Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

AMBASADORI JUGOSLLAV NOVAK PRIBIÇEVIÇ NË TIRANËN E VITIT 1988


Sigurimi i Shtetit ose “njerëzit me xhaketa edhe në verë”

Shkrimi i dytë

(Botuar në gazetën “Shqiptarja.com” në 28 prill 2016)

Në 1 shkurt 1988 nënministri i Punëve të Jashtme Sokrat Plaka do ta thërriste sërish ambasadorin jugosllav Novak Pribiçeviç për t’i komunikuar pakënaqësinë se qeveria e Beogradit nuk kishte kryer rikthimin “pa vonesë të bandës terroriste që u largua me dhunë nga territori shqiptar”, në 16 janar.
Pribiçeviç e pranoi qortimin dhe deklaroi se “unë nga ana ime do të bëj të gjitha përpjekjet...për një përgjigje sa më të shpejtë...”
Pribiçeviç e kishte origjinën prej një familjeje serbe në Kroaci nga më të respektuarat dhe rininë e pati kaluar në qytetlindjen e tij, në Zagreb. Më pas do të vazhdonte shkollën e diplomacisë në Beograd dhe tërë jeta e mëpasshme do të qe në detyra marrëdhëniesh ndërkombëtare në të cilat kërkohej mospërplasje. Sokrat Plaka, i cili në fillim të viteve tetëdhjetë qe ambasador i Shqipërisë në Beograd, e kishte ndjekur nga afër karrierën e kolegut që pak vite më vonë do të vendosej për një mandat pune diplomatike në Tiranë.
Novak Pribiçeviç qe produkt i kursit të fundjetës së Josip Broz Titos për t’i zbutur maksimalisht raportet e Jugosllavisë me Shqipërinë, por që kur shefi i madh kishte ndërruar jetë për të moderuarit nuk kishte më vend në administratën e re.
Ato ditë me vajtje-ardhje në Ministrinë e Punëve të Jashtme të vendit, ku ishte akredituar, Pribiçeviç vuante këtë gjendje të re. Ai qe kundër urrejtjes ndëretnike.
Ndërkohë që në Beograd i komandonin ngjarjet njerëz të tjerë nga ata të një dekade më parë, as në Tiranë nuk qe më mirë. Këtu shqiptarët ëndërronin vetëm të iknin nga atdheu i tyre. Po atë ditë që e kishte thirrur për të dytën herë Sokrat Plaka, ishte arratisur për në Jugosllavi edhe ushtari kufitar me emrin Zamir Petrit Cenolli.
Dyzetë e tetë orë më vonë, në 3 shkurt, jugosllavët me një letër drejtuar kryetarit të Komisionit lokal të incidenteve kufitare theksuan se ngjarja më e plotë qe disi ndryshe dhe kishte brenda saj edhe shkelje të territorit të vendit të tyre. Patën qenë 4 ushtarë shqiptarë, të cilët kishin hyrë brenda Jugosllavisë me qëllim arratisjeje. Ndërkohë katër ushtarë të tjerë shqiptarë në ndjekje të tyre, duke shtirë me armë, patën hyrë edhe ata në thellësi të territorit të shtetit fqinj. Më në fund ata kishin mundur të kapnin tre prej të arratisurve dhe i patën rikthyer menjëherë në postat kufitare të Shqipërisë. Ushtari i vetëm i shpëtuar nga arrestimi qe Zamiri.
Ndërsa në këtë rast të fundit, në betejën e luftës kundër arratisjeve të shtuara, Tirana ndihej triumfuese, nuk provonte të njëjtën ndjenjë për grupin e madh që ia doli ta kapërcente klonin në Han të Hotit, hipur mbi një kamion.
Këta u kishin bërë një sfidë të madhe.
Ja përse gjendja e ndërlikuar mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë, e rënduar nga kjo ikje e bujshme, nuk u zgjidh as në 14 prill 1988, kur Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë u detyrua të bënte një notë proteste të ashpër ndaj Beogradit.

Xhulio Andreoti ambasadorit shqiptar Bashkim Dino: ”Ne kemi ndjenja e simpati për politikën e shtetit tuaj dhe për popullin tuaj”

Shqipëria ishte e rrethuar ditë-natë nga strategjia e ikësve, sepse kjo konsiderohej mënyra më e efektshme për ta denoncuar regjimin e Tiranës si shkelës i të drejtave themelore të njeriut para opinionit publik ndërkombëtar.
Në Romë në këtë patos kacafytjeje me Tiranën qenë shumë më të përmbajtur se në Beograd. Kjo vihej re edhe në mjediset e zyrave qendrore të qeverisë, por më dukshëm në mjediset e Farnezinës, siç quhet Ministria e Punëve të Jashtme e Italisë.
Në Tiranë ambasadori Xhorxho De Andreis i ndiqte me shumë vëmendje ikjet e shtuara drejt Jugosllavisë dhe vëzhgonte një dyshim të vjetër të tij, por edhe të shefave të vet në Romë, se kishte një strategji të qartë të vendit rival për ta trazuar Shqipërinë ose më saktë për të dëbuar prej andej çdo mundësi italiane për të influencuar në të ardhmen e Tiranës.
Duke qenë se hyrja e gjashtë anëtarëve të familjes Popa i kishte rrënuar shumë marrëdhëniet dypalëshe, të cilat në vitin 1985 qenë në ngritje, De Andreis ishte mjaft i dëshiruar ta shihte me sytë e një loje jugosllave edhe hyrjen e papritur të Popajve në ambasadën e tyre.
Për ta kuptuar sa më mirë këtë gjendje diference qëllimesh mes Beogradit dhe Romës, çfarë e bën më të kuptueshëm rolin e Xhorxho De Andreis në Tiranë, po i paraqitim lexuesit se çfarë ndodhi në një takim të ambasadorit shqiptar në Romë, Bashkim Dino, me ministrin e Jashtëm italian Xhulio Andreoti.
Në 23 maj 1988 ata të dy qenë takuar.
Arsyeja formale për t’u bërë bashkë qe ceremonia e quajtur “takimi i lamtumirës”, e cila kryhet në rastet e largimit nga vendi i akredituar i një ambasadori të huaj.
Ky “takim lamtumire” Andreoti-Dino ishte kryer në orën 19.30.
Për këtë gjë Protokolli i Ministrisë së Punëve të Jashtme i Italisë e kishte njoftuar ambasadorin shqiptar që disa ditë më herët. Pritja prej Xhulio Andreotit, parashikuar për në mëngjesin e 23 majit, do të bëhej fillimisht në kabinetin e tij në Parlament. Më pas qe shtyrë për në orët e mbrëmjes. Do të bëhej në godinën e Farnezinës.
Ambasadori Dino shkoi në takim i pashoqëruar. Nuk mori me vete asnjë diplomat. Nuk dëshironte të kishte një të tretë në ato bisedë, e cila doemos që do ta çonte intimitetin diplomatik deri tek çështja e nxehtë e familjes Popa.
Qysh në hyrje të Ministrisë së Jashtme atë e priti një punonjës i Ceremonialit të Republikës Italiane, i cili e shoqëroi deri në paradhomën e ministrit Andreoti. Me të mbërritur diplomati shqiptar, ky e hapi vetë derën e zyrës së tij dhe iu drejtua me fjalët “Urdhëroni, zoti Ambasador, kam kënaqësinë që t’ju takoj. Na vjen keq që po largoheni”.
Pasi i tha këto fjalë Xhulio Andreoti e ftoi të ulej në një kolltuk pranë të vetit. Edhe ai qe fillikat, pa asnjë shoqërues.
Gjatë tërë takimit, i cili vazhdoi për rreth 20 minuta, nuk u duk njeri tjetër.
Ishin “sy më sy”.
Pasi Bashkim Dino i tha “Zoti Ministër, Ju falënderoj nga zemra që më dhatë këtë kënaqësi për të më takuar me rastin e përfundimit të misionit tim në Itali”, Andreoti ndërhyri: “Jo, zoti Ambasador, keni kaluar këtu në Itali 6 vjet. Kam pasur rastin t’ju takoj vetë disa herë dhe dua t’u them se të gjithë këtu në Ministrinë e Jashtme vlerësojnë punën tuaj të talentuar. Gjatë periudhës së qëndrimit tuaj këtu, është shënuar një kthesë e mirë dhe ecje e dukshme në marrëdhëniet tona”.
Këtë çast ambasadori Dino ndërhyri: “Dua t’ju konfirmoj që në fillim zoti Ministër, se porositë e vazhdueshme që më kanë dhënë mua autoritetet më të larta dhe qeveria ime, kanë qenë që të punoj me këmbëngulje për zhvillimin e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Italisë në të gjitha fushat e interesit të përbashkët. Kjo për mua, zoti Ministër, ka qenë detyrë e veçantë”.
Xhulio Andreoti pas kësaj tha: “Sipas pikëpamjes sonë me Shqipërinë është hedhur një themel i shëndoshë për zhvillimin e marrëdhënieve të mira si fqinjë të afërt... Kemi çfarë të bëjmë më shumë në të ardhmen dhe gjithçka do ta bëjmë”.
Këtu ministri i Jashtëm italian, në pritje të ndonjë reagimi të Bashkim Dinos, kreu një pauzë të vogël. Atëherë ambasadori shqiptar shqiptoi fjalët “Ashtu është, zoti Ministër, kemi çfarë të bëjmë më shumë. Ne kemi dashur dhe duam të vendosim kontakte politike për të shkëmbyer mendime për ato që i interesojnë rajonit për probleme ndërkombëtare...”
Pak më pas: “Probleme konfliktuale midis nesh nuk ekzistojnë. Unë largohem nga Italia me përshtypje të mira. Përfitoj nga rasti, zoti Ministër, t’u theksoj se gjatë qëndrimit këtu në Itali nuk më ka munguar predispozicioni dashamirës i autoriteteve italiane që nga ato më të lartat, për të trajtuar në mënyrë të hapur problemet e marrëdhënieve midis dy vendeve tona. Por dua t’u them gjithashtu se më vjen keq dhe jam disi i brengosur që nuk u zgjidh, sa isha unë këtu, çështja e gjashtë qytetarëve shqiptarë dhe nuk do të jem më ambasador në Romë kur ju të vizitoni Shqipërinë”.
Xhulio Andreoti, në shenjë miratimi, gjithë kohën bënte me kokë. Më në fund tha: ”Ne kemi ndjenja e simpati për politikën e shtetit tuaj dhe për popullin tuaj. Ministria e Jashtme dhe qeveria italiane do të bëjnë gjithçka që të ecim përpara duke likuiduar çdo pengesë. Incidentin e kemi akoma të pazgjidhur, me gjithë dialogun që e kemi zhvilluar me mirëkuptim. Ju nga ana juaj keni bërë gjithçka të qartë e të kuptueshme lidhur me gjashtë Popajt. Situata mbetet e qartë...ne po shikojmë çdo rrugë si do ta zgjidhim”.
Bashkim Dino një çast ndërhyri: “Sa me pa vonesë që do të na i dorëzoni gjashtë Popajt aq më mirë do të jetë për përmirësimin e marrëdhënieve midis dy vendeve tona...”
Më pas Xhulio Andreoti theksoi se “Ju themi hapur se incidenti për ne ishte i padëshirueshëm”.
Po ashtu: “Do të ecim përpara, duke likuiduar çdo pengesë, duke përfshirë edhe incidentin”. Në këtë pjesë të bisedës ministri i Jashtëm italian u ngrit në këmbë dhe duke e mbyllur bisedën, i tha ambasadorit shqiptar se në shenjë respekti i nderimi do t’i jepte një pjatë argjendi, me të cilën nderoheshin ambasadorë, si edhe një medaljon nga vetë ai si deputet i vjetër i Romës”. Sqaroi se këtë ua jepnin vetëm personaliteteve të nderuara.
Pasi ia dha pjatën e argjendtë dhe medaljonin Xhulio Andreoti i shtrëngoi dorën Bashkim Dinos, duke i komunikuar fjalët e qarta “T’i transmetoni qeverisë tuaj përshëndetjet më të mira”.
Pastaj e përcolli ambasadorin shqiptar deri tek dera e jashtme, ku e pritnin funksionarë të Ceremonialit, të cilët Bashkim Dinon e shoqëruan deri tek makina.

“Njerëzit me xhaketa edhe në verë”

Në një ditë maji të vitit 1988 Arjan Konomi, tashmë student në vitin e parë për inxhinier ndërtimi në Universitetin e Tiranës, u gjet në buzë të rrugës së madhe automobilistike që nga kryeqyteti, nëpër kurrizin e gjatë të disa maleve, shkonte e ulej për në qytetin e Elbasanit. Konvikti i inxhinierisë ishte pothuaj në buzë të kësaj rruge dhe ai ato çaste mesdite nuk do të gjendej sikur të mos i kishte ndodhur një e papritur. Pas leksioneve, siç bënte përherë, shkoi në dhomën e tij dhe kur deshi ta hapte derën e mbyllur, vuri re se nuk e kishte çelsin me vete. Në pritje të ndonjërit prej shokëve të dhomës, doli nga konvikti dhe nuk gjeti mënyrë më të mirë për të kaluar ca kohën se dalja në buzë të rrugës plot lëvizje. Aty nuk kalonin vetëm makina, por më së shumti edhe njerëz. Pa llogaritur çiftet e të rinjve që nëpër një shteg të gjerë hynin në një pyll për të fshehur intimitetet e tyre sa më shpejt nga sytë e botës, në rrugën e madhe automobilistike shëtitnin ndonjëherë edhe diplomatë të huaj.
Në anë të pyllit, në një vend të bukur që i ngjante një korije, kishin shtëpitë e tyre të stilit alpin disa punonjës të ambasadës gjermane e ndoshta edhe të ndonjë përfaqësie tjetër.
Atë mesditë maji më shumë se të ndeshte ndonjë diplomat Arjan Konomi kishte dalë t’i lëshohej shpenguar mendimeve të veta. Makinat në rrugë qenë të rralla, kalimtarët po ashtu, dielli i ngrohtë mjaft përgjumës.
Gati ishte gjysmë kotur kur fare pranë pa t’i kalonte një çift të huajsh.
Arjan Konomi u shkund nga apatia dhe e përndezi ndjenja e kuriozitetit. Mund t’i përshëndeste, pse jo. U foli anglisht me aq pak fjalë sa dinte. Dy batutat e para ishin afërsisht “Si jeni?” dhe “Si ju quajnë?” E treta përmbante pyetjen e drejtpërdrejtë “A dini italisht?”
Dy të huajt u përgjigjën “Po, jemi italianë”. Pastaj me buzën në gaz vijuan: “Pse, flisni italisht?”. “Po” iu përgjigj Konomi “flas shumë mirë italisht”.
Dhe në të vërtetë qe pikërisht kështu. Konomët gjithë atë shekull, pse jo edhe më parë, nuk e kishin orientuar vetëm tregtinë drejt gadishullit Apenin. Merrnin prej andej edhe veshje, orendi shtëpie, libra. Në jo pak raste nëpër ngushticën e Otrantos e kapërcenin detin edhe për të udhëtuar nëpër vendin që për ta ishte më joshësi.
Gjuhën italiane, përveç një xhaxhai i tij, ia kishte futur në kokë edhe televizioni italian. Në Ujin e Ftohtë familja Konomi banonte sinjali i RAI-t kapej kënaqshëm me vetëm “vibrator”, një tub i hollë alumini i përthyer.
Atë mesditë maji të vitit 1988 bashkë me dy të huajt Arjani bisedoi e shëtiti gjatë. Tema më e pëlqyer qëlloi të ishte festivali i Sanremos. “Nuk e kemi parë festivalin” thanë ata, “kemi qenë për disa kohë në Zelandën e Re”.
Biseda e Arjan Konomit dhe e dy të huajve pothuajse qe lodhur kur më në fund pyeti shkujdesur “Po ju turistë jeni?”
Për habinë e tij ata thanë “Jo”. Pastaj kur panë se i riu kurioz zmadhoi bebëzat e syve vijuan sqarimin: “Punojmë në ambasadë”.
Mjaftoi vetëm kaq që Arjan Konomit t’i ngrinte gjaku. Ishte i sigurt se tashmë vetë Sigurimi i Shtetit e kishte futur në shënjestër. Ata, “njerëzit me xhaketa” edhe në verë, duhej të ishin aty afër. Duhej të qenë patjetër rreth e rrotull edhe për një arsye të thjeshtë. Në ambasadën italiane ishte futur si e arratisur familja Popa dhe që prej dy vitesh godina e saj ishte në një rrethim e kontroll të trefishtë.
Tashmë e kuptoi se do t’i dilte nga hundët ai kuriozitet i tepërt.
Sapo u ndanë Arjan Konomit do t’i shfaqeshin “njerëzit me xhaketa edhe në verë”.

(Vijon)

Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com