Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Krisma në parlament
Foto: Krisma në parlament
VRASJA E AVNI RUSTEMIT NGA NJË MULLIXHI

(Botuar në gazetën “Shqiptarja.com” në 5 qershor 2016)

Por cili qe porositësi: Ahmet Zogu në Tiranë apo njerëzit e Nikolla Pashiçit në Beograd?

Admirina Peçi

Vazhdim i bisedës së djeshme me Ylli Polovinën, autorin e librit me të fundit të tij “Krisma në parlament”

-Në librin tuaj paraqiten shumë referime dokumentare për një prani mjaft të shtuar në Shqipëri, kryesisht në Tiranë, në Shkodër dhe në Durrës, të shërbimeve të fshehta të Mbretërisë Serbe-Kroate-Sllovene, siç quhej në vitin 1924 Jugosllavia.
-Kjo prani e shtuar posaçërisht shpjegohet me rrethanat: Tirana dhe Beogradi ndesheshin me çështjen e kufirit. Konferenca e Ambasadorëve Vermoshin, Shën Naumin ia kishte dhënë serbëve, ndërsa këta nuk i lëshonin. Shërbimet e fshehta jugosllave, sidomos ato të ushtrisë, patën marrë detyrë ta ndihmonin këtë proces mosdorëzimi dhe u mobilizuan për ta dëmtuar në mënyrë të pariparueshme imazhin e shtetit shqiptar dhe paraqitur si një territor ku sundon anarki e madhe, bën ligjin krimi i vogël dhe i madh, mbizotëron në mënyrë të vazhdueshme paqëndrueshmëria politike, se ai është bërë strehë e bandave ekstremiste bullgaro-maqedonase që kërcënojnë shtetet e tjera të Ballkanit. Duke qenë se të gjitha këto të meta fryheshin, për ta bërë gjendjen siç e dëshironin ata, e shkaktonin vetë. Në libër kjo është relativisht e provuar me të dhënat që i paraqes lexuesit, të siguruara jo vetëm prej Ministrit tonë Fuqiplotë në legatën shqiptare në Beograd, gjeneralit Ali Riza Kolonja, prej prefekturës së Shkodrës apo nga legatat italiane në Durrës dhe konsullata e saj në Vlorë, por edhe prej përfaqësive diplomatike britanike dhe franceze.
I quajturi Revolucion Demokratik i Qershorit 1924, për të cilin shkëmbyem dje mendim nga që e quaj jo të tillë, por një trazirë të sofistikuar politike, shpërtheu prej tre “dinamiteve”, të vendosura ngjeshur: brenda 56 ditëve. Secila nga këto mina për destabilizim total, shthurje tërësore të rendit apo rënie në luftë civile, qe rreptësisht e përllogaritur nga një qendër e specializuar për veprime të tilla. Që të treja janë në rol të qartë antishqiptar.
I pari ishte atentati kundër Ahmet Zogut, i cili prej ekzekutorit, të riut lavdikërkues Beqir Valteri, u krye qëllimisht tek shkallët e parlamentit. Zogu ato çaste qe një kryeministër legal i Shqipërisë, i zgjedhur dhe i votuar, sigurisht edhe me mënyra jo të gjitha të pëlqyeshme. Tre plumbat mbi të u shtinë para godinës më përfaqësuese të një shteti dhe kjo u bë për të përcjellë mesazhin e turpërimit njëherësh të dy simboleve të tij, qeverisë dhe parlamentit.
Po sikur të ndodhte që Ahmet Zogu të vdiste, siç kishte planifikuar atentatori, a nuk ishte e hapur rruga që përkrahësit e tij, pak në jug dhe shumë në veri, kur vetëm të armatosur të gatshëm në krah të beut të Matit qenë pothuaj njëzetë mijë vetë, a nuk do ta mbulonin këta vendin kryq e tërthor me zjarr e hekur?
Në rastin e Beqir Valterit nuk gjenden prova dokumentare se pas nxitjes së tij qëndrojnë edhe shërbimet agjenturore serbe, por rezultati i veprimit është tërësisht në favor të planeve të Beogradit.
Në librin tim, duke qenë se ky drejtim i hetimit është i papërfunduar me akuzë konkrete për palën jugosllave, nga çfarë paraqes rreth tentativës për të vrarë Ahmet Zogun, fajësohet opozita politike e drejtuar nga Fan Noli. Madje vetë Avni Rustemi. Në gjyq Beqir Valteri deklaroi se për veprën e tij e kishte shtyrë Avniu.
-Ndoshta jugosllavët nuk kanë dorë në këtë ngjarje sepse Ahmet Zogun e konsideronin më të afërt se Fan Nolin. Ky i fundit mes fqinjëve pati zgjedhur si pikë mbështetëse rivalët e serbëve, italianët. Këtë kuptoj nga libri juaj.
-Zogu u duhet shumë jugosllavëve dhe pas tyre vetë britanikëve. Ai u kishte premtuar anglezëve naftën shqiptare. Ndërkohë atentati ndaj kryeministrit u krye si një imitim i keq, vulgar, i aktit heroik të Avni Rustemit kundër Esat Pashë Toptanit në mes të Parisit. Them “imitim vulgar”, sepse në mënyrën e kryerjes nuk shoh ndonjë dorë profesionistësh, siç janë agjenturat. Ka të ngjarë që spiunët jugosllavë në Tiranë ta kenë marrë vesh lajmin e përgatitjes së atentatit kundër kryeministrit dhe vetëm e kanë ndjekur ngjarjen nga larg. Kaq u interesonte në këtë rast: shqiptarët të hanin kokën e njëri-tjetrit.
Por ndërkohë vrasja e dy amerikanëve, e cila ndodhi pas 42 ditësh nga atentati kundër Ahmet Zogut, i ka të gjithë treguesit se është vepër e shtyrë prej Beogradit. Objektivi i saj i përhershëm, përkeqësimi i imazhit ndërkombëtar të Shqipërisë, synonte edhe rrënimin e mbështetjes amerikane për të. Adhurimi i shqiptarëve për SHBA dhe presidentin Uillson këto çaste qe kulmor, deri në krijim kënge mbarë popullore. Të mos harrojmë se Uillson në Konferencën e Paqes në Paris, në gjysmën e dytë të vitit 1919, e mbrojti vendin tonë prej gjëmës së copëtimit.
Kjo minë shpërthyese, vrasja në Mamurras e dy qytetarëve amerikanë për shumë arsye që i rrëfej në libër, mbi të gjitha maturisë gjithëshqiptare, nuk funksionoi fare. Bëri blof.
Ja pse gjykoj se dinamiti i tretë, vrasja e Avni Rustemit, “bie erë” më shumë se dy përpjekjet e para, të një vepre agjenturore.
-Mos kjo që po thoni përbën një shfaqje të një prirje të shumëpërhapur në median dhe në opinionin tonë, ku të gjitha vdekjet e politikanëve, edhe kur janë natyrale ose fare prej motivesh të thjeshta, ndërlikohen nëpërmjet teknikës së konspirimit?
-Pikëpamjen time nuk e paraqes si kategorike, por si njërën prej shpjegimeve. Avniun e vranë ndërsa atë ditë do të shkonte në Legatën Amerikane. Ai kishte kërkuar vizë për të shkuar në Shtetet e Bashkuara, ku do të takohej me diasporën. Prej saj do të merrte fonde për shoqatën “Bashkimi”, të cilën e pati krijuar dhe e drejtonte vetë. Po ashtu do të themelonte nëpër qytetet kryesore amerikane edhe degë të saj. Nuk shihni këtu ndonjë lidhje, qoftë edhe të zbehtë, me qëllimin jugosllav për të rrënuar idilin e marrëdhënieve të shqiptarëve me SHBA?
Po ju bëj edhe një pyetje tjetër: a e dini që Avni Rustemi qe deputet i prefekturës së Kosovës, e cila brenda kufirit tonë përbëhej nga banorë të Hasit, të Tropojës dhe të Kukësit? Kjo “Kosovë paralele” asnjëherë nuk i ka pëlqyer Beogradit.
Ndërkohë, duke bërë edhe një pyetje të tretë: pse Avniu u vra në mënyrë banale, jo prej një kundërshtari politik apo prej një “dikushi”, siç edhe vetë Avniu qe kur shtiri mbi Esat Toptanin? Avniut iu mor jeta prej një personi të rëndomtë, prej një mullixhiu, adhurues i pashkollë, siç u tha, i Esatit dhe pikërisht për këtë arsye edhe marrës haku për vrasjen e tij në Paris.
Këto lloj vrasjesh, të cilat konsiderohen mjaft të sofistikuara dhe mjaft të vështirë për të kërkuar dhe gjetur porositësin, janë vepra specialistësh. Ahmet Zogu, për shembull, qe i aftë për të tilla veprime. Me këtë teknikë pas një viti njerëzit e tij do të vrisnin në qytetin e Barit në Itali Luigj Gurakuqin. Por ndërsa e kontrollonte mirë pushtetin në Tiranë, me qeveri të kryesuara prej miqsh e ndjekësish të tij (pas Shefqet Vërlacit kryeministër qe Iljaz Vrioni), përse do t’u krijonte atyre probleme, qoftë edhe për t’u thënë, siç rëndom është shpjeguar, se për ta bërë të qëndrueshëm rendin publik, si dorë e fortë, duhej të vinte ai në krye të vendit?
Ahmet Zogu patjetër e ka dëshiruar vrasjen e Avni Rustemit, sidomos kur në një takim që bëri në burg me Beqir Valterin, pas atentatit kundër tij, ky i tregoi se e pati shtyrë për ta vrarë Avniu, por beu i Matit qe tepër i duruar për të pritur çastin e duhur. 20 prilli 1924 nuk qe rasti i tij. I njerëzve të Nikolla Pashiçit në Beograd po.

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com