Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

.jpg
Foto: .jpg
FAN NOLI BËRI POLITIKË ME PUSHKË APO ME FLAUT?


Përse Revolucioni Demokratik Borgjez i Qershorit 1924 nuk është as revolucion, as demokratik dhe as borgjez?
Pse çfarë ndodhi në 1924 të kujton, si dy pika uji, çfarë ngjau në Shqipëri në vitin 1997 dhe në 1998?
Libri më i ri i Ylli Polovinës “Krisma në parlament”

(Botuar në gazetën “Dita” në 28 maj 2016)

Nëpërmjet librit “Mig 19-97”, të botuar në 1999, autori ka përshkruar trazirën politike të vitit 1997. Rrëmujën pasardhëse, të motit 1998, e paraqiti në vitin 2003 nëpërmjet librit “Kur u vra Azem Hajdari”. Këto ditë, me “Krisma në parlament”, Ylli Polovina ka përshkruar kronikën e atij që ndodhi në qershor 1924.

Bisedë e gazetarit Zylyftar Hoxha me Ylli Polovinën.

-Çdo libër ka historinë e vet të krijimit. Si është ajo e “Krisma në parlament”?
-Pasi në 2013 botova librin “Zog pse ike”, ku e vëzhgoj në provën e tij më të madhe para historisë dhe kombit, agresionin fashist italian të prillit 1939, i lejova vetes të shoh nga afër edhe rivalin e tij më të spikatur, Fan Nolin. Ky, jo si Ahmet Zogu, që ka vetëm një profil, atë të politikanit, zotëron edhe një dhunti të intelektuale të përmasave të jashtëzakonshme. Gjithsesi në “Krisma në parlament” Nolin e vëzhgoj vetëm si politikan. Jam përqendruar tek pika e tij më shprehëse dhe po ashtu përgjithësuese: tek i quajturi Revolucion Demokratik Borgjez i Qershorit 1924.
-Përse e emërtoni këtë revolucion si i quajturi etj., etj.?
-Sepse nuk është as revolucion, as demokratik dhe as borgjez.
-Por ndërsa mendoni kështu dhe kjo është e drejta juaj, përse nuk i thatë “i ashtuquajturi revolucion...”?
-Sepse ky i fundit është emërtim qëllimisht përbuzës dhe është lëshuar të mbështesë pikëpamjen e disa mjediseve ekstremisht të politizuara djathtas, sipas të cilës ajo ngjarje qe një grusht shteti. Nuk është aspak e tillë. Përbën një ngjarje shoqërore shumë të rëndësishme të jetës dhe të zhvillimit të shqiptarëve. Rivlerësimi i saj, duke i hequr edhe cipën ideologjike staliniste me xhupin e të cilës u vesh dhe u ngjesh si revolucion demokratiko-borgjez gjatë gjysmëshekullit të para nëntëdhjetës, më dha mundësinë ta paraqes atë më të plotë në madhështinë e vet historike.
-Ju mendoni se kush ka besuar deri tani që ajo ngjarje ishte revolucion duhet të heqë dorë prej këtij termi?
-Aspak. Secili ka mendimin e vet. Libri “Krisma në parlament” sjell një shumësi dokumentare që provon se ajo e cila ndodhi prej fillimit të qershorit deri në dhjetor 1924 nuk qe revolucion.
-Por a keni ju një term të përshtatshëm për këtë ngjarje?
-Në libër figurativisht e quaj “yryshrevolucion”, pra një veprim politik të ngutur, jo të kryer në kohën e duhur dhe me mjetet e duhura. Për këtë emërtim metaforik kam përdorur parullën e tij kryesore, e cila qe një thirrje e vetë Fan Nolit: “Yrysh mbi feudalizmin!”
Në terminologjinë e drejtpërdrejt, atë reale, e konsideroj si “trazirë politike”.
-Mund t’ia shpjegoni më mirë lexuesit?
-Historia e Shqipërisë nuk ka asnjë revolucion të mirëfilltë, ndërkohë që është e tejmbushur me luftë të dhunshme për pushtet. Në marrjen dhe moslënien e tij në mënyrë demokratike është konsumuar, ku më shumë dhe ku më pak, shkaktimi i trazirave, çfarë jo rrallë bëhet e lehtë nga keqqeverisje të brendshme si edhe prej ndërhyrjeve të palodhura të shteteve apo qarqeve që duan shqiptarë të përçarë dhe të dobët në Ballkan.
Kështu këto trazira të provokuara prej shtytësve të tyre janë maskuar dhe tregtuar në opinion si revolucione. Ndërkohë duhet theksuar se elementë revolucionarë të dukshëm ka Rilindja, periudha e pluralizmit të parë që nis me Kongresin e Lushnjës dhe lartohet në fund të vitit 1923 me zgjedhjet relativisht të lira, duke u shfaqur më e fortë deri në qershor 1924, kur shumëpartitizmi pëson goditje, sepse demokracia në gjashtë muajt pasardhës kufizohet për t’i çelur më pas, si bumerang, udhën goditjes më të rëndë: vendosjes së diktaturës dinake të Ahmet Zogut. Siç e dini, në këtë shteg të hapur nga brenda, por edhe të imponuar nga jashtë, diktatura tek ne fitoi revansh edhe më të madh pas vitit 1944. Ndërsa lufta nacionalçlirimtare, e prirë nga PKSH, shkroi faqe të lavdishme, ajo që u krye, i fshehur prej saj, si “revolucion socialist”, nuk qe tjetër veç një trazirë e paketuar dhe e disiplinuar me disa dogma marksiste-leniniste.
Një tipike trazirë e shkaktuar nga lufta e brendshme për pushtet ishin ngjarjet e vitit 1997, të cilat ndonjëherë edhe i kanë quajtur si “revolucion demokratik i vonuar”. Në vitin 1998 u provokua një trazirë tjetër, e cila mund të konsiderohet një nga më banalet e historisë sonë.
Dua të them se as 1924, as 1944, as 1997 dhe 1998, as të tjera më të imta para dhe pas këtyre datave, edhe pse bashkohen tek termi “trazira politike”, nuk janë të njëllojta, për rrjedhojë të përsëritshme në formë. Mbeten të afërta në frymë. Janë mënyra të forta për të rrëzuar rivalët nga pushteti. Ndërkohë këto trazira që nuk u bënë dot evolucione normale, kanë elementë pozitivë. Më të dukshëm i ka 1924-ta.
-Po Lëvizja Studentore?
-Nisi si një revolucion shoqëror modern që të krenon, më vonë, pas fitores së plotë në mars 1992, u vu nën kontroll dhe u shndërrua në inerci pushteti të tipit të trazirës, çfarë do të thotë kur sundon metoda e përdorimit të forcës për ta mbajtur pushtetin politik.
-Ndoshta kjo është arsyeja që duke lexuar librin tuaj shumë ngjarje të ndodhura në 1924-ën më kujtuan vitet 1997 dhe 1998.
-Libri për këtë punë e shkrua dhe u botua: nëpërmjet ngjashmërisë tronditëse të këtyre tre viteve, 1924, 1997 dhe 1998, ta bëjë lexuesin të shqetësohet për vazhdimësinë kokëforte të përdorimit të metodave të ushtrimit të forcës dhunuese në politikë. Këtë libër e publikova, falë edhe kontributit e kujdesit të shtëpisë botuese “Botart”, sepse mendoj se që prej më shumë se dy vitesh ndërrimi qeveritar, po përgatitet një “yryshrevolucion” tjetër, ai i radhës, pra një trazirë e re. Por për historinë ajo do të përfundojë në lëndë estrade.
Të lutem, Zylyftar, le të kthehemi tek vetë çfarë përmban libri!
-Patjetër. Biseda është e hapur.
-Në libër fillohet me 23 shkurtin 1924, kur u krye nga Beqir Valteri atentati kundër Ahmet Zogut tek shkallët e parlamentit, vijohet me vrasjen në 6 prill të dy turistëve amerikanë Robert Coleman dhe George de Long, ngjarjet shkojnë hovshëm me tej me atentatin ndaj Avni Rustemit në 20 prill. Të tre këto shpërthime për rendin publik të vendit më të fortë, ndodhën në më pak se një muaj. Gati si të vëna prej një dore organizative. Opozita politike e revoltuar nga vrasja e eksponentit të saj të shquar fillimisht protestoi paqësisht, por shumë shpejt e shndërroi veprimin politik në kryengritje të armatosur. Me forcën e pushkëve dhe topave u morën njëri pas tjetrit disa qytete, duke e mbyllur më në fund marrjen e dhunshme të pushtetit me hyrjen në Tiranë. Me rrëfimin e kësaj periudhe përfundon edhe “Krisma në parlament”, ndërkohë që jam duke shkruar pjesën e dytë, atë të quajtur përkohshëm “Qeverisje me flaut”. Kjo ka gjashtë muajt e qeverisjes Noli.
-Çfarë të veçantë profesionale ka “Krisma në parlament”?
-Libri përbëhet nga tre linja, të cilat ecin paralel deri në faqen 200 ku ai mbyllet: ajo e protestës së opozitës dhe e kundërveprimit qeveritar, vrasja e dy amerikanëve dhe mobilizimi popullor për kapjen e kriminelëve, po ashtu çfarë ndërkohë, sipas raportimeve shumë interesante nga Beogradi të diplomatit tonë Ali Riza Kolonja, ndodh në kryeqytetin jugosllav, vatrën me agresive të ndikimit në trazirat në Shqipëri.
Libri është shumë dendur i dokumentuar dhe mjaft intensiv në paraqitjen e të dhënave, ai ka 56 kapituj, çfarë do të thotë mesatarisht më pak se katër faqe për secilin prej tyre. Risi, mendoj, është edhe portreti që kam krijuar, falë burimeve të reja informative, i Avni Rustemit, spikatja e një profili të tij intelektual dhe liberal.
Me pak fjalë edhe pse jam këmbëngulës që i quajturi Revolucion Demokratik Borgjez i Qershorit 1924 nuk është as revolucion tipik, as mirëfilli demokratik apo borgjez, jam përpjekur të zbuloj dhe paraqes me ngjyra dhe vlera më të ndritshme një ngjarje të rrallë dhe të vyer të historisë tonë

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com