|
FUNERALI I TITOS NJË THES ME RËRË?
Enver Hoxha: “Ah, sikur Tito të jetonte edhe dy vjet!”
Pjesa e katërt e ciklit “E fshehta e vitit 1981”
Shkrimi i parë
(Botuar në gazetën “Shqiptarja.com” në 6 korrik 2016)
Siç edhe e vumë në dukje në pjesën e tretë të ciklit “E fshehta e vitit 1981”, të botuar në “Shqiptarja.com” në pesë ditët e 17-21 marsit të këtij viti, agjensia shtetërore e lajmeve të Jugosllavisë, TANJUG, në mëngjezin e 4 janarit 1980 njoftoi se Josip Broz Tito qe shtruar në Klinikën e Kirurgjisë Kardiovaskulare në Qendrën Klinike në Ljubjanë.
Tito ishte shtruar në këtë klinikë një ditë më përpara.
Në 6 janar u bë e ditur, pas përfundimit të testeve të nevojshme, që Josip Broz e pati lënë klinikën. Mendimi i tetë mjekëve qe përbënin bordin e kurimit të tij, ishte se pacientit i duhej një trajtim i mëtejshëm intensiv.
Një ditë më pas, në 7 janar, TANJUG njoftoi se “Një ekip mjekësor ka kryer sot një konsultim...me Profesor Dr Michael Debejkijem- SHBA dhe Prof. Dr. Marat Knjazejevim – BRSS...”.
Në 12 Janar u bë publik lajmi se “Gjendja e sëmundjes së Presidentit të Republikës Josip Broz Titos nuk është përmirësuar, pavarësisht ndërmarrjes së masave intensive të trajtimit. Në një situatë të tillë Konsiliumi pas shqyrtimit mjekësor ka propozuar për të ndërmarrë, sa më shpejt të jetë e mundur, operacionin në enët e gjakut të këmbës së majtë”.
Pas operimit, në orët e vona të 13 janarit, u përhap fjalënaja se mjekët e klinikës speciale të Ljubjanës qenë të mendimit se ndërhyrja kirurgjikale ishte mjaft e vonë. Tashmë ajo plagë qe kthyer në kangrenë. Një fije fare e imtë shprese qe prerja sa më e shpejt e tërë këmbës së majtë.
Këto çaste apo ndoshta disa ditë më vonë, në librin e saj “Kosova e lirë” Nexhmije Hoxha i përshkruan kështu: “Erdhi një kohë që edhe udhëheqja shqiptare e Kosovës filloi të dërgojë mesazhe në Tiranë: “T’i përmirësojmë marrëdhëniet tash që është gjallë Titoja, se pas vdekjes së tij nuk dihet ç’bëhet”. Kjo mund të na lërë të kuptojmë, -shënon në ditar Enveri, - se pas Titos “ne kosovarët asnjë besim nuk mund të kemi te serbët”. Dhe kishin të drejtë.
Në fakt, edhe Enveri mendonte kështu. Pavarësisht se ai, gjatë gjithë jetës së tij, demaskoi veprimtarinë antishqiptare të Titos dhe të atyre që kishte përreth, në drejtim të Shqipërisë, Kosovës e gjithë shqiptarëve që jetonin në trojet e tyre në Jugosllavi, kur J. B. Tito në 1980 ishte shtruar në spitalin e Lubjanës dhe TV italian po transmetonte komunikatat shëndetësore, Enveri tha i menduar: “Sikur të rronte edhe nja dy vjet...” Unë nuk e ndërpreva në refleksionin që bëri, por ai parashikonte, pas vdekjes së Titos, shpërbërjen e Jugosllavisë”.
Arkivol nën shi
Tito ndërroi jetë të dielën, në 4 maj, në orën pesëmbëdhjetë. Tre ditë më pas do të mbushte 88 mote-
Opinioni publik jugosllav, edhe pse deri atë çast për të 122 ditët, sa zgjati trajtimi i sëmundjes, gjendja e tij shëndetësore bëhej e ditur për çdo mbrëmje në lajmet qendrore të televizionit dhe të radios shtetërore të Beogradit, u trondit shumë. Josip Broz qe pika e baraspeshimit të atij shumështeti me bashkëjetesë të vështirë etnish. Tani mund të ndodhte gjithçka, ena të thyhej bashkë me fatet e tyre.
Ndërkohë në Lubjanë, nëpër natën e katër majit, trupi i të ndjerit u shvendos nga klinika për në godinën e parlamentit slloven. Në hyrje të tij, me këtë rast të përzishëm, qenë shtrirë dy rrugica të gjata me kadife të kuqe.
Pa ardhur ende arkivoli me trupin e pajetë të Mareshallit, ndërsa nata midis katër dhe pesë majit qe ende errësirë e thellë, në Sheshin e Revolucionit, para parlamentit, u grumbullua një turmë shumë e madhe njerëzish. Nuk i pengoi ata as edhe një shi i hollë, por depërtues, që nisi të binte me këmbëngulje.
Kështu 5 maji 1980 gdhiu tërësisht gri. Nëpër qiell retë vraponin si të çoroditura dhe gjithkund ndihej afrimi i shpejtë i një stuhie.
Qe ora 7.45 kur gjashtë oficerë të lartë të Gardës Presidenciale dhe dy roje ceremonialë e ngritën arkivolin dhe e vendosën me fytyrë nga sheshi, tashmë i mbushur tej për tej dhe shumë shpejt do të kapte shifrën e dyqind mijë vetëve.
Pranë trupit të Josip Broz Titos nisi të binte me ritëm një tambur dhe bashkë me të edhe kambanat e të gjitha kishave të Lubjanës.
Filluan të klithnin, kur ato pushuan, edhe sirenat e të gjitha fabrikave.
Ata tetë që e lëvizën për pak çaste arkivolin e Titos patën ndjerë, secili brenda vetvetes, se kishin mbajtur në duar një peshë të lehtë, të përgjysmuar. Qe rëndesë aspak e atij personi që mbanin mend të ishte plot shëndet, madje edhe me mbipeshë e bark.
Pas ditëve të sëmundjes së tij të rëndë Josip Broz qe bërë 35 kilogram.
Ndërkohë shiu vazhdonte të binte, duke lagur çatitë e kuqe të shtëpive të Lubjanës si edhe t’i bënte të shkëlqenin mugët kupolat e kishave.
Mbi arkivol u vendosën tre dekoratat e Titos si Hero Kombëtar. Po ashtu u ekzekutua nga banda himni i Jugosllavisë. Pas kësaj foli kryetari i bashkisë së qytetit, Marjan Rozhiç. Pas siluetës së tij ndodheshin dy bijtë e Titos, Misha me të shoqen dhe Zharko me vajzën e vet të madhe. Nuk dukej asnjë familjar tjetër. Njerëzit prisnin të shihnin aty edhe Jovankën, gruan e fundit, të pestën e Josip Brozit, por ajo, e nëpërfolur se qe divorcuar pa zhurrmë prej të shoqit, do të shfaqej vetëm në funeralin e Beogradit.
Historia e grave të Titos qe e mbushur me plot fjalënaja misteresh dhe diversionesh të bëra ndaj tij prej Ljubjankës, ndërtesës së shërbimit të fshehtë sovjetik, KGB-së, në Moskë. Mes tyre pati qenë një komuniste ruse, pastaj një çifute sllovene, një e tretë qe shfaqur dhe zhdukur menjëherë. Në kujtesën e të njohurve të Josip Broz, por edhe të këtij vetë, kishte mbetur e gjallë vetëm malli për Dvojanka Paunoviç, u quajtura Zhdenka, partizane. Me të pati kaluar në mal ditët e vështira të luftës, përfshi edhe gjendjen e rëndë të rrethimit të egër nga gjermanët në pranverë 1944, ku për fare pak shpëtoi nga kapja rob apo vdekja.
“Treni i kaltër”, pastaj Kuça Cveça (“Shtëpia e Luleve”)
Pas cermonisë së përzishme në Lubjanë trupi i Titos, i hipur në “Trenin e kaltër”, me të cilin presidenti jugosllav sa ishte gjallë pati udhëtuar nëpër Jugosllavi, u nis për të kaluar në disa prej vendeve që përbënin biografinë publike të të ndjerit. Para se të hynte në Beograd kjo ishte një rrugë gjashtëqind kilometra e gjatë.
Në Zagreb “Treni i Kaltër” bashkë me arkivolin e Mareshallit qëndroi vetëm një orë. Në kryeqytet arriti në stacionin hekurudhor të mërkurën, më 7 maj, në orën pesë të pasdites.
Shiu i atyre ditëve këtë çast u bë edhe më i rëndë, pothuaj rebesh. Një trupë ushtarake e shoqëroi arkivolin pa iu tutur shiut, ndërkohë që Beogradi, për ta pritur Josip Broz Titon kishte grumbulluar pothuaj një milion vetë.
Këtu, pasi përshkroi sërish disa prej pikave ku Mareshalli pati bërë histori që nga qendresa kundër Stalinit, tek njohja zyrtare bërë prej presidentit amerikan Riçard Nikson, më tej ngritja e lëvizjes globale të Vendeve të Paangazhuara, arkivoli me ngjyrë të hapët arre u mbështet më në fund në një shtrat të ngritur nën kupolën e parlamentit federal të Jugosllavisë.
Këtu e parakaluan vendasit dhe të huajt, përfshi edhe delegacionet zyrtare të ardhura posaçërisht. Kjo zgjati pothuaj tre ditë. Pjesëmarrësit në këtë ceremoni nderimi qenë një milion e gjysmë jugosllavë, po ashtu edhe pothuaj dyqind dërgata të huaja.
Funerali nisi në 8 maj në orën 11.00, para Skupshtinës, parlamentit federal. Pesëdhjetë televizione nga bota e transmentonin ngjarjen drejtpërsëdrejti. Ishte më i madhi deri atëherë në tërë historinë e botës. Qenë të pranishëm prej 128 vendeve të Lindjes dhe të Perëndimit katër mbretër, 31 presidentë, gjashtë princër, 22 kryeministra dhe 47 ministra të jashtëm.
Kurorat e para pranë arkivolit të Titos qenë ato të dy djemve të tij, Zharkos dhe Mishës. Ishte edhe Jovanka, bashkëshortja e fundit.
Arkivolin me Mareshallin e mbanin në krahë me radhë dhjetë gjeneralë dhe dhjetë punëtorë. Pas tyre vinin tetë antarët e Presidencës kolektive Para kortezhit qenë shpalosur 365 flamujt e brigadave partizane të kohës së luftës, mes të cilave 341 patën qenë jugosllave, 21 italiane, një ruse, një franceze dhe një bullgare.
Flamujve u vinin nga pas 330 heronj kombëtarë të luftës antifashiste që ende kishin mbetur gjallë.
Ndërkohë që kortezhi kalonte nëpër rrugën kryesore prej një tribune të posaçme të ngritur në anë të saj nderuan për homazh 150 prej burrave më kryesorë të shtetit në botë. Mungonin vetëm presidenti amerikan Xhimi Karter, i cili qe përpjekur të shmangte në atë funeral takimin me numrin një të sovjetikëve, Leonid Brezhnjevin.
Fidel Kastro nuk qe sepse kishte nisur me kohë kursin e largimit nga idologjia, por edhe platforma titiste e veprimit në marrëdhëniet ndërkombëtare. Për ta maskuar refuzimin e tij Kastro ato ditë kishte thirrur në Havanë një mbledhje të të Pangazhuarve “në mbrojtje të Iranit”.
Mospraninë e presidentit francez Zhiskar D’Esten gazetarët e huaj e shpjeguan si karaktestikë e tij për të mos marrë pjesë në ngjarje ku nuk qe vetëm ai në qendër.
Presidenti egjiptian Anvar Sadat i ishte shmangur kësaj pranie për të mos u interpretuar ajo, prej disa vendeve arabe që nuk e patën pëlqyer Lëvizjen e Mosangazhimit, si sfidë kokëforte ndaj tyre.
Grupi i madh i funeralit, pasi kaloi nëpër rrugët kyesore të Beogradit dhe sipër mbi kokat e tyre fluturoi një skuadrilje avionësh ushtarakë të prodhimit jugosllav, sovjetik dhe amerikan, pas katër kilometrash lëvizjeje ceremonie të përzishme të kryera në dy orë e gjysmë, mbërritën tek Kuça Cveça (“Shtëpia e Luleve”) në kopshtin privat të Titos, ku edhe do të bëhej varrimi.
Vendi i zgjedhur kishte qenë dëshira e vetë atij.
Janë të gjithë udhëheqësit komunistë, përveç Fidel Kastros
Leonid Brezhnjevi, i cili kishte pasur raporte të mira personale me Titon, gjatë tërë ceremonive publike kishte patur pas tij dy mjekët personalë, që të dy me valixhet gati. Për shkak të sëmundjes leuçemike qe kryetari i shtetit me më pak takime. Madje nëpërmjet shtypit u bë e ditur se ishte edhe i vetmi që në ato ditë pranie në Beograd banoi jashtë tij, tridhjetë kilometra larg, në një vilë në rezervën e gjuetisë Dobanoviç. Nga që lodhej shumë shpejt delegacioni sovjetik kërkoi që Brezhnjevi të mund të ishte i pari për ta vizituar varrin dhe po ashtu i pari që ta linte funeralin. Kështu edhe ndodhi. Presidenti i BRSS që nga ceremonia shkoi menjëherë në aeroport.
Kishte qenë histori e ngatërruar ajo e pjesëmarrjes së Leonid Brezhnjevit në Beograd, ndërsa ajo e Hua Kuo Fenit, zëvendësit të Mao Ce Dunit, ishte e kundërta. Udhëheqësi kinez pati qenë i pari prej tërë përfaqësuesve të lartë të shteteve të botës i kishte hipur avionit dhe ulur në aeroportin jugosllav, duke e lënë të qartë mesazhin e tij për t’u deklaruar i pari në miqësinë me vendin e rëndësishëm ballkanas, ca më tepër që në atë gadishull i kishin këputur tej për tej fijet e lidhjes me Shqipërinë.
Kur Hua Kuo Feni ndodhej në Beograd, në Moskë vazhdonte të qarkullonte vendimi i mëparshëm i Byrosë Politike të Partisë Komuniste se për shkak të pamundësisë fizike dhe udhëtimit të gjatë Brezhnjevi nuk do të merrte pjesë në funeralin e Josip Broz Titos. Në vend të tij do të ndodhej një shumë i besuar, Andrej Kirilenko.
Ndërkohë ditën e vdekjes së Mareshallit një vargan i madh me makina qeveritare “Zill”, të gjitha të zeza, të shoqëruara prej trupave policore, kishin shkuar para ambasadës jugosllave në Moskë dhe qe vetë Leonid Brezhnjevi i pari që hyri në sallonin e saj, mbajti një minutë heshtje dhe hodhi firmën në fletoren e shënimeve ngushëlluese. Pas tij ish e kryeministri Aleksandër Kosigin. Në vijim të tyre gjithë të tjerët. Po ashtu tërë ditën në televizionin dhe radion shtetërore të Bashkimit Sovjetik, me ton posaçërisht të përzishëm, përsëritej njoftimi i vdekjes së Josip Broz Titos.
Njoftimi zyrtar për mopraninë e Leonid Brezhnjevit në Beograd kishte shkaktuar si pasojë të parë një mungesë tjetër: atë të numrit një të shtetit bullgar, Teodor Zhivkovit, përunjës i njohur i sovjetikëve. Ky njoftoi menjëherë se në Beograd do të ndodhej në ceremoninë e përzishme kryeministri i tij.
Duke e ditur se në muajt e fundit të jetës së Titos pati ngjarë një ftohje e re mes Jugosllavisë dhe Bashkimit Sovjetik, pas Zhivkovit e kishin bërë të ditur mospraninë e tyre në ceremoninë e përzishme të Beogradit edhe shefat e vendeve të tjera të kampit socialist: gjermanolindori Honecker, polaku Gierek, çekosllovaku Husak. Rumuni Çaushesku nuk do të mungonte. Janosh Kadari i hungarezëve bëri të ditur se pati vendosur të ndodhej në Beograd, qe apo jo Brezhnjevi aty.
Vendimi tjetër, ai i pranisë së presidentit sovjetik, u mor papritur çastet e fundit, sapo në Moskë u siguruan se Xhimi Karter nuk do të ndodhej në kryeqytetin jugosllav. Kështu e përmbysën menjëherë vendimin e tyre të mëparshëm edhe tërë kryetarët e shteteve socialiste, duke njoftuar se do të qenë edhe ata në Beograd.
E mbajtur sekret: në vend të eshtrave një thes me rërë
Shumë vite më vonë, kur tashmë Muri i Berlinit pati rënë dhe Lindja ish-komuniste qe hapur drejt Perëndimit, e përditshmja beogradase “Vecernje Novosti” (“Lajmet e mbrëmjes”) publikoi një sekret për funeralin e Titos. Këtë e pohoi në një intervistë të tij një ish-funksionar i lartë të shërbimit të sigurimit jugosllave, i quajtur Obren Gjorgjeciç.
Sipas tij akivoli nuk mbante brenda trupin vdekëtar të Josip Broz, por një thes me rërë.
Vendimin për t’u kryer ky veprim qe marrë prej një rrethi shumë të ngushtë bashkëpunëtorësh të Mareshallit dhe arsyeja e vetme ishte se për shkak të kangrenës mjaft agresive trupi i Titos kishte nisur një shpërbërje shumë të shpejtë. Kjo pati ngjarë që në Lubjanë, ku kishte nisur të përhapte një erë shumë të rëndë, të pandalshme dhe të padurueshme.
Thesi me rërë e kishte zëvendësuar për pak kohë, sa qenë bërë ceremonitë e para varrimit, trupin e Josip Broz Titos. Këtë veprim e kishin justifikuar me arsyetimin “për motive higjenike”.
Kur Gjorgjeviç e deklaroi këtë histori befasuese nuk qenë gjallë, që ta konfirmonin, dy persona, të cilët sipas tij ishin të vetmit nga udhëheqja e lartë që e dinin këtë sekret: Stefan Doronjski dhe Stane Dolanc.
(Vijon)
Ylli Polovina
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|