Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

NJË SURPRIZË QË FSHIHET NË JAVOREN VJENEZE “DAS INTERESSANTE BLATT” NË NUMRIN E SAJ TË 28 NËNTORIT 1912
FESTAT 28-29 NËNTORIT 1945 DHE LOJA E ENVER HOXHËS ME FJALËN DEMOKRACI Pjesa e dytë
FESTAT 28-29 NËNTORIT 1945 DHE LOJA E ENVER HOXHËS ME FJALËN DEMOKRACI Pjesa e parë
LAJMI I SAJUAR MBI NGRITJEN E FLAMURIT DHE SHPALLJEN E PAVARËSISË NË DURRËS
AGOSTINO, KOLONELI I USHTRISË ITALIANE ME MBIEMRIN ÇIFTELIA (Pjesa 2)
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

22 TETOR 1944, BERAT: QEVERIA E PARË KOMUNISTE E SHQIPËRISË DHE DY TË PAVËRTETA


(U botua në gazetën “Panorama” nga 26 deri në 28 tetor 2016)

KUR ERDHI REALISHT ENVER HOXHA NË BERAT

Në 21 tetor 1944 u çlirua qyteti i parë i Gjermanisë, Akuisgrana. Vepra e bujshme dhe tërësisht demoralizuese për nazistët, u krye prej forcave anglo-amerikane. Greqia qe mësyrë nga trupat britanike dhe gjermanët pothuaj ishin tërhequr prej atij territori drejt qendrës dhe veriut të Ballkanit. Ndërkaq në 24 tetor Ushtria e Kuqe mbërriti frontalisht në kufijtë e Jugosllavisë. Adolf Hitlerit, të njohur gjithkund si gjakatar i njerëzimit, po i ngushtohej hapësira e të mbijetuarit.
Në gadishullin tonë, në bregun perëndimor të të cilit dhe gjeostrategjikisht në mes të tij, ndodhej Shqipëria, gjithçka po kryhej sipas paramarrëveshjes së Uinston Çurçillit me Josip Stalinin bërë pak çaste më parë në Moskë. Ky shtet i një pjese të shqiptarëve, i njohur zyrtarisht nga një mbledhje ambasadorësh në Londër në vitin 1913, do të rrinte në mes të dy fronteve të hapur në siujdhesë: nga jugu angloamerikanët dhe prej verilindjes sovjetikët. Në një farë mënyre Shqipëria do të qëndronte si kuzhinietë e vogël mes dy ndarjeve “tektonike”: në pasluftë në Greqi do të kishin përparësi të padiskutueshme britanikët dhe në Jugosllavi sërish këta, por me një epërsi fare të lehtë rusët.
Këto çaste, në 21-22 tetor 1944, në Tiranë do të mbërrinte dora e zgjatur e anglezëve apo ajo e shtriqur përpara me shumë forcë, e njerëzve të Moskës? Apo do të lihej pak për të parët dhe një çikë për të dytët?

Pesë ditë të fshira nga kujtesa historike

Pikërisht në këto momente kapërcyelli të historisë sonë të shekullit të njëzetë, në 22 tetor 1944, Partia Komuniste Shqiptare orientoi me largpamje për fatin e vet, një aksion politik shumë jetik për të: kreu shpalljen publike të një Qeverie Demokratike Provizore. Ngjarja përcaktuese për fatin e ardhshëm të Shqipërisë ndodhi në Berat, qendër urbane me jetë qytetare prej 2400 vitesh.
Ideologjikisht pushtetardhësit e rinj qenë me bolshevizmin dhe Moskën, po ashtu me dishepullin e tyre të fortë e të shkathët në gadishull: Josipin tjetër, Titon. Kur në muajin shtator PKSH kishte hartuar dhe shpërndarë një thirrje “për Beratin për sulmin përfundimtar kundër pushtuesve dhe tradhëtarëve”, në fund të saj, tek parullat, mes të dymbëdhjetave të tyre, ku në vendin e shtatë brohoritej “Rroftë shoku Enver Hoxha!”, e teta qe: “Rrofshin aleatët tanë të mëdhenj: Bashkimi Sovjetik, Anglia dhe Amerika!” Radha e pëlqimit ishte përcaktuar.
Në librin e tij “Kur u hodhën themelet e Shqipërisë së Re”, Enver Hoxha shkruan: “Të gjithë shokët e kryesisë së Këshillit e pritën me entuziazëm propozimin e Komitetit Qendror të PKSH dhe ranë dakord që të thirrej Mbledhja e Dytë e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar në ditët e para të tetorit. Data e saktë do t\\\'u komunikohej anëtarëve të KANÇ-it më vonë bashkë me qytetin ku do të zhvillohej mbledhja, i cili iu la ta caktonte Shtabi i Përgjithshëm, né varësi nga situata ushtarake”.
Në vijim: “Nuk kaluan veçse pak ditë nga kjo mbledhje kur morëm vesh se qyteti i Beratit ishte çliruar. Vendosëm menjëherë që ta zhvillonim atje Mbledhjen e Dytë të KANÇ-it, duke pasur parasysh se ai ishte një nga qytetet kryesore të Shqipërisë, i vendosur né qendër të vendit e me tradita të vjetra historike. Por data e fillimit të mbledhjes u shty disi, sepse akoma trupat gjermane mbanin pozitat e tyre në Kuçovë dhe se duhej njëfarë kohe gjersa të grumbulloheshin gjithë anëtarët e Këshillit Antifashist. Ndërkohë u dhamë urdhër njësive tona që vepronin në këtë zonë t\\\'i jepnin fund sa më shpejt rezistencës së nazistëve dhe, më duket, 2-3 ditë përpara fillimit të Mbledhjes sé Beratit, edhe Kuçova u çlirua”.
Pak më pas Hoxha pohon: “Kështu, në momentin e duhur u nisëm nga Odriçani, kaluam mespërmes Skraparit dhe pas dy ditësh rrugë arritëm në Berat natën vonë”.
Por në këtë rrëfim ka diçka që nuk shkon. Sipas partizanit Naxhi Zhupa, autor i disa librave të periudhës së luftës, kur Enver Hoxha ndodhej në Berat qyteti i naftës nuk qe ende i çliruar dhe se gjermanët mbijetonin çastet e fundit jo për të goditur forcat ushtarake të Lëvizjes Nacionalçlirimtare, por vetëm sepse kishin mjaft nevojë për karburant. Kështu, të rrethuar fort nga forca partizane, nga dy batalione të Brigadës së Tetë dhe Grupi i Skraparit për të mos guxuar të lëviznin drejt Beratit, po ashtu edhe prej batalionit të Roskovecit, i cili i vendosur mbi urën e Hasanbeut çdo çast i godiste, gjermanët mezi mbanin të hapur shtegun e vetëm të lëvizjes dhe njëkohësisht të shpëtimit në rast rrethimi: atë drejt Lushnjës.
Prej këtij drejtimi, Lushnjës, vinin të gjitha autoçisternat e furnizimit me karburant për ushtrinë e tyre ende vepruese në sidomos mbi Shkumbin dhe po ashtu ato largoheshin të mbushura.
Naxhi Zhupa në librin e tij “Për Atdheun që 15 vjeç”, Tiranë 2015, shkruan se kishin qenë orët e para të pasdites së 13 tetorit 1944 kur, duke ecur me këmbë, të zbritur prej rrugës së Drobonikut, erdhi Shtabi bashkë me misionet e huaja ushtarake, një turmë e tërë ku në krye binte në sy një burrë shtatlartë dhe i bukur, i veshur me uniformë dhe i qeshur në fytyrë. Qenë shumë të porsaardhurit sepse që pas Kongresit të Përmetit kompania e sigurimit të Shtabit të Përgjithshëm ishte bërë me tetëdhjetë vetë. Në të dalë të Urës së Goricës, në rrugën nacionale që shkonte drejt qendrës së Beratit, pikërisht aty ku në shkëmb ka qenë një kishë dhe një çezmë për kalimtarët, qe rreshtuar në nderim-armë një kompani e Brigadës së Tetë, plot shtatëdhjetë partizanë. Sipas Zhupës, populli pa e ditur çfarë po ndodhte sepse ajo ardhje mbahej sekret, u grumbullua në mënyrë spontane dhe madje edhe filloi të duartrokiste. Naxhi Zhupa dëshmon se Shtabi dhe misionet e huaja ushtarake u drejtuan drejt sarajeve të familjes Vrioni.
Ndërkohë sipas Enver Hoxhës “Kur të nesërmen, populli mori vesh se né qytetin e tyre kishin ardhur shokët e Komitetit Antifashist dhe të Shtabit të Përgjithshëm, rrugët u mbushën me njerëz. Burra e gra, të moshuar, nëna me fëmijë né duar, të rinj e të reja, pionierë, me këngë e brohoritje të zgjatura na uruan mirëseardhjen. Për orë të tëra vazhduan këngët e brohoritjet nëpër rrugë si edhe përpara ndërtesës ku kishim zënë vend në krah të lagjes «Mangalem», aty ku tani është Muzeu i Luftës Nacionalçlirimtare të rrethit e që më paré kishte qenë shtëpia e Vrionëve”.
Më tej Hoxha shpjegon se “Në Berat u vendosën ato dite edhe misionet ushtarake aleate të Bashkimit Sovjetik, të Britanisë sé Madhe e të Shteteve të Bashkuara të Amerikës të kryesuara respektivisht nga Ivanovi, Smithi e Tomas Stefensi, alias Thoma Stefani. Ishte sigurisht edhe koloneli Velimir Stoiniç e «miqtë» e tjerë jugosllavë. Të gjithë këta ne i ftuam të merrnin pjesë në Mbledhjen e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar, si përfaqësues të vendeve mike e aleate në luftën e përbashkët kundër nazifashizmit. Ivanovi dhe Stoiniçi pa dyshim e pranuan ftesën «me kënaqësi», po kështu edhe amerikano-korçari Stefens, i cili edhe në Kongresin e Përmetit kishte marrë pjesë «si dëgjues». Për çudi, edhe anglezët, ndryshe nga ç\\\'kishin vepruar në Përmet, pranuan të asistojnë në mbledhje, ku dërguan majorin Smith, i cili zëvendësonte Palmerin që ishte larguar ditët e para të tetorit. Pas dështimeve që kishin pësuar në përpjekjet e tyre për të folur me ne me gjuhën e forcës, misionarët britanikë në qëndrimet e tyre tani kujdeseshin të dozonin bashkë me intrigat e kërcënimet, edhe «dashamirësinë» e «mirësjelljen»!”

Kur major britanik Antony Simkoks u dëbua nga Enver Hoxha si i padëshiruar

Enver Hoxha të habit me mosthënien e të vërtetës edhe kur përmendja e saj më së shumti i bën mirë. Apo kur ai censuron diçka të rëndësishme e fsheh patjetër?
Tek libri i tij me kujtime “Kur u hodhën themelet e Shqipërisë së re” ai kërkon t’i lërë përshtypjen lexuesit se ngjarjet që lidhen me mbledhjen e dytë të KANÇ-it kanë pasur këtë rrjedhë kronologjike: u çlirua qyteti i Beratit (13 shtator 1944, shënimi ynë) dhe kështu vendosëm të mbahej atje kjo mbledhje, e cila do të shpallte Qeverinë Demokratike të Shqipërisë; por ishte pengesë gjendja e qytetit naftëtar të Kuçovës, ku ende rrinin trupat pushtuese gjermane; ai u çlirua (në 17 tetor, shënimi ynë) dhe që prej këtij çasti u nisëm nga Odriçani; rrugëtimi drejt Beratit zgjati dy ditë dhe mbërritëm atje natën vonë (kjo do të thotë e shumta 19 tetor, shënimi ynë).
Siç dihet mbledhja e dytë e Këshillit Nacional-Çlirimtar nisi në 20 tetor.
Mirëpo vetë komisari i Brigadës së Tetë, Qazim Kondi, i cili ishte caktuar prej Shtabit të Përgjithshëm (pra Enver Hoxhës), si komandant i trupave ushtarake partizane për të mbrojtur qytetin e Beratit, pritur anëtarët e KANÇ-it dhe vetë Hoxhën, siguruar rendin edhe gjatë mbledhjes së tij, në librin e tij “Qazim Kondi, kujtime”, shkruan se Shtabi i Përgjithshëm u nis nga Odriçani në 10 tetor dhe mbërriti në qytetin e Beratit pasditen e datës trembëdhjetë. Edhe ai pohon se “ngjarja nuk ishte popullarizuar, por populli me intuitë e kuptoi aty për aty”.
Që Enver Hoxha, Shtabi i Përgjithshëm dhe misionet e huaja ushtarake kanë ardhur në Berat jo natën e 19 tetorit, por në pasditen e hershme të ditës së trembëdhjetë të atij muaji, e provon edhe një rrëfim i partizanit Naxhi Zhupa. Në botimin e tij 296 faqesh shumë të dokumentuar “Për Atdheun që 15 vjeç”, vë në dukje: “Në pesëmbëdhjetë ditëshin e parë të muajit tetor 1944, batalioni i tretë i Brigadës së VIII Sulmuese ishte pozicionuar për të mbrojtur pjesën veriore të qytetit të çliruar të Beratit prej kodrave mbi Kala deri në bregun e lumit Osum në perëndim. E mbronim këtë vijë me përkushtim të jashtëzakonshëm, sepse në Berat kishte ardhur dhe ishte vendosur udhëheqja e LANÇ-it, por edhe misionet e huaja ushtarake pranë saj. Ndërkohë në Kuçovë, jo më shumë se 8-9 km, ishin akoma forcat ushtarake gjermane, dhe atje gati çdo ditë vinin e iknin kolona të tëra mjetesh motorike për t’u furnizuar me karburant, çka edhe përbënte rrezik real dhe të përhershëm. Por edhe ne, nga ana tjetër, asnjë natë nuk i linim të qetë duke i sulmuar pas shpine nga kodrat e Sqepurit dhe “Ura e Hasanbeut”. Megjithatë, ishte një rast i rrallë, dhe ndofta i vetëm, që një Udhëheqje Lufte kishte gjykuar dhe vendosur të përqendrohet aq afër vijës së parë armike, siç ndodhi në tetor 1944 në Berat”.
Zhupa po ashtu shton: “Duke qenë me shërbim në këtë vijë, më 15 tetor 1944, unë bashkë me Medar Faslli Breshnin nga Kallarati, u ngarkuam të shkonim në Komandën e Përgjithshme të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare Shqiptare (UNÇSH), e cila ndodhej e vendosur në shtëpinë e Vrionasve, ku edhe muarëm detyrën luftarake: të shoqëronim nga Berati në Kuç të Kurveleshit, dy oficerë anglezë, pikërisht major Antony Simkoks dhe një toger tjetër që ishte edhe zëvendës i tij. Këtë detyrë, për t’i shoqëruar, për t’i ndihmuar dhe për t’i ruajtur, e muarëm personalisht nga Komandanti i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacional-Çlirimtare, gjeneral-kolonel Enver Hoxha dhe nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare, gjeneral Spiro Moisiu, të cilët zbritën nga kati i dytë i ndërtesës ku ishte vendosur Komanda dhe na takuan të katër ne shoqëruesit dhe përkthyesin, duke na sqaruar imtësisht:
“...Këta nuk kanë qenë miq tanët. Ata janë kapur në 19 shtator 1944 në Malin e Dobrejit (në Prefekturën e Kukësit, N.Zh.), duke qenë nën shoqërinë e Kryezinjve të Kosovës dhe me reaksionin vendas...Prandaj ju do t’i shoqëroni, ndihmoni dhe t’i ruani që të mos u ndodhë asgjë deri në Kuç, ku do t’ia dorëzoni Komandës së Vendit dhe pastaj jeni të lirë për në repartet tuaja...”
Me këtë rast unë e Merdari njohëm Komandantin e Përgjithshëm dhe Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH, të cilëve emrat ua kishim dëgjuar me dhjetëra herë, por për t’i parë ata fizikisht nuk na ishte krijuar mundësia...”
Më pas Naxhi Zhupa pohon se “nga Berati u nisëm rreth orës dymbëdhjetë të drekës së 15 tetorit 1944...” Udhëtimi i tyre, pasi natën e kaluan në fshatin malor të Sinjës, vijoi në intenerarin Levan, Damës,Fratar. Këtë shënim Partizani Zhupa e ka shkruar në kohë reale në një minibllok-ditar, pamje të të cilit po e paraqitim në ilustrim të këtij shkrimi.
Pra Enver Hoxha ka qenë në Berat disa ditë para se të çlirohej Kuçova, prej kujt trupat gjermane të përbëra nga rreth treqind e pesëdhjetë ushtarë dhe oficerë, gjashtë tanke të mesëm të prodhimit italian dhe tre autoblinda, u larguan vetë në orët e para të pasdites së 17 tetorit 1944. Po iknin pasi që prej një muaji patën hedhur pjesë-pjesë në erë pistën e aeroportit dhe në paraditen e 17 tetorit vënë zjarrin centralit elektrik, rafinerisë, pompave dhe tërë instalimeve kryesore të naftës. Theksojmë se qyteti i Fierit qe çliruar në 15 tetor dhe Lushnja të nesërmen e ikjes së gjermanëve nga Kuçova, në datën tetëmbëdhjetë.
Nazistët ikën pa u mbyllur gracka nga njësitë partizane.

Me kë do të jetë Shqipëria?

Duhet pohuar se në këtë fundvjeshtë 1944 vetë Josif Visianoroviç Stalini dhe Ushtria e tij e Kuqe nuk menduan, hamendësuan apo projektuan në një fije letër një shigjetë të veprimit sulmues të tyre me drejtim Tiranën. Në Ballkan për ta pikëmbërritëse ishte vetëm Beogradi. Shqipërinë ata e dinin, nëpërmjet Kominternit, se qe nën ndikimin e plotë të Jugosllavisë dhe të partisë motër që po merrte pushtetin në shumëkombëshin e saj: PKJ-së.
Sovjetikët qenë indiferentë ndaj Tiranës pikërisht për këtë arsye. E kishin automatikisht nëpërmjet Beogradit. Prandaj ata jo vetëm nuk futën në Shqipëri ndonjë skuadër apo edhe vetëm një ushtar të tyre, por i quajturi majori Ivanov erdhi dhe ndenji “me duar në xhepa”. Enver Hoxha e ka pohuar këtë jo vetëm njëherë dhe sigurisht këtë denoncim e ka kryer pas prishjes, në 1961, të marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik.
Në librin “Kur u hodhën themelet e Shqipërisë së re” ai thekson: “Kam shkruar për përshtypjet e mia për këtë të dërguar të komandës sovjetike. Ardhjen e tij ne e kishim pritur me gëzim dhe e kishim vlerësuar si një ndihmë të madhe. Por asnjë përfitim nuk patëm nga Ivanovi, asnjë informacion të saktë nuk të jepte dhe, kur e pyetnim për diçka ose i kërkonim ndonjë mendim, e vetmja përgjigje e tij ishte: “Do të vë Moskën në korent me anën e radios”, se kishte edhe një radiotransmetues me vete”.
Pastaj Hoxha godet: “Ivanovi e dinte që ne kishim nevojë edhe për armë e për furnizime ushtarake, por asnjëherë nuk punoi radioja e tij për t\\\'i transmetuar komandës sovjetike nevojat tona dhe asgjë nuk na erdhi që andej”.
Siç dihet pala që e përllogariste Shqipërinë si hapësirë ndikimi të vet, njëlloj si Jugosllavinë, qenë britanikët, të cilët edhe investuan më shumë se një gjysmë duzine misionesh ushtarake. Këto jo vetëm organizuan furnizimin me armatim dhe municion të rezistencës, dhanë për të deri edhe 76.200 stërlina flori, por edhe vetë kryenin aksione diversioniste kundër italianëve dhe më pas gjermanëve.
Gjithsesi se në cilën anë, me Perëndimin apo me Lindjen staliniste, do ta kishte fatin Shqipëria, e provon, mes shumë ngjarjeve të tjera, Mbledhja e Dytë e Këshillit Antifashist Nacional-Çlirimtar në Berat, ku ndër të tjera për pesë ditë është mbajtur e fshehur nga historishkrimi prania e Enver Hoxhës, Komandantit, siç që atëherë e thërritnin të vetët.
Vërtet, përse ai e vetëcensuroi këtë prani dhe shtrëngoi gjithë të tjerët të mos e hidhnin në letër apo ta fiksonin në muzeun e qytetit të Beratit, ku kuvendi i KANÇ-it dhe shpallja e qeverisë së parë komuniste ka pasur një pavion të tërë? Pas vitit 1991 gardistët e rinj, në vend që ta analizonin dhe ta ekspozonin me plus-minuset e saj këtë mbledhje, duke u mjaftuar me denoncimin e Plenumit të KQ të PKSH-së mbajtur në Berat një muaj më pas, e shfarrosën menjëherë këtë pavion.
Duke ndihmuar kështu, pa dashje, që të mos kujtohej njeri edhe për hiletë e bëra në pasqyrimin historik të kësaj ngjarjeve të rëndësishme.
Sepse për një gjysmë shekulli për fatin e shqiptarëve duke mos qenë ditë historike, ajo gjithsesi, duam apo nuk duam, është datë historike.

KARTA FALSE E LIRISË
(Vijon nga numri i djeshëm)

Shënojmë se pas 17 tetorit 1944, çlirimit të Kuçovës, gjendja në qytetin e Beratit, ku me kohë kishin mbërritur drejtuesit e armatës partizane si edhe misionet e huaja ushtarake, doemos ishte më e sigurt. Prandaj edhe në 20 tetor, sipas historiografisë zyrtare të para nëntëdhjetës, të ruajtur edhe pas edhe për një çerek shekulli, inë orën dhjetë të paradites, nisi punimet mbledhja e dytë e Këshillit Antifashist Nacional-Çlirimtar. Me këtë rast do të shpallej qeveria e parë komuniste në të tërë historinë e Shqipërisë. Rivalët politikë, krerët e Ballit Kombëtar, deri ato çaste nuk ja patën dalë dot ta mëkëmbnin një të tillë, pak sepse ishin të ngathët për gjeste të forta politike, pak sepse tërthorazi mbanin kontakte bashkëpunimi me qeveritë zyrtare shqiptare të gjendjes së pushtimit, shumë sepse PKSH, në zbatim të programit të saj bolshevik dhe nën ndikimin e fortë të Partisë Komuniste Jugosllave, i goditi dhe i mundi me armë.
As kundërshtarët e tjerë politikë të PKSH-së, legalistët brenda vendit me prijës Abaz Kupin, por as vetë Ahmet Zogu në mërgim, edhe pse ky i fundit propozoi si kryeministër të një qeverie nën ndikimin e vet, Fan Nolin, një kabinet nuk u formua asnjëherë. Por edhe mbretërorëve komunistët u vunë pushkën.
Në fundtetor 1944 PKSH, pasi me forcën e po atyre armëve që luftonin pushtuesit e huaj, vepër atdhetare shkëlqimtare, patën shkatërruar edhe pluralizmin shqiptar, një bëmë e zezë kjo, ishin duarlirë për të bërë publike kabinetin e tyre qeveritar.
Berati qe në festë. Do të ishte kryeqytet, qoftë edhe për pak kohë. Pothuaj e tërë popullsia e tij qytetare pati qenë në rradhë të parë të rezistencës antifashiste. Enver Hoxha në librin e tij “Kur hidheshin themelet e Shqipërisë së re”, tek përshkruan atmosferën e krijuar në kinemanë e Beratit, pohon se “Gati gjysma e sallës, lozhat dhe galeria ishin të mbushura me popull”. “Asgjë të keqe s\\\'kishte këtu, shkruan ai më pas, përveçse iu hap pak punë doktor Nishanit, që drejtonte punimet, të cilit i duhej të ndërhynte disa herë për të qetësuar njerëzit që brohoritnin pareshtur, të entuziazmuar”.
Është vetë Enver Hoxha, i cili mbajti fjalimin kryesor dhe në fund të tij bëri propozimin që Komiteti Antifashist i krijuar në Përmet të kthehej në një Qeveri Demokratike Popullore Provizore. Siç theksoi në atë kuvend të dytë të Këshillit Antifashist Nacional-Çlirimtar, përveç detyrës së çlirimit të të gjithë vendit, kjo qeveri kishte për mision edhe organizimin e “zgjedhjeve të lira demokratike”.
PKSH, partia e tipit stalinist me program hegjemoninë e vetëm një partie dhe vendosjen e sistemit shoqëror të diktaturës së proletariatit, në fund të tetorit 1944, një muaj para se të çlirohej vendi prej pushtuesve nazistë, kishte vënë në fytyrë pamjen e pluralizmit dhe të demokracisë! Por nuk ndodhte vetëm në Shqipëri kjo skenë. Shumë më pas, madje edhe në Evropën Perëndimore, leninistët dhe stalinistët, brohoritnin apo këndonin vargun “Rroftë Komunizmi dhe Liria!”
Ata që e mbushnin kraharorin me melodinë e saj qenë të sinqertë, komunizmin e dinin sinonim të luftës kundër shfrytëzuesve dhe perspektivën e një bote plot liri. Në Berat dhe nëpër tërë Shqipërinë atë 22 tetor 1944 mendohej po njëlloj: shumica që nuk dinin gjë për Komunizmin dhe ata fare pak që këtë kohë e simpatizonin atë, luftën kundër dy pushtuesve totalitarë, fashistëve italianë dhe nazistëve gjermanë, e patën bërë në emër të lirisë, nacionale dhe shoqërore.
Por pika programore për “zgjedhjet e lira demokratike” e Qeverisë Demokratike Popullore Provizore, siç rezultoi shumë shpejt, ishte jo vetëm një joshje elektorale, por edhe një grackë politike, një pritë ndaj lirisë. Mbi të gjitha një pabesi e madhe. Shndërrimi i qëllimtë dhe i paramenduar, i maskuar dhe i mbajtur fshehtë për vite me radhë, sidomos gjatë qëndresës kundër pushtuesve, i veprës së vyer të luftës nacionalçlirimtare në revolucionin e ashtuquajtur socialist, është veprim shumë cubnor. Demokracia është transparencë, program zhvillimi i bërë publik në çdo kohë, gjer në hollësi, kurrë i mbajtur fshehur. Për fat të keq tek ne ndodhi që jo vetëm gjatë luftës nuk u tha se çfarë sistemi shoqëror pas çlirimit do të vendosej, por deri në 1947, kur i kishin shtypur edhe qelizat më të imta të rivalëve politikë, u mbajt në regjim konspiracioni vetë ekzistenca e PKSH-së.

Deklaratë lirie nën thirrjen “Da zdrastvujet Savjetskij Sajuz!” (Rroftë Bashkimi Sovjetik!)”

Provat për këtë janë të shumta, por duke qenë se ndodhemi në këtë pikë kyçe të fillimit tinëzar të këtij mashtrimi politik të kryer edhe në Mbledhjen e Dytë të Këshillit Nacional-Çlirimtar në qytetin e Beratit, po nxjerrim në pah nga kjo ngjarje vetëm një dëshmi të mbetur jashtë vëmendjes.
Në librin e tij me kujtime për hedhjen e themeleve të “Shqipërisë së Re”, mes të tjerash Enver Hoxha shkruan edhe këtë frazë: “Me entuziazëm e pritën delegatët përshëndetjen e majorit Ivanov. Kur iu dha fjala atij si dhe në fund të fjalimit, salla brohoriti për Stalinin e madh e për Ushtrinë e Kuqe, bile edhe në mes të fjalës së shkurtër të Ivanovit, një nga shokët që ndodheshin në sallë thirri në gjuhën ruse “Da zdrastvujet Savjetskij Sajuz!” (Rroftë Bashkimi Sovjetik!)”
Në këtë klimë politike mbledhja e dytë e KANÇ-it në 23 tetor mori vendim dhe bëri publike një dokument të rrallë në të tërë historinë e mëparshme të Shqipërisë së mëvetësuar në 1912. Njëlloj si të qe Anglia, Franca apo Shtetet e Bashkuara të Amerikës, KANÇ-i i bëri të ditur popullit shqiptar si edhe opinionit publik ndërkombëtar një dokumenti programatik. E quajti “Deklaratë e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar të Shqipërisë mbi të drejtat e qytetarëve”. Jo më kot historiania Sonila Boçi, në një shkëmbim mendimesh me të, nguli këmbë në formulimin e qëllimtë “Deklaratë” të këtij dokumenti. Të kujton “Deklaratën e të Drejtave të Njeriut dhe të Qytetarëve”, të formuluar nga revolucioni francez në 25 gusht 1789, e cila përmbledh në 17 pika thelbin më pozitiv të përvojës demokratike të mëparshme, përfshi edhe “Deklaratën e Pavarësisë” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.
E shpallura e ngjashme në Berat premtonte tërë demokracinë perëndimore. Teksti autentik i saj ishte i mbushur me këto fjalë: “...Duke shprehur dëshirat e drejta të popullit dhe vullnetin e tij për të ndërtuar një shoqëri njerëzore plot liri e dinjitet, pushteti demokratik i popullit shqiptar, i konkretizuar në këshillat nacionalçlirimtar dhe në Këshillin Antifashist Nacionalçlirimtar të Shqipërisë, garanton:
-Të drejtat e barabarta përpara ligjit të të gjithë nënshtetasve shqiptarë.
-Lirinë e fesë dhe të ndërgjegjes si dhe të drejtat e barabarta të të gjitha feve.
-Lirinë e mbledhjes, të fjalës, të shoqërimit dhe të shtypit.
-Pronësinë private dhe sigurinë personale të qytetarit, si dhe lirinë e iniciativës private në jetën ekonomike.
-Të drejtat e barabarta të gruas me ato të burrit, si në jetën politike të vendit, ashtu edhe në veprimtarinë shoqërore.
-Të drejtën e zgjedhjes në Shqipërinë demokratike, të cilën zgjedhësit do ta ushtrojnë me votim të fshehtë, në bazë të së drejtës të zgjedhjes universale, të njëjtë dhe direkte. Të drejtën e zgjedhjes dhe të drejtën për t\\\'u zgjedhur e ka çdo qytetar dhe qytetare që kanë mbushur moshën 18 vjeç dhe që nuk janë të zhveshur nga kjo e drejtë në bazë të ligjit. Luftëtarët e UNÇ e kanë këtë të drejtë pavarësisht nga mosha e tyre. Nga parimi i votimit të fshehtë dhe direkt mund të hiqet dorë për kohën e zgjatjes së Luftës Nacionalçlirimtare me vendim të KANÇ.
-Çdo qytetari i garantohet e drejta e ankimit për vendimet e organeve të pushtetit si edhe e drejta e lutjes dhe e padisë të të gjithë organeve të pushtetit shtetëror.
-Askush nuk mund të dënohet pa u zhvilluar më parë procedurat gjyqësore.
-Është nder dhe detyrë për çdo qytetar të aftë për armë, të marrë pjesë në luftën çlirimtare si ushtar i UNÇ.
-Pushteti demokratik popullor u siguron me anë të ligjeve të gjithë punëtorëve të qytetit dhe të fshatit një jetë të pajtueshme me konceptin modern të së drejtës shoqërore (droit social) dhe me dinjitetin njerëzor.
-Për të mbrojtur rendin demokratik dhe për të siguruar rezultatet e LNÇ, ndalohen të gjitha organizatat fashiste dhe profashiste dhe ndiqen të gjithë personat që merren me veprimtari fashiste dhe profashiste”.
E firmoste këtë deklaratë të hatashme drejtësie shoqërore sekretari i KANÇ-it, Koço Tashko dhe kryetari Dr. Omer Nishani.
“Deklarata e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar të Shqipërisë mbi të drejtat e qytetarëve”, në të njëmbëdhjetë pikat e saj premtonte gjithçka që nuk u zbatua kurrë.

Akademia e Shkencave për lirinë, në dy kohë

Për këtë deklaratë, e cila në rast se në Shqipëri do të ngrihej një sistem shoqëror demokratik, do të zinte vend të prekshëm nëpër librat shkollorë apo do të shndërrohej në subjekt filmash e veprash të shumta artistike, ngjarje e cila do të ruhej në kujtesën kombëtare me pothuaj madhështi, para nëntëdhjeta ka përdorur censurimin. Enver Hoxha personalisht ka zbatuar minimizimin maksimal të saj, ndërsa shkruesve të tjerë u ka lënë shteg ta citojnë me një mal hipokrizie sipër.
Vetë, në të gjithë ciklin e librave të tij të kujtimeve, nuk shkroi asnjë rresht të drejtpërdrejtë dhe të ngrohtë për këtë Deklaratë, sepse mund edhe një faqe ta mbushte me kujtime, pse jo edhe një kapitull libri. Ai nuk ka dashur as ta kujtojë posaçërisht, sepse ndryshe do të ngacmonte pyetjen se ku ndodheshin tashmë ato premtime lirie të 23 tetorit 1944. Tek botimi “Kur u hodhën themelet e Shqipërisë së re”, Hoxha për “Deklaratën e të drejtave të qytetarëve” ka vetëm këtë frazë: “Né seancën e pasdites, né emër të Qeverisë, bëra një Deklaratë programatike në të cilën shprehej angazhimi i Qeverisë sé re për të çuar deri né fund luftën për çlirimin e vendit, për t\\\'i qëndruar besnikë vendimeve historike të Përmetit, për forcimin e pushtetit popullor, për mbrojtjen dhe sigurimin e të drejtave demokratike për masat popullore etj”.
Përmendja kalimthi apo si çështje e zakonshme e “Deklaratës për të drejtat e qytetarëve” mund të shihet në botimin tre vëllimesh të “Historisë së Shqipërisë”, viti 1965, të hartuar nga Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë, çfarë është përsëritur pothuaj fjalë për fjalë në 1988. Formulimi është ky: “Një nga vendimet më të rëndësishme që mori Mbledhja e Dytë e KANÇ ishte aprovimi i “Deklaratës mbi të drejtat e qytetarëve”. Ky dokument shpallte dhe u siguronte gjithë shtetasve shqiptarë të drejta të barabarta para ligjit; lirinë e mbledhjes, të fjalës, të shoqërimit dhe të shtypit; lirinë e fesë dhe të ndërgjegjes; barazinë e të drejtave të gruas me ato të burrit; të drejtën e zgjedhjes dhe të drejtën për t’u zgjedhur që në moshën 18 vjeç me votim të fshehtë, të drejtpërdrejtë dhe të përgjithshëm, të drejtën e ankimit, të lutjes në të gjitha instancat e pushtetit shtetëror; paprekshmërinë e personit”. Dy paragrafë më poshtë ky libër shkruan të pavërtetën se “Deklarata e të drejtave të qytetarëve” ishte një ndër dokumentet e para më të rëndësishme kushtetuese të pushtetit të ri demokratik popullor”.
Kur në 22 tetor 1984 në Berat u festua 40 vjetori i “Qeverisë Demokratike të Shqipërisë”, me titullin të formuluar pikërisht kështu, u botua një broshurë e shtypur në Kombinatin Poligrafik në Tiranë, por e përgatitur prej Muzeut Historik të Rrethit të Beratit. Mes dokumenteve origjinale të pasqyruara në formë faksimileje, ajo Deklaratë, që të mund të fiksohet vizualisht, nuk gjendet. Megjithatë ajo deklaratë në formën origjinale, siç edhe u publikua menjëherë pas Mbledhjes së Dytë të KANÇit, u ruajt deri në 1991 në muzeun e Beratit, madje pa u prekur nga një rishikim i tij në vitin 1969, kur Hoxha erdhi me rastin e njëzetë e pesë vjetorit. Madje edhe mund të censurohej, sepse ndërkohë, me prishjen e institucioneve të besimit ishte ndaluar edhe feja, çfarë në Deklaratë shkruhej e zezë në të bardhëm, fare qartë. Këtë dëshmi për lexuesin e “Panorama” na e sjellë Marela Guga, ish-drejtore e këtij muzeu pas viteve nëntëdhjetë dhe vetë autore librash historikë për Beratin.
Kujtojmë ndërkohë se në vitin 1985 Akademia e Shkencave e Repulikës Popullore Socialiste të Shqipërisë botoi “Fjalorin enciklopedik shqiptar” dhe në faqen 174 të tij gjendet i dukshëm zëri “Deklaratë e KANÇ-it mbi të drejtat e qytetarëve”. Janë mbi pesëdhjetë radhë, të cilat nisin me formulimin “Dokument me rëndësi të madhe, me anë të të cilit KANÇ, në mbledhjen e 22 tetorit 1944, “duke shprehur dëshirat e drejta të popullit dhe vullnetin e tij për të ndërtuar një shoqëri njerëzore plot liri e dinjitet”, merrte përsipër, në emër të shtetit demokratik popullor, detyrime juridike të rëndësishme për zbatimin real të të drejtave dhe lirive demokratike të shtetasve”. (Shihni: qytetari u bë shtetas!) Pasi autorët e Fjalorit paraqitin tekstin e të gjitha të drejtave që PKSH u afronte shqiptarëve në fundtetor 1944, e mbyll kështu tërë parashtrimin: “Deklarata nuk dilte nga kuadri i shndërrimeve demokratike, për shkak të kushteve të atëhershme të brendshme e ndërkombëtare. Por karakteri demokratik konsekuent i parimeve që ajo shpallte, si edhe fakti thelbësor se pushteti ishte në duart e klasës punëtore në aleancë me fshatarësinë punonjëse, e bënte këtë dokument një bazë juridike që lejonte zgjerimin e mëtejshëm të të drejtave të punonjësve, sidomos në lëmin shoqëror, ku pas çlirimit të vendit do të bëheshin shndërrime rrënjësore me karakter revolucionar”.
Ndërkaq kur kjo Akademi hartoi dhe botoi në 2008, në tri vëllime, “Fjalorin enciklopedik shqiptar”, në zërin e hapur për “Deklaratën e të drejtave të qytetarëve” të 23 tetorit 1944, hartuar prej Profesor Luan Omarit, paraqitja e ngjarjes mbyllet me këto radhë: “Por në praktikën e socializmit real të zbatuar në Shqipëri shumë nga këto të drejta nuk u respektuan; u cungua rëndë liria e fjalës, e shtypit, e organizimit, e ndërgjegjes; u ndalua ushtrimi i besimeve fetare, u shkatërruan objektet e kulteve fetare; nuk u garantua prona private dhe u ndrydh plotësisht nisma private në ekonomi, etj”.

Koloneli jugosllav Velimir Stojniç autor i Deklaratës së të Drejtave Qytetare

Kur në 25 nëntor 1944 në Plenumin e Dytë të KQ të PKSH-së foli edhe i dërguari i Partisë Komuniste Jugosllave, koloneli Velimir Stojniç, mes të tjerash tha se Komiteti Qendror i Partisë Komuniste Shqiptare që kur ndodhej në Odriçan, “kishte vendosur të mos bëhej “Deklarata mbi të drejtat e qytetarëve”, pasi disa gjëra ishin thënë që në “Labinot”. Pastaj, ndërsa deklaron se është autori i projektvendimeve që do të miratoheshin në Berat nga Mbledhja e Dytë e KANÇ-it, thekson: “Kështu, kam ndihmuar në çdo gjë. Kam dhënë të gatshme “Deklaratën e të drejtave të qytetarëve”.
Ndërkohë, për të plotësuar pamjen e dy të pavërtetave për Mbledhjen e Dytë të Këshillit Antifashist Nacional-Çlirimtar, le të rikthehemi tek e fshehura tjetër: Pse Enver Hoxha shkruan se në qytetin e Beratit nuk erdhi në natën e vonë të 19 tetorit, por në orët e para të pasdites së datës trembëdhjetë. Kjo ngjau sepse ka ndodhur një ngjarje, të cilën i duhej ta zhdukte nga kujtesa historike e shqiptarëve.
Sipas Qazim Kondit dhe librit të tij të kujtimeve, në 18 tetor në kinemanë e Beratit u mbajt një mbledhje e rregullt e KANÇ-it me përfaqësues të terrenit dhe të ushtrisë. Merrnin pjesë në presidium Koçi Xoxe, Sejfulla Malëshova, Omer Nishani, Ramadan Çitaku, Bedri Spahiu, Nako Spiro dhe Naxhie Dume Foli Malëshova, i cili mbajti një referat mbi gjendjen ndërkombëtare dhe atë brenda vendit, njoftoi se Shqipëria qe në prag të çlirimit të plotë, foli për reformat që do të ndërmerreshin pas lufte etj. Pastaj u mbajtën shumë diskutime.
Mungesa e Enver Hoxhës në këtë mbledhje iu shpjegua anëtarëve të Këshillit “për arsye gripale”. Ai u shfaq në të njëjtën sallë dy ditë më pas, në 20 tetor, kur edhe historiografia zyrtare e para nëntëdhjetës, por edhe ajo e mëpasshme, vazhdojnë ta konsiderojnë si momentin e fillimit të kësaj ngjarjeje.

Ylli Polovina

Tiranë, më 17 tetor 2016

.




Version i printueshem
Faqja paraardhese

Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com