Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

TA SHPĖTOJMĖ BALLISTIN MORINA APO.... Tė shpėtojmė prej tij?
PROVOKUESIT SHQIPTARĖ TĖ HISTORISĖ KOMBĖTARE DHE KROATI MILAN SHUFLAJ
PARTIZAN-KOMUNIZMI I JAUP LILĖS: LUFTĖTAR DHE QYTETAR I PĖRRUNJUR I ATDHEUT
SKĖNDERBEU ME LIDHJE TĖ SHUMĖFISHTA ME SLLAVĖT
KUJTESA KOMBĖTARE NĖN AGRESION
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

“O BERAT, ÇE PATE FAT!”


(Botuar në gazetën “Shqip” më 21 prill 2016)

Kjo është pjesë vargu e një kënge që në Berat para vitit nëntëdhjetë këndohej nëpër shfaqje zyrtare apo festivale foklorike. Fat konsiderohej ngritja në qytet e Kombinatit të Tekstileve, ndërmarrjes industriale punësuese më të madhe që ka pasur Shqipëria në të gjitha kohrat, deri në ditët e sotme. Kur bashkë me sistemin shoqëror që e ngriti, u prish, u braktis dhe u nda copa-copa, kishte afro 12 mijë punonjës. Nuk ekzistonte shtëpi beratase pa të paktën një pjestar të saj në atë gjigand, më shpesh ndodhte të punonin atje deri edhe dy, tre apo katër të tillë.
Qyteti i shtëpive që rrinë një mbi një në Mangalem, në Goricë apo edhe diku nëpër Kala, po ashtu në të shtatë kodrat që historikisht e përbëjnë, nga vetë e shkuara e tij si edhe karakteristika themelore që ka, është ndërtuar prej vetvetes. Asnjë perandori globale, sulltan e mbret, sekretar i parë apo kryetar partie në këtë botë nuk e ka bërë Beratin. Mbijetoi dymijë e katër qind mote sepse i ka krijuar gjërat me duart e veta.
Kështu e ka thurur edhe historinë e tij, kapitalin më të madh që ka. Kjo histori nuk është thjesht çështje ikonash brilante apo kishash mahnitëse, të cilat nuk kanë fund dhe janë një thesar ballkanik. As hotelesh dhe rrjeti turistik, ç’ka është mrekullia e kohëve të fundit që po mëkëmbin beratasit. Historia e qytetit është biografi e shkëlqyer kontributi qytetar, për Kombin dhe Shtetin. Me pak fjalë Berati ekziston që prej dhjetra shekujsh sepse ka kultivuar tek vetja edhe forcën e ndikimit politik përreth tij, në një reze veprimi të gjerë.
Pikërisht kjo vlerë e tij, ngatërruar qëllimisht me sofizmën se është popull pa ndonjë nerv protagonizmi në çështje të ushtrimit të pushtetit, dekadën e fundit ka marrë një goditje tronditëse. Ka kohë që dy partitë e mëdha, rozë e blu, të cilat alternohen në qeverisje, drejtuesit dhe jo rrallë edhe nëpunësit apo forumet në nivel bashkie apo qarku, pra elitën drejtuese, nuk e përcaktojnë prej rregullit themeltar të demokracisë, përparësi për shumicën, por prej marrëveshjeve burokratike me forcat politike aleate.
Fjala “plaçkë” është e rëndë, prandaj në akuzë le të jemi edhe ca elegantë: Beratin partitë e kanë futur në “lloto”.
Do të ndihej keq nga kjo shpërfillje edhe një katund e jo më qyteti i cili në paramesjetë dhe ne mesjetë ishte më i madhi qytet i tërë etnisë tonë. Madhështor në shtat dhe në vitalitet kombëtar ai hyri në Rilindje, në shpalljen e Pavarësisë, në rezistencën kundër pushtuesve gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Porse për këtë të shkuar nuk paskan më nevojë! Beratin pëlqejnë ta zvogëlojnë në përmasat e qytetit të këndshëm, shplodhës, të fundjavës, me pak fjalë vetëm e vetëm turistik. Duan të jetë thjesht një imazh, një beze e ngjyrosur ku mund të bëjnë një foto suveniri.
Me gjithë dëshirën e mirë për të parë zgjimin e një mendësie të re për qytetin që jep vlerë pa bërë bujë apo rrahje gjoksi, ngjarja më e fundit e ndodhur atje para pak ditësh, ajo kur Ben Blushi shkoi në Berat dhe që prej andej, për tërë Shqipërinë, të shpallte lëvizjen e tij politike, ridëshmoi këtë stil të vjetër, pse jo edhe shpërdorues.
Sepse nuk gjen dot një përgjigje bindëse përse ai zgjodhi pikërisht Beratin për të nismuar bocet-partinë e tij dhe jo një qytet apo një mjedis tjetër më afër simbolikës që donte të përcillte. Nuk garanton statusin e një argumenti fakti që njëri prej tre nismëtarëve qe bir i këtij qyteti. Në radhën e tyre ky është numri tre. Po të jetë kjo logjikë numri një i lëvizjes së re është në traditë nga Korça dhe numri dy prej Shkodrës.
Me partitë politike Beratin e ka pjellë belaja. Që kur janë krijuar ato vijnë aty dhe ngrojnë vezët. Në fillim të vitit 1991 qe Hysni Milloshi, i cili mblodhi në kinemanë e qytetit ndjekësit e lëvizjes së porsakrijuar: “Vullnetarët e Enverit”. Beratasit këtë ngjarje e morën vesh nga lajmet e televizionit të vetëm shtetëror dhe prej titujve të gazetave të së nesërmes.
Në tetor-nëntor 1944 Partia Komuniste Shqiptare e zgjodhi Beratin si qytetin ku shpalli qeverinë e saj, të cilën e quajti demokratike dhe koha provoi se kjo nuk ishte e vërtetë. Për gjysmë shekulli historia e qytetit u shtrëngua të mbajë mbi shpinë imazhin e sforcuar se qe themeli i parë i hedhjes së diktaturës. Madje i hodhën mbi shpinë edhe akuzën se qe streha e “prapaskenës së Beratit”, një plenumi të komitetit qendror të kësaj partie, e cila u përfshi tërë zell në një luftë të brendshme pushteti si edhe tiranie të deleguarve bolshevikë jugosllavë.
Asnjeri nuk kujtohet në këtë çerek shekulli shoqëri të hapët, sepse gjatë pesëdhjetë viteve të mëparshme kjo qe e pamundur, që në Berat ardhësit e rinj në pushtet me Enver Hoxhën në krye, shpallën Kartën e Drejtave të Qytetarit, një premtim lirie si ajo e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Uashington apo në Evropë si e Kartës së Helsinkit, të cilin zotim megjithatë nuk e mbajtën.
Këtë Berat, për të bërë një foto publiciteti, e patën zgjedhur dhjetë muaj më parë nga komunistët, në janar 1944, edhe udhëheqësit e Ballit Kombëtar. Mit’hat Frashëri organizoi këtu një kongres për të diskutuar e zgjedhur rrugën e qëndrimit të tyre të ardhshëm. Ndërsa pritej nga aleatët e mëdhenj antifashistë një rikthim i ballistëve shqiptarë në platformën e luftës së armatosur ditë-natë kundër nazistëve gjermanë, në këtë kongres u vendos të shkohej më thellë në të anasjellën, aleancën shumëformëshe me pushtuesit për të likujduar, bashkë me ta, lëvizjen e rezistencës të prirë nga PKSH.
Berati, në të gjitha këto ngjarje dhe lojra partish, ishte aty, por pa qenë.

Ylli Polovina

Berat, më 19 prill 2016

Version i printueshem
Faqja paraardhese

Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com