Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

NJË MBYTJE A PARALAJMËRUAR, KATERI I RADËS, 28 MARS 1997


(Botuar në gazetën “Shqiptarja.com” në datat 29 dhe 30 mars 2016)

Dje, në 28 mars 2016, paradite, televizioni publik italian, RAI, kanali i tij RaiStoria, në dhjetë ngjarjet më të spikatura të ndodhura në historinë e vendit të vet gjatë kësaj date, reshtoi edhe tragjendinë e Otrantos, siç ka mbetur në kujtesë të të gjithëve goditja e qëllimtë e anijes së vogël shqiptare Kateri i Radës, të mbushur me refugjatë, prej luftanijes italiane Sibilla.
U mbytën menjëherë 84 shqiptarë, mes tyre shumë gra dhe fëmijë.
Një ditë më parë, në 27 mars, ish-kryetarja e parlamentit italian dy vite të shkuara, ato çaste vetëm deputetet e partisë Lidhja e Veriut, Irena Piveti, deklaroi se shqiptarët që vinin si emigrantë, duheshin hedhur në det.
Akoma edhe sot kjo thënie konsiderohet nga më racistet në tërë historinë e Italisë, përfshi edhe periudhën e regjimit fashist.
Ndërkohë disa nga autoritetet tona e pritën me shumë mirësjellje Irena Pivetin në Tiranë, në shtator 2012, tashmë moderatore emisionesh televizive. Nuk është fjala se duhej dëbuar apo ndaj saj kryer ndonjë gjest fyes. Detyra e atyre politikanëve që i shtrënguan dorën, ishte t’i kujtonin se ajo raciste e vitit 1997 është në borxh, të paktën moral, me shqiptarët.
Ndërkaq dje, në emisionin e ngjarjeve më të rëndësishme që patën ndodhur në 28 mars, televizioni publik italian i dha shumë reliev dhe u shpreh me mjaft dhimbje e respekt për shqiptarët.
Ndoshta sepse kanë vetëdijën e ndjerjes së fajit, por mbi të gjitha nga që janë popull i qytetëruar dhe shumë i ndjeshëm ndaj jetës, në Itali janë bërë më shumë veprime të kujtimit të tragjedisë së 28 marsit 1997 se në anët tona, në Shqipëri.
Ky cikël me dy shkrime në “Shqiptarja.com” do të jetë përshkrimi i kësaj pjese të memories sonë kombëtare dhe asaj të vendit fqinj. Autori këtë kohë ka qenë me punë në Ambasadën Shqiptare në Romë dhe e ka ndjekur nga afër. Edhe kur pas përfundimit të mandatit është rikthyer në atdhe, e ka ndjekur, si publicist dhe historishkrues, me shumë përparësi.

NJË MBYTJE A PARALAJMËRUAR, KATERI I RADËS, 28 MARS 1997

(Shkrimi i parë)

Në pasditen e 13 prillit 2001 në Romë, në Pallatin e Ekspozitave, u shfaq pjesa dramatike “Pasaportat”. Autor i saj si edhe regjizor ishte Korrado Veneciano, një profesor i njohur italian i të folmes së aktorit si edhe autor i mjaft librave të kësaj fushe, aktualisht pedagog në Akademinë Dramatike “Silvio D’Amico” me seli në Romë.
Me Koradon ishim shumë miq. Shfletonim librat e njëri-tjetrit dhe ai në një rast, për çfarë i jam shumë mirënjohës, redaktoi një botim timin të përkthyer në italisht, punë të mundimshme që e bëri jo vetëm miqësisht, por edhe falas.
Veneciano qe dhe mbetet edhe tani, veprimtar politik I të majtës liberale, asaj që në Itali po qeveris tani nëpërmjet kryeministrit Mateo Renci.
Si i tillë, me ndjeshmëri për më të dobëtit dhe më të pambrojturit, mes këtyre edhe për emigrantët, Korrado Veneciani mbarte me vete shpirtin e një puliezi, sepse duke qenë se pati lindur në Leçe, i kishte parë me sytë e tij shqiptarët e vitit 1991, tek të varfër dhe me shpresë për një jetë më të mire, vinin hipur njëri mbi tjetrin nëpër vaporë mallrash.
Në shfaqjen “Pasaporta” atë pasdite të 13 prillit 2001 luanin pesë aktore profesioniste, mes tyre edhe Paola Riçi, bashkshortja e Venecianos.
Që të pestë luajtën shqiptarët e natës së 28 marsit 1997. Shikuesit e shumtë i tronditi atë mbrëmje zhurrma e dallgëve të detit, kërcitjet e trupit të imtë të anijes “Kateri i Radës”, aktoret që citonin një për një emrat e të mbyturve, prej cilit qytet shqiptar vinin, çfarë profesioni kishin, sa vjeç patën mbushur ato çaste, ç’ëndërra ua ngrohnin zemrat para se trupat tua ftohte vdekja dhe uji i akullt i detit.
Kjo shfaqje dhe trupa e saj dramatike më vonë u ndihmua nga ambasada jonë të shkonte në Vlorë, në Durrës dhe Tiranë.
Këtu spektakli i dhimbshëm u shfaq në sallën teatrore të Akademisë Shqiptare të Arteve.

Si Zani Çaushi e mori Katerin nga posti i Sarandës

Kur në qytetin e Vlorës po i afrohej fundit muaji mars i vitit 1997 dhe anarkia gjithkund po merrte viktima, u hapën fjalë se anija më e madhe që kishte porti, “Daminia”, do të merrte rrugën për në Itali. Kush kishte dëshirë mund të prenotonte një vend, sigurisht duke parapaguar.
“Daminia” kishte dy pronarë dhe në të dy shtëpitë e tyre filluan të vinin njerëz e të paguanin çmimin e caktuar. Ai ishte më i lartë se i gomoneve, por gjithsesi i pranueshëm sepse udhëtimi me një barkë të madhe jepte siguri për jetën.
Ndërsa nëpër arkat e pronarëve qenë grumbulluar paratë, në Vlorë u përhap me shpejtësi fjalënaja se mes të dyve kishte hyrë sherri.
Këtë të papritur e pasoi shumë ngutshëm edhe një lajm tjetër: njëri pronar kishte kembëngulur se njerëzit, të cilëve u kishte marrë paratë, do t’i niste patjetër për në Itali. Kështu ai njoftoi me shpejtësi klientët e vet dhe ata, me fëmijët nëpër krahë dhe valixhet çantat e udhëtimit në duar, rendën në port. Aty hipën menjëherë në anije, duke u sistemuar siç mundën.
Kur po pritnin që më në fund të niseshin, ndodhi sërish një e papritur e re: anija qe pa timon. Atë e kishte hequr menjëherë pas zenkës pronari tjetër.
Njerëzit i kapi paniku.
Pikërisht në këtë çast nuk i kurseu edhe një e befasi tjetër, ndoshta më e hidhura e të gjithave: pronari që u kishte marrë paratë dhe u pati thënë të hipnin, e dinte këtë gjë që më parë dhe nuk kishte bërë zë.
Atëherë ikësit vendosën të mos largoheshin dhe kërkuan me kembëngulje t’i çonin për atje ku u kishin premtuar. Shumica e tyre ishte pikërisht nga lagjia e quajtur “Çole” ose më saktë nga lagjia ku e kishte shtëpinë edhe Myrteza Çaushi.
I ardhur me shpejtësi nga Greqia, ku thuhej se kishte qenë në burg dhe ishte liruar tamam kur në Vlorë e në jug të vendit patën filluar trazirat, ai gjatë muajit mars kishte filluar të bëhej emër i njohur. Pëlqehej nga disa njerëz të thjeshtë sepse ndërhynte për të zgjidhur ankesat e bashkëlagjasve të tij.
Myrteza Çaushi erdhi menjëherë në port dhe bashkë me të edhe një shok i tij, emri i shkurtuar i të cilit thirrej Kakami (ndërsa emrin e vërtetë e kishte Alfred Nebiu).
Me të dëgjuar ankesat e të hipurve në anije që të dy i ushtruan presion pronarit që të bënte çmos t’i dërgonte njerëzit në Itali, ca më shumë se ata kishin paguar dhe ai tashmë qe me detyrime financiare ndaj tyre. Ky u mbrojt me historinë e timonit.
Më në fund Zani dhe Kakami, kur panë se pronari që u kishte premtuar dërgimin në Itali as po kujtohej që të paktën t’u kthente të dëshpëruarve paratë, u dhanë fjalën njerëzve se do t’i çonin vetë. Kërkuan kohë vetëm njëzetë e katër orë, pastaj me një shkathësi të habitshme mobilizuan pesëmbëdhjetë nga njerëzit e tyre të armatosur dhe hipur në disa makina u nisën drejt portit detar më në jug të vendit, në Sarandë.
Zani kishte marrë me vete edhe një kapiten të Flotës Detare Shqiptare, të quajtur Namik Xhaferri, të cilin e nxori nga shtëpia me lutjen që edhe ai të ndihmonte bashkëqytetarët e tij të mbetur ngujuar në port.
Xhaferri do të drejtonte anijen që do të rrëmbenin në portin ushtarak të Sarandës.
Kur hynë në këtë qytet dhe iu afruan portit nuk shtinë me armë dhe as kërcënuan. As ushtarakët nuk i qëlluan. Atyre u shpjeguan hallin që kishin dhe, pa pritur pëlqimin e tyre, iu drejtuan anijes së quajtur “Kateri i Radës”.
Një pjesë hipën në të dhe nuk harruan t’u bënin ftesë për të ikur në Itali edhe vetë ushtarakëve. Asnjeri prej këtyre nuk pranoi, por disa qytetarë nga Saranda, që u bënë dëshmitarë të ngjarjes, nuk vonuan ta pëlqenin ofertën.
Kështu anija e Flotës Luftarake Shqiptare “Kateri i Radës” u nis me shpejtësi drejt portit të Vlorës.
Me të mbërritur, mes një entuziazmi të papërmbajtur, Zani urdhëroi që të hipnin në fillim ata që kishin paguar, pastaj të tjerët. Të parët qenë gratis, të dytët të jepnin sa të kishin me vete.
Dy njerëz nga të grupit të armatosur të Myrteza Çaushit, duke mbajtur në hyrje të anijes një thes grykëhapur, mblidhnin paratë që hidhnin njerëzit. Pranonin në lekë, në lireta, në dollarë, në marka gjermane...Aty pranë qendronin me kallashnikovë në duar vetë Zani dhe shoku i tij i atëhershëm, Kakami.
Porse ndërkohë lajmi i ardhjes së “Kateri i Radës” kishte marrë dhenë dhe në port nisën të mbërrinin ikës edhe nga qytete të afërta me Vlorën. Kështu në anije hipën tepër dhe ajo u tejmbush. Shumë që ishin grumbulluar në port, nuk mundën dot t’i ngjitnin shkallët e saj. Disa të tjerë, tek panë ngarkimin e frikshëm, hoqën dorë dhe u larguan. “Kateri i Radës” më në fund u nis. Në mbarim të dritës së qiellit ngjyrë gri të 28 marsit.

“Le t’ua tregojmë këtyre bastardëve se cilët jemi… ndiqini…. ndiqini!”

Kishte vetëm tre ditë që kishte hyrë në fuqi marrëveshja mes Romës dhe Tiranës, sipas të cilës luftanijeve italiane u jepeshin detyra policie për të prapsur valët e refugjatëve. Në orën 17.15, anija ushtarake “Zeffiro” dalloi katerin shqiptar dhe menjëherë me radio u lidh me Komandën Operative Detare në Romë.
Kërkoi informacion se si duhej të vepronte, por nga salla operative iu përgjegjën se duhej të zbatonte të gjitha masat e parashikuara nga protokolli i firmosur më 25 mars.
Megjithatë “Zeffiro” kembënguli për udhëzime konkrete dhe njoftoi Romën se në bordin e anijes së vogël shqiptare kishte edhe gra e fëmijë. Po ashtu shpjegoi se edhe deti qe mjaft i trazuar dhe afrimi tek anija ishte shumë i vështirë.
Admirali në Komandën Operative Detare e urdhëroi “Zeffiro” t’i ndiqte refugjatët dhe për këtë gjë “të ngulte kembë gjer në një kohë të pakufizuar”.
Kështu në luftanijen italiane erdhi urdhri për ta ndalur me çdo kusht “Katerin e Rades”. Një komandë e tillë krijoi tension si në sallën operative të Marinës Detare në Romë ashtu edhe në luftanijen “Zeffiro”, tek disa marinarë provokoi edhe ekzaltim “patriotik”. Në aparaturat e komunikimit, por që ndërkohë regjistronin, u dëgjuan edhe thirrjet histerike “Le t’ua tregojmë këtyre bastardëve se cilët jemi… ndiqini…. ndiqini!”
Kështu në Kanalin e Otrantos, në prag të natës, filloi ndjekja e çmendur e një anijeje të vogël të tejmbushur me shqiptarë të pambrojtur.
Një çast, duke mos ja dalë dot vetë, “Zeffiro” ja kaloi urdhrin e ardhur anijes më të shpejtë “Sibilla”.
Kjo arriti t’i afrohet deri shtatë metra nga popa e “Katerit të Rades”, por dallgët e zhvendosën nga e majta popën e anijes shqiptare dhe papritmas, vetëtimthi, kiçi i “Sibilla” goditi “Katerin e Radës”, duke i shtypur njërin krah topit të kuvertës.
Anija shqiptare humbi ekuilibrin dhe u anua, por luftanija italiane, pesë herë më e madhe se ajo e ardhur nga bregu tjetër, u ribë më kërcënuese.
Dallgët ia ringritën edhe njëherë kiçin Sibillës dhe kësaj rradhe ajo goditi kullën e komandës së Katerit të Radës, duke flakur përdhe të pajetë katër refugjatë.
Përplasja e anoi nga njëra anë anijen shqiptare dhe ajo filloi të fuste ujë. Në bord shpërtheu paniku.
Ndërsa ishte në këtë agoni “Kateri i Radës” mori edhe një goditje të tretë. Kjo ishte vdekjeprurësja. Uji i hyri vrullshëm dhe ajo u mbyt menjëherë, duke rrëshqitur gjer 870 metra thellësi.
Gjithçka ishte zhvilluar në treçerek ore.
Shifra e parë që u bë publike: nga 142 vetë shpëtuan vetëm 34.

VDEKJA MISTERIOZE E AVOKATIT ARBËRESH XHUZEPE BAFA

(Shkrimi i dytë)

Në 13 janar të vitit 2000 udhëtonin drejt Brindisit dy avokatë italianë.
Quheshin Xhuzepe Bafa dhe Françesko Perrota.
I pari qe një arbëresh i njohur, të paktën që atë çast kur studioja e tij në Kozenca mori përsipër mbrojtjen e palës shqiptare në ngjarjen e tragjedisë së Otrantos, ndodhur të Premten e Shenjtë të vitit 1997, 28 mars.
Xhuzepe dhe kolegu i tij Françesko shkonin për të marrë pjesë në seancën gjyqësore të radhës.
Rrugës makina e tyre doli nga superstrada dhe u përplas. Vdiqën në vend Xhuzepe Bafa dhe Françesko Perota, u plagos Mikelanxhelo Ruso, bashkëpunëtor i të dy avokatëve.
Ngjarja në fillim u njoftua nga teleteksti i Rai-t, por më pas nuk u transmentua me fjalë apo figurë nga asnjë edicion kryesor lajmesh të televizionit italian, përfshi tre rrjetet kryesore kombëtare.
Të nesërmen ishte “La Repubblica” që në rubrikën “Shkurt” e bënte publike ngjarjen me titullin “Taranto, 2 avokatët humbasin jetën”. Në mbititull rrinte dyfjalëshi që e kategorizonte ngjarjen si “aksident rrugor”. Në të njoftohej po ashtu se, ndërsa ishin nisur nga Kozenca, incidenti u kishte ndodhur një ditë më parë në superstradën Taranto-Grotalie.
Mes heshtjes së përgjithshme u tregua e ndjeshme edhe “Il Messaggero”. Hapi një copëz hapësire, sa për dy rradhë, edhe ajo në rubrikën informative “Shkurt”.
Në masmedian kombëtare italiane gjithçka për këtë ngjarje dridhëse ishte “shkurt”. Vetëm me pak fjalë, fare pak.
Por nuk kishte heshtur një gazetë rajonale, me qendër Firencen dhe që shitej nëpër disa pika edhe në qytete të tjera të vendit, kryesisht nëpër stacione trenash.
Ishte “La Nazione”, e përditshme e lidhur me mjedise të qendrës së djathtë, atë kohë strukturë politike në opozitë. Në fillim të vitit 2000 në qeverisje vijonte koalicioni “Ulliri” i qendrës së majtë, formacion politik që ishte në pushtet edhe në ditën tragjike të 28 marsit 1997.
“La Nazione” kishte kryer një gjë krejtësisht të veçantë: një ditë para se të humbte jetën avokati Xhuzepe Bafa dhe bashkëpunëtorët e tij, i kishte botuar këtij një intervistë. Arbëreshi, i zgjedhur edhe kryetar i Urdhërit të Avokatëve të qytetit të Kozencës, i kishte deklaruar gazetarit Xhovani Morandi se anija italiane “Sibilla” atë natë të lemerishme të 28 marsit kishte shkelur ligjet ndërkombëtare detare dhe i qe afruar më shumë nga sa i lejohej, anijes shqiptare. Madje pati thënë se njerëzit e anijes ushtarake italiane as që ishin munduar të shpëtonin shqiptarët që po mbyteshin. Vetëm pak nga ata që ishin mbi kuvertë ja dolën fizikisht dhe notuan drejt luftanijes, kishte saktësuar.
Më vonë, pothuaj në fund të intervistës, kishte lënë nga pas edhe fjalët rrënqethëse “Kam frikë se mos më vrasin”.
Tani që vdekja e tij kishte ndodhur, “La Nazione” shkrimit funebër i jepte titullin më gërmëmadh të faqes së saj të parë: “Mallkimi i Sibilës”.
Pas këtyre fjalëve thërriste si kujë nëntitulli “Vdes avokati i shqiptarëve. E kishte deklaruar “Kam frikë për jetën time”. Në brendësi të gazetës, një treçerek faqe speciale, titulli i dytë i shkrimit përsëriste që në krye fjalët e dhimbshme të njëzetë e katër orëve më parë: “Di sekrete, kam frikë”: vdes njeriu i çështjes Sibila”.
Në radhët e fundit, në një përpjekje për të qenë edhe brenda por edhe duarjashtë këtij denoncimi shungullues, gazetari me emrin Xhovani Morandi shkruante se pas kësaj vdekjeje familjet e viktimave ishin shprehur me fjalët e dëshpëruara “Bafa ishte e vetmja edhe e fundit shpresë jonë...Tani le të jenë të kënaqur”.
Ai vetë mendonte se incidenti i daljes nga rruga dhe i përplasjes kishte ndodhur ose nga asfalti i lagur prej shiut të asaj dite ose thjesht nga shpejtësia e madhe me të cilën po e ngitnin makinën.
Ky kishte qënë edhe varianti zyrtar i ngjarjes.

Gjurmë të prishura nga shërbimi i fshehtë ushtarak i Marinës

Cikli prej katër shkrimesh që Xhovani Morandit në “La Nazione” u mbyll më 17 janar 2000. I fundit mbartëte me vete titullin e thekshëm “Çështja Sibila, provat nuk kthehen”. Në të vihej në dukje se prokurori i Brindisit, Leonardo Leone De Kastris, ngulte kembë se provat materiale të admiraliatit italian ishin të çensuruara dhe në to qe ndërhyrë.
Kështu ai deklaronte se nga një cikël fotosh të një filmi dy prej tyre ishin prerë, se po ashtu qe ndërhyrë në pjesën e filmuar të ngjarjes, të cilën e kishte kryer një marinar i Sibilës.
Gjithnjë sipas De Kastris, në film qenë lënë vetëm 6 sekonda pamje dhe më pas, në shirit, kishte vetëm errësirë.
Ndërhyrje prej zyrave të admiraliatit, i përgjigjej prokurori i Brindisit gazetës “La Nazione”, ishte kryer edhe në regjistrimet e zërave e urdhërave të dhëna para, gjatë dhe pas incidentit. “Zërat më parë ishin të pastër dhe më vonë u janë futur zhurrma”, deklaronte prokurori.
Po kështu autori i shkrimit, Morandi, ngulte kembë se sipas Leonardo Leone De Kastris të dy admiralët që u muarrën në pyetje, kishin prirjen për t’iu shmangur përgjigjeve të drejtpërdrejta dhe se e përjashtonin përgjegjësinë e tyre.
Gazetari shtonte se kishte ndodhur edhe një fakt tjetër, të cilën për nga rëndësia e zbardhjes së tragjedisë së Otrantos të 28 marsit 1997, e konsideronte “me vlerën e një perle”. De Kastris i pohonte se admirali me emrin Bateli në ditët pas mbytjes kishte mbledhur oficerët, të cilët natën e incidentit qenë në çentralin operativ dhe u kishte dhënë direktivat se si duhej të vepronin më pas.
Por “perla” e vërtetë ndoshta ishte zbuluar një ditë më parë, më 16 janar, kur në “La Nazione” kapiteni i marinës italiane Anxhelo Luka Fosko pati pohuar atë që për tre vjet me radhë asnjë oficer i lartë italian nuk donte ta shqiptonte dhe për të cilën gjë dyshohej: anija italiane Sibila kishte marrë urdhër t’i afrohej “Katerit të Radës“ deri në takim fizik.
Kjo donte të thoshte edhe “gjer në përplasje”.

Kateri i Radës tashmë si monument

Më shumë se një vit më pas, më 28 mars 2001, në Vlorë u zhvillua rituali i dhimbshëm, i përhershëm, i pjesëtarëve të familjeve të viktimave të katër viteve më parë. Përkujtimi i jetëve të humbura u bë si gjithnjë: prej molit të qytetit u hodhën në det tufa me lule.
Sipas gazetave kësaj radhe kishte ndodhur për herë të parë edhe nderimi i kujtimit të avokatit Xhuzepe Bafa. Nga po këto gazeta vetëm një muaj pas vdekjes së tij, qe mësuar se vetë komisioni parlamentar i politikës së jashtme i Kuvendit të Shqipërisë për arbëreshin i kishte propozuar Presidentit të Republikës një dekorim. Ndërkohë qeveria shqiptare emëroi një avokate emigrante në Bari si të ngarkuar të plotfuqishme të saj për ta ndjekur gjyqin. Në Brindisi u gjallërua një organizatë italiane joqeveritare me emrin “Vëzhguesi i Otrantos” dhe nëpërmjet një radioje nuk mungoi asnjëherë ta denonconte aktin e anijes ushtarake italiane “Sibilla” si një krim të vërtetë.
Presidenti Alfred Moisiu e dekoroi avokatin arbëresh Xhuzepe Bafa në pranverë të vitit 2003.
Në 19 mars 2005 u mbyll proçesi gjyqësor për përgjegjësit penalë të mbytjes së të paktën 84 bashkëkombasve. Katër vite burg iu dhanë shqiptarit Namik Xhaferri, atëhere drejtues i “Kateri i Radës” dhe tre vjet italianit Fabricio Laudati, kapiten i anijes luftarake “Sibilla”.
Në fundmaj 2005 avokatja shqiptare me banim në Brindisi, e ngarkuara prej qeverisë shqiptare, Natasha Shehu, tërhoqi vëmendjen e bashkëkombësve të saj duke deklaruar se qe bijë natyrale, e fshehtë, e Mehmet Shehut.
Ajo ndërkohë i qe drejtuar disa herë medias shqiptare duke nxjerrë në dukje se qe avokatja e viktimave të Otrantos. Pak kohë më pas e vetëquajtura bijë natyrale e kryeministrit komunist u akuzua prej familjeve të viktimave si shpërdoruese e një pjese të dëmshpërblimeve që u dha të mbyturve nga shteti italian. Kështu edhe u dorëhoq.
Shtatë vite rresht luftoi për të vërtetën prokurori italian Leone de Kastris. Po ashtu kontribuoi në mënyrë shumë të çmuar Gjeneral Franko Anxhoni, ato kohë Komisar i Jashtzakonshëm për ndihmat ndaj Shqipërisë. Ishte njeriu që luftoi për gjithçka, përfshi edhe dëmshpërblimet.
Silvio Berluskoni, kur ndodhi tragjedia e 28 marsit 1997, ato çaste shef i opozitës, mbërriti menjëherë në portin e Brindisit dhe nga tronditja e asaj që kishte ndodhur, qau.
Çdo vit qytetarë të Brindisit, të vetorganizuar në një kortezh, niseshin nga sheshi Vittoria dhe kur mbërrinin në skelë, hedhnin mbi det, në kujtim të shqiptarëve jetëhumbur, tufa me lule.
Në vjeshtë të vitit 2010 u zhvillua gjykimi në nivelin e Apelit dhe u prish vendimi për ta shkatërruar anijen që ende ruhej në një skaj të portit të Brindisit. Në fillim të vitit 2012 pjesa e saj kryesore u vendos në qytetin e Otrantos si memorial për të gjithë emigrantët.
Për ta ndjekur më nga afër këtë ngjarje të fundit autori i këtij shkrimi pati korespondencë me kryetarin e bashkisë së Otrantos Luçiano Karidi dhe në një shkrim enkas pasqyroi kontributin e madh jo vetëm të autoriteve lokale italiane, të Institutit të Kulturave Mesdhetare të Provincës së Leçes, rolin e spikatur artistik të realizuesit, grekut Varocos, por edhe të veprimtarëve shqiptarë në Itali.

Shtëpia Bafa në EUR

Në lagjen EUR të Romës, në Largo Broki, ndodhet edhe shtëpia e Eloisa Bafës, motrës së Xhuzepes. Ajo punon në Ministrinë e Financave.
Me Eloizën jam njohur para se të ndodhte vdekja “aksidentale” e të vëllait.
Arbëreshja e ka lidhur jetën me balerinin shqiptar Rudolf Gjoka. Ky punon në aeroportin roman të Fiumiçinos, tek shoqëria ajore italiane Alitalia.
Me Eloiza Bafën shqiptari mjaft elegant dhe i kultivuar është njohur në vitet 1991-92, në vendin e tij, në Tiranë. Ndërkaq djali i tyre i ka të gjitha cilësitë e një bashkimi gjaku të paprishur arbëresho-shqiptar: nuk lë dy gurë bashkë në një vend, gjen çdo mjet për të rënë në sy të mysafirit dhe orientohet rrufeshëm nga një inteligjencë e lindur.
Kur në 2003 bëra vizitën në atë shtëpi më lanë mbresa dy gjëra të veçanta: nëna e Eloizës dhe një foto e Xhuzepes.
Nëna e tyre, ulur pranë nesh në një prej poltronave, ngjan me një arbëreshe klasike. Flet me konseguencë gjuhën e mëmëdheut të pothuaj gjashtë shekujve më parë. Dhe vetëm psherëtin.
Fotografia e Xhuzepes ndodhet në çdo kend të shtëpisë. Si një ikonë.
Nëna lutet çdo minutë dhe qan. Përlotet krejt befasisht, në mes të bisedës më të qetë. Është një ngashërim që i ngulçon nga fundi i krahërorit, të paktën njëherë në dhjetë minuta. Fizikisht duket grua e fortë, po ashtu ka vetinë që çurgun e lotëve ta fshijë menjëherë me kurrizin e dorës dhe ta rinisë bisedën e mëparshme, të qetën, sikur të mos ketë ndodhur asgjë. Deri në çastin kur ngulçi i rivjen nga thellësia e krahërorit për ta mbytur në lotë.
Si nuk vdes nga kjo raskapitje e dhimbje e përhershme!
Eloisa mbahet. Një motër, siç dihet, bën shumë për vëllanë e saj. Eloiza Bafa bëri çmundi që të sensibilizonte ambasadën shqiptare në Itali dhe autoritetet e larta në Romë dhe Tiranë për vëllanë e saj. Ajo përherë mendon se vdekja e Xhuzepe Bafës mund të jetë njëlloj aksident natyror dhe i kurdisur. I organizuar sigurisht jo nga qeveria italiane.
Me dhjetra prova e dokumente, qendrime e biseda intime, për të cilat është në dijeni autori i këtyre radhëve, provojnë fisnikërinë e kabinetit qeveritar të kohës apo të klasës politike italiane.

Ylli Polovina

Tiranë, më 28 mars 2016




Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com