Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

HANA E KËLCYRËS DHE E VJENËS (Pjesa II)


(Cikël shkrimesh. Pjesa e dytë)

(Botuar në gazetën “Shqiptarja.com” nga 11 deri në 18 tetor 2016)

SI ALI KËLCYRA I SHPËTOI ARRESTIMIT NGA FASHISTËT ITALIANË NË 1926

Shkrimi i shtatë

Kryeministria italiane në gusht 1939: “Lejoheni të hyjë në Shqipëri!”

Pas bisedës së bërë me të dërguarin posaçërisht të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Britanisë, ish-bashkëpunëtorin e Ahmet Zogut në vitet kur në Tiranë ai qeveriste si mbret, kolonelin Hill, i cili i tha “shko në Shqipëri në qoftë se do të luftosh pushtuesit fashistë”, Ali Këlcyra bëri siç i tha ai. Kështu shkoi tek ambasadori italian në Paris Rafaele Guarilia (Raffaele Guariglia).
Duhet të ketë qenë ende pa dalë muaji prill i vitit 1939-
I bëri kërkesën për të hyrë në Shqipëri nëpërmjet tokës italiane. I shpjegoi se territori ku ai do të shkonte, vendlindja, ndodhej në jug të vendit dhe për atje e kishte më të favorshme të hynte nëpërmjet detit, Kanalit të Otrantos, pra porteve të Barit apo të Brindizit.
“Unë nuk mund të them as po dhe as jo, i shpjegoi kryediplomati i ambasadës, por lutjen tuaj do t’ia dërgoj Romës”. Pastaj Guarilia i ofroi të mbushte disa formularë dhe ndërkohë i bëri të ditur se mundësinë e rikthimit në vendlindjen e vet po e kërkonte një politikan shqiptar, i cili kishte pasur marrëdhënie jo përherë të përputhura me qeverinë e zotit Musolini.
Kur pa që Ali Këlcyra, duke bërë sikur nuk e pati dëgjuar, kinse nuk i ktheu përgjigje, ambasadori italian shtoi: “Do t’ja dërgojmë pa vonesë lutjen tuaj Pallatit Kixhi dhe Kryeministria do të na kthejë përgjigje shumë shpejt”. ”Po erdhi miratimi, vijoi pas një heshtjeje të shkurtër, të jini të sigurt se prej nesh nuk do t’ju vijë asgjë e keqe”.
Heshtjes së re të Ali Këlcyrës Rafaele Guarilia iu përgjigj me fjalët e ndara qartë nga njëra-tjetra: “Kjo do të thotë se nuk do t’ju arrestojmë”.
Këtë çast politikani shqiptar i ktheu qetësisht përgjigjen “Ju siguroj se kthimi im është thjesht për të jetuar në atdheun tim dhe nuk kam ndërmend aspak të merrem me politikë. Zogu, i cili më kishte dënuar me vdekje dhe i pati sekuestruar pronat e mia, tani nuk është më dhe, duke qenë se janë hapur rrugët për t’i rimarrë, do të merrem me administrimin e tyre”.
“Ju kuptoj”, tha italiani. Një minutë më pas vijoi: “Politika është pasion i shquar për ju. Në rast se merreni me të edhe si miku ynë, do të ishim mjaft të gëzuar”.
“Faleminderit për vlerësimin që më bëni, por vërtet në Shqipëri nuk do të merrem me politikë”, tingëlloi Ali Këlcyra, si të deklamonte solemnisht një vendim orakulli, tonin e fjalëve.
“Zgjedhja juaj”, mëshoi rrokjet edhe ambasadori Rafaele Guarilia dhe me kaq u ndanë. Përgjigja nga Pallati Kixhi erdhi brenda dy javëve. Ali Këlcyrës i lejohej hyrja në Shqipëri nëpërmjet tokës italiane, sigurisht bashkë me gruan dhe vajzën. Në përgjigjen e Kryeministrisë ndërkohë shkruhej se “Sidoqoftë një bashkëpunim ne do ta dëshironim”.
Duket në Pallatin Kixhi i kishin besuar një ideje të ambasadorit të tyre në Paris, ku në materialin shpjegues të rastit Këlcyra ai pati nënvizuar për eprorët se për çështjen e tërheqjes formale të politikanit aktiv shqiptar nga marrja me profesionin e tij le të kishin pak durim e të pritnin. “Me kalimin e kohës do t’i vijë pak nga pak dëshira”, e kishte mbyllur gjykimin e vet kryediplomati Guarilia.

Për shqiptarët Italia është shteti më i mirë mes fqinjëve

Ambasadori Raffaele Guariglia ishte tepër i bindur se Ali Këlcyra do të vinte me këmbët e tij një ditë tek ta. Arsyetonte që në Francë, ku kishte shumë frymë kundër italiane dhe po ashtu antifashiste, ai mund edhe të bënte ndonjë trimëri, por në vendin e vet, të cilin italianët e kishin pushtuar dhe ia diktonin deri edhe marrjen e frymës, vështirë ta kishin tërësisht kundër.
Në Pallatin Kixhi e dinin se prej huqit të tij të vjetër të marrjes me politikë Ali Këlcyra nuk ndahej dot. I qe bërë mënyrë jetese. Nuk ishte shkëputur prej saj edhe në rrethana më të vështira, as në atdhe dhe as i emigruar si refugjat në qytetin e Barit apo në Romë, më pas në Vjenë dhe së fundmi në Paris.
Këtu, në kryeqytetin francez, pati qenë edhe më i zellshëm se në kryeqytetin austriak, ku me politikë qe marrë njëzetë e katër orë për njëzetë e katër. I ashpër me Ahmet Zogun, ditënatë kritikues ndaj tij, Ali Këlcyra nuk kishte qenë i butë as me Benito Musolinin. Ambasada e tyre kishte mbajtur shënim për gjithçka që pati shkuar nëpër gazeta.
Paraardhësit e Rafaele Guarilias në një raport informativ për Romën ishin kujdesur të mos i mungonte asnjë presje një interviste që Këlcyra në maj 1933 i pati dhënë në Paris gazetës “La libertà”. Me këtë rast poshtë emrit të autorit, sigurisht për t’ja maskuar identitetin e vërtetë, nuk qe vendosur fjala “politikan shqiptar”, por “akademik shqiptar”.
Në rreshtat e analizës së vet Ali Këlcyra vinte në dukje se ato çaste marrëdhëniet mes Ahmet Zogut dhe Benito Musolinit patën hyrë në një fazë mjaft të vështirë, pothuaj të një krize. Sipas Këlcyrës të dy krerët e vendeve përkatës kombinonin, sidomos në raportet financiare, frymë aleance dhe njëherësh kundërshtimi të fortë. Ali Këlcyra mendonte, dhe këtë gjë ambasada italiane në Francë e pati theksuar dukshëm në raportin informativ, se plani musolinian për ta kontrolluar plotësisht Shqipërinë po dështonte dhe po ashtu në faliment qe njëkohësisht edhe imazhi i regjimit të Zogut.
Ambasadori Rafaele Guarilia dhe paraardhësit e tij në Paris e dinin se Këlcyra e kishte të shpeshtë bashkëpunimin me shtypin francez dhe botimet e artikujve të tij qenë vazhdimisht me shigjetim kryesor Ahmet Zogun, por pa i bërë bisht edhe kritikave ndaj Musolinit. Sipas frymës së këtyre shkrimeve fashizmi ishte i papranueshëm dhe këtë opinion të tij Ali Këlcyra e linte t’i dukej.
Por ndërkohë ambasada saktësonte eprorët e vet për një veçanti: qëndrimi i politikanit shqiptar ndaj Italisë nuk qe krejt bardhë e zi. Këlcyra ishte i bindur se politika e jashtme e Romës ndaj Shqipërisë, me frymëzues Musolinin, ishte bërë mjaft agresive dhe kishte për qëllim shtrydhjen e saj si një portokalle. Doemos pas kësaj edhe shndërrimin në një koloni si Libia apo Etiopia.
Ndërkohë, çfarë edhe ambasada italiane në Paris e dinte në mënyrë të sigurt, politikani i njohur shqiptar qe shprehur hapur se “Italia ishte fqinja më pak e rrezikshme nga Serbia edhe Greqia” dhe në kushtet kur ajo nuk mund të qëndronte dot e pavarur ekonomikisht, në raport me të ishte e përshtatshme dhe e domosdoshme të kryhej një kompromis.

Mbret i Shqipërisë le të jetë një princ i familjes italiane Savoja

Sipas Ali Këlcyrës me Italinë qe e nevojshme të krijohej me domosdo një lidhje përparësie. Ky vlerësim si shtet i dorës së parë në rolin strategjik i bënte më të tulatura lakmitë territoriale dhe shovinizmin e ndezur grek dhe serb. Statusi i marrëdhënieve me përparësi për Romën, për aq sa ishte mbrojtëse për sovranitetin e Shqipërisë, kryhej si veprim i plotë me një gjest politik të fortë: mbreti i Shqipërisë të qe një princ prej familjes monarkiste italiane Savoja.
Për shembull një i tillë, mjaft i përshtatshëm, ishte Duka i Gjenovës.
Sipas Ali Këlcyrës, Italia dhe Shqipëria do të bashkoheshin nëpërmjet të njëjtës familje mbretërore. Kaq. Asgjë më tepër. Ai mendonte se me këtë veprim Shqipëria i jepte Italisë garancinë e plotë se nuk do të mbante kurrë ndonjë qëndrim kundër saj, siç shpesh i bënin presion dy fqinjët e tjerë.
Kjo donte të thoshte se Këlcyra nuk pranonte aspak vendosjen e kurorës shqiptare tek e njëjta kokë: Viktor Emanuelit III.
Kjo pikëpamje, edhe pse së jashtmi dukej si kompromis që e kapërcente përmasën e ruajtjes së pavarësisë kombëtare dhe mes nacionalistëve shqiptare zgjonte zemërim, ndërkohë shkaktonte edhe të kundërtën: nuk krijonte ndonjë besim italian në personin e tij.
E merrnin thjesht si një dinakëri.
Por në Romë shkaktonte dyshim të thellë edhe fakti që si socialdemokrat Ali Këlcyra kishte ruajtur dhe mbante lidhje në emigracion me politikanë italianë kundërshtarë të rreptë të Benito Musolinit dhe të fashistëve, sidomos me socialistin Petro Neni dhe socialdemokratin Xhuzepe Saragat. Madje ky i fundit pati bërë shumë në shtypin italian jashtë vendit për ta paraqitur Këlcyrën si eksponent të një partie socialdemokrate shqiptare, e cila në të vërtetë pati bulëzuar një çast në Tiranë në shtator 1924, por që u fik menjëherë pas ardhjes në pushtet të Ahmet Zogut, duke mos u gjallëruar kurrë më.

Përpjekja e parë e italianëve për ta arrestuar

Ambasadori Guarilia nuk ia kishte kujtuar më kot Ali Këlcyrës, gjatë bisedës për të kërkuar vizën e hyrjes në territorin italian, se gjatë kalimit nuk kishin për ta arrestuar. Kishte një histori të vjetër në themel, të ndodhur kur ende, pas largimit nga Shqipëria, gjendej si refugjat politik në Itali.
Ahmet Zogu po i përmirësonte me shpejtësi marrëdhëniet me Musolinin dhe gjatë vitit 1926 sjellja politike e autoriteteve vendase ndaj refugjatëve politikë shqiptarë të ngjarjes së quajtur Revolucioni i Qershorit, po ndryshonte për keq. Përherë e më shumë ata po bëheshin jo të dëshirueshëm. Ca më tepër i tillë ishte Ali Këlcyra, i cili ja kishte nisur politikës në Itali si të qe në shtëpinë e vet.
Kështu qeveria fashiste i dha urdhër karabinierisë lokale ta trëmbnin, pse jo, po ta shihnin të arsyeshme, edhe ta arrestonin.
Një karabinier e ndali në rrugë dhe i tha të vinte në kuesturë. Ali Këlcyra nuk kundërshtoi, por e pyeti për çfarë arsye po e thërritnin. Karabinieri e vuri në dijeni se eprorët e tij do ta merrnin në pyetje për punën e disa artikujve që botonte shumë shpesh nëpër gazeta. Dëshironin që vetë zoti Këlcyra t’u shpjegonte përmbajtjen e tyre.
Ndërsa po ecnin drejt kuesturës, me që ishte edhe kohë dreke dhe vërtet Ali Këlcyra kishte uri të madhe, por edhe sepse, siç i tha karabinierit, “në kuesturë do të kalojmë shumë orë dhe do të mbetem pa bukë”, e ftoi atë të uleshin në restorantin më të parë. Italiani nuk kundërshtoi, madje kjo gjë iu duk shumë gjë e sjellshme. Mendoi i sigurt se tjetri nuk kishte në kokë ndonjë plan për t’ia mbathur, sepse edhe kur e ndali dhe i përcolli urdhrin e eprorëve, Ali Këlcyra nuk dha asnjë lloj shënje se do të bënte rezistencë.
Mbasi hëngrën nga një pjatë makarona dhe prisnin gjellën e dytë, atë me mish, Aliu i kërkoi karabinierit të shkonte pak deri në banjo. Tjetri i dha leje. Por rasti e deshi që nevojtorja të kishte një dritare mjaft të madhe, e cila binte mbi rrugë, kështu që menjëherë vendosi të arratisej.
Nga dritarja u hodh në rrugë dhe prej andej me një frymë në stacionin e trenit. Për fat ato çaste një tren ishte duke u nisur dhe Ali Këlcyra pa prerë biletë dhe pa pyetur se për ku udhëtonte, hipi në njërin vagon. Treni, siç mori vesh, e kishte rrugën të gjatë. Duke kaluar treçerekun e Italisë ai do të dilte në verilindje dhe duke kapërcyer Triesten, do të ndalej në Beograd.

Advije hanëm Vrioni nga dhoma e mbyllur në Fier në bulevardet e Parisit

Rikthimi në Shqipëri kishte gjallëruar më shumë se Aliun, bashkëshorten e tij, Advije Dudush hanëmin. Daljen e letrave të lejes së udhëtimit ajo e priti si të qe një dasëm. Edhe pse e vogël, vetëm tre vjeç e gjysmë, e bija, Hana, vuri re se papritmas, sapo mori lajmin, e jëma prej ngazëllimit i bëri për pak çaste çapet shumë të vogla. Si të qe kukull teatri shëtitës për fëmijë.
Për këto hapa fare të shkurtëra Hana kishte dëgjuar nënën e vet, ndërsa njëzetë e pesë vjeçare siç ato çaste qe, ia kujtonte një ditë Aliut përjetimet e veta në muajt e parë të mbërritjes së saj në Paris. Nëpër kryeqytetin francez Advija ecte si të qe një japoneze, madje me hap më të vockël se ato. Ali Këlcyra në fillim ishte habitur, madje qe hutuar, duke mos aritur të kuptojë përse ndodhte kjo gjë. U bind menjëherë sapo e shoqja i shpjegoi mënyrën e jetesës në Fier.
Çapi i vogël i saj qe krijuar nëpër shumë vitet e rinisë, kur ishte, bashkë me tre motrat e saj jetime, pothuaj e mbyllur në një dhomë të madhe tek sarajet e dy xhaxhallarëve të Fierit, të cilët i kishin marrë nën kujdesje pas vdekjes së parakohshme të prindërve. Në këtë dhomë të madhe u patën vënë në çdo skaj nga një shtrat dhe kjo ishte e tërë bota e tyre intime. Në dëlirësinë vajzërore qenë të lira edhe kur lëviznin brenda sarajeve Vrioni, por ndërsa delnin jashtë këtij mjedisi, hidhnin mbi kokë çarçafin mysliman. U qe e ndaluar të ecnin në këmbë. Lëviznin të hipura në pajton.
Omar Pasha, xhaxhai i tyre i parë, më i fuqishmi i dinastisë për Fierin, mjaft fanatik në çështje të doktrinës islame, nuk qe aspak i tillë në ato të marrëdhënieve me shoqërinë. Kur projektoi dhe ndërtoi këtë qytet në kërthizë të Shqipërisë, saktësisht në një nyje të madhe komunikimi mes jugut të vendit dhe brezit të tij të mesëm që shkonte drejt veriut dhe Kosovës, ai qe bërë autor i një ngjarjeje befasuese dhe mjaft të emancipuar: me paratë e tij pati ngritur kishën e qytetit, faltoren në të cilën do të kryenin ritet e besimit të krishterë banorët ortodoksë të atij qyteti të ri.
Prej këtij veprimi çlirues qenë mahnitur dhe mbetur pa gojë tërë grupi i priftërinjve që shërbenin në Manastirin e Ardenicës, më të madhes qendër institucionale të asaj feje jo vetëm në fushën e Myzeqesë, por në të tërë Shqipërinë e Mesme e përtej.

Qehajai shumë besnik Muhamet Poli

Tashmë që ishin gati për të marrë rrugën e kthimit për në Këlcyrë, Hana e vogël shtrëngonte gjithnjë e më shumë në krahë “vëllanë” e saj, djalin kukull prej celuloide që i patën blerë me kohë i ati dhe e ëma, si edhe nisi të rishohë ëndrra për “vëllanë” tjetër që po priste në Shqipëri dhe për të cilin nuk e dinte se qe thjesht një gomar i pashëm, i lindur për rastësi në të njëjtën ditë të 8 marsit 1936 dhe pothuaj në orë të përafërt.
Një mall i ndezur për takim i depërtonte në krahasor dhe bënte që t’i rrihte fort zemra, për Polin, qehajanë e familjes Këlcyra. Ai, sapo ajo kishte lindur, i erdhi në Paris për ta parë e për t’iu gëzuar pasardhëses së re të dinastisë.
Poli qe një fshatar nga Katundishta dhe pati hyrë në derën e Këlcyrajve si qehaja shumë vite të shkuara. Kur mbreti Zog në mesin e viteve tridhjetë nxori nga burgu Muhamet beun, të parin e familjes, të cilin e pati futur në birucë për bashkëpunim me grupe politike që donin ta rrëzonin, ky i thirri të katër qehajallarët që kishte dinastia dhe u bëri të ditur se tashmë, i dëmtuar prej burgimit, por edhe nga dy konflikte të mëparshme me qeverinë e Zogut, nuk qe më në gjendje t’i mbante financiarisht.
Tre prej tyre, më të vjetrit dhe po ashtu më të rëndësishmit, u shprehën se e kuptonin situatën dhe për këtë ndjenin keqardhje të sinqertë. Thanë se do të ktheheshin në shtëpitë e tyre në kërkim të ndonjë pune dhe do të pritnin me durim kur të ndërronte gjendja. Ndërsa kjo do të ndodhte, dhe për këtë kthesë kishin besim, me t’u dërguar lajmi, do të riktheheshin në krye të punëve administruese nëpër çifliqe.
Muhamet Poli, qehajai i katërt dhe më i riu i tyre, madje fare i njomë në moshë, tha se nuk do të ikte. “Nuk di të bëj punë të tjera”, pohoi çiltërsisht.
Atëherë Muhamet beu u përpoq ta sqaronte edhe njëherë tjetër se nuk qe në gjendje ta pagonte. Poli u përgjigj se do të punonte pa para deri sa të ndryshonte situata ekonomike e familjes Këlcyra. Kur Muhamet beu e pyeti “por si do ta ushqesh familjen”, qehajai me moshë shumë të re nguli këmbë: “Natën do të bëj raki edhe dy herë në muaj do të shkoj në Greqi ta shes. Ditën do të punoj për ju”.
Kur lindi Hana, Poli i kërkoi Muhamet beut 40 napolona flori borxh dhe udhëtoi për në Paris për të parë të voglën e Ali Këlcyrës dhe të Advije Dudush hanëm Vrionit. Pasi e pa dhe e qafoi butësisht dhe i puthi duart, shkoi në jug, në Montpeljé, në qytetin ku Enver Hoxha, me bursë të plotë nga shteti i vet, pati lënë pa kryer studimet e tij të larta për biologji.
Muhamet Poli shkoi menjëherë në minierat e Macif Central.
Punoi atje nën dhe për tre javë rresht. Pastaj mori rrugën e kthimit për në Këlcyrë. Sapo mbërriti këtu i ktheu Muhamet beut të hollat që i pati marrë hua dhe të tjerat i mbajti për familjen.
Poli punoi pa pagesë për Këlcyrajt për plot gjashtë vjet.


TAKIME TË FSHEHTA PËR TË KRIJUAR NACIONALIZMËN SHQIPTARE, BALLIN KOMBËTAR TË ARDHSHËM

Shkrimi i tetë

Fillimisht ishin nacionalistë antizogistë

Në raportin që Ali Këlcyra i bëri në 23 shkurt 1945 oficerit britanik të zbulimit politik shkruante: “Ne erdhëm në Shqipëri dy javë pasi plasi lufta, në shtator 1939”. Në mënyrë kalendarike kjo do të thotë 15 shtator, sepse zyrtarisht njihet si data e shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore 1 shtatori 1939.
Në raportin e detyruar për Ministrinë e Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe, më tej nga sa cituam më sipër, Këlcyra shënon: “Disa javë pas ardhjes sonë, së bashku me Mit’hat Frashërin, Fuat Dibrën, Hasan Dostin, Nuredin Vlorën, Faik Qukun, Kol Tromarën, por dhe patriotë të tjerë, ne formuam një organizatë të re që e quajtëm Balli Kombëtar, në të cilën unë zura një vend si anëtar në Komitetin Qendror”. “Disa javë” pas ditëve të para të shtatorit 1940 do të thotë edhe fundi i këtij muaji.
“Kjo organizatë, vijon rrëfimin e jetës së tij politike Ali Këlcyra, ishte brumosur nga interesat patriotike të vendit për të luftuar kundër armiqve për interes të vendit dhe ekzistencës gjeografike të tij”.
Ky pohim real në kohë (mars 1945) pajtohet me çfarë na ka pohuar jo vetëm njëherë Hana Klissura. Sipas saj, organizata “Bashkimi Kombëtar” u krijua për të luftuar mbretin Zog. Kjo u shua dhe në vend të saj u ngrit organizata “Balli Kombëtar”, misioni kryesor i të cilës në ditëthemelimin e saj qe lufta kundër pushtimit italian.
Më pas, në shtjellimin e subjektit tonë, do të kemi rast të vëzhgojmë nga shumë afër nëse pas gjysmës së dytë të vitit 1943 BK e ruajti profilin e parë apo e devijoi atë në një objektiv me përparësi komunizmin, pra PKSH dhe Lëvizjen Nacionalçlirimtare.

Ardhja në Këlcyrë, natë e errët dhe pastaj një mëngjes plot diell

Duke ndjekur ngjarjen e rikthimit, pas pesëmbëdhjetë vitesh emigrimi politik, të Ali Këlcyrës në Shqipëri, mëshojmë në hollësitë e rrethanave si ndodhi. Sipas Hana Klissurës dhe një interviste të saj të botuar në një të përditshme të Tiranës, “Jemi kthyer në Shqipëri në ’39-n nga Parisi dhe nëpërmjet Italisë arritëm në Brindisi. Mandej në Sarandë, me një udhëtim që zgjati rreth 10 ditë”.
Më tej ajo përshkruan: “Kujtoj si fillim përshtypjen që më bënin dritaret e rrumbullakëta të vaporit e pastaj errësirën që gjetëm në Këlcyrë, sepse nuk kishte elektricitet. Shandanët që mbanin personeli i shërbimit në shtëpinë e xhaxhallarëve të babait, ishin shumë të lartë, ndërsa unë shumë e vogël dhe kjo më krijoi një ndjesi frike prej hijes që bënin. Gjatë gjithë asaj nate të parë, ndjeva frikë. Pastaj në mëngjes, pamja e parë që pashë nga dritarja e dhomës sime rozë, ishte ajo e sarajeve të vjetra të familjes: çdo gjë mu ngulit në kujtesë e prej asaj dite unë mbaj mend gjithçka”.
Njëherë tjetër këtë ngjarje shumë gjurmëlënëse në jetën e saj Hana e rrëfen me këto fjalë: “Kështu që kur erdha në Këlcyrë natën e tmerruar nga hijet që provokonin ato shandanët e rënda që mbanin hyzmeqarët nëpër duart dhe nga pesha u dridheshin pak. Në tavan më kishin bërë një dhomë prei druri që e kishin lyer krejt rozë edhe që kishte një pamje të madhe përmbi sarajet e ndriçuara nga dielli i mëngjesit. Kështu që nga ajo minutë u dashurova me atë vend që e di që nuk më duan më, por që më kanë dashur°.
Ose në një herë të tretë, kur ja treguar autorit të këtyre radhëve: “Si tani e mbaj mend. Dalin disa burra. Unë u tmerrova se kur hyra në shtëpi filluan të më puthnin të tërë. U tremba nga hijet e tyre nëpër mure dhe në tavan. Ishin shumë. Më çuan në një dhomë ekstra në çati. Kur u zgjova, më doli përpara Këlcyra. Nisi dashuria me Këlcyrën”.
Në këto çaste Hana Klissura është një fëmijë tre vjeç e gjysmë, madje as kaq nuk i kishte mbushur plotësisht. E lindur në Paris në 8 mars 1936 Shqipërinë deri ato çaste ajo e pati një rrëfenjë folklori, pak a shumë një përrallë të treguar me mall prej prindërve të saj, sidomos ëmbëlsisht si të qe një ninullë, nga e jëma, Advija.
Sapo u takua me pjesëtarë të familjes, sidomos me xhaxhanë kryesor, të fundmit bej pushtetushtrues që do të kishte oxhaku Këlcyra, Muhamet beun, Hana e vogël kërkoi të shihej me “vëllanë”, gomarin i cili kishte lindur në Këlcyrë në po atë vit, ditë dhe orë të daljes së saj në jetë.
Ky takim në kujtesën e të voglës, ende i ruajtur sot, kur është një tetëdhjetë vjeçare, pa humbur nëpër kohë asnjë detaj emocionues, është përshkruar me fjalë të tilla: Për autorin e këtij cikli shkrimesh “Zbrita poshtë. Kërkesa e parë: “Dua të shoh vëllanë!” Ma sollën. Ishte shumë i bukur, me dy gri. Doja ta puthja”. Për shtypin Hana ka përshkruar: “Me të vërtetë më deshi përnjëherë. Unë i bleva xhufka që të dallohej nga të tjerët. Çuditshmërisht më donte, më mbante përmbi samarët, ndërsa rrëzonte çdo njeri që donte t’i hipte. Dhe e kishin mësuar të mbante pesha të rënda si material ndërtimi. Dy herë ditën shkonte tek “Syri i kaltër” për të marrë ujë të ftohtë që e pinim me shtëmba”.
Ndërkaq veprimi kryesor që në ditët e para të mbërritjes në Këlcyrë kreu Aliu, tashmë mashkulli i fundit i dinastisë, pasi vërejti administrimin e shkëlqyer të pronave prej qehajait Muhamet Poli, qe dhënia e pagës. Ia ktheu trefish. Nga gjashtë paga vjetore i numëroi në dorë plot tetëmbëdhjetë të tilla.
Muhamet Poli këtë nuk do t’ja harronte për tërë jetën.

Udhëtimi konspirativ i Ali Këlcyrës nëpër Shqipëri

Sapo qenë mbushur dy javë qëndrim në Këlcyrë, kur Aliu tha se më në fund qe çmallur me të vetët, me të njohurit në krahinë si edhe me gurët e vendlindjes. Shtoi se tani i binte për detyrë t’i njihte bashkëshortes, Advije Dudush hanëmit, Shqipërinë dhe qytetet e saj kryesore, të cilat ajo nuk i kish parë dhe vizituar ndonjëherë.
Kur tha kështu edhe vrionasja e bukur që e shihte gjithnjë në sy të shoqin, bëri me kokë një shenjë pohimi.
Hana e vogël brofi nga gëzimi, sepse do të qe edhe ajo me këtë shëtitje të këndshme të dy prindërve të saj, por mbeti e shtangur kur ata i thanë se do të iknin vetëm të dy. Sidoqoftë e qetësuan se do të riktheheshin mjaft shpejt.
E vogla tre vjeç e gjysmë u mbush me zëmërim, por nuk e shfryu.
Ali Këlcyra dhe Advije hanëmi ikën. Kaloi java e parë dhe nuk u rikthyen. Kapërceu edhe një muaj i tërë dhe sërish ata dy nuk u shfaqën.
Ndërkaq xhaxhallarët dhe veçanërisht Muhamet beu, të cilin Hana nisi ta thërrasë “gjygjysh”, nisën t’i shpjegojnë të voglës se cila qe familja e tyre, çfarë detyrash kishin përballë krahinës dhe vendit, ajo që populli priste prej oxhakut të Këlcyrajve. Çfarë thoshin ata ndryshonte disi prej asaj që Hëna pati dëgjuar nga e ëma, e cila e romantizonte gjithçka vetëm e vetëm që çdo skaj i Shqipërisë t’i dukej të bijës toka më e bukur dhe më pa probleme në të tërë globin.
Xhaxhallarët e sidomos Muhamet beu, qenë më konkretë, madje edhe se vetë i ati, Aliu, që ta merrte mendjen me talentin e tij të gojëtarisë. Gjygjyshi në bisedat e organizuara posaçërisht me të voglën e porsaardhur prej Parisit, ngulte këmbë se qeverisja e familjes, e prestigjit dhe e pronave të saj, duhej të mbeste në një dorë dhe ky doemos do të ishte vëllai i saj, Sipas tij, Aliu ashtu edhe Advija po përpiqeshin ta lindnin sa më shpejt. Djalin po e prisnin ata dy, por edhe tërë familja Këlcyra në vendlindje.
Hana nuk qe kurioze ta pyeste përse nuk mund të ishte, si trashëgimtare dhe vazhduese, një nga vajzat, për shembull Shega, e bija e vetë Muhamet beut. Ishte xhaxhai i duruar që i shpjegonte Hanës se ajo dhe Shega do të merrnin vetëm pronat e nënave të tyre, kurse Këlcyra do t’i mbetej djalit.
Hanës kujdeseshin ta formonin me shpirtin e biografisë së dëgjuar të oxhakut të tyre, patjetër edhe me cilësinë e përkatësisë dhe të kryelartësisë kombëtare. Dy herë në javë e dërgonin lart, tek sarajet e djegura prej grekëve, por që nuk e kishin humbur siluetën e madhështisë. Ishte një piknik i organizuar qëllimisht, ku bashkë me ushqimin e bollshëm e të shijshëm dhe një tavoline portative që i vendosej përpara, Hanën e shoqëronin edhe Minushja, Popa dhe Vefi, tre vajza të cilat qenë jetime dhe rriteshin tek familja Këlcyra. Popa ishte nga Zhepova, dy-tre vjeçe më e madhe. Qe me mjaft fantazi, shpesh me to ia tralliste gëzueshëm mendjen Hanës. Minushja ishte me flokë të kuqe dhe gësheta të gjata. Qe shume e urtë. Vefi ishte tre vjeçe dhe qe mbesa e Tikës, një gruaje që merrej vetëm me bulmetin. Ajo kujdesej edhe për shpendët e shtëpisë, pulat dhe patat. Tika dy herë në ditë bënte edhe bukën, e cila ishte e zezë dhe plot aromë gruri të freskët.
Vinte në këtë piknik të gëzueshëm dy herë në javë edhe Astriti, i biri i adoptuar i qehajait Muhamet Poli.
Kështu, pak nga pak, Hana u bë një këlcyriote shtatë karatësh. Çdo gjë në ato thepa malesh e deri poshtë në luginë, gjithçka që prej sarajeve të djegura lart e deri në shtëpitë e mëdha të Muhamet beut, i dukeshin magjepse. E linin gojëhapur veshjet prej argjendi të kuajve, kostumet popullore shqiptarçe të truprojave vullnetare, ai korridori i ngushtë nga ku, mbi bedena, si në kështjellat angleze, ata kalonin për të ruajtur dhe mbrojtur vendbanimin e familjes Këlcyra.

Nga tre oborret e brendshme të sarajeve tek kasollet e popullit

Hanës ia ngacmonin fantazinë tre oborret e brendshme të kompleksit të sarajeve të tyre të mëparshme, të ndërtuara në një mënyrë të tillë që askush brenda kalasë nuk mund të vritej nga jashtë, madje edhe duke ja dalë të kacavirrej deri lart mbi mure.
Këlcyra po bëhej përditë e më shumë imazhi më shkëlqyes i jetës së saj të porsanisur, guri i çmuar i dekadave të mëpasshme. Themeli i identitetit të Hana Klissurës. Parisi qe tepër larg atyre maleve dhe asaj lugine lumi që buçiste dhe ta mbushte kraharorin me gjëmim e forcë.
Ndërkohë gjygjyshi kujdesej që Hana këlcyriotja pak vjeçare të takohej me njerës të popullit kudo nëpër fshatrat përreth, veçanërisht bujq të çifliqeve të tyre. Edhe në këtë përpjekje edukimi dhe argëtimi të së voglës përdorte formën joshëse të piknikut. Gjithsesi Hana shkonte vetë me qejf tek njerëzit e popullit të thjeshtë sepse shpëtonte, më së pari, nga shtrëngimet e rënda të protokollit të sjelljes që kishte dinastia: Mos fol në tavolinë kur flasin të mëdhenjtë, të hash çfarë të vënë në pjatë, t’i mbash duart drejt në tavolinë dhe rrylat poshtë, mos qesh dhe mos e ngri zërin!
Së dyti, liria e vizitave tek familjet e bujqve i jepte kënaqësinë të shijonte gjellët e tyre, të varfëra por shumë ndryshe nga ato që i shtroheshin në shtëpinë e vet: çorba me trahana të bardhë, qepa, dhalla, buka e misrit.
Hana i gëzohej këtyre vizitave tek bujqërit sepse kur hynte nëpër shtëpitë e tyre ata e puthnin dhe i thoshin me gëzim “Kush na erdhi!” Kishte plaka që e shtrëngonin fort në gji.
Madje pas këtij veprimi ato, me Hanën në krahë, nisnin të qanin. E vogla, në pamundësi ta shpjegonte pse ndodhte kështu, hutohej. Prandaj një ditë pyeti gjygjyshin.
Muhamet beu i tha se plakat qanin nga pikëllimi që ajo nuk ishte djalë dhe për pasojë familja Këlcyra do të mbyllej, duke rënë më pas prona kush e di në cilat duar të huaja.
Hana pati mbetur e habitur prej shpjegimit të gjygjyshit dhe madje pati thirrur penguar: “Ama, për këtë gjë qajnë!”
Të nesërmen me kokë të vet shkoi tek berberi i Këlcyrës dhe i kërkoi ta qethte si djalë. Ky në fillim e pati vështruar i çuditur, por pastaj nuk qe vonuar asnjë grimë. I kishte futur gërshërët mbi flokë dhe sa hap e mbyll sytë Hana Klissura në pamje qe shndërruar në çun.
U rikthye në shtëpi dhe i doli përpara Muhamet beut. Ishte buzagaz dhe e sigurt se kështu më në fund e kishte zgjidhur çështjen e trashëgimtarit të oxhakut Këlcyra.
Tjetri, doemos, pati qeshur me të madhe.

Me Mit’hat Frashërin: krijohet në fshehtësi organizata “Nacionalizma Shqiptare”

Pas largimit të prindërve kaloi edhe muaji i dytë dhe i treti i bëri ditët e para, për Hanën në pritje, tepër pikëlluese. Më në fund i mbushi ditët e mungesës edhe muaji i tretë. Nisja e të katërtit për të voglën qe vetëm ankth, ditënatë. Ishte mbushur plot me maraz. Tashmë qe bindur se prindërit e saj e patën braktisur.
Por, tepër e vogël për t’i kuptuar të gjitha punët e të rriturve, ajo nuk e dinte se i ati nuk po bënte ndonjë shëtitje turistike nëpër Shqipëri, por po merrej me pasionin dhe huqin e tij të vjetër: politikën. Bashkë me të shoqen dhe i maskuar prej pranisë së saj, kishin qëndruar për ditë të tëra në qytetet e jugut, Vlorë, Gjirokastër dhe Vlorë. Pastaj qenë ngjitur në Elbasan, Durrës dhe në Tiranë, për të shkuar edhe më lart, në Shkodër. Në vijim ishin rikthyer në kryeqytet.
Në të gjithë këtë “shëtitje njohëse” Ali Këlcyra qe takuar me nacionalistë të ndryshëm, kish biseduar dhe shkëmbyer mendim se si duhej vepruar më mirë për të bërë qëndresë ndaj fashizmit. Ai disa herë ishte takuar me Mehdi Frashërin, kushëririn e tij dhe këtë e pati kryer edhe gjatë kohës kur ishte kryeministri i Ahmet Zogut. Deri edhe në Gjenevë qenë riparë, kur vinte të merrte pjesë në mbledhjet e Lidhjes së Kombeve.
Për ta takuar e biseduar me të Ali Këlcyra nisej posaçërisht nga Parisi. Pikëtakimet i kishin të rregulluara larg vështrimit të informatorëve të Ahmet Zogut, i cili me siguri i dinte, por do të inatosej shumë në rast se ato do të bëheshin hapur dhe me krekosje sfide ndaj tij.
Ali Këlcyra ato muaj të “shëtitjes” nëpër Shqipëri ishte takuar edhe me Mit’hat Frashërin, të cilin deri atëherë e njihte, por nuk qenë bërë kurrë miq apo bashkëpunëtorë. Kjo më shumë për shkak të distancës së moshave të tyre. I biri i Abdyl Frashërit qe njëzetë vite më i madh.
Ambasadori italian në Paris, Raffaele Guariglia, pati shpresuar se Këlcyra do të rikthehej në marrjen me politikë, por në favor të një bashkëpunimi me ta, aspak në të kundërt. Me çfarë po bënte gjatë fundvjeshtës 1939 dhe tashmë edhe përgjatë janarit 1940, Ali Këlcyra nuk e kish mbajtur premtimin as ndaj tij personalisht dhe as për qeverinë në Romë.
Siç edhe ia pohon në raportimin me shkrim oficerit britanik të zbulimit politik në 23 shkurt 1945, i takon kësaj periudhe të largimit të tij të zgjatur nga Këlcyra, tërë procesi dhe momenti kur është kryer në sekret krijimi i organizatës “Nacionalizma Shqiptare”, “Balli Kombëtar” i mëpasshëm.

Nervozohet mëkëmbësi Françesko Jakomoni

Pikërisht kur Ali Këlcyra, i larguar nga vendlindja bashkë me bashkëshorten Advije, ndodhej në Tiranë, përjetoi edhe një ngjarje që do të ndikonte në veprimet e tij të mëpasshme.
Mëkëmbësi në Shqipëri i mbretit Viktor Emanueli III, Françesko Jakomoni, dëshiroi një bisedë me intelektualë të spikatur të vendit. Autoritetet shqiptare që ishin në qeverinë dhe administratën e gjendjes së pushtimit, morën të gjitha masat për organizimin dhe mbarëvajtjen e saj.
Ftuan edhe Ali Këlcyrën.
Pasi Jakomoni ua përcolli pjesëmarrësve idetë e veta, shtoi se qe mjaft i gatshëm t’i dëgjonte. Mes atyre që u shprehën, gjeti kohën e përshtatshme për ta marrë fjalën edhe Aliu.
Se çfarë Këlcyra ka thënë konkretisht nuk është gjetur e shkruar, madje as Françesko Jakomoni në librin e tij për vitet shqiptare. nuk e përmend. Kjo, sidoqoftë, nuk do të thotë se ngjarja nuk ka ndodhur.
Aliu në diskutimin e vet, me gjuhën brisk, siç e kishte, u shpreh në thelb se pushtimi ushtarak i Shqipërisë kishte qenë një veprim i gabuar i Italisë, gjest i tepruar, i cili i krijonte probleme jo vetëm shqiptarëve, të cilët historikisht asnjëherë nuk kanë qenë antiitalianë, por edhe vetë asaj.
Ali Këlcyra gjatë fjalës së vet nuk qendroi gjatë tek ideja e tij, e cila qe edhe e jo pak të tjerëve të sërës së lartë. Sipas saj Italia e kishte të kontrolluar Shqipërinë me mjete paqësore, ekonomike veçanërisht, dhe nuk duhej të kishte përdorur forcën e kryqëzorëve, të avionëve, tankeve dhe njerëzit me helmeta.
Gjatë tërë ligjërimit të Ali Këlcyrës mëkëmbësi i Viktor Emanuelit III e dëgjoi me durim, por u duk qartë se i qe prishur humori. Politikani shqiptar i ngjau me një llafazan egocentrik, që i pëlqen të bluajë fjalë pa pushim.
Pas takimit me intelektualët shqiptarë Françesko Jakomoni gjeti një rast dhe i pyeti disa prej organizatorëve se cili e kishte ftuar folësin e mësipërm. Përgjigjen e dha ministri i Arsimit, Anton Koliqi. Ali Këlcyrën e pati ftuar ai.
Jakomoni heshti, por u zemërua ca më tepër prej asaj që ndodhi. Kur të ftuarit më në fund qenë larguar dhe ai u rikthye në zyrën e vet, tashmë e kishte marrë një vendim. Ali Këlcyrës do t’i tregonte një kërcëllitje dhëmbësh. Politikani shqiptar i ardhur nga Parisi me zotimin se në atdheun e tij do të merrej vetëm me punët e veta private, e kishte kapërcyer “vijën e kuqe” të mirëbesimit.

ALI KËLCYRA ITALIANËVE: GREKU MUND TË SHESË GRUAN, POR JO ATDHEUN. MOS I SULMONI!

Shkrimi i nëntë

Ali Këlcyra dhe Advije hanëmi u kthyen nga “shëtitjet njohëse” nëpër Shqipëri pikërisht ato çaste kur Hana e vogël nuk besonte më se do t’i shihte. E jëma rendi menjëherë drejt saj për ta përqafuar. I tha “Hajde tek mamaja!”, por zemërakja e vogël bëri enkas sikur nuk e njihte fare.
E shtyu me krahë të ëmën si të qe një njeri i huaj.
Advija e përsëriti hapjen e krahëve, akoma më përmallshëm, por e bija e vështroi ftohtë, pa lëvizur asnjë qepallë.
Atëherë ajo klithi: “Më paska harruar çupa!”
Hana sërish si akull.
Advije hanëmi shpërtheu në lot. Kur të qarët e saj e gulç u bënë dënesë, e vogla iu hodh si mace e vogël në krahë dhe i tha “Jo, mama, nuk të kam harruar”.
Këtë herë lotët e të jëmës qenë shi i rrëmbyer: “Nuk më paska harruar, nuk më paska harruar!” dhe e shtrëngonte fort në kraharor.

Mos na krijoni plagë të reja në marrëdhëniet me grekët!

Italianët nuk e kishin shpallur ende sulmin e tyre kundër Greqisë, kur e thirrën Ali Këlcyrën për t’i kërkuar bashkëpunim. Kishin muaj që njerëzit e Romës kontaktonin me shqiptarë me ndikim tek bashkëkombësit e tyre dhe në mënyrë të tërthortë u kërkonin përkrahje në një fushatë të gjerë propagandistike kundërjugosllave dhe antigreke. Gjithçka mbulohej me një ngulëkëmbje se shqiptarëve u kishte mbërritur ora e favorshme t’u kthehej e drejta e tyre historike për të marrë Kosovën dhe Çamërinë, duke krijuar kështu Shqipërinë e Madhe.
Ndryshe nga disa të tjerë Ali Këlcyrën e patën thirrur për t’i ditur opinionin dhe tërhequr në anën e tyre, vetëm disa ditë para se sulmi ushtarak të ndodhte realisht.
Pra duhet të ketë qenë mesi i tetorit 1940.
Ndryshe nga çfarë kishte diskutuar përballë Françesko Jakomonit, ngjarje të cilën nuk e zinte shumë në gojë dhe përherë kërshërisë së të tjerëve për ta ditur hollësisht i binte shkurt, çfarë polemike pati me rastin e Greqisë e ka përshkruar vetë. Hana Klissura e ruan të plotë këtë mbresë kujtimesh të të atit. Kur e ka mësuar doemos që i ka bërë shumë përshtypje.
Zyra e lartë e administratës italiane të pushtimit, e cila e thirri në një bisedë informuese, trupave kundër grekut, kështu duke luftuar kundër tyre, i Ali Këlcyrës se shteti helen vazhdonte të mbante të rrëmbyer prej trojeve shqiptare një krahinë të tërë si Çamëria dhe se ajo duhej të çlirohej dhe t’i bashkohej vendit amë. Sipas personit që e thirri, Benito Musolini pati shprehur dëshirën që me ushtrinë e tij fitimtare ta kryente këtë vepër miqësie me popullin ilir të shqiptarëve, por gjithsesi donte të dinte si e gjykonte një veprim të tillë një politikan, i cili kishte vuajtur shumë prej dhunës greke, duke pësuar madje djegien e vetë banesës së madhe kështjellore të familjes.
Aliu fillimisht nuk pati shprehur në fytyrë, as në vështrim, ndonjë lloj ndjenje entuziazmi apo refuzimi. Qe i ftohtë dhe indiferent, si të ishte një kryeneç që mbahej shumë më sipër se funksionari i lartë.
Tha qetësisht se italianët ai i kuptonte fare mirë në çfarë po projektonin ndaj Greqisë, por për rezultatin e ndonjë sipërmarrjeje ushtarake nuk qe i sigurt se kjo ishte mënyra e vetme për t’ia dalë mbanë.
Italiani i lartë i vuri në dukje se suksesi ushtarak qe fare i padyshimtë dhe se do të mjaftonin vetëm tri javë që trupat e tyre të ndodheshin në Athinë e pas kësaj Çamëria të bashkohej me Shqipërinë.
“Unë lutem që të mos e bëni këtë sulm!”-shqiptoi Ali Këlcyra. “Mos e bëni, sepse do të humbisni”, përsëriti.
“Përse?”, pyeti tjetri.
“Sepse nuk jeni të përgatitur. Po vjen dimri dhe ushtria juaj ende është me veshje vere”.
“Ju thamë se për tre javë do të jemi në Athinë”.
“Gaboheni. Grekët janë trima dhe do të rezistojnë shumë”.
“Ne i kemi paguar me para të thatë në dorë gjeneralët më kryesore të ushtrisë greke. Dhe jo vetëm ata”.
“Këtë e besoj, por ata paratë i kanë marrë dhe sërish do të luftojnë kundër jush. Greku nuk e tradhton atdheun e vet. Ai gruan e shet, por Greqinë jo”.
“Megjithatë ju, zoti Këlcyra, keni një rast shumë të mirë që të merrni hak për sarajet e djegura”.
“Nuk jam mësuar që për problemet e mia personale t’u qahem të tjerëve dhe t’i zgjidh ato me mundin e tyre. Sarajet tona u dogjën për Shqipërinë dhe historia e vendit tim më mëson të bëjmë kujdes në përplasjet me fqinjët. Veçanërisht në marrëdhëniet me grekët na janë hapur plagë të mëdha”.
“Përse i arsyeton kështu ngjarjet, sikur të duash të kapësh veshin e majtë me dorën e djathtë? Ne premtojmë që në çlirimin e Çamërisë të derdhim gjak italian. Ju thjesht bashkohuni mendërisht me ne”.
“Nuk ngul këmbë mëkot në marrëdhëniet shumë të vështirësuara të vendit tonë me Greqinë, sepse, dhe këtë po ua them drejtpërsëdrejti, lufta që do të kryeni do të na i shtojë edhe më plagët me helenët. Do të na lini pas një barrë të rëndë”.
“Ju dogjën sarajet, merrni hak!”
“Ju lutem, më mirëkuptoni! Midis Greqisë dhe Italisë unë, si të gjithë shqiptarët, kam zgjedhur si më të afërtën atdheun tuaj. Por, edhe njëherë tjetër ju lutem, mos e nisni këtë luftë sepse keni për ta humbur!”
“Bashkohuni me ne! Kini përpara një mundësi të shquheni si largpamës”.
“Nuk ua kuptoj besimin se do t’ia dilni mbanë”.
“Ne do të fitojmë. Për tri javë do të jemi në Athinë, por pas këtij refuzimi për të bashkëpunuar ju do të ndiheni i vetmuar”.
“Mos më bëni presion! Kur mora lejen nga autoritetet më të larta të Romës që të kthehesha në Shqipëri, para se të nisesha nga Parisi, ambasadori juaj më premtoi se mbi mua nuk do të binte asnjë presion politik”.
Funksionari i lartë italian nuk i ktheu përgjigje, por shfryu, madje gati shkrofëtiu.
Ai nuk e dinte se për sarajet e djegura Ali Këlcyra kishte marrë hak menjëherë. Ndërsa pas bombardimit me top ato po digjeshin, i ndodhur rastësisht në një vend tjetër, por në afërsi, shumë fshatarë iu mblodhën përreth dhe, ndërsa shihnin të trishtuar përflakjen e madhe të kështjellës, sapo zjarri dha shenjën se po fikej, i thanë të shkonin për të luftuar grekët. “Boll pamë”, thirri njëri prej tyre, i armatosur me pushkë dhe shpatë, kobure po ashtu. “T’u vërsulemi!”, shtoi.
Aliu nuk kundërshtoi, por sqaroi se kurrë nuk kishte prekur një armë me dorë. Nuk dinte të luftonte me to, përveç se me fjalë. “Luftojmë ne, u përgjigjën shumë prej vendasve, ti na rri në krye!”
Muhamet beu, i cili ndodhej aty, ndërhyri për të mos e lejuar Aliun të përfshihej në përleshje, sepse i paditur në përdorimin e armëve dhe i ndodhur në rresht të parë të përleshjes do të vritej menjëherë, por qe vetë i nipi që këmbënguli: “Kam dhënë fjalën”.
Luftoi kundër grekëve atë ditë, por edhe shumë më pas, duke marrë në mbrojtje vazhdimisht muhaxhirët e shumtë që prej dhunës së andartëve dhe ushtarëve shkuan për t’u strehuar në ullishtet e Vlorës. Aty ndodhi që priti Princ Vidin me mbretëreshën Sofie, të ardhur posaçërisht për të parë gjendjen.
Fjalën e pritjes së tyre, për shkak se Sofia nuk e kuptonte shqipen, Ali Këlcyra e mbajti në frëngjishten e tij të shqiptuar shkëlqyeshëm.

Ikje e shpejtë nga Këlcyra

Jeta e familjes Këlcyra vijonte në rrjedhën e saj të zakonshme, ku Aliu largohej drejt Tiranës për ndonjë kontakt politik e pastaj rikthehej për të vazhduar rindërtimin e dyqaneve. Shtatë apo tetë të tillë i kishte riplotësuar me punime, bërë me mure të fortë dyfish që të mos i druheshin një djegie tjetër, kur një paradite e fundtetorit 1940 Hana Klissurës i sjell ndërmend se si i jati hyri papritur në oborr të banesës së tyre në Këlcyrë, e kapi për mesi, e ngriti në ajër dhe e futi në një kamion që sapo kish ndalur në rrugë. Mori edhe Advijen. Hodhi mbi karroceri edhe disa valixhe dhe morën rrugën drejt Vlorës. Këtu e gjetën shtëpinë bujtëse, atë të tezeve vrionase Hedije hanëm dhe Ruhije hanëm, të mbyllur dhe fjetën në hotel. Hana qe e hutuar jo vetëm përse do ta gdhinte natën në një bujtinë, çfarë vërtet nuk i pëlqente fare, por edhe përse mungonin kushërirat, ku patën shkuar.
Një ditë më pas u nisën për në Fier. U sistemuan menjëherë në shtëpinë e Vrionëve, ku edhe Advija kishte çifligun e saj në fshatin Muçan. Nuk patën filluar të shplodheshin sadopak prej atij kalvari kur u kuptua përse Ali Këlcyra kishte zhvendosur me shpejtësi familjen e vet. Pati filluar lufta italo-greke, 28 tetor 1940.

Arrestimi i dytë i Ali Këlcyrës nga italianët

Ndërsa zhvilloheshin luftimet mes ushtrisë italiane dhe asaj greke, madje pati nisur edhe tërheqja e trupave fashiste të Musolinit, të tre shkonin herë pas here në Muçan. Në të vërtetë Advija vinte rrallë dhe kështu rrugën për në çiflig Hana më shpesh e bënte e hipur mbi një qerre të stolisur enkas për të dhe Aliu ulur në një karocë të tërhequr nga kuaj.
Karabinierët duket e dinin saktësisht ku ndodhej përderisa automobili me dy prej tyre u ndal pothuaj tek këmbët e tij. Baba e bijë qenë në buzë të një pylli ngjitur me çifligun kur të porsaardhurit iu afruan Ali Këlcyrës dhe diçka i thanë mënjanë. Ky i dëgjoi në heshtje, ndërsa Hana prej gojës së karabinierëve ndjeu të shqiptoheshin plot mirësjellje fjalët “zoti kont”.
Aliu ndërkaq pohoi diçka me kokë dhe iu largua me kujdes grupit të disa bujqve që po punonin aty afër. “Hajde me mua”, i tha Hanës dhe e mori të bijën prej dore. Pastaj hipi qetësisht në makinën e karabinierëve. Kur shkuan në shtëpinë e tyre në Fier Ali Këlcyra nxitoi të futej në dhomën e gjumit dhe Hanës i bëri përshtypje se si njeri prej italianëve e ndoqi nga pas të atin, duke hyrë edhe ai në dhomë. Një sjellje e tillë qe e paimagjinueshme, sepse të huajt si edhe të gjithë miqtë Ali Këlcyra i priste për të biseduar vetëm në sallon.
E habitur dhe po aq e tronditur Hana iu avit derës së dhomës së fjetjes, e cila ato çaste qe pak e hapur dhe prej hapësirës së pambyllur mund të shihej çfarë ndodhte brenda saj.
Pamja që pa e ngriu në vend. Do ta ndryshonte krejt, sikur të qe bërë papritmas një njeri tjetër. Karabinieri i vuri prangat Ali Këlcyrës. Ato kërcitën lehtë, si t’i kishin kafshuar duart. Përherë Hana do ta rrëfente këtë moment përmbysës: “Si forcë apo mbështetje babai për mua që atë moment mbaroi, vdiq. Pashë se babai nuk ishte gjë. Deri atë minutë e kisha konsideruar zot, ai kishte qenë gjithçka, por nga ajo ditë nuk kam shkuar më tek babai për probleme që mund të kisha”.
Humbja e papritur e fuqisë mbrojtëse të të atit do të shkaktonte tek e bija edhe një ndjenjë të papritur, të pandehur kurrë më parë: donte të vdiste. Nuk dëshironte të ekzistonte më.
Nuk kapërceu e plotë java e parë e pas arrestimit kur doli vendimi. Ali Këlcyra qe dënuar me gjashtë muaj internim në Itali, në qytetin Kortona (Cortona) të Arecos (Arezzo).

1946, Abaz Ermenji u raporton britanikëve

Në 30 mars 1946 Abaz Ermenji do t’u rrëfente me shkrim britanikëve se pati lindur në vitin 1913, gjimnazin përfunduar në Shkodër e më pas studimet e larta për letërsi dhe histori në katër vite, në Paris. Në 1937 qe kthyer në Shqipëri dhe gjatë kryerjes së shërbimit ushtarak në vitin 1938 ishte promovuar si lejtënant i dytë. Në tetor të atij viti qe liruar nga ushtria dhe pati nisur punën si profesor i letërsisë dhe i historisë në Liceun Francez të Korçës, paralelisht me shumë emra të njohur, mes tyre edhe Enver Hoxha.
Në muajin prill të 1939-tës pati formuar një grup rezistence me studentët e kolegjit të tij, por Shqipëria qe pushtuar shumë shpejt, prandaj edhe ai ishte larguar për në Greqi nga ku nisi të punojë për qendresën e armatosur kundër fashizmit, veçanërisht krijimin e një organizate aktive jashtë vendit. Për të kryer këtë objektiv të tij në gusht të atij viti pati shkuar në Athinë.
Ndërkaq italianët i dërgonin njëra pas tjetrës ftesa për t’u rikthyer në Shqipëri dhe me dhënien e garancisë se asgjë e pakëndshme nuk kishte për t’i ngjarë. Me futjen në luftë të Gjermanisë, sipas pohimit të vetë Abaz Ermenjit për britanikët, ai mendoi se ditë më të mira do të vinin për lëvizjen e tij dhe më në fund e pranoi ftesën e italianëve. U rikthye në Shqipëri në tetor 1939.
Filloi këtu kontaktet me njerëz të rezistencës dhe krijimin e celula të luftës, duke u shfaqur publikisht edhe në 28 nëntor në një demonstratë me karakter kombëtar. U arrestua në 15 nëntor në Elbasan. Pas dy javësh në burgun e këtij qyteti, italianët e transferuan në Bari. Pas dy muajve më pas në qelitë e tij e zhvendosën në ishullin e Ventotenes, qendër e njohur internimesh prej fashistëve.
Për britanikët në raportin e tij të 30 marsit 1946 Abaz Ermenji rrëfen se pikërisht këtë çast i bëjnë të ditur se qe dënuar prej Gjykatës së Tiranës të mbyllej në atë ishull për plot pesë vite burg.
U lirua si pasojë e një amnistie të qeverisë Musolini. Kështu në 20 gusht u kthye në Shqipëri. Rifilloi sërish veprimtarinë e organizimit të rezistencës. E ndihmonte këtë frymë edhe hyrja në luftë e Bashkimit Sovjetik të sulmuar befasisht nga nazistët gjermanë. Kjo ishte edhe periudha, kur i vëzhguar nga policia politike italiane, u detyrua të dalë në mal. Këtu kishin filluar të krijoheshin mjaft çeta të armatosura, pohon në raportin për britanikët, Abaz Ermenji.

Arkitekti enigmatik Serkul

Pasi Ali Këlcyra kishte bërë tre muaj internim në Kortona Advije hanëmi ia doli të siguronte lejen për të shkuar bashkë me të bijën pranë të shoqit. Këtë mundësi ia dha kushëriri i parë, Shefqet Vërlaci, i cili ishte kryeministër.
Hana ngazëllente për rrugën që do të merrte përtej detit dhe “vëllanë”, kukullën djalë prej celuloidi, ia la Muhamet beut për ta ruajtur deri sa të kthehej. Kur mbërritën në Kortona dhe panë që Aliu jetonte në një shtëpi dhe ishte i lirë të vërtitej nëpër qytet e sigurisht jo me ikje prej tij, e kuptuan se internimi qe me kushte të mira, çfarë, siç mësuan aty, por edhe më pas, ishte një mënyrë e njëjtë sjelljeje për të gjithë të internuarit politikë të fashizmit, vendas apo të ardhur me dënim që nga Ballkani. Autoritetet e qytetit e ndaluan Ali Këlcyrën vetëm një herë, kur i nisi t’i dhembte një dhëmballë. Për ta kuruar atë jashtë Kortonës u detyrua të merrte një leje të shkruar.
Në Kortona Hana filloi mësimin me shkrim e këndim të gjuhës italiane. Ishte plot vullnet dhe prirje, përvetësonte shumë shpejt. Ndërkaq italianët në Shqipëri gjetën një mënyrë për të djegur shtatë dyqanet e rindërtuar të familjes në Këlcyrë.
Paralel me këtë lajm të zymtë, i cili paralajmëronte se fati i ngjashëm mund të qe edhe për afro dyzetë të tjerët, kushëriri kryeministër, Shefqet Vërlaci, mund t’i bindë autoritetet italiane të vendit se prej Aliut nuk do t’u vinte ndonjë e keqe, prandaj le ta linin të lirë.
Gjithsesi, kur Ali Këlcyra u kthye në Shqipëri, në internimin e tij në Kortona, pothuaj po i mbushte gjashtë muajt e dënimit.
Në vendlindje dëshmoi shumë përmallim për viset e saj dhe një ditë, me sytë që i përndriteshin si të qenë lagur prej ndonjë loti gëzimi, bëri të ditur diçka që duket e kishte menduar qetësisht nëpër ditët e porsakaluara larg Shqipërisë. Një meraku të tij të shprehur vazhdimisht me humor të lehtë “Kujt do t’ja lë Këlcyrën?”, e pati zgjidhur pak a shumë kështu: me pronat e tërë pjesëtarëve trashëgues të familjes në dy breza do të ndërtonin një spital.
Ky do të ishte sanatorium dhe do të kishte dy pavione. Njëri do të qe kundër veremit, tjetri kundër kancerit. Tuberkuloz dhe tumor, çuditërisht nëpër Këlcyrë dhe rrethinat e afërta e të largëta të saj, gjeje raste mjaft të shpeshta. Flitej madje se qarkullonte një virus i të dy sëmundjeve të liga. Një nga mjeket, e vijoi Aliu shpjegimin e projektit të vet, kur të rritej dhe studionte në universitet, do të qe Hana.
Bashkë me këtë ide ai paraqiti edhe një tjetër: me rindërtimin e plotë të mbi dyzetë dyqaneve të tyre mund të fillonin përreth Këlcyrës edhe ngritjen e qyteteve të vogla satelite të saj, duke e bërë kështu vendlindjen një mikrometropol. Si të thuash, sarajet e dinastisë së tyre do të zbrisnin nga thepat e malit e përhapeshin banesa për të gjithë në luginë.
Për të tëra këto Ali Këlcyra thirri edhe një arkitekt, i cili nisi punën. Në fund të vitit 1942 ky e kishte përfunduar tërë punën projektuese.
Qe i huaj. Kroat apo anglez, nuk ishte e qartë, nuk e la kurrë të kuptohej. Quhej Serkul. Mos ishte spiun?

Shkrimi i dhjetë

Varianti interpretues i PKSH-së

Në vëllimin e parë të historisë së Luftës Nacionalçlirimtare, në faqen 486 të kapitullit “Lufta politike për demaskimin e “Ballit Kombëtar”, pranohet se: “Bashkëpunimi i drejtpërdrejtë i “Ballit Kombëtar” me pushtuesit u kurorëzua me një “protokoll nderi” që u nënshkrua më 15 mars 1943, nga Ali Këlcyra e Nuredin Vlora, në emër të Komitetit Qendror të “Ballit” dhe nga Renco Dalmaco, në emër të komandës eprore të trupave pushtuese italiane. Me anë të këtij dokumenti ballistët merrnin përsipër detyrimet (sic) që vijojnë: “1.Ne sigurojmë, duke marrë çdo përgjegjësi, shkëlqesën Dalmaco, komandant epror i fuqive të armatosura të Shqipërisë se asnjë lëvizje kryengritëse me karakter të përgjithshëm nuk do të ngjajë në Shqipërinë jugore...; 2. Ne japim fjalën tonë të nderit se do të përdorim gjithë ndikimin tonë për të ndaluar...sulmet dhe aktet e sabotimit që mund të kryheshin eventualisht nga elementë armiq; 3. Ne e ndjejmë veten të detyruar të zhvillojmë propagandën e duhur për të ndaluar dezertimet e reja të ushtarakëve, për të inkurajuar rekrutime të reja në ushtri dhe për të siguruar që dezertorët të kthehen sa më shpejt ndër repartet operative”.
Këtë fragment të shkëputur prej Protokollit të Nderit autorët e vëllimit të parë të historisë së Luftës Nacionalçlirimtare shënojnë se e kanë marrë prej origjinalit që ndodhet në Arkivin Qendror të Shtetit.
Për të vënë re se prej lëndës së vërtetë janë shkëputur në mënyrë të gjymtuar fragmentet më të prira për interpretime të shumëkuptimshme, po paraqesim një tekst që qarkullon si variant shumë më afër të vërtetës.
“Protokoll Nderi
Komandanti i Armatës IX, gjeneral Renzo Dalmazzo, me cilësinë e kryekomandantit të trupave italiane në Shqipëri dhe z. Nuredin Vlora e Ali Këlcyra, si përfaqësues të lëvizjes nacionaliste shqiptare, me qëllim që të reshtin katastrofën dhe plojën nga të dyja anët, të pashmangshme gjatë një operacioni në shkallë të gjerë, vendosën, me miratimin edhe të qeverisë së Tiranës, të nënshkruajnë protokollin e mëposhtëm:
1-Të dy delegatët e lëvizjes nacionaliste i deklarojnë nën përgjegjësinë e tyre personale kryekomandantit të trupave italiane se asnjë kryengritje e përgjithshme nuk do të ngjasë në Shqipëri brenda kohës kur protokolli do të jetë në fuqi. Ky angazhim do të jetë i vlefshëm, me kushtin që trupat fashiste të lëvizin me mjetet e transportit vetëm nëpër rrugët kombëtare dhe të shmangin depërtimin në zonat e brendshme të vendit ku janë vendosur forcat e rezistencës.
2-Do të shihet si kryengritje e përgjithshme lëvizja në të cilën do të marrë pjesë shumica e popullsisë së katër krahinave të Jugut të Shqipërisë.
3- Të dy delegatët nacionalistë, në rast të aksioneve të forcave komuniste kundër trupave italiane, kërkojnë që ndjekja dhe masat ndëshkimore kundër tyre të kufizohen në pesë kilometra nga të dyja anët e rrugës, për të shmangur kështu dëmtimet dhe vuajtjet e popullsisë, pa dallime ideologjike, nga veprimet e komunistëve.
4- Ky protokoll do të jetë i vlefshëm vetëm për dy muaj, kohë e mjaftueshme për qeverinë për të kryer detyrën e saj ndaj vendit. Për këtë qëllim, është i domosdoshëm zëvendësimi i armës së karabinierisë me xhandarmërinë shqiptare, të organizuar e armatosur më së miri, dhe krijimi i një ushtrie të pakët në numër e të rekrutuar nga gjiri i popullsisë kosovare”.
Siç rezulton nga krahasimi i të dy teksteve referues si lënda e vërtetë e bocet Protokollit, hartuesit e vëllimit të parë të historisë së Luftës Nacionalçlirimtare i paraqitën opinionit publik vetëm ato pjesë, të cilat qenë të favorshme për trupat pushtuese italiane. Fragmentet që shkonin në dobi të Shqipërisë, madje edhe të vetë Lëvizjes Nacionalçlirimtare, i censuruan.
Ndërkaq një muaj më pas nga këto përpjekje të Ali Këlcyrës dhe Nuredin bej Vlorës për një marrëveshje që ta ndalte apo kufizonte operacionin ndëshkimor italian, ky nuk u praps. Nisi me tërë forcën e vet në 25 prill 1943 në Shqipërinë e jugut, veçanërisht në hapësirën më përvëluese Vlorë-Gjirokastër. Trupat pushtuese të divizionit “Parma”, shoqëruar në qiell edhe nga avionë vëzhgimi, lëvizën të motorizuara dhe me shumë mjete të blinduara, në katër drejtime kryesore. Pas pesë ditësh me veprime të egra shtypëse, kur e gjykuan se e patën përfunduar detyrën e frikësimit të popullsisë civile, u tërhoqën prej nga ku qenë nisur (Vlorë, Gjirokastër, Sarandë).
Gjatë reprezaljeve u dogjën shumë shtëpi dhe kush u dilte përpara arrestohej menjëherë. Ishte ushtria që hapte rrugën për milicinë, e cila vinte pas saj. Qe kjo e fundit që kryente terrorin.

Vetë Enver Hoxha shkruan


Siç Enver Hoxha shkruan në librin e tij të kujtimeve “Kur u hodhën themelet e Shqipërisë së re”, në dhjetëditëshin e fundit të gushtit 1944, “kur ndodheshin në Labinot, në një mbledhje të tij Këshilli i Përgjithshëm Nacionalçlirimtar e hodhi poshtë marrëveshjen oportuniste të Mukjes dhe vendosi që Konferenca e Dytë Nacionalçlirimtare, për të cilën tani thuajse ishin bërë përgatitjet e duhura, të fillonte punimet më 4 shtator”.
Pak më tej: “Pikërisht né këtë periudhë përgatitore të Konferencës së Dytë Nacionalçlirimtare, ose pak më parë, nëpërmjet shokëve të Tiranës na vjen një ftesë nga Ali Këlcyra, i cili na komunikonte për një mbledhje të “Komitetit për shpëtimin e Shqipërisë”.
Në vijim të menjëhershëm: “Në prag të Konferencës sé Labinotit, pra, né kohën kur Ali bej Këlcyra na ftonte né “komitet”, ne kishim shtënë né dorë një dokument të ri të tradhtisë sé tij dhe të Ballit Kombëtar. Ky ishte “protokolli” i turpit, që Ali Këlcyra kishte nënshkruar né hotel “Dajti” me gjeneralin Renco Dalmaco, ku merrej zotim i hapur bashkëpunimi i ballistëve me trupat fashiste.
Ishte e qartë se ç\'përgjigje do t\'i jepej ftesës sé Ballit Kombëtar, megjithatë lajmërova edhe shokë të tjerë që ndodheshin ato ditë né Labinot. Nuk thirra ndonjë mbledhje të veçantë për këtë çështje, por shfrytëzova një rast kur në dhomën ku punoja, ishin mbledhur disa shokë. Më duket se qenë Spiro Moisiu, Nakoja, Omer Nishani, që kishte ardhur ato ditë pranë nesh, mbase edhe ndonjë tjetër. U tregova për ftesën e Ali Këlcyrës dhe u thashë:
-Ashtu siç e kemi vendosur, do t\'i shkruaj Hysenit (Pseudonimi i shokut Gogo Nushi, në atë kohë sekretar politik i Qarkorit të PKSH për Tiranën) t\'i bëjë edhe njëherë të qartë Ballit Kombëtar se për Mukjen dhe për të ashtuquajturin Komitet për Shpëtimin e Shqipërisë as duhet folur e jo më të marrim pjesë né të. Besoj se jemi të një mendjeje.
Të gjithë shokët ranë dakord”.

Pse u mbajt fshehur dokumenti origjinal i Protokollit?

Gjatë gjithë një gjysmë shekulli, edhe pse në vitin 1975 e deklarojnë se dokumenti autentik ndodhej në Arkivin Qendror të Shtetit, ai nuk u paraqit kurrë i fotografuar, pra si faksimile. Kjo ngjau edhe kur në vitin 1950, në pikun e ndeshjes me shtetet e Perëndimit, Tiranës zyrtare iu desh të shpërthente një fushatë të furtunshme për të denoncuar persona dhe forca politike të arratisura, të cilat po merrnin pjesë mjaft aktivisht në një operacion disavjeçar për rrëzimin me armë të regjimit të drejtuar nga Enver Hoxha dhe të mbështetur fuqishëm nga sovjetikët.
Me këtë rast ajo, nën mbititullin “E vërteta mbi tradhëtorët e atdheut”, botoi me tirazh shumë të lartë librin “Organizatat tradhëtore “Balli Kombëtar” dhe “Legaliteti”. Në këtë publikim mes të tjerash shkruhet: “Disa ditë me radhë para nënshkrimit të protokollit u zhvilluan bisedime midis krerëve të Ballit dhe autoriteteve italiane të pushtimit me pjesëmarrjen e kryeministrit kuisling Maliq Bushati e ministrave të tij. Këto bisedime u mbyllën me një mbledhje që provokoi Maliq Bushati në Hotel “Dajti” më 6 mars 1943, në të cilën merrnin pjesë si përfaqësues të ushtrisë italiane gjeneral Renco Dalmaco (Dalmazzo), komandant i përgjithshëm i fuqive të armatosura italiane në Shqipëri, gjeneral Tuci (Tuzzi), shef i shtatmadhorisë së forcave italiane në Shqipëri etj. Nga ana e Ballit Kombëtar ishin të pranishëm anëtarët e Komitetit Qendror të tij Ali Këlcyra, Kol Tromara, Nuredin Vlora si edhe eksponentë të tjerë të Ballit si Sejfi Vllamasi etj. Në këtë mbledhje qeveria kuislinge, përveç kryeministrit M. Bushati, përfaqësohej nga Javer Hurshiti e tradhtarë të tjerë”.
Libri i mësipërm konsiderohet më i plotësuari për atë kohë me dokumente origjinalë, sigurisht të vendosur sipas teknikave të interpretimit të njëanshëm dhe të manipulimit të opinionit. Për të dhënë përshtypjen e një botimi mjaft të dëshmuar me fakte ai është i mbushur me pamje të drejtpërdrejta, në pak raste tërësore dhe në të shumtën e herëve të pjesshme, të lëndës burimore të informacionit.
E megjithatë Protokolli Dalmaco-Këlcyra mungon. Nuk ka asnjë pamje të tij, qoftë edhe në dy-tre centimetra.
Në vëllimin e parë të librit akademik “Historia e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar” thuhet me këmbëngulje se “Para nënshkrimit të Protokollit u zhvilluan bisedime prej disa ditësh midis krerëve të “Ballit Kombëtar” dhe autoriteteve italiane të pushtimit, u bënë pritje dhe përcjellje zyrtare, me pjesëmarrjen e kryeministrit tradhtar Maliq Bushati e të ministrave të tij. Katër anëtarë të Komitetit Qendror të “Ballit” me Ali Këlcyrën në krye, qenë të pranishëm në pritjen që dha M. Bushati për gjeneral Dalmacon në 6 mars dhe në pritjen që dha Dalmacoja për M. Bushatin, pas tri ditësh. Kolë Tromara, anëtar i Komitetit Qendror të “Ballit Kombëtar” ngriti një dolli për Viktor Emanuelin III.
M. Bushati nuk e fshihte qënien si anëtar i “Ballit”. Për emërimin e tij si kryeministër, Jakomoni, sipas pohimit që ka bërë vetë, mori për bazë propozimin e ballistëve.
Ky ishte njëri nga shpërblimet që merrte udhëheqja e “Ballit” prej pushtuesve për detyrimet kundrejt tyre. Shpërblime të tjera ishin vendimet e autoriteteve pushtuese për t’u njohur të drejtën borgjezisë reaksionare dhe çifligarëve shqiptarë të krijonin një “ushtri shqiptare” dhe një “gjindarmëri shqiptare”. “Balli Kombëtar” ushqente shpresa të mëdha se me anë të “ushtrisë” e të “gjindarmërisë” , ku mendonte të zinte pozita të forta, do të siguronte pushtetin politik, kur të mundej Italia. Ç’nuk bënë ballistët për të krijuar “ushtrinë shqiptare” dhe “gjindarmërinë shqiptare”! Mirëpo reaksionarët shqiptarë s’ia arritën dot qëllimit. Ushtria s’u formua, për shkak se rinia nuk pranonte të kryente shërbimin ushtarak. “Gjindarmëria” u nda më vete nga karabinieria italiane vetëm formalisht. Por ajo u shthurr dhe u prish përpara kapitullimit të Italisë”.

Gjykime të të tjerëve. Akademia e Shkencave e Shqipërisë: veprim tradhtar

Studiuesi Kastriot Dervishi në librin e tij gjerësisht të dokumentuar “Historia e shtetit shqiptar, 1912-2005” ka mendimin se “Më 15 mars 1943, në kushtet e sjella nga qeveria e re e Maliq Bushatit, dy anëtarë të Komitetit Qendror të Ballit Kombëtar si Ali Këlcyra dhe Nuredin Vlora, u përfshinë në projektin e një marrëveshjeje armëpushimi me komandantin e forcave të armatosura italiane në Shqipëri, gjen. Renzo Dalmazzo, në të cilin ata zotoheshin se asnjë kryengritje nuk do të ndodhte në jugun e Shqipërisë derisa të përfundonte organizimi i xhandamërisë, të cilën e quanin një fitore të madhe. Është mëtuar se kjo dhe disa të tjera ishin projekte marrëveshjesh. Në të vërtetë “marrëveshja” që është bërë e njohur nuk gjeti asnjë zbatim. Edhe jeta e shkurtër e qeverisë Bushati mund të ishte njëri prej këtyre shkaqeve”.
“Në lidhje me këtë, vijon interpretimin e tij Dervishi, shumë vite më pas, drejtuesi i Ballit Kombëtar, Abaz Ermenji, do të shprehej se nënshkrimi i këtij pakti i
Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com