|
KABLLOGRAMI SEKRET: TITO KA EDHE VETËM TRE MUAJ JETË
Enver Hoxha: Sa mirë do të ishte që Tito të jetonte edhe nja dy vjet!
(Botuar në gazetën “Shqiptarja.com” në 22 mars 2016)
Pjesa e tretë
Shkrimi i pestë
Në selinë e ambasadës shqiptare në rrugën beogradase Knjaz Millosha, ku fare pranë qenë edhe përfaqësi të tjera diplomatike si edhe vetë Ministria e Punëve të Jashtme të Jugosllavisë, biseda mes ambasadorit Sokrat Plaka dhe të porsaemëruarit ambasador në Tiranë, malazezit Branko Komatina, që në fillim u përfshi në një debat të nxehtë, por ku gjithsesi që të dy ditën ta përmbanin brenda mirësjelljes.
Një çast Komatina i bëri kompliment Plakës, duke u shprehur se ai po i dukej njeri kontruktiv. Ky i fundit ia ktheu menjëherë: i tha se me emërimin në Tiranë të kolegut Branko qeveria jugosllave kishte kryer në veprim pozitiv dhe bërë një zgjedhje të mirë.
Sepse, spikati Sokrat Plaka, “malazezët kanë shumë gjëra të përbashkëta me shqiptarët dhe kështu keni për ta kuptuar më mirë karakterin e popullit tonë dhe me këtë rast edhe qëndrimet aktuale të politikës shqiptare”.
Ambasadori i Tiranës i vuri në dukje se pëlqente që Komatina ishte një diplomat karriere dhe e kishte tërë aftësinë të dallonte ku mes dy vendeve i kishte sinoret lufta ndarëse ideologjike dhe ku interesat e përbashkëta bashkuese. “Vërtet ndryshimet ideore janë tepër të thella, mëshoi Plaka, por duhen lënë mënjanë, duke mos i dramatizuar”. Pastaj përsëriti: “Marrëdhëniet mes dy vendeve duhen të ndahen nga mosmarrëveshjet ideologjike”.
Ishte Sokrat Plaka që përmendi vizitën e porsakryer të Titos në Kosovë dhe la të kuptohej qartë se ky gjest i kishte pëlqyer. Të paktën Josip Broz Tito në Prishtinë dhe në çdo vend të Kosovës, ku shkoi, nënvizoi ambasadori i Tiranës, pati shprehur domosdoshmërinë e mbrojtjes dhe të zhvillimit të të drejtave të shqiptarëve, ndërkohë që, theksoi prerë Plaka, këtë dëshirë të mirë nuk e kishin disa udhëheqës jugosllavë. Këta, vijoi ai, nuk lënë rast pa e akuzuar Shqipërinë se ndërhyn në punët e brendshme të Jugosllavisë duke nxitur gjoja nacionalizmin dhe irredentizmin. “Ndoshta këtë e bëjnë, shtoi me ironi Sokrat Plaka, sepse duan të justifikojnë paaftësinë në zgjidhjen e problemeve të brendshme”.
Kjo e acaroi pak Branko Komatinën, por nuk la t’i dukej në fytyrë ndonjë shenjë. Iu përgjigj me përvojën që pati nga takimet e porsakryera me drejtues të Serbisë, të Maqedonisë, të Kosovës dhe të Malit të Zi, të cilët, sipas tij, në harmoni të plotë me njeri-tjetrin, patën këmbëngulur që ai si ambasadori i ri i Federatës Socialiste të Jugosllavisë në Shqipëri të luftonte pa u lodhur për përmirësimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve të ndërsjella në të gjitha fushat.
Ndërkohë Komatina i vuri në dukje Sokrat Plakës se bashkë me parimet themelore të politikës së barazisë ndaj grupeve të ndryshme etnike, Jugosllavia e kishte të domosdoshme që për të mbrojtur sovranitetin e saj territorial si edhe rendin e brendshëm shoqëror dhe ekonomik, t’i kundërvihej nacionalizmit shovinist, i cili qe, siç theksoi posaçërisht, “me frymëzim kundërrevolucionar dhe borgjez”.
Zëvendësi i Josip Brozit: Dërgojini të fala Enver Hoxhës!
Takimi i paranisjes për në Tiranë nuk u krye me Josip Broz Titon, sepse ai kishte shumë vite që pati hequr dorë nga praktika e bisedës përshëndetëse dhe udhëzuese me çdo ambasador të emëruar para ikjes për në vendin ku qe caktuar.
Kështu Branko Komatinën e priti nënkryetari i Presidencës, numri dy i vendit, Llazar Kolishevski. Në krah të djathtë të tij rrinte Sekretari Federal i Punëve të Jashtme, Josip Vërhovec.
Kolishevski foli shkurt. Ai tha Komatinës se do të ishte e dobishme për fillimin e mbarë të misionit që të gjente rastin më të parë e “t’i përcillte Enver Hoxhës dhe udhëheqjes shqiptare të falat e presidentit Tito si edhe të udhëheqjes jugosllave”.
Kjo e gjeti në befasi ambasadorin Branko, sepse e konsideronte të tepërt që Tito të përshëndeste Enver Hoxhën. Nuk mund të bindej ta bënte këtë gjest përderisa Hoxha nuk kishte humbur asnjë rast për ta sulmuar egërsisht Josip Brozin dhe shpifur kundër tij.
Në të vërtetë Branko Komatina i kishte skicuar me kohë çfarë do të thoshte në ceremoninë e dorëzimit të letrave kredenciale në Tiranë dhe gjithçka qe ndërtuar në një mënyrë të tillë që, pa cituar emrin e Josip Broz Titos, për raportet delikate mes dy vendeve të mbizotëronte fryma optimiste.
Kur ia tha këtë Llazar Kolishevskit ky pranoi të bënte një korigjim në formulën e tij. Ra dakord që në takimin e paraqitjes së letrave kredenciale në Tiranë ambasadori Komatina të deklaronte se Enver Hoxhës dhe udhëheqjes shqiptare përshendetjen ia përcillte në emër “të udhëheqjes jugosllave”.
Sekretari Federal i Punëve të Jashtme, Josip Verhovec, porositi që në atmosferën e dëshirës dhe të përpjekjeve për marrëdhënieve të mira Branko Komatina t’i mbante të ftohta nervat në të gjitha rastet kur Tirana do të ndërmerrte sulme propagandistike, por edhe në çdo rast tjetër keqdashës, duke përdorur me plot vullnet çdo formë diplomatike proteste.
Porosia tjetër e Vërhovec ishte porosia që Komatina kur të takohej me ministrin e Jashtëm shqiptar Nesti Nase t’i komunikonte mesazhin e mëposhtëm: “Thuaji se me Josip Verhovec je në borxh!”
Pastaj sqaroi se ministri Nase duhej të kuptonte njëherë e mirë se Sekretari Federal i Punëve të Jashtme të Jugosllavisë qe vendosmërisht për marrëdhënie të mira me Shqipërinë dhe jo e kundërta, siç nga shefi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Tiranës ishte përhapur nëpër qarqe të huaja diplomatike.
Në fund Josip Vërhovec i tha Branko Komatinës se për të dhe personelin e tij në kryeqytetin shqiptar do të kishte edhe financime të veçanta, sidomos për shplodhje dhe zbavitje. Në Beograd dhe në tërë Jugosllavinë mund të vinte sa herë të dëshironte. Madje thjesht edhe për një piknik.
Në Klinikën e Ljubjanës janë shumë të shqetësuar
TANJUG, agjensia shtetërore e lajmeve të Jugosllavisë, në mëngjezin e 14 janarit 1980 njoftoi se Josip Broz Tito, i shtruar në Klinikën e Kirurgjisë Kardiovaskulare në Qendrën Klinike në Ljubjanë, një nga më të mirat në vend, gjatë natës qe operuar në enët e gjakut të këmbës së majtë. Sipas kësaj agjensie “Presidenti Tito e ka përballur mirë operacionin. Rrjedha e menjëhershëme postoperative ishte normale”.
Fotoja shoqëruese e njoftimit të lajmit ishte shumë qetësuese. Tito rrinte qetësisht i shtrirë në shtrat, me këmbën e operuar të mbajtur lart prej një aparature të posaçme. Buzëqeshte dhe fytyrën e kishte fytyrën plot shëndet.
Tito qe shtruar në këtë klinikë një ditë më përpara.
Gjithçka për këtë kthesë të papritur të shëndetit të njeriut kyç të Jugosllavisë dhe jo më pak edhe të qendrueshmërisë së Ballkanit, pati nisur në 2 janar, kur ai, sipas Konsiliumit të mjekëve, u pranua të shtrohej në Qendrën Klinike të Ljubljanës me qëllim të shqyrtimit të enëve të gjakut të këmbëve.
Në 6 janar prej Klinikës u bë e ditur këtë ditë, pas përfundimit të testeve të nevojshme, Josip Broz e pati lënë atë. Mendimi i tetë mjekëve qe përbënin bordin e kurimit të tij, ishte se gjendja e përmirësuar shëndetsore e Titos kërkonte trajtim të mëtejshëm intensiv. Një ditë më pas, në 7 janar, TANJUG njoftoi se “Një ekip mjekësor ka kryer sot një konsultim...me Profesor Dr Michael Debejkijem - SHBA dhe Prof. Dr. Marat Knjazejevim - BRSS për kushtet shëndetësore dhe trajtimin e mëtejshëm të Presidentit të Republikës Josip Broz Titos. Pas shqyrtimit dhe këshillimit, Presidenti Tito i ka mbajtur në drekë profesoret Debejkija dhe Knjazejeva, anëtarët e Konsiliumit dhe mjekët personal. Në drekë ishte sekretari i Kryesisë së Komitetit Qendror Dushan Dragosavaç”.
Në 12 Janar u bë publik lajmi se “Gjendja e sëmundjes së Presidentit të Republikës Josip Broz Titos nuk është përmirësuar, pavarësisht masave të ndërmarra intensive të trajtimit. Në një situatë të tillë Konsiliumi pas shqyrtimit mjekësor ka propozuar për të ndërmarrë, sa më shpejt të jetë e mundur, operacionin në enët e gjakut të këmbës së majtë”.
Pak nga pak, pas operimit në orët e vona të 13 janarit miro rrugët fjalënaja se mjekët e klinikës speciale të Ljubjanës qenë të mendimit se ndërhyrja kirurgjikale ishte mjaft e vonë. Tashmë ajo plagë enësh gjaku dhe mishi qe kthyer në kangrenë. Kjo donte të thoshte se vdekja e Josip Broz Titos, duke patur parasysh edhe moshën e tetëdhjetë e tetë viteve, ishte në prag. Një fije fare e imtë shprese qe prerja sa më e shpejt e tërë këmbës së majtë.
Këto çaste apo ndoshta disa ditë më vonë, sepse përkeqësimi i pandalshëm i shëndetit të Titos zgjati 122 ditë, në librin e saj “Kosova e lirë” Nexhmije Hoxha i përshkruan kështu: “Erdhi një kohë që edhe udhëheqja shqiptare e Kosovës filloi të dërgojë mesazhe në Tiranë: “T’i përmirësojmë marrëdhëniet tash që është gjallë Titoja, se pas vdekjes së tij nuk dihet ç’bëhet”. Kjo mund të na lërë të kuptojmë, -shënon në ditar Enveri, - se pas Titos “ne kosovarët asnjë besim nuk mund të kemi te serbët”. Dhe kishin të drejtë.
Në fakt, edhe Enveri mendonte kështu. Pavarësisht se ai, gjatë gjithë jetës së tij, demaskoi veprimtarinë antishqiptare të Titos dhe të atyre që kishte përreth, në drejtim të Shqipërisë, Kosovës e gjithë shqiptarëve që jetonin në trojet e tyre në Jugosllavi, kur J. B. Tito në 1980 ishte shtruar në spitalin e Lubjanës dhe TV italian po transmetonte komunikatat shëndetësore, Enveri tha i menduar: “Sikur të rronte edhe nja dy vjet...” Unë nuk e ndërpreva në refleksionin që bëri, por ai parashikonte, pas vdekjes së Titos, shpërbërjen e Jugosllavisë”.
Dy diplomatët shqiptarë që vëzhgonin prej Budapestit
Përveç ambasadës shqiptare në Beograd, e cila po e ndiqte nga fare afër të papriturën problematike në shëndetin e Josip Broz Titos, mes përfaqësive të tjera diplomatike gjeografikisht të afërta, atyre në Vjenë dhe në Romë, në Sofje dhe në Bukuresht, ishte tepër e vëmendshme ajo në Budapest. Ekipi që merrej posaçërisht qe një dyshe me mendje të mprehtë: Jani Polena dhe Eqerem Gaxholli.
I pari ishte i Ngarkuari me Punë dhe i dyti sekretar për çështjet e sigurisë kombëtare. Ambasador nuk kishte për shkak të kufizimeve politike të marrëdhënieve të Shqipërisë me shumicën e atyre vendeve të kampit socialist, të cilët konsideroheshin prej saj si shtete satelite të Bashkimit Sovjetik.
Jani, atë kohë afër të pesëdhjetave, pati punuar fillimisht si drejtues i rinisë në Korçë, më pas e caktuan në Komitetin Qendror të PPSH-së, në sektorin e marrëdhënieve me jashtë. Në Budapest pati ardhur pas përvojës së mësipërme, çfarë më pas, në vitet tetëdhjetë, do ta plotësonte me postin e shefit të kuadrit në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe në vijim, me rikthim në ambasadën shqiptare në Budapest, por këtë herë në funksionin e ambasadorit.
Eqrem Gaxholli qe një tridhjetë e pesë vjeçar që vinte në veprimtarinë diplomatike prej shërbimesh të specializuara të inteligjencës, por edhe pasi kishte përfunduar një periudhë studimesh në Institutin i Profesorëve të Frëngjishtes për të Huajt në Sorbonë e Re, Paris. Në Hungari qe përvoja e tij e parë në Shërbimin e Jashtëm Shqiptar, sepse më pas do të kryente mandate të plota në Francë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, këtu në Misionin Shqiptar pranë OKB-së, në Nju Jork.
Në Budapest Jani dhe Eqeremi mblidhnin të dhëna për çfarë thuhej rreth zhvillimeve në rajon, por veçanërisht qenë sy e veshë për një temë që nuk shuhej kurrë nëpër bisedat e diplomatëve të huaj, veçanërisht atyre perëndimorë, në kryeqytetin hungarez. Këta ishin të mendimit se qe tepër e mundshme një ndërhyrje ushtarake e Traktatit të Varshavës dhe e Bashkimit Sovjetik në Jugosllavi, por kjo do të kryhej me kërkesën kryesisht të ushtarakëve dhe po ashtu të nacionalistëve serbë. Të dy palët thirrëse do t’u lypnin ndihmë për të shpëtuar Fedederatën nga shpërbërja.
Tirana gjithë përfaqësive të saj jashtë, kudo ku gjendeshin, ca më shumë atyre që ndodheshin përreth Ballkanit, u këmbëngulte të ndiqnin “këmba-këmbës” çdo veprimtari ushtarake të Traktatit të Varshavës dhe të forcave sovjetike, përfshi manovrat, zhvendosjet e njësive dhe të mjeteve luftarake, stërvitjet. Me ngulmim porositnin që të grumbullohej çdo informacion mbi trasferimet apo lëvizjet e trupave nëpërmjet urave ajrore,
Në kryeqytetin shqiptar nuk dëshironin të binin në grackën e një sulmi të beftë nga kampi socialist, prej të cilit qenë ndarë ashpërsisht dhe në Moskë nuk ua falnin. Enver Hoxha dhe të tijtë kishin një alarm të vazhdueshëm sidomos prej një fakti. Në vitin 1973 me pëlqimin e Beogradit u vendos funksionimi i urës ajrore Hungari-Kajro, nëpërmjet të cilës realizohej transportimi me avionë shumë të mëdhenj ushtarakë “Tupolev” të mjeteve dhe të teknikës së rëndë luftarake si tanke, artileri, helikopterë, pjesë të ndryshme këmbësorie, po ashtu edhe specialistë me uniforma.
Kjo urë ajrore e kishte koridorin e saj me drejtim Hungari-Dubrovnik, këtu bënte kthesën e fortë dhe rendëte drejt jugut, duke vazhduar mbi ujrat e Adriatikut, përgjatë bregdetit shqiptar, deri në Egjipt, ku në afërsi po zhvillohej Lufta e Kipurit. Kjo leje e dhënë prej Titos, edhe pse ai sovjetikëve dhe komandës së Traktatit të Varshavës u kishte vënë kusht moslëvizjen asnjë centimetër nga intenerari i paracaktuar, konsiderohej e dyshimtë prej Tiranës, tashmë shumë të shqetësuar mos ish-aleatët komunistë të para gjashtëdhjetës një dyzinë vitesh më vonë, ndoshta edhe pa përfillur Beogradin, e shfrytëzonin këtë urë për një zbarkim të mundshëm të trupave desantuese dhe duke zënë tërë bregdetin shqiptar, depërtonin në thellësi të vendit.
Për të ruajtur interesat gjeostrategjike në Ballkan Traktati i Varshavës kishte stacionuar në Hungari 3 divizione të këmbësorisë së motorizuar, 2 divizione tankiste dhe 2 divizione desante ajrore parashutiste, këto të fundit kryesisht të vendosura në Debreçen, në jug të vendit.
Trupat synonin veprime ushtarake në Jugosllavi.
Mjeku hungarez antisovjetik
Lajmin për shtrimin e Josip Broz Titos në spital dhe operacionin mbi këmbën e tij të majtë Jani Polena dhe Eqeremi e morën vesh prej lajmeve të televizionit hungarez dhe kërkuan me ngulm të gjenin një rast për të takuar sa më shpejt doktor Santorin, për të cilin flitej se e kishte bërë ato ditë një udhëtim në Beograd, madje qe thirrur për një konsultë edhe në Ljubjanë. Për këtë prani të tij në ngjarjen më të nxehtë të rajonit flisnin shumë diplomatë perëndimorë, me të cilët Santor, duke qenë edhe antisovjetik, kishte miqësi të madhe.
Mjekun e njohur Jani dhe Eqeremi e takuan në festimin më të parë të trupit diplomatik, asaj të ambasadës austriake. Ky e pohoi menjëherë që kishte shkuar deri në Klinikën Qendrore të Ljubjanës dhe gjatë bisedës shtoi se sipas tij Tito nuk kishte më shumë se tre muaj jetë.
Me t’u rikthyer në ambasadë dy diplomatët shqiptarë i dërguan urgjentisht Tiranës një kabllogram. Thelbi i tij qe lajmi se njeriu i fortë që deri ato çaste ia dilte të ruante stabilitetin e Jugosllavisë dhe me këtë rast garantonte Kosovën të mos binte nën kthetrat e nacionalizmit serb, nuk do t’i kapërcente dot të njëqind ditët e ardhme.
Kabllogrami me çfarë thoshte mjeku hungarez qëndroi vetëm pak çaste në dhomat e deshifrimit në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë. Pastaj menjëherë vrapoi drejt kryeministrit Mehmet Shehu dhe numrit një të vendit, Enver Hoxhës.
Ylli Polovina
Tiranë, më 12 mars 2016
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|