|
HANA E KËLCYRËS DHE E VJENËS (Pjesa I)
(Cikël shkrimesh. Pjesa e parë. Botuar në gazetën “Shqiptarja.com” nga 3 deri 9 tetor 2016)
ALI KËLCYRA, DËNUAR ME VDEKJE NGA ZOGU DHE DY ATENTATE
Shkrimi i parë
Dritë-hëna mbi Ali Këlcyrën
Dritë-hëna mbi Ali Këlcyrën do të thotë thjesht këndvështrim i tij nëpërmjet bijës së vetme, Hana Klissurës, siç ajo e ka të shkruar emrin e vet në Paris ku lindi, në Itali ku përjetoi tetë mote dhe në Austri, në të cilin vend po kalon, shëndet fortë, pjesën më të madhe të jetës.
Çdo burim tjetër informacioni që do të përdoret në këtë cikël shkrimesh do të jetë anësor.
Me pak fjalë: rreptësishtë gjithçka do të jetë si e ka parë e bija babanë e vet. Si prind e qenie njerëzore, si shqiptar dhe patjetër si politikan.
Si edhe bashkëngjitur me të me ç’sy Hana Klissura i ka vështruar dhe ruajtur në kujtesë mjaft figura të tjera aktive të periudhës që nga shpallja e pavarësisë, Lufta e Vlorës, Kongresi i Lushnjës, i thirruri Revolucion Demokratik i Qershorit, periudha monarkiste. Pastaj Shqipëria deri në motin 1963 kur Ali Këlcyra ndërroi jetë papritur dhe një vit më pas po ashtu u nda nga bota edhe dikur rivali politik, ndërkohë i shndërruari në mik i tij i ngushtë, Eqrem bej Vlora.
Nëpërmjet syve të Hana Klissurës, të cilën që prej këtij momenti ne do ta thërresim shqiptarisht Hana Këlcyra, do të njihemi nga shumë afër me Mit’hat Frashërin, Ahmet Zogun, Abaz Ermenjin, do të ketë zhbirime deri edhe tek Enver Hoxha.
Drita e hënës (e Hanës), edhe pse përgjithësisht nëpër natë (por dhe nëpër histori, ku ka terr më shumë) është e zbehtë, gjithsesi ia lehtëson sadopak rrugën çdo shtegtari, me këtë rast autorit të këtyre radhëve si edhe lexuesit. Kjo “dritëhëne”, ky vështrim i Ali Këlcyrës nëpërmjet syve të së bijës, i përmban të gjitha rreziqet e subjektivizmit, por shpresojmë që bashkë me një shpirt rebel dhe të pavarur të Hanës t’i shmangemi sa më fort ndonjë gabimi apo pasaktësie të rëndësishme.
Familja që u ngulit me kështjellë në rrip të malit
Sipas Hanës, çfarë ajo ia ka rrëfyer një gazete të Tiranës pas ardhjes së saj të parë në Shqipëri, në 17 dhjetor 2007, “Origjina e vjetër, historike e familjes Këlcyra, rrjedh nga familja e Muzakajve”.
Po ashtu thotë se “Sa i takon transformimit të mbiemrit, ai ishte bërë për shkak të titullit që Mbreti i Napolit, më 1272, i kishte njohur Andrea Muzaka-s, titullin “Conte di Clissania”, që i takonte gjeografikisht Grykës së Këlcyrës (clausura në latinisht do të thotë “mbyllje’)”.
“Me kalimin e kohëve, shpjegonte ajo në bisedë me të përditshmen e pothuaj një dekade më parë, ky emër shndërrohet në “clissura”, gjë e cila mund të vërehet edhe në hartat e vjetra të kohës. Me ardhjen e pushtimit osman, në shekullin e XIV-të, emri i qytetit “Clissura” transformohet edhe një herë në “Këlcyra”. Në këtë kohë, familja, për të mbijetuar, përshtatet me realitetin e ri dhe ndërron fenë, duke ndryshuar edhe emrin e të parit të familjes nga Teodor Clissura në Jakup Këlcyra”.
Ndërkohë sipas Eqrem bej Vlorës, hartues i një pakete gjenealogjike mbi prejardhjen e nëntë familjeve të njohura shqiptare të tre-katër shekujve të fundit (libri “Kujtime 1885-1925, Tiranë 2003) “Familja fillimisht quhej Muzhaka. Në vitin 1272 Andrea Muzhaka caktohet nga mbreti Karl i Anzhusë si kont i Klisanjës (Klisura-Këlcyra). Gjatë periudhës së Skënderbeut Këlcyrajt luajnë një rol të madh”.
Më pas Eqrem beu shton: “Pema gjenealogjike nis në shek. e 15-të me Teodorin, një i krishterë. Prej tij rrjedhin në vijë të drejtpërdrejtë Jakob (Jakup) beu, Murati, Islami, Mahmuti, Veliu, Rizai, Murati (gjysh i Ali Pashë Tepelenës) dhe Muhameti, pasardhësit e të cilit radhiten këtu poshtë: Muhamed beu, ...”
Eqrem bej Vlora shkruan njëkohësisht se Muhamedi qe martuar me Hejbetulla hanëm Asllan-Pashali, vajzë e Ali Pashës. Këta lindën tre djem (Islami, Aliu, Hyseni) dhe dy vajza (Zejnepe dhe Atije).
Vëllai i Muhamedit, Xhelali, qe martuar me korçaren Hana Luarasi.
Fëmijë të tyre qenë Aliu (Këlcyra), Faiku, Fadili dhe motra e tyre Mili, i cila ndërroi jetë në Shqipëri në motin 1954. Qe martuar me Hysen bej Biçakun.
Hana, bija e Ali Këlcyrës dhe guida jonë në këtë vështrim historik të tij dhe të disa bashkëkohësve, duket sheshit që ka marrë emrin e gjyshes, pra nuk është ndonjë shpikje snobe e prindërve të saj për të tingëlluar si evropano-qendrore, gjysmë gjermane apo ndopak austriake.
Shënojmë, në vijim të kthjellimit të origjinës reale të familjes së mësipërme, se Akademia e Shkencave e Shqipërisë në botimin e saj tre vëllimesh, kryer në 2008, të “Fjalorit Enciklopedik Shqiptar”, shkruan se “Për shkak të pozicionit strategjik të grykës së Këlcyrës që në shek. IV-III p.e.r., në një kodër të malit të Trebeshinës u ngrit kështjella ilire e Këlcyrës, me mure blloqesh kuadratike. Fortifikimet u rindërtuan në Mesjetën paraosmane. K. përmendet për herë të parë nga burime të shkruara më 1272 me emrin Klausura dhe më pas në v. 1335, kur atë e marrin krerët shqiptarë, që kishin ngritur krye kundër perandorit të Bizantit Andronikut III Paleologu. Në pjesën më të lartë të kodrës ruhen edhe rrënojat e një kështjelle të periudhës së pushtimit osman”.
Sipas arkeologut të njohur Skënder Muçaj “Në vitin 1319 përmendet Mentul Muzaka, një nip i Andrea Muzakës I, nga shtëpia shqiptare e Muzakajve, si \"comes Clissanie\", ndërsa në vitet 1327 dhe 1335, i njëjti vend shënohet me emrin Clausura dhe në këtë të fundit Venediku urdhëron gjithë sipërmarrësit e tij që të braktisin këtë vend”. Më pas: “Në vitet 1335-36, Cleusura ndodhej përsëri nën pushtetin bizantin dhe bënte pjesë së bashku dhe me qytetet (Kaninë, Berat) dhe kështjellat (Skrapari, Tomorri) që u pushtuan nga kryengritësit e rrethinave rurale dhe që u çlirua nga perandori Androniku III me ndihmën e mercenarëve turq. Pas pushtimit turk, sipas regjistrit të vitit 1431-32, Këlcyra numëronte mbi 100 shtëpi që paguanin taksa dhe ishte qendra e vilajetit me të njëjtin emër”.
Beu antibej
Vetë Aliu, figura që do të vëmë më dukshëm në qendër për ç’ka do të shkruajmë më pas dhe për këtë do të na ndihmojë, siç e thamë, edhe e bija, Hana, ka lindur në Këlcyrë në 28 maj 1891. Xhaxhai i tij, pra vëllai i të atit, Veli bej Këlcyra, ishte një nga firmatarët e Deklaratës së Pavarësisë.
Pas mësimeve të para në vendlindje, Ali Këlcyra ndoqi liceun “Gallata Saraj” në Stamboll, ku mori maturën. Pastaj studioi në Universitetet e Hukukut edhe te Mylqijes, ku i pari ishte për Drejtësi dhe i dyti për Shkencat Politike. Këtë profilizim të tij pas vitit 1912 iu desh ta ndërpresë për t’iu shmangur detyrimit për të qenë shtetas osman, kur tashmë atdheu i tij qe shtet i mëvetësuar dhe ai qytetar shqiptar.
Kur shpërtheu Lufta Ballkanike u kthye në Këlcyrë dhe gjatë pushtimit të jugut të Shqipërisë nga ushtritë greke, pasi këta i dogjën sarajet e familjes, u largua për në Vlorë. Përshëndeti princ Vidin e princeshën Sofie që erdhën të vizitonin të ikurit nga zonat e pushtuara. Më pas emigroi dhe u vendos në Italinë e Jugut, në krahinën e Kalabrisë, saktësisht në qytezën arbëreshe San Demetrio Korona.
Në 1915 vazhdoi studimet në Fakultetin e Drejtësisë në Romë. Ky është momenti kur ai përqafoi idetë socialdemokrate. U bë një bej i majtë.
Në atdhe u kthye një vit më pas dhe në 1918 shkoi sërish në Vlorë, ku në një mbledhje të fshehtë u themelua organizata “Mbrojtja Kombëtare”. Me këtë rast komanda italiane e pushtimit e dëboi prej territoreve nën administrimin e saj.
Në vijim Ali Këlcyra mori pjesë në Kongresin e Lushnjës, prej ku në Kuvendin Kombëtar u zgjodh si deputet i prefekturës së Gjirokastrës. Që në seancën e tij të parë propozoi që në apelin e deputetëve të mos i lexohej titulli “bej”, pra ai t’i hiqej.
E periudhës së pluralizmit të parë, 1920-1924, është edhe ky episod kuptimplotë për sjelljen e tij të veçantë politike: Stavro Vinjaun, më pas ministër në qeverinë gjashtë mujore të Fan Nolit, e kishte shok partie. Qenë njohur në të shkuarën në universitetin “La Sapienza” në Romë dhe miqësinë e ruanin që atëherë. Një ditë, në parlament, kur një nga Toptanasit e palës kundërshtare bëri një propozim, i cili Ali Këlcyrës iu duk në dobi të vendit, ky ngriti dorën për ta votuar. Por Stavro Vinjaut një gjest i tillë iu duk pa vend dhe i hoqi vërejtjen duke i thënë me zë të lartë “Pse aprovove një propozim që vjen nga një bej?”
Ali Këlcyra nuk u vetëpërmbajt dhe e goditi me pëllëmbë. Vinjau, i cili ishte edhe më i shkurtër nga Aliu, por edhe goditja e shuplakës e zuri papritur, u shemb përdhe. Opozita e kënaqur prej kësaj skene brohoriti me të madhe. Ndërkohë Ali Këlcyra reagoi menjëherë: e ngriti Stavron nga toka, e përqafoi edhe i kërkoi falje publikisht që e kishte qëlluar pak më parë.
Hakmarrja e Ahmet Zogut: dënim me vdekje, sekuestrim prone, dy atentate
Kur i qeveria Noli u godit ushtarakisht prej Ahmet Zogut Aliu u bashkua me grupin aratisës të kryeministrit dhe u vendosën për disa kohë në Brindizi. Kështu për të nisi periudha e mërgimit të parë, e cila zgjati për pothuaj 15 vite. Edhe jashtë vendit vijoi të qe politikan aktiv, madje duke filluar nga moti 1925, kur u themelua në qytetin e Barit në Itali organizata “Bashkimi Kombëtar”. Ali Këlcyra u zgjodh sekretar i saj.
Një vit më vonë, gjyqi i hetimeve politike në Tiranë lëshoi një “Letër përdhuni” kundër tij. Hetohej nën akuzën e “propagandës kundër shtetit, regjimit e Kryetarit të Republikës”. Vendimi i dënimit me vdekje dhe i konfiskimit të pasurisë u botua në Fletoren Zyrtare.
I zhvendosur në Vjenë, në një udhëtim për motive politike në Athinë, pas vitit 1930 dhe atentatit që iu bë Ahmet Zogut para Operas së qytetit, Ali Këlcyra pësoi një tentativë për ta vrarë. Qe bashkë me Koço Tasin. Plumbat kapën vetëm këtë të fundit, duke e plagosur dhe rrëzuar në tokë, mu tek këmbët e Aliut.
Në Paris ai e vazhdoi me këmbëngulje veprimtarinë politike kundër Ahmet Zogut. Këtë qëndrim të tij të vendosur e bëri publike me artikuj në gazetat franceze “Le Quotidien”, “Le Matin” e të tjera. Ali Këlcyra qëndroi në radhët e “Bashkimit Kombëtar”, duke u bërë në Paris gjallëruesi i përhershëm i saj. Kjo ndodhi deri më 1938, kur “Bashkimi Kombëtar” u shpërbë.
Përpjekja e dytë për t’i bërë atentat e gjeti në kryeqytetin francez. Ishte viti 1935, kur tashmë kishte ardhur bashkëshortja e tij Advije. Kjo tentativë për ta vrarë nuk pati pasojë për një arsye të thjeshtë: u zbulua që më parë.
Do ta kryente një shqiptar nga fshatrat e Përmetit. I vëllai i tij ndodhej i emigruar në Paris. Në mbrëmje shkuan që të dy të darkonin në një restorant dhe në një çast të bisedës vëllai i porsaardhur i pohoi se e kishin dërguar për të vrarë Ali Këlcyrën, beun e anëve të tyre. Pati lënë të kuptohej se urdhëruesi qe ministri i Brendshëm Musa Juka. Atëherë i vëllai, shumë i zemëruar, për ta trullosur i ra me një shishe bosh tek qafa. Policisë që erdhi menjëherë, iu justifikua se thjesht kishin pirë pak më shumë nga sa duhej dhe prej dehjes qenë zenë. Menjëherë pas kësaj ai njoftoi Ali Këlcyrën, duke e lënë tashmë të vëllanë të rikthehej duarbosh në Shqipëri.
Akademia e Shkencave e Shqipërisé për Ali Këlcyrën: “Në periudhën e pushtimit gjerman të vendit...hyri në bashkëpunim me nazistët gjermanë”
Do të ndodhte pushtimi italian që i rikthyer në Shqipëri të bëhej pjesëmarrës aktiv në krijimin e një fronti rezistence të quajtur “Nacionalizma shqiptare”, organizatë e fshehtë që më pas, në fund të vitit 1942, u ndje publikisht dhe u quajt “Balli Kombëtar”.
Me mundjen e nazistëve gjermanë sërish emigroi dhe në qytetin italian të Barit u mbajt nga aleatët nën vëmendje dhe dyshim, deri edhe sa prej tyre u burgos.
“Fjalori Enciklopedik Shqiptar” i vitit 2008 tek zëri “Ali Këlcyra”, mes të tjerash, publikon edhe këto gjykime: “Veprimtar politik, një nga figurat kryesore të Ballit Kombëtar”; “Mori pjesë në Kongresin e Lushnjës dhe ishte një nga organizatorët politikë të Luftës së Vlorës”; “Mori pjesë në Bashkimin e Shenjtë të forcave politike që u krijua për të përballuar rrezikun jugosllav (1921)”; “Gjatë v. 1921-1924 qe deputet i Partisë Popullore. Në fjalimet e tij u shpreh kundër qeverisjes së Ahmet Zogut”; “U dënua me vdekje në mungesë nga regjimi i A. Zogut”; “Ishte një nga themeluesit dhe udhëheqësit kryesorë të Ballit Kombëtar. U kritikua nga krerët e tjerë për Protokollin Dalmaco-Këlcyra. Në periudhën e pushtimit gjerman të vendit, si një ndër udhëheqësit e Ballit Kombëtar, hyri në bashkëpunim me nazistët gjermanë dhe u angazhua në veprimet luftarake kundër Ushtrisë NÇSh dhe zonave të çliruara prej saj. Në prag të çlirimit të vendit u largua për në Itali. Pas vdekjes së Mithat Frashërit u përpoq të mbante të bashkuar Ballin Kombëtar, i cili kishte filluar të përçahej në fraksione të shumta. Punoi për emisionet shqip të disa radiove të huaja”.
Të fejuar pa u parë
Kur Ali Këlcyra u fejua me Advije Dudush hanëm Vrionin kjo qe vetëm 14 vjeçe. Nuk e kishte parë kurrë më herët atij momenti, nuk e mundi këtë gjë edhe kur u bë lidhja e fjalës. Por me familjen Vrioni njihej me kohë. Muhamed bej Këlcyra, xhaxhai i tij, qe martuar me Nafije hanëm Vrionin. Po ashtu Emine hanëm Këlcyra, halla e Aliut, kishte lidhur kurorë me Mehmet Ali pashë Vrionin.
Duke qenë se midis Vlorajve dhe Këlcyrajve, dy familje mjaft të lidhura ndërmjet tyre, sidomos në kohën e Ibrahim Pashë Vlorës (bashkëkohës i Ali Pashë Tepelenës dhe njëkohësisht krushk i tij), qe kryer një martesë, peshonte në opinionin e mirë të Ali Këlcyrës për të fejuarën e tij nga familja Vrioni, fakti motra e madhe e saj, Hadija, e cila pati lindur në 1904, ishte e shoqja e Eqrem bej Vlorës, kurse Ruhija, dalë në jetë një mot më pas, do të kishte bashkëshort të vëllanë e tij, Safa bej Vlorën.
Ali Këlcyrën e prekte thellësisht në zemër një rrethanë jete e bashkëshortes së ardhshme. Tre vëllezërit, ajo dhe katër motrat e saj qenë jetime. E ëma, Afife hanëm Biçaku, e kishte lënë Advijen 9 muajsh, kurse i jati, Salih Pashë Vrioni, kur mbushi pesë vite jetë. Në familjen e tyre nuk mjaftuan vetëm këto dy vdekje të mëdha. Kishte dhënë shpirt papritur edhe njëra nga motrat, duke mbetur nga tetë në shtatë.
Tashmë të gjithë jetimët i mori nga Berati dhe i rriti në Fier xhaxhai, vëllai i madh i të atit, Omer Pasha.
Ali Këlcyra ndërkaq u tha të vetëve se do ta jepte pëlqimin zyrtar vetëm në rast se vajza do të pyetej nëse edhe ajo qe e një mendjeje. Këmbënguli që në asnjë mënyrë asaj nuk duhej t’i imponohej një martesë, të cilën nuk ia donte zemra.
Me pak fjalë t’i thuhej Advijes 14 vjeçare se ai, Ali Këlcyra, duke qenë se prej kohësh i ishin djegur prej ushtrisë greke sarajet e mëdha të familjes, nuk jetonte në aq bollëk hapësire banimi, sa mund gabimisht të përfytyrohej. Madje në strehën e mbetur në këmbë nga kompleksi i ndërtesave të dinastisë bashkëjetonte me xhaxhanë e vet.
Përgjigja e Advijes nuk u vonua shumë. Thelbi qe fare i thjeshtë: do të vinte aty në Këlcyrë jo vetëm për burrin e saj, por mbi të gjitha edhe për motrën e vet, Nafijen. Kjo që ajo pohonte fare çiltër ishte shumë e besueshme. Nafija, një natyrë shumë e kultivuar në sjellje të hijshme, por edhe e dhimbsur për jetët njerëzore, qe shtatëmbëdhjetë vjet më e madhe se Advija dhe në shtëpinë ku patën lindur, pas vdekjes së prindërve, ajo e kishte rritur të motrën e vogël si të qe nënë. Madje edhe Advija kështu e thërriste.
Ali Këlcyra ndërkaq njoftoi se martesa do të ndodhte vetëm kur nusja e tij e ardhshme do të mbushte moshën ligjore: tetëmbëdhjetë vjeç.
INTRIGË NË PALLATIN MBRETËROR DHE NË FAMILJEN LATIFONDISTE VRIONI
Shkrimi i dytë
Gjyshja e gruas së ardhshme të Ali Këlcyrës, Advije Dudush hanëm Vrionit, ka qene Hedije hanëmi, halla e Ahmet Zogut. Kjo do të thoshte se ishte kushërirë e parë e tij.
Ndërkaq nëna e Advijes qe Afife hanëm Biçaku.
Gruaja e parë e Xhelalit, të jatit të Aliut, Ruhija, e cila tashmë pati ndërruar jetë, ishte Ruhija, motra e Afifesë.
Po ashtu një nga dajallarët e Advije Dudush hanëm Vrionit, Hasan bej Biçaku, qe martuar me Milin, motrën e vetme të Ali Këlcyrës.
Duke qenë se Advija çdo vit vinte për tre muaj tek e gjyshja e saj në Elbasan, tek familja Biçakçiu, po ashtu këtu, për shkak të Hasanit që vinte shpesh në shtëpinë prindërore, ishte e pranishme edhe Mili.
Mili qe një grua mjaft aristokratike dhe shumë e ditur. Fliste pesë gjuhë të huaja dhe pati përvetësuar të gjitha programet e shkollës së Gallatasarajt. Ali u sillte vazhdimisht librat që studionte në universitet dhe që kur ishte ende vajzë në Këlcyrë, Mili me to përgatitej prej mësuesish privatë. E martuar dhe më në fund e vendosur në Tiranë ajo kishte në dhomën e saj një faqe të tërë muri me libra, çfarë çdo vizitor e linte pa gojë.
Mili që lexonte shumë, aristokratike në sjellje dhe veshje, njëkohësisht edhe mjaft intelektuale, e vlerësonte gjer në adhurim të vëllanë, por edhe Ali Këlcyra e donte me tërë shpirtin. Qenë mjaft të lidhur dhe këtë cilësi të tyre e dinin të gjithë.
Duke qenë se Advije Dudush hanëm Vrioni përvitshëm qe e pranishme në Elbasan dhe gjyshja e saj dhe njëkohësisht halla e Ahmet Zogut, Hedije hanëmi, kishte patur mundësinë ta njihte mirë Ali Këlcyrën, ndërhyri për t’u bërë fejesa mes mbesës së saj dhe politikanit të njohur. Nuk u quajt pengesë që e reja ishte 14 vjeçe edhe i shoqi i saj i ardhshëm 17 vjet më i madh.
Vrionasit nuk kundërshtuan, në mos në pamje të parë u erdhi mirë, ca më shumë që ndërkohë të tre motrat e Advijes qenë martuar. Por kërkuan që menjëherë të caktohej data e martesës. Ali Këlcyra u vuri në dukje se nuk bëhej fjalë për martesë pa mbushur vajza 18 vjeç. Atëherë këta reaguan të shqetësuar: “Por çfarë të bëjmë ne deri atëherë?” Aliu u afroi një zgjidhje: ta dërgonin të motrën në Zvicër, në një kolegj për vajza.
Tre vëllezërit e Advijes kërcyen nga vendi dhe refuzuan prerë. Sipas tyre, beu i Këlcyrës me propozimin e tij të çuditshëm kishte pasur vetëm një hall: të shkonte lirisht tek e motra e tyre jashtë vendit dhe të takoheshin pa u martuar. Ata qenë të vendosur që edhe në Shqipëri Ali Këlcyra dhe Advije Dudushi të mos takoheshin kurrë pa ardhur dita e mbushjes tetëmbëdhjetë vjeç dhe e shpalljes nuse.
Në rrethana të tilla Aliu, i cili qe edhe deputet, kërkoi t’i dërgohej, të paktën, një fotografi e gruas së tij të ardhme. Ia sollën me mjaft vonesë, por nuk qe veç pamja e një fëmije 11 muajsh, madje me një fytyrë pothuaj pa qime floku. Nuk kuptohej nëse ishte femër apo mashkull.
Atëherë Ali Këlcyra u përpoq ta përfytyronte gruan e tij të ardhshme sipas një krahasimi të thjeshtë: i njihte të tre motrat e saj dhe duhej patjetër në pamje t’u ngjante sadopak atyre. Pra, pak a shumë, ishte e bukur.
Gjithsesi bëri një përpjekje që të paktën Advija ta shihte. Ajo nuk mund të merrte për burrë një person që nuk e kishte parë kurrë, ca më tepër që ai ishte 17 vjet më i madh dhe kjo hapte shteg të fshihej, në mos i shëmtuar. një njeri i plakur. Kështu Ali Këlcyra iu lut vëllait të dytë të Advije Dudush hanëm Vrionit që kur ai, për arsye pune me një komision parlamentar, të vinte në Fier në sarajet e Omar Pashës, t’i jepej të paktën vajzës mundësia që ta shihte. Sikur edhe nga larg.
Dhe kështu u bë. Që pas një penxhereje i vëllai i tregoi me gisht të motrës se cili prej të ardhurve nga Tirana ishte Ali Këlcyra.
Dashuri vetëm duke e lexuar në gazeta
Ymer pashë Vrioni, i cili ishte xhaxhai që pas vdekjes së parakohshme të prindërve të Advijes, e kishte rritur, filloi të verbohej. Kishte perde të rënduar në të dy sytë. Tashmë i duhej një njeri që t’i lexonte me zë të lartë gazetat dhe kështu ai të ndiqte situatën. Për këtë punë zgjodhi të mbesën. E konsideroi si sekretare.
Leximi i ngadalshëm i shtypit që vinte nga kryeqyteti i porsashpallur, Tirana, por po ashtu edhe prej disa qyteteve të tjerë, përfshi Beratin dhe Fierin ku Vrionasit qenë të gjithëpushtetshëm, lypte disa orë. Kjo ngadalësi ndodhte edhe sepse Advija qe pa ndonjë shkollë të nisur dhe të përfunduar plotësisht. Shkrim-këndimin e pati përvetësuar prej governantesh apo mësuesi kalimtar të familjes. Si edhe me vullnetin e vet. Qe një autodidakte e përsosur. Ndërkohë e donte shumë të folurën amtare, gjuhën shqipe, ç’ka në të vërtetë ishte një cilësi e njohur e më të shumtëve në shtëpinë e pasur Vrioni, veçanërisht trungut amë të dinastisë, krijuar dhe vendosur në Berat.
Tek sa Advije Dudushi i lexonte përditshëm gazetat xhaxhait të vet, ndeshte përherë me emrin e Ali Këlcyrës, me artikuj e sidomos fjalime të tij në parlament. Ky dukej se qe më aktivi, më magjepsi në përdorimin e fjalës, si edhe më i çuditshmi, sepse ishte një bej që nuk i donte bejlerët.
Katër vitet 1920-1924 qenë befasues për Advije Dudush hanëm Vrionin. Pa e parë asnjëherë nga afër burrin e saj të ardhshëm, pikërisht prej atyre që për xhaxhanë në qorrim lexonte në gazeta, po e njihte shumë mirë. Tani thua e prekte me dorë. Dhe duhet thënë se vajzën e re nuk e entuziazmonte vetëm zotësia dhe prestigji i tij i madh si politikan, gojëtaria shkëlqimtare, por edhe vetë idetë që shpallte. Mes të tjerash e mahniste këmbëngulja e Ali Këlcyrës për të drejtat e femrës shqiptare, të cilat i kërkonte njëlloj si të burrit. E kish bërë deklaratën e vet që në fund të vitit 1920 dhe e përsëriste atë këmbëngulshëm. Advija ishte me të kur ai thoshte se femra shqiptare i meriton të gjitha të drejtat, sepse nëpër shekuj ka ruajtur, nëpërmjet rritjes dhe edukimit të fëmijëve, identitetin kombëtar.
Më në fund qeveria ia rrëzoi projektligjin, sepse e konsideronte, për mjedisin konkret, tepër të avancuar, jo realist, gjë që mund të shkaktonte të kundërtën. Sepse në fund të fundit kaq shumë të drejta sa kërkonte deputeti Këlcyra ende nuk i kishte gruaja franceze, zvicerane apo italiane. Gjithsesi Aliu nuk u dorëzua. E ktheu nga një prej tezave të tij në motiv të parë të jetës së tij politike.
Dakordësia e Advijes me burrin e saj të ardhshëm qe pothuaj tërësor. Kjo përputhje fillimisht e hutoi, madje i shkaktoi brerje ndërgjegjeje, sepse asnjëherë, për shembull, nuk e kishte shkuar ndërmend që si bijë e një prej familjeve më të mëdha pronare tokash, me pak fjalë një bejlereshë, të kishte mbajtur fshehur në kraharor një brengë jo tërësisht pajtuese me klasën e vet. Por Advije Dudushi nuk kishte fuqi t’i largohej këtij mëkati. Ishte në mes tunduesi i madh: i shoqi i pritshëm.
Tashmë kishte filluar ta adhuronte.
Në lidhjen e saj të pandashme me Ali Këlcyrën përveç pranisë të motrës së madhe, nënës së saj të dytë, mënyra se si bashkëshorti i ardhshëm nuk e refuzoi, ia deklaroi dëshirën për ta bërë nuse dhe ndërkohë e mbajti larg shtratit martesor për t’i mbushur të tetëmbëdhjetë vitet e të drejtës ligjore për të qenë grua, u shtuan edhe idetë politike të Ali Këlcyrës. Kështu gjithçka iu shndërrua në një ngjizje shpirtërore dhe po aq bindje të patundshme se në këtë botë unazë në gisht mund të vinte vetëm me të.
Ndërkohë Aliu, i cili qe shprehur përherë kundër Ahmet Zogut, gjatë kryengritjes së armatosur të qershorit 1924 shkoi edhe më tej në kundërshtimin e tij: veproi për ta rrëzuar beun e Matit dhe vënë në krye një antifeudal të shumënjohur, Fan Nolin. Kur Zogu pas gjashtë muajsh strehimi dhe përgatitjeje ushtarake në Jugosllavi, u rikthye me forcë të armatosur në Tiranë, Ali Këlcyra mërgoi bashkë me udhëheqësit e tjerë të kabinetit kryengritës të qershorit.
Qe mërgimi i tij i parë i detyruar. Ishte shndëruar në refugjat politik. Nga kjo ikje Advijes iu drodh zemra dhe e përmbyti pikëllimi, iu trondit shpresa se do të martohej një ditë me të dashuruarin e mbetur larg, burrin që e kishte parë vetëm njëherë pas perdes së rëndë të një penxhereje të sarajeve të xhaxhait. Por ndërkohë i përhapej në të gjithë qenien prej vështrimit të tij imagjinar, prej Parisit, një si ndjesi përkëdheljeje.
Vinte deri tek ajo çdo agim dite dhe muzg të saj. Dhe e mbushte me drithërima.
Ali Këlcyra prish biografinë e Vrionasve
Advije Dudush hanëm Vrioni mendonte përse të mos kishte shpresë në një mirëkuptim politik të burrit të saj të ardhshëm, Ali Këlcyrës, me të shumëfuqishmin e vendit? Zogollët kishin lidhje fisnore me Këlcyrajt dhe Vrionët. Ndërkohë Hedije hanëm Zogolli, e motra e Nënës Mbretëreshë, qe martuar me Jusuf bej Biçakun, ku Vrionët kishin përzjerje të fortë gjaku. E vetëngrohte Advije Dudush hanëm Vrionin besimi se Sadije Zogolli e kishte krejt sinqerisht kur konsideronte atë si mbesë të vet.
Mirëpo ngjarjet që vinin njëra pas tjetrës nuk jepnin asnjë shenjë drite. Ahmet Zogu nuk iu dorëzua këtyre krushqive dhe nuk u lëkund nga zgjedhja e tij politike. E deklaroi menjëherë Ali Këlcyrën si armik të regjimit dhe një mot më pas, në 1926, shkoi edhe më tej: e dënoi me vdekje. Po ashtu edhe me sekuestrim të pronave.
Qe saktësisht moti kur Advije Dudushi, e lindura në 1908, mbushi plot tetëmbëdhjetë vjeçe. Tashmë në familjen Vrioni u shtua shqetësimi nga prishësi i biografisë së tyre, Ali Këlcyra, dhe bëri vend mendimi se prej atij dhendëri të ardhshëm duhej të distancoheshin sa më parë.
Në qëndrimin e familjes Vrioni për të shkëputur njëherë e mirë çdo mundësi për ta martuar bijën e tyre Advije me njeriun e dënuar me vdekje, vonë u kuptua se mes tre vëllezërve shtynte edhe një zelltar: Nexhmedini, vëllai i madh i saj. Përditë e më shumë ai i derdhte bojë të zezë kobit të prishjes së biografisë me Ahmet Zogun, sepse thellë-thellë e kishte një hall që nuk e zbulonte: donte të mos dilte nga shtëpia dhe të ikte tek Këlcyrajt prona e të motrës, e cila ishte gjithë-gjithë vetëm një çiflig: Muçani në Fier.
Salih Pasha, i jati, para se të ndërronte jetë, e bëri testamentin e trashëgimit pronësor. Kishte shtatë çifliqe dhe ua ndau tre djemve dhe katër vajzave. Motra e madhe, Nafija, e cila kishte qenë e fejuar me xhaxhanë e Ali Këlcyrës, Veli beun, dhe per shkak të vdekjes së parakohshme të këtij dhe ruajtjes të prikës së saj, e mori për grua xhaxhai tjetër, Muhamet beu, si pronë nga i ati kishte fshatin Rupan pranë Lushnjës. Motra tjetër e Advije Dudush hanëm Vrionit, Hadija, e shoqa e Eqrem bej Vlorës zotëronte Kuçovën, ndërsa motra Rukije, bashkëshortja e Safa bej Vlorës, të vëllait të Eqremit beut, kishte katundin Polovinë.
Duke u ndarë çifliqe edhe katër vajzave të veta, Salih Pashë Vrioni kishte thyer edhe një traditë të rreptë të latifondistëve shqiptarë, të cilët pasuritë në tokë deri atëherë ua jepnin vetëm meshkujve. Për pasardhëset femra, kur u bëhej prika e martesës, u jepej vetëm para.
Nexhmedini mendonte se po të mos bëhej martesa, nëpërmjet manovrimit të ligjeve të kohës, do ta fuste në dorë çifligun e Advijes. Madje atij, por edhe dy vëllezërve të tjerë, u shkoi ndërmend edhe të propozonin kandidatura të tjera martese. Ato qëllimisht qenë burra prej një shtrese më të ulët, kështu edhe të hiqnin dorë më lehtësisht nga prona e Advijes.
Në këtë mjedis që iu bë e vështirë, ajo nguli këmbë edhe më fort: për të në këtë jetë nuk do të kishte asnjë burrë tjetër përveç Ali Këlcyrës.
Një ndodhi e papritur në Pallatin Mbretëror
Në 1926 Advije Dudush hanëm Vrioni qe 18 vjeç dhe katër vite më pas plot njëzetë e dy. Në 1933 ishte tashmë njëzetë e pesë. Gojët e liga thoshin se pas kaq kohe që nuk e kishte parë me sy dhe prekur me dorë burrin e saj të ardhshëm, Advijes duhej t’i kishte sadopak nisur procesi i zbehjes së dashurisë për të. Në 1933 mbusheshin nëntë vite prej ditës së fejesës, pra fillimit të pritjes për të krijuar familje me të adhuruarin e saj që merrej aq fort dhe me aq rrezik me politikë.
Por pikërisht në 1933 ndodhi e papritura.
Advije Dudush hanëmi çdo vit lejohej prej familjes Vrioni t’i kalonte tre muaj në Elbasan, tek gjyshja Ifete, tek Biçakçinjtë. Po ashtu dhjetë ditë kur shkonte dhe dhjetë ditë kur vinte nga Elbasani, kishte leje të rrinte në Tiranë tek Mehdi bej Frashëri, i cili qe martuar me motrën e Afifesë, Najre hanëm Biçakçiun.
Kur në 1933, sipas ritit të përvitshëm, shkoi në Tiranë, e shoqja e Mehdiut i tha se pas dy ditësh do të shkonin në Pallat. Nëna Mbretëreshë kishte shprehur dëshirën ta njihte. Madje qe shprehur se Advija ishte e vetmja nga mbesat që nuk e kish parë dot.
“Do të shkojmë t’i puthim dorën”, e mbylli fjalën e saj Najreja, duke besuar edhe vetë se ky takim kishte vetëm këtë thelb ceremonial.
Kur shkuan në Pallat, pas fjalëve të fillimit, Nëna Mbretëreshë e pyeti Advijen sa vite kishte mbushur.
-“Njëzetë e pesë”, u përgjigj ajo.
-“Përse nuk je martuar akoma?, vijoi Sadije hanëm Zogolli. -“Nuk jam martuar sepse e kam të fejuarin jashtë shtetit”.
Nëna e Ahmet Zogut heshti një grimë. Nuk e pyeti se cili qe i fejuari. Sigurisht e dinte, madje sepse e dinte lidhjen e të mbesës me Ali Këlcyrën, edhe e kishte thirrur.
-“Djali im, vazhdoi ajo pas pak, ka ato lidhje që ka me Ali benë, por nuk do të bëhet kurrë shkak që t’i prishi fatin”.
Advijes i brofi zemra aq fort sa brenda gjoksit nisi t’i përplasej si zog me murin e brinjëve.
-“Përse nuk shkon në Paris të martohesh?”, shqiptoi befasisht Nëna Mbretëreshë dhe e pa kushërirën njëzetë e pesë vjeçare drejt e në sy.
-“Po unë nuk kam pasaportë”, belbëzoi Advije Dudush hanëm Vrioni dhe ndjeu njëherësh se një palë krahë të fuqishme shpendi po e ngrinin në qiell dhe që të dy po ato çaste nisën fluturimin drejt atij këndi të horizontit ku fantazia e saj, që pas ikjes së Ali Këlcyrës, kishte vendosur Italinë dhe më pas Francën me kryeqytetin e saj plot gjallëri, Parisin.
Këtë çast Nëna Mbretëreshë iu drejtua gruas së Mehdi bej Frashërit: “Sa do të rrijë tek ty Dudushi?”
Sadije Zogolli po e thërriste me përkëdheli. Advija tashmë ndodhej në qiellin e shtatë.
-“Dhjetë ditë”, iu përgjigj Najle hanëmi.
-“Do ta nisësh që nesër për në Fier me makinë angazhé”, porositi vendosmërisht Nëna Mbretëreshë. Pastaj duke iu drejtuar Advijes shtoi: “Të shkosh dhe të kërkosh pasaportë për të shkuar në Paris. Pastaj shko tek një avokat t’i japësh një prokurë që ai të merret me pronat e tua dhe të dërgojë muaj për muaj lekët”.
Edhe këtë gjë e kishte menduar! Madje jo vetëm ajo, por pas saj doemos edhe i biri, Ahmet Zogu.
Apo në të gjithë këtë fshihej ndonjë grackë? Advija e dëboi këtë mendim sapo ai, si të qe plumb, e fshikulloi mbi ball.
Dolën nga Pallati si të dehura. Najles po i merreshin këmbët, kurse Advijes edhe mendja. Kur hynë në shtëpi, tek u zbrazën çfarë u kishin parë sytë dhe dëgjuar veshët, shtangën edhe vetë Mehdi Frashërin. Kur emocionet e fillimit nisën të vetëpërmbahen dhe në vend të parë doli çështja e realizimit të premtimit mbretëror, procedurat e marrjes së pasaportës si edhe ato të ngarkimit të një avokati që të ndiqte ecurinë ekonomike të çifligut, duke qenë se tashmë po ndërhynte dora e Ahmet Zogut, nuk iu dukën të vështira. Pengesa mund të qe një tjetër. Deri ato çaste as u kishte shkuar ndërmend. Po sikur Ali Këlcyra, burrë i mbajtur dhe me moshë mesatare, prej nëntë vitesh jashtë vendit e sidomos me qëndrim të gjatë në Paris, i rrethuar prej vajzash të bukura franceze, të kish ndërruar mendje?
Ankthi e pushtoi Advijen dhe i mori sakaq frymën. Duhej patjetër që nëpërmjet motrës së Aliut, të cilën e kishte në Tiranë, Milit, vetëm me të cilën ai mbante këmbim letrash në Shqipëri, ta pyesnin nëse vazhdonte të besonte tek martesa e rënë dakord mbi një dekadë më parë.
Advija iu lut hallës që t’i shkruante vëllait të saj për çfarë i pati thënë Nëna Mbretëreshë dhe nëse qe gati, po t‘i vinte ajo në Paris, të martoheshin. Najleja e thurri letrën dhe e dërgoi menjëherë.
Mori prej Ali Këlcyrës ndonjë pusull dore apo telegram poste, kjo nuk dihet, veç pas jo më shumë se një jave i tha Advijes se shumë shpejt ai do t’i kthente një letër të shkruar gjerë e gjatë. Kur kjo letër mbërriti Ali Këlcyra shpjegohej se “unë ja kam dhënë fjalën që 11 vjet më përpara dhe nuk e tërheq, veç se situata ka ndryshuar. Kur e kam kërkuar atë vajzë kam qenë një nga bejlerët e Këlcyrës me mundësi financiare për t’i garantuar jetën me të cilën është mësuar tek Vrionët. Sot situata ka ndryshuar, për këtë të lutem para çdo gjëje të pyeteni vajzën edhe njëherë. Në qoftë se ajo pranon që në këtë jetën tjetër që do të bëjë me mua, të hekurosë rrobat, të bëjë gjellë, të fshijë shtëpinë, të jetojë në një banesë me dy dhoma dhe të bindet që kjo do të jetë jeta e saj, me pak fjalë që nuk do të ketë asnjë privilegj...
Në qoftë se ajo i pranon këto kushte, unë e pres të vijë këtu”.
Advija lexonte çdo rresht dhe qante me ngulç. Doemos nga gëzimi.
ENVER HOXHA HYN E DEL NË SHTËPINË E ALI KËLCYRËS NË PARIS
Shkrimi i tretë
Martesë pa u martuar. Më në fund lind Hana.
Kështu rruga për në Paris qe e hapur. Veç ajo, për ca rrethana që deri ato çaste as nuk qenë imagjinuar, bënë që nusja të mbërrinte në kryeqytetin francez, por martesa të mos bëhej. Në Tiranë, dhe për pasojë edhe në Paris, për shkak të dënimit me vdekje në mungesë, zyra e gjendjes civile nuk ia dha lejen për t’u bashkuar familjarisht me Advijen.
Deri sa lidhja e kurorës u bë, në 1935, për dy vite rresht në mjediset e oborrit mbretëror në kryeqytetin shqiptar u nxitën fjalë se Ali Këlcyra bashkëjetonte pa vënë kurorë me një bijë nga familja Vrioni dhe se kjo trajtohej prej tij si një mantenutë. Sipas po kësaj fjalënaje një veprim i tillë dëshmonte hipokrizi të beut që deklarohej sikur ishte kundër bejlerëve. Ai qëllimisht dhe për arsye ideologjike qe duke poshtëruar një bejlereshë.
Ahmet Zogu, i cili e kishte nxitur fillimisht të ëmën t’i ofronte Advijes shkuarjen në Paris dhe me këtë rast të nxirrte përfitimin e sigurisë se Ali Këlcyra do të mbetej atje dhe nuk do ta bezdiste me ndonjë kthim në Shqipëri, pati llogaritur edhe dinakërinë e njollosjes morale të tij. Lobi i bejlerëve për atë bashkëjetesë pa ligj do ta mallkonte edhe më shumë se më parë tradhtarin e klasës së saj.
Gjithsesi më në fund, pas nëpërgojimit të gjatë, zyrat që bënë lëshimin e të drejtës për martesë, në 8 mars 1936 do të mbanin shënim se lindi fëmija e Ali Këlcyrës dhe e Advije Dudush hanëm Vrionit. Të dy prindërit e prisnin djalë. Ishin të bindur se do të delte pasuesi i dinastisë, vetë trashëgimtari i një historie familjare gati shtatë shekullore, por fëmija doli me trupin dhe hiret e një femre.
Qe Hana Klissura.
Do të ishte fëmija e parë, por dramatikisht edhe e fundit për Aliun dhe Advijen, madje edhe për tërë derën Këlcyra.
Oxhaku Këlcyra po fiket
Po shndërrohej në një kob genetik kjo pamundësi e Këlcyrajve për të vijuar dinastinë e tyre. E kishin ruajtur atë jo vetëm me meshkuj, por edhe me femra, madje këto qenë plot zell për administrim dhe pushtet. Në dinastinë e tyre femrat ndiheshin zonja të para. Ato hanin bukë në një sofër apo tavolinë me burrat.
Mirëpo tërë kjo traditë e shkëlqyer vijimi të trashëgimisë, përcjelljeje brez pas brezi, po venitej. Në vitet njëzetë-tridhjetë të njëmijë e nëntëqindës as pasardhësit meshkuj nuk kishin dëshirë për të qeverisur lavdinë e biografisë së tyre. Tipik qe i jati i Ali Këlcyrës, Xhelal beu. Këtij i interesonte kryesisht gjahu. Vetë flinte me shtatë qenë. Gruaja e tij, e cila ishte njëkohësisht kushërirë e parë, sepse qe motra e nënës, Shegës, hyri në shtrat të Xhelalit që 17 vjeçe. Të dy familjet, Këlcyrajt dhe Frashëllinjtë, nuk qenë dakord për këtë martesë, por nuk e ndalën dot. Gjyshja e Hana Klissurës e kaloi jetën vetëm duke rënë shtatzënë dhe në kujtesën e njerëzve të kohës ajo ashtu mbahet mend: me barkun e tejfryrë. Për pasojë lindi dymbëdhjetë fëmijë, por nga shkaku i pleksjes gjenetike të ngjashme vetëm pesë mbijetuan.
Ndërkaq, sikur të mos mjaftonte kjo mënyrë jete larg ambicies për të mbajtur gjallë vijimin e dinastisë, i ati i Ali Këlcyrës, Xhelal beu, ndërroi jetë 36 vjeç. Qe një dhëmballë, e cila iu ënjt dhe i zuri qelb. Më në fund iu bë abces, iu shndërrua në një plagë që i futi helmin në gjak.
Xhaxhai Veli beu, firmatari i Deklaratës së Pavarësisë, ishte vegjetarian edhe nuk vinte kurrë në gojë mishin. Kështu zemra iu dobësua shumë dhe më në fund i pushoi.
I vëllai i Ali Këlcyrës, Fadil beu, pati ndërruar jetë në Romë në 1923, nga tuberkulozi. Qe vetëm 26 vjeç. Kishte kryer një shkollë të njohur private në Zvicër me notat më të larta të mundshme, çfarë u bë arsye që drejtori i saj në ceremoninë e dhënies së diplomave të deklaronte para gjithë pjesëmarrësve se “Shqipëria njihet sot në botën europiane si vendi i fundit, më i vogli edhe më i varfëri, ndërsa në këtë sallë Fadil Këlcyra është studenti i parë mbi të tërë studentët e tjerë me notat më të shkëlqyera”.
Vëllai tjetër, Faik beu, i cili edhe ai pati kryer një shkollë private zvicerane, i erdhi Aliut në Paris për t’i qëndruar pranë gjatë mërgimit politik. Në të vërtetë për ta mbrojtur fizikisht, duke u bërë truprojë. Por edhe ai u largua nga kjo jetë, siç shkruan Eqrem bej Vlora në listën e tij gjenealogjike të familjeve më të mëdha shqiptare deri në vitet tridhjetë, në 1934, çfarë do të thotë një vit para se Advija të vinte në Paris dhe të shtonte shpresën se tek biri i fundit i Xhelal Beut do të dilte më në fund vazhduesi i derës së tyre.
Faik beu vdiq nga kanceri që iu bë në veshka, duke i shkaktuar fillimisht bllokimin e urinës, çfarë pothuaj e helmoi. Mjekët e shpëtuan nga ky rrezik i fundit, por gjithsesi tumori e mori me vete në krye të gjashtë muajve pasardhës. Ndërroi jetë në spital.
“Vëllai” gomar, por shumë i pashëm
Po atë ditë që në vend të djalit të shumëpritur lindi Hana Klissura, në orë shumë të përafërta, në Këlcyrë një nga gomaricat e shumta që përdoreshin për punë, lindi pjellën e vet, një gomar. Ky qe mashkull dhe, siç thoshin nëpër letrat e ardhura në Paris prej andej, ishte shtatlart sa një mushkë. Qe mjaft i pashëm: me qime bojë hiri të hapur, si gëzof.
Hanën e Parisit e mësuan pak nga pak se ajo nuk ishte një vajzë e vetme, por e kishte në këtë botë një vëlla. Ky ndodhej në vendlindjen e familjes së tyre, në Këlcyrë. Sapo të rritej pak dhe të mund të duronte një udhëtim të gjatë matanë detit, do të shkonte ta takonte patjetër.
E mitura besonte se i vëllai ishte qenie njerëzore si çdo fëmijë tjetër dhe padyshim me po ata prindër, që kish edhe ajo aty në Paris. Kur ajo ishte ende në barkun e të jëmës, por edhe kur rriste muaj pas muaji shtatin dhe pas një viti filloi të mbushë motin e dytë, ndjeu se në familjen e saj lindja e një djali, e një trashëgimtari të dinastisë, ishte nevoja dhe biseda numër një.
Lodra e parë që Ali Këlcyra dhe Advije Dudush hanëmi i blenë vajzës së tyre të vogël ishte një djalë kukull prej celuloidi, për të cilin i thanë se qe vëllai i saj. Kështu Hana qe me dy “vëllezër”
Ndërkaq në Këlcyrë fillimisht, pastaj edhe në Fier apo Berat, deri në Tiranë, jo aq fort si shpoti, por që megjithatë nuk ishte edhe thjesht shaka, u përhap qesëndia se në lindjen e njëkohshme të vajzës Hana dhe të gomarit-vëlla mirë do të qe të kishte ndodhur një këmbim fatlum: në Paris të dilte një djalë dhe në Këlcyrë një femër.
Tre vizita të Enver Hoxhës tek Ali Këlcyra
Për ta uruar lindjen e fëmijës së tyre në një nga ditët e mes marsit 1936, u erdhi në shtëpi edhe Enver Hoxha. Sipas çfarë tregon për jetën e vet, por edhe rezulton nga dëshmitë e të tjerëve, këtë muaj ai duhej të ndodhej në Bruksel, duke kryer punën e ndihmësit të konsullit të nderit të Shqipërisë në Belgjikë, industrialistit francez Maroth Marothi.
Sipas asaj që Hana ka treguar pas vitit 2007, ardhjes së saj të parë në Shqipëri, “Fillimisht babai im është takuar në Paris me Enver Hoxhën, tre herë para vitit 1939. Herën e parë është kur vdiq vëllai i babait, Faik Këlcyra. Ai vjen në vitin 1935 për të ngushëlluar me një kuti me puro. Ndërkohë që herën e dytë për lindjen time”. Pa e përcaktuar si herë të tretë Hana Klissura përmend rastin kur Hoxha i erdhi në banesë Aliut me një letër nga Bahri Omari.
Kur në fillim të muajit shtator 2016 i kërkova një radhë të këtyre vizitave të Enver Hoxhës në shtëpinë e Ali Këlcyrës, Hana më ktheu këtë përgjigje: “Herën e parë ka qenë kur vdiq Faiku në 1935, herën e dytë kur linda unë edhe të tretën kur kërkoi të hynte në Bashkimin Kombëtar, dhe pastaj, më duket, që nuk u takuan më, se edhe në Shqipëri”.
Pastaj plotësoi: “Po ky Enver Hoxha që ka qenë atëherë student në Francë ka ardhur për të uruar që unë kisha lindur në Paris...Por Enver Hoxha kishte ardhur edhe një vit më parë tek babai për të ngushëlluar për vdekjen e Faikut dhe kishte prurë, siç ishte zakoni, një kuti me puro. Më vonë erdhi edhe një herë për të takuar babanë me një letër prej Bahri Omarit, shokut të ngushtë të tim ati, sepse donte të hynte në Mbrojtjen Kombëtare me qenë që nuk kishte dhënë provimet edhe ishte në rrezik të humbiste bursën që i kishte dhënë qeveria e Mbretit Zog me ndërmjetësimin e Ekrem bej Libohoves, por babaj e refuzoi. E shau rëndë, duke i hequr vërejtjen që ai kishte zënë vendin e një studenti të mirë për të cilin Shqipëria kishte nevojë, ndërsa ky harakopesh nëpër Paris...edhe këtu nis hasmëria e Enver Hoxhës për babanë që ishte më shumë personale se politike”.
Ndërkohë gjashtë vite të shkuara, në vijim të intervistës dhënë një gazete të Tiranës, Hana Klissura e shpjegonte kështu këtë ngjarje të fundit përplasjeje mes Enver Hoxhës dhe Ali Këlcyrës: “Herën e parë që ka qenë në Itali tek kunati, edhe i jep Bahriu një letër për babanë. Brenda ishte “Ali të lutem, ndihmoje se ka disa kërkesa sepse e kam kunat” dhe babai e pyet dhe Enveri kërkon të hyjë në Bashkimin Kombëtar. Nga Faiku, babai e dinte se kishte një bursë të shtetit dhe që nuk i kishte kaluar disa provime. Kur zoti Hoxha i thotë babait se dua të hyj edhe unë në Bashkimin Kombëtar, i cili kishte si synim të rrëzonte mbretërinë e Zogut, babait i thotë “Si kërkon të hysh, ndërkohë që t’i je me bursë të mbretit Zog”? Babai i thotë Enverit “Nuk të vjen turp që me paratë e shtetit dëfren, i ke zënë vendin një tjetër studenti që mund të kishte studiuar?” Ai i tha se “edhe nëse do të ishin paratë e babait tënd, duhej të të vinte turp sepse do të kishte dërguar me djersë. Ne nuk jemi organizatë bamirëse”.
Por çthotë vetë Enver Hoxha? Sipas librit të tij me kujtime “Vite të rinisë”, Tiranë 1988, “Në Paris u njoha edhe me emigrantë politikë, si Kol Tromarën, Qazim Koculin, Ali Këlcyrën, Beqir Valterin e të tjerë. Të gjithë luanin kumar, poker dhe merrnin pjesë në bastet për garat e kuajve, me përjashtim të Sejfi Vllamasit dhe të Rexhep Mitrovicës”.
Hoxha shkruan se me të gjithë ata, prej miqve të përbashkët prezantohej si i kunati i Bahri Omarit. Pastaj mëshon: “Ata as që merreshin fare me politikë, për Shqipërinë as e çanin kokën fare, pse ishin larg e njerëz nuk shkonin në Paris, si në Bari. Këta farë politikanë nuk kishin as unitet të paktën shoqëror me njëri-tjetrin, ata vetëm të luanin kumar dinin dhe përpiqeshin kush të rripte shoqi-shoqin. Para merrnin mirë, kushedi nga ç’grazhd, jo vetëm jetonin në apartamente që kushtonin, por të gjithë frekuentonin kafenetë e mëdha, si “La Coupole” në Montparnas. Rrallë i shihje në kafenetë popullore, si “Doupont” që kishte në çdo rrugë”.
Këtë opinion ai e përsërit tek libri tjetër i tij me kujtime “Kur u hodhën themelet e Shqipërisë së re”: “Fare i afërt nga përbërja klasore dhe nga pikëpamjet me “Bashkimin Kombëtar” ishte edhe i ashtuquajturi “Grupi i Zarës”, që mori emrin nga qyteti dalmat, ku Benito Musolini mbante si rezervë Mustafa Krujën me shokë e ia tundte para Ahmet Zogut sa herë donte t’i bënte presion. Mustafai hiqej sikur ishte në armiqësi me krerët e “Bashkimit Kombëtar”, si Ali Këlcyra me shokë, se këta në vend të liretave preferonin frangun francez dhe dinarin jugosllav”.
Në po këtë libër, njëherë tjetër, duke ngulur këmbë se disa prej eksponentëve të Ballit Kombëtar morën poste qeveritare gjatë pushtimit (të parin akuzon Mehdi Frashërin), “vetë Ali Këlcyra, dhëndri i Vrionasve, aleati i tyre, natyrisht dhe i Vërlacëve, nuk mori nëpunësi, me sa di unë, në mënyrë që të mund të hiqej edhe për ca kohë si “patriot i kulluar”.
Në një rast të tretë në librin “Kur u hodhën themelet e Shqipërisë së re” Enver Hoxha shkruan: “Një grup tjetër të kësaj kategorie të emigracionit politik përbënin “demokratët antizogistë” të Parisit. Këtu bënin pjesë Ali Këlcyra, Kolë Tromara, Qazim Koculi, Sejfi Vllamasi, Rexhep Mitrovica e të tjerë, por Tromara, Ali Beu, Koculi e Mitrovica hiqeshin si kapot. Në fakt asnjëri nuk e njihte tjetrin për udhëheqës, sepse të gjithë “udhëhiqnin”, por këta ishin udhëheqës të erës, komandantë pa ushtarë”.
Disa paragrafë më pas Hoxha ripërsërit pikëpamjen e vet se këta politikanë merrnin financime nga qeveria franceze, ajo italiane, madje edhe në dollarë, se jetonin mirë dhe luanin kumar.
Kur ndodhi hatërmbetja e Enverit ndaj Aliut?
Duke iu rikthyer një çast pohimit të Hana Klissurës për tre vizita të Enver Hoxhës tek i ati në Paris, na duhet të bëjmë disa plotësime. Faik beu, i vëllai më i vogël i Ali Këlcyrës, sipas Eqrem bej Vlorës nuk ka vdekur në 1935, por një vit më herët. Sigurisht në këtë të ndodhur Hana nuk ka qenë, sepse do të lindte dy mote më vonë. Vizitën ngushëlluese të Hoxhës ia ka treguar patjetër i ati. Hoxha këtë çast duhet të ketë qenë në Paris, sepse bursa nga qeveria shqiptare iu pre në shkurt 1934. Ai qe regjistruar për studime në degën e botanikës në universitetin e Montpeljesë në nëntor 1930 dhe pas pothuaj katër vitesh nuk i kishte kapërcyer shumicën e provimeve.
Në kujtimet e veta Enver Hoxha e lë të mjegullt muajin për ku nga Montpelje u nis për në Paris, por këtu e pohon se ndenji vetëm dhjetë muaj. Po ashtu ai nuk e saktëson kur u nis për në Bruksel, në detyrën e ndihmësit të konsullit të nderit Marothi, por nënkuptohet se kjo duhet të ketë ndodhur në fundvjeshtë 1935. Siç po ashtu Enver Hoxha shkruan në librin “Vite të rinisë” “Aty nga fundi i qershorit dhe fillimi i korrikut 1936 u ktheva definitivisht nga jashtë…”
Këto pozicionime të kohës i bëjmë për t’i verifikuar me çfarë Hana Klissura thotë se prania e Hoxhës në shtëpinë e të jatit ka qenë tri herë. Duhet që ai të ketë qenë në Paris kur ndërroi jetë Faik beu, po ashtu nuk duhet të ketë qenë këtu kur lindi Hana, por në Bruksel. Ai u largua nga kryeqyteti i Belgjikës drejt Shqipërisë kur ajo ishte pesë muajsh.
Por atëherë kur ka ndodhur përafërsisht biseda e qortimit të ashpër të Ali Këlcyrës ndaj Enver Hoxhës për çështjen e bursës studimore që merrte nga Zogu e ndërkohë donte të regjistrohej tek “Bashkimi Kombëtar”?
Enver Hoxha në librin e tij me kujtime “Kur u hodhën themelet e Shqipërisë së Re” fillimisht vë në dukje një portret të Ali Këlcyrës dhe vetëm pastaj ndërhyn për të kujtuar Protokollin me Dalmacon: “Më kishte rënë njëherë rasti të takohesha ine feudalin “demokrat” përpara luftës, kur isha student né Francë. Më duket se kthehesha nga Shqipëria, ku kisha qenë për pushime dhe né Bari kisha takuar Bahriun, i cili më kishte dhënë një letër për Ali Këlcyrën që banonte né Paris. Sipas adresës që më kishte dhënë Bahriu, i vajta beut né shtëpi. Kishte një apartament shumë të mirë, gjë që më bëri përshtypje e mu duk e çuditshme për një emigrant. Aliu më priti ftohtë e me fodullëk e mezi më futi né sallon. Vetëm kur mori vesh se kush më kishte dërguar, e ndryshoi tonin, më dha një cigare e i ra ziles për të thirrur shërbêtoren franceze, sé cilës i tha të më bënte një kafe. Gjaté kohës që piva kafenë më pyeti për çfarë studioja e ç\'kishim nga Shqipëria. Beu i Këlcyrës më dëgjonte me indiferentizëm e si me bezdi. Atëherë dhe unë i qëndrova akull dhe pyetjeve të tjera iu përgjigja fare shkurt dhe, me të pirë kafenë, u ngrita e ika. Që atëherë nuk ia kisha parë fytyrën as jashtë, as né Shqipëri, kur erdhi bashkë me pushtuesin. Po për bëmat e tij, ama, kishim dëgjuar. Ali Këlcyra ishte ndër propagandistët e shquar të reaksionit e të Ballit, ishte nga ata që villte vrer më shumë kundër luftës për çlirim, kundër komunistëve e partizanëve. Jo vetëm kaq, se tradhtari Ali Këlcyra nuk mbetej vetëm te llafet; ai bashkë me bashibozukët e vet u qëndronte përkrah trupave italiane né operacionet ndëshkimore kundër krahinave, ku luftonin çetat e batalionet tona, ai digjte e vriste, godiste pas shpine. Për të gjitha veprimet e tij ne ishim né dijeni dhe e kishim paralajmëruar, dikur edhe e arrestuam, po e lamé të lirë duke i thënë që të kishte mendjen, se herë tjetër nuk do të shpëtonte mirë”.
Kemi përshtypjen, prej faktesh të tërthortë, që momenti kur Hoxha kërkoi të regjistrohej tek “Bashkimi Kombëtar” duhet të ketë qenë periudha e para shkurtit 1934, moment kur iu pre bursa. Qortimi i Ali Këlcyrës, ku ndodhej edhe togu i fjalëve “të të vijë turp” dhe arsyeja përse e gjykonte të pacipë (“përdor për dëfrim bursën e Ahmet Zogut dhe ndërkohë kërkon të regjistrohesh në një organizatë antizogiste!”), i ka të gjitha gjasat të jetë e fund motit 1933. Me studimet e nisura në Universitetin e Montpeljesë në fundvjeshtë 1930, viti i mësipërm është ai kur stili i sjelljes “dandy” të Enver Hoxhës e mbushi kupën, duke shkaktuar jo vetëm shumë fjalënaja tek shqiptarët në Francë, por edhe shqetësim në Ministrinë e Arsimit në Tiranë.
Duke mos pasur prova që ta vënë në verifikim nëse kjo skenë me “të të vijë turp” ka ndodhur vërtet apo jo, ose e rrëfyer prej Ali Këlcyrës përbën vetëm një pjesë të saj, nuk duam të largohemi nga thelbi: Enver Hoxha e ka vizituar Ali Këlcyrën në apartamentin e tij në Paris plot tri herë. Kjo pothuaj do të thotë se ka hyrë dhe ka dalë “si në shtëpinë e tij”.
TRADHËTOI GRUAN NGA KOSOVA, PJESËTARI I FAMILJES KËLCYRA DËNOHET NGA VETË AJO ME BURGIM TË PËRJETSHËM
Shkrimi i katërt
Raporti me shkrim për oficerin britanik
Në 23 shkurt 1945, i ikur nga Shqipëria dhe në bregun e përtejmë italian i izoluar për verifikim në një kamp paraprak grumbullimi për të gjithë refugjatët e luftës që vinin nga Ballkani, Ali Këlcyra u mor në pyetje prej një oficeri të shërbimit të fshehtë britanik.
Ky punonte për Ministrinë e Jashtme në Londër. Ai i kërkoi t’i jepte një raport me shkrim për veprimtarinë e tij politike. Ky raport tashmë është bërë publik në shtypin e përditshëm shqiptar. Në të Ali Këlcyra ka shkruar: “Në dhjetor të vitit 1924, pothuaj 1200 intelektualë e nacionalistë shqiptarë ikën në ekzil, në shenjë proteste ndaj botës dhe vendeve fqinje, në veçanti Jugosllavisë, për ardhjen në pushtet të Zogut. Pasi arritëm me shumë vështirësi në Brindisi, u mblodhën liderët kryesorë të këtyre emigrantëve për të vendosur mbi politikën që do të ndiqej dhe opinionet e tyre u ndanë në dy kategori: Të parët ishin ekstremistët, të cilët rekomanduan që shpëtimi i vetëm i Shqipërisë duhet të vijë nga një bashkëpunim me të gjitha organizatat e fshehta të Bashkimit Sovjetik, i cili ishte fuqia e vetme e botës që mbronte popujt e vegjël. Të dytët ishin të moderuarit, të cilët pavarësisht se e njihnin mjaft mirë gravitetin e situatës në një vend të vogël si Shqipëria, si dhe penetrimin që kishin vendet fqinje në të, thanë se nuk ka asnjë avantazh që emigrantët shqiptarë të vihen në shërbim të Kominternit.
Komiteti Qendror i grupit të ekstremistëve zgjodhi Vjenën si vendin e tyre për t’u vendosur dhe morën emrin si KONARE (Komiteti Nacional Revolucionar).
Grupi i të moderuarve patën një organizatë tjetër që u njoh me emrin Bashkimi Kombëtar. Të gjitha personalitetet politike morën pjesë në këtë organizatë, duke përfshirë edhe ish-zyrtarë të lartë civilë, ish-deputetë dhe ish-ministra. Komiteti Qendror u përbë nga katër persona: Sotir Peci ish-regjent, Xhemal Bushati ish-ministër, Angjelin Suma ish-drejtor i Përgjithshëm dhe Ali Këlcyra ish-deputet.
Jam i vetmi që jam gjallë nga anëtarët pasi të tre vdiqën në ekzil.
Organizata jonë deri në vitin 1926 ka qëndruar në Bari. Në përgatitjen e programit tonë, delegati ynë në Zvicër, ish-regjenti dr. Turtulli, u paraqiti një memorandum në vitin 1925 Ligës së Kombeve, si dhe përfaqësuesve të të gjitha fuqive të mëdha. Në këtë memorandum ai theksoi me fakte të pakundërshtueshme se akuzat e fqinjëve tanë, në veçanti Beogradit, kundër patriotëve shqiptarë, ishin krejtësisht të pabaza, si dhe vendosjen në pushtet të Zogut e cilësoi si kundër vullnetit kombëtar, i cili herët a vonë do të linte hapur derën për ndërhyrje nga jashtë, çka po ashtu herët a vonë do të dëmtonte seriozisht paqen në Ballkan”.
Më pas, ndërsa thekson se ata refuzuan të ishin pjesë e të quajturit Traktat i Tiranës mes Benito Musolinit dhe Ahmet Zogut, Ali Këlcyra vijon: “U trajtuam pak a shumë si robër lufte. Duke qenë se ishim nën vëzhgim gjithë kohës nga karabinierët, u detyruam që në prill të vitit 1927 të largohemi nga Italia”.
Dy paragrafë më tej në raportin e Këlcyrës për oficerin e zbulimit britanik thuhet: “Pasi e lamë Italinë, komiteti ynë u vendos në Vjenë, ku një gazetë kombëtare e quajti si “Bashkimi Kombëtar”, e botuar në frëngjisht, gjermanisht dhe shqip.
Pas tentativës për vrasjen e Zogut që u bë nga disa prej shokëve tanë në shkurt të vitit 1931, Komiteti u detyrua që të zhvendosej në Paris, kur unë ndodhesha atje prej afër një viti pas largimit që na u bë nga Austria (1930) me insistimin e Legatës italiane”.
Mbesa e Ali Pashë Tepelenës e rikthen, me prerje kokash, sundimin në Këlcyrë
Në çfarë Ali Këlcyra i pohon oficerit britanik në 23 shkurt 1945 dhe kjo na ndihmon në njohjen më të hollësishme të biografisë së tij politike, do të rikthehemi sërish, por nuk mund të shkojmë më tej pa u ndalur në një element themeltar të formimit të saj: sarajet e dinastisë së tyre.
Ose më saktë Kalaja Këlcyra.
Afro pesëmbëdhjetë breza të kësaj familjeje të Shqipërisë së Jugut kanë lindur e kanë vdekur brënda mureve të një kështjelle, fuqisë, epërsisë dhe autoritetit të saj. Ajo u ka lënë gjurmë të thella në identitet, në mënyrën e të menduarit dhe të vepruarit, në vetë psikën e tyre.
Sipas Eqrem bej Vlorës dhe librit të tij “Kujtime 1885-1925” “Në rrethet e bejlerëve shqiptarë Këlcyrajt njiheshin për qeverisjen despotike në pronat e tyre. Burra të pashëm e me dukë madhështore, si të kalorësve të moçëm, aq sa në vitin 1839, njëri prej tyre, Islam beu (i martuar me Aishe hanëm Vlorën) i shpëtoi vdekjes pikërisht falë këtyre vetive. Reshit pasha (vezir i madh dhe sarasqer) vendosi t’i heqë qafe bejlerët e pabindur të Shqipërisë. I ftoi atëherë në Manastir, për të marrë pjesë në një paradë ushtarake dhe atje i vrau. Vetëm Islam beu mundi të shpëtonte, sepse Reshit Pashës i erdhi keq ta prishte atë bukuri: kaq i pashëm dhe madhështor ishte ai.
Por Këlcyrajt nuk ishin vetëm të pashëm nga trupi, ata ishin edhe shpatarë trima. Po ai Islam bej, që siç dihej nga të gjithë, pamja e jashtme i kishte shpëtuar jetën, në rini të tij, kur ishte 13 vjeç, u tregua edhe luftëtar i shkëlqyer. Në vitin 1811, Ali Pashë Tepelena, për arsye se kjo familje nuk kish pranuar t’i nënshtrohej, e kishte internuar në Artë, edhe pse mbesa e tij e dashur, Hejbetullaja, ishte asokohe zonjë në kështjellën e Këlcyrajve. Në vitin 1821, kur Ali pasha u vra në Janinë, anëtarët e familjes Këlcyra u kthyen në pronat e tyre. Kështjella ku kishin banuar prej shekujsh (rrënojat janë edhe sot e kësaj dite) nuk ishte më e banueshme. Për dhjetë vjet rresht aty kishte qëndruar garnizoni ushtarak i Ali pashës, që e kishte lënë në gjendje të mjerueshme. Atëherë fëmijët së bashku dhe me nënën e tyre, vendosën të ndërtojnë një kështjellë të re, në një terracë mali, dyqind metra më poshtë dhe pikërisht përballë fshatit Këlcyrë-Katundishtë. Një ditë, ishte Ramazan, java e Kadrit, Hejbetulla hanëmi, siç ishte zakoni, u nis për në varreza për të përkujtuar të vdekurit. Por ndërsa kalonin nëpër fshat, ata u rrethuan nga një turmë e madhe njerëzish të acaruar, të cilët protestonin ndaj ndërtimit të kështjellës, por me sa dukej nuk donin edhe ta njihnin më pushtetin e kësaj familjeje. Britmat dhe sharjet në adresë të Hejbetulla hanëmit u bënë të padurueshme. Një fyerje e padëgjuar! Atëherë ajo i kthehet dhe i thërret djalit të saj të mitur: “Harram të qoftë qumështi që ke pirë nga gjiri im, po të mos e mbrosh dhe ta vësh në vend nderin tim nga këta plehra”. Islam beu nxjerr atëherë jataganin dhe bashkë me ata pak shërbëtorë të shtëpisë që kishte me vete, u vërsul kundër fshatarëve. 12 prej tyre u vranë, të tjerët ranë në gjunjë dhe pranuan të nënshtrohen. Që nga kjo ditë familja sundoi përsëri e plotfuqishme në krahinën e Këlcyrës”.
Kur këtë episod të fundit, vrasjen me teh shpate e fshatarëve kryengritës, në një ditë të prillit 2014 ma tregoi vetë Hana, mbresat e mia qenë më të forta se ai përshkrim shumë shprehës i Eqrem bej Vlorës. Në historinë e familjes së saj këtë ngjarje Hana Klissura nuk e quante si gjest për t’u nderuar, përkundrazi, e ndjente si të papranueshëm.
Mundet që këtë opinion ta kishte të sajin, sepse pati lindur, qe rritur dhe po jetonte në Perëndim. Nuk i bëjmë dot asnjë kufizim hamendjes që ky gjykim të ketë ardhur edhe prej vetë Ali Këlcyrës, me të cilin pa dyshim ka qenë dakord edhe vrionasja beratase Advije, zonja e shtëpisë.
Në atë rrëfim të saj për këtë ngjarje tronditëse, sigurisht edhe mjaft brutale (therje njerëzish të thjeshtë), Hana Klissura ka bërë edhe disa plotësime. Sipas saj të vrarët prej Islam beut dhe shërbëtorëve të familjes qenë vetëm shtatë dhe jo dyfishi i tyre; fshatarët protestues i dolën përpara Hejbetulla hanëmit jo me armë, por me sfurqe; këta nuk e lejuan të shkonte në varreza, ndërsa i thanë në sy “Nuk të duam”.
Duke qenë se për një dekadë të tërë, arsyetoi Hana gjatë asaj bisede, në atë vend sundoi Ali pashë Tepelena (daja i Hejbetullasë), nga mungesa e sundimtarit të tyre lokal këlcyriotët qenë mësuar me liri. Tashmë të rikthyer, të shumëfuqishmit e dikurshëm përfaqësoheshin vetëm nga një grua, të cilën mund ta përmbanin të qe më e butë se pararendësit.
Ndërkohë që zhvillohej kjo skenë e dy shekujve më parë, Aliut të Tepelenës i qe prerë koka dhe ishte dërguar në Stamboll për t’u vënë në Kamaren e Turpit. Pra përveç beut këlcyriot, mungonte edhe ky i fundit. Me pak fjalë qe një moment boshllëku të pushtetit nga lart.
Hejbetullaja, sipas Hana Klissurës, jo vetëm qe e zgjuar, por edhe e zonja në çështje të prerjes së kokës dhe të dhënies së imazhit se ishte “dorë e fortë”. Kur kreu këtë rikthim në autoritet, në sundim, djali i saj trashëgimtar, Islam beu, qe vetëm 14 vjeç dhe me trup shumë të lartë.
Kështjella-saraje në psikën e dinastisë Këlcyra
Qenë të ashpër nga natyra e tyre njerëzore, u bënë të tillë për të mbarëvajtur pushtetin dhe pasurinë apo në këtë tipar të Këlcyrajve vulën e fundit e dha edhe relievi e kështjella e familjes e ndërtuar në thepat e një mali, kjo është një temë, e cila të tundon ta rrekësh, por do ta anashkalojmë për të mbetur në drejtimet më kryesore të temës që kemi sipërmarrë. E veçanta është se Ali Këlcyra nuk ishte në këtë traditë dore sunduese, por qe krejtësisht e anasjella.
Për këtë njeri të butë dhe të dhimbsur ndaj jetës së të tjerëve do të kemi jo pak raste ta dëshmojmë, por përderisa po qëndrojmë kalimthi në këtë motiv, Hana Klissura na ka pohuar se e jëma shpesh i thoshte “Përse nuk i ngjave babait?” Kjo qe mënyra e sjellshme për t’i vënë vajzës së tyre të vetme, në pamje femër plot me hire, se brenda vetes ishte temperament i ashpër. Me pak fjalë nuk i ngjante as të atit dhe as të jëmës. Ishte karakter dhe kokë më vete.
Në të vërtetë ashpërsia tradicionale e Këlcyrajve ishte tipar i të gjithë krahinës. Siç dihet një cilësi të tillë, përjashto relativisht disa vatra ku qytetërimi latin i Evropës ka shkëmbyer më shumë me shqiptarët (si trevat e Shkodrës, të Korçës, të Beratit dhe tërë Myzeqesë që përfshijnë hapësirën Kavajë-Durrës), nuk është patjetër prirje dhune. Ka pak vrazhdësi, ndoshta.
Gjithsesi nuk është aq fort çështje temperamenti apo natyre të veçantë njerëzore, por edhe asketizëm. Mbi të gjitha moral dhe mënyrë të jetuari. Kjo bindje është edhe arsyeja përse, mbështetur mbi rrëfimet që na ka bërë Hana Klissura, do t’i bëjmë të ditur lexuesit edhe një episod tjetër “ashpërsie”.
Dinastia në vetëgjyqësi: burgim të përjetshëm për anëtarin e saj imoral
I shoqi i Hejbetulla hanëmit, sipas Eqrem bej Vlorës jo mbesa, por vetë vajza e Ali Pashë Tepelenës, quhej Muhamet. Ai pati tre djem dhe dy vajza. Midis bijve, ku qenë Islam beu i pashëm (të cilit ia fali jetën Reshit Pasha) dhe Hysen beu, ishte edhe Ali beu. Në pemën gjenealogjike të hartuar prej Eqrem bej Vlorës, ky i fundit shënohet “pa fëmijë”. Nuk e ka të shkruar as ditëvdekjen.
Pikërisht ky Ali, ndërkohë që jetonte dhe vepronte publikisht edhe Aliu politikan i njohur, është protagonist i një historie që nuk harrohet lehtë në të shkuarën e dinastisë Këlcyra. Megjithëse ata e kanë mbajtur sa më
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|