|
AMBASADA SHQIPTARE NË VIA ASMARA, 5 (Pjesa e dytë)
BISEDA ME DIPLOMATIN E HUAJ: KUSH QËNDRON PAS DËNIMIT ME VDEKJE TË IBRAHIM RUGOVËS DHE FATOS NANOS?
(Botuar në gazetën “Shqiptarja.com” prej 16 deri në 21 gusht 2016)
Pjesa e dytë, shkrimi i parë
Nga Panairi i Barit vjen ftesa për “Ditën e Shqipërisë”
Diplomati i Dytë i Ambasadës Shqiptare në Romë atë 6 shtator 1998 filloi të shfletonte për të dytën herë buletinin informativ të ardhur nga Ministria e Jashtme. Ai mbulonte sektorin ekonomik dhe jo rrallë ndjente t\'i vinin prej disa zyrave të Tiranës pëshpëritjet se punët e kooperimit me Italinë kishin mbetur në vend.
Rifilloi edhe njëherë leximin e paragrafit që e shpëtonte nga ajo përfolje: \"Italia me 56 për qind të eksporteve dhe 45 për qind të importeve vazhdon të mbetet partneri kryesor në tregti si edhe investitori kryesor në Shqipëri. Tremujori i dytë i vitit 1998, sipas bilancit tregtar të Bankës së Shqipërisë, regjistroi rritje në importe me këtë shtet prej 16 për qind dhe në eksporte prej 12 për qind. Si në importe dhe në eksporte grupmallrat kryesore importues nga Italia shfaqen në rritje”.
Diplomati i Dytë i hoqi sytë nga fletët dhe kërkoi një çast ku t’i përqendronte. Kjo ishte për të një mënyrë për të shijuar mirë një lajm të gëzuar.
Duke e mosgjetur pikën e çlodhjes iu rikthye paragrafëve të tjerë të buletinit. Në të thuhej se në 3 mujorin e dytë të vitit 1998 Greqia pati okupuar rreth 25 për qind të eksporteve dhe 29 për qind të importeve në shkëmbimet tregtare me Shqipërinë.
Në vijim qe rreshtuar Gjermania. Ajo renditej si partneri i tretë tregtar i Shqipërisë. Kishte rreth 4 për qind të totalit të importit dhe eksportit.
Ra zilja e telefonit. Diplomati i Dytë e ngriti dorezën. Pastaj vuri buzën në gaz dhe shqiptoi \"po munde ma sill që tani\".
Pak minuta më vonë një fletë e faksuar dridhej lehtas nëpër gishtat e tij. Nga Fiera del Levante e Barit ishte dërguar ftesa për \"Ditën e Shqipërisë\". Veprimtaria do të mbahej në Sala Tridente-Palazzo del Mezzogiorno. Ajo gëzonte patronazhin e Ministrisë së Jashtme italiane, atë të Rajonit të Pulias, të Provincës së Barit dhe të Bashkisë së këtij qyteti. Tema ishte \"Korridori panevropian N.8\". Italia, Shqipëria, Maqedonia për zhvillimin, paqen, sigurinë në Ballkan\".
Nuk mungonte të shënohej në program se \"do të flasë edhe kryeministri i Shqipërisë, kryetari i Rajonit të Pulias, ministrja shqiptare e Kooperimit Ekonomik...\".
Dy amerikanë të lartë mbërrijnë urgjentisht në Prishtinë
Euronews në mbrëmje e rinisi ciklin e tij informativ me lajmet për ceremonitë përkujtimore të njëvjetorit të vdekjes së Nënë Terezës. Ndërkohë për shqiptarët u duk qartë ku në të vërtetë ishte vatra e tensionit real për fatin e tyre: Kosova. Atje atë ditë qe dukur për vizitë Xhon Shatëll, nënsekretari amerikan i Shtetit për të Drejtat e Njeriut.
Lajmin Euronews po e përsëriste çdo një gjysmë ore. Shpjegonte edhe përse kishte ngjarë ardhja e ngutshme e zyrtarit të lartë të administratës së SHBA: trupat speciale serbe kishin kapur në një pyll, të fshehur për t’i shpëtuar ndonjë masakre hakmarrëse, rreth katërqind shqiptarë kosovarë.
Turmën e madhe, tashmë të rrethuar nën gryka automatikësh kallashnikovë të \"specialeve\" serbe, autoritetet e Beogradit e akuzonin se nuk ishin popullsi civile, por një repart i maskuar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Një kronikë e dytë e Euronews nxitonte të përcillte imazhe të një vizite tjetër të lartë, të kryer në Prishtinë: po hynte në selinë e Ibrahim Rugovës vetë senatori i shumënjohur amerikan Bob Doll, pak vite më parë kandidat për president i Partisë Republikane.
Si të qe klithmë vrapoi më pas në Euronews lajmi tjetër: gjer ato çaste nga trupat speciale serbe qenë vrarë 900 shqiptarë dhe dhjetë për qind e popullsisë së Kosovës ishe shpërngulur e strehuar nëpër pyje.
Anna Oxa këndon në Tiranë
Atë mbrëmje Televizioni Shqiptar transmetoi në edicionin informativ të orës njëzetë pamje nga koncerti jubilar për Nënë Terezën. Ai qe organizuar në Tiranë tamam në qendrën spitalore, e cila ndërtohej me nismën e saj.
Në skenë ishte Ana Oksa, tek buzëqeshte. E kishte mbajtur fjalën, siç edhe pati njoftuar më 3 shtator në një intervistë tek e përditshmja \"Koha Jonë\". Vajza e Qazim Hoxhës nga Kruja\" do të bënte në Tiranë për Nënë Terezën një koncert \"live\".
Në një çast, tek ishte nën brohoritje, ajo thirri të ngjitej në podiumin skenik presidentin e Republikës. Rexhep Meidani u shfaq i emocionuar. Filloi të shprehej. Dikush nisi ta përkthejë italisht.
Ky duhej të ishte edhe fragmenti që atë mbrëmje transmetohej në sallën e madhe të Vatikanit dhe për të cilin Diplomatit të Parë të Ambasadës Shqiptare në Romë i kishte folur Skiavaci, regjisori i televizionit me program tematik afër Selisë së Shenjtë, \"Telepaçe\".
Canale 5 kishte premtuar ta transmetonte këtë koncert më 8 shtator, në orën 21.00.
Ndërkohë mbi koncertin modest të Tiranës, bërë në natyrë të hapur dhe me sfond godinën e papërfunduar të Qendrës Spitalore e qiellin gjer thellë në sfond, fërgëllonte hëna.
Ishte shumë e zbehtë, si flakë e largët qiriri.
7 shtator, lë pushimet dhe rikthehet në Tiranë njeriu i NATO-s
\"Zëri i Popullit\" sot u shfaq i zëmëruar me ministrin e Brendshëm dhe i kërkon, me një titull me germa të mëdha e të kuqe, që ai të japë dorëheqjen. Arsyet i rreshton që në faqen e parë: \"Rendi i çoroditur, dikasteri bën viktimën, rikthehen maskat dhe tritoli, në ministri ka funksionarë që spiunojnë operacionet\".
Ndërkaq \"Rilindja Demokratike\" zbulon para opinionit se zotëronte listën e civilëve të armatosur mirë, të cilët përgjatë demonstratave të aleancës opozitare, Bashkimit për Demokracinë, ruanin vilën e Fatos Nanos. Sipas saj ruajtësit e paligjshëm qenë plot 70 frymë.
Këtë ditë në Durrës Azem Hajdari pati bërë deklaratën e radhës: \"Revoltat antidiktatoriale do ta përmbysin Nanon dhe komunistët në pushtet, të cilët erdhën me djegie, vrasje, dhunë, shkatërrime dhe vjedhje një vit më parë\".
Po këtë 7 shtator njeriu i NATO-s në Tiranë, një italian, kishte ndërprerë pushimet e tij të zakonshme në atdheun e vet dhe qe rikthyer menjëherë në kryeqytetin shqiptar.
Biseda me diplomatin e huaj: Kush qëndron pas dënimit me vdekje të Ibrahim Rugovës dhe Fatos Nanos?
Ishin në makinë të tre: Diplomati i Parë, i Treti (Topalli) dhe Syri i Qelqtë. Ky i fundit rrinte në timon. Në atë mision brenda Romës nuk e kishin marrë me vete shoferin.
Po ktheheshin. Tek qenë nisur për në takimin e caktuar me një diplomat të huaj patën udhëtuar pothuaj në heshtje dhe nëpër një diell bezdisës që u rrinte përballë si të mos kishte ndërmend të lëvizte dhe perëndonte. Gjithsesi qenë në humor. Madje Syri i Qelqtë pati vënë një kasetë me këngë boshnjake.
Po kalonin ato çaste përmes Piazza Venezia dhe sipas rregullit të zakonshëm vetëm një manovër kthese djathtas do t\'i nxirrte në të përpjetën e kodrës Quirinale, pastaj në rrugën për në Stazione Termini. Prej aty do të merrej drejtimi i palëkundur: Ambasada.
Këngët sllave dukej sikur bënin aheng.
-Nuk ka ndonjë gjë radioja? - bërbëliti Topalli.
Syri i Qelqtë ktheu menjëherë kokën nga ai. Bebëzat e syve, falë edhe miopisë, iu bënë si pikëza të zeza.
-Janë këngë boshnjake - tha shpejt e shpejt - Nuk janë serbe.
Diplomati i Tretë nuk u përgjigj. Ai i kishte akoma para syve pamjet e përcjella nga Euronews të afro katërqind kosovarëve të arrestuar nga trupat speciale serbe dhe të ulur poshtërisht në gjunjë në një shesh të madh. Të gjithë mbanin duart të lidhura pas kokës, si në prag të një kuje.
Diplomati i Parë nuk hyri në dialog. Vetëm shtrëngoi nofullat. Ato çaste as atij nuk i pëlqenin ato melodi.
-Po të ishit dakord unë do t\'ju propozoja të kthehemi pak çaste tek Fontana Di Trevi - tha pas pak duke u përpjekur t\'i heqë zymtinë bisedës.
Syri i Qelqtë ktheu sërish kokën. Kësaj radhe drejt Diplomatit të Parë. Bebëzat po i zgjeroheshin.
-Dakord - u përgjigj dhe mbylli kasetofonin e makinës. Menjëherë në kabinë vërshoi gjallëria e rrugës. Bashkë me të edhe fluksi i përthyer i dritave të makinave.
Fytyrat e tyre u bënë ngjyrë vjollcë.
-Do të kërkosh të plotësohet ndonjë dëshirë? - ngacmoi Syri i Qelqtë.
Në Fontana Di Trevi ishte zakon që vizitorët, pasi ktheheshin me shpinë nga shatërvani i madh e i kaltër, shqiptonin me vete një dëshirë dhe pa e kthyer trupin, flaknin në ujë një monedhë metalike. Kjo donte të thoshte që dëshira e fshehtë pritej të plotësohej.
Por Diplomati i Parë zgjodhi heshtjen. Kishte rënë në mendime. Dialogu me të huajin e rëndësishëm kishte qenë i vështirë. Më shumë nuk ishin kuptuar me njeri-tjetrin. Ai që në fillim kërkoi të dinte hollësi rreth lajmit të shpërndarë se luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kishin dënuar me vdekje Fatos Nanon.
Diplomati i Parë psherëtiu. Po kalonin nëpër rrugën kryesore të qendrës së Romës, Via del Corso, dhe turma e madhe e shëtitësve dhe e makinave dukej sikur do t\'i kërcente sipër trupit të vogël të veturës së tyre \"Fiatuno\". Duhej ende kohë e durim që t\'i afroheshin Pallatit Kixhi, kryeministrisë italiane. Aty më në fund do të merrnin rrugën djathtas dhe do t\'i afroheshin shatërvanit Trevi.
Diplomatit të huaj i kishin shpjeguar se prej kohësh qarkullonte lajmi i dënimit me vdekje të Ibrahim Rugovës dhe Fatos Nanos, madje ky më shumë lëvizte në shtypin e Beogradit dhe në disa mjedise të caktuara të Perëndimit. Saktësisht atje ku historikisht kishin lidhje më të afërta me serbët. Në Prishtinë, iu tha, një lajm i tillë dëgjohej më pak se kudo. Kurse në Tiranë, iu vijua më pas, gjykohet si lajm periferik.
Në Via del Corso lumi i makinave vijonte të rrëshqiste i ngadaltë, aq sa të dukej se do të ndalte dhe do të bllokonte të gjithë lëvizjen.
I huaji ishte kokëfortësisht mosbesues para argumenteve të tyre. Atëherë vijuan t\'i thoshin se po të ishte e vërtetë që Ibrahim Rugovën udhëheqësit e UÇK-së e kishin dënuar me vdekje atëherë ata mund ta kryenin fare lehtë atentatin e tyre. Në rast se i njëjti ndëshkim ishte formuluar edhe për kryeministrin shqiptar, iu tha, po ashtu do t\'i ndihej \"krisma\".
Në reagim i huaji kishte ngritur supet dhe më në fund pati pranuar dyshimin e kolegëve të tij se kërcënime të tilla, ndoshta të shqiptuara nga individë të veçantë pjesëmarrës në lëvizjen çlirimtare kosovare, amplifikoheshin nga Beogradi për të përçarë faktorin shqiptar dhe për ta izoluar ndërkombëtarisht UÇK-në.
Në një çast tjetri kishte ndërhyrë me fjalët \"Mos këta luftëtarë janë thjesht terroristë të zakonshëm?\"
I qe kthyer përgjigja: \"Po qe se në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës ishin vetëm disa dhjetëra vetë të izoluar nga përkrahja popullore mundej që ajo të ngjasonte me njësitet \"narkos\" të Amerikës Latine. Por tashmë bëhet fjalë për një pjesëmarrje në mijëra dhe me një përkrahje totale në qytete dhe në fshatra. Ajo është shndërruar në një lëvizje popullore dhe terrorizmi nuk e bën dot këtë mrekulli, përkundrazi\".
\"Edhe terrorizmi mbledh njerëz\", pati bërbëlitur diplomati i huaj, \"Në Amerikën Latine ende ka parti të së majtës ekstreme që i mbajnë në këmbë ushtritë e tyre të quajtura çlirimtare me anë të parave të fituara me drogë\".
Diplomatët shqiptarë nuk kishin heshtur dhe pas kësaj. Kishin argumentuar se njollosja me drogën e një lëvizjeje popullore për liri ishte një intrigë. Në manipulimin e kësaj gënjeshtre, shtuan ata, nuk dukej se Beogradi dhe Sllobodan Millosheviçi ishin të vetëm. Tjetri kishte ngritur supet i menduar e pati shqiptuar fjalën mëdyshëse \"ndoshta\".
Tashmë Via del Corso po afronte imazhin e Pallatit Kixhi dhe kjo donte të thoshte se pas një grime mund të merrnin djathtas e t\'i afroheshin Shatërvanit Trevi. Prej andej, për fare pak metra, mund të shkonin në Vicolo Scanderbeg, “Rrugicën e Skënderbeut” dhe të gjendeshin tek sheshi me emrin e tij, përballë bujtinës ku Gjergj Kastrioti pati ndenjur në Romë, për një takim pune tek Papa, dy muaj në kapërcyell të viteve 1466-1467.
Romë, e martë, 8 shtator 1998
I Ngarkuari me Punë nuk u ndje kur ngjiti shkallët e dërrasta të katit të dytë dhe hyri në zyrën e tij. Askush nuk ia dëgjoi hapat, gjë që mund të ngjante fare lehtësisht, sepse ai kishte një peshë trupore modeste. E vetmja shpresë në mund të \"interceptohej\" nëpërmjet zhurmës ishte kërcitja e çelësit në bravë.
Por shefi i përkohshëm i misionit e braktisi heshtjen e vet në orën 10.00, çast kur thirri Diplomatin e Dytë. Kur ky doli nga zyra e madhe shpjegoi se i Ngarkuari kishte dashur të dinte me hollësi se në çfarë niveli ishin atë ditë masat për përgatitjen e vizitës së kryeministrit shqiptar në Romë dhe në kishte vështirësi për makinat që do të viheshin në dispozicion të delegacionit të madh.
I dyti i diplomatëve ndihej i mëdyshtë në një porosi që kishte marrë në atë takim: duhej që edhe një pjesë të shpenzimeve, për shembull, fjetjen, të mund ta mbulonte Shoqata e Industrialistëve Italianë, Konfindustria.
Më pas në zyrën e madhe hyri Diplomati i Tretë dhe shumë shpejt pas tij, si erë, edhe Syri i Qelqtë. Ky, i vëmendshëm nga natyra, vuri re se i Ngarkuari kapelën e tij borsalinë nuk e kishte vendosur në gardërobë, por lënë shkujdesur mbi syprinën e tavolinës.
Tiranë, po ai 8 shtator
\"Rilindja Demokratike\", faqja e parë: \"Klika nis të tërhiqet. Kryeministri urdhëron Gjykatën të zbusë vendimet...Demokratët njësoj të vendosur në protestën e tyre. Nano të shporret dhe të kërkojë falje. Kryeministri përdhosi ditën e përkujtimit të Nënë Terezës. Ai provoi se i ka urdhëruar vetë arrestimet e 22 gushtit. Opozita do t\'i japë përgjigjen e merituar provokimit\", \"Nano fsheh dorën e thikës\", \"Nesër Shijaku kundër Nanos\", \"Orët tona në burg janë orët e fundit për Nanon\", \"Durrësi: Nano largohu!\", \"Peshkopi, revoltë masive kundër Nanos\".
KËSHILLTARI I JAKOMONIT, MËKËMBËSIT GJATË PUSHTIMIT FASHIST: E DUA SHUMË SHQIPËRINË
Pjesa e dytë, shkrimi i dytë
\"Il Sole 24 Ore\", 8 shtator
Kjo gazetë italiane me tirazh të madh, organ i afërt me Konfindustrinë, këtë ditë botonte artikullin \"Vitin e ardhshëm 60 miliardë ndihma italiane për Shqipërinë\".
Ai fillonte me fjalët \"Kriza kaloi. Vendi tashmë është në konsolidim të institucioneve demokratike, por angazhimi italian për rilindjen e Shqipërisë nuk rri mbrapa dhe mbetet vazhdimisht i përqendruar në ristrukturimin e forcave të rendit dhe në organizimin e burgjeve\".
Më pas artikulli shkruante se \"një listë e projekteve dhe ndërhyrjeve do të diskutohen më 15 shtator në Romë në takimin që Romano Prodi do të bëjë me udhëheqësin shqiptar Fatos Nano\".
Ndërkohë këtë ditë \"La Gazzetta del Mezzogiorno\", me redaksi qendrore në Bari, botonte programin e plotë të “Fiera del Levante” (Panairit të Lindjes), përfshi edhe ato të datës 16, në të cilën qe \"Dita e Shqipërisë\".
Në të thuhej se do të merrte pjesë dhe fliste edhe kryeministri shqiptar Fatos Nano.
Vajza e Sali Berishës kuron në Romë fëmijën e saj të porsalindur
Lajmi se ish-ambasadori kishte filluar më në fund të bënte zyrtarisht dorëzimet e detyrës u prit në mjediset e diplomatëve me një shpërthim të përfoljes. Shkak kryesor nuk ishte vonesa e tij në kryerjen e këtij veprimi, e gjykuar si një mënyrë për të shtyrë edhe pesëmbëdhjetë ditë të tjera dhe përfituar pagesën në dollarë, por sepse Ishi për disa ditë rresht u mbyll në një nga zyrat e katit të parë të ambasadës dhe e seleksionoi, pa e parë kurrkush, të gjithë arkivin e institucionit. Vitet e fundit ai e kishte mbajtur atë në zyrën e vet, duke e justifikuar me mungesën në ndërtesë të një dhome të përshtatshme.
Në fund të orarit zyrtar, ndërsa po ktheheshin për në apartamentet e tyre në Viale Eritrea, Topalli zbuloi një sekret të ri nga jeta e ish-ambasadorit. Ai tha me zë të veshur nga misteri se Ishi kishte hyrë disa herë në repartin e maternitetit të një spitali të dëgjuar të Romës, Xhemeli (Gemelli), në të cilin ishte shtruar vajza e presidentit të asaj kohe, Sali Berisha.
Kur nisi ta rrëfente më hollësisht gjithçka përfundoi në një thelb të thjeshtë: e bija e Sali Berishës kishte lindur një vajzë, e cila shumë shpejt pati pasur disa probleme me shëndetin. Atëherë i ati e kishte dërguar në Romë për ta kuruar, ndoshta ca më shumë se si kryekonsull punonte krushku i tij. Ardhja e vajzës së Presidentit pati shkaktuar menjëherë gatishmëri të lartë tek punonjësit e misionit, por sidomos tek ambasadori.
Ndërsa fëmija dhe e ëma u shtruan në Xhemeli dhe, në prani edhe të një mjekeje të ardhur posaçërisht nga Shqipëria, nisi kurimi, ky kishte lënë çdo punë tjetër dhe shkonte në maternitet.
Kur Topalli përfundoi rrëfimin, ndërhyri Poeti dhe shtoi se ngjarjes i mungonin edhe disa hollësi të tjera. Vajza e Berishës, kur ishte shtatzënë, kishte qenë me studime në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kur i erdhi koha për të lindur i ati i pati kërkuar të kthehej në Shqipëri e të lindte aty. Kështu edhe ndodhi. Por fëmija kur u bë disa muajsh pati disa shqetësime me rruazat e gjakut, kryesisht diagnozë që nuk kurohej dot në Tiranë.
Gjer tek dera e hyrjes së tyre numër 34 dhe më pas edhe në radhën e zakonshme për t\'u ngjitur në apartamente nëpërmjet ashensorit, diplomatët shqiptarë më shumë nuk folën. Poeti qe edhe ca më shumë i heshtur. Ai njihej nga afër me familjen e Sali Berishës, por në Xhemeli kishte shkuar vetëm njëherë. Atje kishin pirë një kafe nga aparatet automatikë të vendosur në hollin e madh të katit dhe vetëm kaq.
Në ato pak çaste të pirjes së kafes vajza e Sali Berishës la të kuptonte se interesimi i tepërt i ambasadës e shqetësonte. Në të vërtetë vuri pak buzën në gaz dhe përdori shprehjen \"përkujdesje e tepruar\". Më pas zgjodhi fjalët \"nuk ka nevojë të vini kaq shpesh\".
Pas pak kohe fëmija e kaloi krizën dhe u shërua plotësisht. Edhe vajza e Berishës, duke u munduar të binte sa më pak në sy, u kthye në Shqipëri.
Prag incidenti për shkak të diplomatit shqiptar që po tentonte t’i vidhte shtetit shqiptar dhjetë apartamente në mes të Romës
Në mesditë i Ngarkuari me Punë filloi ciklin e thirrjeve një nga një në zyrë. Në fillim hyri Diplomati i Dytë, pas tij i Treti dhe në fund Syri i Qelqtë.
Qe rrahur tema e dhjetë apartamenteve që fantazma e diplomatit të kohës së komunizmit, Karagjozit, po vazhdonte të këmbëngulte. Kjo mund të shkaktonte ndonjë incident dhe krejt befas të binin preh e shtypit. Kandidatët për blerjen e tyre mund të trokisnin nëpër dyert e banesave. Kjo duhej parandaluar sa më urgjentisht.
Rreth orës 13.30 në sekretarinë e Ambasadës, me qëllim që të postohej menjëherë, u mbyll një zarf me këtë përmbajtje:
\"Nën vëmendje të zotit Camillo G...!
Në vijim të letrës Tuaj drejtuar Ambasadës sonë ju informojmë:
Apartamentet (10) të vendosur në Viale Eritrea, 34, Roma, i përkasin me të gjitha të drejtat civile Shtetit Shqiptar. Apartamentet janë blerë në vitin 1966 prej zotit A. Karagjozi., me autorizimin e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë për llogari të Shtetit. Paratë janë marrë nga Banka e Shqipërisë. Duke qenë se Ambasada nuk mund të bënte shitje-blerje pa një emër personi, i gjithë operacioni u intestua në emrin e tij. Ky rregull është i njohur edhe Konventa Diplomatike dhe Konsullore e Vjenës e vitit 1961 dhe është veprim që e kryejnë të gjitha përfaqësitë diplomatike në botë. Kështu më 1966 zoti A. Karagjozi ka marrë \"në besë\" nga Shteti ynë të ketë të drejtën e pronarit për këto banesa.
Në emër të Ambasadës dhe të Shtetit Shqiptar konfirmoj se të gjitha operacionet e kryera për apartamentet e Viale Eritrea 34 nuk janë të vlefshme. Bëhet fjalë për një spekulim, gjë që do të ndiqet nga ana jonë me rrugë gjyqësore...\".
Ndërsa zarfi po bëhej gati të dërgohej në postë me një nga shoferët, Topalli tregoi një nga të fshehtat e reja të ish-ambasadorit: ky kishte gjetur një shtëpi në plazhin e Ostias, në periferinë bregdetare të Romës, ku do të vendosej bashkë me familjen.
Lajmi shkaktoi përfolje të menjëhershme jo sepse ish-i nuk do të kthehej në Shqipëri. Ai nuk do të qe, duke filluar prej vitit nëntëdhjetë, as ambasadori dhe as diplomati i parë shqiptar që, pas përfundimit të misionit, nuk kthehej në vendin e tij. E vërteta që kishte qarkulluar gjer atëherë qe se ish.
Topalli ndërkohë shtoi se banesa e siguruar, një vilë e vogël, ku ndonjë dhomë nuk dukej se ishte në gjendje të mirë, i qe dhënë gratis.
Shfaqet këshilltari i mëkëmbësit mbretëror të pushtimit fashist, Françesko Jakomonit: E dua shumë Shqipërinë
Kishte mbi një gjysmë ore që telefoni nuk po e klithte zilen dhe Diplomati i Parë më në fund ndihej i zhytur në raportin ditor. Pas pak u ngrit dhe shkoi drejt dritares së hapur dhe prej ku, përtej pamjes së përhershme të lëvizjes së makinave, mbi rrugën dhe afshin e saj, niste parku i Vilës Leopardi, një hapësirë e vogël, por e mbushur me gjelbërim.
Befas kuisi telefoni. U rikthye tek tryeza e punës dhe ngriti dorezën. U dëgjua zëri i Annamarisë: Alooo! Diplomati i Parë vuri buzën në gaz. Shefja e zyrës së marrëdhënieve me jashtë të Fiera del Levante herë pas here e linte mënjanë mënyrën italiane të thirrjes telefonike, e cila përdorte fjalën \"pronto\".
I tha se atë ditë e kishte telefonuar nga Roma një mik i vjetër, të cilin ajo e thërriste \"ministër\". Ja shqiptoi emrin: Nikola Lo Ruso Atoma. Shumë vite më parë pati qenë përfaqësues i Ministrisë së Jashtme Italiane pranë këshillit administrativ të Fiera del Levante.
Pastaj Annamaria, pa e rrënuar zërin e saj ngazëllimtar, nisi ta shpjegonte ngjarjen më hollësisht. Ministri Lo Ruso Atoma ishte me origjinë nga qyteti i Barit, por që i ri jetonte në Romë, ku edhe karrierën e kishte nisur duke ja kushtuar veprimtarisë diplomatike. Tashmë, shtoi Annamaria, ai është në pension, madje ka mbushur plot 92 vjet.
Nikola Lo Ruso Atoma kishte qenë ndihmës i guvernatorit Jakomoni, i njohur në fillim të viteve dyzetë si mëkëmbësi i Mbretit italian në Shqipëri. Madje ishte pikërisht ky nëpunës i lartë, i cili i kishte siguruar një bursë studimi edhe piktorit të njohur shqiptar Ibrahim Kodra, prej një gjysmë shekulli banues në Milano.
Lo Ruso Atoma e kishte marrë në telefon për të ditur se si po shkonin punët me aktivitetin \"Dita e Shqipërisë\". Lajmin e kishte lexuar nëpër gazeta dhe e dinte saktësisht edhe datën: 16 shtator.
Pastaj Annamaria shtoi edhe hollësinë e fundit. Diplomati i vjetër herë pas here e telefononte për ta pyetur se si shkonin punët e bashkëpunimit me Shqipërinë. Këmbëngulës ai bëhej veçanërisht sa herë që ajo kthehej nga ndonjë vizite pune në Tiranë. Atëherë nuk mjaftonte edhe një bisedë gjysmë orëshe. Donte t\'i dinte të gjitha, ndryshimet e rrugëve, fatin e shesheve të njohura, pallatet e reja që ishin ngritur, shirat dhe vapën e Tiranës.
Diplomati i Parë u nda me Annamarinë dhe e hodhi vështrimin në gjelbërimin e parkut të Vilës Leopardi. Atë 8 shtator Roma iu duk më e bukur se kurrë. Kjo do të ishte edhe dita kur në orën 21.00 televizioni Canale 5 do të transmetonte koncertin përkujtimor për Nënë Terezën.
Kjo ndodhi vërtetë. Në sallën Pali i VI i Zonjës së Këshillit të Mirë, në Vatikan, kishte rreth tetë mijë shikues. Ishin orë të mira për imazhin e Shqipërisë.
Kur u gdhi 9 shtatori, e mërkurë, media e Tiranës njoftoi se kryeministri u nis për në vizitën tij të lajmëruar në Portugali. Në Lisbonë do të merrte pjesë në ditën e Shqipërisë, e cila do të organizohej në panairin ndërkombëtar EXPO\'98.
Një nga të përditshmet shqiptare me këtë rast shënonte se kryetari i qeverisë po ikte nga vendi \"duke lënë pas situatën politike më të vështirë për qeverisjen e PS, që prej kohësh kur Nano filloi të drejtojë qeverinë e koalicionit\".
Në shtypin e Tiranës ndërkaq bëhej e ditur edhe kjo deklaratë e Azem Hajdarit: \"Fatos Nano ka mbaruar. Ai është njeri i krizës, faktori antishqiptar në vend. Tek Nano shqiptarët shohin imazhin e diktatorit. Demokratët shqiptarë nuk mund ta lenë Shqipërinë në dorën e një bande kriminelësh\".
Po këtë ditë të 9 shtatorit 1998 në gazetat e kryeqytetit shqiptar botoheshin fragmente nga një konferencë shtypi e Sali Berishës. Mes të tjerash ai kishte thënë: \"Opozita do të përdorte edhe forcën në mbrojtje të drejtave kushtetuese të qytetarëve\".
Po ashtu: \"Në qoftë se proceset gjyqësore i ngrijnë, mjetet paqësore kanë marrë fund dhe mbetet vetëm forca\".
I pyetur nga një gazetar se \"a nuk është antikushtetuese mbrojtja e kushtetutshmërisë me anë të forcës\" Berisha u përgjigj \"është e ligjshme në të gjitha rrethanat shoqërore, është vetëm kushtetuese, vetëm e ligjshme. Sa herë që preket kushtetutshmëria dhe rendi kushtetues çdo qytetar ka të drejtën të vdesë në mbrojtje të tij, çdo forcë politike ka të drejtën të vdesë në mbrojtje të saj\".
Pyetjes tjetër se \"a ju tremb fatura e gjakut që do të paguanin shqiptarët në rast se ky qëndrim do të ishte konseguent\", Sali Berisha i ktheu fjalët: \"Mua nuk më tremb kurrë fatura e lirisë\".
10 shtator, e enjte
\"Zëri i Popullit\": \"Rikthehen maskat dhe shpërthimet e eksplozivëve. Edhe ky është një realitet që nuk mund t\'i fshihet opinionit publik. Mbi 18 raste grabitjesh nga maskat e armatosura, 7 raste vrasjesh, plagosjesh apo sulme mbi forcat e rendit, mbi 22 raste përdorimi të lëndës eksplozive, nuk janë pak për të konkluduar se rendi vazhdon të ketë probleme...\".
\"Rilindja Demokratike\": \"Sot, miting i madh i \"Bashkimi për Demokraci\" në sheshin \"Skënderbeu\", \"Tirana në shesh: Nano nuk ke shpëtim!\", \"Opozita paralajmëron reagimin më të ashpër për të mbrojtur rendin kushtetues\", \"Hidhet në erë shtëpia e deputetit të Lushnjës...si edhe kinoteatri i qytetit, ku do të zhvillonte punimet aktivi i jashtëzakonshëm\", \"Klani i Nanos kërkon shkarkimin e Perikli Tetës\", \"Ministri i Brendshëm nuk zbatoi urdhrin për të qëlluar mbi protestuesit\", \"Pritet zëvendësimi i tij me një \"dorë të fortë që të shtypë demokratët\", \"Bllokoni aeroportin, përgatitet arratisja e madhe e qeveritarëve\", \"Sulmohet me armë komisariati i Laçit\", \"Kurbin, mbi 30 minuta luftë mes uniformave blu dhe personave të panjohur\", \"Berisha i bëri thirrje mësuesve dhe punonjësve të tjerë të fillonin greva dhe protesta kundër qeverisë, ndërsa forcave të rendit u kërkoi të qëndronin në anën e lirisë, në anën e popullit\", \"Marrëveshje, pas dorëheqjes së Nanos, përndryshe, tha Berisha, Shqipëria do të shkojë në katastrofë\".
Një raport i shkurtër për Ministrin e Jashtëm: imazhi i Shqipërisë në rënie të nxituar
I Ngarkuari me Punë ja kishte ngulur vështrimin gazetës \"La Repubblica\" dhe ashtu ndenji për një kohë të gjatë. Vizita e kryeministrit shqiptar në Romë ishte veprimtaria më e rëndësishme diplomatike e tij për tre muajt që do të rrinte në kryeqytetin italian. Në fillim të nëntorit pritej të vinte ambasadori i ri.
Ekrani i kompjuterit kishte rënë në \"pushim\" dhe herë pas here, duke u përplasur lehtas nëpër paretet e tij, lëkundej fjala \"Windovs 95\".
I Ngarkuari me Punë goditi njërin nga tastet dhe ekrani u zbardh, pastaj u shfaq fragmenti i tekstit që ai po bënte gati për t’ia nisur Ministrit të Jashtëm në Tiranë. Në hartimin e raportit të tij të shkurtër e kishte ngacmuar pikërisht ajo gazetë, \"La Repubblica\", e cila qe e përditshmja e dytë e vendit. Kësaj radhe një artikull i saj kishte vënë në qendër të vëmendjes çfarë po ndodhte në Shqipëri. Brenda shkrimit ishte rrëfimi i misionit të BE-së bërë ato ditë në Tiranë, i cili kishte deklaruar se \"kryeministri është akuzuar se nuk ka arritur të luftojë korrupsionin\" dhe po ashtu \"në rast se udhëheqësi demokratikas do të vazhdojë të nxisë turmën, bota do ta izolojë\". Ideja e misionit ndërkombëtar të Bashkimit Evropian qe shkruar qartë në njërin prej nëntitujve: \"Kriza shqiptare, faji është i Nanos dhe i Berishës\".
I Ngarkuari me Punë rilexoi edhe njëherë tekstin përfundimtar të raportit të tij të shkurtër. Ai i komunikonte Ministrit të Jashtëm se në prag të vizitës së delegacionit shumë të rëndësishëm nga Tirana si pasojë e ngjarjeve politike që po zhvilloheshin në Shqipëri, imazhi i vendit dhe jo pak edhe ai i kryeministrit, kishin filluar të dëmtoheshin rëndë, gjë që mund të ndikonte në rezultatet e vizitës.
Pastaj u ngrit nga tryeza, vuri borsalinën mbi kokë dhe i tha shoferit ta bënte gati makinën. Drejtimi: Ministria e Jashtme Italiane.
FATOS NANO NË LISBONË: KOSOVA TË KETË KRYEQYTET BEOGRADIN. NË TIRANË VRITET AZEM HAJDARI
Pjesa e dytë, shkrimi i tretë
Dita e vizitës së Fatos Nanos në Itali, 15 shtator, bie e martë
Diplomati i Dytë i hapi të dyja kanatat e dritares së zyrës dhe e uli grilën deri në mes të saj me shpresë që t\'i shpëtonte vapës së madhe që po i kërcente mbi trup prej asfaltit të rrugës Asmara. I Ngarkuari ne Punë sapo e pati thirrur dhe i kishte treguar projektin e ftesës së bërë për 15 shtatorin nga departamenti i marrëdhënieve ndërkombëtare i Konfindustrias. Në bocën e përkohshme, e cila po brenda kësaj dite do të merrte formë zyrtare e shumëfishohej, nuk mungonte asgjë nga marrëveshjet e realizuara më parë mes ambasadës dhe institucionit përfaqësues të kapitalistëve të mëdhenj italianë.
I Ngarkuari e kishte hedhur firmën në fund të bocës dhe kërkonte që menjëherë t\'i dërgohej nëpërmjet faksit këshilltarit Masoni. Diplomati i Dytë nisi ta rifomulojë ftesën në kompjuter. Goditi tastierën: E martë, 15 shtator.
U mpi. Asnjëherë fjala \"e martë\" nuk e kishte tronditur kaq sa kësaj radhe. Ai nuk i paragjykonte ditët e javës, por togu i fjalëve \"e martë, 15 shtator\" i futi dridhmat.
Vetëtimthi iu kujtua vezullimi i papritur i syve të Masonit kur e takuan për herë të parë dhe ishin duke pirë një kafe në hollin e madh të katit të parë të ndërtesës së ngujuar në xham dhe duralumin. Atëherë atij i kishte shpëtuar një frazë e mjegullt e dyshuese nëse vërtet do të realizohej vizita e kryeministrit shqiptar në Romë.
Diplomati i Dytë goditi sërish: Seminar \"Ekonomia shqiptare: mundësi bashkëpunimi për ndërmarrjet italiane\", Romë, 15 shtator 1998, ora 15.00, Sala Giunta\".
Mbajti një çast frymën dhe sërish mëshoi tastet e germave: \"Ora 15.00- Mirëseardhje nga Këshilltari për Marrëdhëniet Ndërkombëtare...Ora 15.10- Fjala e ministrit shqiptar për Ekonominë dhe Privatizimin, Fjala e ministres për Bashkëpunimin Ekonomik dhe Tregtinë me Jashtë, Fjala e ministrit italian për Tregtinë me Jashtë...\".
Diplomati i Dytë ndjeu mbi shpinë të gjithë përvëlimin e vapës së reflektuar nga asfalti i rrugës Asmara. Në bocën e vjetër, hartuar në 4 shtator, ishte shkruar se në seminar do të fliste edhe Fatos Nano. Tashmë në bocën e re emri i tij ishte shmangur: kryeministri shqiptar nuk do të takohej me presidentin e Konfindustrisë. Ky në 15 shtator do të qe jashtë Romës.
11 shtator 1998, në Shqipëri nuk ndodhen as Kryeministri dhe as Presidenti
Këtë ditë Diplomati i Parë mbajti shënim dy ngjarje që parathoshin situatë të veçantë. E para qe deklarata publike e Azem Hajdarit, bërë në qytetin e Lezhës: \"Populli në mbarë Shqipërinë është ngritur në këmbë për të rrëzuar qeverinë\". E dyta: nënministri i Jashtëm italian Piero Fasino kishte bërë një vizitë në qytetin e Barit dhe pati thënë çfarë gjer ato çaste nuk e kishte pohuar askush prej qeverisë italiane. Deklarata e tij ishte: \"NATO do të marrë masa për Kosovën\".
Ndërkohë Diplomatit të Parë i ra në sy që në Shqipëri ato çaste nuk ndodhej as presidenti dhe as kryeministri. I pari qe nisur për një vizitë në Athinë, kurse i dyti gjendej në panairin e Lisbonës.
Rishfaqet diplomati hajdut i dhjetë apartamenteve
I Ngarkuari me Punë ishte gati ta zhubroste atë letër që sapo ia kishin sjellë nga sekretaria e ambasadës. Që në krye të objektit të saj ajo komunikonte në mënyrë arrogante \"Shitja e shtëpive të vendosura në Romë, Viale Eritrea nr. 34\". Dhe më pas: \"Pronari i grupit të apartamenteve që janë zënë prej Jush aktualisht në cilësinë e Kondudorit e ka ngarkuar Shoqërinë tonë të kujdeset për shitjen.
Në rast se do të ketë të interesuar për t\'i blerë, do t\'Ju njoftojmë me anë të një letre të rekomanduar brenda 10 ditësh nga marrja e saj. Në rast të kundërt, ju lutemi na komunikoni me anë të një përgjigjeje orarin, ku ditë për ditë, është e mundur që klientët tanë të vizitojnë apartamentet\".
I Ngarkuari me Punë shtrëngoi një çast tëmthat dhe ndjeu se nga zemërimi ato po i rrihnin. Pastaj befas e kapi copëfletën e ardhur nga shoqëria Galavrani dhe ia nguli sytë. Në krye të saj, adresa e tyre ishte shkruar \"Ambasada e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë\".
E uli rrufeshëm vështrimin një radhë më poshtë. Adresimi i zonës ishte 00162,3. Pra qe grupi shifror që përcaktonte tre dekada më parë vendndodhjen e selisë së mëparshme të Ambasadës, tek Vila Kalandra. Prej kohësh ambasada ndodhej në 00199,5.
Analisti britanik në radio BBC: Ngjarjet në Shqipëri dhe në Kosovë komunikojnë me njëra-tjetrën
Diplomati i Parë e lëvizi me shpejtësi shigjetën e treguesit të valëve dhe radioja menjëherë lëshoi në ajër sinjalin e fillimit të emisioneve të BBC-së. Ishte ora 19.00 dhe ai i vetëm në zyrën e tij. Kolegët qenë larguar një nga një e shumica duhej të ishin mbledhur në sallën e katit të parë, ku edhe kishte një televizor të lidhur, nëpërmjet një antene satelitore, me TVSH-në.
Në Lisbonë duhej të qe zhvilluar Dita e Shqipërisë. Një veprimtari pothuaj paralele do të mbahej edhe në Bari. Nuk ishte hera e parë që në qytete të rëndësishme të Evropës perëndimore interesimi për Shqipërinë tregonte rigjallërim, edhe pse nga analistë të ndryshëm përflitej kahja e kundërt: lodhja e Perëndimit nga problemet e pafund që krijonte vendi i vogël dhe i vështirë i Ballkanit.
\"Dita e Shqipërisë\" në EKSPO 98 në Lisbonë ishte mbajtur. U konfirmua ato çaste nga BBC. Por lajmi i kësaj Dite nuk përbënte ngjarjen kryesore të edicionit informativ të stacionit të shumënjohur britanik. Madje \"Dita e Shqipërisë\" as që përfaqësonte në vetvete ndonjë lajm. Këtë e kishte mjegulluar një deklarim i Fatos Nanos, i shqiptuar në konferencën për shtyp të organizuar posaçërisht për atë Ditë.
Kryeministri i Shqipërisë në Ekspozitën Botërore të Lisbonës e pati përqendruar vëmendjen në përgjigjet për problemin e Kosovës dhe si rrugëzgjidhje për këtë krizë kishte ofruar marrjen pjesë të saj në një federatë serbe demokratike. Ai ishte shprehur kundër pavarësisë së Kosovës, duke e argumentuar atë me idenë se ajo qe e papajtueshme me kontradiktat ndëretnike në këtë territor. Deklarata e Fatos Nanos ishte bërë menjëherë top lajm edhe për faktin se për Kosovën ai kishte shqiptuar si kryeqytet të saj Beogradin, jo Prishtinën.
Diplomati i Parë e mbylli radion. BBC po citonte një raport i OKB-së për zhvillimin, në të cilin Shqipëria, për të ardhurat për frymë, zinte në botë vendin 105.
Brenda pak çasteve Diplomatin e Parë e mundi ndjenja e dyshimit mos kryeministri kryente të njëjtën gjë edhe në Itali dhe pas kësaj gjithçka që ishte kryer me mund nga stafi i ambasadës, do të thërrmohej, do të zhdukej prej mundësisë për t’u bërë lajm. Fatos Nano do të takonte kolegun Romano Prodi, presidentin e vendit Euxhenio Skalfaro, dy kryetarët e dhomave të parlamentit Violante dhe Mançini, kryetarët e partive kryesore duke filluar nga lideri i të majtëve Masimo D\'Alema dhe duke përfunduar me kryetarin e të djathtëve Xhankarlo Fini. Do të bëhej edhe takimi i tij me Papën.
Diplomati i Parë befas ndërroi mendje dhe e rihapi radion. BBC po e vijonte programin e saj. Kësaj radhe një analist britanik po thoshte se ngjarjet e ndodhura në Shqipëri ndikonin më shumë në Kosovë dhe ato të ndodhura këtu influenconin shumë më pak në Shqipëri.
\"Përtej Urës së Qabesë\"
Bruno Kalvo kësaj radhe erdhi në ambasadë me një dosje të vogël plastike ngjyrëvishnje. Tha se ishte gati të transportonte deri aty me makinën e tij disa dhjetëra kopje të albumit për Shqipërinë. Pastaj shtoi vrulltas se qe shumë i dëshiruar t\'i priste për vizitë në shtëpinë e tij.
Ai jetonte në atë pjesë të Romës, e cila quhet EUR, fare pranë sheshit Kina. EUR ishte një lagje relativisht e re e kryeqytetit italian, ndërtuar pak vite para luftës së dytë botërore me një stil shumë origjinal.
Kalvo shtoi se, nëse diplomatët shqiptarë do t\'ia plotësonin këtë dëshirë, do të gëzohej mjaft edhe gruaja e tij. Ajo qe një italiane nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një plakë e bardhë dhe si e skalitur në mermer, me një zë të mëndafshtë prej engjëlli.
Pasi i mori një përgjigje pozitive ftesës së tij ai mbushi me gaz sytë e kaltër. Më pas, tek ikte dhe i duheshin fare pak hapa për të mbërritur portën e kangjelltë të ambasadës, ndali dhe u kthye nga ata që po e shoqëronin. \"Për pak harrova përse erdha\" tha dhe nxori nga dosja e tij e vogël një CD room.
-\"Është një nga projektet e mia\" - shtoi dhe kapërceu portën e hekurtë.
Kur, pas largimit të Bruno Kalvos, njëri nga diplomatët e vendosi CD room-in në kompjuter, menjëherë në zyrë u përhapën tingujt e himnit kombëtar shqiptar. Pas himnit u dëgjua një poezi, pastaj kënga \"Përtej Urës së Qabesë\". Vijoi sërish një poezi, pasoi një tjetër melodi popullore...
Rrebesh shiu në Romë
Nëpër të gjithë natën e asaj të premteje, 11 shtator, mbi Romë ra një shi i rrëmbyer, gati si i çmendur. Vetëtimat përskuqën qiellin dhe gjëmimet për më tepër se një orë u bënë aq të shpeshta sikur të ishte një bombardim. Disi më i qetësuar, por sërish i parreshtur, shiu vijoi edhe në zbardhje të ditës.
Ra edhe gjithë paraditen. Veç kësaj here ishte me të vërtetë një shi vjeshte. I trazoi të gjitha gjethet e pemëve dhe, tek godiste mbi to, dukej sikur tingëllonte një melodi.
Ndërkaq në Shqipëri, në Fier, Azem Hajdari pati deklaruar se \"Kjo qeveri nuk e ka të gjatë...Nano dhe klika e tij janë sot qeniet më të urryera për shqiptarët, që në një vit sundimi të komunistëve shohin se u është rrëmbyer pasuria, mirëqenia, liria, qetësia dhe puna...\".
12 shtator, e shtunë
Në telefon ishte shefi i tij i drejt për drejtë. Syrit të Qelqtë i hipi në kohë të bënte shaka, siç edhe i ndodhte më shpesh kur ia dëgjonte zërin, por në receptor fjalët që mbërritën nga Tirana ishin të ngrira, si të mbushura me brymë.
-Rreth orës 21.15, është vrarë Azem Hajdari - tha tjetri. Pastaj shtoi - Po më dëgjon?
-Të dëgjoj - iu përgjigj Syri i Qelqtë, por nuk ishte i sigurt në se kishte arritur ta nxirrte vërtet atë zë. Fjalët e tjera qenë si të mpira, të përçartura: ku, si ndodhi, kush mund ta ketë vrarë.
Pastaj shefi i tij theksoi fjalët se thjesht kishin porosi të vinin në dijeni njerëzit e tyre dhe me këtë rast të mos linin t\'u shpëtonte ndonjë informacion rreth vrasësve të mundshëm. Sidomos po të dinin që ata kishin kaluar kufirin shtetëror.
Më në fund njeriu nga Tirana e mbylli telefonatën pa thënë natën e mirë. Syri i Qelqtë kafshoi buzën lehtë, si për ta provuar veten në se qe në jetë reale dhe jo në ndonjë zhgjëndër. Kur njëri nga kolegët e një shërbimi të huaj i pati thënë se në shtator do të pësonin një trazirë as që i kishte vajtur mendja se për shkëndijë do të qe vrasja e një politikani të dëgjuar të opozitës.
Deklaratë e jashtëzakonshme e kryesisë së PD-së, e Sali Berishës dhe e Qeverisë Shqiptare
\"Kryesia e Partisë Demokratike u mblodh sot, më datë 12 shtator 1998, për të nderuar figurën e liderit të shquar të lëvizjes së dhjetorit të Partisë Demokratike, Azem Hajdari dhe vendosi: Të mbahet tre ditë zi kombëtare, duke filluar nga dita e diel, më 13 shtator. Në të gjitha selitë e Partisë Demokratike dhe ato të pushtetit lokal demokrat të ngrihen flamujt gjysmështizë...
Sali Berisha deklaroi: \"Azem Hajdarin e vrau shteti me falangat e tij, emrat janë të njohur. Ai qëndroi gjer në minutën e fundit dhe ne duhet të qëndrojmë gjer në minutën e fundit. Ne jemi një vend që meritojmë lirinë, ne jemi një popull që meritojmë të ardhmen. Vrasja e Azem Hajdarit është vrasja më makabër e Fatos Nanos dhe e atyre që iu shërben Fatos Nano. Ai është në një farë mënyre zëdhënësi më i fuqishëm i interesave kombëtare. Kishte një kurajo të jashtëzakonshme. Edhe një herë do t\'u kujtoja fjalën e tij në spitalin ushtarak, kur u plagos. \"Unë e kam për nder të vdes për demokracinë\". Ai e tha për mua, por nuk ishte fjala për mua, sepse nuk kishte pse të vdiste për mua. Ai më tha se të jesh i sigurt se \"unë vdes i lumtur dhe vdes i qetë kur vdes për ty\"...Azem Hajdarin e vrau Fatos Nano...\".
Qeveria Shqiptare i komunikoi opinionit publik se i shprehte “ngushëllimin e saj më të thellë familjes Hajdari, gruas dhe fëmijëve, për atentatin ndaj bashkëshortit dhe babait të tyre Azem Hajdari. Ajo dënon me forcë aktin tragjik...Atentati ndaj liderit të dhjetorit dhe deputetit të Partisë Demokratike përbën një humbje të madhe për demokracinë shqiptare.
Qeveria ka angazhuar të gjitha strukturat e rendit, policisë kriminale dhe SHIK-ut për të gjurmuar dhe zbuluar autorët e krimit.
Ajo i lutet të afërmeve, partive politike, Partisë Demokratike në veçanti që të gjejnë forca, të përmbajnë pikëllimin dhe emocionin për humbjen e njeriut të tyre të zemrës...\".
Rrebesh lajmesh
Diplomati i Parë nisi të lexojë me një frymë teletekstin e Radiotelevizionit Italian, RAI: \"Vritet në Tiranë bashkëpunëtori i ish-presidentit Sali Berisha\". Më pas moria e zezë e germave thoshte se në Tiranë në një pritë qe vrarë deputeti i Partisë Demokratike Azem Hajdari, i cili pati qenë në krye të mitingjeve të opozitës kundër qeverisë Nano dhe se një vit më parë kundër tij pati bërë atentat në mes të parlamentit një deputet i Partisë Socialiste.
Ngjarjen e ndodhur në Tiranë kanali i dytë i televizionit publik italian e dha me figurë. Pastaj hapi kompjuterin dhe u lidh nëpërmjet internetit me agjencinë italiane të lajmeve ANSA. Këtu njoftimet qenë të shumta.
Gjer në orën dy të pasmesnatës ndoqi ngultas informacionet më të reja që vinin nga teleteksti i RAI-t. Në orën dy doli në dritare dhe ndezi një cigare. Të njëjtën gjë e bëri edhe një gjysmë ore më pas. Afër orës tre u përpoq të flinte dhe nuk ja doli dot. E përsëriti gjestin ngulëkëmbës në orën katër dhe nuk kuptoi se si, pas shumë përpjekjesh, gjumi e mundi.
MINISTRI ITALIAN I MBROJTJES DRUAN MOS NË NGJARJET E TIRANËS, PAS VRASJES SË AZEM HAJDARIT, NDËRHYJNË NJËSITE TË ARMATOSURA KOSOVARE QË MBËSHTESIN ISH-PRESIDENTIN BERISHA
Pjesa e dytë, shkrimi i katërt
13 shtator
Ora 02.00. Sipas Ministrisë së Rendit në Tiranë është dhënë gjendja më e lartë e gatishmërisë për të gjitha komisariatet e vendit. Ndërkohë që efektivat e trupave speciale janë dislokuar pranë objekteve më të rëndësishme, ku mund të ketë edhe trazira të mundshme.
Ora 6.00. “Rilindja Demokratike”, faqja e parë: \"Klika vrau Azem Hajdarin\", \"Fatos Nano mbyt në gjak selinë e Partisë Demokratike”, \"Kryekrimineli Fatos Nano të largohet nga Shqipëria\", \"Shefi i krimeve të Tropojës Jaho Salihi është identifikuar si një nga vrasësit, që kanë shkrepur automatikët nga makina me targë VL0676\", \"Vrasësit janë të lirë\".
Faqja e dytë: \"...Ndërsa rreth dhjetë kirurgë të njohur të spitalit Ushtarak po bënin të pamundurën me jetën e njërit prej shoqëruesve të goditur në pritë, të afërm dhe miq të tyre, pasi i njohën me hollësi të ngjarjes tragjike, detyruan të largoheshin një furgon me policë që ishte stacionuar në hyrje të urgjencës së Spitalit Ushtarak. \"Shporruni, Azem Hajdari nuk ka nevojë të ruhet i vdekur\", i bërtiti një grua policëve. Sytë e përlotur dhe kokat e rëna të demokratëve thërrisnin dje hakmarrje. Lajmi i zi u përhap bashkë me emrin e vrasësit\".
Shtypi italian: Është vrarë në Tiranë zëvendësi i Berishës
Diplomati i Parë doli që mëngjes herët nga apartamenti i tij dhe shkoi në kioskën më të parë të gazetave. Bleu menjëherë një tufë prej tyre dhe gati duke rendur mori rrugën për në Ambasadë. Në zyrë qetësia ishte e shurdhër. Çdo lëvizje, madje edhe shfletimi i faqeve të gazetave, kumbonte.
Ndezi kompjuterin dhe sapo ekrani u mbush me tekstin format të faqes, ku ai shkruante raportin ditor, nisi të shkruajë: “Cili ishte për gazetarët italianë Azem Hajdari?” Pastaj rreshtoi: \"Corriere della Sera\" - \"Është vrarë në Tiranë zëvendësi i Berishës\"; \"Il Giornale\" - \" Është vrarë më besniku i Berishës\"; \"La Repubblica\" – “Hajdari i konsideruar si shef i ultrave të Partisë Demokratike\", \"Azem Hajdari, udhëheqësi i \"të ashpërve\" të PD-së\"; \"L\'Unità\" - \" Është vrarë në Tiranë krahu i djathtë i Sali Berishës”.
Si u vra?
\"Corriere della Sera\" - \"U mitralua ndërsa po delte nga selia e partisë, afër sheshit Skënderbeu, më i rëndësishmi i kryeqytetit. Bashkë me të vdiq edhe një nga dy truprojat që nuk i ndaheshin. Tjetri është duke vdekur në spital\"; \"La Stampa\" - \"Mbrëmë, ndërsa në Tiranë binte një shi i madh, është vrarë në një atentat deputeti Azem Hajdari...\"; \"La Repubblica\" - \"Atentatorët kanë pritur që deputeti të delte nga selia e Partisë Demokratike dhe e kanë mitraluar nga një veturë që ecte\".
Kush akuzohet si vrasësi i tij?
\"La Stampa\" - \"Sali Berisha ka akuzuar një polic si përgjegjës të këtij ekzekutimi dhe e ka lidhur ngjarjen me kryeministrin Fatos Nano, i cili të premten në mëngjes ishte kthyer nga një vizitë në Portugali. Berisha ka shtuar se vrasësit kanë ikur me një veturë me targën e Vlorës, duke përzierë kështu drejt për së drejti qytetin e jugut, i cili ishte teatër, vitin e shkuar, i një revolte të armatosur dhe që gjithnjë është cilësuar kështjella elektorale e kryeministrit shqiptar...\"; \"L\'Unità\" - \"Akuzohet qeveria\", \"Opozita akuzon Nanon\". \"Në një televizion privat, Partia Demokratike e ish-presidentit Sali Berisha, ka akuzuar policinë se është përgjegjëse e drejt për drejtë e vrasjes së liderit të partisë Azem Hajdari dhe e një prej truprojave të tij”; \"Corriere della Sera\" - \"Vrasësit, të mbërritur para selisë së partisë me një autoveturë, pas kryerjes së krimit kanë lënë në vend dy mitraloza kallashnikovë dhe janë larguar të pa shqetësuar\".
Reagimi i qeverisë shqiptare.
\"L\'Unità\" - \"Nga Ministria e Brendshme kufizohen të thonë se deri ku kanë shkuar hetimet dhe japin një version krejt tjetër të asaj që ka ndodhur\"; \"La Stampa\" - \"Ministria e Brendshme ka thirrur një mbledhje, ndërsa qeveria, me një komunikatë të shpërndarë në Tiranë, e ka cilësuar atentatin \"një akt të rëndë kriminal\" dhe i ka bërë thirrje popullit që të bashkëpunojë për të kapur përgjegjësit\".
Përse duhet ta kenë vrarë?
\"Il Giornale\" - \"Në javët e fundit, pas arrestimit të gjashtë eksponentëve të ish-qeverisë demokratike, gjendja politike në Shqipëri është bërë shumë e tensionuar dhe Hajdari ishte ndër kryesorët organizatorë të gjitha manifestimeve në shesh që përditë po zhvillohen në të gjitha qytetet e vendit\", \"Midis themeluesve kryesorë të Partisë Demokratike të Sali Berishës, muajt e fundit ishte në krah të ish-kryetarit të shtetit, udhëheqësit aktual të opozitës, në një numër manifestimesh në shesh, ku kërkohej me forcë dorëheqja e qeverisë së tanishme të kryeministrit Fatos Nano\".
Efekti i ngjarjes.
\"La Stampa\" - \"Shqipëria po fillon të dridhet...Dhjetëra njerëz janë mbledhur përpara selisë së Partisë Demokratike, duke thirrur në mënyrë kërcënuese: \"Na jepni armë!\" Krimi rrezikon të shndërrohet në një tërmet në jetën politike tashmë të nxehur në Shqipëri\".
Kush kishte tentuar më parë për ta vrarë?
\"Corriere della Sera\" - \"Hajdari më 8 shtator të vitit të kaluar u plagos me armë zjarri në sallën e parlamentit nga një deputet socialist\"; \"La Repubblica\" - \"Azem Hajdari u plagos me pistoletë vitin e shkuar në sallën e parlamentit nga një deputet socialist...\"; \"La Stampa\" - \"Majin e kaluar Hajdari i shpëtoi një atentati në qytetin verior të Tropojës, prej nga ku ai ka origjinën\".
Ora 11.00 dhe më tej
Në Tiranë qeveria ishte në mbledhje kur drejt dritareve shpërthyen breshëritë e para të armëve dhe gurëve. Pastaj gjëmuan krismat e armëve. Zjarri përfshiu makinat që rrethonin godinën e qeverisë. Turma ngjiti shkallët dhe të armatosur e të revoltuar bashkë u futën brenda ndërtesës, zunë të gjithë katin e parë. Ushtarët e gardës qëlluan vetëm në ajër. Civilë të tjerë krijuan një perde zjarri për të penguar ngjitjen e turmës në katin e dytë. Pikërisht në një nga sallat e këtij kati po bëhej mbledhja e qeverisë. Disa protestues arritën të vënë këmbë edhe në korridorin e tij të gjatë, por mbrojtësit arritën t\'i zmbrapsin.
Ndërkohë prapa godinës u ishte vënë zjarri të tetë makinave të parkuara aty, shumica të ministrave të futur në mbledhje.
Pas kësaj qeveria pati ndërprerë mbledhjen dhe kryeministri kishte ngarkuar ministrin e Brendshëm të shkonte menjëherë në selinë e tij për të administruar situatën. Në vijim Fatos Nano doli nga dera e pasme e godinës dhe iku me makinën e tij të blinduar. Pas tij edhe dy nënkryeministrat. Ministrat e tjerë u larguan pothuaj me vrap bashkë me ushtarët e Gardës së Republikës.
Shumë shpejt në katin e parë shpërtheu zjarri. Protestuesit po u vinin flakën zyrave dhe gjithçkaje tjetër. Mes kaosit një njeri me megafon u thërriste të tjerëve \"Doktori ju urdhëron të ktheheni\". Menjëherë demonstruesit, përfshi edhe ata me armë, zbatuan urdhërin e ish-presidentit.
Në orën 11. 20 u mësuan emrat e viktimave të para. Gjatë protestës qe vrarë S. K., 59 vjeç, ish-sekretar i Ballit Kombëtar të Tiranës. Ishin plagosën komandanti i Gardës së Republikës H. L., si dhe një vajzë 15-vjeçare.
Në orën 11.30 nga Presidenca u njoftua se kryetari i Shtetit e kishte ndërprerë vizitën e porsanisur në Greqi. Ndërkaq ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Daan Everts, i pati telefonuar Sali Berishës: \"Bëni durim deri në zbardhje të enigmës\".
Në orën 12.30 ambasada amerikane në Tiranë shpalli një deklaratë, nëpërmjet së cilës shprehej se shqiptarët duhej ta ruanin qetësinë. \"Vdekja e Azem Hajdarit nuk duhet të shfrytëzohet\", tha mes të tjerash ambasadorja Mariza Lino.
Ministri italian i Mbrojtjes i druhet rrezikut të ndërhyrjes në ngjarjet e Tiranës edhe të njësiteve të armatosura kosovare që mbështetnin ish-presidentin Berisha
Njoftimet e para rreth efektit të asaj që kishte ndodhur në Tiranë mbërritën në teletekstin e RAI-t në orën 15.58. Ministria e Jashtme Italiane \"në pritje të verifikimit të zhvillimit të gjendjes nuk këshillonte tani për tani që italianët të shkonin në Shqipëri\". Në orën 17.00 u njoftua se qeveria italiane ishte futur në një mbledhje urgjente. Në mbyllje të saj teleteksti njoftoi se kryeministri Romano Prodi kishte bërë thirrjen \"Të ndalohet dhuna në Shqipëri\".
Teleteksti evidentoi edhe një thënie të ministrit të Mbrojtjes. Që në titull ai ishte formuluar me fjalët \"Shqipëri, Andreata: Kam frikë për një Liban të ri\". Sipas deklaratës së tij ministri trembej prej rrezikut të ndërhyrjes në ngjarjet e Tiranës edhe të njësiteve të armatosura kosovare që mbështetnin ish-presidentin Berisha. Këtë gjë ato mund ta bënin duke u rreshtuar me manifestuesit. \"Druhem se mos krijohet një situatë që mund të riprodhojë atë që në Liban u verifikua në Shtatorin e Zi\", kishte saktësuar Andreata.
Komunikata e qeverisë italiane u transmetua nga ANSA në orën 19.34. Në të, mes të tjerash, thuhej: \"Ndërkohë që pritet që autorët e gjestit të ndiqen menjëherë nga ligji, qeveria italiane nënvizon në shpirtin e miqësisë që karakterizon marrëdhëniet mes dy vendeve, nevojën që t\'i jepet fund dhunës dhe që i gjithë vendi dhe forcat e tij politike të përsërisin angazhimin e tyre për të kapërcyer vështirësitë në emër të interesit suprem dhe të përbashkët për të përcaktuar kushtet e një bashkëjetese civile\".
Po atë mbrëmje qarkulloi në rreth të ngushta në Romë edhe lajmi se Romano Prodi kishte lajmëruar një vizitë të tij blic në Tiranë dhe për këtë gjë edhe Ministria e Jashtme Italiane kërkoi një korridor ajror. Udhëtimi u anulua në çastet e fundit për arsye sigurie.
Ndërkohë në Tiranë, në orën 18.00, të gjitha partitë e spektrit të djathtë bënë një deklaratë: \"Deri nesër, në orën 12.00, Fatos Nano të japë dorëheqje. Ndryshe partitë e djathta nuk mbajnë përgjegjësi\". Zgjidhja e vetme mbetej ngritja e një qeverie teknike.
Pastaj deklarata-ultimatum i shkoi Presidentit të Republikës.
Në orën 19.00 u zhvillua një takim midis ambasadores amerikane, Mariza Lino, atij italian Marcelo Spatafora, Fatos Nanos dhe Rexhep Meidanit. Ajo u krye në zyrën e këtij të fundit. Kryeministri mori mbështetjen për të mos u larguar me dhunë.
Në orën 20.00 Fatos Nano u rikthye në kryeministri për të rimbledhur bashkëpunëtorët.
Mesnatë. Pas pak niste 14 shtatori. Vazhdon mbledhja e Këshillit të Ministrave. Erdhi lajmi se Romano Prodi kishte anuluar takimin me Fatos Nanon në Panairin e Barit.
Në mbyllje të mbledhjes ai bëri një konferencë shtypi ku pohoi se nuk do të jepte dorëheqje, por do të bënte të gjitha përpjekjet për një zgjidhje politike me konsensus.
Duke i gdhirë një ministër i porsakthyer në shtëpinë e vet i ra telefonit për t’i kërkuar një takim pune shefit të tij, por Nano iu përgjigj \"Vështirë... Jam në lëvizje...\".
Dhe sinjali u ndërpre.
Trupa e diplomatëve nuk dekurajohet
Në ambasadë mbledhja tek i Ngarkuari me Punë filloi fiks në orën tetë. Ai dukej i qetë dhe të parën fjalë që shqiptoi para trupës së diplomatëve ishte \"do ta realizojmë patjetër vizitën e kryeministrit në Romë\". Të tjerat qenë vetëm fjalë të thëna prerë dhe prej të cilave nuk kërkonte asnjë mendim.
-Mos iu jepni depresionit të shkaktuar nga ngjarjet e fundit në Tiranë! Bjerini telefonit të Konfindustrisë, Ministrisë së Jashtme Italiane, asaj të Industrisë, të Tregtisë me Jashtë, partive politike, koordinoni me ambasadorin tonë në Vatikan për vizitën tek Papa, kërkoni të dini çfarë mendojnë gazetarët për ngjarjet e djeshme dhe për vetë vizitën e planifikuar! Ka mundësi që rreth orës dymbëdhjetë edhe unë të bëj një vizitë në Farnezina.
Pasi i Ngarkuari me Punë përfundoi dhe diplomatët dolën nga zyra e tij njëri pas tjetrit, pranë derës, tek gardëroba e thjeshtë e zyrës, dikujt i ra në sy mungesa e borsalinës. Në ditët e zakonshme ai nuk e harronte kurrë ta merrte me vete.
Babai shqiptar që kërkon nëpër Romë vajzën e sëmurë me leuçemi
U ndje fort zilja elektrike e portës së hekurt të ambasadës. Atë ditë të 14 shtatorit ajo u solli ankth, ca më tepër që binte e binte shi pa pushim. Menjëherë shkallët e drunjta i zbriti Topalli. Kur pas një gjysmë ore u rikthye, qe i tronditur. Shpjegoi se ziles i kishte rënë një shqiptar rreth të dyzetave. Vinte nga periferia e Tiranës, nga Kamza, dhe duhej të ishte nga banorët veriorë që e kishin populluar atë zonë vitet e fundit. I ardhur nga Bari ai gjithë natën kishte qëndruar nën strehët e ballkoneve të Romës, nën shi. Më pas, në mëngjes, pati mundur të gjente adresën e Ambasadës dhe shpresonte që personeli i saj ta ndihmonte në zgjidhjen e hallit të madh që kishte.
Njeriu ende me teshat e lagura lutej t\'i gjenin vajzën e tij. Ajo vuante nga leuçemia dhe me ndihmën e një misioni humanitar qe kuruar në spitalin e Leçes. Kur më në fund ai kishte nxjerrë një vizë dhe pati mbërritur në këtë spital, atje i kishin thënë se vajza e tyre ishte shtruar në një qendër mjekimi në Romë. Adresën e saj ja patën shkruar në një letër, por ai e kishte humbur. Nën strehët e Romës gjithë natën nuk kishte bërë gjë tjetër veç kishte vajtuar pakujdesin e tij dhe qarë për të bijën.
Topalli tha se megjithatë, gjatë asaj gjysmë ore që ndenji me të, ja kishte gjetur ku e kishte vajzën. Pati marrë me rradhë zyrat e informacionit të spitaleve më të dëgjuara publike dhe ato që administroheshin nga Vatikani. E kishte pikasur vendndodhjen e vogëlushes me sëmundje të rëndë që në dhjetë minutat e para, pikërisht në qendrën më të madhe të mjekimit të Selisë së Shenjtë.
15 SHTATOR 1998, NJË PROTESTUES I OPOZITËS: “VRITENI NANON!”
Kundërlajm diversiv: “Sali Berisha ka vdekur në një aksident automobilistik”
Pjesa e dytë, shkrimi i pestë
E marta e 15 shtatorit
Në Romë kohë e mugët, re dhe shi që vinte dhe ikte. Qe dita kur kryeministri shqiptar duhej të niste vizitën e tij në Itali. Në ambasadë Diplomati i Parë, duke mbajtur edhe nën dritën e fortë të abazhurit shumëfaqeshit e gazetave italiane të asaj dite, vijoi në ekranin e kompjuterit hartimin e raportit ditor:
Përmasat e ngjarjes:
\"Corriere della Sera\"- \"Në flakë selia e qeverisë\", \"Shqipëria kthehet në kaos një vit më pas nga kryengritja që shkaktoi dy mijë të vdekur. Ish-presidenti i thotë kryeministrit Nano: \"Dorëhiqu!\"
\"La Stampa\" - \"Njerëzit e Berishës sulmojnë pallatin e qeverisë\", \"Ish-kryetari i Shteti kërcënon: \"Nano duhet të ikë brenda 24 orëve ose do të jetë më keq për të\".
\"La Repubblica\" - \"Tiranë, vrasja politike djeg pallatin e qeverisë\".
\"Il Giornale\" - \"Berisha i rrethuar mes bashkëpunëtorëve të tij del në ballkon: \"Ne nuk jemi terroristë, por në rast se Nano nuk dorëhiqet nuk dimë se çfarë do të ndodhë\". Një britmë nga turma \"Vriteni, vriteni, vriteni Nanon!\"
\"L\'Unità\" - \"Tirana, flasin kallashnikovët\".
Efekti ndërkombëtar i ngjarjes:
\"La Stampa\" - \"Rebelim në Tiranë, kthehet ankthi i luftës civile\".
\"Il Giornale\" - \"Shqipëri, rrezik i luftës civile\".
\"Corriere della Sera\" - \"Shqipëria në zgrip të luftës civile\".
Si përshkruhen protagonistët e konfliktit?
Si reagojnë italianët?
\"Il Giornale\" - \"Alarm në Romë, mbledhje me Prodin\".
\"Corriere della Sera\" - \"Prodi thërret një mbledhje urgjente\", \"Thirrje që nga Roma: \"Kujtohuni se pa paqe nuk do të ketë ndihma\".
Në artikull thuhet hollësisht se për shkak të krizës shqiptare kryeministri italian Romano Prodi ka lënë festën e \"Unità\" në Bolonjë dhe ka anuluar të gjitha angazhimet e tjera. Më pas në artikull thuhej se kryeministri italian pati shumë biseda telefonike me presidentin shqiptar Rexhep Meidani, me kryeministrin Fatos Nano dhe kryetarin e Partisë Demokratike të opozitës Sali Berisha.
Si mendojnë analistët?
\"Corriere della Sera\" - \"Në Tiranë qarkullojnë zëra të ndryshme, njeri prej të cilëve thotë se kjo vrasje hyn në një plan për dobësimin e mbështetjeve kryesore për guerriljen kosovare\"...
Pasoja e menjëhershme e ngjarjes:
\"Corriere della Sera\" - \"Pikërisht sot pritej në Romë kryeministri shqiptar Fatos Nano. Do të takonte politikanë dhe sipërmarrës, në kërkim të mundësive të reja ekonomike për rindërtimin e vendit të vet. Por udhëtimi duket se nuk do të bëhet\".
Orë pas ore në Tiranë, në sulmin drejt Kryeministrisë
Në Sheshin Skënderbeu nisi ceremonia e varrimit të deputetit Azem Hajdari dhe e truprojës së tij. Kohë e keqe, shi. Pjesëmarrja e madhe.
Mes të tjerash Sali Berisha tha: \"Vrasësit e Azem Hajdarit njihen botërisht... Por këta vrasës kanë edhe një emër konkret, kanë emrin e përbashkët, emrin e zi Fatos Nano”.
Në orën 10.00 Zyra e Shtypit e Kryeministrit njoftoi se të armatosurit që do ta destabilizonin rendin, do të goditeshin. Një gjysmë ore më vonë protestuesit vunë në krye arkivolin me trupin e Azem Hajdarit dhe familjarët e tij. Rreth pesëdhjetë metra më tutje, mbajtur në krahë, ishte edhe arkivoli i truprojës së vrarë. Në fund të ceremonisë mortore të gjithë pjesëmarrësit qenë ftuar të drejtoheshin për në varrezat e Sharrës, por kreu i saj mori rrugën drejt bulevardit \"Dëshmorët e Kombit\". U bë e qartë se turma po shkonte drejt Kryeministrisë.
Ndërkaq, kryetari i PD-së, Sali Berisha, u kthye në zyrën e tij.
Këto çaste nëndrejtori i Agjencisë Telegrafike Shqiptare hapi ngadalë sytë dhe u përpoq të mësohej ngadalë me grindosjen e germave në ekranin e kompjuterit. Kur ato u bënë të qarta i ra një tasti dhe e lëvizi vërshimin e tyre drejt informacioneve të tjera. Në atë zhvendosje masive të lajmeve atij nuk i ra në sy njëri prej tyre. Shënonte orën 10.20. Titulli i tij ishte \"Aksident liderit të PD-së\". Në të me fare pak fjalë thuhej \"Berisha ka humbur jetën në një aksident automobilistik\".
Në orën 11.01 teleteksti i RAI-t shënoi titullin \"Shqipëria, kryeministri shtyn vizitën në Itali\". Në tekst: \"Është shtyrë nisja për në Itali e kryeministrit shqiptar Fatos Nano, e cila duhej të niste sot me një vizitë zyrtare. Burimi vjen nga Ministria e Jashtme Shqiptare.
Ndërkohë rritet në Tiranë tensioni, sepse do të bëhet funerali i Azem Hajdarit, deputetit të Partisë Demokratike të ish-presidentit Berisha, si edhe i truprojës së tij\".
Këshilltari Masoni telefonoi më 11.07. Diplomati i Dytë, i cili nuk e dinte çfarë kishte përcjellë ato çaste teleteksti i RAI-t dhe nuk dinte asgjë çfarë pati deklaruar organi epror i tyre në Tiranë, Ministria e Punëve të Jashtme, u bë gati t\'i thoshte se vizita e kryeministrit do të bëhej patjetër.
Por nëpunësi i lartë i Konfindustrisë nuk i la kohë. Tha menjëherë se sapo e kishte lexuar lajmin dhe se i vinte keq që vizita e Fatos Nanos nuk do të realizohej. Sidoqoftë ditë më të mira vijnë, shtoi ai, mund ta riplanifikojmë edhe në muajt e tjerë ardhës.
Diplomati i Dytë nxitoi menjëherë në zyrën e të Ngarkuarit me Punë. Edhe ky nuk dinte asgjë çfarë lajmi kishte dalë nga Ministria e ty
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|