|
SHBA-TRUMP, FITORJA E “BOLSHEVIZMIT” TË RI
Botuar në gazetën online “Shqip” në 10 nëntor 2016.
Fitorja e Trump në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, më pak e dëshiruara dhe e pritura jashtë kufijve të saj, ndodhi. E bëri këtë zgjedhje vetë populli amerikan. Deri këtu nuk ka asgjë të padrejtë për fatin e mbi dyqind milionë njerëzve të globit tonë.
Problemi është se SHBA në këtë botë nuk ekziston për vete, të paktën prej një shekulli, kur u shkëput nga vetëndjerja e saj ishullore dhe politika izolacioniste. Ky vend vepron dhe ndikon në të gjithë fatet e kontinenteve dhe të popujve. Në një farë mënyre kjo kështjellë e lirisë demokratike dhe far zhvillimi global duhet në parim të pranohet dhe madje të “votohet” prej pothuaj tërë njerëzimit, të paktën popujve të Perëndimit, të Evropës në radhë të parë.
Po ta këndvështrojmë kështu zgjedhjen normale të Donald Trump nga shumica e shtetasve amerikanë, në “kutinë” e tij dhe të Hilari Klintonit, të paktën virtualisht, duhej të numëroheshin edhe miratimet apo konsideratat mospajtuese të qindramilionëve të tjerë jo amerikanë në vendet e tjera jashtë SHBA.
Po të ndodhte kjo, pra sikur të votonin tërë ata që e pësonin politikën e këtij vendi të madh e të fuqishëm, Trump mund të mos ishte sot presidenti i porsazgjedhur i SHBA.
Ka vëzhgues që këtë triumf të tij e interpretojnë si dukuri globale, pjesë dhe pasojë të revanshit të familjes Le Pen në Francë, të kryeministrit Orban në Hungari, të Bepe Grilos në Itali. Me pak fjalë e shohin produkt të disa ndryshimeve shqetësuese në botë, ku ekstremizmi dhe fryma antiliberale po fiton terren, sidomos duke shpallur si armik të shoqërisë së sotme moderne emigrantin dhe myslimanin.
Mateo Salvini, shef i partisë Lidhje e Veriut në Itali, prej fitores së Donald Trump u ekzaltua aq shumë sa tha se presidenti amerikan i porsazgjedhur pati pasur si program politik atë të partisë së tij.
Fakti që prej kësaj ngjarjeje në SHBA po përpiqen të nxjerrin kapital politik nëpër botë familje partiake me qëndrime të skajshme autoritare, pse jo edhe totalitare, krijojnë perceptimin se Donald Trump u votua prej shumicës së amerikanëve të popullit të thjeshtë, të pambrojtur nga vrazhdësia e jetës dhe e konkurrimit, me të njëjtën frymë dhe përngjasim siç ndodhi nga viti 1905 deri në fund të motit 1917, kur në një vend tjetër shumë të madh, Rusinë, ndjekësit e Marks-Engelsit dhe të devizës “Proletarë të të gjithë vendeve bashkohuni!”, ngadhënjyen. Fituan me dinakëri dhe brutalitet, çfarë nuk ka asnjë krahasim me zgjedhjen e lirë, demokratike, pa asnjë shkelje, qoftë proceduriale, të Donald Trump.
Ngjashmëria mes dy dukurive, revolucionit leninist dhe atij të Trump është mobilizimi dhe përdorimi i shtresave bazale të shoqërisë, i shumicës numerikisht, i “këmbëve që do t’i bien kokës”. Presidenti i porsazgjedhur amerikan, një superpasanik, tërë kohës iu drejtua si themel i SHBA-së ardhme njerëzve të varfër. Vladimir Iliç Lenini dhe tërë prijësit e tjerë komunistë më pas, deri sa modeli i tyre u shemb, rreshtoi si pjesë udhëheqëse të shoqërisë (socialiste) klasën e fshatarësisë dhe atë të punëtorëve. Edhe shtresa e inteligjencës duhej të ishte “popullore”.
Në Shqipëri kjo teknikë përdorimi dhe manipulimi, ushtrimi pushteti ndaj pjesës tjetër, shkoi edhe më larg, kur për rregullin orar dhe deri dokumentar në administratë apo në çdo institucion ose ndërmarrje, ngrihej dhe përdorej një i quajtur “kontroll punëtor”. Në Kinë Mao Ce Duni arriti të ngrejë në këmbë një vorbull gjigande epërsie të “njerëzve të thjeshtë”, kryesisht studentë. E quajti “revolucion kulturor” dhe gjëmat e tij tashmë pranohen edhe në vendin e vet ende monopartiak.
Presidenti Trump nuk është as i majtë dhe as i djathtë, siç bëjnë sikur e kanë mik të madh partiak edhe në Shqipëri përfaqësues të krahut blu. Ai nuk është plotësisht as republikan, edhe pse në emër të kësaj force politike konkurroi me një kurajë dhe frymë sfide të jashtëzakonshme, duke u bërë në histori në fenomen.
Donald Trup doemos që më pak se të gjitha është një komunist.
As diktator dhe as totalitar nuk do të jetë, madje as autoritar. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë truall i vjetër dhe i paepur demokracie-. Më së shumti nuk do të jetë Trump që do të ndryshojë këtë vend, por ajo shoqëri e shumëzhvilluar vetë Trump.
Ajo që do të mbahet mend nga tërë kjo histori e bujshme nuk është mosfitorja e Hilari Klinton, kësaj mike të madhe të shqiptarëve, sepse ajo ndërkohë me “humbjen” e saj, fitoi edhe më shumë zemrat e elitës amerikane, të Evropës dhe gjithkund nëpër glob.
Në kujtesë të botës do të fiksohet tjetër gjë, ajo që nuk na shkonte ndërmend: “bolshevizmi” si stil sjellje politike e rigjallëruar njëqind vite më pas nga shpërthimi i tij më i madh dhe një çerek shekulli prej rënies së Murit të Berlinit. Ai nuk paska qenë vetëm cilësi e rusëve apo sovjetikëve, dikur, në mote varfërie, por edhe i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në kulmin e mirëqenies së saj kampione.
Se “revolucionet proletare”, me forma të ndryshme, nuk shpërthejnë vetëm në vende ku ka krizë politike, ekonomike dhe morale, por edhe në SHBA ku përjetohet, edhe në këto ditë të fundit të Obamës, krejt e kundërta: ritmi i lartë i zhvillimit dhe konsensusi maksimal për të.
Në fund të fundit, siç edhe në thelb qe komunizmi i tipit stalinist, ky i Trump është revolucioni më i madh kundër politikës zyrtare dhe i ushtruesve të saj tepër të sigurt se zotërojnë qiellin e tokën.
Donald Trump është antipolitikani më i fuqishëm deri tani. Me talent të veçantë e mblodhi këtë zhgënjim, i cili po vërshon si përrua edhe në Shqipëri, ku bëjnë sikur nuk e kuptojnë këtë gjë ai grup politikanësh që pa dashje dhe dëshirë, po i bën gati podiumin.
Ylli Polovina
Cikallesh, më 9 nëntor 2016
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|