|
SERBET PENGOJNË, POR TITO JEP “OK” PËR VIZITËN E TEFTA CAMIT NË KOSOVË
UDB kthen mbrapsht librat e Enver Hoxhës
Pjesa e katërt e ciklit “E fshehta e vitit 1981”
Shkrimi i tretë
(Botuar në gazetën “Shqiptarja.com” në 8 korrik 2016)
Enver Hoxha tërë vitin 1980 e mbajti vështrimin nga Jugosllavia, por nuk e dha veten se e kishte këtë një epërsi, në mos edhe ankth. Në raportet ndërkombëtare ai qe mjaft gjakftohtë dhe, përputhur me ideologjinë e tij, mjaft racional. Hoxha e njihte gjer në detajet më të imta rregullin e themeltë se gjithëpushtetin dhe jeten e tij mund ta ruante më mirë me maturinë në marrëdhëniet shtetërore ndërkombëtare se sa me një trupëroje të tij me njëmijë vetë.
Ai i qendroi besnik një platforme të tij të hartuar në janar 1978 dhe tezat e të cilës zunë vend në një editorial programatik në gazetën “Zëri i Popullit”.
Kjo skemë e Enver Hoxhës për të përballuar, nëpërmjet marrëdhënieve të diferencuara dhe elastike me fqinjët, gjendjen e sigurisë së afërt, për Shqipërinë formulohej kështu: “Ne duhet të përpiqemi të qëndrojmë në një politikë miqësore brenda parimeve me Greqinë, të vazhdojmë të kemi marrëdhënie tregtare me Italinë dhe të jemi vigjilentë për ngjarjet që do të zhvillohen në Jugosllavi, bile të përpiqemi çdo ditë të azhurnohemi me gjendjen atje dhe të parashikojmë ç\'mund të ngjasë në këtë vend fqinj”.
Në Tiranë nuk dëshironin të krijoheshin rrethana, prej të cilave bashkësia ndërkombëtare, qeveritë e shteteve të mëdhenj, por edhe media e tërë kontinenteve, të gjente ndonjë arsye apo shkak për ta akuzuar Shqipërinë si provokuese dhe prishëse të stabilitetit delikat të pas Titos në Republikën Federative të Jugosllavisë.
Enver Hoxha bënte çmos që të mos i bëhej kjo akuzë dhe po ashtu të mos i mbetej në asnjë mënyrë mbi trup kjo njollë. Personalisht do ta akuzonin si ziliqar për suksesin e madh ndërkombëtar të rivalit. Po ashtu vendi i tij për dhjetra arsye lypte qendrueshmëri të vendit fqinj, kjo nevojë edhe për një arsye shumë të përfillshme: Tirana mbi 50 për qind të shkëmbimeve tregtare e bënte me Beogradin.
Për ekonominë e vendit, pas prishjes me Kinën dhe mossuksesin e lidhjeve aktive me shtetet e fuqishme europerëndimore si Gjermania dhe Franca, rënimi i kanalit të furnizimit nga Jugosllavia do të qe më tepër se vetëvrasje.
Madje Enver Hoxhës i lypej të bënte të anasjellën e asaj që mund të shkonin ndërmend kundërshtarët e tij politikë të së djathtës të emigruar jashtë: të luftonte ata që brenda partisë apo shtetit të tij, patjetër edhe prej atyre të strehuar nëpër vende të tjera, kishin për qëllim prishjen e sforcuar të marrëdhënieve të qëndrueshme Tiranë-Beograd.
Tito dhe pas Tito për të duhej të qe e njëjta gjë. Saktësisht ashtu siç edhe mendohej në Beograd prej udhëheqjes kolektive, Presidencës dhe Kryesisë së Lidhjes Komuniste. Edhe për këta koha pa Titon duhej të rridhte njëlloj si ajo kur e kishin atë të gjallë në krye.
Diplomatët shqiptarë vëzhgojnë fshehtas kufirin e Hungarisë me Jugosllavinë
Rrjeti i diplomatëve që Enver Hoxha kishte jashtë, si edhe ai i zbulimit politik, ndiqnin me shumë vëmendje çfarë projektonin angloamerikanët dhe sovjetikët për Jugosllavinë dhe rezultonte që në Uashington qenë këmbëngulës për të mbështetur dhe mbrojtur statukuonë e pas Titos. I njëjti opinion vinte edhe prej Moskës politike apo nga grupi ushtarak i Traktatit të Varshavës.
Por në vjeshtë të vitit 1980, tre-katër muaj pasi Tito qe varrosur në folezën e tij të Shtëpisë së Luleve, prej zbulimit politik shqiptar Enver Hoxhës i erdhi e dhëna se sovjetikët po punonin fshehurisht për ta sulmuar Jugosllavinë. Drejtimi i goditjes, sipas lajmit të përhapur, do të vinte kryesisht nga Hungaria.
Kështu në Budapest shefit të misionit shqiptar, dyzetvjeçarit Jani Polena si edhe ndihmësit të tij, më të riut në moshë, Eqerem Gaxhollit, specialist i sigurisë shtetërore, iu dha nga Tirana detyra të verifikonin fjalënajën e përhapur në Perëndim.
Këta të dy udhëtuan me qetësi dhe nge tërë jugun kufitar të Hungarisë me Jugosllavinë, ku edhe ndodheshin njësitë e caktuara sovjetike për t’u bazuar dhe stërvitur, por në asnjë rast nuk diktuan shtim apo grumbullime të këtyre forcave ushtarake, as lëvizje të tyre.
Gjithçka qe si më parë, kur Josip Broz ishte gjallë.
Kur kjo e dhënë, si edhe të tjera, u përpunuan në Tiranë, përcollën tek Enver Hoxha konkluzionin se përhapja e lajmit për një sulm të Bashkimit Sovjetik dhe të Traktatit të Varshavës kundër Republikës Federative të Jugosllavisë qe thjesht një diversion anglo-amerikan.
Me pak fjalë: vinte nga NATO.
Hoxha e kuptonte se gjallërimi i atij diversioni nxitej edhe prej një rrethane tjetër: në fundgusht në Poloni, në qytet-portin Gdans, kishte shpërthyer një lëvizje sindikaliste antikomuniste me emrin “Solidarnost”. Pas saj mendohej se qëndronin Vatikani dhe kisha katolike vendase, Franca dhe po ashtu Gjermania.
Enver Hoxha mendonte se “amerikanët edhe mund edhe nuk mund të kenë gisht aty”.
Që Hoxha besonte se ato çaste ndaj Shqipërisë nuk kishte posaçërisht ndonjë kërcënim territorial, ca më tepër ishte i qetë për kufirin me jugosllavët, e dëshmon ditari i tij, ku hidhte rregullisht shqetësimet e veta më kryesore.
Nga 23 maji 1980 deri në 1 prill 1981, pra për dhjetë muaj, posaçërisht për këtë temë nuk ka asnjë rresht.
Ishte mendjembledhur nga kjo anë Enver Hoxha dhe këtë mund ta dëshmojmë edhe me dy ngjarje të veçanta. E para do të rrëfejë për vizitën e Tefta Camit, ministre e Arsimit dhe e Kulturës në Kosovë, e ndodhur në periudhën 6-10 tetor 1980.
Si edhe informacioni që në 1 dhjetor të po këtij viti i dërgoi Hoxhës ambasadori shqiptar në Beograd, Sokrat Plaka.
Tefta Camit i jepet mision
Në Tiranë qe përcaktuar cila do të ishte edhe ministria, e cila do ta depërtonte në Kosovë në mënyrë të butë kursin e ri të Partisë së Punës dhe të Enver Hoxhës për të parapërgatitur bashkimin territorial të nesërm, atë që e konsideronin si të mundshëm vetëm “në momentin e duhur”.
Kjo do të ishte Ministria e Arsimit dhe e Kulturës.
Në krye të saj qe dibrania Tefta Cami.
Ndërsa me Kadri Hazbiun për të kryer veprimet e fshehta nuk kishte shqetësim asnjë çështje të aftësisë profesionale, me kryeministrin Mehmet Shehu po ashtu përputhej në gjithçka që lidhej me detyrat e Ministrisë së Mbrojtjes apo mbajtjen e ritmit intensiv të shkëmbimit të dyanshëm të mallrave me Jugosllavinë, me gruan në krye të arsim-kulturës një merak Hoxha nuk e mbulonte dot. Në atë post Tefta Camin e pati caktuar vetë, madje kur edhe disa të tjerë, mes tyre edhe Haxhi Lleshi, Presidenti i Republikës Popullore, kishin tentuar ta sulmonin për paaftësi deri edhe në mbledhje të Byrosë Politike.
Por e tërë kjo Enver Hoxhën e kishte shtyrë të bënte të kundërtën: të ngulte edhe më shumë këmbë që të mos e lejonte ta zhysnin. Ai pati vënë re se dibrania që kur punonte në Peshkopi, e kishte mjaft të shprehur ndjenjën e shërbimit ndaj partisë dhe atij vetë, po ashtu qe temperament i përkushtuar për çdo gjë shqiptare. Ajo ishte bijë e një atdhetari të njohur të viteve tridhjetë si edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, Ahmet Camit.
E reja e Camëve, pa qenë kokëkrisur, ishte natyrë e guximshme. Haxhi Lleshi, i cili herë pas here e tutëlonte krahinën e Dibrës, duke e trajtuar veten si të vetmin përfaqësues në Tiranë të saj, Teftën e kishte sulmuar sa herë që i ishte dhënë rasti. Shpesh pa ndonjë arsye, çfarë për jo pak bashkëkrahinas krijoi përshtypjen se nacionalisti dhe partizani i njohur dhe i përkushtuar për antifashizmin e tij, këtë sherr e kryente pothuaj për një instinkt pushteti: ta hiqte qafe sa më shpejt një rivale të këtij monopoli përkujdesjeje që ai, në thelb sinqerisht, e kishte për vendlindjen e vet.
Si t’ja bëjmë për librat e Enver Hoxhës?
Rasti për ta vënë në lëvizje Tefta Camin në misionin e saj të butë të depërtimit për çështjen e Kosovës, Enver Hoxhës i erdhi një ditë nga vetë dëshira e kësaj të fundit për t‘u takuar me të. Ajo e kishte një detyrim protokollar: pati ardhur tri herë në Tiranë kolegu i saj në qeverinë e Kosovës, Sekretari i Arsimit, i Shkencës dhe i Kulturës i Krahinës Socialiste Autonome, dr. Ymer Jaka.
Kjo vizitë i duhej kthyer patjetër, në rastin më të parë të mundur.
Tefta Cami me atë vizitë do që qe njëkohësisht përfaqësuesi më i lartë i qeverisë së Tiranës, që pas prishjes së marrëdhënieve mes dy vendeve, ndodhur në 1948, do të kalonte kufirin për të hyrë në Jugosllavi.
Vizitën e parë në Shqipëri Ymer Jaka e pati kryer në 1972, të dytën në 7 maj 1979 dhe të tretën brenda po këtij viti, në 25 dhjetor. Kishte qenë vetë Tefta Cami, e cila e pati ftuar të vinte në Shqipëri. Kjo kishte ngjarë që në janar 1979.
Gjatë vizitës së 25 dhjetorit, siç edhe vetë Tefta Cami e ka pohuar në librin e saj “Katër ditë vizitë në Kosovë”, Tiranë 2012, Ymer Jaka “kishte një intuitë e mprehtësi marramendëse”.
Kur e kryen në Tiranë takimin e punës, në paraditen e 26 dhjetorit, dhe ai zgjati plot tre orë, në krahë të ministrit të Kosovës ndodhej edhe ambasadori jugosllav Branko Komatina. Për ministren Cami ai “ishte një diplomat karriere korrekt dhe me kulturë” apo “mjaft i matur dhe i ekuilibruar dhe me të isha takuar disa herë dhe më kishte bërë përshtypje për gjakftohtësi e fjalëpakë”.
Në fund të takimit zyrtar dr. Jaka i tha ministres Cami: “Shpreh kënaqësinë nga ana ime, që t’ju ftoj këtu të vizitoni KSA e Kosovës e më gjërë, kur ta shikoni të arsyeshme, sepse vizita juaj do të rrisë nivelin e marrëdhënieve të bashkëpunimit tonë”.
Ymer Jaka u kthye në Prishtinë, por tashmë ministren shqiptare nuk e zinte vendi. I duhej të këshillohej me Enver Hoxhën dhe të kuptonte nëse ai ishte i mendimit që dinamika e ngjarjeve e donte patjetër vizitën e saj zyrtare në Kosovë.
Por donte njëkohësisht që edhe ta dinte si i duhej të vepronte në një rast që i paraqitej i ndërlikuar për ta zgjidhur me një “po” apo “jo: shpërndarjen në Kosovë të librave të vetë Enver Hoxhës.
Në pasditen e 26 dhjetorit 1979, pas një vizite në selinë e Akademisë së Shkencave, në orën 20.00 Tefta Cami kishte shtruar në Hotel “Dajti” një darkë për Ymer Jakën dhe tërë delegacionin që e shoqëronte. Në një çast çlirësie ministrja e pyeti “se si dhe pse janë kthyer pakot me libra që janë dërguar nga institucionet e Shqipërisë sipas porosive të marrëveshjeve që kanë bërë institucionet tuaja të larta arsimore, shkencore, si edhe për disa personalitete të Kosovës”.
Në librin e saj Tefta Cami më tej shkruan: “Dr. Ymeri menjëherë mori një pamje serioze e të vrenjtur dhe më tha: Mirë bëre që më pyete si një problem që na ka dalë midis nesh. Që të jem i sinqertë, mund t’ju them se këto pako me libra nuk i kanë marrë institucionet përkatëse të Kosovës, si edhe personalitetet shkencore që i kanë porositur. Ato pako janë kthyer e po kthehen sapo vijnë në postë, sepse, besoj më kupton shumë mirë, atje bëhet një kontroll shumë i rreptë nga...e kupton vetë...Dhe nga ky kontroll në disa pako janë gjetur vepra të Enver Hoxhës si “Imperializmi dhe Revolucioni”, “Vetadministrimi Jugosllav-teori e praktikë kapitaliste”, me të cilat atakohet kryesisht LKJ në tërësi dhe Mareshalli Tito. Për ne në Kosovë, duke u nisur nga kushtet që kemi, janë të papranueshme dhe janë quajtur provokative”.
Në përgjigje Tefta Cami i përcolli Ymer Jakës këtë mendim: “Nuk e besoj as unë që nga këto institucione të jenë dërguar edhe vepra të Enver Hoxhës” dhe shpjegoi se, në të kundërt të orientimeve të jepte qeveria, dikush vërtetë mund të ketë futur dy apo tre libra të Enver Hoxhës, por ky qe shfrytëzuar si pretekst për të ndaluar të gjitha pakot e librave. Premtoi që ta ndiqte këtë problem dhe iu lut edhe kolegut Jaka që të bënte po njëlloj kur të rikthehej në Kosovë.
Ndërkohë e vërteta qe disi ndryshe nga sa ngulte këmbë ministrja shqiptare e Arsimit dhe e Kulturës. Në një “Relacion mbi literaturën që bibliotekat tona u dërgojnë bibliotekave të Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi”, të hartuar në 20 nëntor 1979, thuhej se “Biblioteka Kombëtare u dërgon literaturë shkencore, artistike dhe politike, duke përfshirë këtu edhe veprat e shokut Enver Hoxha, 18 bibliotekave të Kosovës, 4 të Maqedonisë dhe 2 të Malit të Zi”.
Ymer Jaka në Tiranë: të punojmë për bashkimin
Në librin e vet Tefta Cami shkruan se gjatë bisedës së darkës dr. Ymer Jakës i kishte thënë se Shqipëria po vuante pasojat e “vendimeve famëkëqija të Fuqive të Mëdha Evropiane”, duke e ndarë atë në gjashtë shtete. Pastaj formuloi: “Dhe kombi shqiptar po vuan pasojat e këtyre vendimeve dhe po përpiqet që ta rimarrë e rilindë përsëri dhe të bëhet një e i pandarë”.
Ymer Jaka iu përgjigj: “Besoj se do t’ja arrijmë asaj dite, që të mos kemi kufij, por na duhet të punojmë gradualisht, sepse te ne në Kosovë për çdo hap e iniciativë që ndërmarrim në drejtim të marrëdhënieve me Shqipërinë ndiqemi e vëzhgohemi, madje edhe pengohemi”.
Më tej dr. Jaka pohoi një fakt: “Po jua tregoj në konfidencë se si vepruam me ftesën që më dërguat ju për të vizituar Shqipërinë si sekretar i Arsimit, Shkencës e Kulturës të KSA të Kosovës. Sapo morëm telegramin tuaj, ia nisëm Titos dorazi dhe ai, kur e ka lexuar, është shprehur: “T’i jepet përgjigje pozitive ftesës së bërë nga ministrja e Shqipërisë dhe sekretari i Arsimit, Shkencës dhe i Kulturës të KSA të Kosovës ta bëjë vizitën në Shqipëri në një kohë sa më të volitshme. Tani erdhi koha që të komunikojnë shqiptarët”.
Dhe Ymer Jaka në vijim i pati shtuar edhe këto fjalë Tefta Camit: “Mareshalli e shikonte problemin, me siguri, nga ana politike dhe jo se ishte pro shqiptarëve. Vepruam kështu se dyshonim që, po qe se do ta çonim në organet qëndrore të republikës së Serbisë, do t’na pengonte krahu ekstremist serb”.
(Vijon)
Ylli Polovina
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|