|
Foto: .jpg | 1924, NJË REVOLUCION I TËRË PËR TË HUMBUR SHËN NAUMIN
(Botuar në gazetën Dita në 30 maj 2016)
Ali Riza Kolonja, para vitit 1912 gjeneral i ushtrisë perandorake turke, në 1920, në Kongresin e Lushnjes, zgjedhur ministër i Luftës dhe kryetar i Shtatmadhorisë, në motet 1922-1923 përfaqësues i Shqipërisë në Komisionin e Kufijve, prej këtu emëruar nga kryeministri Ahmet Zogu drejtues i Legatës Shqiptare në Beograd, në 8 mars 1924 mes të tjerash i raportonte Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë këtë mesazh: Qeveri e Belgradit, në lidhje me demarshet e saj të mëparshme, bëri përsëri tashti përçapje të reja pranë Konferencës së Ambasadorëve për të dhënë pa vonim një vendim mbi pikat e kontestuara të kufirit shqipëtaro-jugosllav në Vermosh dhe Sh. Naum, që kur të arijë më 1 maj komisioni kufinor në Shqipëri të mos presë më kot, po të fillojë nga puna tue zbatuar në vent vendimin relatif të Konferencës.
Çuditërisht në 1 maj, pak orë pasi qe bërë në Vlorë, mes një ceremonie funebre të shndërruar në miting shumë të madh politik, varrimi i Avni Rustemit, në Shqipëri protesta paqësore e opozitës së drejtuar nga Fan Noli, Barjam Curri, Luigj Gurakuqi e të tjerë, filloi të armatosej dhe duke u përleshur me ushtrinë qeveritare sulmoi njëri pas tjetrit qytetet kryesore të vendit. Kështu e mori pjesë-pjesë pushtetin lokal dhe për ta zotëruar atë qendror hyri në Tiranë me pushkë në dorë në 10 qershor.
Në 16 qershor Noli njoftoi përbërjen e kabinetit të tij qeveritar, në datën 19 shpalli programin e saj me 20 objektiva. Ndërkohë në gusht Fan Noli duhej të ishte në Gjenevë, në mbledhjen e radhës së Lidhjes së Kombeve, ku do të diskutohej edhe për çështjen e kufinjve shqiptaro-jugosllavë. Kjo nuk qe punë e lehtë.
Një vit më parë, në 17 qershor, në Lidhjen e Kombeve qe vendosur që çështja e Vermoshit në Malësinë e Madhe, por mbi të gjitha e Shën Naumit buzë liqenit të Ohrit, të paraqitej për zgjidhje përfundimtare në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës.
Ky në parim ishte një skandal i madh ndërkombëtar, sepse në 6 dhjetor 1922 Konferenca e Ambasadorëve pati këmbëngulur dhe vendosur që Shën Naumi të mbetej në territorin e shtetit shqiptar.
Rikthimi në gjykatë i këtij vendimi qe shenjë e plotë e një presioni në revansh i Beogradit mbi Tiranën, madje duke dalë edhe kundër Anglisë e Francës, të cilët qenë për altenativën e Konferencës së Ambasadorëve. Ofensiva jugosllave e periudhës prill-qershor 1923 është me të vërtetë një nga më të pashoqet për forcën e organizimit dhe të realizimit.
Ndërkohë qeveria pluraliste e Tiranës bëri një notë kundërshtimi. Porositi edhe legatata e saj nëpër vendet më kryesore të bënin propagandë mediatike në favor të një Shën Naumi shqiptar. Beteja për të zotëruar përfundimisht manastirin ortodoks u ashpërsua dukshëm në fund të vitit 1923.
Në 1924 të dy palët, Beogradi dhe Tirana, hynë në këtë gjendje të lartë tensioni dhe kryen përleshjen më të madhe diplomatike e mediatike. Ra në sy që Mbretëria Serbo-Kroato-Sllovene, siç atë kohë thirrej ajo Jugosllavi, po punonte non stop dhe me çdo mjet të mundur, duke përfshirë të tëra strukturat e saj shtetërore, gazetat, kishën, lidhjet e diasporës së vet nëpër botë si edhe elitën e saj intelektuale.
Kur në Tiranë në vitin 1924, më problematiku pas motit trazues e të paqendrueshëm 1913, për çështjen e ruajtjes së territorit qe shumë e nevojshme rendi publik i fortë dhe bashkëpunimi i frytshëm mes partive dhe politikanëve, ngjau tepër qartë e anasjella, krejtësisht e kundërta. U krijua gjendja e trazirës totale.
Si të qenë masa dinamiti të vendosura nga e njëjta dorë në objektet më të ndjeshme, brenda 56 ditësh shpërthyen tri ngjarje destabilizuese: në 23 shkurt u tentua të vritej tek shkallët e parlamentit kryeministri, Ahmet Zogu, në 6 prill u vranë në Mamurras, tek udhëtonin nga Tirana për në Shkodër, dy qytetarë të vendit më të madh mbështetës të sovranitetit të shqiptarëve, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe në 20 prill u godit me plumba dhe ndërroi jetë, Avni Rustemi, politikani më i famshëm në vend, nacionalisti mit, njeriu që kishte ndëshkuar me vdekje më ne mes të Parisit Esat Pashë Toptanin. Ky, dihej edhe atëherë, kishte qenë mjaft bashkëpunues me Beogradin në kurriz të integritetit të tokave autoktone shqiptare.,
Jugosllavo-serbët tërë vitin 1924 sulmuan në mënyrë të përqendruar, për ta rënuar, imazhin e Shqipërisë, duke e paraqitur si shtet tipik në anarki të përhershme, me paaftësi të theksuar vetëqeverisëse, po ashtu si territor ku stërviteshin grupe terroriste bullgaro-maqedonase për të destabilizuar tërë Ballkanin.
Aksioni i opozitës politike të Fan Nolit me marrjen e pushtetit me forcën e armëve dhe për pasojë jo legjitim, i dha mundësi Beogradit të akuzojë se në Shqipëri po shkohej edhe më tej: po vendosej regjimi komunist bolshevik. Kjo ua lehtësoi rrugën për marrjen e Shën Naumit.
Ca më tepër që në kryeqytet, në hotelin Bristol, serbët kishin kartën tjetër të lojës së bixhozit të tyre diplomatik: Ahmet Zogun. Atë, në këmbim të manastirit mbi liqenin e Ohrit, e ndihmuan për ta sulmuar me dhunë qeverinë Noli.
Ky, i mbajturi peng nga Beogradi, nuk ua vonoi dorëzimin e Shën Naumit.
Ylli Polovina
Tiranë, më 28 maj 2016
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|