Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

TETOR 1980, NËNKRYEMINISTRI I KOSOVËS PAJAZIT NUSHI: SHQIPËRIA SULMOHET VETËM PO TË KALOJNË MBI TRUPAT TONA


Raportet serbo-shqiptare, beton poshtë tyre apo akull

Pjesa e katërt e ciklit “E fshehta e vitit 1981”

Shkrimi i pestë

(Botuar në gazetën “Shqiptarja.com” në 10 dhe 12 korrik 2016)

Në Prishtinë mbërritën në orën 11.00 dhe ai Tefta Camit iu duk qytet “i bukur dhe i pastër”. Delegacioni i sistemua në Grand Hotel dhe një orë më pas u pritën në selinë qeveritare prej sekretarit krahinor për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën, dr. Ymer Jaka.
Këtu për pak sa nuk ndodhi një incident. Gjatë shkëmbimit formal të mendimeve, një çast Jaka u shpreh se “ky bashkëpunim me Kosovën bëhet dhe shërben edhe për bashkëpunimin në kuadrin e federatës”.
Dukej qartë se për autoritetet e Prishtinës ajo hapje edhe më e madhe me Tiranën bëhej për të ngritur më lart raportet mes dy vendeve dhe se në Kosovë qeveritarët e Tiranës po hynin më lehtë për hir të domosdoshmërisë së forcimit të marrëdhënieve me vetë Beogradin. Këtu nuk e dëshironin aspak një lidhje të njëanshme, vetëm të shqiptarëve me shqiptarët, sepse kjo mund të shkaktonte nxitje të frymës nacionaliste.
Por Tefta Cami e kishte të prerë porosinë nga udhëheqja politike e vendit të vet. Ndërsa kolegu i saj Nedin Hoxha pati udhëtuar drejt Beogradit dhe jo Prishtinës, misioni i saj qe vetëm Kosova. Ritmet në rritje të bashkëpunimit me Kosovën në Tiranë nuk dëshironin aspak si lulëzim të marrëdhënieve me Jugosllavinë.
Kështu nëntekstit, por edhe dëshirës së Ymer Jakës për t’i zgjeruar dukshëm marëdhëniet e bashkëpunimit edhe me republikat e krahinat e tjera të Federatës Jugosllave, ajo iu përgjegj me fjalët “Shkëmbimet e Shqipërisë bëhen me Kosovën, sepse problemet e arsimit, të kulturës, të arteve dhe të shkencës janë të përbashkëta dhe bëhen në kuadrin kombëtar”.
Mirëpo kjo, veprimi i bashkimit kombëtar, edhe pse hë për hë jo territorial, mund të interpretohej edhe si një deklaratë irredentiste, për shkëputje nga Federata, prandaj edhe dikush prej serbëve të pranishëm, i cili e kishte kuptuar thelbin e përgjigjes së ministres shqiptare, kërkoi që çfarë sapo qe thënë prej njeriut të Tiranës, të përkthehej edhe një gjuhën sllave të serbokroatishtes.
Ymer Jaka, patjetër për ta shmangur një tension të panevojshëm që në çastet e para të vizitës së delegacionit të lartë të ardhur prej Shqipërisë, ndërhyri prerë: “S’ka nevojë për përkthyes. Edhe ju ta mësoni gjuhën shqipe, ashtu siç kemi mësuar edhe ne serbokroatishten”.
Ankuesi nuk bëri zë.
Me Umer Jakën atë të hënë të 6 tetorit 1980 Tefta Cami hëngri drekën dhe tërë biseda e lirshme e jashtë protokollit u përqëndrua tek kombi, karakteristikat e shqiptarëve si edhe veçoritë e tyre të qëndresës nacionale.
Kështu nuk e vunë re si koha fluturoi. Ishin të dy si të rënë në një dehje. U ngritën menjëherë sapo e kuptuan se po dëmtonin rradhën e vizitave të tjera dhe pas vajtjes tek Monumenti i Kampit të Prishtinës, ku gjatë Luftës së Dytë Botërore qenë vrarë 104 shqiptarë, mes tyre edhe mësuesi Spiro Velko, komisar i çetës ku ishte komandant i ati i ministres, Ahmet Cami, shkuan tek Përmendorja e Dëshmorëve të Shquar. Pas kësaj kundruan mjediset e brendshme të një shtëpie karakteristike popullore, ku binte në sy i shtruar një qilim i madh me motive kombëtare.
Në vijim protokolli i qeverisë së Kosovës i çoi drejt Qendrës Kulturore të Rinisë “Boro e Ramiz”.

Simboli i ftohtë Boro e Ramiz

Tefta Cami kishte dëgjuar fare pak për historinë e dy jugosllavëve Boro e Ramiz, i pari serb dhe i dyti shqiptar nga Kosova. Vizita në Qendrën Kulturore me emrat e tyre qe ide e pëlqyer në Prishtinë, por diplomatikisht me interes edhe nga Tirana, veçanërisht në ato çaste delikate të pas titizmit, kur qendrueshmëria territoriale e Federatës Jugosllave ishte shumë e domosdoshme edhe për Shqipërinë.
Enver Hoxha ishte plot zemërim ndaj shovinizmit serb, por herë pas here bënte kujdes të mos e njëjtëzonte këtë palë agresive me tërë popullin serb. Platformës së tij të marrëdhënieve të qëndrueshme me Jugosllavinë nuk i duhej acarimi me republikën më të fortë të saj, po ashtu edhe popullin dhe etninë më të madhe tek fqinjët veriorë të gadishullit.
Sidoqoftë Tefta Cami kuptoi se tashmë ndodhej para një simboli të kursit titist të Vëllazërim-Bashkimit. Në 9 tetor, kur ndodhej në Prizren dhe po bëhej gati të shkonte drejt Gjakovës, për ta përcjellë drejtuesit lokalë të qytetit i dolën posaçërisht tek një monument i ngritur për Boro e Ramiz.
Ministrja shqiptare, e cila mund ta mbyllte ceremoninë me takimin e duarve të autoriteteve prizrenase, në shenjë nderimi për miqësinë mes popujve u ngjit nëpër shkallët e përmendores. Sipas asaj që do të shkruante në librin e vet pas më shumë se tre dekadash, “sipas mendimit tim ky bashkim-vëllazërim qëndron mbi akull. Nuk mund të harohen krimet që kanë bërë e bejnë shovinistët serbë ndaj shqiptarëve...”.
I dyti në rreshtim të atij simboli, Ramiz Sadiku, qe shqiptar nga Peja, student drejtësie, një prej organizatorëve të Luftës Nacionalçlirimtare të Kosovës. Pas disa arrestimesh, burgimesh po ashtu, ai u riarrestua në korrik 1942. U torturua, por nuk dha fashistëve italianë asnjë informatë. Në shtator këta e transferuan në burgun e Tiranës, por në sajë të një grupi komunistësh vendas të drejtuar prej Koçi Xoxes, Ramizi u arratis u rikthye në Kosovë.
Pak pas kësaj ngjarjeje, në prill 1943, ndërsa së bashku me serbin Boris Vukmiroviçin qe në Gjakovë, iu desh të takonin në Prizren Svetozar Vukmanoviç Tempon, eksponent i lartë i Partisë Komuniste Jugosllave dhe i Shtabit Suprem të Lëvizjes Nacional-Çlirimtare.
Boro e Ramiz në 7 prill 1943, ndërsa ndodheshin në udhë drejt Prizrenit, në afërsi të fshatit Landovicë, ranë në pritë. Luftuan të rrethuar, por u plagosën dhe kështu italianët i kapën, i burgosën dhe i torturuan egërsisht për t’u nxjerrë të dhëna të rëndësishme, por nuk ja dolën dot.
Kështu u vendos të vriteshin.
Në 10 prill 1943 i vunë para skuadrës së pushkatimit. Borisi dhe Ramizi qëndruan ngjitur me njeri-tjetrin.
I urdhëruan të ndaheshin, në një anë serbi dhe në tjetrin shqiptari, por ata nuk iu bindën këtij urdhri.
Këtë herë edhe u përqafuan.
Fashistët italianë i qëlluan dhe ata dhanë shpirt në krahët e njëri-tjetrit.

“Rralloji pak këto farë aktivitetesh me Shqipërinë!”

Në librin “Katër ditë vizitë në Kosovë” për praninë e saj në Qendrën Kultutore të Rinisë “Boro e Ramiz” ministrja Cami ka vetëm tetë rradhë. Sipas asaj që kumton, kanë dëgjuar fillimisht raportimet e drejtorit të përgjithshëm dhe të drejtorit të pallatit, pastaj kanë hyrë në dy-tri salla, të cilat pothuaj qenë pa njerëz. Më pas janë larguar drejt Galerisë së Arteve.
Autorit të këtyre radhëve, për të kuptuar më mirë lexuesi si qe atmosfera e pranisë së dërgatës nga Tirana në Qendrën Kulturore të Rinisë “Boro e Ramiz” i desh këto ditë, fundqershor 2016, të shkëmbejë mendim me drejtorin e pallatit, Nexhmedin Shehun.
Sipas tij, “në atë kohë kam pritur mjaft personalitete të arsimit, artit e shkencës së Shqipërisë, individë dhe ansamble dhe jam mundue t\'iu ofroj një ndjenjë të afërsisë dhe punës së përbashkët kah i njëjti qëllim! Por ardhja e Ministres ishte diçka e veçante sepse ishte vizita e parë e një zyrtari të Qeverisë së Shqipërisë e atij niveli. Meqënëse kjo kishte rëndësi të veçante sepse ishte shenjë e qartë e vazhdimit dhe thellimit të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë, edhe më me intensitet si në shpeshtësi ashtu edhe në përmbajtje, kjo edhe për mua ishte jo një takim zyrtar, por një takim ku dominonte emocioni. Kjo vërehej edhe te Sekretari Jaka, përndryshe profesor imi, gjë të cilën e përmendi gjatë bisedës dhe me që ishim të afërt, shumë lehtë kuptoheshim dhe sëbashku shprehëm respekt të dukshëm ndaj ministres. Unë ofrova të gjitha potencialet që kisha në shërbim të këtij bashkëpunimi, jo per kurtoazi por me sinqeritet, gjë të cilën e kisha bërë edhe më parë pa rezervë, por tani i trimëruar nga niveli në të cilin zhvillohej biseda dhe shtrihej rruga e bashkëpunimit”.
Vijon më pas drejtori Shehu: “Unë nga ana ime e informova Ministren për veprimtarinë dhe aktivitetet që zhvilloheshin në Pallat, informim të cilin Ministresha e mori me shumë aprovim e shprehje të përkrahjes... Aty unë hapa nevojën e ngarendjes së aktiviteteve në mes Pallatit të Kulturës të Tiranës dhe këtij këtu, për çka mora aprovim. Por deri te një kontakt i drejtëpërdrejtë mes dy Pallateve ose me ndonjë tjetër, nuk erdhi asnjëherë rasti. Nuk e di a ka patur pengesa nga ana e autoriteteve shqiptare apo nga ana e këtyre tonave, tërthorazi, nën presionin e kuadrove udhëheqëse sërbe në Prishtinë”.
Pastaj Nexhmedni Shehu zbulon faktin: “Me një rast, Asllan Fazliu, Kryetar i Komitetit Komunal të Lidhjes Komuniste të Prishtinës me tha decidivisht: rralloji pak këto farë aktivitetesh me këta të Shqipërisë se na kanë lodhë. Shume po teprohet!”

Më vete trotuari i serbëve dhe më vete ai i shqiptarëve

Pas vizitës në Galerinë e Arteve dërgata qeveritare e lartë nga Tirana shkoi në Teatrin e Prishtinës. Atje ndoqi një inskenim të veprave të Migjenit. Ishin katër aktorë që deklamonin të shoqëruar prej një pianoje. Njëri, i cili luante Migjenin, rrinte para një qiriri dhe recitonte fragmente nga poemat e tij. Emocionin që ministrja Cami mori prej asaj shfaqjeje, të përshkruar tashmë në librin e vet, qe se monologët e aktorëve shprehnin “plot dhimbje e revoltë dhe plot ankthe e dëshpërim të pafund, si edhe plot shpërthime dhe aludime të fuqishme për gjendjen aktuale në Kosovë\".
Pikërisht se ishte i tillë, mesazh kundër shtypjes dhe në protestë se “popullit shqiptar i kanë mohuar të drejtën më legjitime të bashkimit në një shtet dhe, më e pakta, për viset përtej kufirit të drejtën e bashkimit në një republikë”, Tefta Cami atë mbrëmje të 6 tetorit 1980 nuk harron të kujtojë se ku doli nga Teatri i Prishtinës e vunë në mes shumë studentë kosovarë. Tërë bulevardi para godinës, në pritje për ta parë dhe takuar, qe mbushur plot me të rinj e të reja. Disa prej tyre thërrisnin “Ju duam, ju duam!”
Një çast, ndërsa ata të protokollit ngulën këmbë që ministrja shqiptare të hipte në makinë dhe po ashtu kolegu i saj Ymer Jaka, që të dy pranuan të shëtisnin pak kohë me studentët. Tamam kur të gjithë i përfshiu gëzimi për këtë shëtitje të përbashkët, një prej studentëve iu lut Camit që të largoheshin nga ai trotuar dhe të shkonin tek tjetri, ai në krahun paralel.
Sapo u bë gati të pyeste përsenë, mori edhe shpjegimin. Ai, ku ndodheshin, qe trotuari i serbëve. Nuk mund të shëtitnin aty. Shqiptarët e kishin trotuarin e tyre përballë.
Kjo e papritur e la pa gojë Tefta Camin dhe në vete pothuaj thirri me dëshpërim: “Por për çfarë Bashkim-Vëllazërimi flitet këtu!”
Pak më pas Ymer Jaka do t’i thoshte: “A e shikoni si është gjendja në Kosovë!? Të rinjtë e të rejat janë shumë të agravuar ndaj trajtimit të shqiptarëve si popullsi e kategorisë së tretë dhe kërkojnë liri e barazi, kërkojnë patjetër demokratizimin e Kosovës dhe shpalljen e saj republikë me të drejta të barabarta me republikat e tjera dhe në këtë republikë të përfshihen të gjitha trevat shqiptare”.
Kur ministrja Cami pohoi se këtë ndjenjë proteste të rinisë studentore tashmë e kishte ndjerë, Jaka vijoi: “Nuk ka ditë dhe nuk ka institucione apo ndërmarrje në të gjithë Kosovën, që të mos kemi revolta e demonstrata, të cilat e nisin me kërkesa ekonomike dhe vazhdojnë me kërkesa politike”.

Pajazit Nushi: Shqipëria sulmohet vetëm po të kalojnë mbi trupat tona

Pasi të nesërmen, të martën, më 7 tetor, nga ora tetë deri në njëmbëdhjetë në një sallë të madhe me në krye portretin e Titos, që prej disa muajsh nuk jetonte më, u zhvilluan bisedimet zyrtare midis delegacionit nga Tirana dhe homologëve të vet në Prishtinë, më pas u krye vizita në Universitetin e Prishtinës, në vijim edhe një udhëtim drejt Mitrovicës.
E mërkura, 8 tetori, që në orën 8.45, nisi me takimn me Pajazit Nushin, nënkryeministrin e Kosovës. Kjo ishte edhe biseda më e mbushur me politikë.
Në paradhomën e nënkryeministrit të Kosovës Pajazit Nushi, edhe pse hyri Tefta Cami, sekretarja e tij nuk lëvizi nga vendi. Pak çaste më parë një funksionare tjetër e qeverisë së Prishtinës, të cilën ministrja shqiptare e kish pritur me mjaft ngrohtësi në Tiranë, tek u shkëmbye me të, mezi i mbajti këmbët. Bëri sikur nxitonte për një punë urgjente.
Cami e kuptonte se mes bashkëkombësve që i dëshironin atë vizitë si mundësi për të forcuar lidhjet mes dy pjesëve të ndara të kombit, kishte edhe prej atyre që pikërisht sepse kishte këtë mesazh nuk e pëlqenin atë vizitë. Të paktën ruheshin. UDB, me sa dukej, i mbante sytë ngulitur dhe për të nuk kishte ndryshuar asgjë nga platforma e vjetër e përgjimit të përhershëm të shqiptarëve.
Gjithsesi këtij mjedisi nënkryeministri Nushi ishte krejtësisht e anasjella. “Paraqitja e buzëqeshja e tij, shkruan Tefta Cami në librin e saj “Katër ditë vizitë në Kosovë”, shprehnin afërsi dhe një pritje të përzemërt”. Gjatë takimit tha se ai qe i ngarkuari më i lartë i qeverisë së Kosovës për marrëdhëniet me Shqipërinë. Pastaj parashtroi: “Po vë në dukje disa orientime. Marrëdhëniet të mos ngelen në këto nivele, por t’i zgjerojmë më tej. Nëse nuk mund t’i zgjerojmë, të bëjmë ç’është e mundur që të ruajmë këtë gjendje. Edhe njëherë po e theksoj se ne kemi orientim që ta zgjerojmë bashkëpunimin”.
Pasi bëri një pauzë të shkurtër, të cilin e mbushi me një buzëqeshje të çiltër dhe të gëzuar, Pajazit Nushi vijoi: “Ne jemi shumë të interesuar për marrëdhëniet me RPSSH, e cila është e lirë dhe e pavarur. Dhe ruajtjen e pavarësisë së Shqipërisë ne e konsiderojmë si kryesore. Këtu në Kosovë thuhet se vetëm kur të shkelin mbi trupat tanë, mund të sulmohet Shqipëria. Të gjitha aktivitetet tona duhet t’i nënshtrohen këtij principi dhe ai mbetet aktual”.
Nënkryeministri Nushi e përsëriti edhe njëherë tjetër se në të gjitha aktivitetet që ata planifikonin me Shqipërinë kishte përparësi objektivi suprem: ruajtja e pavarësisë së saj.
Në vazhdim të ideve të tij Pajazit Nushi tha se marrëdhëniet me Shqipërinë nuk mund të kufizoheshin vetëm me ato arsimor, kulturore apo sportive. Këmbënguli se duhej të qenë shumë të gjallëruara edhe në lëmin ekonomik.
Nënkryeministri Nushi e vështroi butë Tefta Camin dhe nën ballin e tij të gjerë sytë u dukën se edhe po e vëzhgonin. Ndoshta hetonte përshtypjen e fjalëve të tij tek ministrja e Tiranës.
“Na kërkojmë ndrydhje të rripit, domethënë, të shpenzimeve, por jo të shkurtohen marrëdhëniet me Shqipërinë, sepse i kemi me përparësi. Nuk mendojmë që të bëjmë reduktime në marrëdhëniet me Shqipërinë, por të vazhdojmë t’i zgjerojmë. Ne do të jemi subjekt kryesor në marrëdhëniet me RSPSSH dhe do të ngelemi si bartës kryesorë të këtyre marrëdhënieve me të gjitha republikat dhe krahinat e RFSJ”.
Tefta Cami tashmë e kuptoi më qartë përse Enver Hoxha dhe pas tij Ramiz Alia, e patën orientuar se nuk duhej gjatë vizitës zyrtare në Kosovë, të sipërmerrte gjeste marrëdhëniesh me pjesët e tjera të shumështetit jugosllav.
Këtë rol do ta luante vetë qeveria e Prishtinës. Shqipëria ruante të drejtën e diferencimit politik mes raporteve të saj me Kosovën dhe me Serbinë, ndërkohë të bashkatdhetarët në Jugosllavi, më të organizuarit dhe më të shumtit në të, kosovarët, fitonin autoritetin që të përcaktonin masën e marrëdhënieve me vetë Federatën.
“Ne nuk lejojmë që Kosova të përdoret si urë kalimi në Shqipëri”, përsëriti papritmas Pajazit Nushi edhe pse Tefta camit nuk iu duk se rrjedha e bisedës ato çaste kishte domodoshmëri për këtë rideklarim atdhedashurie.
Por me sa duket kishte nevojë për të vetë shpirti i ndezur kombëtar i Pajazit Nushit.
Kur në mbrëmjen e së enjtes, 9 tetorit 1980, ndërsa e nesërmja do të ishte dita e fundit e qëndrimit të delegacionit shqiptar, nënkryeministri Nushi shtroi një darkë. Dy detaje i kanë bërë përshtypje Tefta Camit: tryezat e bukës të mbushura në mes tyre me buqeta karafilash të kuq dhe rozë, po ashtu jashtë Grand Hotelit, ku u darkua, në roje të dërgatës shqiptare, përveç policisë, edhe disa të rinj vullnetarë.
Ishin që në ditën e parë që e bënin këtë punë.

Kryeministri i Kosovës, karafila dhe lutje për një vizitë të shpejtë në Beograd

Të premten, 10 tetor, dërgatën nga Shqipëria e priti kryeministri i Kosovës, Bahi Oruçi. Në tavolinën ovale, ne mes, sërish një pjatancë me karafila të kuq. Ju mundët të shihni këto ditë një rilindje të Kosovës që jeton në RSFJ”, tha kryeqeveritari. Kështu vuri që në fillim kufirin për çdo nëntekst se shkëmbimet mes dy vendeve bëheshin që nesër të dy pjesët e kombit të bashkoheshin. Ai qe i gëzuar që për herë të parë Kosova kishte hartuar një plan të saj 5-vjeçar, 1981-1985. Ka rritje, pohoi ai, në shkëmbimet tona: 57 milion dollarë për vitin 1978, 80 milion për 1979 dhe vitin që po e mbyllnin, 1980, pritej të kapej shifra entuziaste e 100 milionëve.
Oruçi përsëriste vazhdimisht formulën “mes dy vendeve”, ndoshta i sigurt se ashtu i shtynte larg ëndërrimit për t’u bashkuar një ditë. Sidoqoftë një moment shqiptoi: “Nuk e di për funksionarët e lartë, por masat popullore vlerësojnë se pavarësia e sovraniteti i Shqipërisë është pjesë e sovranitetit të Jugosllavisë dhe anasjelltas”.
Mesazhi sërish qe i kthjellët: stabiliteti i Jugosllavisë mund të prishej edhe me përpjekjen për shkëputjen e Kosovës.
Pastaj Bahri Oruçi papritur tha: “Do të dëshironim ta ngrinim nivelin e vizitës suaj dhe t’ju realizonim një pritje në shkallë federative në Beograd, qoftë edhe për gjysëm ore”.
Këtu kryeministri i Kosovës e ndërpreu fjalën e tij. Në të vërtetë e kishte mbyllur, por ndërkohë në fytyrë iu nder ndjenja e pritjes së përgjigjes për propozimin e fundit.
Tefta Cami e mori radhën për t’u shprehur duke nisur nga ato që kishte planifikuar më parë të fliste dhe që tani, pas katër ditëve vizitë, nga përsëritja i qenë bërë rutinë. Përgjigjen që tjetri lypte, ia dha në fund: “Përsa i përket marrëdhënieve me Jugosllavinë, ne u japim dhe do t’i japim përparësi marrëdhënieve me Kosovën dhe viset e tjera shqiptare në Jugosllavi, sepse dihet se jemi një komb dhe kemi të bëjmë me një traditë historiko-kulturore që duhet mbajtur gjallë në ndërgjegjen tonë kombëtare dhe zhvilluar vazhdimisht”.
Bahri Oruçi ia kishte ngulur vështrimin dhe nuk jepte shenjë se i kishte pëlqyer apo jo kjo përgjigje për propozimin e tij që të shkonin për një gjysmë ore në Beograd.
Cami vijoi e qetë, pothuaj me retorikë: “Ndërsa për sa i përket marrëdhënieve tona me RFSJ, qëndrimi i qeverisë shqiptare është parimor dhe i drejtë. Dhe ku qëndrim është shprehur qartë vazhdimisht. Besoj se ju jeni njohur edhe me artikullin e gazetës “Zëri i Popullit” i 19 janarit të këtj viti, në të cilin theksohet se në rast agresioni kundër Jugosllavisë, populli shqiptar do të luftojë përrah popujve të Jugosllavisë”.

Kthimi për në Shqipëri: ditë me shi dhe mall

Ajo e premte i largimit të Tefta Camit nga Kosova qe me mot të keq, re të zeza dhe shi. Kjo ia shtonte trishtimin e ndarjes ministres shqiptare. Gjatë drekës së fundit, të shtruar në Grand Hotel, ajo mori vesh se autoritetet e larta në Beograd gjatë tërë ditëve të pranisë së saj në Kosovë, i patën bërë presion Ymer Jakës që ta sillte kolegen e Tiranës në kryeqytetin e Federatës, por ai pati këmbëngulur për “jo”-në.
Në Tiranë Tefta Cami dhe delegacioni që e shoqëronte hyri në orën 01-30 të datës 11 tetor. Po atë ditë në orën 7.00 u paraqit në punë dhe në 11.00 shkoi në godinën e paratit të Komitetit Qendror të PPSH-së. I raportoi Ramiz Alisë.
Në 16 tetor, ditë përvjetor e lindjes së Enver Hoxhës, ndërsa shkuan ta uronin, mes bisedës nisi ta informojë atë për vizitën e saj të porsapërfunduar në Greqi ministra e Bujqësisë, Themie Thomai.
Por Hozha ndërhyri menjëherë: “Në fillim do të dëgjojmë Teftën për vizitën e bërë te vëllezërit. Pastaj do të dëgjojmë Themien për vizitën e bërë te miqtë”.

Ylli Polovina

Tiranë, më 2 korrik 2016




Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com