Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

RAMIZ ALIA “KAFSHON” MEHMET SHEHUN, POR NUK LË T’I DUKEN DHEMBËT


Kush e mbronte Hysni Kapon në spitalin “Broussais” të Parisit

Shkrimi i tretë

(Botuar në gazetën “Shqiptarja.com” në 22 maj 2016)

Marrja nga arkivi i spitalit parisian “Broussais” i dosjes mjekësore të Hysni Kapos, e mbetur atje që prej më shumë se një viti (27 shtator 1979-17 nëntor 1980) dhe dërgimi në Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë, tek vetë titullari i saj Nesti Nase, duhet të ketë qenë tërësisht nismë e vetë Kujtim Hysenajt, të Ngarkuarit me Punë në Ambasadën Shqiptare në Francë. Po të qe pjesë e ndonjë loje grupesh brenda udhëheqjes së lartë të Partisë së Punës të Shqipërisë, ai do të kishte pasur më vonë pasoja.
Por karriera e tij rodhi pa asnjë incident politik.
Ndërkohë në rast se ajo dosje do të qe kërkuar prej Enver Hoxhës, Mehmet Shehut apo Ramiz Alisë, Nesti Nase nuk do të guxonte ta mbyllte atë në arkivin e ministrisë së vet.
Po ashtu prania e kësaj dosjeje në klinikën “Broussais” për më tepër se një vit nga ndërrimi jetë i Hysni Kapos dhe njëkohësisht e formuar dhe e plotësuar përditshëm gjatë të paktën shtatë javëve që udhëheqësi komunist shqiptar qëndroi për kurime, e bëjnë shumë të çuditshme dhe jo racionale nivelin gjer në absurd të mbajtjes sekret.
Në këto rrethana qe e pamundur të mos rridhte informacion, qoftë edhe pa prapaqëllim.
Në Shqipëri Kapo ishte politikani me peshë më të madhe pas Enver Hoxhës, në një farë mënyre qe, në raste të papritura, zëvendësi i tij i sigurt, i padiskutueshëm. Për shkak të një roli tepër të veçantë gjeostrategjik të vendit tonë mes Lindjes dhe Perëndimit, kampit socialist dhe demokracive kapitaliste, NATO-s dhe Traktatit të Varshavës, përmasa e rëndësisë së Hysni Kapos dhe e peshës së ndikimit të tij edhe jashtë kufijve, shtohej shumë.
Pas infarktit të rëndë që Enver Hoxha kaloi në dhjetor 1973, çast prej të cilit në udhëheqjen e epërme të PPSH-së shpërtheu, në luftën e brendshme për pasardhësin, një kasaphanë e vërtetë me likuidime fizike të ndërsjella, vëmendja dhe ndërhyrja e fuqive të interesuara për ta vënë apo mbajtur nën kontroll tokën e shqiptarëve, u shumua fort. Kështu, mes të tjerash, mori rëndësi të madhe cili person do të bëhej fitimtari, për pasojë kush nuk do të kositej nga plumbi i skuadrave shtetërore të pushkatimit.
Bilanci i kacafytjes në verë 1979 Enver Hoxhën e dëshmonte ndërsa rezistonte mirë dhe në pamundësi të dinte çfarë po ndodhte mes popullit, mjedisin përreth, atë të personave në krye të qeverimit, e përgjonte si skifter, non stop.
Hoxha, përveç këtij regjimi vigjilence, qe edhe një njohës shumë i mirë i luftës për pushtet dhe i vetë karakterit njerëzor. Në verë 1979, kur pas kurimit në Paris të Hysni Kapos për infarkt të zemrës, çfarë ishte situatë shëndetësore e kalueshme, ndodhi që bashkëpunëtorit të tij të topsigurisë iu shfaq një sëmundje tjetër e rëndë, ai menjëherë këmbënguli dërgimin e tij tek vendi më i garantuar për kurim mjekësor i udhëheqjes komuniste shqiptare: në Francë.
Hoxha kishte besim tek shteti, i cili, duhet thënë, qe model në marrjen dhe kryerjen e masave të sigurisë për personat tepër VIP të vendeve të tjera, pa dyshim duke përfshirë edhe Shqipërinë, të cilën, të paktën në parim apo formalisht, e drejtonte një frankofon.
Për udhëheqësit tepër të lartë të shteteve të tjera autoritetet franceze, pas kërkesës më të thjeshtë të ambasadorit të vendit përkatës, vinin në lëvizje një skuadër me specialistë sigurie fizike deri në trembëdhjetë vetë. Zakonisht dy apo tre prej tyre qenë të dukshëm dhe pjesa tjetër e pakapshme prej syrit të zakonshëm.
Të gjithë rrëfyesit e qëndrimit të dytë shtatëjavor të Hysni Kapos në Paris kanë rrëfyer si e ruanin atë me forcat e veta, me miq të Shqipërisë apo marksistë-leninistë, por asnjëherë nuk e kanë shtruar penën e tyre për të hedhur edhe disa radhë rreth kontributit të vendit pritës.
Sipas rregullit më elementar të raporteve ndërkombëtare që prej çastit kur një udhëheqës tepër i rëndësishëm i një vendi hyn në territorin e një shteti tjetër, është ky i fundit garanti dhe përgjegjësi për moscenimin fizik të tij.
Hysni Kapon në spitalin e Parisit nuk mund ta prekte njeri jo vetëm sepse policia franceze kishte thirrur dhe i pati paralajmëruar një për një të gjithë shqiptarët radikalë antikomunistë që të mos e trazonin, por edhe sepse në klinikën “Broussais” komandonte miku më i madh i Enver Hoxhës në Francë, mjeku me famë përtej shtetit të vet, Pol Miliezi.

Kadri Hazbiu drejton fshehtësinë që nga Tirana

Spitali “Broussais” qe ndërtuar nga shteti francez për të përballuar masën e shumtë të të sëmurëve prej një epidemie tifoje të ngjarë në vitin 1882. Ai u ngrit me shpejtësi të madhe, brenda dy muajve dhe një dite (10 gusht-31 tetor 1883) në një sipërfaqe prej 27.000 metrash katrore. Por ndërkohë epidemia pati kaluar dhe shumica e dhomave të tij të shtrimit mbetën bosh. Në shkurt 1885 spitali mori emrin e mjekut ushtarak francez François Broussais (Fransua Brusé). Në shekullin pasues, mes viteve 1925-1935, ai nisi të profilizohej me ekipe radiologjike. Më vonë i hapi udhë kirurgjisë së përgjithshme edhe sidomos asaj për organet e brendshme të aparatit tretës. Pol Miliez (Paul Milliez) hyri në këtë klinikë në vitin 1946 si ndihmës i profesorit René Israël, duke krijuar një qendër për kurimin e sëmundjeve të tensionit arterial. Në fushën e kurimit nëpërmjet operacioneve të zemrës, të veshkave dhe të realizimit të transplanteve, spitali “Broussais” hyri pas vitit 1950. Kjo është edhe periudha e shkëlqimit profesional të emrit të Miliezit.
Pra kjo klinikë ishte “shtëpia” e këtij personi mjaft të sigurt në besnikërinë e tij ndaj Enver Hoxhës. Ndërsa mjekët e tjerë francezë, sipas ditarit të mbajtur nga ministri i Shëndetësisë Llambi Ziçishti, i pranishëm në të gjithë shtatë javët e qëndrimit (deri në vdekje) të Hysni Kapos në Paris, nuk pajtohen dot me regjimin e tejskajshëm të sekretit, doktor Pol përpiqet të bjerë dakord. Kur mbërriti Kapo në klinikë ai qe, për shkak të një gjendjeje jo të mirë të shëndetit, me pushime jashtë Parisit, por më vonë erdhi. Kjo ndodhi në datën 16 gusht, çfarë do të thotë nëntë ditë pas mbërritjes së Hysni Kapos dhe tetë njëzetë e katër orëshe mbas operacionit radikal.
Pikërisht në ditën e pranisë së tij të parë tek Kapo, siç pohon Ziçishti, Pol Miliezi “Ishte shumë i dëshpëruar, aprovoi të gjitha veprimet si dhe mbajtjen sekret të çështjes”. Ky qëndrim i tij ndeshet i zbatuar edhe tek personeli i spitalit, sepse në datën dhjetë maj Llambi Ziçishti shkruan se “Ruhemi shumë që të mos dalë ndonjë fjalë nga personeli. Gjer tani nuk ka dalë asgjë”.
Por pikërisht atë ditë pati ngjarë e papritura: lajmi i pranisë së Hysni Kapos në Paris kishte marrë dhenë. Sipas ministrit shqiptar të Shëndetësisë doktor Miliezi atë 16 gusht 1979 “ishte i indinjuar për lajmin e dhënë në \"Lë Mond\", lidhur me shtrimin e pacientit”.
Sipas doktor Zabit Brokaj dhe një interviste të tij të datës 9 prill 2016, “...ndonjë javë a dhjetë ditët e para të shtrimit të Hysniut, “Le Monde”, gazeta më e madhe franceze dhe një nga më të mëdhatë e botës, shkroi: “Le deuxieme de l’Albanie a Paris” (“I dyti i Shqipërisë në Paris”). Në shkrimin shoqërues flitej se ai, pra Hysniu, kishte mbërritur në Paris për probleme shëndetësore e të tjera. Në këto rrethana nuk mund të bëhej fjalë më për sekrete”.
Por regjimi i topfshehtësisë, edhe pas lajmeve të shumëfishuara në median radiofonike dhe televizive franceze, vijoi dhe herë pas here Llambi Ziçishti pohon në ditarin e vet se mban lidhje të vazhdueshme dhe merr porosi të drejtpërdrejta nga Kadri Hazbiu.
Ai nuk i thotë cilat qenë ato porosi, por duket sikur kurimi i Hysni Kapos kryhet si të jetë mirëfilli një mision shërbimesh të fshehta.

Fraza e pazemërt e Alisë: “Më në fund ndodhi ajo që pritej!”

Çuditërisht regjimi i shtrënguar i sekretit shtetëror, i cili thuhej se “ishte porosi nga udhëheqja”, kishte përfshirë edhe të drejtën e familjes, të Vitos dhe djalit e vajzës së çiftit Kapo, për t’u informuar mbi gjendjen reale të bashkëshortit dhe babait të tyre. Kështu rëndimi i përshpejtuar i gjendjes së Hysni Kapos si edhe rënia në komë dhe pas dyzetë e tetë orësh, në 23 shtator, edhe vdekja e tij, i përmbytën si të qenë dallgë kataklizmi. Ca më shumë u traumatizuan nga që lajmin e kobit morën në një mënyrë që edhe tani lë pas ankth.
Vdekjen e të dashurit të tyre ua komunikoi Ramiz Alia me fjalët “Më në fund ndodhi ajo që pritej!”
Mes qindra varianteve për ta formuluar një lajm mortor, ky është më i papërshtatshmi, më pa pangushëlluesi, më i padali nga zemra dhe më ciniku po ashtu. Shqiptarët, si tërë popujt, kanë për kësi rastesh formulime të mahnitshme. Alia fare thjesht mund të përdorte njërin prej tyre: “Shoku Hysni na la”.
Aq brutale, por edhe dyshimngjallëse ishte fraza “Më në fund ndodhi ajo që pritej!” sa që edhe ministri i Shëndetësisë Llambi Ziçishti në ditarin e vet e ka shkruar me bojë të kuqe dhe e nënvizuar me dy vija të pashkëputura.
Fillimisht këtë “më në fund” e pati përdorur mjeku i udhëheqjes Petrit Gaçe. Doktori personal i Hysni Kapos, Dine Abazi, e rrëfen kështu episodin: “Pikërisht atë çast nuk ndodhesha aty. Sa kisha dalë për një konsultë me mjekun e turnit dhe po kthehesha të shtoja diçka në terapi. Te dera e dhomës u përballa me Petrit Gaçen që po dilte i hutuar. “Më në fund…”, ma bëri ai duke lënë të kuptohet atë që kishte ndodhur brenda. Aty për aty m’u prenë gjunjët. Profesori më hodhi krahun dhe më ftoi të shkonim te dhoma ku rrinte Ramizi me Viton. Rrugës ndërroi mendje. “Fillimisht shko ti, më tha, gjej një arsye e nxirr që aty shokun Ramiz”. Ashtu bëra. Ramizi sa doli në korridor, e kuptoi dhe u kthye përsëri te Vitua. “Çfarë ka?”, e pyeti ajo duke u çuar në këmbë. “Më në fund, ndodhi ajo që pritej, shoqja Vito”, u shpreh i përlotur Ramizi duke e përqafuar. Për disa çaste Vitua e humbi, por menjëherë mblodhi veten dhe duke iu drejtuar Ramizit shqiptoi fjalët “Të rrojë Partia, të rrojë shoku Enver!”
Në një rast tjetër Dine Abazi ka shpjeguar se qe Enver Hoxha, i cili e dërgoi 10 ditët e fundit Ramiz Alinë, “i cili u takua me shokun Hysni dhe qëndroi në spital deri ditën fatale. Ai, me atë mjeshtërinë karakteristike, nisi ta përgatiste Viton shpirtërisht për vdekjen e pashmangshme. Ajo ende mbante shpresa dhe nga mënyra si reagonte të linte të kuptoje se nuk i shkonte mendja tek e keqja. Përfundimisht u dorëzua vetëm ditën kur shoku Hysni mbylli sytë përgjithmonë…”
Alia qe dërguar në Paris nga Enver Hoxha për të qenë i pranishëm në vdekjen e Hysni Kapos dhe jo në mbijetimin e tij, sepse mjekët francezë dhe ata shqiptarë, me gjithë përpjekjet e bëra, qenë bindur për mosshpëtimin e tij, madje edhe se vdekja do të ndodhte aty, në Paris. Në gjendjen shëndetësore që kishte, Hysni Kapo nuk mund të transportohej për në atdheun e tij. Ramiz Alia qe zhvendosur në kryeqytetin francez edhe për të qenë në krye të veprimeve zyrtare të kthimit të trupit. Në aeroportin e Rinasit në 27 shtator udhëheqësin Kapo do ta priste Enver Hoxha me të gjithë krerët e tjerë, ndërkohë që vetë në të djathtë kishte Haxhi Lleshin dhe në të majtë Mehmet Shehun.
Doktor Zabit Brokaj për episodin e debatueshëm të tekstit ngushëllues dhe përgjithësisht qëndrimit të Alisë, në 9 prill 2016 ka pohuar se “Kur erdhi për herë të parë Ramizi, sapo mbërriti dhe takoi Hysni Kapon në spital, në dhomën e Hysniut kam qenë unë në monitor. U takuan shumë ngrohtë. Por më pas ai vinte rrallë në spital dhe kjo la një përshtypje jo të mirë tek familjarët...”
Vetë Ramiz Alia në librin e tij autobiografik “Jeta ime” shkruan se “Në vitin 1979, Partia pësoi një humbje të madhe: vdiq Hysni Kapua pas një sëmundjeje të pashërueshme...” Pak më poshtë: “Midis Hysniut dhe meje ekzistonte një shoqëri e ngushtë”. Më tej: “Unë e kujtoj Hysniun me shumë dashuri e dhimbje. Kur ai u sëmur dhe nga Parisi mësuam për sëmundjen e tij të pashërueshme, si dhe njoftimin se jeta e tij ishte nga fundi, E. Hoxha më porositi të shkoj në Paris për t’iu gjendur pranë edhe në çastet e fundit këtij shoku të nderuar dhe shumë të dashur për të gjithë”.
Pastaj Ramiz Alia paraqet edhe brengën e tij: “Si për shumë çështje të tjera, tani, pas ndryshimit të sistemit, ka njerëz që duke folur për vdekjen e Hysniut, hedhin dyshime të paqena, sikur atë dikush e paska helmuar, ose vrarë, e përralla të tilla. Është vërtet e turpshme!”
Alia nuk thotë se ai është njëri prej të akuzuarve nga familja. Për helmim të Hysni Kapos prej Ramiz Alisë ka folur edhe i vëllai i Mehmet Shehut, Duro, i cili i ktheu një përgjigje të ashpër dhe shumë emotive Vito Kapos, kur ajo përsëriti akuzën se të shoqin e pati vrarë kryeministri shqiptar.
Kujtojmë lexuesin se historia e konspiruar e vdekjes së Hysni Kapos në Paris në prill të këtij viti, 2016, pati dhe një zhvillim policesk të paparë. Prej një politikani (Idajet Beqiri) u shpall si vrasësi i mundshëm i Kapos mjeku i udhëheqjes komuniste të kohës Sali Berisha, ndërkohë që Zabit Brokaj e të tjerë mjekë të pranishëm në ngjarjen e zgjatur dyzetë ditë, provojnë se ai nuk ishte në listën e atyre që duhej të hynin në dhomën e të sëmurit dhe kështu vetëm ofroi si kontribut të tij bërjen e maskës prej allçie të të vdekurit.

Hysni Kapo ishte numri dy, numri tre apo vetë çelësi i regjimit?

Si çdo tepri, legjenda familjare, e cila po tenton përsëritshëm të shndërrohet edhe në urbane, se Hysni Kapo është vrarë, tashmë e ka kapërcyer masën, duke i bërë dëm vetë këtij të fundit. Tërë kjo energji mund të konsumohet në analizën ndaj këtij udhëheqësi mjaft të veçantë komunist, i cili gjatë tre dekadave të mëparshme të regjimit dhe sidomos në verë 1979, qe shndërruar në pikën e ekuilibrit të Shqipërisë së asaj kohe, aq sa jo më kot në krahun ku e dëshironin fort, për qëllime hegjemone të daljes në detet Adriatik dhe Jon, likuidimin e Enver Hoxhës, në Bashkimin Sovjetik, gjykonin se asgjësimi fizik i Hysni Kapos e destabilizonte atë dhe vendin më shumë se çdo ndërhyrje tjetër. Kapo qe, në këtë kuptim, edhe “thembra e Akilit” e pushtetit personal të Enver Hoxhës.
Ky i fundit, pas tërë atyre valëve pastruese, e kishte fashitur e në mos mbyllur kasaphanën e brendshme, sepse ambiciet e Mehmet Shehut për të qenë pasardhësi i tij i mbyllte si portë e hekurt autoriteti i padiskutueshëm i Hysni Kapos. Ndërkohë Ramiz Alia qe shumë larg nga prestigji dhe meritat e dy të parëve. Ambicien e kishte gërryese, por me përballë Kapon dhe Shehun nuk shihte asnjë fije drite të fund të tunelit. Prandaj ai mund të rrinte në qoshen e vet, siç qëndroi, por edhe priti e përgatiti me mjeshtëri rastin e tij.
Sekretimi deri në absurd i pranisë së Kapos në Paris si edhe i sëmundjes së tij (për pasojë dy javët e fundit edhe i vdekjes së sigurt natyrale), qe përpjekja totale e Mehmet Shehut dhe e krahut të tij të djathtë, Kadri Hazbiut, për të prerë apo kufizuar përfitimet jo të vogla që vinin nga kundërshtarët brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Hysni Kapo kishte qenë koraca e Shehut dhe ikja e tij e linte të vetëm përballë “të riut” dhe “të butit” Ramiz Alia, të vetmit mes krerëve që ndërkohë ja kishte dalë të bënte krushqi me familjen Hoxha dhe që dinte të kafshonte pa i nxjerrë dhembët.
Më i fituari nga ajo vdekje prej natyrës qe Alia. Më të humburit Mehmet Shehu dhe Kadri Hazbiu, të cilit egoja për t’u shndërruar në numrin një të Shqipëris, i bënte gjumin e bollës, zgjimin kur i duhet të hajë.
Ja pse Shehu në të tërë këtë histori përlotet gjithandej.
Në të gjitha episodet kyçe të saj ndeshet duke qarë edhe Enver Hoxha. Me Hysni Kapon iu prish baraspeshimi i lakmitarëve për ta pasuar dhe për rjedhojë u rindez lufta e brendshme. Për ta ndalur këtë gjendje ai kreu një veprim drastik: të gjitha funksionet e Hysni Kapos ai ja dha Mehmet Shehut. Në librin e tij “Jeta ime” Ramiz Alia do të shkruante: “Pas vdekjes së Hysniut, i cili në Sekretariatin e KQ drejtonte sektorët e ushtrisë, të Ministrisë së Brendshme, të Sigurimit të Shtetit dhe të organeve të drejtësisë, drejtimi i këtyre sektorëve iu ngarkua M. Shehut. Kështu ky, praktikisht, grumbulloi në duart e tij të gjitha pushtetet: edhe qeverinë, pra organet ekzekutive, edhe ushtrinë, qoftë si Kryeministër, nga varet ministria e Mbrojtjes, qoftë si sekretar i KQ, nga vareshin organizatat e Partisë në ushtri, edhe Policinë e Sigurimin e Shtetit, edhe organet e Drejtësisë. Praktikisht, ai tashmë ishte pasues i Enver Hoxhës dhe kishte në dorë të gjitha pushtetet”.
Por do të mjaftonin vetëm dy vite që gjithçka të përmbysej. Garën e nisur në dhjetor 1973, pas infarktit të rëndë të Hoxhës, do ta fitonte më pak i parashikuari si pasardhës, Ramiz Alia.
Kur në 22 korrik 1982 Reiz Malile, njeriu i ngushtë i Alisë, do t’i dërgonte sekretarit personal të Enver Hoxhës, Haxhi Kroit, letrën në të cilën do të thoshte se dokumentet mjekësore të Hysni Kapos qenë mbajtur për dy vjet në arkivin e Ministrisë së Jashtme me urdhrin e Nesti Nases, pra njeriut të afërt në prirje dhe ide me Mehmet Shehun, vrapimi i Ramiz Alisë drejt të parit të periudhës së pas Enver Hoxhës qe në revansh të pandalshëm.
Gjithsesi për vdekjen e tij, kur kjo ndodhi natyrshëm në vitin 2011, asnjë prej familjes Alia nuk ka nxitur deri tani ndonjë përfolje se e vranë agjentura të huaja apo politikanë të fuqishëm të pluralizmit, nga ata që kanë hyrë dhe dalë dikur në zyrën e tij si Sekretar i Parë i Komitetit Qendror të PPSH-së apo si President i Republikës.


Ylli Polovina

Tiranë, më 17 maj 2016

.



Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com