Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

BABË DUDË KARBUNARA, KU TË T’I GJEJMË ESHTRAT?




(Botuar në gazetën “Shqip” në datat 11 dhe 12 qershor 2016)

Pjesa e parë

“Kruja, qytet i çuditshëm i Shqipërisë, por i çuditshëm pas Beratit. Vetë Berati është qyteti më i çuditshëm në botë pas Venecias”.

Indro Montaneli, “Shqipëria, një dhe njëmijë”, Torino, Itali, 1939

Qyteti i Beratit si imazh përfaqësues ka lagjen e një mbi një dritareve, Mangalemin. Ky simbol viziv, tashmë i gjithshpërndarë nëpër botë, i ka qëndruar kohës, është vetëprovuar. Do të jetë edhe më pas. Fati e ka sjellë që shtëpitë karakteristike të vendosura në këtë Mënge Lumi janë pjesë e vetë pamjes së kështjellës pothuaj dy mijë e pesëqind vjeçare dhe në anën e djathtë, tek rrjedh Osumi, ngrihet pothuaj treqindvjeçarja Ura me Nëntë Harqe, e thirrur mes beratasve si Ura e Goricës.
Mangalem-Kala-Urë-Osum përbëjnë tashmë suvenirin më të pëlqyer për turistët vendas e sidomos të huaj, numri i të cilëve rritet për çdo vit. Në dy motet e fundit vizitorët e qendrës historike të Beratit pothuaj janë dyfishuar. Në progres janë edhe vendet prej nga vijnë: francezë, italianë, gjermanë, austriakë, anglezë, dukshëm polakë, në gjallërim edhe aziatikët, japonezët dhe kinezët.
Por pamja Mangalem-Kala-Urë-Osum do të përfundonte në një klishe pa thelb në rast se turistit gjithëshqiptar apo atij të huaj nuk do t’i jepej mundësia të perceptonte sa më shpejt, të dallonte dhe veçonte, madje të merrte si suvenir me vete edhe një institucion kulturor, i cili do ta njihte atë thellësisht me karakteristikën e karakteristikave të qytetit: mesjeta e tij, hapësira e kohës nga shekulli i dymbëdhjetë e deri në buzë të njëqindvjeçarit të njëzetë.
Këtë mision simbol përfaqësimi të Beratit vitet e fundit, mesa duket i përfshirë në një garë të vetëdijshme për ta fituar me punë këtë cilësi, po e kryen Muzeu Onufri. I vendosur në kështjellë, tek Katedralja e saj historike, që në kohë të realkomunizmit në Shqipëri, ai tashmë ndodhet në hopin e vet.
Në 2013 nëpër pavionet e tij, ku gjenden edhe ikonat më të vyera të trojeve kombëtare, kaluan të shpjeguar prej guidës së shumëtalentuar me emrin Anila, 7900 vizitorë. Gjate vitit 2014 ky numër pothuaj u dyfishua: shkoi rreth 14 mijë. Në fund të motit 2015 kjo shifër sërish iu afrua kërcimit në dy herë: mbërriti në 24 mijë.
Që të gjithë këta persona, ndërsa marrin me vete edhe një guidë të shkruar, të shumëfishuar në njëmbëdhjetë gjuhë të Perëndimit dhe të Lindjes, para godinës bëjnë një vetëfoto. Ose edhe në grup. Këto pamje të Muzeut Onufri janë përhapur gjithandej nëpër glob, duke u bërë tashmë edhe imazhi i dytë përfaqësues, simbolik, i qytetit të Beratit.
Janë “dinakë” punonjësit në këtë institucion që ka dalë jashtë kufijve të Shqipërisë dhe po fiton statusin e suvenirit. Ata nuk mjaftohen me kënaqësinë që u vijnë diplomatë apo edhe kryeministra ose presidentë të vendeve të tjera, por sepse orkestrojnë edhe një cikël të pazakonshëm veprimtarish origjinale. Në Muzeun Onufri është ekspozita “Thesare të fjetura” me objekte të pabëra publike më parë të mjeshtërve më të rëndësishëm të shkollës ikonografike të Beratit si Onufri, Nikolla, Qiprioti, Çetirët etj. Janë realizuar po ashtu koncerte me muzikë të vjetër bizantine të luajtur me instrumente autentikë apo koncerte me kore të famshëm si ai hungarez, i burrave, i quajtur “Efraphim”.

Shqiptari jo me pushkë, por me germën latine në sup

Të përcaktosh pamjen simbolike apo bashkëkombësin më përfaqësues nuk është një punë e lehtë. Për shembull në krye të të gjithëve ne shqiptarët kemi vendosur Gjergj Kastriotin, por kjo ka ndodhur jo se qe më i mençuri, por sepse dëshmonte vendosmërinë tonë për të qenë jo vetëm përkrahës, por edhe mbrojtës të pakthyeshëm të Evropës.
Gjatë Rilindjes tonë ne u bëmë kështjellarë të saj, por edhe më pas, edhe pse për një gjysmë shekulli na vunë në pozicionin e një antievropiani. Nëpërmjet vetëdijës së thellë popullore ne e mbrojtëm Evropën në Ballkan me një gjest mjaft kuptimplotë: duke ruajtur në shkrimin e gjuhës tonë alfabetin e saj, atë latin.
Lufta e shqiptarëve për të shkruar dhe mësuar lirisht gjuhën e tyre është revolucioni i vetëm që ata kanë bërë me pasion dhe largpamje, që cilin e kanë çuar deri në fund me sukses. Jemi mësuar, për shkak të një fryme folklorike nacionalizmi, se shqiptari për të mbrojtur lirinë dhe identitetin e vet e ka bërë të pandarë pushkën. Imazhi i tij më i përhapur është i një luftëtari me atë hekur në sup.
Në të vërtetë ai duhet përfytyruar dhe vizatuar me armën e vet të vërtetë shpëtimtare: germën, shkronjën.



Në qytetin e Beratit, si kudo e kanë të vështirë ta përqendrojnë vështrimin jo vetëm tek pamja apo institucioni simbol i përfaqësimit, por mbi të gjitha tek njeriu me këtë cilësi. Megjithatë edhe pse deri tani nuk është shpallur posaçërisht, madje as që një sipërmarrje të tillë e kanë në projekt, prej shumë rrethanave, shpesh edhe spontane, ai është nënkuptuar.
Sepse busti i parë që është ngritur në hyrje të qendrës së tij, përballë lagjes së Mangalemit dhe vetë kështjellës, me në sfond malin e famshëm ballkanik të Tomorit, ka qenë ajo e një mësuesi mjaft të përkushtuar dhe shumë trim të të shkruarit shqip: Babë Dudë Karbunarës.
Emri i tij në dokumentet personale dhe në ato të shtetit të kohës ishte Jorgji Karbunara. Porse Jorgji mes ortodoksëve ka edhe një emër të dytë, mjaft të pëlqyer: Dudë. Kështu beratasin e shquar për të cilin do të flasim në këtë shkrim, bashkëqytetarët do ta thërritnin më shpesh Dudë Karbunara.
Pastaj një ditë atij iu shtua edhe një pjesë e tretë, këtë herë meritore për veprën e tij të atdhedashurisë dhe shqipmësimit: Babë.
Në kujtesën e Beratit, por edhe të historisë kombëtare sepse ai është edhe një nga firmëtarët më të parë të Aktit të Pavarësisë, do të hynte me emrin Babë Dudë Karbunara. Dhe kështu do të mbeste përfundimisht. Ndërkohë që në të folurën e beratasve do të thirrej thjesht Babë Duda. Ky është emri i popullit të qytetit, jo ai i prindërve. Shpesh ndodh që njerëzve duhet t’u shpjegosh se Jorgji Karbunara dhe Babë Duda janë i njëjti person.
Rrëfimi që do të bëjmë më poshtë është si këtij bashkëkombësi me një emër zyrtar, por edhe me një tjetër të krijuar nga vetë qyteti i tij, rast në Berat krejt i papërsëritur për të dytën herë, i ndodhi që shumë mote pas vdekjes t’i humbnin eshtrat dhe sot ai të jetë pa varr.
Të ngjajë kjo me figurën më përfaqësuese të tij, më të afërtën në identitet dhe karakteristika me vetë qytetarin beratas, duket si një skandal. Ngjan shumë me një veprim të paudhë, sidomos me në sfond disa episode kockash të kryeministrave shqiptarë të zhvarrosur. njërit prej tyre dhe të beratasit Iljaz Vrioni, të cilit menjëherë pas lufte ia flakën kockat në lumin e Osumit.
Por më parë se ta etiketojmë me ndonjë term të ngutur hedhjen e eshtrave të Babë Dudë Karbunarës, na duhet të bëjmë durim për ta treguar tërë historinë tronditëse që ka ndodhur. Sepse ende diçka mund të bëhet. Vendi ku duhet të gjenden, po të kërkohet, dihet prej të paktën një personi.
Është figura më e paqtë që ka Berati, të thotë për Babë Dudë Karbunarën një drejtues shumë i rëndësishëm i qytetit në dekadën e fundit të komunizmit, inkurajues i spikatur i kulturës, por edhe vetë poet: Abdyl Pilafi. Emrit të këtij funksionari të dikurshëm, si edhe të kryetarit të komitetit ekzekutiv të kohës, edhe ai beratas i pasionuar pas traditës historike të qytetit, Dhimitër Brisku, do t’i rikthehemi edhe më pas, por tani do t’i drejtohemi dy personave me të vërtetë protagonistë shumë të rëndësishëm në atë çfarë ka ngjarë me eshtrat e rilindësit të shquar Babë Dudë Karbunara.
Këta ndihmës në shpjegimin e të vërtetës janë Parashqevi Sahaçiu dhe Xhoxhi Fani.

“Mirëmëngjes, o karafil me vesë!”

Kujtesa e qytetit, e cila nuk e di çfarë i ka ngjarë banorit të ndritur e simbolik të tij, e ruan Babë Dudën të fiksuar në dy pamje mjaft emocionuese.
Kur fëmijëve u mësonte shkrim-këndimin shqip në katet përdhese të Mangalemit, në ilegalitet të plotë, vogëlusheve që vinin një pas një, edhe ata me kujdes të madh, për t’i gëzuar dhe inkurajuar, sapo hynin në derë, Babë Dudë Karbunara i përshëndeste me fjalët e rimuara, si të qe strofë e muzikuar e një kënge: “Mirëmëngjes, o karafil me ves!”
Karafilat e Beratit, dihet, janë kampionë të shumëngjyrave dhe të parfumit.
Pamja e dytë e regjistruar në memorien e qytetit për Babë Dudën është ajo e një të moshuari mjekërbardhë të goditur e të mavijosur në fytyrë, të rrëmbyer në shtëpinë e të bijës në lagjen Goricë dhe të hequr pastaj zvarrë mbi Urën me Nëntë Harqe, në vijim nëpër rrugën kryesore të Beratit, krim i ndjekësve filoosmanë të Musa Qazimit. Ky ndëshkim para syve të qytetit të tij prej atyre që kërkonin ribashkim me Turqinë dhe për të pasur në krye Shqipëria një princ osmanli, iu bë Babë Dudës për dy arsye të qarta: se qe firmues i aktit të Pavarësisë në Vlorë dhe sepse ishte mësues i gjuhës shqipe në Berat.
Në kujtesën e qytetit ka mbetur e pashlyeshme, e transmetuar brez pas brezi, ajo gjendje, kur turkoshakët e Musa Qazimit, në 30 qershor 1914, pasi e kishin lidhur me hekura në këmbë dhe duar, e shtynin me forcë atë plak të thinjur 74 vjeçar duke e goditur. Tek e tërhiqnin zvarrë, populli në anë të rrugës përlotej për çfarë po i ndodhte mësuesit, por edhe atdhetarit shembullor.
Për t’i përmbajtur dhe mos acaruar marrëdhëniet me ata qindra të armatosur që me të hyrë në Berat patën nisur menjëherë pushkatimet, bashkëqytetësve të vet të ngashëryer Baba u përgjigjej me fjalët “Mos qani! Këto nuk janë plagë, por dekorata”.
Aq shumë i rrahur qe, sa kur më në fund ia paraqitën në ndërtesën e prefekturës urdhëruesit të arrestimit, Musa Qazimit, ky u ndje ligsht dhe bëri sikur i qortoi zelltarët e tij: “Çfarë më kini sjellë, një të vdekur?”
E la të ikte, por i linduri në pranverë 1942, prej asaj torture ra në gjendje të rëndë shëndetësore. U nda nga jeta në dimrin e vitit 1917, në 17 dhjetor.

Dërrasa e zezë-një shtresë rëre nga lumi Osum

Për Babë Dudë Karbunarën në 24 gusht 1898 konsulli austrohungarez në Vlorë i shkruante kolegut të tij francez në Janinë: “…ai burrë nuk matet me sy. Atë burrë që i është kundërvënë pashait dhe mitropolitit, e kanë halë në sy…”.
Rilindasi nga Berati i pati rënë në sy shërbimit të huaj diplomatik prej kohësh, por në mënyrë të vazhduar pas vitit 1895, kur në mënyrë të maskuar autoritetet pushtuese do t’i vinin zjarrin në kala shtëpisë së Babës. Ai nuk do të kishte mundësi më ta rindërtonte dhe ajo ka mbetur ashtu deri edhe sot, njëherësh gërmadhë dhe monument.
I ndëshkuar se qe veprimtar politik i Lidhjes së Prizrenit, çfarë do të thoshte luftëtar i pavarësimit të Shqipërisë, po ashtu sepse merrej me përhapjen e shkrim-këndimit në gjuhën amtare për fëmijët e krishterë dhe myslimanë, Jorgji Karbunara qe një ilegal i madh. Alfabetin shqip edhe ai vetë e pati mësuar fshehurazi me një kopje të “Evëtari” të Naum Veqilharxhit, mbërritur në Berat në 1845 dhe të cilën i ati, Theodhori, e kishte futur në mënyrë klandestine në shtëpi. Më pas i riu Jorgji do të përfundonte një shkollë dyvjeçare në Korfuz dhe falë mbështetjes financiare të tregtarit vendas Kristo Xhymyrteka, i cili bënte aktivitet tregtar deri edhe në Vjenë, kreu katër vjet studime në gjimnazin klasik të Triestes.
Kur nisi, sidomos pas motit 1897, të vinte në Berat ilegalisht “Alfabetarja e gjuhës shqip” e Jani Vretos cdhe me të Babë Duda të mësonte fëmijët, ai qe një intelektual i përmasave për auditore studentësh universitarë. Jorgji Karbunara zotëronte greqishten e vjetër dhe të re, gjuhën italiane deri në përsosmëri, latinishten gjithashtu. Duke qenë njohës i filozofisë dhe i letërsisë antike heleno-romake, Babë Dudë Karbunara ishte edhe ilirolog. Gjurmonte dhe mblidhte çdo të dhënë për Ilirinë, historisë të së cilës i përkiste kështjella ku jetonte familja e tij pati lindur vetë qyteti i Beratit.
Ky dijetar e harxhonte një pjesë të madhe të kohës me shkrim-këndimin e thjeshtë të fjalës shqip. Ndërkohë që edhe vështirësitë materiale qenë të paimagjinueshme. Fëmijët dhe ai nuk kishin as lapsa dhe as dërrasë të zezë. I mësonin germat duke i shkruar me gisht mbi sipërfaqen e një arke me rërë (kum), të cilin e merrnin prej bregut të Osumit.
Kjo dërrasë e zezë e paharruar quhej taksokum.

Gjetja e ditarit të humbur

Ndërsa vitet kalonin varri i tij i vendosur në pjesën më të rëndësishme të kishës së Shën Gjergjit në kala, në ajodhimë, vizitohej çdo 28 nëntor nga nxënësit e shkollave dhe recitonin vjersha për të. Gratë e lagjes në ditën e Shën Gjergjit, ndërsa ndanin grurë për të vdekurit e familjeve të tyre, e mbartnin kanistrën edhe tek varri i Babë Dudës. Ai nuk kishte një pasardhës djalë, sepse bashkë me të shoqen, Ekaterina Gjikën, patën lindur vetëm tre vajza. Këto një ditë shkuan tek burrat e tyre, sigurisht edhe nëpër qytete të tjerë dhe erdhi në çast kur në kala prej derës së tij nuk ndodhej më asnjë. Pati edhe një dhimbje tjetër: nuk i ngrysi vitet e pleqërisë me të shoqen. Të martuar në 1863 Ekaterina i pati vdekur në 1890, njëzetë e shtatë mote para se të mbyllte sytë edhe ai.
Ndërkaq pas ndërrimit jetë të tij, në vitin 1920, ndodhi një ngjarje shumë mbresëlënëse: banda muzikore “Vatra” e ardhur nga SHBA për të përkrahur mëkëmbjen e shtetit shqiptar, shkoi në kala dhe bëri homazhe tek varri i Babë Dudë Karbunarës. Në vitin 1927 Bashkia i dha atij dhe pesë anëtarëve të tjerë të dërgatës së Beratit që mori pjesë në shpalljen e Pavarësisë, titullin “Nderi i qytetit”.
Një dekadë më pas, në 27 nëntor 1937, do t’i ndodhte një nderim edhe më i madh: një bust i tij i mermertë u vendos në pikën më të shikueshme të qytetit. Autor qe një skulptor korçar, mjaft i talentuar, i cili pati jetuar disa kohë në Berat: Dhimitër Çani. Sapo busti u përurua, e mori emrin e Babë Dudës edhe tërë sheshi përreth.
Në 1962 u dekorua me Urdhrin “Për shërbime të shquara ndaj Atdheut” të Klasit të Parë, kurse pak vite më pas emri i tij iu përkushtua shkollës së mesme kryesore të Beratit. Me rastin e 100-vjetorit të hapjes së Shkollës së Parë Shqipe, në 1987, Babë Dudë Karbunarës iu dha titulli “Mësuesi i Popullit”.
Por me rilindasin e shquar të Beratit dhe figurën e tij më përfaqësuese do të ndodhnin disa gjëra të çuditshme, fare pak të imagjinueshme. Ai do të pësonte dy humbje. Në fillim kjo do të ndodhte me ditarin e tij. Pastaj me eshtrat.
Për fat fletorja kalendar, në të cilën Babë Duda pati mbajtur shënime ditore, u gjet, madje tashmë është lëndë e botuar. Qe një mësues i vjetër i viteve tridhjetë dhe i spikatur fort edhe më pas, i cili e ktheu këtë ditar në kujtesën materiale të qytetit, po ashtu edhe të të gjithë shqiptarëve.
Ky qe Vlash Papa.
I lindur në fshatin Paftal, afër Beratit, në 1903, në vitin 1921 ai ishte mësues. Njeri i lidhur pandashëm me diturinë, në 1937 hartoi për klasën e pestë të shkollave fillore librin e gjeografisë. Kur fashistët italianë në një operacion ndëshkimor në krahinën e tyre në verë 1943 u dogjën edhe shtëpinë, Vlashi ia doli të shpëtojë pasurinë e vet më të madhe: një arkë me libra. E pati fshehur që më parë në kishë.
Pas kësaj u shpërngulën si refugjatë në Betat, ku edhe ndenjën përfundimisht. Në vitet pesëdhjetë Vlash Papa qe drejtor i shkollës shtatëvjeçare “7 Nëntori”, kurse aty afër, në shtëpinë e vet, në një dollap e sidomos mbi sergjenë, dërrasa të ngulura në mur, ndodheshin libra dhe vetëm libra. Studiues i përpiktë nga natyra në fillim të viteve pesëdhjetë, ulur në “dhomën e zjarrit” pranë një tavoline me llambë elektrike mbi kokë, pasi grumbulloi dokumente e të dhëna për Beratin dhe në 82 faqe hartoi një histori të tij, filloi të mblidhte dëshmi edhe për Babë Dudë Karbunarën. Artikullin e parë për të, të pasuar nga katër të mëvonshëm, e publikoi në 1961 tek revista “Arsimi popullor” nr. 2.
Ishte përafërsisht ky momenti kur bëri të ditur se i kishte rënë në dorë një ditar e Babë Dudës. Gjithçka në pamje të parë dukej sikur pati ngjarë rastësisht. Vlashi i kishte porositur të gjithë shitësit që kur, për nevoja të tyre mbështjelljeje ushqimesh për blerësit, u binte në dorë ndonjë libër apo dokument i shkruar, ta lajmëronin menjëherë, sepse nuk do tua blinte si kartë ambalazhi, por si libër fringo të ri.
Një ditë njëri prej shitësve i tha se i kishte rënë në dorë një kalendar në gjuhën italiane, në të cilën qenë mbajtur shënime prej vetë Babë Dudës. Ky betohej se jo vetëm qe shkrimi i tij, siç e njihnin jo pak në Berat, por edhe këtë gjë vetë Jorgji Karbunara e kishte pohuar që në fillim të fletores ditëshënuese të vitit 1901. Ndodheshin në të 148 shënime (52 në shqip, 95 në greqisht e 1 në gjuhën italiane).

(Vijon)

Ylli Polovina























BERATI, QYTETI KU HUMBËN ESHTRAT E BABË DUDË KARBUNARËS

Pjesa e dytë

Në vitin 1964, ndërsa shkollës së mesme me arsim të përgjithshëm klasik, gjimnazit, iu vendos emri i Babë Dudë Karbunarës, Petriti, njëri prej pesë djemve të Vlash Papës, i cili si edhe vëllai i madh i tij, Thanasi që jepte mësim në Liceun e Tiranës, ishte skulptor, nisi të punonte një bust për rilindasin e shquar beratas. Qe me përmasa më të mëdha se ai i njohur prej të gjithëve, i vendosuri në hyrje të qendrës së qytetit, krijesa shumë fine e Dhimitër Çanit. Për ta mirërealizuar atë sprovë erdhi në ndihmë me ndonjë këshillë nga Tirana Thanasi, profesionist me akademi artistike të përfunduar “Atliçno” (“Shkëlqyeshëm”) në Bashkimin Sovjetik. Më pas edhe një Papa tjetër, djalë xhaxhai por familjarisht i konsideruar si një vëlla, skulptori me akademi të kryer në Rumani, Vangjel Papa. Pasi ky i dha dorën e fundit busti u vendos në oborrin e madh para gjimnazit.
Kështu Berati, të cilit i mungonin ende mjaft imazhe artistikë të spikaturve të tjerë historikë të tij, u bë me dy pamje të Babë Dudë Karbunarës, njëri i gdhendur në mermer dhe tjetri i derdhur në bronc. Ky ishte momenti kur edhe një piktor i shumëtalentuar, Sotir Capo, i bëri një portret mahnitës.
Ndërkohë erdhi një ditë që gjetësi i heshtur i ditarit të humbur të Babë Dudës, mësuesi dijetar Vlash Papa, në 1974, nuk e mbante dot më stilografin në dorë dhe i thoshte njërit prej djemve, Dionisit, të prirë për studime historike, të hidhte në letër çfarë do t’i thoshte në plotësim të dy dosjeve historike të tij, të Beratit dhe të Jorgji Karbunarës.
Pas një viti paralize të dhimbshme mësuesi erudit Vlash Papa në 1979 ndërroi jetë. Dy pasuritë e tij intelektuale, dosjet e mësipërme, i ndanë si trashëgimi mes tyre të dy djemtë e prirur për historishkrim dhe letërsi, Viktori e Dionisi. I pari mori Babë Dudën, i dyti Beratin. Por Dionisi, autor i mjaft botimeve në revistën e specializuar “Studime Historike”, pati publikuar bashkë me një koleg të tij inteligjent, Xhovan Dyshniku, një vështrim historik të plotë mbi arsimin dhe shkollën në qytetin dhe prefekturën e Beratit në gjysmën e parë të shekullit të shkuar, përfshirë veçanërisht vitet e Rilindjes, kështu që Viktori e pati lëndë të dobishme për të hyrë në atmosferën e kohës dhe shkruar e botuar në 2002 librin “Babë Dudë Karbunara”. Këshillues profesional kishte historianin Hysen Kordha, studiues me emër shumë të mirë në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë.
Ditari i shpëtuar nga humbja e sigurt për t’u bërë kartë ambalazhi për ndonjë copë djathë apo fishek letre për të hedhur në të kripë apo sheqer, është botuar si pjesë e dytë, dokumentare e librit. Botimin e tij e pati ndihmuar financiarisht bashkia e qytetit. Ndërkaq në 20 dhjetor 2005 Vlash Papa u shpall “Nderi i qytetit”.

“Të jap peng unazën, më jep foton!”

Por kjo histori e çuditshme për fatin e rilindasit të njohur beratas nuk do të përfundonte këtu. Atij do t’i ndodhte edhe një humbje tjetër. Këtë herë më e madhe dhe më e dhimbshme: ajo e eshtrave.
Një mësuese tjetër me mëndje të ditur dhe shpirt luftarak është personazhi tjetër i këtij shkrimi: Parashqevi Sahatçiu, bijë e familjes Salepi. Mjaft e njohur për albumin historik më të plotë të Beratit, ajo, duke pasur natyrë të fortë protagonizmi, është ndodhur në qendër të mjaft ngjarjeve kulturore të qytetit, shumë herë veçanërisht tek historia që tanimë e kemi në rreshtat e para të rrëfimit tonë: fatin e eshtrave të Babë Dudë Karbunarës.
Në vitin 1969, ndërsa përveç si mësuese dhe drejtuese shkolle Parashqevia grumbullonte e koleksiononte pamjet e vjetra fotografike të Beratit, shkoi një ditë në Tiranë edhe tek shtëpia e Dhimitër Çanit, të cilin në fillore e kishte pasur mësues vizatimi dhe me të shoqen e tij, Netën, qenë mikesha. I duheshin, sa t’i riprodhonte, pamjet origjinale të ceremonisë në 1937 të përurimit të bustit të Babë Dudës në hyrje të qendrës së qytetit.
Ia parashtroi këtë skulptorit Çani, por ky, nervoz, e refuzoi prerë. Tha se në Berat ishte çelur gjimnazi me emrin e Babë Dudë Karbunarës dhe atë nuk e kishin ftuar. Shfryu edhe një ankesë tjetër për veprën tjetër të vendosur në Berat, Lapidarin e Dëshmorëve të Kombit, basorelievin e mermertë të së cilës, krijim i tij, e kishin lyer me gëlqere si një mënyrë dinake që të mos shihej dhe kështu të zbatonin një porosi politike të Enver Hoxhës, sipas të cilës lëvizja haxhiqamiliste e Shqipërisë së Mesme qe një revolucion fshatar përparimtar. Mirëpo Dëshmorët e Kombit të gdhendur në pllakën e mermertë, të shpallur si të tillë në periudhën e monarkisë, qenë pushkatuar prej drejtuesve dhe ndjekësve të kësaj lëvizjeje.
Parashqevia nuk ishte aspak përgjegjëse për këto gabime të kryera, madje në Berat me zbatuesit e verbër të direktivës qe ndeshur, por Dhimitër Çani nuk hiqte dorë nga refuzimi. Atëherë Parashqevia vuri në veprim mundësinë e fundit që kishte dhe e pati përdorur edhe në raste të tjera kur kërkonte përkohësisht fotografi të vjetra të Beratit: hoqi nga gishti unazën e saj martesore dhe ja zgjati skulptorit: “Mbaje dhe ma kthe vetëm pasi të dorëzoj fotot e marra hua!”
Tjetri nga habia pothuaj pati humbur të folurën. Si emigrant në SHBA në fund të viteve dhjetë e fillimi i dekadës tjetër, i ndihmuar prej vetë Fan Nolit të vazhdonte dhe përfundonte në Amerikë një shkollë për skulptor, frekuentues i pasionuar në Romë i shkollës së artit “British Academy of Arts”, ai me një tip të tillë si Parashqevia nuk qe takuar ndonjëherë.
Më në fund ia dha dhjetë fotot e atij përurimi, por duke e mbajtur unazën, edhe pse e shoqja kapte me duar faqet e saj dhe klithte “Pu-pu, na turpërove!” Sigurisht që pas disa ditësh fotot u rikthyen në duart e Dhimitër Çanit dhe unaza në gishtin e dorës së Parashqevi Sahatçiut.
Në vitin 1983 ajo do të rishfaqej në shtëpinë e skulptorit Çani për një nevojë tjetër, por që këtë herë kërkesa ngjante me një alarm. Bëhej fjalë për eshtrat e Babë Dudës ose më saktë për një fjalënajë që ishte ndezur papritur në Berat, sipas të cilës ato nuk gjendeshin në kala, tek ajodhima e kishës së Shën Gjergjit, ku edhe vërtet ndodhej varri, por qenë hequr prej andej në vitin 1937 dhe vendosur nën bazamentin e bustit të tij në hyrje të qendrës së qytetit. Dhimitër Çani e siguroi se nën këmbët e veprës së tij skulpturore nuk ishte vënë asgjë përveç dheut dhe betonit.
Mirëpo fjalënaja e përhapur nëpër Berat e kishte pasur një shtysë, madje të fortë, zyrtare. Në kala, pikërisht tek vendi i kishës së Shën Gjergjit, e braktisur që prej vitit 1967 kur në Shqipëri u ndaluan feja, faltoret dhe institucionet e saj, duke e përdorur atë dhe muret, do të ngrihej një Pikë Turistike e madhe, me dy kate të lartë. Do të tërhiqte për ta frekuentuar jo vetëm banorët e Beratit, vizitorët nga qytetet e tjera, por edhe turistët e huaj, të cilët vërtet qenë të paktë, por nga viti në vit, me që po ua çelnin dalëngadalë telin me gjemba të kufirit, në 1982 kishin kapur shifrën e pothuaj tre mijë vetëve, patjetër përfshi edhe marksistë-leninistët.

Asgjësimi i kishës së Babë Dudës

Kishte një strategji të posaçme të pushtetit politik të kohës që, duke ruajtur një pjesë të vlerave autentike historike të kishave dhe xhamive (siç në kala bënë me Katedralen, duke ngritur atje edhe një muze), gjithçka tjetër ta shfarosnin nëpërmjet zëvendësimit të tyre me godina për shplodhje dhe zbavitje. Që nga periudha bizantine në kështjellën e Beratit patën ekzistuar dyzetë kisha ose të paktën tridhjetë, siç shënojnë dy shekuj më parë udhëtarët e huaj. Aty përherë pati qenë selia e mitropolitit fetar ortodoks dhe ndërsa pjesa poshtë e Beratit quhej “qyteti tregtar”, ai në kala konsiderohej “qyteti fetar”. Tamam për t’iu kundërvënë kësaj simbolike nisi zbatimin projekti i ngritjes në kështjellë të Pikës Turistike ose më saktë ai i shfarosjes së Kishës së Shën Gjergjit.
Kjo nuk kishte të bënte me prishjen e varrit dhe zhdukjen e eshtrave të Babë Dudës. Patën kaluar mbi pesëmbëdhjetë vite nga shkulma e 1967-ës dhe në kishën në harrim e sipër dhe të braktisur, varret, edhe pse ende nuk shkeleshin prej kalimtarëve, por u kalohej anash, po i humbitnin shenjat e dallueshme. Asnjë rit në kujtim të të vdekurve nuk bëhej dot, përveç ndonjë sinjalizimi që dërgonin lart veprimtarë të Frontit Demokratik, sipas të cilëve herë pas here netëve, mbi varre, lëkundte flakën e zbehtë ndonjë qiri. Sidomos kur sipas kalendarit ortodoks ishte dita e Shën Gjergjit. Kisha me emrin e këtij të shenjti, çfarë siç e dini është edhe emri i kryeheroit tonë, Gjergj Kastriot Skënderbeut, varroste në tokën e saj vetëm ata banorë të kështjellës që e kishin emrin Gjergj, domethënë edhe Jorgji apo më modernisht edhe Xhoxhi. Apo Jorgaq e Gaqi. Siç e kemi saktësuar edhe më parë në këtë shkrim Jorgji Karbunara rrinte aty që nga viti 1917, i vendosur në ajodhimë, pjesa më e rëndësishme dhe më e nderuar e kishës, ndërtuar drejt lindjes, andej prej ku ndodhej Kostandinopoja apo dilte në qiell dielli.
Në ajodhimë ngjitur me varrin e babë Dudës ndodhej edhe një tjetër, doemos i një kleriku të lartë, i cili edhe ai duhej ta kishte pasur emrin Jorgji apo Gjergji, por në mbulesë, siç edhe tek ai i Babë Dudë Karbunarës, nuk ndodhej i shkruar asnjë emër apo mbiemër. Ndoshta nga koha qenë prishur, ca më tepër kjo e pritshme tek varri i Babë Dudës, një kornizë fare e thjeshtë betoni.
Pra autoritetet lokale të kohës, patjetër të ideologjizuar fort nga doktrina zyrtare, shndërrimin e kishës së Shën Gjergjit në Pikë Turistike nuk e bënë për të zhdukur edhe varrin e rilindësit, të cilin e nderonin shumë. Thjesht ata që rrinin në godinat e pushtetit, në qytetin poshtë, në një farë mënyre në qytetin politik të kohës, e patën harruar krejt që Babë Duda kishte një varr dhe brenda tij i rrinin eshtrat. Tufat me lule nuk çoheshin lart, në kështjellë, tek e padëshiruara për regjimin, kisha, por tek busti i mermertë në hyrje të qendrës së Beratit. Ai vend, që nga fundi i viteve tridhjetë, konsiderohej njëherësh përmendore dhe varr.
Kur filluan të ndodhin ngjarjet që çuan në humbjen e eshtrave të bashkëqytetarit të tyre simbol, viti 1984, në kala qenë të paprishura fizikisht të paktën dhjetë kisha: Katedralja, Shën Sofia, Vllaherna, Vangjelizmoi, Shën Todri, Shën Triadha, Kostandin Elena etj. Njiheshin si vende faljeje edhe disa minikisha, faltore të vogla, kthina të tjera në dhoma sekrete brenda shtëpive (ftesa “Eja të pish një kafe!” do të thoshte “Eja të ndezim një qiri e të falemi!”). Një pjesë e këtyre mikrokishave ja dolën të kapin edhe vitin 1990, rënien e të shkuarës ateiste.

Gjenden eshtrat, por...humbasin

Tjetërsimi i kishës së Shen Gjergjit filloi me vendosjen aty, në dy dhoma të vogla, të aparaturës së një antene televizive për të marrë sinjalin e radiotelevizionit italian, RAI, dhe shpërndarë me orar të ngushtuar poshtë në qytet. Por kjo nuk i pengonte familjarët e Jorgjëve që natën të vinin fshehur tek kisha dhe të ndiznin një qiri për pjesëtarët e tyre jetëndërruar. Atëherë, siç tashmë është bërë zakon të thuhet në politikë, me që nuk funksionoi Plani A, filloi ai B. Kisha, pa i hequr asnjë gur, u shndërrua në klub. Ishte mënyra më e shpejtë për të trembur qirinjndezësit. Në vend të priftit hyri një banakier dhe filloi të bënte kafe dhe të shiste kriklla me birrë, shoqëruar me meze djathi me ca hudhër, sepse për shkak të tufëzimit të bagëtive, një dështim që në orët e para, mish nuk gjeje gjëkundi. Me sa dukej kjo ishte edhe faza e përgatitjes psikologjike të banorëve të kalasë, bashkë me poshtërimin e kishës, për super restorantin e madh të ardhshëm në Pikën Turistike. Këtij tashmë po i bëhej projekti. Do të ishte me dy kate, duke përdorur për të parin muret ekzistuese të kishës, përfshi edhe harqet e brendshme, veç duke hequr çatinë.
Kështu që mbërriti dita e fillimit të ndërtimit. Ndërsa eshtrat e varreve pranë u morën prej familjarëve dhe u vendosën në varrezat e përqendruara publike, mbi ata dy të ajodhimës, që nuk kishin pasardhës, ranë sipër dherat e parë të punimeve. Sapo e mori vesh këtë Parashqevi Sahatçiu shkoi në muzeun e qytetit, por drejtori i tij ishte ngjitur në kala, pikërisht atje ku po punohej. Pati shkuar atje për të shoqëruar kryetarin e Komitetit Ekzekutiv, Dhimitër Brisku, i cili qe me traditë banor i kalasë.
Me një frymë, gati duke vrapuar, Parashqevia shkoi atje ku mund të ndodhte hataja, zhdukja e eshtrave të Babë Dudë Karbunarës. E tërhoqi mënjanë kryetarin, i vuri krahun dhe e çoi tek muri i ajodhimës, tashmë mbuluar prej një pirgu të madh dheu ndërtimesh. I tha “Këtu ke Badë Dudën! Do të na dënojnë brezat, ty dhe mua!” Tjetri u trondit, kërkoi shpjegim më të hollësishëm dhe thirri drejtorin e ndërmarrjes qytetëse të degës së Institutit të Monumenteve të Kulturës, Shuaip Manen. U vendos heqja e menjëhershme e dherave të hedhur, çfarë nuk nisi që atë javë dhe Parashqevi Sahatçiut të mbërthyer nga ankthi, iu desh një takim i dytë me kryetarin e Komitetit. Por në degën e Monumenteve qenë të përpiktë. Patën ndaluar hedhjen e dherave të mëtejshëm dhe po bënin planimetrinë e ndërhyrjes në varr për t’i siguruar eshtrat e Babë Dudë Karbunarës në gjendjen më të mirë të mundshme. U caktua për këtë operacion të specializuar më i miri që kishin, Xhoxhi Fani, edhe ky një me emrin të shenjtit të kishës, Jorgji. Ndërkohë dikush pati përhapur fjalë se pa një analizë antropologjike të paktën të kafkës nuk kishte siguri se atje, ku ngulte këmbë Parashqevi Sahatçiu, ndodhej me të vërtetë trupi i tretur i Babë Dudë Karbunarës.
Sidoqoftë Xhoxhi Fani i ndihmuar prej një punëtori dhe me në kokë Parashqevinë e hekurt, ndërkohë që herë pas here vinte për të ndjekur ecurinë edhe Shuaip Mane, pasi qenë më së pari hequr dherat deri sa më në fund doli varri, filluan hapjen e kujdesshme të tij. Qe shumë i thellë, mbi një metër. Më në fund trupi kockor doli i tërë. Ishte i pa shpërbërë, asnjë gjymtyrë e zhvendosur. Sikur të qe gati të mbushej sërish me mish njerëzor e të ringjallte Babë Dudën. Pranë skeletit nuk ndodhej asnjë objekt tjetër. Pritej ndonjë dokument i futur në kuti, mbase edhe një testament kulturor.
Pastaj eshtrat u pastruan një për një dhe Babë Duda i shpëtuar nga humbja nën tokë qe gati për në strehën e tij të re. Lexuesi tani me mendjen e vet thotë se kjo ishte çështja dhe puna më e lehtë: do të vendosej në një nga dy varrezat publike të Beratit, të cilat ishin pothuaj jashtë qytetit. Ose brenda tij në një kënd të dukshëm në hyrje të varrezave të Dëshmorëve të Luftës Nacionalçlirimtare. Pse jo edhe në çdo vend tjetër, edhe aty në kështjellë, në një terren të dallueshëm për të gjithë ardhësit nga trojet shqiptare dhe bota. Kalaje qe vendlindja e tij.
Por nuk ndodhi asgjë e tillë. Askush prej autoriteteve të larta të qytetit nuk pati shqyrtuar apo marrë ndonjë vendim se pas shpëtimit të eshtrave ku do të rifuteshin ato. Kështu punonjësi i degës së Institutit të Monumenteve të Kulturës për Beratin, i cili është edhe një skulptor mjaft i pëlqyer për krijimtarinë e tij artistike, Xhoxhi Fani, në mungesë të një riti shtetëror, bëri atë fetar.
Veprimin që u krye, e ndoqi pothuaj si e mpirë edhe Parashqevi Sahatçiu.
Riti ortodoks e kishte që pas zhvarrosjes së të vdekurit, e cila kryhej pas tre vitesh nga vdekja e tij, eshtrat i mbështilleshin në një qeskë pëlhure të bardhë, bekoheshin nga prifti dhe kur kishte një varr tjetër më të ri me ndonjë pjesëtar të familjes djalë, riviheshin atje, tek kembët e tij. Në rastet kur pasardhësit i qenë vajza dhe për pasojë të larguara nga vendlindja, siç edhe ishte Babë Duda, ato hidheshin në çimitero. Ajo qe një dhomë nëntokësore nën dyshemenë e ajodhimës, me dy vrima sipër, kapakët e të cilave hapeshin dhe prej andej hidhej pëlhura me kockat brenda. Një të tillë çimitero e kishte edhe kisha e Shën Gjergjit.
Pasi iu lut të ëmës t’i jepte një këllëf të bardhë jastëku, duke i thënë përse i duhej dhe pas kësaj duke marrë prej saj fjalët “Ndjesë pastë!”, Xhoxhi Fani i hodhi eshtrat e Babë Dudë Karbunarës në çimiteron e kishës së tij, ndërsa ajo tashmë po shndërrohej në një restorant të madh turistik.
Pak nga pak ky i fundit, mbi themelet e muret e kishës së Shën Gjergjit, ngriti katin e dytë, hodhi një çati të hijshme, ngriti shkallë të bukura për në verandën që shihte në mënyrë panoramike qytetin poshtë, pjesën e qendrës, dhe në këtë eufori suksesi të aksionit fe rrënues të nisur në 1967, dëshironin të hapnin edhe një kantinë verërash. Gjykuan se nuk kish më të mirë se ajo çimiteroja.
Hapën një vrimë atje ku duhej të qe faqja juglindore e saj, pas kësaj gërmuan në nëntokë, çanë murin dhe gjetën brenda dy pirgje shumë të larta me eshtra të pluhurosura të të gjithë Jorgjëve, Gjergjëve, Jorgaqëve apo Gaqëve për pothuaj dhjetë shekuj, sa edhe qe mosha e asaj kishe bizantine.
Dy grumbujt e eshtrave, pasi me ekskavator hapën pranë mureve të kështjellës një gropë të madhe, i hodhën atje dhe i mbuluan me dhe. Mes tyre, në pëlhurën që tashmë mund të jetë kalbur edhe pse qe e fundit e hedhura, por mund të dallohet më lehtë, rrinë edhe eshtrat e Babë Dudë Karbunarës.

Fund pa fund

Që atëherë kanë kaluar gati një çerek shekulli dhe askush nga ata që kanë fuqi shtetërore në Berat e më lart tij, nuk ka ngulur këmbë të bëjë punën e vyer para qytetit, vendit dhe vetë historisë, të gjetjes së kësaj shënje ekzistenciale të rilindësit Babë Dudë Karbunara, mësues i shquar i gjuhës shqipe, dijetar dhe firmues i aktit të shpalljes së Pavarësisë. Xhoxhi Fani e di vendin ku qindra e qindra Jorgjër janë hedhur e mbuluar me lagështi dheu.
Tërë kjo histori është plot kontradikta të çuditshme. Ndërkohë që në qendër të Beratit, në godinat kryesore të pushtetit të para nëntëdhjetës punonte në krye të partisë një Abdyl Pilafi që, pasi e kishte lexuar origjinalin, përkujdesej që ditari i Babë Dudës të mbeste në duart e familjes historishkruese Papa, kur një kryetar komiteti ekzekutiv, pasardhës i Dhimitër Briskut, ngulte këmbë t’u merrej e dorëzohej në muze, ku qe fare i pasigurtë, siç edhe periudha e trazuar 1991 e dëshmoi, në vitin 1997 u vodh në kala, tek rënojat e shtëpisë së Babë Dudës, të djegur nga pushtuesit turq, një basoreliev shumë i arritur i skulptorit Vangjel Peço. Ishte puruar në 1986. Po ashtu bustin e tij të mermertë në hyrje të qendrës së Beratit një mbrëmje të marsit 1997 disa të rinj nga ata që i kishte kapur pija dhe gjaku i vrasjeve, e mitraluan që prej verandës së një hoteli afër. Pastaj banda shkoi e mitraloi, gjersa shpërtheu anën e kënd vaji, transformatorin e kabinës elektrike të lagjes Mangalem. Kjo mbeti pa drita disa ditë.
Ndoshta për të na kujtuar se kockat i do në një varr, sepse ndryshe historia do ta kujtojë për keq këtë gjëmë po aq sa edhe ata bashkëkombës të paudhë të Musa Qazimit që e tërhoqën zvarrë nëpër rrugët e qytetit dhe e rrihnin, ndërsa qe 74 vjeçar, Babë Duda do të detyrohet disa autoriteteve t’u bëhet fantazmë.
Sigurisht në qoftë se nuk e prishin gjumin vetë sa më parë të jetë e mundur.

Ylli Polovina
Tiranë, më 8 qershor 2016


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com