtari armiqësore, për taktikat demagogjike të grupimeve reaksionare e kolaboracioniste nga kuislingët e hapur, si: Kruja, Vërlaci, Bushati e Libohova, te Balli Kombëtar, tek Abaz Kupi e Legaliteti deri te kuislingët e rinj, si: Mehdi Frashëri, Ibrahim Biçaku e të tjerë. Me argumente e fakte në raport provohej tradhtia e tyre”.
Kolaboracionistët ikin, Ibrahim Biçakçiu jo
Për kohën e shërbimit në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore si diplomati i nivelit të parë të Gjermanisë kujtime të tij ka shkruar edhe Martin B. Schliep. Mes tyre, për sa publikoi shtypi shqiptar këto kohët e fundit, thotë se “Dimri veçanërisht i fortë 1943/1944 dhe ndërhyrjet gjermane i dobësuan së tepërmi jo vetëm bandat, por dhe misionet ushtarake angleze, të cilat në vjeshtë të 1943-shit, nëpërmjet dërgimit të Gjeneral Brigade Davies me një shtab me numër të përforcuar së tepërmi. Davies dhe dy nga oficerët e tij, në janar të 1944-s, pas asgjësimit të bandave komuniste të Baba Fajës, u plagos, u zu rob dhe u dorëzua te gjermanët nga Ibrahim Bej Biçakçiu“.
Në të vërtetë dorëzuesi i gjeneralit të plagosur britanik tek gjermanët ishte Azis Biçaku. Këtë të fundit e konfirmon edhe Enver Hoxha, i cili, po të qe siç thuhet se ka shkruar Schliep, nuk do ta humbiste rastin për ta nëmur.
I bërë kryeministër në kohën e duhur për të tjerët, por jo për veten, pothuaj në një gjendje vetësakrifice, Ibrahimi nuk lëkundet prej qëndrimit të tij të përhershëm: atdheu të humbasë sa më pak. Por ai tetor 1944 mbarte shumë të papritura. Në datën 4 në Greqi zbarkuan forcat britanike dhe në 12 tetor ato hynë në Athinë. Në 20 tetor partizanët e Titos dhe Ushtria e Kuqe çliruan Beogradin.
Këto çaste, dyzetë e shtatë ditë pas nisjes së punës dhe dy para se qeveria e tij të shpërbëhej, në 23 tetor, kur mund ta braktiste kurajën për të dëshmuar dinjitet kombëtar, Ibrahim Biçaku kundërshtoi një qarkore të komandës gjermane për t’i vënë drejtpërsëdrejti nën urdhrat e saj (emërime, pushime nga puna, vlerësimin e respektimit të orarit zyrtar etj), gjithë nëpunësit e shtetit. Por këtë të drejtë deri ato momente e kishte pasur vetëm qeveria shqiptare. Pikërisht këtë të drejtë theksoi ai, kur në shenjë proteste, nëpërmjet bisedimeve ngulmuese me ushtarakët e lartë gjermanë, bëri që këta më në fund të tërhiqeshin.
Para se të merrte udhën e qytetit të madh verior, Shkodrës, prej ku të mundurit nga Lëvizja Nacionalçlirimtare e kishin si stacionin e fundit për të ikur jashtë kufirit, Ibrahimit i ndodhi një ngjarje. Qe në Hotel Dajti kur i erdhi me nxitim djali i hallës, Irfan Ohri, dhe i tha të vinte me të. “Ku?”, pyeti tjetri. “Të ikim, e grishi kushëriri, të mos biem në duart e komunistëve”. Pastaj shtoi: “Avioni është gati, po na pret”.
“Nuk i kam lyer duart me gjak”, nguli këmbë Ibrahim Biçakçiu. Po ashtu shqiptoi një tog fjalësh që e përdorte rrallë, por tepër krenarisht: “Jam djali i Aqif Pashë Elbasanit”!…
Pas kësaj Irfan Ohri iku në fatin e vet, tek avioni që po e priste në aeroport, kurse i kushëriri që dukej se ish i bindur se nuk do t’i ndodhte gjë, mori rrugën e Shkodrës. Të qëndronte në Tiranë në atë anarki lufte nuk mund ta vetëshpëtonte jetën edhe prej atyre që mund të mos kishin lidhje me partizanët e pushtetin e ri që po vinte.
Kur ndodhej në Shkodër, në 2 nëntor Greqia u çlirua përfundimisht dhe anglo-amerikanët që në korrik patën marrë Romën, në 9 nëntor hynë në qytetin italian në buzë të zonës veriore Forli. Pak ditë më pas, ndërsa Tirana qe çliruar nga pushtimi, komandanti gjerman i një autokolone në largim e ftoi Ibrahimin të vinte bashkë me të. Madje i premtoi se do ta çonte si kokrra e mollës në mes të Evropës, në Gjermani, dhe prej andej në vendin ku të dëshironte.
Por edhe këtë mundësi ikjeje Ibrahim Biçakçiu e refuzoi. Nuk mund dhe nuk donte të largohej nga Shqipëria. Nuk dëshironte të mbante si barrë akuzën se po ja mbathte nga që ndihej fajtor. Atdheun nuk e kishte tradhtuar kurrë. Pati punuar veç për të mirën e tij.
Nazi-gjermanët ikën dhe pas një parakalimi të fitimtarëve në 28 nëntor në Tiranë, një dite më pas ende duke u sapo gdhirë, kur filloi hyrja e partizanëve në qendër të Shkodrës, Ibrahim Biçaku do të arrestohej. Kjo ndodhi një javë më pas, në 5 dhjetor 1944.
As u largua, as u fsheh
Këtë çast fillojnë të krijohen në jetëshkrimin e publikuar për të deri tani disa qerthulle keqinformacioni. Sipas njërit prej tyre, i rishfaqur edhe një duzinë ditësh më parë, Myslym Peza, shumë mik nëpërmjet të vëllait, Shyqyriut, me familjen Biçakçiu dhe vetë Ibrahimin, ka qenë i pranishëm, me që kish edhe postin e nënkryeministrit, në dy mbledhje të qeverisë së Enver Hoxhës, ku është diskutuar për fatin e kryeministrit, bir të patriotit të madh Aqif Pashë Elbasanit. Babë Myslimi paska thënë se “edhe ca detyrime i kishin ndaj Ibrahim Biçakut”. Hoxha qenka përgjigjur “edhe detyrimet do respektohen, por edhe ligji do zbatohet”. Sipas interpretimit të mësipërm Myslim Peza i paska pohuar Enver Hoxhës se Ibrahim Biçakçiu ndodhej nën mbrojtjen e tij personale dhe se e mbante të fshehur në një bodrum të shtëpisë.
Gjithnjë sipas këtij varianti rrëfimi mes kryeministrit Hoxha dhe zëvendësit të tij, Peza, është rënë dakord që të luhet një vetëdorëzim i Biçakçiut dhe, duke përdorur këtë sjellje, hapej më lehtë mundësia për t’ia lehtësuar dënimin.
Por ka shumë arsye që ngjarjet të mos kenë shkuar përputhshmërisht kështu. Të paktën një e dhënë është tepër e sigurt, sepse vjen prej nipit të tij, Eqrem Kozares. Gjyshja e Eqremit, Nigjarja, ka qenë motra e Ibrahim Biçakçiut dhe kur ky në 1962 doli nga burgu i Burrelit, për afro shtatë vite banoi në shtëpinë e tyre.
Edhe pse për arsye që nën atë regjim të ashpër vetëkuptohen, pra ai nuk mund ta përmendte emrin e mikut të tij shkodran ku kaloi ditët i strehuar para arrestimit, tek kushërinjtë e parë Ibrahimi disa herë ka pohuar se me të ikur autokolona gjermane, ai e bëri të ditur publikisht se ndodhej në Shkodër dhe se, në rast që autoritetet e kërkonin, le të vinin ta merrnin. Njoftoi edhe shtëpinë-bazë ku po rrinte.
Ibrahim Biçakçiu nuk u fsheh as vetë dhe as prej kurrkujt tjetër. Fshiheshin vetëm ata që nuk kishin patur mundësi të iknin apo të tjerë që planifikonin në ilegalitet rezistencë deri edhe me armë kundër regjimit të ri.
Edhe pse Enver Hoxha u tregua “zemërgjerë”, jeta e Ibrahim Biçakçiut që një skëterrë e vërtetë
Ishte 39 vjeç kur ish-kryeministri Ibrahim Biçakçiu, i biri i vetëm i patriotit të shumënjohur Aqif Pashë Elbasanit, i futur në burg në 6 dhjetor 1944, u nxor para Gjyqit Special. Këtë atmosferë e përshkruan kështu Enver Hoxha në vitin 1982 në librin e tij të kujtimeve “Kur u hodhën themelet e Shqipërisë së Re”: “Që të vihej në vend dhe të realizohej drejtësia dhe hakmarrja popullore ndaj gjithë atyre që kishin lyer duart e tyre me gjakun e bijve më të mirë të vendit, që kishin djegur, që kishin shërbyer si bashkëpunëtorë të pushtuesit, duke shitur gjithçka, po mbi të gjitha atdheun, në mars të vitit 1945 u hap gjyqi special. Para tij dolën një numër i madh kriminelësh e tradhtarësh, në mes të cilëve anëtarë të qeverive kuislinge, krerë të Ballit Kombëtar, spiunë të fashizmit, si: Fejzi Alizoti, Tefik Mborja, Shuk Gurakuqi, Bahri Omari, Kolë Tromara, Hilmi Leka, Ibrahim Biçaku e të tjerë“.
Pak më pas vijon: “Gjyqi u dha dënimin kapital disa prej tradhtarëve të gjykuar. Ky ishte një dënim i merituar, që shprehte vullnetin e popullit, i cili e ndoqi me interesim të madh zhvillimin e këtij procesi. Në ditët kur zhvilloheshin seancat, populli, që i ndiqte ato si brenda në sallën e kinemasë, ashtu edhe jashtë saj, jepte dënimin e pakundërshtueshëm, duke thirrur “Rroftë drejtësia popullore! Vdekje kriminelëve të luftës!“
Enver Hoxha ndërhyn për të mos u pushkatuar
Pasi prokurori edhe për Ibrahim Biçakçiun kërkoi dënimin me vdekje, filloi përpjekjet për t’ia shpëtuar jetën halla e tij, Ymajuni, motra e Aqif Pashë Elbasanit. Ajo qe edhe nëna Esat Dishnicës. Ky, mik i ngushtë i Enver Hoxhës, ishte nip i Ibrahim Biçakçiut, pronar jo vetëm i një fabrike cigareje, por edhe i vetë dyqanit “Flora”, në mes të Tiranës, të përdorur fshehurisht të zotit për punë ilegale komuniste edhe prej Enverit.
Sapo këtij i thanë se e kishte kërkuar për një takim nëna e Esatit, i ndodhur në selinë e qeverisë, porositi ta lejonin t’i vinte në zyrë. “Ymajun, çfarë halli ke?”, e pyeti, edhe pse duhej ta nënkuptonte arsyen e asaj ardhjeje. “Kë do të dënosh ti, ngriti zërin tjetra, delen e perëndisë”? “Nipin tim, vijoi më pas, birin e Aqif Pashë Elbasanit!?”
Enver Hoxha u bë gati t’i thoshte diçka, por Ymajun i lëshoi një frazë akoma edhe më zemërake: “Por ti nëpër dhëmbë ke akoma bukën e Ibrahimit Biçakçiut!”
Fjalët që e motra e Aqif Pashë Elbasanit shqiptoi pak më vonë, në dy-tri minutat e tjera, qenë më të përmbajtura, pothuaj të painatosura. Enver Hoxha dalloi madje edhe ton lutës.
“Do ta rregullojmë këtë punë”, tha menjëherë dhe u ngrit ta përcillte Ymajun deri tek dera e zyrës. Ndërsa ajo iku, Enver Hoxha thirri Sami Bahollin. I tha prerë: “Të shkosh menjëherë në Elbasan dhe të bësh një peticion për faljen e jetës së Ibrahimit Biçakut”.
Vrapoi Samiu për në Elbasan dhe sa të hapje e mbyllje sytë u shfaq tellalli në Sheshin e Bezistanit. Shpalli thirrjen për mbledhjen e firmave në kërkesë faljeje jete Ibrahim Biçakçiut, birit të qytetit të tyre, të dënuar me pushkatim.
Peticioni, i firmosur nga 209 përfaqësues të familjeve më të njohura elbasanase, është bërë publik tashmë prej kohësh, por në kujtesë të lexuesve po e rikthejmë tekstin e tij për mesazhin e baraspeshuar që kumton në këshillë për këdo që dëshiron sinqerisht të kuptojë dhe shkruajë drejt veçanërisht periudhat e ndërlikuara të historisë kombëtare.
Peticioni i drejtohej Këshillit të Frontit Nacionalçlirimtar të Qarkut të qytetit të tyre dhe niste me fjalët “Ne të nënshkruarit banorë të qytetit të Elbasanit, kemi nderin t’i lutemi këtij këshilli të interpretojë pranë Këshillit të Përgjithshëm të Frontit Nacional-çlirimtar për sa vijon: Prokurori i Gjykatës Speciale për faje politike në Tiranë, ka kërkuar dënim me vdekje të Ibrahim Biçakçiut. Me këtë rast e shfaqim mendimin tonë se Ibrahim Biçakçiu ka pasur gjithmonë sjellje dashamirëse kundrejt popullit të këtij qyteti, i cili nuk ka pasur kurrë ndonjëherë ndonjë të keqe prej këtij njeriu. Ndër veprimet e tij politike, shtojmë me anë të vullnetarëve të tij katundarë ka dashur të mbrojë dhe ka mbrojtë me sa ka qenë e mundur popullin nga veprat e këqija të ballistëve të armatosur. Me rastin e marrjes së qeverisë nga ana e tij, ai ka lëshuar të burgosurit tanë të akuzuar politikisht. I rritur në një ambient patriotik dhe bamirës, si familja e atit të tij patriot Aqif Elbasani, ai ka vepruar gjithmonë me qëllime të mira dhe në rast se ka gabuar, populli i këtij qyteti, ka konviksion se ai në veprimet e veta nuk ka pas qëllime tradhtie kundrejt atdheut dhe s’ka dëshiruar shtypjen e popullit. Prandaj lutemi që të ndërmjetësoni pranë Këshillit të Përgjithshëm të Frontit që të bëhen hapat e duhura që t’i falet jeta Ibrahim Biçakçiut”.
Gjyqi Special më në fund, krahas dënimeve me vdekje, i hoqi prej pushkatimit “armiqtë e popullit” Koço Kota, Xhavit Leskoviku, Koço Tasi… dhe “kriminelët e luftës” Ibrahim Biçakçiu, Xhevat Korça… Për këta dha masën e burgimit të përjetshëm me punë të detyrueshme.
Kohët e para të dënimit ish-kryeministri do t’i kalonte në Urën Vajgurore, qytezë e vogël mes Beratit dhe Kuçovës. Më pas do të transferohej në birucat e Durrësit. Qelia e tjetër që do ta mbante brenda telave me gjemba, ishte në burgun e Burrelit.
Këtu do t’i ndodhë një ngjarje, e cila do t’i shndërrohet në një nga mënyrat më të pashpirta për ta fyer dhe përndjekur tërë jetën. Ishte një shpikje vërtet shumë banale, por me forcë të madhe përbuzëse, shtypëse.
Një ditë roja e detyron Ibrahim Biçakçiun të lajë nevojtoret. Në parim kjo “justifikohej“ me një rregull të brendshëm për çdo të burgosur. Ibrahimi e kreu pastrimin dhe u largua, por roja alabak e fodull, që kishte një rast për të poshtëruar një ish-kryeministër, e urdhëroi për t’i rilarë. Ndërsa Ibrahim Biçakçiu nuk kishte shqiptuar asnjë fjalë refuzimi apo pranimi, tjetri e trashi zërin që ta dëgjonin të gjithë dhe e kërcënoi: po të mos e ribënte pastrimin do t’ia fuste kokën në vrimën e nevojtores.
Atëherë Biçakçiu trupgjatë dhe i fortë fizikisht e kapi rojen prej zverku dhe ia uli kaptinën afër një vrime. Tjetri nuk pati kohë as të zgurdullonte sytë prej habisë. Ato iu zbardhën dhe i kërcyen si topa pingpongu.
Pas kësaj gardianët e tjerë iu hodhën sipër ish-kryeministrit dhe filluan ta goditnin me ç’të mundnin. Të alivanosur e përplasën në çimenton e birucës, duke pritur më kot t’u kërkonte falje. Thuhet se kjo ngjarje e kaloi censurën e komandës dhe shkoi deri lart, prej ku një ditë vartësve u zbriti porosia të mos provokojnë dhe krijojnë incidente të panevojshme.
Nga burgu i Burrelit Ibrahim Biçakçiu doli në 15 maj 1962. Kishte kaluar brenda qelive 18 vjet e gjysmë. U kthye në Elbasan dhe siç e kemi shkruar në pjesën e parë të botuar dje, ai u vendos në banesën e vogël të nipit, Sabitit, djalit të Nigjares, motrës së Ibrahimit, ku bashkë me gjashtë pjesëtarët e familjes Kozarja për pothuaj shtatë vite rresht u bë i shtati anëtar.
Eqrem Kozarja, i biri i Sabitit, këtë periudhë e ka të regjistruar në kujtesë deri në hollësitë më të imta. Ai thotë se pas daljes nga burgu, Ibrahim Biçakçiut nuk i afruan asnjë lloj pune dhe sigurisht e refuzuan një kërkesë të tij për të punuar si ndihmës në bibliotekën e qytetit. Afro pesëdhjetëvjeçari kishte propozuar të sistemonte libra nëpër rafte, por edhe të përkthente, po të kishin nevojë.
Ndërsa jetonte tek i nipi dhe kërkonte të gjente punë, i bëri një lutje takimi sekretarit të parë të partisë së vetme në pushtet, Jashar Mezenxhiut. Ky pranoi dhe një ditë nga paradhoma e zyrës së tij sekretarja e futi brenda. Në fund të tavolinës së madhe në formë “T“-je, Mezenxhiu nuk lëvizi fare nga vendi, por ngriti pak syzet, fërkoi sytë dhe shqiptoi fjalët “Gjallë qenke?“
Ibrahim Biçakçiu iu përgjigj qetë: “Ka edhe kryeministra të tjerë gjallë“. Tjetri që priste provokimin e përmendjes së ndonjë emri të padëshiruar për partinë e tij, edhe pse e dinte që tërë kryeministrat e para motit 1944 patën ndërruar jetë në mërgim apo i kishin vrarë, e pyeti me qesëndi: “E kush qenka ky?“
“Fan Noli“, tha Ibrahimi. Jashar Mezenxhiu u hutua nga guximi i barazimit në vlerë të një kryeministri nën pushtimin gjerman me një që drejtoi një revolucion antifeudal. Por Biçakçiu nuk i la kohë të mëdyshonte. Shpjegoi: “Të dy, secili në rrethanat e veta dhe dalluar në vlerat që ka, kemi punuar për të mirën e Shqipërisë“.
Atë ditë Mezenxhiu e dëgjoi kërkesën për punë të Ibrahim Biçakçiut, i premtoi se do të shihte ndonjë mundësi, por deri sa e caktuan punëtor në ndërmarrjen komunale të qytetit kaluan disa vite.
Petrit Hakani në Ministrinë e Brendshme: “Nuk të arrestojmë më“
I kësaj periudhe pasburgimi është edhe një ngjarje pasigurie për Ibrahim Biçakçiun. Në burgun e Burrelit ai kishte një shok, bashkëqytetas, i cili quhej Osman. Dolën nga qelitë pothuaj në të njëjtën kohë dhe në Elbasan takoheshin rregullisht për të pirë ndonjë kafe. Mirëpo një ditë, ndërsa po e priste të vinte tek klubi, Osmani nuk u duk. Lajmin se e kishin riarrestuar e mori vesh pa u çuar nga tavolina. Pothuaj e përfliste i gjithë qyteti.
Kur u kthye në shtëpinë e Sabitit, sepse ende jetonte atje, ia thotë atij çfarë kishte dëgjuar, por mori përgjigjen se i nipi nuk dinte asgjë. “Do të më arrestojnë edhe mua“, tha plot merak Ibrahim Biçakçiu. Pastaj shtoi: “Të bëjnë çfarë të duan. Unë jam ky që jam“. Por ndërkohë e kishte marrë një vendim të prerë.
Në mëngjes u çua shpejt dhe hipi në autobusin e linjës për në Tiranë. Në kryeqytet u paraqit tek rojet e godinës së Ministrisë së Brendshme dhe kërkoi të takonte Petrit Hakanin, në fillim të viteve pesëdhjetë kryetar i degës së këtij dikasteri për Elbasanin. Ky e priti, madje edhe e uroi, me shprehjen “më bëhet qejfi që ke dalë nga burgu“. Shtoi pastaj se Ibrahim Biçakçiu disa ide të nacionalizmit ballist mbase tashmë i kishte kapërcyer. “Ne atëherë të bëmë thirrje të bashkoheshe me ne, por ti nuk e bëre këtë veprim“.
Ish-kryeministri iu përgjigj se kishte mbetur ai që pati qenë gjatë viteve të luftës dhe se me komunizmin nuk bashkohej dot. Petrit Hakani bëri një çast nervozin dhe tha se Ibrahimi nuk duhej të fliste ashtu, sepse shteti i Enver Hoxhës qe shumë i fortë. “Nuk bashkohem, nuk bashkohem, përsëriti ish-kryeministri dhe e plotësoi mendimin e tij me fjalët se ai nuk binte dakord me komunizmin ashtu si edhe ata, njerëzit tani në pushtet, bënin, me të drejtë, me Titon.
Funksionari i lartë i Sigurimit të Shtetit e pyeti më në fund për hallin që e kish sjellë deri aty. Këtë herë iu drejtua me fjalët nderuese “Ibrahim bej“. “Erdha t‘ju them, nisi shpjegimin e tij Biçakçiu, se në Elbasan ka njerëz të pakënaqur“. “Kush janë këta“, ngulmoi Petrit Hakani. “Unë“, u përgjigj menjëherë ish-kryeministri. “Po ta përsëris, tha oficeri shumë i lartë i Ministrisë së Brendshme, se qeveria e Enver Hoxhës është e fortë dhe të mos themi gjëra të pavërteta“.
“Por në Elbasan kanë arrestuar Osmanin“.
“E di, shqiptoi tjetri, por ti kthehu i qetë në shtëpi. Ibrahim Biçakçiu nuk është si Osmani që e fusim dhe e nxjerrim nga burgu sa herë të duam. Ti e kreve dënimin që duhej dhe nuk do të kesh asnjë problem me ne“.
Ibrahim Biçakçiu u rikthye në Elbasan po atë ditë, kurse Petrit Hakani shkoi në këtë qytet të nesërmen. E kërkoi dhe e gjeti menjëherë dosjen e bërë gati nga dega e tyre për arrestimin e ish-kryeministrit. E grisi.
Falsifikime mbi jetën e tij të dhimbshme
Ibrahim Biçaku i sapodalë nga burgu i Burrelit, 1963.
Muajt e parë Ibrahim Biçakçiu u përpoq me të gjithë forcën e shpirtit të tij të butë dhe zemrës së gjerë që ta duronte poshtërimin e ri, por një ditë Sabiti me të birin, Eqremin, shkoi tek Esat Dishnica dhe iu lutën të bënte një përpjekje ndërhyrjeje deri tek Enver Hoxha. Ky, pasi i dëgjoi, tha se nuk mund të bënte dot gjë. “Ata nuk tërhiqen nga ajo që kanë në kokë“ u shpreh në fillim, dukshëm në vështirësi për të gjetur fjalët e duhura të shpjegimit. “Më mirë ta kishin vrarë se ta fusnin pastrues në nevojtore në mes të Elbasanit“ shfryu i dëshpëruar Sabiti. Pastaj shtoi: “Thuaji një fjalë shokut Enver“, përsëriti.
“Me të nuk llafoset dot“, u përgjigj Esat Dishnica.
Ibrahim Biçaku do të punonte në wc-në publike të Elbasanit deri sa do të ndërronte jetë, por pas viteve nëntëdhjetë, mes përpjekjeve të paskrupullta të shumë fajtorëve të diktaturës për t’u rrufjanepsur me një imazh tjetër, tërë kjo histori u përpunua në të kundërt. Nëpër gazetat tona mund të gjesh këtë variant të gënjeshtërt: “Në një vizitë të Enver Hoxhës në Elbasan pas viteve 60’, udhëheqësin komunist e shoqëroi Sekretari i Parë i Elbasanit, Jashar Mezenxhiu. Mësohet se në një moment të vizitës, me taktin dhe kujdesin që i kërkonte pozita, Mezenxhiu i solli në vëmendje Hoxhës edhe “çështjen e Ibrahim Biçakut”, duke e pyetur madje: “Akoma në varreza do e lëmë të punojë?”
Kjo pyetje e Mezenxhiut, bëri efektin e vet dhe pak kohë më pas ish-kryeministri kuisling transferohet me punë në një vend më pak të mundimshëm, derisa vdiq“.
Do të sajonte një histori false edhe Herman Nojbahër, numri një i Berlinit hitlerian në Shqipëri, i cili në faqet e tij kushtuar qëndrimit në këtë vend, nuk ja kursente dashamirësinë Ibrahim Biçakçiut. Pas lufte i kapur nga amerikanët dhe i burgosur në Jugosllavi (liruar më pas në 21 nëntor 1952), Nojbahër shkruan se në qelitë e Beogradit kishte mësuar prej një refugjati shqiptar se kryeministri Biçakçiu mund fare mirë të shpëtonte duke u ikur nga Shqipëria, por pati rënë viktimë e një vonese në veprime. Sipas tij, duke qenë se ishte mjaft i pasionuar pas pllakave të gramafonit, humbi shumë kohë të çmuar duke zgjedhur nga koleksioni i tij ato që do të merrte me vete dhe kështu komunistët e kapën.
Vdekja që e mori sapo nisi Viti i Ri
Tregon Eqrem Kozarja: “Në 31 dhjetor 1976, në mbrëmje, ka qenë takimi im i fundit me të. Mbante në dorë një trastë të vogël. Pati futur aty ca pak ushqime, blerë për Vitin e Ri si edhe dy shishe birrë. E ftova të vinte në shtëpinë tonë, ku gatoi mamaja dhe ai hëngri me dëshirë. Në nëntë e gjysmë u ngrit dhe iku.
Hyri Viti i Ri 1977, kur befas na lajmëruan se Ibrahimi ishte shtruar urgjentisht në spital. Mjekët i kishin gjetur një koleksion të tërë sëmundjesh, sidomos një të ftohtë mushkrish. Në 4 janar ndërroi jetë“.
I lënë vetëm nga shteti, për gjysmë shekulli edhe nga historishkrimi kombëtar, i rikthyer i pajetë në varrezat e vendlindjes, ku për vite të tëra kishte punuar për t’u rehatuar strehën e fundit të tjerëve, kryeministri që pati kurajën të punonte në kohë gjermanësh pa u rënë më qafë as partizanëve dhe as komunistëve, gjer në minutën e fundit në borderonë e ndërmarrjes komunale të Elbasanit qe pastrues nevojtoreje.
Të paktën autoritetet që shkarkuan mbi të aq tepër mllef lufte klasash, nuk penguan që mbi pllakën e varrit emri t’i shkruhej i plotë. Njerëzit më në fund mësuan se pati jetuar mbi tokë 72 mote dhe nuk la pas asnjë fëmijë.
Nipi i tij Eqrem Kozarja, të cilit përkatësia në familjen e Biçakçinjve dhe dashuria e veçantë që kishin për “dajon“, siç në shtëpinë e tyre e thërritnin, i kishte dhënë mundësinë të qe njohësi më i mirë i tij, thotë se Ibrahimi përsëriste herë pas here këtë mendim: “Nuk ka rëndësi që vdes një Ibrahim apo dhjetë, që bëri burg një Ibrahim, por dhjetë. Për mua ka rëndësi që Shqipëria si territor shteti ekziston, nuk ndodhet në dorë të serbit dhe grekut, sepse për mua serbi dhe greku janë hasmët tanë”.
Por as kjo deklaratë që shkoi deri lart nuk ia lëmoi arsyetimin atyre që kishin në dorë fatin e mbramë e të trishtueshëm të tij. Nuk u zbutën sa të paktën të mos e linin të vdiste si pastrues i një wc-je. Në fund të fundit i ati i tij, Aqif Pashë Elbasani, kishte përmasa të mëdha kombëtare rilindëse dhe shtetkrijuese (kryetar i Kongresit të Lushnjës, Ministër i Luftës, i Brendshëm, i Bujqësisë në periudha të ndryshme). Kjo madhështi nacionale mund të kuptohet plotësisht prej 466 faqeve të një libri fort të dokumentuar me autorë studiuesit Mentar Belegu, Hysen Kordha dhe Rudina Mita.
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|