|
KASTRIOTËT NË ITALI
MATILDA, STËRMBESA E SKËNDERBEUT QË DO TË MARTOHEJ ME AHMET ZOGUN
(Botuar në gazetën “Shqip” në 8 dhe 9 korrik 2016
Në degën kastriotase të Napolit ndërroi jetë Ada, nëna e Xhorxho Maria Skanderbeg, pasardhës natyral i kryeheroit tonë kombëtar
Duke qenë se prej afro njëzetë vitesh autori i këtyre radhëve nëpërmjet një trilogjie (libri i tretë i saj titullohet “Pasardhësit e Skënderbeut si u mbajtën fshehur”, 2013) është marrë posaçërisht me çështjen e ekzistencës të pasardhësve realë të Skënderbeut në Itali (krahas atyre të shumtë falsë), e gjen të nevojshme që në vijim të kësaj sipërmarrjeje ta informojë lexuesin shqiptar për dy ngjarje të reja të ndodhura tek ta.
E para ka të bëjë me lindjen, pas dy vajzave, të djalit tek familja e Aleksandër Kastriotit (Alessandro Castriota Scanderbeg), pasardhësit të parë të Skënderbeut në degën e tij gjenealogjike të Leçes.
E dyta, e ndodhur këto ditë, është ndarja nga jeta e Ada-s, nënës së Gjergj apo Xhorxho Marisë (Giorgio Maria Castriota Scanderbeg), pasardhësit të parë në linjë gjenealogjike të Skënderbeut në degën e Napolit.
Duka Ferrante Kastriota Skanderbeg shpëton dinastinë
Për një varg rrethanash, të cilat shpesh nuk i ka në dorë as njeriu më i fuqishëm, i biri i vetëm i Gjergj Kastriotit, Gjoni, pas vdekjes së të atit, bashkë me të ëmën, Donikën, emigruan në Mbretërinë e Napolit, monarkun e të cilës e kishin aleat dhe kryezot, por ku edhe zotëronin prona tokësore të dhuruara prej vetë mbretit Alfons dhe birit të tij Ferrante.
Gjoni la pas si trashëgimtar, mes katër djemve me fate të ndryshme të ndërlikuara, Ferranten, djalin e tij të fundit, të cilit i kishte vënë emrin e vetë mbretit mbrojtës.
Gjoni qe princ, Ferrante mori titullin e dukës.
Sërish për shkak rrethanash që nuk mund të shpjegohen në këtë shkrim, sepse kërkojnë hapësirë, por janë paraqitur në trilogjinë e mësipërme, trashëguese autentike, ligjore, e dukës Ferranta Castriota Scanderbeg, u bë vajza e tij Erina. Ajo kishte marrë emrin e të gjyshes, gruas së Gjonit, sërbes Jerina.
Një vëlla i Erinës së lindur në Itali, vdiq fare i vogël. Nga martesa me Adriana Akuavivën, prej një familjeje fisnike vendase, nipi trashëgimtar i Skënderbeut, Ferrante, i cili njihet edhe si inkurajuesi kryesor i Marin Barletit për librin e njohur kushtuar heroit tonë kombëtar, kishte vetëm dy fëmijë.
Për rrjedhojë në linjë zyrtare gjenealogjike të familjes së Skënderbeutm me Erinën, pra në brezin e tretë të vet, dinastia u shua.
Por ndërsa u ndërpre e drejta ligjore italiane apo shqiptare për të qenë trashëgimtar (sipas rregullit që kanë këta dy popuj, por nuk e kanë për shembull spanjollët, anglezët apo hebrenjtë etj, të cilët e njohin si trashëgimi të ligjshme pasimin gjenealogjik edhe në linjë femërore), për ne, bashkëkombësit aktualë të Skënderbeut, nuk mund të shpërfillet dhe ca më tepër të asgjësohet e drejta historike apo të paktën kulturore për të njohur vazhdimësinë e tij në statusin e pasardhësit.
Me pak fjalë Gjergj Kastrioti Skënderbeu nuk ka trashëgimtarë, por ka pasardhës.
Duka Ferrante që në kohën e vet e zgjidhi rrezikun e shuarjes së familjes Kastrioti. E bënin atëkohë shumë zotërinj të pasur e të pushtetshëm. Duke shfrytëzuar rregullat e kohës si edhe të drejtën e të fortit, duka Ferrante bëri disa lidhje jashtëmartesore, tre prej të cilave qenë mjaft vitale dhe funksionale për qëllimin e tij të mosshuarjes së dinastisë në linjë mashkullore.
Kështu jashtë martese ai lindi pesë djem, të cilët i trajtoi zyrtarisht si bij të vet, u dha tituj dhe prona, të drejta përfaqësimi po ashtu. Kështu Ferrante la pas një trashëgimare zyrtare, Erinën, po ashtu edhe pesë jo të tillë, por gjithsesi fëmijë natyralë, siç quhen juridikisht në këtë rast, pra të krijuar prej gjakut të tij kastriotas, të Skënderbeut dhe Donikës.
Alesandro i degës kastriotase të Leçes, bashkë me vëllanë e tij, juristin e shumënjohur italian Xhulio dhe të motrën Paola, vijnë deri në ditët e sotme prej njërit nga këta pesë djem natyrorë, Pardos.
Ajo e Xhiorxho Marisë, dega e Napolit, rrjedh prej dalit tjetër jashtëmartesor të Ferrantes, Akiles.
Ritheksojmë: Fëmijët natyrorë, pra jashtë martesës zyrtare, në shekujt e mesjetës qenë shumë dukuri e përhapur, madje edhe në mundësinë për ta trashëguar sidomos pushtet politik. E informojmë lexuesin se edhe vetë mbreti i Napolit këtë kohë, Ferrante, qe bir jashtë martese e Alfonsit dhe iu desh ca kohë Papës, pas vdekjes së këtij të fundit, që ta zyrtarizonte vijimin në të drejtën e monarkut të Mbretërisë së Napolit të djalit jashtëmartesor.
E bukura dhe e paharruara Ada
Nëna e Xhorxho Marisë, Ada Guerriero, ndërroi jetë në moshën 93 vjeçare në rezidencën e familjes Kastrioti në Napoli. Më është dhënë rasti ta takoj dhe këtë pallat ta vizitoj me të gjithë arkivin që ka.
Ada pati lindur në Avialiana (Avigliana) në vitin 1923, bijë e Tereza Bertonit dhe e Nikola Guerrieros, të dy nga Roma. Për motive pune familja prej kryeqytetit italian u transferua në Kampanja, krahinën e njohur napolitane dhe u vendos në qytezën Arienco (Arienzo), pjesë e Kazertanos.
Këtu ra në dashuri me Filipo Marinë, nipin e Filipit që në ditëshpallje e pavarësisë, në 28 nëntor 1912, pati shkëmbim telegramesh urimi me Ismail Qemalin dhe këto Arkivi i Shtetit Shqiptar i ruan.
Nga Ada dhe Filipo menjëherë pas martesës, në 1952 lindi Elena Maria, dy mote më pas Alesandra Maria dhe në 1955 Xhorxho Maria. Që të tre nënës së tyre të paharuar i dedikojnë përkushtimin që në familje kanë për Skënderbeun dhe historinë e tij trimërore në emër të popullit të vet dhe të Evropës.
Ada ishte një zonje mjaft të bukur, si e lindur bashkë me hijeshinë dhe buzëqeshjen.
Historia e Matildës
Në kujtim të Ada Guerrieros po i rrëfejmë lexuesit një ngjarje, të cilën na e pohoi vetë ajo. Më parë ne dinim vetëm atë që ka shkruar në librin e tij “Valixhja diplomatike” Pietro Kuaroni (Pietro Quaroni), njeriu i Duçes: “Si përherë Sola (Ugo Sola, shefi i kabinetit të Musolinit-shënimi ynë) kishte pasur një ide të shkëlqyer. Në Napoli jetonte markezi d’Auleta që zbriste nga Gjergj Kastriot-Skënderbeu, heroi i madh kombëtar shqiptar. Markezi kishte vajza për të martuar: përse të mos e shtyje Zogun të martohej me këto pasardhëse të Skënderbeut dhe të realizonte kështu bashkimin e dinastisë së atëhershme me dinastinë e re? Natyrisht kjo zgjidhje, më e mira dhe më praktikja, nuk u pranua nga Roma. Përkundrazi nuk e di mirë se nga cili, ishte kristalizuar te ne ideja për ta martuar Zogun me një princeshë italiane me gjak mbretëror.
Arsyetimi i Romës ishte kompleks: Auleta e re, me t’u bërë mbretëreshë e Shqipërisë, kishte rrezik të bëhej më shqiptare se shqiptarët, gjë që do të kishte qenë krejt ndryshe me një princeshë italiane”.
Mirëpo Ada na tha se në çështjen e një lidhjeje martesore italo-shqiptare Kastrioti-Ahmet Zogoll, përveç me degëzimin Auleta, që rridhte prej Françeskos (Francesco (1779-1862), u tentua edhe një tjetër, ajo e buruara prej vëllait të tij më të vogël, për pasojë jo ato çaste pasardhësi numër një i degës napolitane, Filippo (1783-1835).
Këtë herë bëhej fjalë për interesim jo të Romës fashiste, por të vetë mbretit Zog. Ferdinandi, i cili do të ndërronte jetë në 1978, në moshën 85 vjeçare, kolonel me titullin fisnikëror baron i Kasteluços (Castelluccio), i martuar ndërkohë me Karolina Matiacin (Carolina Mattiazzi) prej familjes së kontit të Shebenikut, në Kroaci, kishte katër vajza. Ferdinandi është gjyshi i Xhorxho Marias dhe për rrjedhojë katër motrat e tij qenë hallat e babait të këtij të fundit.
Më e vogla e tyre quhej Matilde. Në pemën gjenealogjike e ka të shënuar fillimin e jetës në 1902 dhe mbarimin e saj më 1984.
Ada Guerriero nuk e mbante mend, sipas asaj çfarë kishte dëgjuar në shtëpinë e të shoqit, nëse ardhësit vinin drejtpërsëdrejti nga Tirana apo prej ambasadës në Romë. Motrat e tjera të Ferdinandit qenë të pamundshme, për shkak të moshës, por edhe tashmë martesave të kryera, të mund të qenë kandidate për kurorë. Maria Adolorata pati lindur në 1891, Filomena në 1897 dhe Donika në vitin 1900. Duke qenë se Matilde ishte më e re dhe e pamartuar, sipas historisë që qarkullon në shtëpinë e Xhorxho Maria-s, prej ardhësve zyrtarë të oborrit monarkik të Tiranës, i takonte Matildës për t’u bërë mbretëresha e Shqipërisë.
Asgjë, në të vërtetë, më pas, nuk ndodhi. Pra, nuk pati riardhje të zyrtarëve të lartë të kryeqytetit të përtej detit apo të bëhej ndonjë lëvizje, drejt variantit të Matildës, edhe nga ndërmjetësit italianë të Romës. Përveç ftesës dhe pjesëmarrjes së Kastriotëve të degës së Napolit, markezit të Auletës, Francesco-s dhe të Matilde-s me të vëllanë, Ferdinandon, në dasmën e Ahmet Zogut në 27 prill 1938.
Si prova të një përpjekje të këtij të fundit për t’u lidhur me Kastriotët në shtëpinë e tyre në Napoli ruhet një portret i Skënderbeut, i ruajtur dhe i mbërthyer mirë në kuadratin e një kornize mjaft hijerëndë, me dru arre, e gdhendur sipas stilit të viteve tridhjetë të shekullit të shkuar. Gjergj Kastrioti ishte vizatuar sipas një pamjeje të tij të fiksuar nga kronikat e kohës së vet, por me dorë tepër të stërvitur. Poshtë siluetës qenë dy tekste latinisht. Në të parin thuhet se ai që shihnin të vizatuar, qe Skënderbeu, zoti dhe princi i shqiptarëve, i cili pati ndërruar jetë në 10 shkurt të vitit 1468, në moshën 63 vjeçare. Fjalët e pjesës së dytë shkruanin fjalët “Imaginem hane a se pictam Mathildes Castriota Scanderbeg, magni avi prognata Zog I Albanensis regi donavit” (“Këtë pamje e ka pikturuar Matilda Kastrioti Skënderbeg, paardhëse e tij, të cilën ia dhuron Zogut të Parë, mbretit të shqiptarëve”). Me shifra romake, në fund, ishte shënuar edhe koha kur ai tekst qe thurur dhe ai portret vizatuar: “Anno domini 1938-XVI”.
Por ndërkohë në një skaj të pikturës, e shkruar prej vetë Matildës, thuhet “Kjo qëndisje me Skënderbeun, e firmosur nga unë, nuk është vizatuar prej meje, por nga piktori Xhovani Çapa; dhurata u përgatit për t’iu dhënë mbretit Zog, por për shkak të rrethanave nuk iu bë. Kjo është e vërteta”.
E mira Matilde pas kësaj ndodhie, të cilën nuk e përmendi kurrë tërë jetën e mëpastajme dhe duhet ta ketë bërë të vuajë heshturazi, vuri kurorë në 11 tetor 1939. Lidhi jetë me një burrë në të folur tipik napolitan, Mimin (Domenico Lomonaco). Ky qe i dekoruar me urdhrin e Kurorës së Italisë.
Matilde ndërroi jetë në ditët e para të shtatorit 1984. Pesë ditë më pas, në datën dhjetë, shkoi në amëshim edhe i ati i saj, gjyshi i Xhorxho Marisë, Filipo.
Pasardhës të Skënderbeut që ekzistonin për Ismail Qemal Vlorën, Zogun, diasporën jokomuniste, por jo për qeverinë bolshevike të Tiranës
500-vjetori i vdekjes së Skënderbeut në Itali, posaçërisht në Romë, u organizua nga një Komitet Qendror në të cilin sekretar qe arkimandriti Eleuterio Françesko Fortino, më pas deri edhe nënsekretar Shteti në Vatikan, i ngarkuar për bashkëpunimin mes Selisë së Shenjtë dhe Kishës Ortodokse.
President i tij ishte avokati Xhenaro Kasiani (Gennaro Cassiani) dhe nënpresident profesor Xhovani Lala Komneni (Giovanni Lala Comneno). Bashkë me ta qenë rreshtuar edhe mjaft personalitete të shquar arbëreshë dhe shqiptarë.
Xhenaro Kasiani, nënvizojmë për lexuesin, ka qenë një katolik dhe antifashist i njohur, për tri dekada deputet dhe tri herë ministër i shtetit italian. Ai kishte lindur në qytezën arbëreshe Specano Shqiptare (Spezzano Albanese).
Sipas arkimandritit Eleuterio Françesko Fortino, i cili ndërroi jetë në 22 shtator 2010, “Festimet e jashtëzakonshme romane u zhvilluan nga 24 deri në 26 prill 1968 dhe përbëheshin prej një cikli veprimtarish. Në fillim u organizua një kuvend në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, me pjesëmarrës nga krahinat italiane të Molises, të Bazilikatës së Kalabrisë, prej Sicilisë si edhe nga vende të tjera të botës (Kanada, Sh.B.A, Australi).
Po ashtu u krye një pritje nga Papa, Shenjtëria e Tij Pali (Paolo VI). Në vijim në Sallën e Madhe të Institutit Papal Lindor u mbajt një mbledhje përkujtimore. Më tej u bë një lutje në kishën Basilica e San Pietro në Vatikan. Pas kësaj u zhvillua një homazh para monumentit të Gjergj Kastriotit në Piazza Albania. Më në fund u bë një pelegrinazh në Xhenacano (Genazzano), Viterbo, pranë Romës. Në kishën e qytetit është vendosur ikona e madhe e “Zonjës së Shkodrës”.
Arkimandriti Fortino ka pohuar se “Grupet arbëreshe qenë me në krye Ferdinando Kastriota Skanderbeg, baron i Fosaçekës dhe i Kasteluços, si edhe prej djalit të tij Xhorxho”.
Xhiorxho Maria e mban mend shumë mirë këtë prani të tij, ndërsa ishte ende 13 vjeç dhe mbante pantallona të shkurtëra, një hobi e tij që e braktisi vetëm kur u rrit mirë.
Sipas Eleuterio Françesko Fortino “...komiteti organizativ i shpërndau ftesat për të gjithë shqiptarët që e identifikonin veten me dëshirën për të kujtuar këtë përvjetor, pra që ishin të të gjitha qëndrimeve politike”. I patën dërguar ftesa edhe qeverisë së Tiranës si edhe ambasadës shqiptare në Romë, “Por nuk morëm asnjë përgjigje”,
Pastaj e jep edhe vetë një shpjegim: “Qëndrimi i regjimit të Enver Hoxhës ishte, mbase, i kuptueshëm në momentin që Heroi ynë Kombëtar po festohej veçanërisht si Atlet i Krishtit dhe si Mbrojtës i Qytetërimit Perëndimor...”
Ishin dy arsye tepër të mjaftueshme jo vetëm për t’i qëndruar larg atyre festimeve në Romë, që nuk bëheshin nën patronazhin e Tiranës zyrtare, por edhe të gjithë pasardhësve të Skënderbeut me banim në Itali, të cilët, në të dy degët kryesore, nuk qëlluan të ishin me ndonjë përfaqësues të tyre prokomunist.
Gjatë viteve tridhjetë dhe Luftës së Dytë Botërore, ndërsa ambasada shqiptare në Romë në fillim të viteve pesëdhjetë në një fije letër pati marrë të dhëna të gëzueshme se këta Kastriotë nuk qenë lidhur asnjëherë me fashizmin, do të ftoheshin menjëherë ndaj tyre kur kuptuan se refuzimi do të përsëritej rregullisht edhe me ta.
POETJA ITALIANE, IZABELA, PASARDHËSJA E SKËNDERBEUT
Në degën kastriotase të Leçes në Itali lindi më në fund Gjergji më i ri.
Alesandro edhe Paola e Xhulio, qenë krijesa të dashura të babait të tyre, Gjergjit të Katërt të degës Kastriotase të Leçes, i cili pati lindur në 1931 dhe ndërruar jetë në 1996. Ky Xhorxho qe martuar me Maria Tereza Bandelon (Maria Teresa Bandello), të cilën kam pasur rastin ta takoj jo vetëm njëherë, në rezidencën-kështjellë të Kastriotëve të Leçes, në Rufano, Leçe.
Paola është fëmija e tyre më e madhe, sot 57 vjeçare, avokate. I dyti është Alesandro (aktualisht në moshën e 56 viteve). I fundit i fëmijëve të Gjergjit të Katërt dhe i Maria Terezës, Xhulio, ka mbushur 51 vite jetë.
Sipas këtij rendi në linjën e të drejtës si trashëgimtar i linjës mashkullore të degës kastriotase natyrore të Leçes është Alesandro. Mirëpo dy fëmijtë e parë të tij qenë dy vajza (Xhulia dhe Izabela), shumë të mprehta si i ati dhe mjaft të ëmbëla e të urta, si nëna e tyre, belgia Karolina Tulkens (Caroline Tulkens).
Mundësia e të pasurit një djalë dukej e vështirë,
Për fat djalin e lindi i vëllai i vogël, gjyqtari shumë i njohur italian, Xhulio, dhe me këtë rast në degën e tyre u sigurua vijimi.
Të mos harrojmë se tre degë të tjera të dinastisë së Kastriotëve në Itali, që rridhnin, siç kemi shpjeguar në shkrimin e djeshëm, prej djemve jashtëmartesorë të nipit të Skënderbeut, dukës Ferrante, janë shuar pikërisht për shkak të moslindjes së mashkujve.
Por për fat dy degët e mbijetuara për afro një gjysmë shekulli, ajo e Leçes dhe e Napolit bëjnë vazhdimisht djem, cilësi që e kishte edhe i jati i Gjergjit në Shqipëri, Gjoni, me katër të tillë. Pasoi Skënderbeu me të parin fëmijë të lindur menjëherë mashkull (Gjonin). Ky i fundit kishte katër djem dhe një vajzë (Gjergji, Kostandino, Federiku, Ferrante dhe Maria). Trashëgimtari vijues, duka Ferrante, e vazhdoi traditën me një vajzë brenda martesore (Erina) dhe pesë djem jashtëmartesorë (Federiku, Alfonsi, Pardo, Akili dhe Çezari).
Kjo epërsi e dukshme e lindshmërisë mashkullore tek Kastriotët, me sa duket, u riprovua edhe tek Alesandro. Në lindjen e tretë të Karolinës, në 7 shtator 2013, dhjetë mote më i vogël se motra e tij Izabela dhe njëmbëdhjetë prej Xhulias, doli në jetë djali i tyre, Gjergji i Pestë i pemës gjenealogjike, dega e Leçes.
Quhet Giorgio Vitantonio Erik. Sigurisht është një Castriota.
Ky Gjergj vetëm tre vjeçar, më i vogli i pasardhësve realë të Skënderbeut në Itali, duket si i lindur për të qenë një njeri jo i luftës, por i dialogut dhe i paqes
Kurorë intelektualësh
Siç e rrëfyem në shkrimin e ditës së djeshme, ndërsa pasardhësit natyrorë të heroit tonë kombëtar të degës së Napolit rridhnin prej djalit jashtëmartesor të nipit të Skënderbeut, dukës Ferrante, Akilit, ata të degës së Leçes kanë themelues të tyre vëllanë tjetër, edhe ai jashtëmartesor, Pardon.
Ky ka lindur në 1538 dhe vdekjen e pati në vitin 1574. Pardo ka qenë martuar me Antonela Stefanjolin.
Pas tij në pemën gjenealogjike të familjes vazhdon Fabio Konstandino (Fabio Costandino), 1574-1615, i cili pati lidhur jetë bashkëshortore me Antonia Verdeska.
Pasardhësi tjetër, Costandino, i thirrur më pas Alessandro (1616-1643) qe martuar me Donada Kurki (Donada Curchi).
Shkon më tej dega kastriotase e Leçes me Vitantonio (1641-1716), vënë kurorë ky me Isabella Castriota Scanderbeg i Morixhinos (Morigino). Këtu shfaqet rasti i parë i një martese të pasardhësve të Skënderbeut brenda për brenda fisit.
Në pemën gjenealogjike pason Alessandro (1659-1743), i martuar tri herë, dy prej tyre janë bija në familje markezësh.
Brezi i mëpasshëm ka trashëgimtar të parë të emrit të shquar të familjes Vitantonio (1717-1811). Ky qe klerik. Ishte martuar me Donikën (Donica Kastriota Skanderbeg) të baronëve të Galianos. Kjo është hera e dytë në degën e Leçës kur dy të të njëjtit gjak krijojnë familje dhe pasardhës të të njëjtit stërgjysh të famshëm.
Vijon Alessandro (1748-1803), guvernator, me jetë të lidhur përgjithmonë me Anxhola (Angiola) Lentini, në qytetin dhe rrethinat e Manopolit grua me titull fisnik.
Më pas në pemën gjenealogjike ja behu Gjergji (Giorgio) (1796-1846), gjykatës i Gjykatës së Lartë Kriminale. Qe martuar me Karlotën (Carlota Lopez y Royo), e dukëve në Taurisano.
Pastaj erdhi një Alessandro tjetër (1834-1875), me bashkëshorte Marie (Maria Mariglia). Giorgio i viteve 1871-1906 qe pasardhësi i radhës i degës kastriotase të Leçes, i martuar me Françeskën (Franceska Bottari) nga baronët e Paretaltos.
Gjenerata pasuese e Kastriotëve të Leçes vijoi me një Alessandro të gjashtë (1898-1959). Ky pati shoqe jete Ida Pio.
Sipas arkivës së familjes që ruhet në rezidencën e tyre të Rufanos, ajo në historinë e saj ka pasur një kryetar bashkie të Leçes, poeteshën e njohur Izabela (Isabella), e cila zë vend edhe në Enciklopedinë italiane të Njerëzve të Shquar. Kanë pasur edhe avokatin Federino, i cili në gjyqin politik kundër republikanëve garibaldinë të famshëm si Luixhi Setembrini, Filipo Agresti dhe Silvio Spaventa, u bëri një mbrojtje të zjarrtë.
Nuk mungon në biografinë e familjes së tyre Kastrioti të degëzimit të Leçes edhe një komandant Garde Mbretërore, po ashtu edhe një bashkëshorte ministri të Brendshëm.
Stërnipi i Skënderbeut pëlqehet nga turqit modernë
Ndërsa në degën kastriotase të Napolit gjatë gjysmëshekullit të jetës në Itali bien më shumë në sy veprimtarët politikë dhe shtatet e lartë, në atë të Leçes zotërojnë intelektualët dhe siluetat fizike më të brishta.
Këtë prirje të tyre e përfaqëson shumë dallueshëm trashëgimtari i tanishëm, Alesandro Kastriota Skanderbeg.
Ai është, në profesionin e vet të mjekut radiolog, shkencëtar. Bashkë me një koleg të tij, Bruno Delapikola, ka shkruar librin “Abnormal Skeletal Phenotypes” (“Raste skeletore jonormale”).
Bëhet fjalë për një vëllim me afro njëmijë faqe, lëndë të cilën ia kishim parë me kohë, që kur qe dorëshkrim dhe e punonte në Romë. Libri u pëlqye dhe u botua menjëherë nga Springer Verlag në fillim të dhjetorit të vitit 2007.
Pastaj u prezantua në SHBA në një takim të madh mjekësh nga e gjithë bota.
Që prej këtij çasti libri shitet në të gjithë globin dhe duke qenë krijesë diturie ai blihet kryesisht nga mjekë të specializuar. Kjo është një nga arsyet që çmimi i këtij botimi të thellë në përmbajtje, por vizualisht edhe mjaft luksoz dhe me ilustrime pamjesh, shitet nga një vend në tjetrin me çmimin prej 110 deri edhe tek…549 dollarë.
Me kohë disa revista evropiane, përfshi edhe një çeke, i bënë recensione të posaçme.
Por surpriza ndodhi diku tjetër, atje ku edhe fantazia më kokëkrisur e kishte të vështirë të depërtonte: në Turqi. Siç e dinë të gjithë shqiptarët, madje këto ditë ka edhe një polemikë në shtyp mes një turkoshqiptari që jeton në Tiranë dhe e ka emrin Tursun, me ndonjë historian të atdheut të vet të parë, këtu vijon trajtimi i Skënderbeut si tradhtar i turqve.
Shumë më përpara se të ndodhte ky debat apo shqetësim publik, kur ende në Tiranë me rastin e vizitës së një presidenti turk largohej nga vendi zyrtar edhe busti i Skënderbeut, në motin 2008, ndodhi një ngjarje në të kundërt të merakut të mësipërm: Turqia u tregua e hapët.
Këtë vit në vitrinat e disa prej librarive më kryesore u shfaq libri i doktor Aleksandrit “Abnormal Skeletal Phenotypes”. Ndërkohë njëri nga website-t më të njohura të librave në këtë vend, “Izmir Tip Katabevi”, i bënte reklamë të dukshme.
Emri i autorit shkencëtar ishte vënë i plotë Castriota-Scanderbeg, Alessandro.
Izabela, jeta e saj e pazakonshme
Poeteshës Izabela Kastrioti (Scanderbeg) nuk i çel vend me përfillje të dukshme vetëm Enciklopedia italiane e Njerëzve të Shquar. Emri i saj, me një vëllim jo të vogël shpjegues, gjendet edhe në fjalorin enciklopedik të famshëm italian, Treccani. I përgatitur nga Nikolla Merola (Nicola Merola). Zëri i saj “CASTRIOTA SCANDERBEG, Isabella” shënon se ka lindur në Leçe në 1 shtator 1704 prej prindërve Alessandro dhe Irene Pieve-Sauli.
Fjalori Treccani thotë se “familja atërore rridhte prej Gjergj Kastriotit, të quajturit Skënderbe”. Më pas informon se i ati i saj, Alessandro, sapo kishte hyrë, atë kohë, në rrethet fisnike të Leçes. “Në fakt, vijon Merola, pati ardhur në Kopertino bashkë me të atin e tij Vitantonio, për t’u martuar me Katerina Xhustiniani (Caterina Giustiniani), njërën prej familjeve lokale më të spikatura. Gruaja e vet e dytë qe prej një huadhënësi të pasur të Galipolit, e cila, përveç se e bëri baba për herë të parë, për meritë të dhuntive të saj financiare ripërtëriu gjendjen ekonomike të shkatërruar të familjes Kastrioti dhe rikonfirmoi e forcoi lidhjet me qarqet e shtresës së lartë të krahinës së Salentos”.
Fjalori enciklopedik Treccani në vijim shpjegon se “Tetë ditë pas lindjes së dy binjakeve, prej të cilave jetoi vetëm Izabela, nga ethet gjatë lehonisë vdiq edhe e ëma, duke e lënë trashëgimtare të bijën. Kur pas kësaj që i ndodhi, në krye të dy viteve nga humbje e gruas së dytë, Alessandro Castriota u martua me të renë nga Roma, Xhuzepina de Torres (Giuseppina De Torres), u shfaq fare i qartë fati i të bijës. E futën në një manastir”.
E gjithë kjo, rrëfen Treccani, ndodhi sepse gruas së tretë i duhej ta shmangte të voglën Izabelë nga e drejta e trashëgimisë prej të ëmës së saj të pasur, Irene Pieve-Sauli. Ca më shumë që kjo martesë e tretë e Alessandro Castriota qëlloi e plleshme: lindën dy meshkuj. Paolo Fraçesko (Paolo Francesco) dhe Vitantonio. Ky, siç e kemi shpjeguar më lart, u martua me Donica Castriota Scanderbeg të baronëve të qytezës Galiano. Duke i ngjarë kështu gjyshit me po të njëjtin emër, i cili po ashtu qe pati vënë kurorë e kryer lidhje genetike, brenda gjakut kastriotas.
Fjalori enciklopedik Treccani shkruan se Izabela u fut, në janar 1715, në manastirin Santa Kiara (Santa Chiara), në Galipoli. Këtë kohë është vetëm njëmbëdhjetë vjeçe.
Vendosjen në këtë kuvend murgeshash e pati dëshiruar daja i saj, Xhanbatista (Giambattista), i vetmi pasardhës i mbetur gjallë nga familja Pieve-Sauli. Ky njeri mjaft i pasur dhe pa fëmijë, me këtë zgjedhje të vet, nuk deshi vetëm ta largonte mbesën prej manastireve të tjerë famëkëqinj të Leçes, por edhe për t’i rregulluar një martesë dhe kështu, duke qenë se dega e tij qe shuar, t’i siguronte familjes së tyre vazhdimësi.
Lidhja bashkëshortore u vendos, pa dijeninë e Izabelës, me baronin Filippo Guarini. Ky qe një gjashtëdhjetë vjeçar nga qyteza e Tulies. Ceremonia u krye në 11 dhjetor 1720, në shtëpinë e Xhanbatista Pieve-Sauli, i cili atëherë qe kryetar i bashkisë së saj.
Zemërgjerësia e bashkëshortit të moshuar nuk qe e mjaftueshme për t’ia shlyer Izabelës dëshpërimin e pësuar, deziluzion i cili gjeti shfrim vetëm në ankimet që, nëpërmjet letrave, i bënte vazhdimisht të atit. Përveç periudhave të shkurtra të kaluara në Leçe dhe në Galipoli, poetesha e ardhshme mbeti shtatë vite, nga gjashtëmbëdhjetë deri në njëzetë e tre, në krah të një burri mjaft ndryshe nga ajo jo vetëm prej moshës, por edhe prirjeve. Kjo gjendje u ndërpre vetëm me ndarjen më në fund të dy bashkëshortëve, çfarë nuk u krye nëpërmjet divorcit ligjor, por mirëkuptimit të ndërsjellë. Njëkohësisht kjo u bë edhe me një kusht dashamirës të baronit: Izabela të rikthehej në Konservatorin Santa Anna në Leçe.
Në 1732, pa kompromentuar raportet me të shoqin, i cili vazhdoi t’i plotësonte nevojat e saj ekonomike, por ndërkohë duke blerë me çmim të shtrenjtë konsensin e të atit dhe humbur favoret e dajës, Izabela e braktisi Konservatorin, ku pati kaluar vite të pasura me studime dhe zbulime intelektuale dhe hyri në shoqërinë e lartë të Leçes, duke shkaktuar me këtë rast kërshëri dhe thashetheme. Këtë kohë, ndërsa bënte pjesë në një Akademi, u njoh dhe ra në dashuri me një figurë letrare mjaft të njohur: Pietro Beli (Pietro Belli).
Kur burri i saj Filippo Guarini ndërroi jetë, më në fund u hap shtegu për të kryer martesën e re. Kjo ndodhi në 22 qershor 1741. Izabela ndërkohë kishte marë prej testamentit të baronit zemërmadh jo pak trashëgimi.
Një vit më pas lindi Raimondina dhe në 1745 vajza e dytë Irena Katerina (Irene Caterina). Kjo qe edhe periudha kur ra në sy për vargjet e saj.
Disa vite më pas mbi të u bënë kërcënime për ta burgosur për borxhe që kishte i shoqi, Beli, i cili qe aq i pacipë sa nuk vidhte vetëm të tjerët, por edhe të shoqen. Ndërkohë Xhanbatista Pieve-Sauli në vitin 1748 vdiq.
Një dëshpërim i madh e kapi Izabela Kastrioti Skënderbe kur pa se daja nuk e kishte përfshirë në pasurinë e ndarë në testament, sepse gjithçka ia pati dhënë një nipi. Kjo ia shpejtoi vdekjen, çfarë ngjau në Leçe në 4 mars 1749.
Gjithsesi Izabela, në Itali kastriotasja më e famshme pas Skënderbeut, qe me fat. Më së pari rridhte prej një shqiptari që ishte bërë hero jo vetëm i vendit të tij, por i tërë Evropës, E dyta, ishte mjaft e talentuar. E treta, pati një jetë të dhimbshme. Po ta kishte pasur të trëndafiltë shumë më pak poete do të qe dhe vëmendje të historishkrimit italian nuk do të tërhiqte kurrë.
Profesor Xhankarlo Valone
Dega e Leçes me traditën e saj intelektuale ka edhe një emër, Xhankarlo Valonen. Ky profesor i historisë së institucioneve politike në Universitetin e Salentos është bashkëshorti i Paola Castriota Scanderbeg, motrës së Alesandros dhe Xhulios.
Ai është autor i një libri unik: “I Castriota in Terra d’Otranto” (“Kastriotët në Tokën e Otrantos”).
Kur u publikua qe viti 1993, kurse Valone e Paola u lidhën me martesë në 30 shtator 1995. Madje profesori ciklin e studimeve të tij për pasardhësit e Skënderbeut dhe të shumë familjeve fisnike shqiptare të kësaj periudhe e pati nisur që në vitin 1981 (“Aspetti giuridici e sociali nell’età aragonese. I Castriota in Terra d’Otranto”, në shqip “Pamje juridike dhe shoqërore në kohën e mbretërimit aragonez. Kastriotët në Tokën e Otrantos”).
Pra profesori Xhankarlo, “asi nën mëngë” që familja Kastrioti, dega e Leçes, ka, përbën një ndihmë të madhe dijeje, argumentimi dhe mbrojtjeje shkencore për të vërtetën e pasardhësve natyralë të Skënderbeut në Itali. Ai mund të quhet edhe më i mirë historian i tanishëm për këtë temë.
28 Nëntori i festuar në një aeroport
Kur në fundnëntor 2007 Aleksandri u nis për të marrë pjesë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në takimin ndërkombëtar të neurologëve dhe ku do të zinte vend edhe promovimi i librit të tij (me bashkautor Bruno Delapikola) “Raste skeletore jo normale”, ziente nga dëshira që 28 nëntorin ta përjetonte ndërsa ndodhte ky prezantim.
Por kjo nuk ndodhi, Takimi u shty dhe u mbajt më 2 dhjetor.
Kështu ai e festoi të shenjtën ditë të 28 Nëntorit, të lidhur me jetën e triumfin në histori të stërgjyshit të tij, por edhe të Shqipërisë si shtet i mëvetësuar, në transit, kur qe në aeroportin e Milanos, në pritje të ndërrimit të avionit që nëpër natë do të kalonte Atlantikun.
Ylli Polovina
Tiranë, më 6 korrik 2016
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|