Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Partia me pushkë krahut


(Botuar në gazetën “Shqip” më 30 prill 2016)

Që çfarë ndodhi në 21 janar 2011 e tërë piramida e pushtetit gjyqësor e përfundoi me dënime të vetëm armështirësve të Gardës së Republikës, madje edhe për ta në një nën minimum, të bën të kesh merak për vetë fatin e sistemin politik pluralist shqiptar. Pra nëse ai tek ne ekziston vërtet apo po jetojmë në një pamje të blofuar të tij.
21 janari i fillim dekadës së dytë të mijëvjeçarit të tretë, jo pak, por plot njëzetë vite më pas nga rënia e diktaturës, është shqetësues për atë brez që e pa të shkuarën dhe ia di hiletë politikës, por sidomos për atë që është gjeneratë e të ardhmes, sepse nuk i njeh ende dinakëritë dhe brutalitetin e luftës për pushtet dhe për pasojë i pret shpresën.
Njëzetë e një janari i motit 2011, ndërsa sot dëgjon grishje për revolucione dhe thirrje që populli të armatoset për t’u vetëmbrojtur (të cilat janë mënyra të tërthorta por qartë të lexueshme se dëshirojnë të përpunojnë psikologjikisht dhe mendërisht grupe fanatikësh politikë për të kryer, në orën “x”, kur të jepet urdhri, paçavure-revolucionin), dëshmon se një pjesë e rëndësishme e pushtetushtruesve tanë nëpër partitë kryesore, por edhe në ato të imta, nuk kanë hequr dorë nga marrja apo mbajtja e mundësisë për të vënë në dorë dhe administruar vendin si edhe pasuritë e tij, nëpërmjet mënyrës së dhunshme.
Konkretisht përdorimit të armëve.
Jo vetëm para nëntëdhjetës, por edhe në periudhën e pluralizmit të pas Luftës së Ftohtë, në të gjitha trazirat politike kanë marrë pjesë me pushkë (kallash) në dorë, vetë partitë politike.
Është e padëgjuar. Unike. Vetëm shqiptare.
Gjithkund në përleshje të dhunshme sheh grupe të ndryshme anarkiste dhe trockiste, parasindikaliste, naziskine apo ultramarksiste, pseudofetare ose gjoja nacionaliste, ndonjëherë edhe parti të braktisura jashtë parlamentare, por kurrë parti që bëjnë jetë parlamentare dhe ca më shumë karrierë qeverisë të vendit.
As që mund të mendohet që popujt evropianë dhe veçanërisht ata në Perëndim të shohin me sy si përleshen me njëra-tjetrën, deri edhe me tanke dhe me automatikë, me ura zjarri në dorë, vetë dy partitë më të mëdha.
Në zgjedhjet e vjedhura të vitit 1996, në mbrëmje, kur u dhanë “rezultatet”, nëpër vetura apo furgonë, tek parakalonin si ngadhënjyes, njerëzit e qeverisë shtinin breshëri pas breshërie. Në motin 1997 i ashtuquajturi “revolucion demokratik i vonuar”, i provokuar nga rrethana ndërkombëtare mjaft komplekse, prej opozitës politike si edhe nga tanket, avionët dhe helikopterët që dërgoi partia në fuqi, e përfshiu vendin në një anarki çetash pa din dhe iman.
Pas kësaj paudhësie shqiptarët humbën kursimet e tyre të mbledhura me djersë dhe vetë Shqipëria një nga pasuritë e saj më të mëdha shtetërore, që mund të kthehej, të paktën, në para publike: një armatim gjigand.
Po t’ju kujtohet presidenca dhe qeveria e kohës dha urdhër për pajisjen me kallashnikovë të më të besuarve, të cilët më së shumti qenë të partisë në pushtet.
Shqiptarët e thjeshtë, por edhe klasa e tij intelektuale, më në fund edhe vetë partitë përleshëse, e shmangën pasojën fatale që mund të vinte nga kjo lloj lufte e armatosur për pushtet.
Një “parti me pushkë” doli në rrugë në shtator 1998 dhe mitraloi nga jashtë e nga brenda kryeministrinë. “Pushkëgjatët” apo “koburezhinjtë” u shfaqën ritmikisht edhe më pas, në forma më të përmbajtura, por gjithsesi me po atë logjikë dhe agresivitet.
Në 21 janar 2011 opozita jo me militantët e saj të shumtë të ardhur për një manifestim paqësor, por me ata pak që mbanin nëpër duar flakëvënës për ta përvëluar murin mbrojtës së kryeministrisë, në thelb qenë shprehës të kësaj mendësie, pra të partisë me pushkë. Me të njëjtën logjikë, madje shumë në mënyrë më të shprehur, iu përgjigj edhe partia në pushtet. Të parët dogjën parmakë apo degë kaçubesh zbukuruese, të dytët vranë katër njerëz fare paqësorë, krejt të pafaj, tronditshëm të pafajshëm.
Jo një gjykatë, një parti apo një politikan, por si mund të qetësojë shpirtin tërë Shqipëria për ata fatkeqë që u gjendën, thjesht për idealizëm të tyre apo fanatizëm, në mes të një përleshjeje “partish-pushkë”.
Me përfundimet që tha Gjykata e Lartë për 21 janarin 2011, për rrjedhojë i tërë sistemi ynë gjyqësor, morëm mesazhin se ky pushtet, ndër kryesorët në një shoqëri pluraliste dhe demokratike për të mbrojtur jetën e nënshtetasve, nuk funksionoi. Fare.
Ai nuk e frenoi, nuk e ndali, nuk e pengoi, dukurinë shumë të rrezikshme të “partisë me pushkë”, duke i dhënë kështu licencën për ta vijuar.
“Partitë me pushkë” janë të lira të veprojnë si edhe më parë. Kjo do të thotë se kur ajo është në drejtim ekzekutiv të përdorë tinëzisht struktura shtetërore civile dhe ushtarake, shërbime policore apo nga ato të inteligjencës, ndërsa kur do të ndodhet në opozitë të mëkëmbë njësi të paarmatosura paramilitare, në pamje të parë thjesht frikësuese (A ju kujtohet që në demonstrimin e fundit të bluve para Kuvendit dhe deputetëve rozë, në rresht të parë disa manifestues kishin vënë në fytyrë maska dhe asnjë polic nuk ua çori nga fytyra, sepse për një rregull të thjeshtë sigurie publike pamjet e të gjithëve duhet të jenë të dukshme?).
Duke bërë përjashtime për disa individë, pushka në shpinën e politikës shqiptare është vazhdim i shtyllës së saj kurrizore. Pjesë e vertebrave. Poeti me këtë metaforë ka himnizuar vetë shqiptarin, prandaj të na falë që figurën e tij të bukur poetike ia përshtatëm një pjese të rëndësishme të politikanëve tanë të kohëve moderne.

Ylli Polovina

Tiranë, më 27 prill 2016

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com