Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

NOSTALGJI PËR HOXHËKOMUNIZMIN?


(Botuar në gazetën online “Shqip” në 13 dhjetor 2016)

Tashmë në rrumpallën e përgjithshme të fjalënajës me akuza të ndërsjella politike, shumë ireale dhe të tejtepruara, pas sondazhit të ideuar nga OSBE-ja në Tiranë në lidhje me të kaluarën komuniste të Shqipërisë, është krijuar, vënë në përdorim dhe bërë, shumë i pëlqyer, një term i ri: nostalgjik. Domethënë je me mendësi të ngujuar në të kaluarën e regjimit të para nëntëdhjetës.
Isha këto ditë duke shfletuar librin në italisht të Izabel Alendes, “Il mio paese inventato”, i cili mund të përkthehet “Një atdhe sipas mendjes time”, kur një person i panjohur pranë më deklamoi me tërsëllimë: “Ajende ishte një president komunist... Je nostalgjik!”
Bela e madhe me gojëlëshuarit ideologjikë, por që janë edhe mendjezbrazët!
Sërish nga jo pak nuk po kuptohet se pas një çerek shekulli të mundësisë së plotë për ta bërë hoxhëkomunizmin një të kaluar për të mos shkaktuar trysni epërsie mbi të tashmen, ka ngjarë krejt e kundërta. Dështimi, për nga shifrat që paraqiti sondazhi, është tepër flagrant dhe njëherësh problematik. Kërkon ndryshim të vetë strategjisë së interpretimit publik të periudhës gjysmëshekullore totalitare të pasçlirimit. Sigurisht shumë pushtetushtrues të sotëm, përfshi edhe më të ngjashmit në profesion me Enver Hoxhën, politikanët, janë faktori kryesor i krijimit të gropës, sepse edhe individualisht, në përmasa personale, një pjesë e dukshme e tyre “nuk i vijnë as te maja e gishtit” diktatorit. Bëhet fjala për aftësinë diabolike të ndikimit. Enver Hoxha dhe modeli i tij shoqëror është mjaft më i ndërlikuar se ai i realizuar prej Ahmet Zogut. Edhe pse kishte shtetëzim total, çfarë shkaktoi rënim dhe deri triskëtim për t’u ushqyer, në varfërinë e përgjithshme ai të siguronte punë, madje edhe një strehë për të banuar. Këto, për shumë, qenë të drejta jetike më të rëndësishme se ajo e fjalës apo e shumëpartitizmit, kjo e fundit, duke e parë tashmë prej njëzetë e gjashtë motesh, në variatin shqiptar nuk shkëlqen hiç.
Ndërkohë në shumë dëme që i shkaktoi vendit të vet, sidomos në mos ndërprerjen, ose të paktën mos zbutjen e dogmës së “luftës së klasave”, e kaluara hoxhëkomuniste nuk i jepte shans politikanit hajdut, i cili sot mbretëron. Ai madje nuk ka turp fare as të vetëpërmbahet në manifestimin e luksit dhe as të fshehë kuletat e fryra.
Në këtë dështim të madh të procesit të natyrshëm e të domosdoshëm të dekomunistizimit janë përgjegjës edhe vetë antikomunistët bërtitës, të mbushur me mllef dhe urrejtje klasore më keq se sistemi i mëparshëm. Në webfaqen e një familjeje të tillë të Shqipërisë së Jugut, pjesëtare në akte patriotike kombëtare, por dhe bashkëpunuese në një moment me pushtuesit nazistë, gjen të shkruar kërcënimin “akoma po marrin frymë komunistët?” Çfarë mbarësie për dekomunistizim real mund të vijë kur edhe një politikane blu, aspak negative për disa vlera që ka, bërë edhe spikere e parlamentit, shkon deri atje sa deklaron publikisht se shefi i saj, Sali Berisha, e kishte pasur një gabim me njerëzit e partisë rozë: që nuk u kishte futur një plumb kokës.
E tërë kjo gjuhë dhe mënyrë të menduari, e dyshuar si pamundësi për t’u bërë realitet për shkak të rrethanave ndërkombëtare, por që në kondita të tjera do të shndërrohej patjetër në gjak, e justifikoi dhunën e diktaturës së shkuar.
Pra dështuan edhe këta dhembëkërcëllitës. Veç pas shpalljes së sondazhit çuditërisht ata u bënë më skërmitës. E akuzuan edhe atë si komunist. Kështu kanë hapur rrugën që edhe për një çerek shekulli tjetër rezultati të jetë “45 përqind e të anketuarve mendojnë se Enver Hoxha ka patur ndikim negativ për vendin, ndërsa 42 përqind pozitiv. Afërsisht gjysma e të anketuarve mendojnë se komunizmi ishte një ide e mirë që u zbatua keq”.
Disfata e periudhës pluraliste për ta mposhtur krejtësisht gjysmëshekullin e hoxhëkomunizmit erdhi edhe prej ìideologjizimit të historisë, politizimit të interpretimit profesionist të saj, trajtimit të kësaj diturie si të jetë një punë propagadistike partiake, një agitprop. Kështu përshëmbull partizanët nuk kanë luftuar fare, se ata pas pushtimit fashist sollën pushtimin komunist dhe se e tërë ajo periudhë qe fund e krye luftë civile. Megjithë ndërhyrjen e fortë e të kurajshme të Sali Berishës kohët e fundit për të mbrojtur pikëpamjen e anasjellë, asnjë prej ndjekësve të partisë së tij që deri tani ka qenë shprehur për sa më sipër, nuk ka lëvizur asnjë milimetër. Bashkëpunëtorët e zellshëm të musolinianëve dhe hitlerianëve gjatë Luftës së Dytë Borërore kanë dalë nga shishja. Duke garantuar edhe këta jo vetëm “stabilitetin” e anketimit të vitit 2016 për njëzetë e tetë motet e ardhshëm, por edhe mpakjen e sigurt të trupit elektoral të bluve. Mosnjohësit e rezistencës kundër pushtimit janë shpërblyer për shtatëdhjetë vite me atrofizim politik.
E kaluara bëhet histori. Histori është edhe Enver Hoxha. Kjo do të thotë se kurkush nuk e heq dot, nuk e shkul, nuk e shfarros dot me inat ose mënyra të politizuara. Librat e tij, “veprat”, shiten në buzërrugë.
Sepse ndodh edhe kështu: u publikuan dokumente reale për raporte të caktuara, të mbajtura nga Nexhmije Hoxha, me strukturat partiake fashiste italiane. Madje të realizuara vetëm pak muaj para se të krijohej PKSH dhe ndërsa kishte pesë vite që ajo bënte pjesë në Grupin Komunist të Shkodrës.
Interesante vërtet, të cilat koha do t’i gjykojë më mirë. Veç kjo ngjarje transparance hap një temë edhe më interesante: si ndodhi që vetë ajo ose i shoqi, më pushtetfuqishmit në Shqipëri për një gjysmë njëqindvjeçari, nuk i asgjësuan dhe as i fshehën?
Kur që pas motit 1991 ndodhi e po ngjan e kundërta.

Ylli Polovina

Tiranë, më 12 dhjetor 2016



Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com