Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

KONGRESI BALLIST I BERATIT


(Botuar në “Shqiptarja.com” në datat 22 deri 25 nëntor 2016)


DIMËR I RËNDË 1943-1944 DHE NJË KONGRES BALLISTËSH NË MES TË TIJ

Rrokullimë ngjarjesh nga Teherani në Berat

Fillimi i janarit 1944 në luftën e përgjithshme mes Boshtit Fashist dhe aleancës antifashiste Anglo-Sovjeto-Amerikane kishte mbi një vit që ecte në favor të hovshëm të këtyre të fundit. Në Shqipëri këtë disfatë të pandalshme të Hitlerit e dinte pjesa më e madhe e popullit. Nazistët ishin të humbur.
Pasi në fundnëntor 1943 tre aleatët kryesorë të luftës totale kundër gjermanëve kishin organizuar me sukses Konferencën e Teheranit dhe bashkërenduar valën e re të goditjes, pasi në 20 dhjetor Josif Visianoroviç Stalini në një mesazh personal tepër sekret i shkruante presidentit amerikan Frank Delano Ruzvelt se i vlerësonte shumë vendimet e mara në Teheran “për shpejtimin e fitores sonë të përbashkët dhe për vendosjen e një paqeje të shëndoshë midis popujve në të ardhmen“, në 4 janar 1944 shefi i bolshevikëve sovjetikë i shkruante sërish Ruzveltit: “Lexova me gëzim në shtyp lajmin se po shëroheni. Ju dërgoj urimet më të mira dhe sidomos urimet për një shërim sa më të shpejtë dhe të plotë”.
Raportet mjaft bashkëpunuese, por edhe shumë të ngrohta dalloheshin edhe në marrëdhëniet me Stalinin të Çërçillit, ato kohë demokratit dhe antikomunistit më të njohur të Perëndimit.
Por nuk mendohej kështu në Shqipëri. Këtu ngjarjet ecnin krejt në të anasjellën. Për ta matur se sa në të kundërt të prirjes botërore antifashiste shkonte kjo dinamikë, duke qenë se fajin e palës PKSH e dimë mirë që të gjithë, po i japim reliev kësaj here asaj të Ballit Kombëtar, rreth të cilës ende ka mëdyshje dhe paqartësi.

BK para sprovës për vetë analizë

Për ta kryer një përpjekje të tillë do t’i drejtohemi ngjarjes më domethënëse të BK për tërë jetën e saj politike, që kur u krijua e deri sa, pas lufte, mbijetoi në emigracion në formën e partitëzave dhe pas rënies së diktaturës në Shqipëri e vijoi inercinë e vet deri sa u bë forcë politike krejtësisht e papërfillshme.
Ky është kongresi i ballistëve, sigurisht i pari i tyre. Dhe i fundit gjatë luftës.
Më kryesori në të tërë jetën e BK.
Në sprovën e analizës që do të bëjmë. kemi një fat: të dhënat për këtë ngjarje na vijnë prej më të informuarit historian shqiptar të Luftës së Dytë Botërore, njëkohësisht edhe protagonist i saj, Profesor Kristo Frashërit. Ne thjesht faktet që ai paraqet, shumë më të plota se të vetë ballistëve, do t’i lexojmë jo sipas këndvështrimit të tij, i cili është përherë për t’u respektuar, por edhe të mbështetur në një shtrat të historishkrimit të para nëntëdhjetës.
Do të ndjekim, si një prej mijra këndvështrimeve, mënyrën tonë. Sepse secili ka “çelësin” e tij.
Për këtë ngjarje politike shumë të rëndësishme të Ballit Kombëtar, por edhe të vetë luftës, heshtja e historisë zyrtare të periudhës realkomuniste ka qenë e hekurt. Nëpër librat shkollorë, përfshi edhe ata universitarë, nuk e gjen as të shkruar posaçërisht për keq. Në këtë profil të fundit ai u ekspozua vetëm në botime speciale një dhe shumëvëllimëshe për luftën apo në studime të veçanta. Në të gjitha rastet nëpërmjet fare pak radhëve.
Por përse historishkrimi i gjysmëshekullit të diktaturës së proletariatit bëri mund të madh që kongresi i parë i Ballit Kombëtar të shfarosej nga kujtesa kombëtare? Mund ta përdorte fare mirë për ta djallëzuar.
Arsyeja kryesore e censurës ka të bëjë, sipas mendimit tonë, me një “të fshehtë” të kësaj ngjarjeje: ajo nuk është aq zi sa të përdoret lehtësisht për propagandë. Në rast se, për shembull, do të përpiqeshin të nxirrnin në pah se në atë kongres nuk kishte aq unitet të plotë për çështjen e bashkëpunimit të tërthortë me gjermanët, kjo ngjarje jo vetëm do të hidhte edhe ca reze drite pozitive mbi ballistët, por prej kësaj të pazakonshmeje ngjarja e tyre kongresuale do të merrte në opinion dhe në histori famë të madhe, duke mënjanuar apo imtësuar atë që PKSH e konsideronte të realizuar prej saj në të njëjtin qytet, Berat: krijimin e të quajturës Qeveri e Përkohshme Demokratike.
Një rrethanë e tillë censure të kuptueshme prej kundërshtarëve politikë të Ballit Kombëtar bëhet e pashpjegueshme, mezi e interpretueshme, përballë faktit tjetër, shumë të çuditshmit dhe të bujshmit: për këtë kongres edhe vetë ballistët e sidomos grupi udhëheqës i tyre ka heshtur apo ka mezi folur. Duke vepruar kështu edhe ata kanë ndihmuar që ngjarja të mos lërë asnjë gjurmë të ndjeshme në opinionin publik dhe në historinë nacionale.
Kanë kapërcyer jo vetëm pesë dekadat e regjimit bolshevik por edhe më shumë se dy e gjysmë të tilla të pas rënies së tij dhe askush prej elitës së ballistëve nuk ka sipërmarrë një botim për këtë kongres. I vetmi që ia ka nënshtruar këtë ndodhi politike analizës profesionale, si edhe pasurimit me ndonjë informacioni të ri, është studiuesi Uran Butka.
Të habit ky qëndrim mënjanues ndaj kësaj kryengjarjeje kur sheh se heshtjen ndaj saj e ka kryer me tërë vetëdijën dhe vullnetin e tij të fortë vetë një nga eksponentët pjesëmarrës në të si edhe po ashtu pas lufte. Menjëherë pas vdekjes në SHBA të udhëheqësit historik të BK, Mit’hat Frashërit, ky u zgjodh kryetar i kësaj organizate. Bëhet fjalë për Hasan Dostin.
Jetëndërruar në 1991, në 2008 i biri i tij, Viktori, botoi në Tiranë librin biografik për të atin, ku janë përfshirë edhe mjaft dokumente zyrtare të Ballit Kombëtar gjatë periudhës së konfliktit botëror 1939-1945, si edhe pas saj. Mes tufës së tyre nuk gjendet asnjë që ka lidhje me ngjarjen kongresuale të nacionalistëve.
Në të vërtetë libri ka një gropë të madhe: periudhën 26 tetor 1943, çast kur BK publikoi në Shqipëri “Thirrjen Nacional-Çlirimtarëve” dhe “Thirrjes Shqiptarëve” të kryer në emigracion në 28 nëntor 1945.
Janë prej Hasan Dostit plot njëzetë e pesë muaj heshtje shumë të qartë, ndërsa ai qe anëtar i Komitetit Qendror të Ballit Kombëtar.
Që nuk kanë bërë zë për periudhën e pranisë së Shqipëri, si forcë pushtimi, të gjermanëve, janë shumë eksponentë të kësaj organizate dhe prej kësaj kuptohet mirë vështirësia e tyre për t’i qartësuar historisë kombëtare përse, ndryshe prej periudhës kur qenë italianët, hoqën dorë përfundimisht nga lufta me armë kundër nazistëve.
Ndërkohë për këtë heshtje të thellë Hasan Dosti ka edhe ndonjë arsye tjetër.
Në kongresin e Beratit ai u kritikua prej disa pjesëmarrësve se qe përgjegjësi kryesor i qëndrimit të lëkundur, madje shumë afrues, me pushtuesit. Sipas qortuesve të tij kursi i mëparshëm i BK me shpirtin e kompromisit ndaj të huajve, të cilën që të gjithë ia hodhën mbi shpinë Dostit, jo vetëm nuk përputhej me thelbin programor të një organizate nacionaliste siç qe Balli Kombëtar, por binte krejtësisht ndesh.
Kështu në kongresin e Beratit Hasan Dosti u përjashtua nga radhët e anëtarësisë në Komitetin Qendror, çfarë qe një forum udhëheqjeje vetëm me elitë: gjithsej ishin shtatë-tetë vetë.

Numri dy i Ballit Kombëtar Abaz Ermenji?

Heshtja këmbëngulëse dhe masive e eksponentëve kryesorë të Ballit Kombëtar për kongresin e tyre të parë të mbajtur në Berat nuk mban të kyçur brenda vetes vetëm padëshirën personale të Hasan Dostit për të mos e kujtuar ngjarjen ku u kritikua fort si përgjegjës për kursin e deriatëhershëm të oportunizmit ndaj pushtimit italian. Pikërisht për këtë faj, siç e vumë në dukje edhe në shkrimin e mëparshëm, ai u dëbua nga komiteti qendror i kësaj organizate dhe nuk u ndodh më në listën e re.
Nuk mund të shkruante çfarë ngjau në këtë kongres Hasan Dosti, edhe pse gjithçka rreth punimeve të tij e dinte shumë hollësisht, sepse pas vdekjes në Mit’hat Frashërit në 1949 ai do të bëhej, ndërsa jetonte në SHBA, kryetar i BK dhe për rrjedhojë edhe drejtues i Komitetit Kombëtar “Shqipëria e Lirë”.
Si mund ta shkruante në biografinë e tij se qe një i përjashtuar nga forumi kryesor i udhëheqjes?
Nuk ishte fare i interesuar për shkrimin e detajuar të këtij kongresi edhe një eksponent tjetër, i cili si edhe Dosti, pas vdekjes së liderit historik të Ballit Kombëtar, Mit’hat Frashërit, u bë udhëheqës i tij, madje duke e gëzuar këtë status edhe pas rënies së regjimit stalinist në Shqipëri: Abaz Ermenji.
Këtij në Berat i pati ngjarë mosrealizimi i një ambicieje të vjetër. Abazi, ballist me koncept të kundërt me atë të Hasan Dostit në raport me pushtuesin, përherë i gatshëm dhe i dëshiruar që ndaj tyre BK të zgjidhte luftën me armë, nuk u miratua të qe komandanti i përgjithshëm i forcave ushtarake të organizatës.
Po të realizohej kjo do të ishte një mënyrë e shkëlqyer që të ndodhej shumë afër me postin e kreut, si pasardhës i Mit’hatit pas ndonjë vdekjeje të këtij për shkak të moshës së lartë apo edhe të një lëngimi të zemrës, të cilën lideri historik e kishte të sëmurë.
Ose edhe në rast të ndonjë zëvendësimi të papritur të tij, ndonjë “grushti shteti” brenda organizatës.
Alternativa e detyruar e heshtjes për kongresin e parë të Ballit kishte edhe një të dëshiruar të tretë, po ashtu edhe ky eksponent i dorës së parë: Ali Këlcyra.

Faik Quku shpjegon në një libër me dy vëllime

Aty, në kongres, duhet të ketë ngjarë diçka për të cilën të gjithë krerët ballistë, edhe pse qenë me pikëpamje të ndryshme për mjaft çështje të diskutuara, për diçka janë njëlloj dakord të mos e thonë, të mos i japin mundësi historisë ta regjistrojë dhe tua kujtojë brezave të ardhshëm.
Duke u mundur të fiksojë kohëzhvillimin e tij historiani Kristo Frashëri nënvizon se “Faik Selenica, një pjesëmarrës i thjeshtë i kongresit, njoftonte më 1951 se Kongresi i Beratit i zhvilloi punimet e veta nga 1-3 janar 1944, Hasan Dosti thotë më 3 janar, kurse Faik Quku, edhe ky pjesëmarrësi i kongresit, madje një nga organizatorët e tij, shkruan se punimet vazhduan dy, ditë 3-4 janar 1944”.
Duke qenë se profesor Frashëri konsideron si burimin kryesor dhe më të sigurt Faik Qukun, si edhe librin e tij dy vëllimësh “Qëndresa shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botnore”, të botuar në Tiranë në 2006, gjejmë rast të vëmë në dukje se edhe Faiku, me arsimim ushtarak të përfunduar në Akademinë San Cyri të Versajës në Francë, më pas edhe me një akademi tjetër të kryer në Torino të Italisë, pati shërbyer si oficer karriere në qytetin e Beratit gjatë kohës së monarkisë.
Faiku qe, duke filluar nga kohë krijimi i Ballit Kombëtar, edhe sekretar i përgjithshëm i tij, në një farë mënyre “organizativi”, i ngarkuari me funksionimin e brendshëm të organizatës.
Ajo që ai shkruan për kongresin, jo vetëm për shkak të detyrës, por edhe të natyrës së tij korrekte, ndihmon të konsiderohet burim i besueshëm.
Sipas Qukut ata që kërkuan tek Mit’hat Frashëri mbajtjen e domosdoshme të një kongresi ishin të dy grupimet kryesore që vepronin brenda Ballit Kombëtar. Këto palë qenë, edhe sipas Kristo Frashërit, “ballistët e brezit të vjetër që kishin në dorë Komitetin Qendror ashtu edhe ballistët e brezit të ri që mbisundonin në komitetet krahinore”.
Më tej ngjarjet janë zhvilluar pak a shumë me këtë rrjedhë: kërkesa unanime për ta mbajtur kuvendin u miratua pa asnjë tension përplasjeje. Menjëherë pas kësaj Faik Quku u dërgoi, si Sekretar i Përgjithshëm i Ballit Kombëtar, një qarkore të gjitha komiteteve krahinore. Në të porositeshin të zgjidhnin dhe dërgonin delegatë në kongresin e parë të tyre, cili do të mblidhej në qytetin e Beratit më 3 janar 1944.
Çdo komitet krahinor, sipas direktivës së dhënë, do të dërgonte një numër të caktuar delegatësh, gjysma e të cilëve do të qenë anëtarë të komitetit krahinor, kurse gjysma tjetër përfaqësues të çetave të armatosura.
Me baraspeshim të dy krahët e BK patën vendosur për mbajtjen e kuvendit të tyre dhe me po aq ekuilibër u përpoqën të materializojnë me përfaqësues edhe sallën, ku do të debatohej dhe merreshin vendimet.
Gjithnjë sipas Faik Qukut, kur kongresi u hap në pasditen e 3 janarit 1944, që ishte ditë e enjte, nëpër karriget e kinemasë së Beratit ndodheshin të ulur 74 delegatë. Duke pasur parasysh edhe rrethanat e luftës, po ashtu edhe të largësive, pse jo edhe situata të tjera, cilësia e përfaqësimit nuk qe e plotë.
Në librin e tij dyvëllimësh, çfarë e qëmton dhe e bën të dukshme edhe profesor Frashëri, Faik Quku pohon se nga çetat e Shkodrës në këtë kongres të parë të Ballit “nuk erdhi asnjë delegat; po ashtu nga Durrësi dhe nga Elbasani; nga komiteti i Korçës asnjë, por nga kundërshtarët e komitetit erdhën Qazim Prodani, Jani Dilo së bashku me Xhevdet Kapshticën dhe 3 djem të rinj; nga Tirana mjaft delegatë, por asnjë nga çetat; nga Berati dhe nga Gjirokastra erdhën shumë delegatë; nga Vlora prej çetave asnjë delegat. Nga Vlora meqenëse nuk kishte komitet erdhi avokati Skënder Muço së bashku me disa shokë të tij”.

Pikëpamja e Balli duhet të militarizohet sa më shpejt

Quku informon historinë se të enjten e 3 janarit 1944 në vigjiljen e tij, paradite, kongresi kishte përjetuar një ngjarje krejt të veçantë, mjaft domethënëse dhe rrezatuese për të mos u lënë në terr apo mbështjellë mes pluhurave të harresës.
Qe mbajtur mbledhja e fundit e komitetit qendror të Ballit, i cili sipas rregullit do të ndërrohej gjatë punimeve të kuvendit dhe në vend të tij organizata do të drejtohej prej një të riu, të porsazgjedhur.
Faik Quku, përherë në pozicionin si sekretar i përgjithshëm i Ballit Kombëtar, i parashtroi forumit një tezë veprimi mjaft të rëndësishme, për të cilën, në vijim të orientimit politik të organizatës, komiteti qendror në ndërrim ua bënte tërë anëtarëve dhe ndjekësve të vet. Teza e hedhur për diskutim prej ushtarakut të përgatitur në dy akademi të Perëndimit, pra e një mjeshtri të efektivitetit të luftës së armatosur në rrethanat e kërcënimit të sovranitetit territorial të një shteti, “e vetmja rrugë shpëtimi nga ndeshja me forcat partizane”, ishte “militarizimi i organizatës balliste”.
Sipas tij rritja e aftësisë përballuese ndaj goditjes ushtarake që PKSH po i jepte Ballit Kombëtar, mund të realizohej me ushtarizimin total të saj. Ku çdo ballist duhej të qe një luftëtar me armë në sup dhe në duar.
Vetëm kështu, besonte Faik Quku, mund të përmbahej, frenohej dhe mbase ndalej, lufta ndërmjet dy palëve të rezistencës. Sekretari i Përgjithshëm i BK nuk mendonte se një militarizim i Ballit dhe rritje e fuqisë luftarake të tij do të zgjeronte përmasat e përleshjes dhe gjakun e derdhur. Gjykonte se do të ngjante e kundërta: fikja.
Përballë gjermanëve të armatosur deri në dhembë dhe të përgatitur shkëlqyeshëm ushtarakisht, njësitë e Lëvizjes Nacionalçlirimtare, për të mbijetuar, do të zbutnin qëndrimin ndaj forcave luftarake të rritura të nacionalistëve, do t’u druanin atyre dhe kështu do të hapeshin për ndonjë kompromis të përkohshëm me ta.
Në një farë mënyre vëllavrasja do të pakësohej, me shpresë që në të ardhmen të mënjanohej fare. Balli njëkohësisht do të ruante identitetin e tij politik dhe me çlirimin e vendit do të imponohej në madhësinë e pjesës së pushtetit që do të merrte.


PSE U ZHDUK PROCESVERBALI I KONGRESIT BALLIST TË BERATIT?

Teza e ushtarizimit të Ballit

Do të ishte shumë e pabesueshme që Faik Quku si sekretar i përgjithshëm i Ballit Kombëtar, të mos ketë qenë këshilluar për tezën e militarizimit total të Ballit Kombëtar, para shtrimit të saj në komitetin qendror, me vetë kryetarin, Mit’hat Frashërin. Ky, deri sa në 1949 ndërroi jetë, bashkë me tërë heshtjen ndaj kongresit të Beratit, nuk është prononcuar për këtë episod. Mbase i është nënshtruar interesave dhe rrethanave politike që i impononin më pas të mos dëshmonte se në qytetin e një mbi një dritareve pati tentuar, në mënyrë shumë të tërthortë, për një paqe me komunistët. Dhe kush po e bënte këtë me duart e një tjetri, sekretarit të përgjithshëm? Vetë antikomunisti ad hoc, kryeantikomunisti i shqiptarëve gjatë tërë viteve të Luftës, Mit’hat Frashëri.
Po të merrte udhë ushtarizimi i Ballit me qëllim jo ndeshjen me gjermanët, por vetëm zbythjen e arrogancës së Frontit Nacional-Çlirimtar, këta të fundit do t’i shihnin me gëzim e po aq dyshim. Balli Kombëtar i militarizuar në të gjithë strukturën e tij politike dhe tërë masën njerëzore që kishte, armët nuk do t’i merrte prej rënies nga qielli. Do t’i huante prej qeverisë shqiptare, e cila do t’i tërhiqte nga magazinat e armatës hitleriane dhe do t’i ngarkonte nëpër kamionë të saj për t’i shkarkuar më pas nëpër oborret e komiteteve krahinorë të nacionalistëve.
Po sikur kaq shumë armatim në muajt pasardhës të kongresit ballist të Beratit, duke qenë se gjermanët po humbitnin në të gjithë frontin dhe ishin në disfatë të vazhdueshme, në një çast të caktuar t’u ktheheshin kundër?
Me nazistët ishte mirë të mos flisje shumë dhe të mos ngjallje dyshime. Ndërkohë pas vitit 1945, sidomos në motet e qëndrimit në SHBA, ndërsa shpërtheu Lufta e Ftohtë, rrëfimi i një historie përpjekjeje miqësimi politik transit me bolshevikët e PKSH-së, tashmë nën urdhrat e plota të Moskës dhe të Stalinit, do të zemëronin amerikanët.

Faik Quku tenton revansh

Po ta rrëfejmë edhe më plotësisht çfarë ndodhi në paraditen e 3 janarit 1944, ndërsa punimet e kongresit do të nisnin pasdite, shfaqet më bindëse pse për këtë seancë është ushtruar më tepër censurë se ndër pjesët e tjera të punimeve të kuvendit ballist të Beratit.
Pasi Faik Quku parashtroi platformën e tij se çfarë duhej të ndodhte në të ardhmen me organizatën e tyre, komiteti qendror në ndërrim i Ballit diskutoi, por nuk u bënë të një mendjeje.
Për ta mësuar si u debatua dhe çfarë deklaruan anëtarët e saj është e pamundur. Nuk ekziston asnjë procesverbal për atë paradite, asnjë gjysmëfletë me të paktën dy-tri fjalë të shënuara mbi të.
“Jo”-ja e komitetit qendror u bë më e ngjeshur kur Faik Quku e konkretizoi militarizimin e organizatës nëpërmjet një modeli funksionimi që e largonte Ballin Kombëtar prej vetë natyrës së tij, luajtjes së rolit politik. Quku tha se në drejtim duhej të largoheshin civilët dhe në vend të tyre të uleshin ushtarakët.
Pra më së pari Faiku.
Sekretari i Përgjithshëm i BK u përpoq të argumentonte se vërtet Balli i ardhshëm do të kishte në krye një komandant të përgjithshëm shumë fuqiplotë, por pranë shtabit do të ngriheshin dhe vepronin tre seksione ndihmëse.
I pari dhe më i rëndësishmi do të qe për çështje politike, i dyti për ato ekonomike dhe i treti do të merrej me propagandën. Pra në thelb Balli i vjetër, edhe pse do të vishej ushtarakisht, do të ruhej. Ca më tepër ai nuk do të humbiste prej identitetit të mëparshëm organizativ po të vinin në jetë edhe një hallkë tjetër. Sipas projektit të tij Faik Quku shtoi se pranë komandantit të përgjithshëm do të vepronte një komitet këshillues. Ky do të qe “i përbërë nga personalitetet më në zë, më me eksperiencë dhe më të aftë”.
Por ishte kot të mëshonte në vlerën e tezës së tij. Ndërsa Mit’hat Frashëri, tek dëgjonte me vëmendje, bënte neutralin dhe ushtronte mjeshtërisht dhuntinë e tij për të qenë i baraslarguar dhe po aq i barasafruar me të gjithë, komiteti qendror në ikje doli në mospajtim.
Me këtë gjendje të trazuar 74 delegatët e kongresit dhe anëtarët e udhëheqjes së lartë të Ballit zunë vend pasdite në sallën e madhe të kinemasë së Beratit.

Flet Mit’hat Frashëri, po ku e ka të shkruar fjalën?

“Kongresi u hap pasdite më 3 janar 1944”, shkruan historiani Kristo Frashëri. Paspatj vijon: “Punimet u zhvilluan në sallën e kinemasë së qytetit. Për të drejtuar punimet e kongresit u ngarkua Koço Muka. Kongresi ngarkoi gjithashtu një komision për verifikimin e mandateve. Pastaj Mit’hat Frashëri në emër të Komitetit Qendror mbajti raportin para kongresit.
Faik Quku, i cili na jep hollësira për ngjarje shumë më pak të rëndësishme, kufizohet vetëm me dy rreshta. Ai shkruan tekstualisht: \"Mithat Frashëri mbajti një fjalim, duke shpjeguar gjendjen dhe paraqiti dorëheqjen e komitetit qendror\".
Më pas profesor Frashëri vë në dukje: “Edhe Faik Selenica, një pjesëmarrës i Kongresit të Beratit, në kujtimet e veta të shkruara herët në emigracion që në vitin 1951, i bie shkurt: \"Kryetari i organizatës BK bëri në kongres një paraqitje të ngjarjeve që nga themelimi e deri në fund të vitit 1943\".
Shton po ashtu në analizën e vet historiani Kristo Frashëri: “Uran Butka nga ana e tij, i cili është marrë posaçërisht me historinë e BK, shkruan se Mit’hat Frashëri në raportin e vet u ndal \"më shumë në analizën e luftës civile, kush e nxiti atë, kush e nisi, kush e prishi Marrëveshjen e Mukjes, pse e shkelën atë si dhe përgjegjësinë e Ballit Kombëtar\".
Ndërsa e bën këtë panoramë dhe prej saj del një tablo relative e pasdites së 3 janarit, profesor Frashëri ndalet në një problem që nuk mund të anashkalohet: raporti i punës së Ballit Kombëtar, i mbajtur realisht prej Mit’hat Frashërit, nuk është paraqitur asnjëherë si lëndë e shkruar (ne do të shtonim: apo në çdo formë tjetër ruajtjeje, i procesverbalizuar apo i regjistruar me zë ose stenografi).
Kjo mungesë dokumentare është e vërtetë jo vetëm deri në 2012, kur Kristo Frashëri e shtroi publikisht këtë çështje dhe me siguri, deri sa ndërroi jetë, e priti një përgjigje, por edhe më pas, deri në çastin kur po hidhen në letër këto rreshta.
Përderisa të gjitha burimet ekzistuese e bëjnë atë fjalë të Mit’hat Frashërit të mbushur me ide mjaft interesante dhe, siç del, me asnjë thirrje brenda saj për bashkëpunim të hapët me gjermanët apo kushtrim për kryqëzatë kundër Lëvizjes Nacionalçlirimtare, paraqitja e këtij dokumenti do të përbënte një rast të mrekullueshëm për një riprofilizim, pas tetorit 1943, të kursit politik të Ballit Kombëtar dhe po ashtu për një imazh të tij shumë më të përmirësuar.
Ngulim këmbë në këtë arsyetim sepse, nga sa del, në fjalën e tij analizuese për të shkuarën, por edhe programuese drejt të ardhmes, referuar Faik Selenicës, në Kongresin e Beratit Mit’hat Frashëri i bëri ftesë Frontit Nacional Çlirimtar për një marrëveshje të re bashkëpunimi dhe ndaluar kështu vëllavrasjen.
Kaq pohon Selenica dhe nuk shkon më tej, ta zgjerojë edhe më shumë informacionin, por gjithsesi kjo nuk është pak. Në thelb mbetet të jetë e besueshme.

Në kërkim të provës se ka pasur një fjalim të Mit’hat Frashërit

Reginald Hibbert tek libri i tij “Fitorja e hidhur”, Tiranë 1993 (“Albania’s National Liberation Struggle The Bitter Victory”, Pinter Publishers, London and New York 1991) shkruan se në 31 tetor 1943 gjeneral-brigadierit Dejvis, i parashutuar në Shqipëri, takoi për herë të parë Enver Hoxhën. Mes temave të shumta të bisedës qe edhe ajo e qëndrimit të Lëvizjes Nacional Çlirimtare ndaj Ballit Kombëtar.
Enver Hoxha, sipas Hibbert, “nguli këmbë që Balli Kombëtar duhej luftuar e çarmatosur në të gjithë vendin dhe i përfshiu mbretin Zog e zogistët (Abaz Kupin) në mallkimet për “bashkëpunëtorët”.
Pasi shkëmbyen edhe më tej idetë e tyre dhe Dejvis nguli këmbë që “LNÇ duhej të luftonte vetëm kundër gjermanëve” dhe vetë “mori përsipër të kërkonte nga BK dhe zogistët që të zotoheshin se do të vepronin po ashtu”, pati këtë rezultat: “Më në fund Enver Hoxha premtoi se do të bashkëpunonte me BK kundër gjermanëve, nëse BK gjithashtu do të luftonte kundër gjermanëve në bashkëpunim me LNÇ. Njëkohësisht shpalli bindjen e tij të patundur se BK kurrë nuk do të pranonte”.
Pasi u rikthye në bazën e tij në Bizë të Martaneshit gjenerali i brigadës Dejvis pak ditë më pas, pra pa kapërcyer java e parë e muajit nëntor 1943, kreu në një fshat të afërt, në Shëngjergj, një takim me Mit’hat Frashërin, i cili qe në shoqërim me Abaz Kupin. Gjenerali britanik ua tha çfarë pati rënë dakord me shefin e komunistëve dhe “Në fillim, ata u tërbuan kur dëgjuan premtimin e Enver Hoxhës, të cilin nuk e besonin dhe refuzuan që të jepnin zotimin reciprok. Por ata e ndryshuan qëndrimin brenda natës dhe, së fundi, dhanë një zotim të shkruar, të cilën Dejvisi e mori me vete në Bizë. Ai e ftoi Enver Hoxhën në Bizë (Hoxha jep si datë 11 nëntorin) dhe këtë herë ishte radha e Hoxhës për t’u tërbuar. Blofi i tij kishte gjetur përgjigje. Ai e hodhi poshtë zotimin e Ballit Kombëtar si të pavlefshëm dhe u betua se partizanët do të luftonin kundër gjermanëve e do ta shkatërronin BK në të njëjtën kohë”.
Gjithnjë sipas librit të Reginald Hibbert, në 19 nëntor sipas një raporti që i dërgoi qendrës, gjykonte se “Lufta civile tashmë ka nisur ndërmjet LNÇ dhe Ballit Kombëtar e do të shtohet. Unë e quaj se ka të ngjarë të fitojë LNÇ, sepse është e re, është më agresive dhe ka një ngjyrim terrorist. Balli Kombëtar ka ndërmend ta kundërshtojë LNÇ në shkallë të gjerë dhe ka mundësi që të ndihmohet nga zogistët e Abaz Kupit. Vlerësimi im është se lufta do të zerë pjesën më të madhe të dimrit për t’u zgjidhur. Unë personalisht kam bërë çmos me të gjitha palët për ta shmangur luftën civile, por pa sukses”.
Mbështetur nga çfarë referuam më sipër prej librit “Fitorja e hidhur”, në kongresin e Ballit në Berat ka shumë të ngjarë që në fjalën e tij të paruajtur si dokument, duke i bërë komunistët përgjegjës për luftën vëllavrasëse, Mit’hat Frashëri të ketë shqiptuar, në formë të një loje politike, pra të një blofi, një përpjekje për t’u marrë vesh me njerëzit e LNÇ me qëllim ndërprerjen e përplasjes së brendshme me armë.
Gjithsesi, edhe pse këtë gjest e pohon pjesëmarrësi në kongres, Faik Selenica, mungesa e fjalës së shkruar është një pengesë e madhe për t’u bërë plotësisht i bindur se ftesa (apo truku politik) i udhëheqësit të Ballit ka ngjarë me të vërtetë. E fiksuar në një tekst të shkruar ajo do të analizohej gjer në imtësi në kuptimin e drejtpërdrejtë të saj si edhe nën të kuptuarat.

Kongres i rregullt kur ndodhi, i parregullt më pas për t’u regjistruar në histori

Po përse ky dokument mbetet ende i panjohur?
Sipas Profesor Kristo Frashërit fjala e Mit’hat Frashërit mund të jetë mbajtur me gojë. Duket shumë e habitshme një zhvillim i tillë, pra një mënyrë si kjo të sjelluri politik, kur je i detyruar të shprehësh mendim në emër të një forumi, në rastin konkret në emër të Komitetit Qendror të Ballit Kombëtar. Sepse në fund të fundit për të hartuar një mendim të përbashkët duhet ngritur një grup pune. Në rast se kjo nuk bëhet atëherë, para se t’i lexohet kuvendit kongresual, raporti i duhet bërë i ditur vetë forumit, i cili ka në dorë lejen për t’ia kumtuar tërë organizatës dhe strukturave vartëse të saj në të gjithë vendin.
Gjithsesi fjala është mbajtur dhe për çdo rrethanë tjetër që lidhet me të, ndodhemi në errësirë të plotë. Jemi të shtrënguar të pranojmë se Mit’hat Frashëri ka folur pa letër, ndërsa kjo nuk ka qenë fare çështje e mbajtjes së sekretit për të mos u zbuluar dhe goditur prej gjermanëve. Punimet e atij kongresi u bënë në legalitet të plotë, nën kujdesin dhe mbrojtjen e qeverisë së Mehdi Frashërit dhe nën dijeninë e plotë të forcave naziste të pushtimit. Shoqëruar me këtë shkrim do të riparaqesim një foto të disa delegatëve, bërë në sheshin para kinemasë dhe një tjetër në hyrje të qendrës së qytetit të Beratit.
Janë dëshmi tepër shprehëse se asnjë rrezik nuk e kërcënonte këtë veprimtari të rëndësishme të nacionalistëve që të mund të detyroheshin t’i fshihnin dokumentet e tyre të shkruara.
Fjala e Mit’hat Frashërit është mbajtur me gojë, sigurisht referuar disa pikave që mund t’i ketë mbajtur të shkruara në një fije letër apo gjysme të saj. Në kushte të tilla, gjithnjë të hamendësuara, na takon të bëjmë një hetim më të thelluar.
Sipas rregullit më të thjeshtë që funksionon në kuvende të tilla, një thelb i shkurtuar i pikëpamjeve më kryesore që janë shprehur, duhet të jetë fiksuar në procesverbalin e mbledhjes. Por një material i tillë nuk është paraqitur prej ballistëve kurrë, siç edhe po ashtu kush ka diskutuar, çfarë kanë thënë.
Kongresi i Ballit, ngul këmbë historiani Kristo Frashëri, nuk ka të shkruar as edhe ndonjë vendim që ka marrë.
Me pak fjalë për aq sa rezulton për historishkrimin shqiptar, nga ana organizative dokumentare ky kongres lë shumë për të dëshiruar. Nuk është i tillë kur bëhet fjalë për respektimin e parimeve të funksionimit të brendshëm procedurial të mbledhjes. Në të gjitha hallkat e zhvillimit të atij kuvendi ka pasur mosdhunim të rregullave dhe ruajtje të frymës demokratike të ballafaqimit të mendimeve të ndryshme. Kongresi i Beratit duket si një ngjarje e dyzuar, me dy fytyra. Organizativisht fjala ka qenë krejtësisht e lirë, kurse e shkruara jo. Qëndrime të tilla kontradiktore mund t’i shkaktojë vetëm një urdhër: të mos lihet pas asnjë gjurmë e fjalëve që janë thënë.

Ndërhyn për të pasqaruar rrethanat Xhelal Staravecka

Në rastin e kongresit të Beratit, pa dyshim pas themelimit, ngjarja më e rëndësishme dhe më komplekse e jetës politike të Ballit Kombëtar, e ke të vështirë të besosh se moslënia pas e shenjave të shkruara ka të bëjë me karakteristikën e njohur të leshelisë që kjo organizatë e kishte tipar të vet që nga fillimi dhe u bë shkaku kryesor pse nuk ja doli të forcohej dhe t’i bënte ballë, me forcat e veta, rrezikut që po vinte bashkë me çlirimin nga pushtuesit gjermanë, diktaturës bolshevike.
Ndërkohë autori i këtyre radhëve ka ndeshur në një provë se gjatë punimeve të kongresit është mbajtur një procesverbal, madje ky edhe është redaktuar, çfarë do të thotë riplotësuar.
Dëshmia e veçantë, e mos pohuar prej gjithë të tjerëve pjesëmarrës në kongresin e Beratit, përfshi edhe sekretarin organizativ Faik Quku, autor i dy librave për jetën politike nacionale (“Qëndresa shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botnore”), ndodhet në një botim të kryer në Tiranë në vitin 2012. Profesor Frashërit, këto çaste në një moshë shumë të thellë, ka shumë të ngjarë të mos i ketë rënë në sy.
Ky është libri i Xhelal Staraveckës, i titulluar “Përpara gjyqit të historisë”, kujtime historike 1912-1966.
Nga faqja 315 deri në atë me numër 318, mes të tjerash, ai shkruan edhe për kongresin ballist të Beratit.
Ndërsa për Abaz Ermenjin ka mendimin e palëkundur se është një mendjemadh (“profesori si megalloman që është”), Xhelal Staravecka tregon se i mësipërmi, pasi kishte dështuar në luftime me përkrahësit skraparllinj të Lëvizjes Nacionalçlirimtare, madje qe shpartalluar rëndë, “e ndali vrapin në Berat ku do të merrte pjesë në kongresin që po bëhesh ato kohë”.


MBYLLET KONGRESI BALLIST, FILLON OPERACIONI GJERMAN, RRETHOHET ENVER HOXHA

Xhevat Kallajxhi, njeriu i heshtur i procesverbalit

Sipas Xhelal Staraveckës dhe librit të tij “Përpara gjyqit të historisë”, kujtime historike 1912-1966, ato kohë “Më erdhi një ftesë nga Berati ku isha ftuar për të marrë pjesë në kongresin e Ballit që u bë në muajin dhjetor në atë qytet”.
Siç e shihni eksponenti rajonal i Lëvizjes Nacional Çlirimtare, i cili dy muaj më parë, në fundtetor, kishte braktisur partizanët dhe qe bashkuar me ballistët dhe trupat gjermane që pushtuan qytetin e Beratit, nuk e mban mend që kongresi i nacionalistëve nuk u mbajt në dhjetor 1943, por në fillim të janarit 1944.
Kjo është një pasaktësi fare e vogël dhe që nuk ndikon në thelbin e gjërave, por gjithsesi Xhelal Staraveckës nuk i duhet besuar çdo fjalë që e thotë dhe e shkruan, madje jo rrallë është edhe manipulues i fakteve.
Në librin e tij të kujtimeve ai thotë se ndërsa ato kohë kishte në plan të krijonte një parti të vetën, ose siç shkruan “një fuqi të tretë që t’i vihej përballë fuqisë komuniste”, “kur u ndodha në Kongresin e Ballit në Berat nuk hezitova të deklaroja me zë të lartë se unë nuk kisha aspak të bëja me Ballin. Xhevat Kallajxhiu që ndodhet në Amerikë e që redaktoi procesverbalin e atij kongresi, po të jetë gjallë kur të dalë ky libër, patjetër ka për të dëshmuar sa po them unë këtu”.
Mirëpo Xhevat Kallajxhi nuk ka shkruar ndonjëherë se në Berat ka qenë rishikues i procesverbalit, i cili patjetër gjatë punimeve është mbajtur prej një tjetri. Fakti që Kallajxhi e ka riplotësuar, dëshmon se ideja për të nderur në perde mbi çdo material të shkruar në kongresin e Beratit nuk ka qenë vendim i atyre çasteve, por relativisht më i vonshëm, i shtrënguar nga rrethana të caktuara.
I paramenduar, gjithnjë sipas Xhelal Staraveckës, për ta bërë sa më shumë dokument të qëndrueshëm procesverbalin e punimeve të të gjithë kongresit, operacion politik shumë kyç sepse atje do të ndodhej tërë çfarë qe thënë e ishte vendosur, jemi të detyruar të bëjmë një vizatim të shkurtër të personit të Xhevat Kallajxhiut. I lindur në 1903 në Gjirokastër, para lufte në vendlindjen e tij pati punuar pranë gazetës lokale “Demokratia” (me jetë aktive në periudhën 1925-1939, ku është botuar edhe një shkrim patriotik i Enver Hoxhës të porsakthyer nga studimet e papërfunduara në Francë. Pas lufte Kallajxhi emigroi në SHBA dhe këtu punoi si gazetar pranë radios “Zëri i Amerikës”. Po ashtu ka qenë më vonë, mesi i viteve shtatëdhjetë-tetëdhjetë, për një dekadë, edhe botues përgjegjës i gazetës “Dielli”, organ mediatik i shoqatës “Vatra”.
Ky gazetar profesionist, i cili botoi edhe libra, me një jetë të vazhdueshme të shkruari, jo vetëm mund ta pohonte se ishte një njohës mjaft i mirë i procesverbalit të kongresit ballist të Beratit, por i tërë punimeve të tij, ku edhe qe deleguar.
Ndërkohë Xhelal Staravecka ngul këmbë jo vetëm në faktin se në ngjarje ishte me statusin i të ftuarit (pra, jo të delegatit), por edhe se di shumë: “Me qenë se jam mbi bisedën e Kongresit të Beratit, nuk do të rri pa shënuar këtu se në përfundim të atij kongresi, pas votimit, si kryetar u zgjodh Mit’hat Frashëri, natyrisht për t’i dhënë pak kredi kombëtare Ali Klisurës që u zgjodh nënkryetar, dhe komandant i përgjithshëm i Ballit u zgjodh Kadri Cakrani, eksponenti i gjermanofilo-bego-feudalizmës, dhe Abaz Ermenji nënkomandant i Ballit”.

Ku fle lepuri i censurimit të dokumentacionit të kongresit të Ballit Kombëtar?

Sipas Profesor Kristo Frashërit, i cili i referohet tërë dëshmive kryesore të pjesëmarrësve në kongres, të cilët e kanë lënë atë të shkruar, mbledhja e rëndësishme e nacionalistëve “trajtoi tri çështje kryesore: a) Vijën politike që duhej të zbatonte në të ardhmen organizata Balli Kombëtar; b) Krijimin nga Balli Kombëtar të një fronti të përbashkët me faktorë të ndryshëm antikomunistë në luftë për të parandaluar vendosjen e regjimit komunist në Shqipëri; c) Zgjedhjen e Komitetit Qendror të ri të Ballit Kombëtar”.
Ndërkaq në 15 mars 1945 eksponenti i BK nga Gjirokastra, Ismail Golemi, në Gjyqin Special deklaroi se “Unë në Kongresin e Beratit kam marrë pjesë si anëtar ushtarak i qarkorit. Bisedimi në këtë kongres ka qenë për të arritur në një marrëveshje me gjithë grupet e tjera, si me Frontin Nacional Çlirimtar ashtu edhe me Legalitetin e grupet e tjerë që ishin”.
Atëherë pyesim njëherë e mirë: diskutimet në kongres ishin për të bërë Balli një marrëveshje edhe me PKSH-në apo qe krejt e kundërta: një pakt me këdo, edhe me “djallin”, kundër Partisë Komuniste Shqiptare?
Ndoshta këtu fle edhe lepuri i censurimit masiv të dokumentacionit të kongresit të Ballit Kombëtar për çfarë në të vërtetë qe folur në Berat.

“Partia e Vërtetë Komuniste Shqiptare” bashkohet me Ballin

Në kongresin e Ballit Kombëtar në Berat, që në 3 janar 1944, pasdite, kur filloi punimet, qenë të pranishëm edhe disa komunistë. Më i rëndësishmi mes tyre ishte një emër shumë i dëgjuar dhe në ndeshje të gjatë dhe mospajtim me Partinë Komuniste Shqiptare: Sadik Premte.
Pesë vite më i ri në moshë se Enver Hoxha, i linduri në fshatin Gjorm të Vlorës, pasi pati përfunduar shkollën teknike të Harry Fulzit në Tiranë, qe lidhur ideologjikisht me pikëpamjet bolshevike. I bindur se kjo zgjedhje ishte në përputhje të pasionit të tij për t’u marrë jo aq fort me profesionin e gjeometrit, për të cilën qe shkolluar, por me atë të politikanit, u lidh menjëherë me Grupin Komunist të Korçës, cili në mes të viteve tridhjetë konsiderohej pothuaj si vetë Partia Komuniste e të gjithë vendit.
Por Sadik Premte nuk vonoi të hynte në mosmarrëveshje me pjesën drejtuese të kësaj bashkësie dhe të vijonte pa kthim prapa rrugën e tij të pavarur për t’u bërë një udhëheqës i rëndësishëm politik, prandaj edhe në vitin 1937, bashkë me kolegun e tij student në shkollën teknike amerikane, Anastas Lula, krijuan në Tiranë partinë e tyre: grupin komunist “Të rinjtë”.
Gjithsesi bashkë me njëmendësin e tij Lula, Sadik Premte, u shpreh dakord me propozimin për bashkimin e të gjitha formacioneve të mëparshme bolshevike dhe krijimin e një partie të përbashkët unike, madje që të dy qenë edhe delegatë në mbledhjen themeluese të PKSH-së.
Premte qe edhe njëri prej organizatorëve të demonstratës së 28 tetorit 1941, e cila u organizua qëllimisht nga bashkëthemeluesit e ardhshëm si aksioni i parë i asaj që do të krijohej në 8 nëntor, simbolikisht një ditë pas përvjetorit të revolucionit bolshevik rus.
I prirë të mos humbiste peshë politike dhe lartësi pozicionimi në partinë e përbashkët Sadik Premte u gjend nën dyshimin e pjesës së homogjenizuar të PKSH-së dhe shumë shpejt bashkë me Anastas Lulën u shpallën elementë fraksionistë. Duke qenë se partitë komuniste të tipit bolshevik nuk i lejojnë fraksionet dhe ato të profilit stalinist edhe i eliminojnë ndjekësit e tyre fizikisht, ata të dy, të akuzuar tashmë edhe si trockistë, u ndodhën nën goditje të plotë në konferencën e jashtëzakonshme të Partisë Komuniste Shqiptare të mbajtur në 28-29 qershor 1942. Po ashtu në konferencën e parë të kësaj partie, në mars 1943, që të dy u rigoditën, këtë herë shumë ashpër. Vetë Enver Hoxha e ka pohuar në një histori të shkurtër të PKSH-së të vitit 1947, se mori detyrë prej komitetit qendror të realizonte paralizimin e tyre, likuidimin çfarë donte të thoshte edhe zhdukjen fizike.
Menjëherë pas kësaj konference, sapo patën kaluar vetëm disa ditë, Anastas Lula, i vendosur me dënim të ishte në Skrapar pranë çetës partizane të Ramiz Aranitasit, u pushkatua, pasi e detyruan ta hapte vetë gropën.
Sadik Premte, i cili ndodhej i dënuar në Vlorë dhe qarkun e saj, e pati krijuar atje një fraksion të plotë. Falë shkathtësisë së tij të komunikimit, të mbushëmendjes, por edhe të inteligjencës, njohurive teorike që kishte për marksizëm-leninizmit, ia pati dalë ta kthente pothuaj tërë organizatën e PKSH-së për Vlorën në një miniparti të tij. Kishte shkuar edhe më tej: pati vënë ndikim dhe kontroll mbi krahun e armatosur të territorit, çetën partizane të krahinës së Mallakastrës.
Kështu në qershor 1943 rrugët e tij dhe të Partisë Komuniste Shqiptare u ndanë përfundimisht dhe Sadik Premtes do t’i duhej të ruhej prej vrasjes. Ndaj tij në të vërtetë u përgatitën disa atentate, por mundi të shpëtonte.
Gjithë vjeshtën e vitit 1943 e kaloi me organizimin e ëndrrës së tij të vjetër: krijimit të një partie që ta drejtonte vetë. Duke mobilizuar disa ndjekës të tij komunistë, tre prej të cilëve edhe nga qyteti i Beratit, Sadik Premte shpalli krijimin e asaj që herë pas here e nuk e quante Grupi Komunist i Vlorës apo me ndonjë nofkë tjetër, por “Partia e Vërtetë Komuniste Shqiptare”.

Një tjetër komunist hidhet me Ballin

I pranishëm në kongresin ballist të Beratit qe edhe me një tjetër të përjashtuar si element fraksionist nga PKSH, Qazim Çakërrin, Sadik Premte nguli këmbë që formacioni i tij politik të mos shkrihej brenda Ballit Kombëtar, siç edhe jo pak delegatë e dëshironin, madje edhe vetë Mit’hat Frashëri, por të qëndronte si strukturë e pavarur.
Këtë pikëpamje e mbrojti edhe eksponenti i majtë ballist Skënder Muço, madje ai i dha kësaj teze shumë autoritet në kongres.
Më në fund shumica e delegatëve ra dakord me autonominë e grupit komunist të Vlorës pranë frontit të ri anti PKSH, i cili do të kishte po atë emër siç e pati kur u krijua në fund të vitit 1942: Balli Kombëtar.
Ky grup autonom duhej të paraqitej dhe të luante politikisht si “Partia e Vërtetë Komuniste Shqiptare”.
Në kongres qenë të pranishëm nga Korça dhe prej krahinës së Kolonjës edhe disa nacionalistë të drejtuar nga Fazlli Frashëri dhe Qazim Prodani. Këta kërkuan të njiheshin si një fraksion i Ballit Kombëtar.
Pas pak debatesh e përfituan këtë status.
Doemos që bashkë me të gjitha këto përpjekje për ta zgjeruar dhe rinovuar BK kërkonte një zgjidhje pyetja thelbësore e kohës: si do të veprohej ndaj gjermanëve?
Këtë përgjigje e kërkonte opinioni publik, populli shqiptar dhe sidomos brezat e tij, tepër të dhënë pas idesë së luftës së armatosur për çlirim kombëtar. Prandaj edhe udhëheqja e Ballit Kombëtar u përpoq gjatë punimeve të kongresit të Beratit t’i shpëtonte sa më shumë ndonjë akuze se platformën e tyre të luftës kundër Partisë Komuniste Shqiptare po e përdornin si një justifikim për të bërë pajtim të detyruar me trupat pushtuese.

Fillon rrethimi i Enver Hoxhës

Berati me kongresin e parë të Ballit Kombëtar ishte shndërruar zyrtarisht në një kryeqendër shqiptare e antikomunizmit. Në librin e tij “Përpara gjyqit të historisë”, Xhelal Staravecka, që e kishte braktisur Lëvizjen Nacionalçlirimtare dhe pati filluar luftën me armë kundër saj, pohon se ndenji në Berat për dy-tri javë dhe gjatë tërë asaj kohe shkroi trakte kundër PKSH-së.
Kjo ishte fryma që kishte lënë pas kuvendi i mësipërmë.
Në fakt, me sa dimë, Xhelal Staravecka qëndroi në këtë qytet pranë nuses së tij të re, të porsamartuar dy muaj më parë, madje nën urimet e njerëzve të Frontit Nacional-Çlirimtar, përfshi edhe Mehmet Shehun.
Në fillim të shkurtit atë e thirri në Tiranë kryeministri Mehdi Frashëri dhe i ofroi punën e komandantit të xhandarmërisë shqiptare për Tiranën. Në po të njëjtin libër Staravecka ngul këmbë se ende nuk e pati marrë këtë detyrë kur në kryeqytet ndodhi masakra e 4 shkurtit, por kjo pak rëndësi ka për çfarë kemi si qëllim të parë të parashtrojmë: kongresi i Ballit Kombëtar realisht e nxiti luftën me të gjitha mjetet kundër krahut të armatosur të PKSH-së, me synim të mund të ndalte njëherë e përgjithmonë ardhjen e komunizmit dhe të modelit të tij të pushtetit në Shqipëri.
Një orientim i tillë qe aq fort i ngulitur në programin e tij politik, po ashtu edhe në mendësinë e krerëve të BK, saqë nën udhëheqjen e drejtpërdrejtë të Mit’hat Frashërit prej shkurtit deri në prill 1944 u krye një aksion diplomatik pranë qeverive të djathta greke dhe turke për të krijuar një bosht Stamboll-Athinë-Tiranë dhe krijuar murin e ndalimit të depërtimit sovjetik, sidomos nëpërmjet armatës së kuqe, deri në vendet e tyre.
Nisma nuk u realizua dot, madje as që mori ndonjë përfillje. Projekti qe një utopi, më shumë një ide e bukur apo retorikë diplomatike, tipike për stilin e veprimit politik të Mit’hat Frashërit, se sa një llogaritje e mirë dhe e saktë e zhvillimeve reale.
Sipas Ditarit të Luftës të Komandës Supreme të Forcave të Armatosura Gjermane, 1941-1945, vëllimi i tretë, faqja 639, edhe në Shqipëri pati në fillim kushte të përshtatshme për bashkimin e forcave kundra-komuniste dhe ngritjen e njësive milice, gjithnjë në nxitje prej komandës së trupave të pushtimit. Madje në Tiranë u bë fuqi e madhe shtytëse edhe ministri Xhafer Deva, një gjermanodashës i njohur. Sipas këtij ditari ky bashkëpunim nisi në janar 1944 nëpërmjet ngritjes së një aparati shtetëror që do ta vinte në jetë. Bëhej fjalë në fillim për mbështetjen e katër batalioneve këmbësorie shqiptare, të cilët, gjithnjë sipas këtij ditari, ishin tashmë në veprim dhe forcat pushtuese do t’i ndihmonin nëpërmjet dhënies së armatimit, pajisjeve, personelit stërvitës dhe mbikëqyrës.
Veç asaj, theksohet në Ditarin e Luftës të Forcave të Armatosura Gjermane, do të përgatitej njëkohësisht bashkimi në një ushtri kombëtare i të gjitha njësive që ndodheshin nën udhëheqjen e krerëve të fiseve ose prijësve të tyre. Kjo udhëheqje qe në dorën e një SS të lartë dhe kryekomandanti policie në Shqipëri, Gjeneral-Majorit dhe Komandant-Brigade SS Josef Fitzthum. Ky formalisht ishte i maskuar si këshilltar i Sekretarit të Shtetit Shqiptar për sigurinë kombëtare.
Në Ditarit të Wehrmachtit, komanda operacionale e njësive ushtarake shqiptare të përmendura më lart në të gjitha çështjet e veprimit ushtarak, të vendndodhjes dhe kohës së veprimit të trupave ishte në dorën e komandës së përgjithshme të Korparmatës XXI gjermane në Tiranë.
Ky Ditar me pjesët për Shqipërinë dhe Kosovën përkthyer nga Ana Kolevica dhe i redaktuar e shoqëruar, me shpjegimet përkatëse, edhe prej gazetarit Saimir Lolja, shkruan se “Atëherë ishte edhe posti i gjeneralit të plotfuqishëm gjerman, në fillim gjenerali Theodore Geib dhe pastaj gjenerali Otto Gullmann, të cilët fillimisht kishin për detyrë të ushtronin ndikimin e tyre mbi autoritetet shqiptare (për të cilat Ministria e Jashtme gjermane kërkon një pavarësi sa më të madhe) sipas udhëzimeve të komandës së lartë juglindore”.
Në Ditarin e mësipërm të Forcave të Armatosura Gjermane thuhet se Tirana kishte “një qeveri të krijuar nën ndikimin e ushtrisë gjermane”.
Për t’i shërbyer gjithnjë e më mirë rikrijimit sa më real të rrethanave kur ndodh kongresi ballist dhe pas mbylljes së tij ndërsa vijon kursi që u fiksua gojarisht në të, na duhet të kalojmë disa çaste se çfarë po ndodhte paralelisht në grupin rival politik, tek Partia Komuniste Shqiptare.
Operacioni gjerman i dimrit 1943-1944 doemos që kishte si qëllim të parë asgjësimin e saj dhe bashkë me shkatërrimin e udhëheqjes politike edhe të lëvizjes së rezistencës partizane.
Patjetër që synonte edhe likuidimin e komandës ushtarake, të Shtabit të Përgjithshëm. Në krye të tij nazistët e dinin se qe Enver Hoxha, në të njëjtën kohë edhe kryetari i partisë.


ENVER HOXHA TRE MUAJ NOKDAUN

Ndjekje këmbë pas këmbe

Po të njihesh hollësisht me planin operacional të aksionit ushtarak gjerman të dimrit, kupton se objektivi i parë i nazistëve ishte kapja dhe asgjësimi i komandës partizane. Ai, pra Shtabi, ato kohë ndodhej jo shumë larg nga kryeqyteti. Madje kishte mes tij edhe dy oficerë shumë të lartë britanikë: gjeneralin Dejvis dhe kolonelin Nikolson. Ky i fundit ishte shefi i shtabit të Dejvisit.
Në librin e tij °Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë” Enver Hoxha shkruan “Gjermanët, si duket, i kishin diktuar lëvizjet tona drejt Elbasanit, drejt Shkumbinit e kthim dhe përgatitën me shpejtësi ofensivën për të na asgjësuar në rajonin e Labinotit, Shmilit, etj”.
Pak më poshtë kësaj fraze ai shkruan: “Ofensiva armike e 19 dhjetorit na gjeti në Orenjë. Në mbrëmjen e asaj dite lamë Orenjën dhe u nisëm drejt Veriut në mes pyjesh me ahe”.
Pasi lanë në një fshat më të vjetrit në moshë dhe më delikatët në shëndet (mes tyre edhe doktor Ymer Nishanin), të prirë nga dy komandantë vendas dhe të shoqëruar prej partizanësh, Enver Hoxha përshkruan se “udhëtuam gjithë natën në pyjet e Orenjës nëpër borë e errësirë. Të nesërmen vazhduam rrugën e dolëm në Kaptinë të Martaneshit. Nata na zuri që aty por nuk ndaluam derisa hymë në pyjet e Okshtunit. Atje, pas shumë përpjekjesh, mundëm të ndiznim një zjarr, rreth të cilit e kaluam gjithë natën. Si u gdhi, morëm përsëri rrugën dhe arritëm në Okshtun, ku qëndruam një natë”.
Pasi rrëfen vazhdimin e intenerarit të ndërlikuar dhe të pasigurt për të dalë sa më shpejt nga rrethimi dhe sidomos dëborën e të ftohtin e madh, Hoxha reagon ashpër, gjatë një bisede, me atë që ato çaste pati thënë gjenerali Dejvis: “...puna juaj mori fund. Jeni të humbur. Gjermanët kanë bërë një ofensivë të madhe e të koordinuar dhe forcat tuaja janë shkatërruar. Tani s’ka mbetur tjetër veçse ne të ikim dhe ju të dorëzoheni. Por juve ju janë errur sytë dhe nuk shikoni asgjë. Ju e keni kot, ju e humbët luftën, ju jeni të rrethuar, dy rrugë ju mbeten: Ose të vriteni, ose të dorëzoheni!”
Pas polemikës që nuk zgjati pak çaste dhe shkaktoi habi tek njerëzit e Shtabit, marshimi vijoi edhe më këmbëngulës për të dalë nga gracka e operacionit gjerman. Shkruan Enver Hoxha: “Vazhdonte të binte borë e madhe. Ftohtë, acar. Murlani që frynte na i goditi fytyrat si me kamxhik. Ecnim dhe ndaleshim. Në mes të pyllit, nën strehën e një peme, bëmë një ndalesë më të gjatë. Koleka, siç e kish zakon, ndau rriska-rriska një kulaç dhe na dha secilit nga një rriskë dhe nga një qepë. Pasi i hëngrëm ato u nisëm. Bora binte dendur sa nuk po e gjenim dot rrugën për në Fushë Studë. U sollëm kot me orë të tëra nëpër pyll dhe, papritur, u gjendëm përsëri te vendi ku hëngrëm bukë, sepse pamë lëvoret e qepëve”.
Hoxha përshkruan të gjitha përpjekjet e tjera për t’i shpëtuar rrezikut të kapjes apo vrasjes në luftime me trupat e specializuara gjermane. Ai nuk e tregoi ndonjëherë të gjithë këtë histori të ankthshme dhe asnjëherë nuk e kthjellon nëse ia dolën të shpëtonin nga që gjetën shtegun e daljes dhe hynë në territorin ku kishin mbështetje apo sepse prej strukturave të tyre lokale u erdhi lajmi se aksioni nazist, pjesa e parë e Operacionit të Dimrit, i cili kishte si qëllim të parë likuidimin e komandës ushtarake dhe politike të Lëvizjes Nacional-Çlirimtare, qe ndërprerë për mungesë rezultati.

Gjenerali britanik jepet e pari: u dorëzohet gjermanëve. Beson se këtë do ta bëjë edhe Enver Hoxha

Sidoqoftë fakti historik mbetet: Enver Hoxha dhe njerëzit e tij shpëtuan. Rrethimi fatal u ça. Ai nuk u kap. Pas pak muajsh e njëjta gjendje iu përsërit Josip Broz Titos në Jugosllavi, por edhe ai ja doli të mos binte në duart e gjermanëve.
Enver Hoxha nuk tregon një datë të saktë të momentit të shpëtimit, daljes nga rrethimi. Ndoshta këtë e bën thjesht për shkujdesje. Sipas një radhe veprimesh të hamendësuar (për shembull gjenerali Dejvis çastet e rënda të marshimit nëpër akullimë dhe pothuaj të pangrënë, në kujtimet e tij i vendos në kohën e Krishtlindjes, pra në 24-25 dhjetor 1943) ky shpëtim, duke llogaritur shumë ngjarje të tjera të ndodhura në vijim, ka të ngjarë të jetë bërë realitet saktësisht në ditët kur në Berat po zhvillohej kongresi i Ballit, 3-5 janar 1944.
E themi këtë sepse më 8 janar 1944, pra tri ditë pas mbylljes së tij, Enver Hoxha shkruan se “ballistët e Azis Biçakut dhe një togë ushtarësh gjermanë u vërsulën drejt staneve të Kostenjës, ku ndodheshin partizanët dhe gjenerali anglez vetë i pestë. Nga të katër anët filloi lufta e partizanëve e drejtuar nga Baba Faja”.
Më tej Hoxha tregon se si Dejvis vendosi të dorëzohej. Justifikimi i tij ishte se qe plagosur, por kur e bëri veprimin e vetëdorëzimit ishte larg mundësisë për t’u dalluar prej të tjerëve, përfshi edhe zëvendësin e tij, kolonelin Nikolson, nëse kishte me të vërtet nëpër trup ndonjë plumb.
Gjithsesi në librin e tij të shkruar në pasluftë, “Aventura iliriane”, gjenerali britanik do të shkruante se në kampin gjerman, ku pas vetëdorëzimit rrinte i burgosur, kushtet i kishte pasur shumë më të mira se herën e fundit me partizanët “kur po luftonim me furtunën në majën e një mali, pa ushqime dhe pa rrugëdalje”.
A e dinin ballistët në kuvendin e Beratit, të paktën ata të udhëheqjes apo edhe vetëm Mit’hat Frashëri, se ndërsa ata përgatisnin kongresin dhe i kryen punimet e tij pa lënë pas gjë të shkruar, paralelisht trupa speciale gjermano-naziste po bënin çmos ta asgjësonin fizikisht PKSH-në dhe lëvizjen e saj të armatosur? Mendojmë se përderisa këtë gjë e dinte me domosdo kryeministri Mehdi Frashëri, edhe Mit’hati duhet të ketë pasur dijeni?

Por Hoxha nuk dorëzohet

Enver Hoxha në librat e tij të shumtë të kujtimeve përpiqet ta anashkalojë rrezikimin e jetës së vet dhe të tjerëve në Çermenikë të Elbasanit në funddhjetor 1943 dhe harxhon energji për të ironizuar dhe marrë nëpër gojë gjeneralin britanik Dejvis (të rënë në duart e çetës balliste të Azis Biçakut). Ndërkaq në librin e tretë të Historisë së Luftës Nacional-Çlirimtare, botuar në 1984, shkruhet se nga rrethimi Hoxha doli dy javë pas nisjes së fazës së parë të operacionit të dimrit.
Duke qenë se ai filloi në 19 dhjetor 1943 distanca e dy javëve në vazhdim të çon në 2-3 janar 1944, saktësisht kur nisi punimet kongresi i Ballit Kombëtar.
Por e tëra kjo është vetëm gjysma e gjysmës së të vërtetës, pra vetëm një çerek prej saj. Enver Hoxha dhe Shtabi i Përgjithshëm, përfshi edhe ndonjë eksponent tjetër të komitetit qendror të PKSH-së, shpëtuan prej likuidimit fizik, duke dalë nga rrethimi i gjermanëve dhe i grupeve vendase mercenare, vetëm në fillim të muajit mars 1944.
Pra ai dhe pjesa kryesore e udhëheqjes së Lëvizjes Nacionalçlirimtare kanë qenë pothuaj tre muaj jashtë funksionit. Si mund ta pohonte Hoxha këtë, ca më shumë ta linte të shpjeguar fill e për pe!
Ai bëri sikur la ndonjë shënim të vogël heroizmi dhe kaq.
Ndërkohë kishte edhe një arsye tjetër për të ushtruar censurë mbi këta tre muaj të jetës së tij, të cilat e zbulonin se pati mbetur në bisht të ngjarjeve më të ndërlikuara të luftës, operacionit gjermano-nazist të dimrit, kur formacionet partizane u goditën rëndë dhe pësuan humbje. Madje një brigadë e tërë, e dyta, pothuaj u shkatërrua. E treta jo më pak.
Enver Hoxhës ia pengonte rrëfimin e plotë edhe Mehmet Shehu.
Në librin “Rreziku angloamerikan për Shqipërinë”, të botuar në 1982, një vit pas vetëvrases së Shehut, në faqet e fundit të tij ai ka vendosur “tablonë sinoptike”, të quajturën analizë të veprimtarisë si poliagjent të kryeministrit.
Në po këtë libër Hoxha, në gjysmën e parë të tij, rrëfen me kujdes periudhën nga 19 dhjetor 1943 deri, siç nënkuptohet, fundi i muajit, duke lënë përshtypjen se vetëm ato ditë qenë plot rrezik për të dhe Shtabin e Përgjithshëm, pastaj çdo gjë hyri në normalitetin e zakonshëm të drejtimit të luftës partizane.
E tëra kjo është një manovër heshtjeje për më kryesoren: periudhën nga fillim janari 1944 deri në 3 apo katër mars 1944, kur realisht ndodhi dalja nga rrethimi dhe shpëtimi real prej ndonjë kapjeje rob apo vrasjeje gjatë luftimeve.
Këtë pjesë Enver Hoxha nuk mund ta dëshmonte dhe linte të shkruar, sepse i qe dhënë detyrë brigadës së parë sulmuese, të drejtuar nga Mehmet Shehu që ta shpëtonte atë dhe Shtabin e Përgjithshëm. Sa kohë që Shehu ishte kryeministër kjo periudhë përmendej dhe flitej, konsiderohej si një marshim historik marshimi shpëtimtar i kësaj brigade. Ajo ndodhet e rrëfyer në një libër me 710 faqe, me titull “Brigada I Sulmuese, shpresë për popullin, tmerr për armikun”, botuar në 1977. Autor i saj është Ndreçi Plasari, gjatë dikataturës shkruesi më kryesor, më i privilegjuar, më i doktrinuar dhe më manipulues i viteve të luftës.
Në kreun IX, “Marshimi heroik” (shkurt-mars 1944), në libër tregohet se në Berat në ditët e para të shkurtit, për shkak të angazhimit në operacion në jug të vendit, kishin mbetur vetëm dyqind gjermanë. Po ashtu qe bërë tepër aktive me përndjekjet brenda qytetit si edhe me postkontrollet deri në fshatra, një strukturë e Ballit Kombëtar e ngritur posaçërisht në këtë qytet, e quajtur “Komanda e Operacioneve të Jugut”.
Kështu Mehmet Shehu, i cili me brigadën e tij në një operacion spastrimi prej armiqve në krahinën e Skraparit, ndodhej më në fund në afërsi të Beratit, vendosi ta sulmojë qytetin. Kur pikërisht u bë gati ta realizonte këtë plan, në mbrëmjen e 11 shkurtit i erdhi në letër me shënimin sipër “urgjent”.
I drejtohej atij me emër.
Letra qe e një anëtari të Shtabit të Përgjithshëm.
Në të thuhej: “Shtabi i Përgjithshëm ka ngelë i izoluar dhe jeton nëpër pyje. Sikurse na lajmërojnë, ka rënë disa herë në përpjekje me gjermanët e ballistët. Pra...Shtabin e kemi në rrezik, prandaj duhet patjetër ta shpëtojmë. Shpëtimin e Shtabit duhet ta bëjë Brigada I...Çështjen e Shtabit duhet ta mbani shumë konspirative dhe mos ta dijë tjetër kush, veç shtabit të brigadës”.
Prej librit të shkruar nga Ndreçi Plasari vihemi në dijeni se ndërkohë Shtabi dhe Enver Hoxha kishin bërë tre përpjekje të dështuara për të dalë vetë nga rrethimi.

Ia del të shpëtojë pa ndihmën e Mehmet Shehut

Para se në 11 shkurt t’i vinte Mehmet Shehut urdhri për të shkuar në ndihmë të udhëheqjes së Lëvizjes Nacionalçlimtare, Hoxha i pati shkruar një letër Nako Spirut: “Ditët po kalojnë në mërzitjen më të madhe sepse, në pamundësi të bëjmë diçka për të dalë këtej ose për të ndihmuar lëvizjen, ne vazhdojmë një jetë monotone, presim ndonjë vijë kalimi, por më kot...
A mendon ndopak për ne fukarenjtë e rrethuar e që mërzia e ka kapërcyer kufinë? A ke menduar ndonjë solucion daljeje për ne? Automobil, Dumre, Pezë a gjetkë? Duhet të shkruash nga të katër anët, pa zënë në gojë se jemi ne që do të dalim. Lëre të kuptojnë shokët që jemi ne (pse letrat mund të bien në duar të armikut)”.
Mehmet Shehu në krye të tre batalioneve të brigadës u nis për ta gjetur ku ndodhej Shtabi dhe Enver Hoxha si edhe për t’u hapur atyre rrethimin. Dimri qe i egër, krahina e Mokrës, ku po shkonin, duke qenë 1500 metra mbi nivelin e detit, ishte edhe më e rënduar.
Në 5 mars ata mbërritën në Shëngjergj dhe aty mësuan se fare pak ditë më parë Shtabi i Përgjithshëm ia kishte dalë vetë çarjes së rrethimit dhe kishte njoftuar se tashmë ndodhej në krahinën e Korçës, jashtë çdo rreziku.
Në librin “Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë”, në 1982, Enver Hoxha do ta akuzonte Mehmet Shehun e pajetë që prej një viti, se ai në shkurt-mars 1944 ishte vonuar qëllimisht.
Hoxha e kishte fjalën se prej mbrëmjes së 11 shkurtit, kur mori letrën urgjente, Shehu e pati nisur lëvizjen drejt Shëngjergjit dhe Çermenikës dhjetë ditë më vonë: në 21 shkurt.
Madje vetë Mehmet Shehu tek 710 faqet e librit për brigadën e parë lë të kuptosh se, i shtrënguar nga rrethanat e shpërndarjes së fronte të ndryshme të batalioneve të brigadës, në përpjekje për rigrumbullim të tre prej tyre, marshimi i grupit shpëtues nisi në 23 shkurt.
Ndërkohë që zhvillohej kjo pamje e censuruar e të vërtetës për tre muajt nokdaun të Enver Hoxhës dhe vetë Shtabit të Përgjithshëm, të nxjerrë jashtë funksionit prej gjermanëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre vendas, operacioni i dimrit po fikej. Fuqia e tij e zjarrit nisi të shuhej pak nga pak që prej rrethinave të Tiranës (Pezës) dhe Çermenikës, ku nisi fazën e parë, i shvendosur më vonë në Korçë dhe pastaj në Berat, më tej kur iu avit Përmetit, Vlorës dhe Gjirokastrës.
Pas dëmeve të para të mëdha që i shkaktoi partizanëve, po ashtu edhe popullsisë civile, në fund të marsit 1944 doli se Lëvizjes Nacional-Çlirimtare operacioni nuk i kishte sjellë ndonjë traumë fatale, madje po ndodhte e kundërta. Në prill ajo rilulëzoi dhe qe fort e inkurajuar jo vetëm për shkak të stinës tashmë të përshtatshme për të jetuar në mal, por edhe betejave fitimtare të papushuara të armatës së kuqe. Kjo kishte hyrë në Rumani, çfarë donte të thothte se pati trokitur në dyert e Ballkanit.
Në 5 prill ai Shtab i Përgjithshëm me në krye Enver Hoxhën që duhej të ishte asgjësuar në funddhjetor 1943 apo në janar, shkurt dhe fillim mars 1944, u lëshoi urdhër të gjitha njësive të veta të armatosura të shpërthenin një mësymje të përgjithshme kundër trupave gjermane dhe mbështetësve të tyre nga radhët e shqiptarëve.
Thirrja ishte qartësisht ideologjike, paralajmëronte se në atë pranverë më shumë se koha e luftës për çlirim nacional qe ajo e revolucionit proletar: “Përpara mbi armikun dhe tradhëtarët! Përpara për ta hedhur jashtë okupatorin dhe për të zhdukur pa mëshirë tradhtarët dhe gjakpirësit e popullit tonë!”
Shiheni gjuhën relativisht jo fort të ashpër për pushtuesit dhe atë shumë të egër, të tërbuar, ndaj bashkëkombësve që nuk e donin komunizmin!
Ka marrë rrugën e është bërë zakon të thuhet se dhembët e diktaturës së ardhme u shfaqën në Kongresin e Përmetit, në 24 maj 1944, por mendojmë se ato janë kërcëllitur publikisht një muaj e gjysmë më parë, në këtë thirrje për t’i bërë bashkë dhe pleksur e ngatërruar me njëra tjetrën betejën çlirimtare ndaj pushtuesit me luftën e brendshme të vëllavrasjes që i hapte rrugën modelit politik të shoqërisë bolshevike.

Ylli Polovina



Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com