|
HYSNI KAPO NË SPITALIN E PARISIT, SUPERSEKRETI QË U PRISH
Pesë akuzat e Vito Kapos
Shkrimi i dytë
Botuar në gazetën “Shqiptarja.com” më 21 maj 2016)
Bashkëshortja e paqetë e Hysni Kapos, bija e familjes së emancipuar kulturalisht Kondi, në 8 korrik 2004 ka formuluar këtë gjykim të saj, deri tani më të plotin, rreth akuzës vetiake se bashkëshortin ia kanë vdekur nëpërmjet vrasjes spitalore:
Elementi i parë-“Ishte çasti kur u nisëm për të shkuar në Paris. Ka qenë pikërisht data 7 gusht (viti 1979). Hysniun e kapën nga krahu Mehmet Shehu dhe Kadri Hazbiu dhe nuk e lanë as të takohej me nënën time që rrinte duke shikuar nga dritarja, duke i thënë se \"hajde, se do ta takosh kur të kthehesh, se s\'na pret puna\".
Elementi i dytë, kur ndodheshin në spitalin “Broussais”-“Në një moment Hysniu, me një inat që e mbante përbrenda, më thotë: “Vito, hajde ulu këtu në dhomë dhe nuk duhet të marrësh pjesë në asnjë debat apo konsultë që bëhet për mua. Unë një gjë po them, që nuk jam i sëmurë më shumë sesa kam qenë që po bëhet gjithë ky alarm. Le të bëjnë çfarë të duan dhe si të duan”.
Elementi i tretë-“Petrit Gaçe u kërkoi mjekëve francezë gjatë konsulencës me ta që të bëhej një operacion poliativ. Kjo do të thoshte për të bërë operacion mbi atë çfarë konstatohej, pra që dukej, të cilat ishin kisti në pankreas dhe koliçistiti, të cilat u vërtetuan pas shumë e shumë analizash. Doktorët francezë kërkuan operacion radikal, gjoja t\'i zgjatnin dhe dy vjet jetën, me justifikimin që t\'i shërbente dhe sadopak popullit të vet”. Në vijim të këtij argument Vito Kapo plotëson: “Ishte një operacion i përgjithshëm që kishte të bënte me heqjen e pjesës më të madhe të organeve të brendshme, por e keqja ishte se kërkohej të bëhej vetëm mbi baza dyshimi, pra e gjitha kjo, siç thoshte edhe Petrit Gaçja, do të bëhej duke mos pasur asnjë metastazë”. Më tej ajo këmbëngul: “U bë operacion radikal… Siç thoshte profesor Petriti, që \"Hysniut i hoqën nga trupi një legen me plaçka të brendshme\".
Elementi i katërt në akuzën e Vito Kapo është mënyra e sjelljes e ministrit të Shëndetësisë, Llambi Ziçishti-“...të nesërmen, si kishim shkuar në Paris, erdhi ministri i Shëndetësisë Ziçishti... Ai megjithëse u dërgua posaçërisht nga Tirana për problemin e Hysniut, nuk shkoi asnjëherë në asnjë konsultë me mjekët francezë e jo më të asistonte në operacion. Këtë nuk e bëri edhe kur i tha Ramizi se duhej të asistonte në operacion. Madje, një herë mbaj mend që vetë Hysniu u shpreh: “Po ky derëziu ministër, pse nuk po duket fare. Përse ka ardhur në Paris?!” Në vazhdim të kësaj teze rreth qëndrimit të dyshimtë të Ziçishtit ajo vijon për të: “Ishte tepër i tronditur dhe seç kishte një si lloj frike që i konstatohej më mirë kur i kërkohej për të takuar Hysniun. Gjendjen e vazhdueshme të Hysniut për të raportuar në Tiranë e merrte nga Petrit Gaçe apo dikush tjetër, dhe nuk interesohej vetë të ishte pranë”.
Elementi i pestë i denoncimit të Vito Kapos për vrasje të qëllimtë të bashkëshortit të saj, politikan shumë i rëndësishëm i para nëntëdhjetës, lidhet me rolin e Ramiz Alisë: “Ishte rasti që Petrit Gaçe po ulëriste pikërisht në momentin që Hysniu ndërroi jetë dhe Ramizi e pyeti se çfarë kishte që po bënte ashtu!? Pasi mori vesh të vërtetën, ai me gjakftohtësi dhe me një qetësi karakteristike tha: “Ajo që pritej ndodhi”. Kjo mënyrë si e priti ai vdekjen e Hysniut mua më bëri përshtypje, pikërisht për faktin se kujtoja Ramizin një vit më parë, pra në \'78-n, kur Hysniut i ra infarkti i parë. Ai atëherë arriti jo vetëm të tronditej shumë, por dhe të qante në sallonin e shtëpisë”.
Zabit Brokaj ka mendim se...
Siç e tregoi në intervistën e tij në gazetën “Dita” në 9 prill 2016, pra në shpjegimin e vet më të fundit për çështjen e vdekjes së Hysni Kapos, mjeku i njohur pranë grupit udhëheqës të PPSH-së, njëkohësisht edhe ndër më të sigurtët në cilësinë e vërtetësinë e informacionit, më i baraspeshuari po ashtu mes lobeve që ndërmjet krerëve komunistë vepronin, fillimisht Brokaj shpjegoi se “…u ndodha në Paris në atë kohë, ndodhesha për specializim…Dr. Lutfi Balli, që ishte nip i Hysniut, edhe ai ishte për specializim në Paris, një ditë më thotë shumë i shqetësuar: “Po vjen dajua në Paris pasi është shumë i sëmurë”. “Nga se është sëmurë?”, e pyeta. “Nuk e di”, më tha. I kërkova të shkonim në aeroport për ta pritur, por ai më tha se “nuk është nevoja, janë marrë masat…” Prandaj shkuam në spitalin Brusé, ku ishin marrë të gjitha masat. Ishin aty gjithë mjekët e duhur francezë, dhe doktor Aleksandri, të cilët filluan menjëherë nga ekzaminimi i zemrës dhe organeve të barkut. Aty doli menjëherë cisti në pankreas. Pasi mjeku francez shqyrtoi përhapjen e metastazave në organet e barkut, tha: “Ky është i malinjizuar, pra është kanceroz…”
Doktor Zabit Brokaj vijon më tej: “Ne që nuk donim ta besonim këtë diagnozë, iu drejtuam mjekut francez. Ishte Doktor Gaçja që e pyeti Prof. Aleksandrin: “Si shkon përputhja e diagnozës ekografike me diagnozën në sallën e operacionit?” Ai u përgjigj: “Pothuajse 100 për qind”. Kështu ne na u hoq edhe shpresa e fundit që kishim për shpëtimin e Hysni Kapos. Dhe ashtu ndodhi. Gjatë operacionit u vërtetuan metastazat në pankreas, në mëlçi dhe në organet e tjera. Prandaj dhe u bë një operacion radikal, nga ata që rrallë bëheshin në atë kohë, por ai profesor kishte shumë përvojë në këtë drejtim. Hoqi komplet pankreasin, hoqi një pjesë të stomakut, hoqi një pjesë të mëlçisë si dhe pjesë të zorrëve. Domethënë bëri një pastrim radikal të organeve të brendshme të pacientit. Ai kishte përvojën e dhjetëra operacioneve që kishin shkuar mirë në situata të këtij lloji kanceri, ndaj dhe e ndërmori një iniciativë të tillë”.
Dëshmia profesionale e Zabit Brokajt në vazhdim përmban edhe këto fjalë: “Ditët e para pas operacionit shkoi mirë, por pastaj gjendja e Hysniut filloi të rëndohej. Por ka një moment që e vlen ta them. Ngaqë i sëmuri vuante nga zemra dhe ishte një i sëmurë kardiak i njohur, nga ana jonë iu kërkua mjekut francez që aty të ishte i pranishëm edhe një nga kardiologët shqiptarë. Por profesor Aleksandri nuk pranoi. Ne kemi specialistët tanë, tha dhe e mbylli aty. Mirëpo në ditët e para pas operacionit, ata për ta ringritur gjendjen e të sëmurit, në mënyrë që ai të vinte në Shqipëri me këmbët e tij, e mbingarkuan me substanca ushqyese, gjak, serum, proteina e të tjera. Por në këtë moment u prish ai ekuilibri i nevojshëm midis asaj që merrte nëpërmjet sistemit venoz dhe kapacitetit të zemrës. Kështu filloi përkeqësimi i situatës së të sëmurit dhe ata i trembi e i vuri në pozitë të vështirë sepse ishte një problem teknik. Ata e trajtuan, por kjo i detyroi që të futej në ekip një mjek shqiptar. Nga kardiologët e mundshëm në Paris, ishim unë dhe Saliu (Berisha, shënimi ynë). Ekipi vendosi për mua dhe aty ndanim shërbimin me Profesor Gaçen dhe Dinen”.
Çfarë pohon vetëm me vetveten Llambi Ziçishti
Kur goditja kundër të quajturit “grup armiqësor i poliagjentit Mehmet Shehu” kapi kurbën ngritëse më agresive, vjeshtë 1982, dhe ministri i Shëndetësisë Llambi Ziçishti u vu në shënjestër, prangvënësit e tij të Prokurorisë së Përgjithshme dhe të Sigurimit të Shtetit i gjetën në banesë dhe i sekuestruan një ditar. Mendohej se në të, duke qenë rreptësisht intim, njerëzit e akuzës do të gjenin ndonjë provë tekstuale apo fundi edhe ndonjë thërrime nënteksti, se ministri qe një komplotist kundër Partisë së Punës dhe Enver Hoxhës.
Nuk gjetën asgjë të tillë përderisa në procesin e gjatë hetimor si edhe më pas prej trupës gjykuese nuk u përdor asnjë germë e shkruar e ditarit. Në për çfarë sadopak Ziçishti u vetëfajësua, u konsumuan për efekt propagandistik gjëra që i pohoi vetëm me gojë dhe për pasojë nuk i pati shkruar kurrë.
Duke mos i shërbyer dot qëllimit politik për të cilin u akuzua, u burgos dhe më në fund u pushkatua, prej ditarit të Llambi Ziçishtit kemi mundësi të shkëputim copëra informacioni rreth shtatë javëve të kurimit dhe ndërrimit jetë në Paris të Hysni Kapos.
Këto shënime ai i ka mbajtur posaçërisht. Përse?
Vito Kapo flet për një tepër tronditje të tij si edhe për “një si lloj frike që i konstatohej më mirë kur i kërkohej për të takuar Hysniun”.
Duke paraqitur fragmentet më të domosdoshme të ditarit të posaçëm të Llambi Ziçishtit të mbajtur vetëm për kurimin e Hysni Kapos në Paris mbase lexuesi do ta ketë më të lehtë ta shpjegojë këtë sjellje karakteristike të tij, për të cilën Vito Kapo nuk dezinformon apo sajon, por që megjithatë jep një interpretim të saj personal, i cili mund edhe natyrshëm të jetë subjektiv.
Nga Tirana udhëheqësi Kapo u nis më 7 gusht 1979, e cila qe ditë e martë. Siç të nesërmen shkruan Ziçishti “Mbrëmë arritëm vonë. U drejtuam menjëherë në spitalin \"BROUSSAIS\", në klinikën e prof. Aleksandrit. Petriti na vuri në dijeni mbi gjithçka, si për problemet diagnostike ashtu dhe për vështirësitë e ndërhyrjes, e cila vazhdoi për rreth 9 orë”.
Menjëherë më pas Llambi Ziçishti dëshmon për praninë e një regjimi top-sekret rreth asaj që po ndodhte, duke filluar prej ardhjes së Hysni Kapos në Paris dhe vendosja në spitalin e parazgjedhur prej mikut dhe të shumëbesuarit jo vetëm të Enver Hoxhës, Pol Miliezit. Do t’i rikthehemi në pjesën e tretë të këtij cikli shkrimesh arsyeve dhe mosarsyeve të kësaj shkalle të lartë të fshehtësisë shtetërore.
Shkruan në ditar Ziçishti dhe prej këtyre rradhëve mund të hamendësohet përse brenda vetes ka frikë mos gabon dhe mbi të gjitha nxjerr në shesh ekstrafshehurinë shtetërore të pranisë së Hysni Kapos në klinikën “Broussais”: “E patëm vështirë të komunikonim me Tiranën për arsye të ruajtjes së sekretit. Unë natën fola me telefon me sh. N. (Nesti Nase, shënimi ynë) dhe sh. K. (Kadri Hazbiu, sërish shënimi ynë). Në lajmin që dërgova, u mundova që të jem edhe i kuptueshëm edhe të mos lëshoj fjalë të pakontrolluara. Propozova që të nis një shok për të dërguar një letër me hollësira”.
E vazhdon Llambi Ziçishti dëshminë e vet: “Në konsultën e mëngjesit (pra të datës 9 gusht, sqarimi ynë) erdhën prof. Aleksandër, prof. Guize, prof. Assan, prof. Samama. Nga ana jonë Hoxha, Gaçja, Dauti, Dinua dhe unë. Të dhënat e para tregojnë se i sëmuri mbahet mirë. Prof. Aleksandri na bëri një përshkrim të ndërhyrjes. Nga ana kirurgjikale gjendjen e konsideronte të kënaqshme. Prof. Samama është i preokupuar për numrin e trombociteve, i cili rrezikon të rritet dhe rrezikon të japë tromboza. Prof. Aleksandri merret në mënyrë të veçante me këtë patologji. Është njeri shumë i komunikueshëm dhe i respektueshëm. Patëm vështirësi vetëm për ta bindur të mos tregojë. U bind kur i thamë që po vija unë në Paris dhe i merrja unë të gjitha përgjegjësitë. Dhe kështu u veprua…”
Duke qenë jo vetëm ministër i Shëndetësisë, por edhe profesionalisht mjek, po ashtu edhe përfaqësuesi më i lartë shtetëror në këtë sipërmarrje, e cila lidhej me jetën e figurës dy të shtetit shqiptar të kohës, deklarata e tij para doktor Aleksandrit, i cili nuk e kupton dot përse po mbahej aq tepër sekret, se si ministër mbante të gjitha përgjegjësitë për çfarë do të ndodhte, provon se në Tiranë Ziçishtit i qe ngarkuar zyrtarisht ky status peshërëndë dhe se çdo gabim gjatë kurimit do ta paguante me kokë. Të mos harrojmë se kur në 7 gusht u nisën për Paris nuk e patën shkuar ndërmend se në kryeqytetin francez, në më pak se njëzetë e katër orë pas mbërritjes, do të merrnin vesh se jeta e Hysni Kapos qe fatalisht e shkurtuar.
Aq më tepër shpjegohet dhe justifikohet kjo frikë e brendshme e Llambi Ziçishtit, përfshi edhe në praninë e tij para Kapos, kur pak nga pak u shtua rreziku që udhëheqësi shqiptar të vdiste aty dhe në atdheun e vet të mbërrinte me arkivol.
Ishte gati një skandal.
Të enjten, në 9 gusht 1979, Ziçishti shkruan pa pushim në ditarin e vet të mbajtur në konspiracion të plotë, patjetër edhe për t’iu dashur në rast se binte në një akuzë të pritshme se qe përgjegjës penalisht për jetëhumbjen e Hysni Kapos: “Prof. Aleksandri vendosi që në ranimacion me të sëmurin të rrijë vetëm Dinua dhe Petriti, duke u alternuar. Në konsultën e sotme mori pjesë edhe Gurgoni. Guizi dhe Gurgoni janë të kënaqur për zemrën, por janë edhe të rezervuar. Pacienti ka temperaturë”.
Menjëherë më pas: “Vendosëm që në spital të ndalojmë hyrje-daljet, qoftë edhe për mjekët. Kështu jemi më të qetë. Te i sëmuri do të hyjë vetëm Petriti dhe Dinua. Këto ditë nuk po hyj as unë”.
Pasi e shpjegon përse që në ditën e tretë të mbërritjes në Paris u vendos regjimi profilaktik që tek dhoma dhe shtrati i Hysni Kapos të kishte sa më pak persona të pranishëm, pra të qenë më të domosdoshmit, rreshti i fundit i shënimeve të Llambi Ziçishtit për nëntë gushtin përmban këto fjalë: “Sot edhe shoqja Vito është më e qetë”.
Në dhjetë gusht do të regjistronte se “Vitua di vetëm që, përveç kleuptektomisë, është hequr edhe një kist i pankreasit”. Me këtë shënim Ziçishti pohon se bashkëshortja Kapo nuk di asgjë që të shoqit i është bërë një pastrim dhe pakësim radikal i organeve të brendshme.
Në njëmbëdhjetë dhe dymbëdhjetë gusht Llambi Ziçishti mbajti shënim se Hysni Kapo dëshironte t’i rrinin pranë tre mjekët, duke filluar prej të vetit, Dino Abazi, e deri të bllokut të udhëheqjes: Petrit Gaçja dhe Fejzi Hoxha.
Një muaj e më tepër më vonë, në 17 shtator 1979, pak ditë para se Hysni Kapo të ndërronte jetë, ministri shqiptar i Shëndetësisë vë në dukje se “Vitua dhe fëmijët janë shumë të mërzitur (si të gjithnjë)”.
Pas dy ditësh në gjendje kome, në 23 shtator, në orën 23.10, Hysni Kapo ndërroi jetë. Pas një periudhe dyditore në morg, në 26 shtator, në orën 7.30, siç e dëshmon edhe Llambi Ziçishti, u krye “Ceremonia e mbylljes së arkivolit. Foli shoku Ramiz. E puthëm për herë të fundit shokun Hysni. Dëshpërimi për të nuk mund të matet. Nuk dimë si të shprehemi. Erdhën për lamtumirën edhe Miliezi, Hansi, Gizi, Assani, Sanna etj. Në 10.40 u nisëm (ndonëse me vonesë)”.
Në vijim: “Këtu i jap fund këtij ditari”. Pastaj: “Jetuam në ankth plot shtatë javë, me shpresa dhe me frikë nga përkeqësimet”. Më tej: “Nuk ia arritëm të realizojmë prognozën paraprake. Por, nuk na mbetet peng asgjë, sepse të gjitha përpjekjet u bënë”.
Vazhdon Ziçishti, duke shkruar sinqerisht: “Pushoi së rrahuri zemra e njërit nga udhëheqësit tanë më të shquar që çuditi një mjekësi të tërë me luftën dhe kurajën e tij të jashtëzakonshme. Ç’humbje e madhe për Partinë tonë, për popullin tonë! Tani po e ndjejmë dhe po e vëzhgojmë se çfarë çastesh kritike kemi kaluar”.
Fjalët e fundit: “Vitua tamam si bolshevike, siç e përshkruan shoku Enver, por e kuptoj vuajtjen e saj dhe të fëmijëve”.
Ja edhe mbyllja e të gjithë atij ditari të pazakonshëm posaçërisht për vetëm shtatë javë (“Të rrojë Partia dhe shoku Enver!”), ndërkohë që katër vite më pas Llambi Ziçishti do të pushkatohej në një shtator tjetër, në ditën e shtatëmbëdhjetë të tij, në 1983.
Super sekret, por përse?
Kur i Ngarkuari me Punë në ambasadën shqiptare në Paris Kujtim Hysenaj i dërgoi ministrit të Jashtëm Nesti Nase dosjen mjekësore të Hysni Kapos, të shoqëruar me një letër përcjellëse, theksonte se atë e kishin marrë nga spitali “Broussais”. “Mendojmë, shkruante Hysenaj, se këto dokumenta kanë vlera arkivale, për këtë qëllim u tërhoqën nga arkiva e spitalit të sipërmë”.
Nuk është vetëm ky burim, sipas të cilit kuptohet qartë se kjo lëndë dokumentare nuk u kërkua me ndonjë ngulm nga Tirana, në mos jemi të shtrënguar të themi se përsa dimë dhe kemi pyetur, nuk ekziston ndonjë kërkesë e shkruar e autoriteteve qendrore të partisë unike dhe shtetit të asaj kohe. Kjo nuk përjashton që të ketë funksionuar ndonjë propozim me gojë, ndonjë telefonatë, veç për të kthjelluar këtë hamendje nuk na ndihmon dot Kujtim Hysenaj. Prej shumë vitesh ky diplomat i rangut të parë para nëntëdhjetës dhe drejtues gjurmëmbarë i shërbimit inteligjent shqiptar në pluralizëm, për shkak të një sëmundjeje të papritur nuk jeton më.
Gjithsesi ai ka një libër për përvojën e tij të kësaj kohe në ambasadën tonë në Paris “Diplomati”, Botimet Dudaj 2005, por në të nuk gjendet asnjë fjalë as rreth dërgimit në Tiranë të dosjes mjekësore të Hysni Kapos, as edhe të motiveve që e shtynë për këtë veprim. Prej kolegësh të tij të kësaj periudhe nuk rezulton që për këtë temë të jetë folur, as kur e nisi drejt ministrit të Jashtëm Nesti Nase, në 17 nëntor 1980, dhe as kur në 22 korrik 1982 dosja u nxorr prej arkivit të saj dhe iu nis paradhomës së zyrës së Enver Hoxhës.
(Vijon)
Ylli Polovina
.
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|