Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

SI I PASHË MASAKRAT KUNDËR SHQIPTARËVE TË KOSOVËS


(Botuar në gazetën “Dita” në 17 dhe 18 korrik 2016)

Shkurt 1945, ditari i pabotuar i një partizani nga Skrapari

Pjesa e parë

Partizani Musa Hysi, në pasluftë oficer artilerie, në fund të vitit 1984 më dhuroi një kopje të daktilografuar të kujtimeve të tij në dorëshkrim. Në të përfshihej, përveç pak shënimeve rreth fshatit të Vërzhezhës, vendlindjes së tij në Skrapar dhe disa faqeve për origjinën e familjes atërore, vetëm periudha e rezistencës kundër pushtimit italian dhe gjerman.
Megjithëse e mbushur me hollësi nga më interesantet, fryt i një kujtese të shkëlqyer të autorit, ky dorëshkrim do të hynte në një rast të zakonshëm, sikur të mos binte në sy një karakteristikë e veçantë e tij.
Ai dorëshkrim zotëronte edhe një pamje që e bënte të domosdoshme bërjen publike. Musa Hysi në kujtimet e veta i kishte kushtuar shumë faqe luftimeve të brigadës së tij në betejat për çlirimin e tokave jugosllave, por pa lënë mënjanë apo anashkaluar sipërisht atë të pranisë së njësisë, më pas, në Kosovë.
Për shkak të një përparësie historishkrimi të komanduar prej udhëheqjes politike të kohës publikimet deri në fund të vitit 1980 bëheshin në shumicë për të dëshmuar kontributin shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore në çlirimin e popujve të Jugosllavisë, por nuk porositej ndonjë vëmendje e posaçme për të rrëfyer se çfarë panë me sytë e tyre partizanët shqiptarë, kur hynë dhe qëndruan në Kosovë, si edhe trojet e tjera shqiptare në federatën fqinje. Ky pengim ndryshoi pas demonstratave studentore në Prishtinë në mars 1981 dhe, me siguri ju kujtohet, që në këto momente shpërthimi të mobilizimit për t’u qenë sa më afër bashkëkombësve dhe treguar gjithë të vërtetën çfarë po ndodhte atje, u realizuan kryevepra si “Koha e shkrimeve” e Ismail Kadaresë.
Patjetër kjo duhet të ketë qënë edhe rrethana shtysë përse partizani Musa Hysi pati shkruar në kujtimet e tij të daktilografuara në vetëm pesë kopje, çdo gjë që kishte përjetuar në Kosovë në fillim të vitit 1945.
Ishin faqet më të nxehta të dorëshkrimit, më të ndjerat, më emocionueset, më ngashërueset, më të fortat për t’u ngulitur në kujtesë dhe për të mos u shuar kurrë prej saj.
Qe kjo arsyeja që 32 vite më parë vendosa për të pritur ditën kur duhej të shkruaja për ekzistencën e këtyre kujtimeve. Edhe pse tridhjetë e dy vite janë shumë për të gjetur mundësinë e kryerjes së një promovimi, nuk më duket gjithsesi se jam tepër vonë.
Në fakt për Kosovën çdo shqiptar, kurdo që të përpiqet të japë një kontribut njohjeje për shtypjen etnike të vuajtur dhe njëkohësisht heroizmin e rezistencës në mbrojtje të identitetit të saj kombëtar, është në kohë.
Nuk e kemi vonuar partizanin skraparlli Musa Hysi, edhe pse një peng e kemi: ai nuk mund t’i shohë këto faqe të gazetës “Dita”, e përditshme që u jep kurajë luftëtarëve kundërfashistë që dëbuan italianët musolinianë dhe gjermanët nazistë.
Që prej 4 gushtit 2006, pra pothuaj plot dhjetë vite të shkuara, ai nuk jeton më. Në emër të tij dhe me të në zemër, do t’i lexojnë të tjerë, mes tyre jo vetëm bashkëshortja Ruze dhe katër fëmijët e tyre me emra plot mesazh: Pëllumbi, Vera, Shpendi dhe Shqiponja.
Janë edhe ata pak partizanë të mbetur gjallë si edhe ata shumë bij e bija të tyre, nipër, mbesa...

Shkodra e 29 nëntorit 1944

Në atë fundnëntor 1944, saktësisht në datën njëzetë e nëntë kur hynë, sepse sapo qyteti ishte çliruar, Shkodra iu duk Musa Hysit shumë i madh dhe i bukur. Deri atëherë kish parë vetëm Beratin.
Qyteti ishte plot lëvizje dhe zhurmë, por edhe në gjendje të turbullt të rendit publik. Përreth flitej shumë italisht, tamam sikur befas qyteti të kishte kapërcyer detin dhe të ndodhej në gadishullin Apenin. Qenë shumë kolonë italianë nga ata që pushtuesit i patën sjellë për të romanizuar Shqipërinë. Tani kërkonin të riktheheshin në atdheun e tyre nëpërmjet Bunës, duke përdorur barka vendase apo të tjera që vinin aty me ngut nga bregdeti malazez apo përtej.
Ndërkaq patrulla të shumta partizane grumbullonin njerëzit e dyshimtë dhe një pjesë edhe i arrestonin. Kishte mjaft të ardhur nga Shqipëria e jugut dhe e mesme. Që të gjithë këta donin të largoheshin në Itali. Derisa të gjenin rastin e ikjes fshiheshin nëpër miqtë e tyre jo vetëm në qytet, por dhe nëpër fshatrat rrotull.
Në një histori të tillë u gjend papritur edhe Musai me një shok të tij. Në 1 dhjetor i vendosën për strehim tek shtëpia e një malësori që kishte disa vite ardhur në Shkodër. Banesa ndodhej në lagjen “Skënderbej”. Kur shkuan gjetën aty edhe një person, për të cilin i zoti i shtëpisë tha se e kishte mik. Pasi u bëri të ditur emrin e vet, ky të dy partizanët filloi t’i pyeste për njësitë ku bënin pjesë, për emrat e komandantëve dhe të komisarëve, armatimet. Një çast madje pohoi se po priste të vinin aleatët, anglezët, dhe se qe i shqetësuar prej vonesës së tyre.
Biseda do të kishte përfunduar pa shkaktuar ndonjë dyshim sikur në derë të mos hynte me vrull një shok i tij, i cili e thirri me një emër tjetër nga ai i prezantuar dy partizanëve. Ardhësi i tha të iknin sa më shpejy prej andej, kështu që tjetri u ngrit, por Musai me shokun e vet kapën armët dhe ua drejtuan. Të dy ngritën duart lart. I lidhën.
I bënë kontroll “mikut” që gjetën në banesë dhe i zbuluan me vete një pistoletë “Beretta”. Në dhomën ngjitur kërkuan me ngulm dhe ndeshën në një automatik gjerman si edhe në një kollanë me 100 fishekë. Gjithë natën Musai me shokun e vet bënë roje me radhë për dy të lidhurit dhe në mëngjes i dorëzuan në komandë.
Kjo qe edhe dita kur e lajmëruan se, për t’iu bashkuar brigadës së tyre të tretë që kishte vazhduar ndjekjen e trupave gjermane në Jugosllavi, do të shkonin fillimisht në drejtim të Kosovës dhe prej andej drejt Bosnjës.
Musa Hysi u ngazëllye. Po i realizohej një ëndërr e vjetër.
Shkoi tek intendenti, i cili i dha uniformë oficeri italian dhe këpucë gjermane me qafa. I erdhi keq që flaku rrobat laramane që deri atëherë kish, e sidomos opingat prej llastiku.
Skuadra e tyre për rrugëtim do të përbëhej nga shtatë vetë dhe katër kafshë të ngarkuara me gazeta dhe libra shqip. Nga qyteti i Shkodrës u dhanë po ashtu dy shoqërues për t’u treguar rrugën. Do të ishte me ta edhe kali i shalës i Neshat Hysit, komandant i njohur partizan. Quhej “Tigri” dhe qe mjaft i bukur, i verdhë me kafe të hapët, me një balluke të vogël në ballë. Ishte edhe shumë i urtë, gjithashtu i shpejtë sa nuk e zinte plumbi. Vetë i zoti, Neshati, do të vinte pas skuadrës së të shtatëve, në një distancë të caktuar sigurie. Me ta do të bashkohej vetëm kur do të hynin në Prizren.
Nisja e shtatëshes u bë në orën 10.00 të 2 dhjetorit 1944. Moti qe me re, në Shkodër madje nisi të binte një shi i imët. Lumin Drin e kaluan në Vaun e Dejës, me lundra. Kuajt nuk donin të hipnin në to dhe u detyruan t’i futnin me forcë.
Në ecje drejt Kosovës bënë tre ditë rrugë me pushime netëve në fshatrat Gomsiqe, Arrës dhe Shënmëri. Në Kukës mbërritën me dy-tri orë ditë. Aty morën vesh se grupi i armatosur i Muharem Barjaktarit kishte bërë plan për t’i goditur para se të hynin në Kukës, në një thellimë të mbuluar me shkurre sa një bojë njeriu, por ky, i vënë në dijeni rastësisht, e pati kundërshtuar. “Nuk vras shqiptarë të jugut, pati thënë prerë, janë vëllezërit tanë”.
Nga Kukësi në Prizren autoritetet e vendit shtatëshes marshuese u dhanë një kamion transporti, në të cilin do të vendoseshin edhe thasët me gazeta dhe libra shqip. Kuajt e ngarkesës do të ktheheshin për Shkodër bashkë me shoqëruesit. Me kalin e shalës “Tigri”, i cili nuk mund të vendosej në karrocerinë e kamionit, do të udhëtonte drejt Prizrenit vetëm Musa Hysi. I thanë se rruga qe e mirë, e drejtë, pa asnjë rrezik. Po të mos e ngiste me vrap, pra të ecte vetëm me ngadalë, mbërrinte në Prizren për tre-katër orë.

Drejt Kosovës hipur mbi kalin “Tigri”

Gjithnjë duke ecur nëpër rrjedhën e lumit të Drinit të Bardhë, kur kaloi kufirin e ndarë padrejtësisht nga disa fuqi të mëdha të vitit 1913, zemra i dhembi. A do të prishej një ditë ai dhe shqiptarët do të bëheshin një shtet?
Skraparlliu Musa Hysi ecte hipur mbi “Tigrin” dhe përpinte panoramën e mahnitshme në të majtë e të djathtë të lumit, gjersa arriti në një vend të banuar, i cili për nga sasia e madhe e shtëpive iu duk se do të qe Prizreni. Në të vërtetë vendasit, që iu mblodhën përreth kur ai qëndroi në oborrin e shkollës dhe po e shihnin me kërshëri (fliste shqip, por kishte uniformë ushtarake italiane, këpucë gjermane dhe yll të kuq nën strehën e kapelës, i thanë se ai vend quhej fshati Zhurja. Prej andej Prizreni qe vetëm 15 kilometra larg.
Kur hyri në Prizren vetvetiu i erdhën në buzë vargjet për Abdyl Frashërin, aq shumë të kënduara në krahinën e tij- Pastaj u përqendrua i tëri në trokëllimën e patkonjve të “Tigrit” elegant nëpër kalldrëmin e qytetit. Edhe ajo zhurmë, prej gëzimit të madh, iu dukej si muzikë. Kafe “Barin”, ku kishte porosi të ndalte dhe të zinte vende për të fjetur edhe për komandant Neshatin, që po vinte më pas, e gjeti menjëherë. Pronari thirri një vojnik serb. Qe një ushtarak i gjatë, i cili filloi t’i bëjë shërbim kalit, por pa i dhënë as ujë dhe as tagji. “Është shumë i lodhur, shpjegoi me shenja e ndonjë gjysmë fjalë shqip, do t’i jap pas një ore”.
Ndërkaq brenda në bar, sapo Musai u ul në një tavolinë, kamarierja i vuri përpara një gotë konjak dhe një filxhan kafe. Konjakun nuk dinte ta pinte, s’e kish parë ndonjëherë me sy, prandaj për ta hequr qafe e ktheu gotën të tërë. I xixëlluan sytë. Pastaj nisi të pijë kafen. Dreqi e mori, tha me vete, ndoshta duhej pirë e para kjo e dyta. Në dy-tri minuta, sapo mësuan se vinte nga Shqipëria, përreth iu mblodhën një turmë e madhe. E pyetnin pa pushim për gjithçka. Skraparlliu tregonte dhe tregonte edhe ai pa u ndalur. Pauzat e vetme qenë çastet kur kthente gotat e konjakut që prizrenasit ia qerasnin njëri pas tjetrit me shprehjen “Këtë e ke nga unë”.
Ndjeu që gjuha iu trash, goja iu bë zjarr, trupi iu mbush me djersë, fjalët që i nxirrte nuk i ngjanin më të tijat. I thirri mendjes të kishte kujdes mos të nxirrte sekretet e brigadës dhe nisi të përtypë, me shpresë se mund të shpëtonte nga dehja, bajame dhe fiq të thatë që i vunë përpara.
I zoti i barit dhe disa prizrenas e shëtitën nëpër qytet, e çuan dhe tek një hamamllëk për të bërë banjë, por refuzoi. Tha se vetëm pak ditë më parë e kishte bërë një larje në Shkodër, kurse e vërteta qe krejt ndryshe. Nuk pati bërë banjë që nga gushti i atij viti, ku qe larë në lumin Osum të Beratit.
Pasdite vonë ia mbërriti edhe komandant Neshati. Në hotel-bar u thanë se nuk kishte siguri dhe mirë do të qe të flinin duke bërë me radhë roje. Madje edhe bravat e dyerve të dhomave qenë të thyera, nga që netëve hynin dhe i shqyenin njerëz të armatosur me yll në ballë, por të cilët, siç ngulte këmbë hotelxhiu, ishin çetnikë, monarkistë të maskuar si partizanë jugosllavë.
Kështu partizanët e ardhur nga Shqipëria i vunë nga pas derës një shtrat, caktuan një radhë për të ndenjur pa fjetur dhe e kaluan natën nëpër ankth. Por nuk ndodhi asgjë.
Të nesërmen u mblodhën tek monumenti i Abdyl Frashërit dhe vijoi marshimi. Këtë herë për në Prishtinë. Të gjithë do të hipnin në një kamion kurse Musa Hysi i vetëm do të qe kalëruar mbi “Tigrin”. Në Prishtinë do të takohej me shokët në një pikë, vendndodhjen e të cilës ia thanë, por skraparlliu e harroi që në çastet e para.
Tek ecte i ftohti u shtua. Nisi bora. Bukuria e Fushë Kosovës e ngazëlleu. Në Prishtinë mbërriti në të ngrysur. Edhe këtu kaos, rrezik gjithkund prej sulmeve të çetnikëve.
Të nesërmen vazhduan rrugën drejt Mitrovicës, ku hynë natën. Këtu gjithkund flitej vetëm serbisht dhe vepronin patrulla të shumta partizane sllave. U treguan letrën që kishin nga komanda e tyre dhe nuk i penguan.
Të nesërmen të shtatët dhe me “Tigrin” përdore u nisën për në Novi Pazar. Terren i thyer, pyje të mbuluar me borë, mjegull e dendur. Prej kësaj të fundit humbën rrugën. Kur më në fund u riorientuan dhe hynë në Novi Pazar vunë re se këtu jetonin me alarm nga sulmet e bullgarëve, të njohur si aleatë të gjermanëve.
Ndërkohë popullsia vendase shprehte respekt për partizanët shqiptarë. Thoshin se ata nuk trazonin gjë, hanin çfarë t’u jepje dhe flinin atje ku i vendosje.

Luftë kundër gjermanëve, çetnikëve dhe morrave

Kur hynë në Novi Sad, nuk fjetën aty. E kaluan natën në një fshat të vogël. Këtu u strehuan në shtëpinë e një vendasi, por ndërsa u përpoqën të dremitnin, nuk mundën. Sa mbyllnin sy u kruhej trupi. Kishin marrë morra gjatë rrugës. I zoti i shtëpisë u erdhi menjëherë në ndihmë. Hodhi një dorë me dru në vatër dhe ndezi një zjarr të hovshëm. U tha shtatë partizanëve shqiptarë të hiqnin nga trupi teshat dhe dy vetë në të dy skajet e zjarrit të mbanin të nderura mbi prush pantallona apo xhaketa, pallto, bluza, triko e këmisha, gjithçka që mund të hiqnin.
Kështu edhe bënë. Nga shkundja dhe sidomos të nxehtit morrat binin në zjarr me shumicë dhe kërcisnin si kokra kripe.
Kishin pasur morra edhe në Shqipëri, por me këto që u qenë ngjitur në Jugosllavi ndryshimi ishte shumë i dukshëm. Këtu qenë të mëdhenj, si të kultivuar posaçërisht. Po ashtu në Shqipëri morra mund të kishin partizanët, por jo banorët. Në tokat e sllavëve të jugut po shihnin që morrat u rrinin në trup me bollëk edhe njerëzve që jetonin normalisht nëpër shtëpitë e tyre. I zoti i banesës ku nuk fjetën dot, por të paktën u dhanë dermën atyre insekteve të neveritshëm, me këtë rast bëri të njëjtin veprim vetëpastrimi edhe me teshat e tij.
Kjo, përpiqet të shpjegojë në kujtimet e tij të pabotuara partizani nga Skrapari Musa Hysi, ndodhte edhe për shkak të një ushqimi të njëllojtë dhe mjaft të varfër: gjatë tërë dimrit pothuaj vetëm patate. U thoshin “kërtolla”.
Kështu kur njësitë partizane ndodheshin në Sanxhak në ndjekje të trupave gjermane, në muajin shkurt, shpërtheu një tifo e morrit, e cila u ndërpreu jetën dhjetëra luftëtarëve dhe shkaktuar vdekje njerëzore jo më pak se vetë luftimet. Morri në Jugosllavi u bë armik i dytë pas nazistëve gjermanë dhe çetnikëve.



Pjesa e dytë

(Vijon nga dje)

Me forcat e brigadës së tyre, të Tretës, kali i shalës “Tigri” dhe shtatë partizanët e nisur nga Shkodra në 2 dhjetor 1944, shkuar në Kosovë dhe prej andej drejtuar në kahun e Bosnjës, u takuan në Sinicë. Ishte një qytezë në një lartësi prej 1500 metrash.
Forcat e brigadës së Tretë ende nuk kishin rënë në kontakt me armikun dhe prisnin urdhrin për veprim. Në pritje ata jetonin në banesa të mira të vendasve, të pajisura me soba që temperaturën brenda shtëpisë, kur jashtë qe minus njëzetë, e bënin 25 deri 30 gradë. Vazhdimisht në qytezë organizoheshin mbrëmje tematike me biseda edukative, me koncerte e këngë, pjesë të vogla teatrore, por më së shumti edhe me vallëzime në çift, kryesisht vals. Sllavet qenë femra të bukura e pasiononte për dashuri, por partizanët shqiptarë bënin kujdes të mos shkonin larg rregullave të rrepta të luftës.
Sjellja e banorëve të Sinicës ndërkaq qe mbresëlënëse, plot mirësi. Për luftëtarët e ardhur nga Shqipëria jepnin një dhomë nga dy që mund të kishin, ose flinin të tërë në të vetmen e tyre. Hanin së bashku njëlloj, i ndanin përgjysmë edhe sikur vetëm patate të pjekura apo të ziera t’u pat mbetur. Kur nuk kishte për të ngrënë nuk hanin të dy palët. Ndërkohë të gjithë partizanët shqiptarë duhej të kryenin shërbimin e rojës, por ishte aq ftohtë sa ata ndërroheshin çdo gjysmë ore. Më tepër po t’i lije ngrinin nga akullima e tmerrshme.

Miqësia me serbin

Në Senicë, ndërsa brigada e Tretë priste urdhrin nga lart për të hyrë në luftime, skraparlliu Musa Hysi ishte njëri prej atyre që pati pasur më tepër fat. Ndërsa shokët e kompanisë së tij flinin të gjithë në një ndërtesë, Musai qe vendosur në një shtëpi, në të cilën jetonin i zoti, e shoqja dhe një fëmijë djalë vetëm 8-9 vjeç.
Qenë serbë.
Aty jo vetëm hante mirë, por mbrëmjeve shëtiste edhe me kalë. Kishte shpëtuar nga të ftohtit dhe uria, por jo nga morrat. Një natë ata iu rikthyen dhe nisën ta shponin ku të mundnin. Atëherë i zoti i shtëpisë bëri një veprim disi më ndryshe nga ai që kishin provuar në fshatin në të dalë të Novi Sadit. Ai ndezi një zjarr, pastaj vuri mbi të një kazan të mbushur me borë. Kur kjo shkriu dhe ujët u nxeh, hodhi në të të gjitha teshat e Musait.
Ndërkohë erdhi një çast kur ata të komandës urdhëruan kthimin e tij në ndërtesën e përbashkët. Gjithsesi edhe pas kësaj tek shtëpia e serbit Musa Hysi herë pas here shkonte për të shkëmbyer ndonjë përshendetje. Ata i kishin hyrë në zemër. As familja serbe nuk e fshehte të njëjtën ndjenjë. Kur brigada u largua nga Senica Musai shkoi të përcillej me çiftin dhe birin e tyre të vogël, t’i shprehte edhe falënderimet. Ndërsa puthi në faqe djalin dhe u përqafua me të zonjën e shtëpisë, bashkëshorti i saj hodhi një çantë në shpinë dhe i tha se do ta shoqëronte një copë udhë. Ecën bashkë afro një orë, deri sa kaluan pas një kodre dhe Senica nuk u duk më. Aty serbi iu hodh në qafë dhe e përqafoi me zjarr. Pastaj i vuri çantën në krahë. Qe plot me mollë.
Kur në mbrëmje bashkë me kompaninë e tij dhe brigadën mbërritën në Rashka, në fund të mollëve Musai gjeti edhe një palë çorape të leshta.

Pse “dezertonin” kosovarët nga brigadat partizane shqiptare

Në fund të shkurtit 1945 gjendja në brigadë nisi papritmas të keqësohej: partizanët shqiptarë nga Kosova filluan të largoheshin. Në të vërtetë ngjanin me dezertime, sepse qenë ikje të paparalajmëruara. Shpjegimi që iu dha, ishte veshur me fjalët “është dora e armikut”.
U dëndësua puna politike, por ikjet vazhduan. U bë thirrje për vigjilencë, sërish largimet e fshehta vijuan. Atëherë njëri prej ikësve u kap, u dënua me pushkatim dhe ai u krye aty ku ato çaste ndodheshin, në Bozhdozinoje. Vrasja u bë para batalionit të tretë, ku kosovari pati qenë si partizan.
Siç duket mjaftoi kaq për shpërthyer një pendim i madh për çfarë po bënin ndaj bashkëkombësve të Kosovës. Më lehtë do të kishin pushkatuar një prej Shqipërisë, shtetit të tyre, por jo prej trojeve etnike të ndara nga fati i lig. Ndërkohë, fjalë pas fjale, nisi të bëhej përherë dhe më e qartë arsyeja e atyre “dezertimeve”. Kosovarët iknin nga brigada, sepse familjarët u dërgonin lajm të ktheheshin sa më shpejt për t’i mbrojtur nga një fatkeqësi e madhe që i pati zënë. Dy divizione partizane jugosllave, të hyra nga Maqedonia dhe Mali i Zi, kishin shpërndarë këshillat nacionalçlirimtare të ngritur prej brigadave partizane shqiptare, patën vendosur menjëherë pushtetin e tyre ushtarak dhe po bënin terror ndaj popullsisë civile, veçanërisht mbi familjet e nacionalistëve, gjithë atyre që ishin shpallur për bashkim të Kosovës me Shqipërinë.
Drejt vendlindjes ishte kthyer deri edhe vetë brigada e Tretë kosovare, e nisur me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm NÇ të Jugosllavisë për në Mitrovicë, në luftime me gjermano-çetnikët. E rikthyer me shpejtësinë më të madhe ajo në Drenicë dhe në Pejë u përlesh me njësitë që vareshin prej Josip Broz Titos.
Ishte ky çast kur dy divizioneve nga Shqipëria, të ndodhura me luftime në Bosnjë, u erdhi urdhri nga Enver Hoxha të marshonin me shpejtësinë më të madhe drejt Kosovës. Në javën e parë të marsit, për tre ditë e net, njësitë partizane shqiptare mbërritën në vend dhe vunë qetësi. Pas kësaj kosovarët filluan të zbrisnin nga mali me armë në krahë dhe në besë të dorëzoheshin tek vëllezërit e tyre bashkëkombës. Rifilloi regjistrimi dhe rreshtimi vullnetar në brigadat e ardhura prej Shqipërisë.
Ishte një shtim i madh, batalionet u bënë brigada.
Entuziazmin e këtij shumimi e ndërprisnin herë pas here oficerë jugosllavë, të cilat mbanin në duar lista dhe nga njësitë kërkonin njerëz për t’i arrestuar. Komandat partizane shqiptare nuk ua jepnin, përveç ndonjë rasti kur qenë të bindur se personi i kërkuar pati kryer krim.

Istok, masakra e përbindshme

Kompania ku ndodhej Musa Hysi pas marshimit të shpejtë për në Kosovë, u vendos në mbrëmje në Istok, në një ndërtesë të madhe, dikur shkollë. Të nesërmen mori lejedalje për të parë qytetin dhe i bëri përshtypje mungesa nëpër rrugë e njerëzve. Takoi një të ri dhe e pyeti pse kishte kaq shumë shkreti. “Kanë frikë të dalin se i mbyt shkjau”, u përgjigj ky. Pastaj tregoi një vend me kallamishte të gjata. Shkuan atje dhe “Të hedhur në mënyrë të parregullt, shkruan Musa Hysi, të lidhur me tela telefoni (kabëll) me ngjyra të ndryshme, të kuq, jeshil, pashë kufomat e më shumë se 30-40 vetëve. Ishin veshur me rroba të reja, por pa kapuçin e bardhë të tyre. Mu rrotullua zemra, siç thonë pleqtë. Veshët filluan të më buçasin. Sytë mu errësuan dhe mendja mu paralizua. Nga kjo gjendje e rëndë më nxori djali duke thënë “Nuk është vetëm kjo, more shoku partizan. Ka edhe më”. Duke shkuar përpara më mori përdore sikur unë të isha i vogël. Më çoi tek një gropë tjetër (gropë i thënçin), se serbët (apo malazezët), s’di se kush kishte qenë në këtë masakër të përbindshme, nuk kishin marrë mundimin që të kishin hapur një gropë dhe t’i mbulonin, por ashtu siç ishte vetë terreni, i kishin palosur dhe lënë pambuluar.
Nuk kuptova as atëherë dhe as sot, pas 37 vitesh kur po shkruaj këto radhë kujtimesh, pse i kishin lënë të zbuluar. Ata ishin vrarë me plumb, me dru një nga një apo në varg, Nuk kuptohej vrasja e tyre. Ata ishin njëri mbi tjetrin e në brinjë, kokë e këmbë e duar të lidhur. Djali më çoi edhe tek një vend tjetër. E njëjta gjendje...”

Na dorëzuat tek shkjau, o vllaznit e Shqipnisë së moçme!

Pas kohëqëndrimit të shkurtër në Kosovë divizionit shqiptar iu dha urdhri për t’u kthyer përfundimisht në atdheun e vet. Në maj u nisën me tren nga ana e Prilepit, por kur hynë në një tunel ky u ndal dhe tymi i lokomotivës që përpiqej më kot të tërhiqte vagonët e mbushur me partizanë të Shqipërisë, filluan të kolliteshin, t’u merrej fryma, të alivanoseshin dhe shumë prej tyre të vraponin nëpër terr për të dalë nga tuneli sa më shpejt. Dëgjoheshin gjithkund thirrjet-klithje të partizanëve kosovarë “Po na mbyt shkau!”.
Partizanët nga Shqipëria nuk zbritën prej vagonëve, edhe pse ishin në gjendje fort të rëndë. Më në fund erdhi një lokomotivë tjetër dhe e nxori trenin nga tuneli. Klithmat tronditëse të kosovarëve “Po na mbyt shkjau!” Musa Hysit dhe të tjerëve të ardhur nga Shqipëria iu ngulitën thellë në tru.
Arritën më në fund në Manastir dhe prej andej në Resnë, ku u vendosën në një kazermë dykatëshe. Këtu, në pritje të urdhrit për të hyrë në Shqipëri, kaluan një periudhë të qetë, me një treg të mbushur me fruta dhe çdo të diel banja në liqen. Po afronte 10 korriku 1945, kur në Tiranë do të festohej dyvjetori i ushtrisë shqiptare dhe do të bëhej një parakalim.
Një ditë të papritur erdhi urdhri që kosovarët të largoheshin nga repartet e Shqipërisë, sepse do të shkonin në divizionin e 25-të të Jugosllavisë. Ky ishte dislokuar në Manastir. Vendasit qenë në prag të zgjedhjeve për Skupshtinën (parlamentin) e tyre në Beograd, dhe të gjithë nënshtetasit, përfshi edhe kosovarët, do të votonin.
Ishte një ditë nëntori i vitit 1945. E kthjellët dhe me diell. I gjithë reparti u mblodh në sheshin e kazermës. Këtu filluan të thirreshin emrat e kosovarëve dhe këta një nga një të dilnin prej rreshtit.
Qe një skenë tronditëse. Ata nuk dilnin nga rreshti, por dukej sikur këputeshin nga plumba që nuk i dallonte asnjë sy njerëzor. Të zverdhur në fytyrë shkonin si hije përballë dhe filluan atje pak nga pak të formonin një kuadrat të ri, veç të mjerë.
Përballë oficeri që thërriste emrat qeshte nën buzë. Partizanët shqiptarë qenë tulatur. Erdhi një çast dhe masa e kuadratit të ri u bë më e madhe se e atij prej të cilit dolën. As vetë nuk e dinin që kishin qenë aq shumë bashkëkombës të rreshtuar me ta.
Kur leximi i listës përfndoi, u dhanë komandë të largoheshin nga kazerma dhe kosovarët filluan t’i hidhnin këmbët si mbi prush dushku. Kokulur nuk flisnin, nuk ofshanin, por lotët u rrëzoheshin si breshër. Ato binin mbi pluhurin e rrugës sikur të qenë rrebesh shiu.
Ishte kortezh, edhe pse nuk dukej asnjë arkivol.
“Tërë jetën, do të shkruante në kujtimet e tij partizani Musa Hysi, nuk do të më hiqej nga mendja kjo pamje”. I dukej sikur ata, tek iknin, po u thoshin “Na tradhtuat or vllaznit e Shqipnisë së moçme, na dorëzuat tek shkjau për të na zhdukur. Më mirë të na kishit vrarë vetë, se gjaku i vëllait falet. Kini me dëgjue tash e tutje për ne, por nuk e dimë në do t’u vijë ndopak keq”.
Me ngashërim në gjoks të gjithë oficerët shqiptarë vrapuan dhe u dolën bashkëkombësve tek porta e kazermës, u shtrëngonin duart, ua merrnin ato dhe i vinin në zemrat e tyre që vëllezërit nga gjaku t’ua ndjenin si u rrihte me vrull. Pastaj edhe ata filluan të përloteshin, t’i lëshonin lotët çurg.
“Edhe sot, shkruan Musa Hysi, i cili këtë gusht mbush dhjetë vite që nuk jeton më, “më duket se më djegin faqet”.
I përcollën me sy bashkëkombësit deri sa porta e madhe e hekurt e kazermës, e cila menjëherë pas kësaj u mbyll, tamam si të mbyllej kapaku i një arkivoli.

Partinë e dua, por më shumë dua Kosovën

Në janar shkurt 1948 u mblodh aktivi i partisë për Korçën. Musa Hysi punonte si oficer në këtë qytet. Gjatë aktivit i bëri një pyetje të deleguarit të Komitetit Qendror të Partisë. Njiheshin, por në kujtimet e veta nuk e bën të ditur me emër dhe mbiemër. Ndoshta në 1984, kur Musai bëri dorëshkrimin, personi qe në funksione shumë të larta.
Pyetja ishte për çështjen nacionale, çfarë donte të thoshte për fatin e Kosovës dhe të trojeve të tjera shqiptare në Jugosllavi, po ashtu edhe të Çamërisë në Greqi.
Përgjigjen i deleguari e dha pas pushimit. U shpreh me këto fjalë: “Me Jugosllavinë çështjet nacionale i kemi zgjidhur drejt. Kosova bashkë me popujt e Jugosllavisë ndërton jetën e re, sipas dëshirës së vet. Ndërsa me Greqinë nuk bëhet fjalë fare. Ajo pretendon se është në gjendje lufte me ne. Ajo kërkon të mbajë jo vetëm Çamërinë, por gjithë Shqipërinë e jugut”.
Pastaj iu drejtua pyetësit: “Musa, ti e di mirë se bashkë kemi qëndruar një vit nëpër shtëpitë e Jugosllavisë”. Pastaj menjëherë e pyeti: “I qartë?”
“I qartë”, iu përgjigj Musa Hysi, por ndërkohë shtoi “Puljen dhe Istrian e kërkojnë jugosllavët, kurse ne nuk na japin Kosovën\\\\\\\".
“Mirë, mirë!, foli i deleguari i Komitetit Qendror të Partisë, ulu dëgjo dhe vëru veshin mirë! Pulia dhe Istria nuk janë si Kosova, e cila qoftë me ne qoftë me jugosllavët ndërton socializmin, jetën e vet. Jugosllavia po na ndihmon dhe ne. Ato, Pulia dhe Istria, janë me regjimet kapitaliste. Prandaj edhe ne e Bashkimi Sovjetik i mbështetim kërkesat e drejta të tyre”.
“E qartë”, u dëgjuan zëra nga salla.
Pas kësaj Musa Hysi në kujtimet e jetës së tij ende të pabotuara shkruan: “Unë u pajtova në heshtje dhe para syve më delte pamja e shkëputjes së kosovarëve dhe breshëritë e lotëve të tyre”.
U pajtua në shkurt 1948, por jo në 1984, kur shkroi këto fjalë e ndërkohë ishte në pushtet po ajo parti dhe po ai udhëheqës, të cilët vazhdonin të heshtnin për flirtin e gjatë që për Kosovën kishin bërë me Jugosllavinë. Dëshmi të tilla dolën vetëm pas vitit nëntëdhjetë.
Ky guxim tek partizani Musa Hysi ndodhi jo se nuk e donte partinë e vet, në radhët e të cilës pati hyrë me bindje të plotë në mars 1945, pikërisht kur ndodhej në trojet e bashkëkombësve, por sepse donte më shumë Kosovën.

Ylli Polovina

Tiranë, më 10 korrik 2016





Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com