|
ME NJË KËMBË NË TERRITORIN E AMBASADËS ITALIANE DHE TJETRËN JASHTË SAJ
Historia e lidhjeve të gazetarit shqiptar Arjan Konomi me ambasadorin italian Xhorxho De Andreis
Shkrimi i tretë
(Botuar në gazetën “Shqiptarja.com në 29 prill 2016)
Pas deklarimit të beftë “Punojmë në ambasadë” biseda mes dy italianëve dhe studentit të Fakultetit të Inxhinierisë në Universitetit të Tiranës, Arjan Konomi pothuaj nuk zgjati asnjë grimë më shumë. U ndanë dhe në rrugën e kthimit për në konvikt, gati duke vrapuar, Konomi nuk i dalloi shpejt dy nga “njerëzit me xhaketa edhe në verë”.
Po e pritnin.
Njerëzit e Sigurimit të Shtetit, nuk i bënë asnjë përdhunë dhe asnjë lloj kërcënimi të hapur apo të tërthortë. Interesoheshin më shumë për çka kishin biseduar dhe sidomos çfarë patën thënë dy të huajt.
Këmbëngulës dukshëm ishin për të ditur çdo tekst e nëntekst të italianit, jo gruas që e shoqëronte. Ata e besuan që Arjan Konomi ishte takuar me dy italishtfolësit për herë të parë vetëm ato çaste dhe se as që kishte ditur më parë gjë për ta. Po ashtu e morën vesh nga i riu se ai personalisht nuk qe ndjerë mirë kur në fund të bisedës pati marrë shpjegimin se të dy miqtë e tij të rastësishëm punonin në Ambasadën Italiane.
Pas kësaj ngjarjeje, e cila mund t’i shkaktonte ndonjë kthesë të papritur, jeta për studentin e vitit të parë të Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit në Universitetin e Tiranës vijoi e patrazuar. Ai për disa kohë nuk u kujtua më të delte te buza e rrugës. Kjo ndodhi edhe sepse nuk iu përsërit rasti i gjetjes së derës së dhomës mbyllur dhe ai vetë pa çelësin e saj në xhep.
Një ndjenjë kureshtjeje të shtuar nga vetë këmbëngulja e “njerëzve me xhaketa edhe në verë” për të ditur çfarë kishin thënë dy italianët e ambasadës e mposhti dhe bëri sa të qe e mundur të mos gjendej më te buzë rruga.
Ndërkohë Arjan Konomi nuk e dinte se në luftën e Perëndimit për ta rrëzuar komunizmin në Shqipëri qe intensifikuar strategjia e arratisjeve jashtë vendit, në çdo drejtim ikjeje që të ishte e mundur: nga Beogradi, nga Roma apo Athina.
Më 25 tetor të atij viti, 1988, shqiptarja Elvira Gjezi, e cila ndodhej në Milano për të marrë pjesë në panairin e filmit, qe zhdukur në rrethana tepër të dyshimta. Nuk i kishte thënë kujt se ku do të shkonte. Në ambasadën shqiptare në Romë e kuptuan që ajo qe arratisur dhe u kërkoi disa herë autoriteteve italiane ta gjenin të ikurën dhe tua kthenin. Por ato heshtën. Thanë se rreth saj as ata nuk dinin gjë.
Rastësia e rrezikshme e një takimi me dy të huaj
Te vendi ku qe takuar rastësisht me çiftin italian që punonte në ambasadë, Arjan Konomi u gjend sërish për një rastësi të dytë.
Qe fillimi i vitit 1989, mesditë-
Dy punonjësit e ambasadës italiane kaluan aty saktësisht si atëherë. U përshëndetën dhe Konomi në vend që të mënjanohej, u bashkua me ta. Të dy palët vijuan shëtitjen e përbashkët. Biseda sërish u përqendrua në zhvillime të vendit përtej detit, por jo në Shqipëri.
Kur u ndanë “njerëzit me xhaketa edhe në verë”, por që tani, në pik të dimrit, qenë ngjeshur me pallto të gjata, i ridolën përpara. Hetimi për temat e bisedës dhe ndonjë reagim me nëntekst veçanërisht nga ana e italianit ishin si edhe më parë objekti i punës së tyre. Sërish nuk e qortuan Konomin përse qe takuar me dy të huajt. Më shumë këtë mendim ja dhanë në formë këshille, gati-gati sikur të gëzoheshin që i riu ngulmonte të takonte dy punonjësit e ambasadës italiane.
Ndodhi më pas që Arjani, i zbritur te buza e rrugës, i takoi edhe për herë të tretë dy italianët. Pati filluar viti 1990. Edhe kësaj radhe njerëzit e Sigurimit të Shtetit nuk munguan me saktësinë e tyre, duke e ndalur në distancën e shkurtër nga rruga automobilistike te godina e konviktit. Kësaj radhe, pasi e mblodhën informacionin për çka ishte biseduar, u treguan nervozë. E paralajmëruan ashpër të riun që të mos i takonte më dy të huajt.
Një fundjavë, i gjetur te daja i tij, i cili kishte qenë funksionar i Klubit Sportiv “17 nëntori”, në emisionin e lajmeve të orës njëzetë pa në ekran personin që takonte në buzë rrugë. Ishte një veprimtari e ambasadës italiane në Muzeun Kombëtar. I kushtohej botimit të disa librave. Spikerja e televizionit të njohurin e tij në buzë rrugë e prezantoi si ambasadorin italian në Tiranë, shkëlqesinë e tij Xhorxho De Andreis.
Arjan Konomi u ndje si pa ajër. Kur e mori veten i tha dajës se e njihte atë njeri dhe se bashkë me të kishte shëtitur jo një herë, por plot tre të tilla. Nuk e dinte se qe ambasador.
Daja u shqetësua dhe kur gjeti momentin e përshtatshëm, nëpërmjet një gjysmë shakaje, i propozoi të nipit t’i shmangte ardhjet në shtëpinë e tij. “Me siguri të kontrollojnë“ tha ai. Pastaj u përpoq të shpjegonte se Konomët brez pas brezi kishin vuajtur boll nga burgjet politike dhe nuk ishte ndonjë punë e mençur t’i riktheheshin atyre.
Që prej këtij çasti Arjan Konomi i bëri sytë katër të mos i ndodhte që në vendin ku takoheshin rruga për në Elbasan me atë për në Qytetin Studenti, të mos ndeshej me ambasadorin italian.
Furgoni i bardhë tek porta e ambasadës italiane
Në 14 maj 1990 bëri një vizitë në Shqipëri Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Perez De Kuelar dhe gjatë bisedimeve me presidentin Ramiz Alia dhe kryeministrin Adil Çarçani kërkoi lirimin e gjashtë pjesëtarëve të familjes Popaj. Bëhej fjalë për lejimin e tyre të shkonin në Itali.
Më 15 maj, e diel në mbrëmje, Perez De Kuelar në rrugën e kthimit për Nju Jork u ndal në Romë dhe në një intervistë konfirmoi drejt për së drejti se lirimi i familjes italo-shqiptare qe çështje orësh.
Të nesërmen, më 16 maj, në orën 18.30 tek porta e ambasadës së Republikës Italiane në Tiranë, në rrugën Labinoti, qëndroi një furgon i bardhë me në targë fjalët “Kryqi i Kuq Italian”. Menjëherë, duke mbartur vetëm tre valixhe, hipën ata të gjashtë që patën tronditur thellë për pesë vjet marrëdhëniet mes Romës dhe Tiranës.
Kur furgoni i bardhë u nis, pas tij nxituan edhe dy makina të Ambasadës Italiane dhe dy Fiat-Lada të policisë shqiptare. Në dy makinat diplomatike qendronin ambasadori Xhorxho De Andreis dhe Këshilltari i Parë, Paolo De Nikolo. Në aeroportin e Rinasit të gjashtë Popajve iu dorëzuan lejekalimi të firmosura nga OKB si edhe pasaporta shqiptare. Në orën 22.45 avioni i Flotës Ajrore Ushtarake Italiane që i priste, u nis nga pista për t’u ulur një orë e gjysëm më pas në aeroportin e Fiumiçinos në Romë.
Tre policë shqiptarë përballë dy karabinierëve
Një muaj më pas, pasi kishte vënë re se rrethimi i rreptë me ushtarakë e civilë, si edhe me mjete, i ambasadës italiane, qe hequr, edhe pse pati vendosur të mos u dilte përpara dy të huajve, në atë mesditë qershori të vitit 1990 Arjan Konomi ja la veten tërësisht kuturisjes. Nga që e kishte larg godinën e inxhinierisë së ndërtimit, atë mes qershor ai po studionte në ndërtesën e degës së gjeografisë, fakultet që ndodhej tamam në buzë rrugë dhe jo më larg se njëqind metra nga ambasada italiane.
Kështu la librat dhe shkoi tek porta e madhe e hekurt e saj. I ra ziles. Te hyrja vuri re se nuk ishte si zakonisht një polic, por tre të tillë. Ata ia ngulën sytë dhe u duk se edhe fizikisht u tendosën për të vrapuar deri te ai. Mirëpo mbetën në mëdyshje. Arjani ua kishte hedhur, i pati rënë ziles befasisht dhe kur ata nuk e kishin pasur vëmendjen.
Në çitofon dikush u përgjigj “Kush je?”. Ai shqiptoi me një italishte të kthjellët: “Jam Ariani, ai studenti i fakultetit të inxhinierisë që njihet me ambasadorin”. “Prit!” u përgjigj zëri.
Tre policët, tashmë shndërruar në pantera, dukeshin si në prag të kërcimit. Arjan Konomi nuk guxonte ta kthente vështrimin drejt tyre, por me bisht të syrit arrinte tua kontrollonte çdo veprim. Për fat dera anësore e portës së madhe të ambasadës u hap shumë shpejt dhe prej andej doli një grua. Tha se quhej Serena Luçiani dhe se qe e ngarkuar me veprimtaritë kulturore.
Ajo nuk e ftoi të futej brenda, por pas dy-tre pyetjeve të para dhe kur ai i tha se kishte ardhur të takonte ambasadorin De Andreis, Serena e kapi lehtas nga bërryli. Pastaj e ktheu butë në drejtim të trotuarit. Kështu nisën të ecnin dhe njëkohësisht të largoheshin nga ambasada. Me mirësjellje ajo e përcolli Arjanin deri tek kthesa e rrugës që hynte për në Qytetin Studenti, ku edhe u ndanë miqësisht. Gjatë tërë kohës që qëndruan bashkë, Serena e vuri në dijeni se ambasadori u kishte folur disa herë për të, se e njihnin po ashtu, edhe pa e parë ndonjëherë, të gjithë kolegët e saj.
Ajo shpjegoi se Xhorxho De Andreis me të shoqen e bënin shëtitjen çdo ditë për një arsye të detyruar shëndetësore. Ambasadori e kishte njërin gju të sëmurë dhe i duhej çdo ditë të bënte disa orë ecje në këmbë. Serena e siguroi gjithashtu se me t’u kthyer në seli do ta vinte menjëherë në dijeni shefin e saj për dëshirën që të gjendej mundësia e një takimi të të dyve.
Mirëpo qershori u mbyll dhe askush nuk e kërkoi nga përfaqësia e huaj italiane.
Diplomati italian i kulturës, Nikola Firmani
Më 2 korrik ndodhi “hyrja në ambasada”, këtë herë në arratisje nga Shqipëria qenë disa mijëra. Pas dhjetë ditësh ata ia dolën të iknin me marrëveshje qeverish dhe rregull.
Në fund të muajit gusht ambasadori italian Xhorxho De Andreis, i bërë tashmë i famshëm në shtetin e vet për triumfin që pati në çështjen e familjes Popaj, do të kalonte edhe një sprovë tjetër.
Studenti shqiptar i Inxhinierisë së Ndërtimit me të cilin kishte bërë tre biseda rastësore, do t’i binte për herë të dytë ziles tek porta e hekurt e përfaqësisë së tyre diplomatike. Pyetjes rutinë në çitofon “Kush je?” i erdhi përgjigja se kërkonte të takohej ose zotin De Andreis ose me zonjën Serena. Në çitofon u dëgjua “Po vjen t’ju takojë zoti Nikola Firmani, i ngarkuari me punën kulturore, sepse zonja Serena është rikthyer në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Romë”.
Por kësaj radhe sado i befasishëm të kishte qenë, Arjan Konomi nuk mund t’ua hidhte tre policëve. Ata vrapuan njëherësh drejt tij dhe çuditërisht tamam në këtë çast u hap edhe dera e vogël në skaj të portës së madhe të Ambasadës. U shfaqën të bëshëm dy karabinierë italianë, të cilët kur panë tre policët shqiptarë të vërsuleshin drejt të riut, e kapën atë fort prej krahu dhe e tërhoqën brenda portës.
Por policët shqiptarë tashmë e kishin kapur Konomin nga krahu tjetër dhe nisën ta tërhiqnin në drejtimin e kundërt.
Për disa minuta karabinierët e tërhiqnin për ta futur në ambasadë, policët për të mos e lejuar të hynte. Për një moment dolën më të fortë karabinierët. Qenë të gjatë e të ushqyer mirë. Arjani arriti të fusë njërën këmbë brenda territorit të ambasadës, por tamam në këtë çast humbjeje të tre policët shqiptarë u nevrikosën më shumë dhe nuk e lanë më të përparonte. Për jo pak kohë ai mbeti me një këmbë brenda ambasadës dhe me tjetrën jashtë saj.
Gjersa më në fund, kur u pa qartë se nga ajo tërheqje në dy kahe të ndryshme Arjan Konomit do të përfundonte në mos me krahë të shqyer, në alivani të plotë, dy karabinierët hoqën dorë. Policët shqiptarë pasi e futën në mes, e çuan në një kënd të sigurt të kabinës së tyre. Pastaj telefonuan menjëherë eprorët. Përtej receptorit dëgjohej zëri i grindur i “shefit” si edhe fjalët “nuk ka punë ai të shkojë atje”. Më në fund, pasi erdhi një oficer e bëri pyetjet që kishte në kokë, e lanë të lirë të ikte drejt konviktit.
Krahët i qenë nxirë, shpatullat i thernin nga dhimbja. Në rrugën e shkurtër për te dhoma e tij rimori vendimin e prerë se nuk do të tentonte më të shkonte te ajo portë e hekurt.
Veç sapo kaloi një javë, ndërsa po kalonte në trotuarin buzë ambasadës, rrufeshëm u kthye nga zilja dhe shtypi butonin. Pas “Kush je?” shqiptoi emrin e tij. Dera u hap në mënyrë të vetëtimtë. Njeriu që u duk, tha “Jam Nikola Firmani” dhe e tërhoqi menjëherë brenda.
Tre policët shqiptarë panë gjithçka, por nuk lëvizën nga vendi. Nikola Firmani i fërkoi shpatullat dhe ambasadori De Andreis e priti në zyrë. Biseduan gjatë.
Në fundvjeshtë, ndërsa ende nuk kishte shpërthyer Lëvizja Studentore, kur Arjan Konomi bëri ritualin e zakonshëm të rënies së ziles, Nikola Firmani i doli përpara te dera. Kur e priti Xhorxho De Andreis dhe pyeti vartësin e tij “Si t’ia bëjmë Arjanit?” atasheu kulturor Firmani u përgjigj se do të kërkonte një rrugëzgjidhje, pra një bursë studimi në Itali.
Dhjetë vite më pas
Arjan Konomi u nis me bursë studimore për në Itali më 5 janar 1991. Pak muaj më pas ambasadori De Andreis u kthye në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Romë në funksionin e drejtorit të Drejtorisë Kulturore. Me ta marrë vesh Arjani shkoi ta falënderonte edhe njëherë. Takoi me mall edhe Serena Luçianin.
Arjan Konomi do të bëhej më pas, në vitet 1997-2001, sidomos gjatë luftës së Kosovës, më 1999, ndër analistët më të mirë të revistës së shumënjohur të gjeopolitikës “Limes”, të drejtuar nga mjaft i vlerësuari në Evropë për aftësinë parashikuese, Luço Karaçolo. Konomi, si mbrojtës i paepur i çështjes shqiptare, do të qe shumë i pranishëm edhe nëpër televizionet italiane.
Ndërkaq Serena Luçiani, e cila vazhdimisht e ndiqte në aktivitetin e tij publicistik, i thoshte Arjanit se gëzohej që bursa e tyre e studimit e kishte vlejtur. Vetë Serena për vitet e saj të qëndrimit në Shqipëri, në vitin 2008, do të botonte librin e saj “Terremoto a Tirana” (“Tërmet në Tiranë”), i cili tashmë është përkthyer edhe në shqip.
Ndërkaq ambasadori jugosllav Novak Pribiçeviç, serb nga Kroacia, do të ndërronte jetë në fund të vitit 1999, duke u larguar nga kjo botë me bindjen se duhet inkurajuar miqësia mes popujve të Ballkanit. Lufta e Kosovës nuk e kishte bërë të zemërohej me shqiptarët.
Diplomatët Xhorxho, Pribiçeviç, Serana patën qenë në Tiranë në vitet kur shqiptarët donin t’ia mbathnin prej vendit të tyre, por tashmë kishin mbetur vetë ata pas saj të dashuruarit deri në mos ndarje.
Ylli Polovina
Tiranë, më 23 prill 2016
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|