|
SHPJEGIM PËR NJË LETER TË 45 VITEVE MË PARË
Intervistë e zv.kryeredaktorit të “Panorama”, Astir Lumezi, me Ylli Polovinën, botuar në këtë të përditshme, nga redaksia nën një titull tjetër, në 21 nëntor 2016)
Pyetje: “Zoti Polovina, studiuesi Dashnor Kaloçi ka botuar një letrën tuaj, të cilën ju në 1971 ia dërgonit Sekretarit të KQPPSH Ramiz Alia për librin e Ismail Kadaresë “Kronikë në gur”. Çfarë ishte kjo letër dhe nga e morët spunton për të?”
Përgjigje: Letra ime e 28 qershorit 1971, pra e mbi 45 viteve më parë, ka këtë histori: Pas studimeve universitare në Fakultetin e Gjuhë-Letërsisë në Tiranë ajo është hartuar në muajt e parë të punës si mësues në gjimnazin “Babë Dudë Karbunara” në Berat, në rrethana konkrete që nuk i mbaj mend, por i panxitur prej kurrkujt. E kam bërë me kokën time dhe për pasojë mbetem përgjegjës i plotë për të. Ajo nuk iu adresua Enver Hoxhës, por sekretarit të KQ për arsim-kulturën, Ramiz Alisë, i njohur ato kohë si mbështetës i intelektualëve, i interpretuar në qarqet letrare edhe si përkrahës i Kadaresë. Unë sapo lexova librin “Kronikë në gur”, nën një impuls emotiv, e konsiderova këtë botim jo në përputhje me rregullat e realizmit socialist, madje e vlerësova si surrealist. Propozova edhe heqjen e tij nga qarkullimi. Pas pak muajsh, në leximin e dytë dhe të tretë, ndodhi çuditërisht e anasjella, u binda se ai libër qe shumë i përputhshëm me lexuesin shqiptar të kohës dhe pa asnjë rrezik për sistemin politik që kishim, Kështu u prodhua kjo letër, të cilën për herë të parë e rilexova kur këto ditë e bëri publik “Tema”. Një fragment i saj ka dalë në shtyp disa vite të shkuara kur një përmbledhje e përzgjedhur posaçërisht si e kolegut Dashnor Kaloçi, pra për të vërtetuar se Ismail Kadare ka qenë i sulmuar vazhdimisht prej regjimit dhe njerëzve të tij, u botua prej studiuesit dhe ish-drejtorit të Arkivave të Shtetit Shqiptar, Shaban Sinani. Nga leximi i plotë pas pothuaj një gjysmë shekulli i kësaj letre, pashë me trishtim dhe iritim jo vetëm gjendjen e rëndë të doktrinimit tim ideologjik të atëhershëm. Me pak fjalë ajo është një letër e shkruar me naivitet. Tek e shoh nuk më besojnë sytë, edhe pse kjo është e vërteta dhe prej Kaloçit letra është përcjellë në mënyrë korrekte. Sqaroj se këtë kohë unë isha jo vetëm autor i një vëllimi poetik me stil krijimi bashkëkohor (“Nëpër stacione”), por lexues në tre gjuhë të huaja i letërsisë më të avancuar të Perëndimit, e cila, duhet thënë se ato vite, deri në 1973, vinte lirisht në Bibliotekën Kombëtare. Ndërkohë për letërsinë, e cila atëherë quhej dekadente, pra edhe për vetë surealizmin, leksionet shpjeguese dhe kritikuese na i jepte në fakultet vetë Ismail Kadare.
Pyetje-Kritikat tuaja kishin të bënin me Kadarenë si një shkrimtar modern apo me veprën e tij “Kronikë në gur”?
Përgjigje: Vetëm me këtë libër. Unë vetë jam një krijues i formuar prej shkollës së tij dhe nuk besoj se do të isha ky i tanishmi, autor i 25 librave, katër botuar në gjuhë të huaj, sikur letërsisë tonë t’i mungonte Ismail Kadare. Ndoshta e dini se veçanërisht në vitet shtatëdhjetë ne ishim të ndarë në prokaderistë dhe antikaderistë. Qe pluralizmi i vetëm që ekzistonte në Shqipëri dhe tolerohej prej partisë së vetme në pushtet. Edhe vetë Enver Hoxha që për arsye pushtetmbajtjeje manovronte me të dy krahët, fshehurisht anonte nga prokaderistët. Gjirokastriti i shumëfuqishëm, përveç se e përdorte talentin e bashkëqytetësit, për t’ia transmetuar dhe përhapur imazhin përtej kufijve, ka pasur adhurim për rrëfimin dramatik dhe magjik që tradita gjirokastrite e ka si asnjë qytet tjetër.
I dashur Aristir, unë përherë dhe shumë vendosmërisht isha në grupin e prokaderistëve. Këtë nuk e dinë vetëm miqtë e mi, por edhe qindra nxënësit e gjimnazit “Babë Dudë Karbunara” të viteve 1971-1974, prej të cilëve në fillim vjeshtë, pas një mbledhjeje pa pushim prej nëntë orësh, autoritetet politike të rrethit, me akuzën se i isha kundërvënë plenumit të katërt të Komitetit Qendror (këtë karakteristikë e kam në zotërim bashkë me të gjithë dosjen time të periudhës 1971-1991) më transferuan “për të njohur jetën” në një prej fshatrave më të largët të Beratit, në Tërpan, duke e njoftuar opinionin se “Ylli Polovina nuk ka për ta parë më kurrë me sy Beratin”. Gjatë tetë viteve në këtë gjendje, pas jo pak veprimeve të mia vetëshpëtuese, sepse në ndonjë rast kam qenë edhe i rrezikuar, një kuadër i ri partie i rrethit, djalë beratas liberal dhe kulturëdashës, Abdyl Pilafi, nguli këmbë të rikthehesha në qytet dhe të punoja si drejtor i Kinoklubit “Tekstilisti”. Theksoj se kur isha në raporte të mira me PPSH-në dhe po ashtu problematike me të, unë asnjëherë nuk jam lëkundur dhe dyshuar tek drejtësia e saj gjer në messhkurt 1991, ku, falë ndikimit të Lëvizjes së Dhjetorit, fillova të kuptoj të vërtetën. Unë dikur e kam dashur shumë, gjer në vetësakrifikim Partinë e Punës.
Pyetje: Lexuam në rrjetin social FB se menjëherë e keni pranuar letrën si të gabuar dhe i keni shprehur falënderimet Shaban Sinanit, Dashnor Kaloçit dhe gazetës “Tema”.
Përgjigje: Pavarësisht prej motiveve shtyrës transparenca para opinionit publik nuk duhet kurrë dekurajuar. Ndërkohë përse të mos e falënderoja historishkruesin Kaloçi, prej të cilit për herë të parë mora vesh se në arkiv kishte lexuar një material të vitit 1973, hartuar kush e di prej cilit institucion, por drejtuar Komitetit Qendror të PPSH-së, ku denoncohesha për krijimtari dekadente dhe jo në përputhje me realizimin socialist. Kështu unë kuptoj më mirë çfarë më ngjau pas Plenumit të Katërt si edhe shoh me sy më vlerësues tre novela të mia të pabotuara, të shkruara gjatë periudhës 71-74. Ato janë mjaft “surrealiste”.
Pyetje: Cili ka qenë qëndrimi i Ismail Kadaresë ndaj kësaj letre? A ka pasur ai dijeni për të?
Përgjigje: Unë e kam shkruar atë letër me dashuri të sinqertë për Ismail Kadarenë, edhe pse ajo, e shprehur sipas dogmës staliniste të ruajtjes së kuadrit, propozonte një blof, siç qe heqja profilaktike e librit “Kronikë në gur” nga qarkullimi. Në to ndodhen shprehjet dashamirëse për Kadarenë: “tek i cili kemi drejtuar sytë tanë” dhe “tani për tani sulmi në shtyp kundër Kadaresë, mund të mos provokohet, por gjithçka të lihet pa rënë në sy, se na intereson të mos njolloset si personalitet”.
Nderimi për Ismail Kadarenë tek unë ka qenë jo vetëm konstant, por që prej viteve gjashtëdhjetë, përfshi edhe 1971 e më pas, në rritje të vazhdueshme. Ai ka dy cilësi të bukura: është talenti letrar më i madh në të gjithë historinë e shqiptarëve si edhe vepron si patriot i rreshtit të parë. Në dy prej librave të mi, “Ditari i Romës”, 2000 dhe “Shqiptarët, diamantet e pagdhendur”, 2015, për këtë kontribut të tij kam me dhjetëra faqe.
Në statusin tim në FB këto ditë shpërndava edhe një foto të bërë në 1986 në Berat, kur në detyrën time të kryetarit të degës së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, e ftova Kadarenë për t’u takuar dhe biseduar me krijuesit. I kam shkuar në shtëpi për t’i bërë ftesën. Më ka pritur me mjaft mirësi. Në Romë, në vitin 1999, kur punoja në ambasadën tonë, e kam shoqëruar, bashkë me ambasadorin Leontiev Çuçi dhe kolegun Visar Zhiti, në veprimtarinë e marrjes së çmimit “Feronia”. Me leje të tij, i kam bërë me kamerën personale edhe një filmim të gjatë. Vajza jonë e dytë, e cila jeton në Romë dhe merr pjesë në qarqe artistike, kur ndesh pamjen e ndonjë libri të Kadaresë në italisht, me një ngazëllim gati fëminor më telefonon menjëherë. E siguroj si të vërtetë lexuesin e “Panorama” edhe për këtë hollësi: në bibliotekën e time, për fat shumë të pasur, të drejtën për një raft te vetëm për secilin prej tyre, e kanë Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Enco Biaxhi dhe Bruno Vespa.
Pyetje: Përse Ismail Kadare është sulmuar kaq shumë por nuk është dënuar dhe persekutuar si mjaft bashkëkohës të tij?
Përgjigje: Kjo kërkon shumë analizë dhe paraqitje korrekte provash. Po ashtu edhe mjaft paanësi dhe respekt për Kadarenë. Me të kaluarat e personave veprohet me dashuri. Mbase një kontribut modest në këtë do të ketë në të ardhmen edhe një projektlibër imi, i cili, do të përpiqet të dëshmojë si u bë “rrokada” e pushteteve në vitin nëntëdhjetë dhe si disa nga mbështetësit dhe beniaminët më të fuqishëm të gjysmëshekullit të shkuar po ja dalin të ushtrojnë sundim edhe në gjysmën tjetër të shekullit dymijë. Për këtë kanë sipërmarrë panevojshëm larjen e imazhit të shkuar të tyre, duke nxirrë të tjerat. Me këtë rast shpreh mosdakortësinë time ndaj çdo përpjekje falsifikimi të veprës dhe jetës së Ismail Kadaresë si gjoja disident politik dhe i përndjekur posaçërisht nga regjimi komunist.
Tani mund të më jepni leje të them edhe dy mendime të tjera?
Pyetje: Patjetër.
Përgjigje: Që kur studiuesi Shaban Sinani para disa motesh e botoi jashtë librin e tij dokumentar, ku ndodhej edhe letra ime, ajo tërhoqi vëmendje. Me të vërtetë, për shkak të frymës së saj lejfeniste, është spektakolare. Por ajo që paraqiti Dashnor Kaloçi, ku ndodhet edhe kartela e fatit zyrtar të saj, provohet se Partia e Punës nuk është ndikuar fare nga unë, 23 vjeçari i provincës, dhe e tërë ajo “furtunë në gotë” ka përfunduar me një rekomandim “për lexim” në vetëm dy funksionarë pa rol vendimmarrës. Ajo letër mund të jetë akuzë për mua 23 vjeçarin e asaj kohe, por aspak për PPSH-në.
Histori shkruesit Kaloçi, i cili përpiqet me mirësjellje të më lehtësojë sado pak nga përgjegjësia personale për atë letër, do t’i sugjeroja miqësisht të informohet më shumë për faktet historike, se mes pasaktësive të tjera, psh se ajo botohet për herë të parë, ka edhe një tepër të rëndësishme: Ismail Kadare ka qenë në Berat para se të rikthehesha e të emërohesha si mësues në gjimnaz, pra nuk jemi takuar kurrë në të njëjtin vend dhe kohë. Po ashtu me cilësimin tim si “tepër aktiv në shtypin e shkruar” shpresoj të mos dëshirojë të lerë pas nëntekstin se më duhet kufizuar e drejta e të shkruarit. Deri tani e kanë shpresuar shumë prej atyre që nuk përshtaten me lirinë e gjithsecilit qytetar.
Transparencën e paanshme dhe shumë të dobishme ka kohë që e komprometon stili i persekutimit, pse jo edhe e ajo e linçimit publik.
Teksti nga libri i Dashnor Kalocit
Dokumenti që po publikojmë në këtë pjesë të librit siç diket dhe nga faksimilja përkatëse, është një letër e vitit 1971, e
një 23 vjeçari nga Berati, i quajtur Ylli Polovina, i cili ia drejton atë, sekretarit të Komitetit Qëndror të PPSH-së, Ramiz Alisë. Polovina, emër shumë i njohur tashmë (sidomos pas viteve ’90-të), si; shkrimtar, publiçist, analist, studjues serioz dhe gazetar, i rubrikës historike me temë nga e kaluara, autor librash dhe i dhjetra e dhjetra artikujve në shtypin e përdishëm, asokohe një djal i ri vetëm 23, vjeç, dhe gjithashtu një krijues i ri që sapo kishte botuar vëllimet e para, duket se ka qenë i mbushur plot me ëndrrime rinore, kjo edhe për shkak të dellit si letrar. Të gjitha këto duken qartë në letrën që ai ia dërgon Ramiz Alisë, gjë e cila mund të ketë ardhur edhe si shkak i indoktrinimit të tij ideollogjik prej rrethanave familjare, por edhe prej kohës kur është shkruar ajo, që duhet thënë gjithashtu se ka qenë mjaft e ngarkuar emocionalisht nga propaganda partiake. Ajo që bie në sy në pamje të parë të letrës, (gjë e cila duket dhe nga faksimilja përkatëse) është fakti që edhe pse ajo nuk ka qenë një letër zyrtare, Polovina në kre të saj ka shkruar me stilograf, Republika Popullor e Shqipërisë?! . Dhe gjithashtu duhet thënë se koha kur është shkruar kjo letër, përkon me periudhën që shkrimtari Ismail Kadare ka qenë i dërguar në rrethin e Beratit (me banim brenda në qytet), së bashku me kolegun Luan Qafëzezi, periudhë për të cilin ai është ndalur e ka shkruar në veprat e tij, dhe gjithashtu edhe Elena Kadare në librin e saj, “Kohë e pamjaftueshme” (Botimet “Onufri” Tiranë 2012). Dhe nisur nga ky fakt, pra po të kemi paraysh ato çka ka shkruar Kadare dhe bashkëshortja e tij Elena për periudhën në fjalë në rrethin e Beratit, prania e Kadaresë në atë ambinet deri diku dhe provincial, ka zgjuar instiktin hakmarrës të ndonjë kolegu lidhur me ndonjë pakënaqësi të tij, apo thjesht për shkak të indoktrinimit, gjë e cila ka bërë, që ta shohin shkrimtarin e njohur nga Tirana, edhe si një njeri, të cilin “partia e kishte dërguar aty për riedukim”. Nisur nga kjo, me mendohet se 23 vjeçari Polovina ka qenë i nxitur dhe i shtyrë për ta shkruar atë letër, qoftë dhe duke i përkedhëlur sedrën nga ana profesionale si një krijues e ri, ‘për një karrierë sa më të suksesëshme në të ardhmen’?! Por për ironi të fatit, duke se kjo letër nuk i ka ardhur aspak në ndihmë Polovinës, pasi vetëm pak kohë më pas (viti 1973), atij ia ndalua një vëllim poetik dhe akuzat që i bëheshin në një informacion dërguar Komitetit Qëndror të PPSH-së, ishin identike me ato që ai i kishte bërë Kadaresë, dy vjet më parë…?! Gjithsesi këto hipoteza mbeten për t’u provuar, dhe më mirë se vetë Polovina, (tepër aktiv në shtypin e shkruar), askush nuk mund të hedhë dritë mbi këtë letër?! Ashtu si dhe dokumentet e tjera të këtij libri, edhe ky publikohet i plotë.
KOMITETI QENDROR I PPSH Alf. Y
Sektori i përgjithshëm Nr. 15
K A R T E L E Data 3. 7. 1971
E regjistrimit dhe evidencave të letrave (Nr d. 7 )
Emri, atësia, mbiemri Ylli Polovina
Adresa Rruga Enver Hoxha Nr. 18 Berat Gjendja në parti
Kujt i drejtohet Shokut Ramiz Alia Rrethi (Qyteti)
Çështja që parashtron: u lexua nga
Është i mendimit se romani i I. Kadaresë, “Kronikë në gur”, është vepër surrealiste dhe ngrihet tek tipikja por qëndron tek e rastësishmja e shëmtuara dhe propozon heqjen e tij nga qarkullimi.
Shoku Ramiz Alia porositi që letra të lexohet nga shoku Pirro e Ismail Hoxha për dijeni
Shoku Pirro Kondi
Sh. Ismail Ilo
U pa 25. 9. 1971
(Ilo) Ilo
Republika Popullore
e Shqipërisë
SHOKUT RAMIZ ALIA
Jam një mësues letërsie. Jam shumë i ri, 23 vjeç. Babai im është komunist i ‘43 dhe më ka mësuar të jem i ndershëm dhe i partishëm:
Lexova romanin e I. Kadaresë “Kronikë në gur”. Mendoj se kjo vepër s’është ngritur fare mbi tipiken, por mbi të rastësishmen e shëmtuar. Pra si vepër ajo s’i takon aspak realizmit socialist. Për më tepër ajo është vepër surrealiste.
Unë lexoj në tri gjuhë dhe surrealizmin, nëqoftëse se s’e njoh shumë mirë, e njoh mirë.
Duke qenë se në jetën time unë zgjodha detyrën që t’i rri pranë me çdo kusht Partisë sime, sepse nuk kam asgjë më të shtrenjtë se ky popull, kjo Parti dhe te ata 28 mijë dëshmorë që dhanë jetën për luftën, lirinë time e të shokëve të mi, i prekur thellë dhe i tronditur prej kësaj vepre që s’është aspak e zorëshme për I. Kadarenë, tek i cili kemi drejtuar sytë tanë, si qytetar dhe si një komunist i ardhshëm, mendoj që ai roman të hoiqet nga qarkullimi.
Unë kam përgatitur një artikull jo me qëllim botimi (tani për tani sulmi në shtyp kundër Kadaresë, mund të mos provokohet, por gjithçka të lihet pa rënë në sy, se na intereson të mos njolloset si personalitet) dhe do t’ua sjell menjeherë nëqoftë se Partia e merr të drejtë mëndimin tim.
Gjithashtu unë jam një letrar i ri. Tani del në qarkullim vëllimi im në poezi, për botim, është i dyti, dhe dy drama. Pra unë jam në hapat e mia të para. Ky artikull po të çohej në ndonjë institucion, do të më skushtonte shtrenjtë, sepse kundër meje mund të hakmerreshin.
(Mos më merrni aspak ju lutem, për sentimental, por një ose dy mikroborgjezë do të gjendeshin) prandaj na falni që jun heq këtë pjesë të kohës aq të shtrenjtë për një udhëheqës.
Përshëndetje revolucionare
I Juaji
Ylli Polovina
Berat, 28. 6. ‘71
Arkivi Qëndror i Shtetit, Fondi 14. Ap. Komitetit Qëndror të PPSH-së (Struktura), Dosja 7. Viti 1971. Fl. 1-5
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|