Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

AMBASADA SHQIPTARE NË VIA ASMARA, 5 (Pjesa e parë)


(Botuar në gjashtë numra të gazetës “Shqiptarja.com”, nga data 2 nderi në 7 gusht 2016)

Të përjetuara në Ambasadën Shqiptare në Romë, ngjarjet në këtë libër janë njëzetë pesë ditë të fundgushtit dhe të fillimshtatorit 1998 kur në Tiranë ndodhi një trazirë e rëndë politike.
Ato janë tërësisht të vërteta.
Pjesërisht të sajuara artistikisht janë vetëm disa nga karakteristikat individuale të diplomatëve.

Pjesa e parë, shkrimi i parë

20 GUSHT 1998, OPOZITA: FATOS NANO ËSHTË KABILA SHQIPTAR

Nga Viale Eritrea në Via Asmara

Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Romë ndodhet në rrugën Asmara, 5. Diplomatët i kanë apartamentet e tyre në shëtitoren Eritrea, në një pallat dhjetë katësh. Për të shkuar në selinë e tyre të punës ata duhet të ecin rreth njëqind metra nëpër trotuarin e shëtitores dhe pastaj të kthehen menjëherë majtas.
Pikërisht tek ky bërryl nis rruga Asmara.
E gdhendur në një pllakë të mermertë në anërrugë kjo fjalë i ka dimensionet gjithsesi të vogla. Sigurisht më pak të dallueshme natën.
Fillimin e udhës Asmara e përcaktojnë saktësisht dhe më mirë germat e mëdha e të kuqe të klubit MacDonald\\\'s. Kur bie nata, të ndezura, me dimensione njëmetërshe, ato si të jenë përfshirë nga flakët, dallohen gjer larg. Mjafton t\\\'i afrohesh sadopak shëtitores Eritrea nga të tre rrugët që zbresin me nxitim drejt saj.
Që prej MacDonald\\\'s e deri tek Ambasada mjaftojnë vetëm dhjetë minuta ecje me këmbë.
Për këtu ambasadori vjen me makinën e zezë Benz.
Diplomatët e tjerë përbëjnë një numër të kursyer njerëzish. Ata dalin një nga një prej portës së madhe të hyrjes numër 34 dhe u mëshojnë këmbëve drejt selisë së tyre. Ndonjëri edhe me nge.
Secili prej tyre ecën sipas mënyrës së tij.
Diplomati i parë del vrulltas dhe e para gjë që bën është ndezja e një cigareje. Në ato pak çaste i ndal këmbët mbi trotuar dhe vetëm kur duhani nxjerr shtjellën e parë të tymit, ato i bëjnë përpara. Duket sikur i shtyn pikërisht ajo fjollë, si të jetë shfrim i dalë heshturazi nga oxhaku i një lokomotive.
Diplomati i Dytë sapo del nga porta e madhe rrudh vetullat dhe picërron sytë. Të lë përherë përshtypjen se e para gjë që bën tek pragu i dhjetëkatëshit është ambientimi me temperaturën e ajrit, zhurmën e rrugës dhe intensitetin e dritës. Pastaj orienton vështrimin drejt MacDonald\\\'s dhe niset nguturazi.
Diplomati tjetër, ose siç e thërresin miqësisht Poeti, e tërheq portën e madhe e të drunjtë të pallatit ndër të fundit. Pastaj lëshon çapin në trotuar e nga shpejtësia me të cilën kryen lëvizjen e parë jashtë ngrehinës dhjetëkatëshe, më shumë ngjan me një njeri që sapo ka parashutuar nga maja e godinës. Është i vetmi diplomat që mbart me vete një çantë pune të zezë. Me këtë ngarkesë të veçantë shtrënguar në dorë, në fraksion të sekondës trupin e kthen drejt fundit të shëtitores, atje ku nis Asmara. Gjithçka tjetër më pas është vetëm ecje që më shumë i ngjan vrapimit të një trupi të stërvitur.
Diplomati i Tretë më shpesh, pa pritur të zbresë ambasadori, nuk bën asnjë çap rrugë as në Eritrea dhe as në Asmara Ai zakonisht udhëton bashkë me të, kështu që i duhet ta presë tek makina. I duhet ta durojë pritjen tek dera e makinës Benz edhe kur bën vapë e po ashtu kur të akullon të ftohtit. Ai ka një trup të pjerrët dhe çalon lehtas. Duke qenë se binte në sy, kolegët në fillim kishin zgjedhur për të nofkën \\\"I pjerrëti\\\", por më pas disave u kishte pëlqyer edhe epiteti \\\"Topalli\\\".
Ata që ngulëkëmbnin për variantin e parë arsyetonin se e vetmja cilësi negative e Diplomatit të Tretë ishte servilizmi për shefat, ata që përdornin nofkën e dytë ishin të bindur se shoku i tyre i punës ishte edhe arrogant. Në të vërtetë edhe më i vëmendshmi nuk kishte arritur dot t\\\'ia dallonte këtë ves të fundit, por mes thirrësve të fjalës \\\"Topalli\\\" akuzat shkonin edhe më tej.
Sipas njërit prej tyre, Diplomati i Tretë vinte prej një tradite familjare kameleonizmi politik. Gjyshi i tij ishte lidhur fort me regjimin e Ahmet Zogut, porse një xhaxha kishte qenë mes grupit entuziast që në prill 1939 në qytetin e tyre kishte pritur trupat pushtuese italiane. I ati në fund të luftës ishte lidhur me rezistencën komuniste dhe përgjatë gjithë regjimit kishte arritur të bëhej emër në zë i diktaturës, çka edhe djalit të tij i kishte dhuruar vendin e figurës së dytë në ambasadën e Romës. Fillimi i pluralizmit dhe më pas ndryshimet në qeverisje, me ardhjen në pushtet të antikomunistëve, e kishin shtrënguar Diplomatin e Tretë të heshtte për të atin dhe të mbante në portofol si gjë të shtrenjtë fotografinë e xhaxhit të dënuar nga regjimi bolshevik i Tiranës. Kështu kishte mundur që pas një rikthimi kohëshkurtër në Ministrinë e Jashtme, të ridërgohej në Romë, edhe pse kësaj radhe me një gradë diplomatike më të ulët.

Syri i Qelqtë

Përveç të Pjerrëtit apo Topallit, ose më mirë Topallit të Pjerrët, çdo mëngjes del në trotuarin e Viale Eritrea edhe diplomati, nofkën e të cilit, midis nesh, po e quajmë Syri i Qelqtë. Ai është elegant, mban syze që duhet të ishin të paktën minus dy dhe jo rrallë pëlqen një kostum që vishet me një jelek të brendshëm e të prerë prej të njëjtit stof. Ai nuk dihet kur hipën në ashensor dhe kur zbret prej tij e shfaqet jashtë portës së hyrjes. Disa thonë se del më parë nga të gjithë, madje shumë herët, të tjerë ngulin këmbë se ikën nga apartamenti i tij i fundit.
Megjithatë ai gjendet më parë nga të gjithë në ambasadë.

Nano do të vizitojë Romën

Kishte kapërcyer 20 gushti kur ambasadori i sapoulur në krye të tavolinës së gjatë të zyrës së tij lëshoi tufën e fjalëve \\\"duhet të mendojmë për të përgatitur një vizitë të kryeministrit në Romë\\\".
Në të vërtetë kishin qenë jo ai, por dy diplomatë të misionit, ai i shtypit dhe kolegu i ekonomisë, që disa javë më parë patën propozuar një vizitë në Itali të kryeministrit Fatos Nano. Ata kishin pasur plot arsye për ta thënë këtë ide të tyre, por që sipas rregullit të rreptë mund të merrte jetë vetëm nëse projekti kapërcente njeriun në krye të asaj tavoline me syprinën që shkëlqente nga llaku. Po të ishte gati Ambasadori propozimi futej në disa radhë letër dhe i nisej Ministrisë së Punëve të Jashtme. Pasi kryente aty ritin e ngritjes deri tek ministri, sërish projekti vijonte ngjitjen nëpër piramidën e shtetit. Deri sa mbërrinte tek vetë Kryeministri.
Kur Ambasadori shqiptoi fjalët \\\"duhet të mendojmë...\\\" ky cikël duket se qe mbyllur.
Diplomatët përreth tavolinës në formë “T”-je ranë në heshtje dhe shefi i tyre për të vazhduar gjer në fund kënaqësinë e lajmit të jashtëzakonshëm përsëriti tingëllueshëm \\\"pra, të nisim përgatitjen e vizitës së zotit Fatos Nano\\\".

Fabricio Maria Korteze

Ardhja e tij krijoi në ambasadë zhurmë. Sidoqoftë ai nuk bërtiti, sigurisht as edhe u grind. As i ra fort e gjatë ziles në portën e hyrjes. As e lëshoi zërin mbi grilën e çitofonit. As përplasi këmbët kur ngjiti shkallët e hyrjes së godinës. As i mëshoi shuajt e këpucëve mbi shkallët e drunjta që shkonin drejt katit të dytë dhe ku kishte zyrat pjesa më e rëndësishme e personelit e dera më e afërt për atë që ngjitej ishte ajo e ambasadorit.
Madje i porsaardhuri as edhe qeshi me mënyrën e tij të veçantë, të cilën gjë e kishte bërë në telefon dy ditë më parë, kur pati shprehur dëshirën të takonte ndonjë nga personeli i ambasadës e t\\\'i shpjegonte se po punonte për një film me temë Shqipërinë.
Nuk kishte bërë zhurmë as edhe makina e tij “Reno 25”, me ngjyrë gri të metaltë e injeksion elektronik. Buzë ambasadës kryqëzohej një nga rrugët më të ngarkuara me lëvizje automjetesh të Romës e kështu mbërritja e një Reno-je katërvendëshe as që e kapte dot edhe veshi më i ndjeshëm. Ca më tepër që makinën ai e parkoi në trotuarin matanë rrugës, atje ku edhe të ulërije vështirë të të dëgjonte njeri për shkak se gjithçka e shurdhonte lumi vërshues i veturave.
Në telefon kishte shqiptuar emrin e tij. Ai tingëllonte si prej një familjeje të vjetër fisnike: Fabricio Maria Korteze.
Italiani ishte fare e ri në moshë e mbase donte edhe disa vite t\\\'i avitej të tridhjetave. E priti Poeti dhe së bashku biseduan përmbi një orë në sallën e madhe të pritjes. Pastaj ai u largua. Askush nuk vuri re kur zbriti me rrokullimë shkallët e mermerta, doli prej portës së kangjelltë, kapërceu rrugën gjëmimtare dhe i hipi makinës së tij.
Por po atë ditë, ndërsa po mbaronte orari i punës, nëpër shkallë ishte ngjitur lajmi se Fabricio ishte regjisor dhe filmi i tij i ardhshëm e kishte titullin \\\"Welcome Albania\\\".
Pa përfunduar orari i punës nëpër zyra po ashtu kishte hyrë e dalë kurioziteti i parë i takimit të Poetit me regjisorin: përmbajtja e faqeve të para të skenarit të filmit: \\\"Një ditë e zakonshme me diell, buzëdetit. Një djalë rreth të tridhjetave rri i ulur në një shkëmb me fytyrën nga deti. Në duar mban një kitarë, i bie asaj butë. Deti është disi e trazuar.
Tingujt e kitarës përzihen me fëshfërimën e valëve.
Kamera, e mbajtur në një farë largësie nga djaloshi, e filmon nga shpatullat. Fillon e lëviz për t\\\'iu afruar. Kur është afër, djaloshi kthehet dhe shikon në objektivin e saj: \\\"Pas pak çastesh do t\\\'ju tregoj një histori mahnitëse për një djalë të ri si unë, i cili e donte jetën po aq dhe që ra në dashuri me një shqiptare...\\\"

20 dhe 21 gusht 1998 në Tiranë

Në kryeartikullin e saj “Nuk durohet më”, “Rilindja Demokratike\\\" shkruan: \\\"Nuk durohet më\\\". Këto fjalë i dëgjon tanimë kudo, në rrugë, në shtëpi, në autobusë, në dyqane e klube. I dëgjon nga të rinj e të moshuar, nga të papunë por edhe nga biznesmenë. Shqiptarëve ju ka ardhur në majë të hundës me këtë qeveri dhe kanë të drejtë.
...Nano siç duket ka vendosur të zbatojë teorinë që thotë \\\"skllavit shtoi drurin dhe pakësoi bukën\\\", po a do ta pranojnë shqiptarët këtë?...Nëse do të vazhdojmë të qëndrojmë duarkryq e vetëm duke u ankuar, Nano do të vazhdojë të na \\\"shtojë drurin e të na pakësojë bukën\\\".
Një titull tjetër i faqes së parë thoshte “Qeveria Nano mban peng Shqipërinë\\\", një i tretë \\\"Fatos Nano do të përfundojë si Kabila\\\".
\\\"Zëri i Popullit spikaste në faqen e parë titujt \\\"Tritol kishës ortodokse në Shkodër\\\" (Në orën 2.50 të së mërkurës një shpërthim i fuqishëm eksplozivi e kishte shndërruar në gërmadhë), \\\"Ministri i Rendit: Kemi vendosur rendin. Po luftojmë krimin\\\", \\\"Panik dhe tmerr në Lushnjë. Banda me autoblindë. 6 vrasje në 6 ditë\\\".
Të nesërmen, 21 gusht, \\\"RD\\\" nxirrte në pah në faqen e parë titujt \\\"Departamenti i Shtetit: Deri më 13 nëntor asnjë amerikan në vendin e krimit dhe të bandave\\\", “Pas kapjes së djalit të kryeministrit me drogë, Interpoli grek parashikon kontroll në shtëpinë e Fatos Nanos\\\", “Shqipëria, portë e shqyer për terroristët pas ardhjes në pushtet të socialistëve\\\", \\\"Berisha: Kishën ortodokse e goditi policia e fshehtë\\\", “Zhduket për tre ditë Kabila shqiptar”.

Njëmijë copë guida \\\"Shqipëria: Mrekullia e vitit 2000\\\"

Kur Kostanco D\\\'Agostino i ra çitofonit në kangjelen e portës kryesore të ambasadës, dezhuri ato çaste nuk ndodhej aty. Askush nuk e dinte se botuesi italian kishte sjellë me vete njëmijë depliante dhe pasi i kishte shkarkuar vetë nga makina ende vazhdonte t\\\'i mbante në dorë para hekurave që nuk po i hapeshin. Kur më në fund porta iu çel, ai shfryu ajrin e pakët që i kishte mbetur ndryrë në gjoks dhe lëshoi menjëherë në tokë dengun e letrave.
E thirri: \\\"Kam sjellë \\\"Shqipëria: Mrekullia e vitit 2000\\\"-thirri sërish gëzueshëm i porsaardhuri.
Në ballinë deplianti kishte një hartëzë të Shqipërisë, në krye të të cilës qe shkruar me germa të mëdha ngjyrëgjelbër \\\"Shqipëria: Mrekullia ekonomike e vitit 2000\\\".
Në të vërtetë në ballinë ishte edhe një hartë turistike e zvogëluar aq shumë sa për të dalluar shënimet shpjeguese të burimeve minerale, rezervave ujore, bimëve bujqësorë që kultivoheshin apo qendrave industriale duhej një lente e fuqishme.
D\\\'Agostino menjëherë hapi faqen e dytë, të tretë...Në to dukeshin një kurorë me pamje nga Tirana, Kruja, pastaj fotoja e një shqiponje, më pas Berati, bregu i Vlorës, sërish një shqiponjë, por tashmë e stilizuar. Në mes të kurorës rrinin në radhë të përmbajtura fjalët \\\"Pas zgjedhjeve të fundit të vitit 1997 në Shqipëri kudo përjetohet paqe sociale. Veprimtaria e mijëra sipërmarrësve italianë që veprojnë këtu ka rifilluar me vendosmëri dhe fitime të mëdha. Mrekullia ekonomike është tek porta. Politika e qeverisë së tanishme synon të favorizojë investimet e huaja duke u bazuar mbi të gjitha mbi përqindjet fiskale favorizuese në favor të kostos së punës. Ndërhyrjet me qindra miliarda për të nxitur ekonominë dhe strukturat shoqërore e prodhuese shqiptare janë në vazhdim nga ana e Qeverisë Italiane dhe e Bashkimit Evropian. Pjesa më e madhe e popullsisë e këtij vendi tashmë flet gjuhën italiane dhe drejt italianëve sheh me besim të vazhdueshëm për të ardhmen\\\".
Më tej, nëpër faqet në vijim: “Portet kryesore të vendit janë Durrësi, Vlora dhe Saranda. Nga portet italiane të Barit, Brindisit, Triestes dhe Ankonës mund të mbërrihet në Durrës me linja të drejta e të rregullta tragetesh... Edhe në rrugë ajrore mund të shkohet në aeroportin e Rinasit, 25 kilometra nga Tirana, nëpërmjet fluturimeve të përditshme të Swissair, Ada Air, Adria Airways, Top Air, Malev, Hemus Air, Olympic, Australian Airlines, Albanian Airlines, Arbëria Airlines... Një shërbim taksish është i gatshëm për të udhëtuar nga aeroporti në qendër të qytetit të Tiranës. Edhe me rrugë tokësore mund të shkosh nga Shqipëria në Stamboll, Sofje, Shkup e Athinë\\\".

Shkrimi i dytë

NATA E 22 GUSHTIT 1998 ME GJASHTË PALË PRANGA

Ambasadoresha shqiptare në Romë kuron dhëmbin me paratë e Shtetit

Një revizor pati ardhur nga Ministria e Jashtme dhe kontrolli financat e ambasadës. Pasi kishte përfunduar raportin dhe ja kish dorëzuar shefit të misionit, kishte vërtitur disa herë nëpër ajër duart e tij pëllëmbë mëdha dhe e pati shtyrë trupin me vërtik drejt derës së daljes.
Njeriu i dërguar nga Tirana iku, kurse raporti i tij, pasi u mbajt mjaft ditë në një nga sirtarët e zyrës së Ambasadorit, u shpërnda më në fund për pjesëtarët e misionit me shënimin \\\"për t\\\'u njohur\\\".
Kur në kryeqytetin italian u duk se fantazma e frikshme e revizorit të rreptë ishte harruar, të gjitha përfaqësive diplomatike shqiptare në botë iu shpërnda nga Ministri i Jashtëm një qarkore, ku u tërhiqej vëmendja për një regjim financiar më rigoroz dhe u bëhej e ditur gjerë e gjatë rasti i parregullsive në ambasadën e Romës.
Në materialin e shpërndarë binte në sy edhe fraza \\\"përdorimi pa kriter i telefonave, i lidhjeve me jashtë Italisë dhe celulari, ku vetëm për vitet 1996 dhe 1997 shpenzimet telefonike janë 51.293 usd dhe ato për dieta 37.562 usd\\\".
Nuk ishte harruar në qarkore edhe shënimi se \\\"është paguar një rregullim dhembi për shumën 400.000 lira për bashkëshorten e Ambasadorit, i cili është paraqitur si rast urgjent. Kjo bie në kundërshtim me nenin 7 të VKM nr.473, datë 29.09.1993\\\".

Vjen i Ngarkuari me Punë

Lajmi se ambasadori qe liruar nga detyra e tij dhe ishte thirrur të rikthehej në atdhe, në një detyrë ende të pacaktuar në Ministrinë e Jashtme, erdhi shpejt. Në periudhën njëmujore të takimeve të përcjelljes që do të kryente me kolegët e tij në Romë do të niste punën një I Ngarkuar. Ai do të vinte nga Ministria.
Për aq sa pëshpëritin telefonat e kolegëve nga Tirana shefi i ri, por i përkohshëm i ambasadës, studimet e larta i kishte kryer në Romë, në fillim të viteve shtatëdhjetë, në degën e italianistikës të universitetit roman \\\"La Sapienza\\\".
Dikush thoshte se I Ngarkuari me Punë kishte punuar si mësues i gjuhës italiane në një shkollë të mesme të specializuar për linguistikë në Tiranë. Të tjerë ose ngrinin supet ose tundnin kokën, duke e shtuar hutimin dhe konfuzionin. Edhe misterin.
Për sa dëgjonin jeta e shefit të tyre të ri dilte nga gjysmëdrita e gjysmëterri në vitet e pluralizmit. Këtu diplomatët ndiheshin aq të sigurt sa ja merrnin fjalën njeri-tjetrit për të shtuar ndonjë hollësi. I Ngarkuari kishte punuar si përkthyes në shtëpinë botuese më të madhe të librit artistik, atë “Naim Frashëri”. Më pas qe thirrur të punonte në drejtorinë e kulturës së Ministrisë së Punëve të Jashtme, ku shumë shpejt ishte bërë drejtor i saj. Në fillim të vitit 1996 qe emëruar nga presidenti Sali Berisha ambasador në Moskë.

Book instant\\\" për Fatos Nanon

Diplomati i Parë nxitoi të hipte në sediljen e prapme të Benz-it, ndërsa italiani i panjohur në vendin pranë shoferit. Ambasadori tashmë i njoftuar për lirim nga detyra, nuk u ngut të hynte. Nisi një bisedë në celular, duke u vërtitur për një kohë të gjatë midis makinës dhe trungut të një rrapi.
Italiani i ulur në sediljen e parë heshtte. I heshtur rrinte edhe shoferi.
Diplomati i Parë dinte vetëm pak gjë për këtë udhëtim që do ta bënte bashkë me italianin e porsaparë. Shefi i tij i liruar i kishte ardhur me një frymë në zyrë e i kishte thënë: \\\"Një gazetar i \\\"Corriere della Sera\\\" kërkon të bëjë një libër për Fatos Nanon. Shkojmë në një vend më të qetë e bisedojmë me të\\\".
Ambasadori ish-ambasador më në fund u ul në vendin e tij zyrtar: në sediljen e pasme, në të djathtë të drejtuesit të makinës. Kjo u nis menjëherë. La pas rrugën Asmara dhe hyri në shumëkorsitë e autostradës së gjërë e plot hije pemësh Nomentana.
Po shkonin drejt qendrës së Romës. Tek Porta Pia shoferi e ktheu makinën djathtas. Tashmë po i afroheshin ngutshëm rrugëve nëntokësore pranë Vila Borghese. Pikërisht në këtë çast Diplomati i Parë guxoi dhe i bëri pyetjen e kortezisë, italianit:
-Ju punoni gazetar në \\\"Corriere della Sera\\\"?
Tjetri ktheu kokën ngadalshëm. Ballin e kishte disi të shtypur, sytë me ngjyrë të blertë, vetullat të trasha, gojën të gjerë e me anëbuzë të përthyera. Ngjante me një njeri përherë të mërzitur.
-Unë kam qenë bashkëpunëtor i jashtëm i gazetës së rajonit të Venetos...
Italiani shqiptoi titullin gati të padëgjuar, pastaj shtoi se kishte shkruar edhe për gazetën sindikaliste...
Diplomati i Parë u mbush me mornica. I rrëzuari nga shef i misionit i kishte sajuar historinë se librin për Fatos Nanon do ta bënte një gazetar i së përditshmes më të madhe italiane.
Po kalonin nëpër nënkalimin e gjatë në prag të Vila Borghese. U mbështollën papritur nga valët e kaltra të llambave. Italiani priti sa makina doli nga nëntoka dhe fjalët i lëshoi si breshëri: -Dua të më siguroni një intervistë me kryeministrin tuaj. Edhe libri që do të përgatis, është një \\\"book instant\\\", një libër njëqind faqesh, libër çasti. Ai duhet të shkruhet, botohet e shpërndahet shumë shpejt. Brenda një muaji mundësisht. Tani jemi afër mezit të gushtit, në mes të shtatorit, ai është mirë të ketë dalë në libraritë italiane. Më pas shohim për ta përkthyer e botuar edhe në shqip. Të gjitha shpenzimet e botimit janë të siguruara nga miq të mi.
-Fatos Nanon e kam shok - ndërhyri vetëtimthi Ambasadori-ish - Kemi qenë shokë shkolle, i kemi rënë bashkë kitarës dhe kemi kënduar në një kompleks muzikor.
I huaji ndërkohë kishte rrudhur ballin e tij konkav dhe ashtu ai dukej akoma më i shtypur. Kësaj rradhe mundi të shqiptonte vetëm një klithmë admirimi. Makina po hynte në kalimin e dytë nëntokësor.
-Me kryeministrin e kam ruajtur gjithë kohën miqësinë. Bashkë kemi pirë edhe ndonjë gotë-vijoi ambasadori në ikje.
Italiani lëshoi klithmën e dytë të shtangies.
-Babai i kryeministrit, kur shkoj për vizitë në shtëpinë e tyre, nuk më lë të largohem pa më mbajtur për drekë apo darkë. Duhemi shumë.
Italianit tashmë balli i qe shtypur përfundimisht dhe sytë zbardhur e zmadhuar.
-Pra ju do të ma siguroni një intervistë me kryeministrin tuaj?- shqiptoi entuziast.
Ambasadori ish buzëqeshi i lumtur: Nuk diskutohet.
-Faleminderit! - belbëzoi tjetri - Tani mund ta pimë kafen të qetë.
Makina kishte zhbiruar nëpër fluksin e dendur të dritave nëntokësore të tunelit të dytë dhe kishte dalë përfundimisht në autostradën që të çonte drejt Vatikanit.
Por Diplomati i Parë ishte mbledhur kruspull. Shefi i tij po bënte një përpjekje të shpejtë për të shpëtuar nga lirimi si ambasador. Mbase mendonte se të paktën mund ta dërgonin shef misioni në Izrael, ku ishte vendosur të hapej ambasadë. Ndoshta edhe ta linin përfaqësues të përhershëm të Shqipërisë në FAO, selia qendrore e së cilës ndodhej në Romë.

Gjashtë arrestime të Prokurorisë Ushtarake: akuza “Krime kundër njerëzimit”

Në orët e vona të pasdites së 23 gushtit BBC kishte njoftuar arrestimin e gjashtë ish-funksionarëve të lartë të Partisë Demokratike: ish-ministri i Mbrojtjes, ish-i Brendshmi, ish-kryetari i Kontrollit të Shtetit dhe tre ish-oficerë shumë të rëndësishëm të Shërbimit Informativ Kombëtar. Arrestimet qenë bërë natën e 22 gushtit duke u gdhirë dita tjetër.
Sali Berisha menjëherë kishte dhënë një konferencë shtypi e gati pati ulëritur: \\\"Këto janë arrestime që qeveritarët i kryejnë për të shtyrë ditët e numëruara të pushtetit të tyre\\\".
I ndodhur në shtëpi, me të marrë vesh këtë lajm Diplomati i Parë qe ndjerë sikur një gjarpër i akullt i kishte kërcyer nëpër trup dhe po e shtrëngonte në gjoks. Nxitoi menjëherë në dhomën e ndenjes dhe kërkoi teletekstin e RAI-it. Ja ku qe lajmi shokues: \\\"Arrestohen për \\\"krime kundër njerëzimit\\\" dhe përgjegjësi për trazirat e vitit të kaluar tre ish-ministra të presidentit Sali Berisha...6 udhëheqës të Partisë Demokratike që bënin pjesë në opozitë, ishin anëtarë të saj...\\\".
Diplomati i Parë kontrolloi teletekstet e stacioneve të tjera televizive.
Diku shkruhej me numër: 6.
Diku me fjalë: gjashtë.
U rikthye në dhomën e punës e nisi kërkimin në radio. Lajmet po e skërmitnin atë që kishte ndodhur në Shqipëri nëpër natën e asaj fundvere. Gjer sa mbërriti ora njëzetë e nisi edicioni informativ i televizionit shtetëror shqiptar ai nuk kuptoi dot më se cilat gjymtyrë të trupit i rëndonin më shumë dhe duhej t\\\'i priste që të çlirohej sa më parë. Ishte gati të flakte pa lëshuar pikë rënkimi krahët, duart, kupat e gjunjëve, vetullat nën ngërç, këmbët e drunjëzuara...
\\\"Mbrëmë u arrestuan gjashtë ish-funksionarë të Partisë Demokratike...\\\".
Ai tashmë ishte futur në një rrugë të shkretë ku nxirrnin zagushi kurrizet e llamarinta të veturave rreshtuar në të dy anët e saj.
\\\"Drejtoria e prokurorisë ushtarake e Tiranës pranë Prokurorisë së Përgjithshme lidhur me këtë fakt sqaron: Arrestimi i tyre është bërë sepse në bashkëpunim me persona të tjerë...dhe se me veprimet e tyre kanë realizuar shkatërrimin e shtetit shqiptar me pasoja të pallogaritshme ekonomike dhe me mijëra viktima të vrarë, të plagosur e të humbur, të cilat i kanë realizuar:
Një\\\".
Një. Telefolësi e kishte bërtitur fjalën. E kishte kërcëllitur.
\\\"Një: Në marrjen e dhënien e urdhrave për përdorimin e lëndëve kimike luftarake të veprimit në masë për t\\\'u përdorur në muajin shkurt 1997 në qytetin e Vlorës.
Dy\\\".
Përsëri numërori ishte klithur.
\\\"Dy: Në marrjen dhe dhënien e urdhrave për realizimin e bombardimeve, mitralimeve dhe granatimeve me anë të armëve të avionëve dhe helikopterëve luftarakë e civilë ndaj objekteve të rëndësishme strategjike të ekonomisë së vendit si edhe ndaj popullsisë civile.
Tre\\\".
Sërish fjala u bërtit.
\\\"Tre: Në marrjen e dhënien e urdhrave në kundërshtim me dispozitat kryesore kushtetuese të vendimeve të Kuvendit Popullor, kanë realizuar pjesëmarrjen e forcave të armatosura të ushtrisë në operacione luftarake kundër popullsisë civile
Katër\\\".
Numri nëpër dhembët e telefolësit fishkëlleu si goditje kamxhiku në një trup të lakuriqët.
\\\"Katër: Në marrjen dhe dhënien e urdhrave për armatosjen e përzgjedhur të grupnjerëzve sipas preferencave politike për t\\\'i kundërvënë ata ndaj bashkështetasve të tyre.
Mbi këtë bazë organi i akuzës arrin në konkluzionin se të lartpërmendurit kanë konsumuar veprën penale të krimeve kundër njerëzimit në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 74 dhe 25 të Kodit Penal\\\".

Vrasje mbi muret rrethues të Ambasadës Amerikane në Tiranë

Kur sinjali i TVSH klithi mbarimin e tridhjetë minutave të tij dhe ekrani u mbush me mizërimin e boshllëkut, më 20.30, Diplomati i Parë u kujtua se shërbimi satelitor nuk mund të bënte më shumë edhe atë mbrëmje të pazakonshme veç të ndërpriste lidhjen me Tiranën në orën e caktuar në kontratë.
Atëherë ai iu turr edicioneve të tjera informative dhe në orën 22.00 kishte përfunduar i veshur për të dalë në rrugën e madhe. Për të ikur. Për t\\\'i shpëtuar asaj trumbe fjalësh që i gumëzhinin përreth kokës si tufë grerash. Do të vraponte sa të mundte që të shpëtonte prej tyre. Do të shkundte flokët me duar, do ta godiste kokën me pëllëmbët e nxehta, do t\\\'i vërtiste krahët nëpër ajër, do të thërriste e klithte me shpresë se do të arrinte të dëbonte a linte pas tij, aq larg sa të mos mund ta mbërrinin më, tufën pickuese të fjalëve.
Por nuk arriti të shpëtonte dot prej tyre.
Copërat e lajmeve të televizionit shtetëror shqiptar të asaj mbrëmjeje i sulnin tufat e fjalëve: \\\"Vazhdon vizita e kryeministrit Fatos Nano në Maqedoni... Marrëdhëniet bilaterale, theksoi kryeministri maqedon...Por përveç marrëdhënieve bilaterale për kryeministrin Nano ishte edhe gjendja në Kosovë...\\\".
Diplomati i Parë rendte në bri të vrapit të makinave. Trotuari i dukej i ngushtë. Gjithnjë e më i ngushtë. Tani ai duhej të ecte brinjas. Të kapërcente copëra pamjesh. Kalimtarësh të rrallë. Të heshtur. Si fantazma. Që herë i ngjanin me qytetarë romanë dhe herë i ngatërroheshin me portretet e ngrira të dy kryeministrave. Nano. Cërvënovski.
Ikni, më lini rehat, hapuni, hapuni!
Atëhere i turreshin rreth kokës trumba fjalësh të tjera. \\\"Vdiq. Me gjithë ndihmën mjekësore. Menjëherë nga prokuria ka filluar çështja penale për rrethanat e ngjarjes, përfundon njoftimi i zëdhënësit...\\\".
Asaj nate nëpër rrugët e Romës i ishte shfaqur shpirti i një polici shqiptar. 32 vjeç. Atë pasdite, me pistoletë në dorë, kishte kapërcyer në Tiranë murin në periferi të ambasadës amerikane. Punonte në policinë e ruajtjes së objekteve, të bankave. Shokët e tij që ruanin ambasadën, e thirrën disa herë të qëndronte, shtinë në ajër për ta ndaluar, por ai vazhdimisht klithte dhe nuk i mbajti këmbët. U hodh mbi mur, u kacavor. Mos, ndal, jo jo, kthehu, ah! Polici i objekteve qëndroi një grimë mbi mur, vështroi qiellin, mërmëriti diçka dhe pastaj ra në oborrin e ambasadës së huaj. Moooos! Halt, halt! Mooosss! Fërshëllima plumbash iu mblodhën në trup. Qëlluan marinsat amerikanë. Drejt e në gjoks. Nga vrimat e shumta i kishte buçitur gjaku.
Diplomati i Parë për t\\\'i shpëtuar ankthit të copërave të lajmeve la rrugën plot uturima veturash, prej nga ku disa të rinj i hodhën ca fjalë bërritëse dhe lëshuan nëpër asfalt shtëllunga të pista tymi e të qeshurën si kollitje. Po nxitonte të arrinte sa më parë \\\"rrugën e mandarinave\\\", strehën ku mund të prehej. Ku mund të mbrohej e shpëtonte nga lajmet e çmendura që i vinin prej vendit të vet.

Shkrimi i tretë

ZBULUESI I HUAJ: KUJDES DATËN 10 SHTATOR!

I Ngarkuari me Punë: vizita e kryeministrit Nano në Romë do të jetë në 15 shtator.

Ai shtrëngoi mes gishtave të hollë një stilolaps elegant dhe diçka shënoi në bllokun e tij. Qe mbledhja e parë e të Ngarkuarit me Punë me stafin e ambasadës. Ishte me shëndet të kursyer, por më të pakët se çdo gjë kishte mishin e fytyrës. Lëkurën e pastër e delikate e kishte të tërhequr pas mjekrës e formave të nofullës, të shtrirë fort mbi ballë aq sa rrudhat, të tendosura pas kockave të mollëzave, mezi bënin vetëm një vijë të cekët e që dukej sikur të ishte e tejdukshme.
-Të mos humbasim vëmendjen nga veprimtaria kryesore që kemi në muajin shtator: vizitën e kryeministrit në Romë.
Sytë e kaltër i kishte mbajtur të zhytur në faqet e bllokut. Pastaj e ngriti kokën. Sytë i vetëtinë.
-Vizita e kryeministrit në Romë do të nisë më 15 shtator dhe do të përfundojë po këtë datë.
Diplomatët i gjysmëmbyllën sytë e tyre për të përballuar lëbyrjen e vështrimit të tij.
-Ose më saktë: Kryeministri dhe delegacioni që e shoqëron, do të vijë në Romë pasditen e datës 14 shtator

Godina e metalxhamtë e shoqatës së industrialistëve italianë

Në paraditen e 24 gushtit Diplomati i Parë bashkë me Diplomatin e Dytë kishin shkuar në selinë e Konfindustrias, shoqatës së industrialistëve italiane. Selia hijerëndë dhe me strukturë bashkimi të metalit dhe xhamit ndodhej në zonën EUR të kryeqytetit.
Kërkuan këshilltarin Masoni që përfaqësonte zyrën e marrëdhënieve me jashtë. Ky ato çaste nuk ishte në zyrën e tij në katin e katërt të ngrehinës së metalxhamtë, por diku tjetër brenda saj. Sigurisht shërbimi në ato çaste po e lajmëronte për mbërritjen e dy diplomatëve shqiptarë dhe ai kishte nisur të nxitonte drejt të porsaardhurve, duke zgjedhur rrugën më të ngushtë nëpër labirintin e korridoreve dhe të ashensorëve.
Kurse ata dy tashmë çapitnin ngadalë nëpër korridor. Në të majtë e të djathtë dyert e zyrave ishin të hapura dhe brenda tyre nuk gjendej njeri. Asnjë njeri. Zyra bosh.
Diplomatit të Parë i mbetën sytë tek kompjuterët që fërgëllonin me ekranet e tyre të mëdhenj ndezur. I kishin vendosur në të dy anët e korridorit, kështu që mund të ndiqje, po të dëshiroje, atë mori shkronjash dridhëse, shifrash, kolona tabelash, emra kryeqytetesh të botës, bankash, bursash.
Të dy diplomatët shqiptarë i ngulën sytë tek faqja 101 e teletekstit të lajmeve që transmetohej nga RAI, Radio Televizioni Italian. Mes morisë së germave përpëliteshin shkronjat e emrit Bin Laden.
Bin Laden, terror. Bin Laden, sulm kundër ambasadave amerikane në të gjithë botën. Bin Laden, Bin Laden...
Këshilltar Masoni u shfaq buzagaz para tyre. Ishte pjekur e nxirë nga pushimet buzëdetit. Edhe buzagazi i tij ngjante si i mbushur me diell.
Që në fillim i kishin thënë se pasditen e 15 shtatorit kryeministri shqiptar do të merrte pjesë në takimin me industrialistë italianë. Pas një bisede të shpejtë telefonike me sekretarinë e presidentit të Konfindustrias rezultoi se ky këtë ditë nuk do të gjendej dot në Romë, por qeveritarin e lartë shqiptar do ta priste e shoqëronte nënpresidenti i shoqatës. Pastaj që të tre nxituan për një kat më poshtë.
Kishin zbritur në një korridor tjetër. Mes duraluminit, xhamit dhe drurit të gdhendur.
Pasi i hodhën një sy sallës së madhe ku do të mbahej pasditen e 15 shtatorit takimi i kryeministrit shqiptar me industrialistët italianë dhe ndërsa Masoni shtoi se takime të shpejta kishin kërkuar edhe qarqe qeveritare bullgare e rumune, por kalendari i takimit të Konfindustrias me to ishin lënë në fund të tetorit, nisën të pinin së bashku një kafe.
Pastaj u përshëndetën për t\\\'u ndarë.
Aty Masoni, ndërsa i shihte me sytë gjysmë të pulitur, tha se do kishte patur shumë dëshirë që kryeministri shqiptar të ftohej e pritej nga qeveritarët më të lartë të vendit të tij.
Më në fund u ndanë. Makina e tyre e vogël dhe e amortizuar Fiatuno rrëshqiti mbi sheshin e madh para selisë së metalxhamtë të Konfindustrias, kapërceu postbllokun elektronik, bëri një kthesë majtas, pastaj djathtas, sërish një gjysmërrotullim djathtas, djathtas edhe njëherë dhe doli me vërtik në rrugën qendrore të EUR-it.

25 gusht 1998, Tiranë

\\\"Rilindja Demokratike\\\" në titujt e saj kryesorë:
\\\"Klika Nano urdhëron drejtësinë: Të gjithë në burg\\\" \\\"Pesëdhjetë mijë qytetarë të Tiranës demonstrojnë kundër diktaturës së Nanos. Përmbysje për qeverinë e krimit, kontrabandës dhe mafies\\\"
\\\"Tirana thërret: Vdekje Komunizmit\\\"
\\\"Mijërat e protestuesve rrethojnë Kryeministrinë, Ministrinë e Brendshme, vilën e Nanos dhe selinë e Partisë Socialiste\\\"
\\\"Berisha: Nanos, këtij barbari duhet t\\\'i përgjigjemi me mënyrën që meriton\\\"
\\\"Shqiptarë, ngrihuni! Nesër do të jetë vonë\\\"

TVSH, edicioni i lajmeve, ora 20.00

Nga fjalimi i kryeministrit:
\\\"...Me cilësinë e kryetarit të qeverisë shqiptare, deklaroj sot me përgjegjësi përpara jush se, të gjitha akuzat e opozitës, sipas të cilave Fatos Nano është ideatori i këtyre arrestimeve, janë krejtësisht të pavërteta, janë shpifje dhe kanë për qëllim nxitjen e armiqësisë midis popullit dhe qeverisë së vet... Unë shpresoj që, kur ka dhënë mandatin e arrestit për gjashtë ish-funksionarët e pushtetit të Partisë Demokratike, prokuroria t\\\'i ketë mbledhur këto prova dhe ta ketë hedhur këtë hap mbi një bazë solide argumentimi të akuzës. Sepse, nëse nuk do të rezultojë kështu, atëhere arrestimi i këtyre personave do të jetë një tjetër pengesë serioze në rrugën e normalizimit të vendit e të konsolidimit të demokracisë. Dhe për më tepër për vetë kushtet në të cilat ndodhemi, kjo histori nuk do të kalojë pa pasoja edhe mbi vetë qeverinë e koalicionit...\\\".

26 gusht

Në konferencën e shtypit të radhës Berisha deklaroi: \\\"Nano duhet të largohet nga Blloku për një javë\\\".
Këtë ditë \\\"Koha Jonë\\\" vëren se në mbledhjen e degës së Partisë Demokratike për Tiranën Azem Hajdari ka deklaruar : \\\"Thirrja \\\"o djem rrëmbeni armët, ja vdekje ja liri\\\" është aktuale edhe tani\\\". Kurse Berisha tha: \\\"Në rast se kërkesat tona nuk përmbushen deri më 31 gusht, atëherë ne, përveç protestave paqësore e mjeteve demokratike, do t\\\'i përgjigjemi qeverisë me të gjitha format\\\".

\\\"Fiera del Levante\\\" me një “Ditë për Shqipërinë”

Gjatë asaj paradite e kishte kërkuar dy herë. Annamaria. Kaq ishte shënuar në librin e telefonatave. \\\"Tha se do t\\\'ju marrë përsëri\\\" shtoi centralistja, duke anuar me delikatesë kokën për t\\\'i bërë më të bindshme fjalët që po shqiptonte. Diplomati i Parë tha faleminderit dhe ngjiti me hapa të gjatë shkallët. Druri i tyre kërciti.
Ai hyri në këndin ku gjendej dera e zyrës së tij. Ishte terri i zakonshëm i atij fundkorridori pa asnjë dritare. Provoi të ndezë dritën, por çelësi bëri krak pa mundur të përflakë asnjë shkëndijë në poçin e bardhë e të verbër të llambës. Ajo ishte djegur.
Po shkonte në zyrë që të mund ta telefononte vetë Annamarinë. Për herë të parë. Në një nga sirtarët e tavolinës së punës, në një çantëz dore që më shumë i ngjante një vendi intim, kishte një pusullë të saj: \\\"Të falënderoj për përzemërsinë që tregon. Annamaria Cislaghi\\\". Kjo kishte ndodhur pesë muaj më parë, ndërsa një ekip i televizionit shqiptar po xhironte një dokumentar për qytetin e Barit dhe panairin e saj, Fiera del Levanten.
Ajo kishte lindur në Aleksandri të Egjiptit, nga dy prindër italianë dhe se i jati, me origjinë milaneze, punonte si funksionar në konsullatën italiane. Ai kishte vdekur 48 vjeç nga një infarkt i zemrës. Pas kësaj ngjarjeje e jëma ishte kthyer në Bari, ku edhe kishte një motër të saj. Annamaria ato çaste ishte 17 vjeçe dhe gjeti punë në Fiera del Levante.
Pesë muaj të shkuara Annamaria pati thënë në Bari se Fiera del Levante kishte planifikuar një \\\"Ditë të Shqipërisë\\\". Pastaj nisi shpjegimin: “Besojmë që kjo Ditë të kryhet rreth 14 apo 15 shtatorit. Vetë Panairi ynë fillon më 12 shtator. Pritet që në përurimin e tij të marrë pjesë kryeministri Romano Prodi”.

\\\"Shtëpia e djallit\\\"

Klubi në katin e parë të sheshit \\\"Shtëpia e Djallit\\\" kishte një banak dhe vitrinë hapësirëngushtë, ku për bujtësin që hynte për herë të parë aty kafeja apo lëngjet e frutave mund të gëlltiteshin vetëm në këmbë. Por ata që ishin klientë të shpeshtë të tij e dinin se ngushtica e dhjetë-pesëmbëdhjetë hapave të para, mes banakut, arkës, një frigoriferi të madh dhe një rafti me shishe pijesh, të çonte në një palë shkallë, të cilat me të vënë këmbën, spërdridheshin menjëherë majtas e silueta e njeriut që ngjitej humbiste sa të hapje e mbyllje sytë.
Shkallarja përfundonte në një dhomë të gjerë e tavanlartë, rrethuar me rafte druri arre të gdhendur e që më shumë ngjante me një bibliotekë të madhe dhe e gjithë hapësira me një studio pune. Të gjithë këtë mjedis intim e komprometonin katër tavolina të shpërndara ftohtësisht nëpër dhomë. Ato rrinin larg njëra-tjetrës e dukeshin shumë të vetmuara.
I mbetur vetëm këtë buzëmbrëmje ishte edhe Syri i Qelqtë. Kolegu i tij i një vendi perëndimor sapo kishte ikur dhe akoma nëpër ajër rrokulliseshin mbyturazi fjalët e tij të fundit.
Ato ende trokëllinin duke rënë përmbys mbi njëra-tjetrën.
Ai pa vezullimin e qelqeve të gotave të zbrazura. Kishin pirë nga një uiski.
Diplomati perëndimor kishte dy sy që më shpesh shihnin qelqin e gotës dhe pëllëmbët e tij të duarve. Dhe pikërisht kur mendoje se ai kishte përhumbur në to, e ngrinte rrufeshëm vështrimin e zhbironte fytyrën e bashkëbiseduesit.
Kështu kishte vepruar edhe sot. Foli e foli, fërkoi e fërkoi qelqin e gotës me mollëzat e gishtave dhe pikërisht në atë çast kur shqiptoi fjalët \\\"të dhënat që kemi nga disa burime lënë të kuptohet se rreth datës 10 shtator mund të kaloni trazira në Shqipëri\\\", çoi vrullshëm vështrimin.
Syri i Qelqtë nuk ishte i përgatitur ta përballonte. Shikimi iu errësua si ta kishte kapulluar papritur një eklips dielli. Bebëzat iu përpëlitën dhe u tkurrën. Tani ishin vetëm pikëza të ikura thellë.
Kolegu nuk kishte ndërmend të tërhiqte vështrimin e ngulmët. \\\"Është e sigurt?\\\" - i kishte bashkuar me vështirësi fjalët Syri i Qelqtë. Tjetri kishte bërë një pauzë shumë të shkurtër dhe pastaj i ishte përgjigjur: \\\"Të dhënat janë pjesërisht të sigurta. Ky është thjesht plani i autorëve të turbullirave, fakti, në do të ndodhin vërtetë, është gjë tjetër. Mund të ndryshojnë datat, mundet edhe projekti të anulohet\\\". \\\"Domethënë...-tha shqiptari, dhjetë shtator\\\".
\\\"Diçka më shumë apo diçka më pak\\\" kishte shqiptuar i huaji dhe qe ngritur.

Bruno Kalvo

Në ato ditë të fundit të gushtit ai erdhi po aq papritur në ambasadë, sa edhe edhe dy vite më parë, kur propozoi botimin e një albumi fotografik për Shqipërinë.
Burrë i shkurtër, i ngjeshur, me flokët si Hemiguej. Dukej krenar dhe me një lloj besimi kokëfortë në vete. Ngjante i gatshëm për sherr. Atëherë, më 1996, kishte vënë nën sqetull një dosje dhe ia pati hedhur sytë rëndë të parit diplomat që iu shfaq përpara e që sapo ishte lajmëruar nga punonjësja e shërbimit. Ishte Poeti.
\\\"Kam sjellë këto që t\\\'i korrigjoni\\\" kishte thënë Kalvo pa i dhënë asnjë grimë drite fytyrës së tij ende të zymtë.
Poeti pati ndjerë brenda vetes zemërim nga toni i rëndë e kryelartë i të porsaardhurit dhe i kërciti njërën pas tjetrës fjalët \\\"Kush je ti dhe çfarë ke sjellë?\\\"
Italiani i ktheu përgjigjen po kaq fjalëkërcitëse: \\\"Kam bërë një libër për Shqipërinë dhe një album. Do të më korrigjoni emrat shqip se mos kam bërë ndonjë gabim\\\".
I zgjati Poetit dosjen dhe po priste një përgjigje të tij. Në ato çaste pamja e tij e ngurtë u duk sikur ishte një masë që mund të squllej nga fjala e magjishme \\\"faleminderit\\\". Por diplomati shqiptar tashmë ishte zhytur mes fletëve me format të madh, ku qenë montuar fotografi e tekst. Pamjet nga Shqipëria ishin shumë të bukura, madje mahnitëse. Montimi i tyre me një ritëm interesant. Në tekst dalloheshin pasaktësi, të cilat duheshin korrigjuar.
\\\"Një libër kaq i madh për Shqipërinë! Kush e boton?\\\"
Kalvo shtrëngoi ballin sa ai iu rrudh thellë: \\\"Është një miku im. Miki Grauzo\\\".
Kur i porsaardhuri kishte humbur çdo shpresë se mund të nxirrte ndonjë fjalë mirënjohëse nga diplomati shqiptar, Poeti vuri buzën në gaz e tha: \\\"Punë shumë e bukur. Faleminderit!\\\"
Kalvo menjëherë kishte zbuar nga fytyra e tij zymtinë dhe një dritë e ngrohtë, si prag agimi mbi një qiell që pret të kaltërohet, i pati zbritur mbi tipare pamjen e një fëmije.
Por kësaj radhe, në atë fundgusht, tha se kishte ardhur vetëm sa t\\\'i përshëndeste dhe t\\\'u afronte gratis kopje të albumit, nëse kishin nevojë. Pastaj për pak kohë bëri shaka. Më në fund shqiptoi pyetjen \\\"si e keni gjendjen e brendshme\\\".
Iu kthye përgjigja \\\"normale\\\".
-Kam dëgjuar për disa mitingje të rrëmujshme dhe thirrje për dorëheqje të kryeministrit tuaj - tha.
-Janë pjesë e pluralizmit - iu kthye përgjigja.
-Prandaj është e nevojshme diktatura-kërciti fjalët Kalvo-Vetëm diktaturat i shpëtojnë shoqëritë-shtoi.
-Aha, vetëm diktaturë jo, e provuam dhe e dimë se çfarë tmerri është-ia kthyen.
-Diktaturë, diktaturë-shqiptoi tjetri-Të paktën ju shqiptarët keni nevojë për diktaturë, për rregull në shtetin tuaj. Kjo që ju po e mburrni si demokraci nuk është gjë tjetër veç kaos dhe anarki.
Kalvos tashmë i shndriste fytyra:-Kaq kisha për të thënë.
Dhe u ngrit në këmbë të ikte.

Shkrimi i katërt

DIPLOMATI QË TENTOI TË VJEDHË NË ROMË DHJETË APARTAMENTE PRONË E SHTETIT SHQIPTAR

Tiranë, 27 gusht, turma e manifestuesve thërret \\\"Vdekje Nanos!\\\"

Këtë ditë, sipas shtypit të Tiranës, turma e manifestuesve në mitingun e Partisë Demokratike thërriste vazhdimisht \\\"Vdekje Nanos!\\\"

Fantazma Karagjozi

Në ambasadën shqiptare në Romë kishte përmbi një gjysëm ore që në zyrën e Diplomatit të Dytë kishte rënë një heshtje e thellë. Nuk dëgjohej asnjë. Njëra dritare, aq e gjërë sa dukej se mund të fuste edhe diellin brenda, shihte në rrugën ku mbi çdo gjë prodhohej zhurmë e vetëm zhurmë. Edhe zmog.
Dritarja e dytë, më e ngushta, dilte në një nga oborret e brendshme të ambasadës, atje ku ishte selia gati përdhese e konsullatës.
Nuk pipëtinte asgjë edhe në korridorin e katit, ku zakonisht trokitej vetëm tek dera e ambasadorit ose gërvishtej tek ajo e banjës, në të cilën mund edhe të laje duart e të hiqje pisllëkun e disa orëve në timon apo nga që kishe shfletuar gazetat e shumta të ditës.
Nuk thërriste që prej një ore as zilja e telefonit.
Diplomati i Dytë tashmë nuk ishte i qartë në e kishte pllakosur heshtja, kishte rënë vetë në ndonjë kolaps tensioni të ulur befasisht apo e kishin përpirë mendimet dhe nuk ndjente asgjë çfarë bëhej rrotull tij.
Në të vërtetë ai ishte një e sëmurë kronik. Çdo dy ditë pasdite në një nga spitalet e Romës bënte dializë të veshkave. Në një farë mënyre bashkëjetonte me një aparat, larg të cilit mund të rrinte e shumta tre apo katër ditë. Në ditën e pestë pa bërë dializën fytyra do t\\\'ì enjtej lehtas dhe pjesa e poshtme e faqeve do të niste t\\\'i zbehej e varej. Sytë do t\\\'i bëheshin më të errët e të rëndë për të lëvizur brenda gropëzave të tyre dhe poshtë mëngëve të pastra të këmishës pëllëmbët do t\\\'i bëheshin më të ngathtësuara. Pastaj do të ndjente menjëherë të vjellat, shenjë tepër e qartë se gjaku po i mbulohej nga masa të tilla helmi sa mund t\\\'i mbytnin edhe vetë jetën.
Tingëllimi i ziles së telefonit Diplomatit të Dytë iu duk si sirenë alarmi. Apo si një njeri që po klithte buzë një humnere. Sforcoi gjymtyrët për të vrapuar, por trupi nuk iu bind. Në të vërtetë ai kishte vite që nuk vraponte. Kur mbërriti gjer tek aparati e dëgjoi zërin e qetë e si të kompjuterizuar të centralistes së ambasadës bëri edhe përpjekjen e parë për të mbushur kraharorin me frymë.
Ajo i tha se e kërkonte një italian.
Njeriu që e futi zërin menjëherë në receptor nisi t\\\'i thoshte se përfaqësonte një shoqëri italiane për shitje-blerje banesash. Në të vërtetë, recitonte fjalët telefonuesi, në këtë rast shoqëria e tyre ishte ndërmjetëse. Partner kryesore ishte në shoqëri kolege zviceriane, e cila kishte blerë nga pronari i saj të dhjetë apartamentet e banimit të diplomatëve shqiptarë në Viale Eritrea 34.
Diplomati i Dytë shtrëngoi fort tëmthat. Aq fort sa sytë i shkëndijuan.
\\\"I ka blerë shoqëria zviceriane\\\", llomotiste hareshëm zëri i italianit, \\\"ne thjesht interesohemi t\\\'u gjejmë blerës. Eh, nuk është edhe aq punë e lehtë. Apartamentet janë dydhomëshe, ata që kanë para kërkojnë vila e shumëdhomëshe luksoze, të varfrit pëlqejnë më shumë qeratë se të blejnë shtëpi. Sidoqoftë blerësit e parë kanë ardhur, për fat, kanë telefonuar...\\\"

Tepër urgjente Ministrisë së Jashtme

Shkresa për në Tiranë u nis shumë shpejt, sapo u kuptua se çështja qe vërtet e ndërlikuar:
“Kohët e fundit na ka dalë problem shqetësues çështja e pronësisë së apartamenteve të Ambasadës në Viale Eritrea 34. Fjala është për dhjetë apartamentet, në të cilat aktualisht banon personeli i Ambasadës.
Agjencia italiane e pasurive të paluajtshme \\\"Galavrani\\\" pretendon se ka blerë për llogari të një klienti të saj 10 apartamentet e mësipërme nga agjencia zvicerane \\\"Immovivia S.A.\\\". Kjo e fundit pretendon se apartamentet i ka marrë në pronësi nga zoti A. Karagjozi, ish-diplomat i Ambasadës tonë në Romë.
Nga të dhënat që kemi mbledhur rezulton se:
Apartamentet kanë qenë pronë e zonjës Mediha Libohova, e cila ja ka shitur objektet në fjalë ish-diplomatit. Akti i shitjes është shkruar në Regjistrin e Pronësisë në Romë më 22 qershor 1966. Pas kësaj date pronar i apartamenteve figuron zoti A. Karagjozi, ish-diplomati. Ky i fundit pas vdekjes ja ka lënë me testament apartamentet trashëgimtarëve të tij, të cilët me sa duket ja kanë shitur agjencisë zvicerane \\\"Immovivia S.A.\\\"
Shënojmë se të gjitha këto veprime janë kryer kohët e fundit d.m.th. në periudhën 1997-98, pas vdekjes së ish-diplomatit.
Nga ana jonë i është dhënë përgjigje agjencisë italiane duke theksuar se këtu kemi të bëjmë me një vjedhje nëpërmjet mashtrimit dhe se pronar i vetëm e i ligjshëm i të 10 apartamenteve është Shteti Shqiptar.
Nga ana jonë do të vazhdojmë presionin mbi agjensinë italiane dhe klientët që do të paraqiten. Në të njëjtën kohë do të vazhdojmë edhe rrugën ligjore. Por e ndjejmë tepër të nevojshme të ndihmohemi me dokumente të arkivit të MPJ-së, të Bankës së Shqipërisë dhe të ish-Zyrës Komisionare (arkivi i saj mund të jetë në Ministrinë e Financave).
Mbetemi në pritje të udhëzimeve Tuaja për veprime të mëtejshme...”

Testament

Unë, i nënshkruari A. Karagjozi, me vullnet të plotë mendor për të vendosur, deklaroj me këtë rast se emëroj trashëgimtar të pasurisë time të paluajtshme që ndodhet në Roma, Viale Eritrea Nr. 34, përbërë nga 10 apartamente të shënuar me numurat e brendshëm 13, 14, 15, 16, 19, 20, 21, 22, 23, 24 \\\"Shoqërisë Immovivia S.A.\\\" me seli në Roveredo-GR (Svizzera) Palazzo La Spida, për arsye të borxhit në para të mara nga shoqëria që prej vitit 1988 deri më sot.
Trashëgimtarëve të mi direkt (gruas dhe fëmijëve) i lë çdo pasuri tjetër dhe sendet personale kudo që do të gjenden në momentin e vdekjes time, të cilëve u kërkoj të nënshkruajnë për aprovim këto dëshira të mia të fundit. Tiranë, më 14. 04.1992 (Firma).

Annamaria: “Këtu në Bari janë përhapur fjalë se në shtator Shqipëria do të kalojë një turbullirë”.
Aparati telefonik ndezi sinjalin e kuq dhe ekrani i vogël shënoi se thirrja po i vinte nga centrali i ambasadës. Diplomati i Parë ngriti dorëzën dhe centralistja i tha me zërin e butë se e kërkonin nga Bari.
Ishte Annamaria Çislagi. Nisi të thoshte se përgatitjet për Panairin e 12 shtatorit po shkonin mjaft mirë. Po punohej me ritëm të plotë për ngritjen e pavionit me emrin \\\"Salloni i automjeteve industriale\\\", po ashtu për sallonin e mekanikës, atë të shërbimeve, të bujqësisë. Madje në mjediset e Fiera del Levante do të kishte edhe pavijone të veçanta si ai me emrin \\\"Galeria e Kombeve\\\".
-E gjetëm edhe titullin e edicionit-vazhdoi të hidhte tufat shumëngjyrëse të fjalëve Anamaria: \\\"Evropa takon Lindjen\\\". Ne quhemi Fiera del Levante, pra Panairi i Lindjes. Por kemi bërë një ndryshim të vogël, një saktësim, më thjesht një plotësim. Nuk kemi thënë Panairi takon Lindjen, por Evropa takon Lindjen. Pra, japim mesazhin se nëpërmjet nesh, Fierës së Barit, perëndimi takon lindjen, bota e zhvilluar atë hapësirë të saj që kërkon të përparojë, demokracia atë pjesë të kontinentit ku përmbi një gjysmë shekull u shtyp nga totalitarizmi komunist...
Pastaj Annamaria qeshi.
-Po flas shumë – tha - më latë të bie në kurthin e gëzimit tim.
Dhe vijoi: Sot u filluan përgatitjet edhe për Ditën e Shqipërisë. Filloi edhe shtypja e programeve. Dita është lënë më 16 shtator.
Zëri i saj ishte bërë i bukur.
-Jeni të mrekullueshëm-tha Diplomati i Parë-do ta informoj menjëherë të Ngarkuarin me Punë.
-Kështu delegacioni juaj i lartë me në krye Shkëlqesinë e tij kryeministrin realizon vizitën në Romë dhe pastaj vjen në Bari.
Annamaria po i tingëllonte fjalët si t\\\'i bënte të vallëzonin. Pastaj biseda u duk se hyri në rutinë: Ftesat do t\\\'i dërgojmë menjëherë, në fillim me faks për të fituar kohë dhe pastaj me postë; duhet të saktësojmë nëse delegacioni do të vijë në Bari që në mbrëmjen e 15 shtatorit apo të nesërmen në mëngjes...
Në mes të bisedës hyri një pauzë. Anamaria nuk po fliste më. Megjithatë e rinisi: Më pyesin disa sipërmarrës të njohur barezë për situatën e rendit në Shqipëri.
I shqiptoi fjalët me shumë kujdes, thua qenë mina të fshehura nën gjuhën e saj dhe nga momenti në moment mund të shpërthenin.
-Unë u them se gjendja në Shqipëri është normale, e sigurt-shtoi ajo sikur po fliste me veten - Nuk ndodh asgjë, është vetëm zhurmë gazetash që duan të kapin sensansionin, atje mjaft biznesmenë italianë punojnë prej vitesh dhe kanë fitime shumë të mira.
-Rendi në Shqipëri është ende i brishtë, por i parrezikuar në përmasa destabilizimi - shqiptoi Diplomati i Parë një frazë të sforcuar.
Përmatanë receptorit u duk sikur ra masa e zbrazët e heshtjes. Por zëri i Annamarisë mbërriti shpejt.
-Këtu në Bari janë përhapur fjalë se në shtator Shqipëria do të kalojë një turbullirë.
-Ah!-klithi ai-Thonë turbullirë apo ndonjë fjalë tjetër?
Annamaria u step. Filloi të kërkonte fjalën që kishin përdorur bashkëqytetasit e tij: turbullirë... revoltë... rebelim... kryengritje...
-Një si ajo që ndodhi vitin e shkuar, brriti më në fund: rrëmujë.

Tepër urgjente, Ambasadës Shqiptare në Romë

Bashkëlidhur po ju dërgojmë një pjesë të dokumentave që provojnë pronësinë e Shtetit shqiptar mbi dhjetë apartamentet në Viale Eritrea.

Këshilli i Ministrave
Vendim Nr 461, më 17. 12. 1964

Mbi blerjen e 10 apartamenteve në Itali për banimin e personelit të Ambasadës
Këshilli i Ministrave, në mbledhjen e datës 17. 12. 1964 vendosi:
1. Të aprovohet blerja në Itali e 10 apartamenteve për banimin e personelit të Ambasadës dhe Përfaqësisë Tregëtare, duke shtuar në planin e investimeve të Ministrisë së Punëve të Jashtme 9.000.000 (nendë milionë) lekë, nga të cilat 3.000.000 (tre milionë) lekë në valutë të lirë.
2. Shumat e parashikuara në pikën 1 të këtij vendimi të jepen brenda vitit 1964 nga fondi rezervë i valutave dhe fondi rezervë i Qeverisë.
3. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
Kryetari i Këshillit të Ministrave
Mehmet Shehu
(firma)

Mikroskedë

A.Karagjozi ka lindur në Gjirokastër më 24 dhjetor 1924.
Ka vdekur më 12 maj 1997 në Tiranë.
Testamenti i tij i është dorëzuar në Romë noterit Paolo De Agostini në datën 4 gusht 1998, pra pothuaj një vit më pas.
Është regjistruar në Romë në datën 7 gusht 1998.
Menjëherë ka filluar procesi i shitjes së apartamenteve nga shoqëria zvicerane \\\"Immovivia S.P.\\\" dhe i blerjes nga agjencia italiane e pasurive të paluajtshme \\\"Galavrani\\\".
Ish-diplomati ka dy vajza dhe një djalë.
Njëra vajzë prej vitesh jeton në Itali, martuar me një shqiptar. Në Zvicër, në qytetin Bernë, familja e ish-diplomatit ka të afërmin e vet.
Ish-diplomati ka punuar në Ambasadën shqiptare në Itali.
Ndërsa ishte gjallë, pra për 22 vjet, kohë në të cilën ishte \\\"pronar\\\" i 10 apartamenteve, nuk ka paguar asnjë taksë shtetit italian.
Po për kaq vjet nuk ka bërë asnjë përpjekje t\\\'i shiste.

Maqedoni

Në një lokal luksoz afër qendrës së qytetit të Tetovës, tamam pranë godinës së bektashinjve, kryetari i Komisionit parlamentar shqiptar për Mandatet surbte një kafe të nxehtë dhe përpiqej të kuptonte qetësinë përreth tij. Gjithkund tavolinat ishin të zëna, të gjithë bisedonin me njeri-tjetrin dhe ndërkohë pinin shumë duhan.
Një shqiptar i gjetur përballë tij, me të marrë vesh që ishte përfaqësues i Partisë Socialiste Shqiptare, u shtrembërua në fytyrë si të ndjente ndotë dhe iu afrua kanosës: Keni për ta parë se çdo të bëhet në shtator!
Parlamentari i rëndësishëm tendosi buzët në përpjekje për të penguar ndonjë fjalë të pakontrolluar.
-Çfarë, çfarë? - shqiptoi përmes dhëmbëve dhe buzëve të shtrënguara.
Tjetri skërmitjes së politikanit të ardhur nga Shqipëria nuk iu përgjigj.
-Çfarë do të bëhet në shtator në Shqipëri? - fishkëlleu fjalët kryetari i Komisionit parlamentar të Tiranës. Shqiptarit maqedonas bebëzat iu zbardhën, iu shpëlanë krejtësisht. U duk sikur i iku drita e syve. Pas në sekonde u zhduk, sikur të mos kish qenë kurrë aty.
-Në shtator- pëshpëriti kryekomisioneri me vete.

28 gusht

\\\"Rilindja Demokratike\\\": \\\"Tirana i jep ultimatumin Nanos\\\", \\\"Mbi pesëdhjetë mijë demokratë pushtojnë sheshin \\\"Skënderbej\\\" dhe bulevardin \\\"Dëshmorët e Kombit\\\", \\\"31 gushti, dita e lirisë për të burgosurit politikë dhe çlirimi i bllokut nga bllokqenët\\\", \\\"Luftën po e kërkon Nano...Luftën e ka shpallur Nano dhe gjithë plehrat që mban rrotull...\\\".
\\\"Koha Jonë\\\" informon se të katër komisariatet e policisë së Tiranës janë në gatishmëri. Po ashtu është dhënë urdhri që policët të paraqiten në punë edhe pasdite. Ka masa të forta ruajtjeje pranë institucioneve kryesore. Një siguri më e lartë nëpër burgjet, sidomos tek 313-ta.

Shkrimi i pestë

TIRANË, 3 SHTATOR 1998: DIGJET NJË ARKIVOL ME FOTON E FATOS NANOS

Shkelje të rendit publik në Shqipëri në javën e fundit të gushtit 1998

22 gusht, ora 21.00: ndalohen të huaj të dyshuar për terroristë; ora 20.30: goditet makina e drejtorit të Bankës Lushnjë.
23 gusht, ora 01.00: ndalohen gjashtë eksponentë të Partisë Demokratike; ora 12.00: vritet një polic tek ambasada amerikane; ora 24.00: Gjirokastër, maskat vënë eksploziv në një fabrikë.
24 gusht, ora 23.45: Mirditë, tritol shtëpisë së shefit të krimeve Pukë.
25 gusht, ora 18.35: Kavajë, miting i paligjshëm i PD-së.
26 gusht, pasdite: një deputet i Partisë Demokratike zë rrugën kombëtare në Mamurras, 50 janë ndihmës të tij; ora 01.00: tritol në rrugë.
27 gusht, ora 19.00: miting i paligjshëm i PD-së në Tiranë; Tepelenë: vritet oficeri i Briskut A.B.
28 gusht, ora 24.00: Has, tritoli shkatërron një lokal; ora 03.13: Gjirokastër, granata mbi postbllokun e policisë.

29 gusht

\\\"Gazeta Shqiptare\\\": \\\"...Kishin kaluar kështu dhjetë minuta nga mbyllja e mitingut të PD-së, kur një telefonatë në zyrat më të larta të Rendit ka sjellë edhe njëherë ndezjen e sirenave. Një zë anonim sapo kishte telefonuar në zyrën e rojes së turnit të kryeministrisë dhe kishte kërcënuar ashpër \\\"Do t\\\'ju djegim të gjallë aty ku jeni, komunistë\\\". Më tej janë lëshuar edhe sharje dhe kërcënime për dikastere të rëndësishme të vendit, deri edhe te Presidenca\\\".
\\\"Rilindja Demokratike\\\", në krye të faqes së parë: \\\"Protesta, ora e provës për demokratët. Të gjithë shqiptarët në rrugë për lirimin e të burgosurve politikë”; “Më 31 gusht Nano të shporret nga blloku”; “Bashkimi për Demokraci i bën thirrje të gjithë shqiptarëve të ndershëm që besojnë tek liria dhe vlerat e saj, nacionalistëve të vërtetë që aspirojnë për një Shqipëri në liri, të djathtëve kudo që ndodhen në Shqipëri të bashkohen me qytetarët e Tiranës, ditën e hënë më 31 gusht, ora 18.00, në sheshin \\\"Skënderbej\\\" në protestën e tyre kundër diktatorëve të kuq që pasi morën pushtetin me dhunë, nuk reshtën së aplikuari ndaj opozitës platformën e tyre kriminale...Bashkë për të mbrojtur lirinë! Nesër do të jetë vonë. Kryesia\\\"

30 gusht

Sipas \\\"Koha Jonë\\\", \\\"një diplomat shqiptar që për motive diplomatike preferoi të mbetej anonim, i tha dje \\\"KJ\\\" se dy kongresmenët e SHBA, të cilët do të vinin në Shqipëri me misionin për të ulur në një tryezë dy të mëdhenjtë e politikës shqiptare, kanë anulluar këto ditë vizitën e tyre në datat e paracaktuara\\\".

31 gusht

Në mitingun e paralajmëruar të Partisë Demokratike u thërritën shumë fjalët \\\"Vdekje Fatos Nanos!\\\".

1 shtator, gazetat italiane

\\\"La Stampa\\\"
\\\"Manifestim në Tiranë. Berisha udhëheq revoltën kundër qeverisë\\\"
\\\"Pas dy orësh e gjysmë është mbyllur manifestimi i madh i protestës, i ndaluar nga policia dhe i organizuar në Tiranë nga Partia Demokratike e ish-presidentit Sali Berisha, sot udhëheqës i opozitës. Nuk kishte incidente. Burime të Partisë Demokratike megjithatë kanë thënë se forcat e rendit kanë ndaluar disa manifestues. Berisha ka kritikuar ashpër qeverinë e kryeministrit socialist Fatos Nano, duke premtuar se \\\"do ta rrëzojë këtë regjim me çdo mjet\\\". Mijëra demonstrues mbanin në duar banderola dhe thërrisnin parrulla kundër \\\"kthimit të komunizmit\\\". Ndërkohë një depo e ushtrisë shqiptare është sulmuar dhe plaçkitur në qytetin e Krujës, 50 kilometra nga kryeqyteti; e kanë njoftuar burime zyrtare\\\".
\\\"La Republika\\\"
\\\"Shqipëri. Berisha në shesh. Rrëmbehen armët\\\".
\\\"Manifestim i ri kundër qeverisë socialiste të Fatos Nanos në Tiranë. \\\"Do të rrëzojmë Nanon\\\" ka shpallur ish-presidenti Sali Berisha përpara të paktën tre mijë veprimtarëve të Partisë Demokratike që protestonin kundër arrestimit të gjashtë ish-ministrave dhe ish-funksionarëve të akuzuar se kanë bërë krime të rënda gjatë revoltës së vitit të shkuar. Dje në mëngjes në Krujë, 50 kilometra nga Tirana, është sulmuar dhe plaçkitur një depo armësh\\\".

2 shtator

Ora 21.30. Persona të paidentifikuar kanë vendosur tritol në zyrën e Partisë Socialiste të Lezhës, duke shkaktuar shkatërrimin e plotë të saj dhe ngjallur panik në qytet. Selia e socialistëve në Lezhë ndodhet në katin e dytë të një godine trekatëshe ku gjenden gjithashtu zyrat e gjithë partive të tjera (zyra e PD-së ndodhet përballë zyrës së socialistëve), drejtoria arsimore, regjistrimi i pasurive etj. Nga shpërthimi i jashtëzakonshëm i tritolit është shkatërruar një pjesë e mirë e godinës, ndonëse ende nuk është e qartë se cilat janë dëmet. Ndërkaq vetëm një ditë më parë në fshatin Marktomaj i kishin vënë një sasi të vogël tritoli urës duke e dëmtuar pjesërisht.
Ndërkohë Ministria e Rendit Publik njoftoi se një grup personash të armatosur, duke vënë përpara si mbrojtëse fëmijë të vegjël, kanë bllokuar rrugën nacionale në jug të vendit, arterie që lidh Gjirokastrën dhe pjesën tjetër të Shqipërisë, me Sarandën dhe me pikën e kalimit kufitar të Kakavijës. Në orët e mëpasme, megjithë përpjekjet e policisë për dialog me udhëbllokuesit, në kodrën e Kardhocës bri rrugës nacionale disa të rinj mbartën armatim të rëndë, përfshi mitralozë dhe kundërtanke. Më pas ata nisën të shtinin në ajër dhe mbi asfalt, duke përdorur vetëm kallashnikovët e pushkët automatike. Për disa kohë nga kodra e Kardhocës, pranë së cilës ndodhet edhe një repart ushtarak, herë pas here dëgjoheshin të shtënat e një kundërajrori të kalibrit 12,7...\\\".
\\\"Rilindja Demokratike\\\", faqja e parë: \\\"Partia Demokratike e Shqipërisë, pasi u njoh me rrethanat e ngjarjes në Lazarat, deklaron se: PDSH denoncon kurthin komunist që klika e Fatos Nanos i ka përgatitur Lazaratit dhe banorëve të tij të mrekullueshëm, të shquar në historinë e kombit për ndjenjën e lartë të atdhedashurisë, trimërinë e mençurinë, për qëndresën ndaj persekutimit komunist dhe klikës së Fatos Nanos.
Klika e Nanos me kurthin anti Lazarat dëshmoi edhe njëherë fytyrën e vërtetë të krimit, atë të mllefit politik, të luftës së paskrupullt kundër kundërshtarëve politikë, pa kursyer as edhe eliminimin fizik..\\\".

Koncert në Vatikan për Nënë Terezën

Kur në ekranet e televizionit italian filloi të shfaqej reklama për koncertin kushtuar Nënë Terezës me rastin e njëvjetorit të vdekjes së saj, u kuptua qartë se spektakli jubilar nuk kishte qenë thjesht një hamendje apo dëshirë. Ai po kthehej në realitet të prekshëm, të paktën që më çastin kur u tha se koncerti do të transmetohej në të njëjtën kohë nga \\\"Canale 5\\\", nga Telepace i Vatikanit, nga Televizioni Shtetëror Shqiptar dhe nga Mondovizioni.
Vetëm ato çaste u kuptua se sigurimi i një ftese për koncertin nuk do të ishte gjë e thjeshtë.
Më 2 shtator, pothuaj pa u dalluar, nëpër shkallë e ambasadës u ngjit dhe zbriti pa zhurmë ish-shefi i saj. Fillimisht kjo prani u interpretua si e lidhur me ikjen e tij. Urdhri me shkrim nga Tirana që ai të shkëpuste përfundimisht marrëdhëniet financiare kishte si kufi datën pesë. Por shpejt u bë e qartë cila qe arsyeja e vërtetë e rishfaqjes.
Ish-i kishte siguruar një tufë ftesash për koncertin kushtuar Nënë Terezës. Thuhej se kishte marrë të gjithë kontingjentin e caktuar për Ambasadën Shqiptare në Romë. Dhe kishte lënë tek I Ngarkuari me Punë vetëm një. Vetëm për të.
Në mëngjesin tjetër ftesën e vetme I Ngarkuar
Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com