Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NĖ BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PĖR KOHĖN
”REPUBLIKA E SHTATĖ”
“AMBASADOR NĖ BALLKAN”
“LOTĖT E SORKADHES”, botimi i dytė
LOTĖT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

RROFTË SHQIPËRIA! MIRSE TË GJEJ ELADHË!


(Botuar në gazetën “Shqip” në 21 tetor 2016)

Quhet Ibrahim Kosova, mësues i vjetër, tashmë në moshë pensioni. Ka emigruar në Greqi pothuaj dy dekada më parë. Në 20 shtator të këtij viti ai shkruante në rrjetin internetik facebook këto fjalë: “Kakavijë, ora 20.40. Po futemi në tokën greke. Mirë u pafshim Kuçovë dhe Berati im i mrekullueshëm! Mirë u pafshim SHQIPËRIA ime e dashur! Gjithmonë të dëgjofsha zërin e mirë nëpër botë!
Mirse të gjetëm edhe ty, ELADHË!”
Kjo mënyrë të vlerësuari të një marrëdhënieje me popullin dhe shtetin fqinj grek, veçanërisht ndjenja e shprehur mes fjalëve mjaft miqësore, të bën të rindalesh në atë dukuri që ndodhi këto ditë kur dy eksponentë të rëndësishëm politikë të vendit tonë, Ilir Meta dhe Edi Rama, njëri spiker parlamenti dhe tjetri kryeministër, këtë tetor përfunduan paralelisht vizita pune në Greqi dhe në Serbi.
Që të dy kanë një konkurim në rritje edhe për rol vetiak e shtetëror në çështje të raporteve ndërkombëtare, ndërkaq që këtë herë gjestet e tyre kishin një harmoni të qartë të mënyrës se si duhet të sillemi me dy fqinjët tanë më “të vështirë”, sepse me Italinë tradita mbetet ajo e mirëkuptimit të plotë dhe të vazhduar.
Historinë vërtet e bëjnë më të fuqishmit dhe serbët e helenët zotërojnë ndikim dhe lidhje më të forta në kontinent. Sektarët mes tyre na kanë përshkruar si popull trazovaç në Ballkan, por historishkruesit seriozë të Perëndimit, me ta edhe jo pak intelektualë të dy popujve fqinj, kanë pohuar se shqiptarët shfaqen në siujdhesë me frymë paqësore. Diplomacia moderne ka shpikur madje edhe një term, atë “konstruktiv”. Jemi ne që më së shumti flasim për “rol konstruktiv të Shqipërisë në rajon”, çka pothuaj është e saktë, por që të kryhet mirë lyp më shumë inteligjencë nga sa dëftejmë.
Gjithsesi të dy vizitat, ajo e kryeministrit dhe e kryeparlamentarit, qenë të zgjuara. Më së pari, ishin në përputhje me atë filozofi dhe mënyrë të gjykuari të bashkëkombësit enkas të cituar në fillim të këtij shkrimi. Në disa raste gjeste inteligjente qëndrimesh ndaj Serbisë dhe Greqisë kanë kryer, si kryeministër, edhe Sali Berisha apo si president Alfred Moisiu, kryeqeverisësit Fatos Nano dhe Ilir Meta po ashtu. Në historinë tonë, po të shohësh arkivat e Ministrisë tonë të Jashtme, vëren se menjëherë pas pavarësimit dhe sidomos në dekadat njëzetë e tridhjetë, kur rol të parë luajti Ismail Qemal Vlora, Fan Noli dhe veçanërisht Ahmet Zogu, nuk kanë qenë aspak të mbushura me sherr sjelljet e Tiranës zyrtare. Për të mos thënë se edhe gjatë diktaturës së quajtur të proletariatit, vetë Enver Hoxha është autor i një libri mirëdashjeje me grekët (“Dy popuj miq”). Ky botim atë kohë pati jehonë, u shpërnda shumë mes helenëve dhe e gjeje të tregtohej në Athinë nëpër buzë trotuare edhe pas viteve nëntëdhjetë. Autori i këtyre radhëve ka siguruar po ashtu kontakt dhe të dhëna për një deputet të gjysmës së dytë të viteve tetëdhjetë, të cilin drejtuesi i vendit, Ramiz Alia, paralel me strukturën diplomatike të shtetit, e ngarkoi personalisht të punonte për afrimin mes dy popujve dhe shteteve. T’ia tregosh opinionit publik sot befasohesh nga shpirti i gjerë i dëshirës për miqësi të palës sonë dhe asaj greke.
Për fat të keq këtë vijë mirëdashjeje, tek shqiptarët një karakteristikë identitare, ka mendje që e intepretojnë sikur shfaqet jo prej thelbit kombëtar, por si pasojë e të vetëndjerit të dobët ekonomikisht dhe ushtarakisht, numerikisht madje. Ministri grek që e manifestoi së fundmi, duke nxjerrë në pah qëllimisht epërsinë e shtetit grek ndaj atij shqiptar, këtë ngasje atavike kishte si shtysë. Këtë frymëzim kanë edhe ata që nuk duan të kuptojnë se i quajturi ligj i gjendjes së luftës, bërë njëanshëm prej shtetit grek afro tetë dekada të shkuara, jo vetëm deformon të vërtetën historike të shkakut (që ishte Italia fashiste e Benito Musolinit), por edhe moskuptimin e kohës nëpër të cilën po kalojnë popujt e Bashkimit Evropian, as zhvillimin e mbarë të mbi një gjysmë milioni shqiptarësh të emigruar në Greqi.
Kur në Tiranë, përveç protagonistëve të luftës së brendshme politike, të cilët kur ndodhen në qeverisje janë diplomatë profesionistë dhe kur gjenden në opozitë tregohen amatorë e kaluar amatorëve, u gjetën disa prej atyre që Ilir Metën në Athinë dhe Edi Ramën në Beograd, i quajtën si me sjellje servile. Donin që këta të dy të shkonin për të bërë “sherr”, pra propagandë nacionaliste në shtëpinë e tjetrit!! Të mbillnin frymë konflikti, kur dihet që dialogu nuk është përulje, as pamundësi për të mbrojtur vendosmërisht interesat e vendit tënd, por mundësi më shumë. Dialogu i përmban të gjitha kapacitetet për marrëveshje, por edhe për mospajtim.
Nuk mund të shkohet mbrapsht, me mendësinë e shkuar, në një kontinent ku fryma e komunikimit rritet. Nuk mund të ngrihet një tension i kotë marrëdhëniesh ndërshtetërore, kur diaspora jonë në Greqi ndjen dhe mendon se Shqipërinë e ka atdhe të parë dhe Eladhën të dytë. Sepse bijtë e sidomos nipërit e tyre, të lindur në Greqi, kanë filluar që tani, dhe kjo është e natyrshme, nuk përbën asnjë hata, që Greqinë ta shohin si atdhe të parë. Por mbetet në mes, i patjetërsuar, gjaku arbëresh, ai arvanitas.
Me një bashkësi shqiptarësh që janë qytetarë grekë dhe luftojnë që ai vend të bëhet më i begatë dhe më i fortë, je në harmoni me vetë zhvillimin e qytetërimit, me dinamikën e jetës njerëzore. Praptazi, në të kundërt të kësaj kahe, janë ata që shpresojnë se mund të ketë miqësi dhe besim reciprok me në mes një palo ligj të gjendjes së luftës.
Po të ishim djallëzorë ne, shqiptarët, pra jo miqësorë, nuk do të ngulnim këmbë që ai pseudodekret i kohës së qëmotit, të shfuqizohej, por do të heshtnim përherë e më shumë që kjo njollë t’u mbetej fqinjëve. Sepse me të vërtetë për Greqinë demokratike dhe më të përparuar se ne, kjo, para historisë së Ballkanit dhe të Evropës, mbetet një dëshmi në pafavor të tyre, një shpatë Demokleu që u rri mbi qafë.
Ne duhet t’i gëzohemi vizitave miqësore në Beograd apo Athinë dhe nuk duhet t’i shtyjmë ato tek zënka. Problemet për t’u zgjidhur ndërmjet dy palëve shtohen vazhdimisht, kjo është logjika e vetë zhvillimit. Vetëm me dialog, për shembull, mund të zgjidhet në Greqi një hall tjetër i ri i bashkëkombësve tanë që jetojnë atje. Bëhet fjalë për një ligj të miratuar nga qeveria aktuale, ajo e Ciprasit, e njohur si mjaft kontribuese për emigrantët, sipas të cilit jashtëkomunitarët, mes tyre edhe shqiptarët që përbëjnë diasporën më të madhe, shihen në mënyrë etnikisht të diferencuar, si inferiorë. Ka filluar dalja në pension e emigrantëve të parë të vitit 1991 e më tej. Sipas ligjit i kanë grumbulluar pikët e plota për ta fituar këtë status, por janë ndeshur me një kufizim, i cili nuk është fare demokratik. Sipas tij, ndryshe prej grekëve që u mjafton vetëm vjetërsia ligjore në punë, u duhet edhe një vjetërsi tjetër: ajo e të qenurit në Greqi. Një jashtëkomunitar, pra edhe një shqiptar, këtë qëndrim në vendin fqinj, për të siguruar masën monetare të pensionit sa një helen, duhet ta kenë 40 vjet (!?)
Po të shtojmë se legalizimi i këtyre emigrantëve u bë tepër vonë kjo katërdekadëshe që duhet mbushur për motive pothuaj raciste, shtyhet më tej. Do ta gëzojnë pensionin për të njëjtin kontribut me vite pune vetëm pas vitit 2038.
I ka zënë kjo censurë fyese njerëzit si bashkëkombësi ynë i referuar në fillim të këtij shkrimi, i cili brohoret me po atë gëzim dhe sinqeritet, me po atë ndjenjë miqësie mes popujsh, urimin e çiltër që të rrojnë në jetë të jetëve Shqipëria dhe Greqia.

Ylli Polovina

Tiranë, më 20 tetor 2016

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com