Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

KADRI HAZBIU: JA KËSHTU MUND TA ÇLIROJMË KOSOVËN


Plani i Leka Zogut: Të çlirojmë Shqipërinë!

(Botuar në gazetën “Shqiptarja.com” më 19 mars 2016)

Pjesa e tretë

Shkrimi i tretë

Në 26 prill 1978, shtatë muaj pas takimit të Hysen Tërpezës me Leka Zogun në Madrid dhe ku ky i fundit i la qartë të nënkuptonte se kishin dijeni të bashkëpunimit të j me Tiranën komuniste, në Drejtorinë e Zbulimit Politik me varësi shtetërore të dyfishtë, prej Ministrisë së Punëve të të Brendshme dhe asaj të Jashtme, u formulua një raport informues për udhëheqjen e vendit.
Një bashkëpunëtor i Sigurimit Shqiptar në 7 mars të atij viti qe takuar në kryeqytetin spanjoll me “me Qazim Prenin (nga Mati, një nga besnikët më të vjetër të familjes së Leka Zogut). Prej bisedës kishte dalë se pretendenti për fronin mbretëror “në veprimtarinë e tij kundër vendit tonë kërkon të punojë dhe të sigurojë mbështetje të gjerë në radhët e shqiptarëve në Jugosllavi”. Edhe pse Zbulimi Politik Shqiptar ende nuk ka dijeni emrat e të rekrutuarve prej Lekës, disa edhe intelektualë, informon eprorët se ky mobilizim mes kosovarëve kryhet për t’u vënë në jetë me veprime luftarake “në një rast të acarimit të situatës në Ballkan” dhe kur ka “kërcënim të interesave të kombit”.
Plani i Leka Zogut, gjithnjë sipas të dhënave të mara në takimin e 7 marsit 1977, parashikonte jo ndërhyrjen me grupe ushtarake për çlirimin e Kosovës, por “për të rrëzuar regjimin në Shqipëri”.
Ishte kjo arsye që ua provonte edhe njëherë tjetër zbuluesve të Tiranës jashtë vendit se pretendi për fronin e Shqipërisë vitet e fundit “ka mbështetjen e gjithanshme të jugosllavëve, me të cilët mban kontakte të rregullta”. Këta të fundit “kanë vajtur dhe venë hera-herës në Madrid”.
Po ashtu në raportin informativ për udhëheqjen komuniste të Tiranës (të 24 prillit 1978) ngulej këmbë se “në një bisedë në rrethe të ngushta, Leka paska thënë se “në rast të një acarimi të situatës në Ballkan”, emigracioni reaksionar jashtë do t’u ndihmoka jo vetëm nga shqiptarët në Jugosllavi, por edhe nga serbët”.
Sipas po këtij raportimi sekret princi që pas vdekjes së të atit ishte një mbret shqiptar në mërgim “Në veprimet e tij kundra nesh, sipas Qazimit financohet kryesisht nga Arabia Saudite, ndërsa qeveria spanjolle dy vitet e fundit i ka prerë “ndihmat” që i jepte Lekës dhe të ëmës së tij”.
Më pas: “Amerikanët deri tani janë treguar të rezervuar ndaj Lekës dhe nuk i dhënkan ndihma financiare. Lidhur me këto qëndrime të SHBA, Leka u paska shprehur disa herë “pakënaqësinë” e tij anëtarëve të “oborrit mbretëror”.
Në vijim: “...një fare ndihme të vogël financiare, Leka mund të ketë marrë kohët e fundit edhe nga jugosllavët, por nuk dinte se në çfarë rruge dhe në cilën mënyrë”.
Në raportin informativ të 26 prillit 1978 Drejtoria e Zbulimit Politik Shqiptar se prishja e raporteve të Shqipërisë me Kinën dhe “afrimi i Kinës me Jugosllavinë do të shpjerë në një të ardhme në ashpërsimin e marrëdhënieve të Shqipërisë me Jugosllavinë”. Në rrethana të tilla nuk mendohej se “Bashkimi Sovjetik mund të ndërmarrë aktualisht, ose në një të ardhme të afërt, ndonjë agresion të armatosur ndaj Jugosllavisë”. Faktor frenues qe se “edhe “afrimi kino-jugosllav” do e vështirësonte një afrim të tillë të sovjetikëve”.
Në rastin kur agresioni i sovjetikëve dhe i Traktatit të Varshavës do të ndodhte një burim me autoritet, i mbetur i fshehtë, mes ushtarakëve të lartë italianë, pohonte se SHBA dhe NATO “do të ndërhyjnë ushtarakisht, duke pushtuar të gjithë pjesët bregdetare të Adriatikut”, me synim që të mos i lënë sovjetikët të dalin në këtë det me flamurin e tyre”.

Kosova si kartë loje politike

Studiuesi italian i marrëdhënieve ndërkombëtare për rajonin e Mesdheut, Xhovani Armilota (Giovanni Armilotta), në botimin e tij “Politika e jashtme e Shqipërisë 1945-1985”, ka shkruar se ndërprerja përfundimtare e raporteve të bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar të Pekinit me Tiranën, çfarë sipas tij ka shenjë të dukshme fillimin e korrikut 1978, “përshpejtoi në shtetin komunist të modelit stalinist frikën atavike të gëlltitjes prej jugosllavëve, prandaj edhe iu drejtua nxitjes së brendshme të nacionalizmit si edhe të irredentizmit mes bashkëkombësve në vendet ballkanike. Po ashtu edhe atë atyre që ndodheshin në diasporën shqiptare nëpër botë (veçanërisht shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës)”.
Korrespodenti në Beograd i të përditshmes italiane “Stampa” në 27 korrik 1978 i raportonte gazetës së tij se “Perëndimi pati qenë i kënaqur për tërheqjen e bazave sovjetike nga ngushtica e Adriatikut. Jugosllavia ishte edhe ajo e kënaqur që tashmë nuk kishte në shpinë më një plasdarmë të Moskës, përherë të gatshme për t’u vërsulur mbi të. Mirëpo zbrazëtia që la Kina bën të nxjerrë krye tek të gjithë pyetja se cili do të vendoset në këtë pozicion kaq shumë të rëndësishëm strategjik? Njoftimet që vijnë nga Tirana janë të pakta. Vendi i shqiptarëve përjeton çaste tensioni dhe euforie. Studentët e kthyer nga Pekini qarkullojnë nëpër rrugë duke mbajtur në duar portretet të mëdhenj e Hoxhës dhe të Maos. Duke himnizuar partinë e tyre, të mbetur e vetmja në botë si revolucionare, ata denoncojnë kthimin e Pekinit në revizionizëm. Duket sikur i lumturohen shumë kësaj ndarjeje, sepse u jep fatin të jenë trashëguesit e vetëm të pastër të ideve të Maos dhe të Stalinit. Megjithatë i tërë ky entuziazëm mezi mban të ndryrë brenda vetes një tension shumë të lartë”.
Qe pikërisht kështu.
Enver Hoxhës që lëvizte makinën e shtetit dhe të doktrinës së tij politike, krahas pasigurisë se çfarë mund t’i ndodhte pas vdekjes së afërme të Josip Broz Titos, në një Jugosllavi dhe Ballkan pa këtë shtyllë qendrore të ekuilibrit rajonal, i ishte shtuar tashmë një destabilizues tjetër: prishja me Kinën.
Ai ua paraqiti nënshtetasve të tij dhe tërë shqiptarëve se qe ai, i cili ishte divorcuar me Pekinin për shkaqe të ruajtjes së moralit ideologjik marksist-leninist, por në të vërtetë qenë kinezët që ia patën kthyer shpinën.
Ata ndërkohë po i jepnin formë një superaleance të madhe në Ballkan, e tëra me objektiv antisovjetik. Bashkë me Jugosllavinë shpresonin të afronin edhe Rumaninë. Tiranës i kishin thënë të ishte pika e tretë e këtij boshti.
Ajo i kishte bërë bisht, duke i zemëruar dhe bërë t’ia ulnin deri në zero ndihmën për çdo nevojë të saj.
Me në kufi një federatë shumë të afërt pa Titon, pra e hyrë në gjendjen e paqendrueshmërisë, po ashtu edhe pa asnjë shtet të madh që ta mbronte, Shqipëria e Enver Hoxhës ndodhej tani më keq se kur në 1961 u nda me sovjetikët.
Deri në mes të vitit 1978 Hoxha i kishte pastruar përgjakshëm përreth tij edhe ata bashkëpunëtorë që mund ta kërcënonin për t’i zënë vendin, por kjo ishte fare pak. Nëse donte ta mbante në dorë të hekurt gjendjen dhe t’i bënte të gjithë, deri edhe armiqtë e vegjël politikë mes popullit të thjeshtë, të rrinin urtë e t’i bindeshin, duhej ta transportonte tensionin e brendshëm jashtë kufijve: në Kosovë.
Për t’i kompaktësuar besnikët kjo, ëndrra e realizuar për bashkimin e trojeve kombëtare, ishte mënyra më e mirë për t’i mbajtur të mobilizuar, në gjendje tensioni lufte.
Një mbrojtje e Kosovës së pas Titos prej çdo të papriture qe edhe nevojë strategjike, pra jo thjesht vetëm politike për të.
Enver Hoxha ishte plot intuitë. Të dy trajektoret, fati i gjithëpushtetit të tij dhe ai i shqiptarëve në Jugosllavi, këtë herë përputheshin me një saktësi të mahnitshme.

Raporti i fshehtë i Kadri Hazbiut

Ishte nëntor 1977 kur prej zyrës së Enver Hoxhës në Komitetin Qendror të PPSH-së doli urdhri që pranë këtij forumi të lartë të krijohej një strukturë, të cilës ia rekomandoi edhe emrin: Grupi për Kosovën.
Emërtimi ngjasonte me një njësi të madhe ushtarake.
Në përbërje të Grupit do të qenë shqiptarë nga Kosova apo edhe prej radhëve të emigracionit të saj, po ashtu edhe disa autoritete të Tiranës. Qe sektor koordinues për të gjitha institucionet e tjera. Në një farë mënyre ishte shtab.
Po këtë nëntor, i dalë pas një bisede prej zyrës së Enver Hoxhës, ku qe ndodhur edhe Hysni Kapo, ministri i Punëve të Brendshme Kadri Hazbiu do të niste menjëherë përgatitjen e një materiali të posaçëm rreth zgjidhjes së çështjes së Kosovës.
Që në fillim në të thuhej: “Ne i kemi mbështetur kosovarët me tërë forcën, brenda mundësive që lejon zhvillimi i situatave. Dhe kemi qenë e jemi për atë që ata të bashkohen me Shqipërinë, sepse së bashku bëjmë një unitet kombëtar”.
Në një paragraf tjetër Hazbiu vërente: “Mbi Kosovën punojnë forcat e jashtme, Shtetet e Bashkuara dhe BRSS, në kuadrin e planeve të tyre kush të ketë forcë dominuese në Jugosllavi, por llogarisin e punojnë shumë edhe korrentet e ndryshme të brendshme dhe aparati shtetëror titist”.
Për ta kryer sa më efektshëm ndikimin e vijës së Tiranës zyrtare tek bashkëkombësit në Kosovë Kadri Hazbiu, mes masave të shumta që propozonte se duheshin marrë, spikate nevojën për fonde të posaçme në realizim të një transmetimi televiziv të fuqishëm në trojet e shqiptarëve në Jugosllavi. Ministri i Brendshëm parashtronte edhe shpenzime të domosdoshme për futjen në masë të madhe në territoret e shqiptarëve në Jugosllavi të librave të Enver Hoxhës si edhe të botimeve të ndryshme historike. Ai theksonte aktivizimin maksimal të grupeve kulturore dhe sportive në shkëmbime të ndërsjella, pa harruar ndërkohë shtesa financiare për nevojat e punës së fshehtë të ministrisë, të cilën ai drejtonte.
Në këtë platformë nuk mungonte edhe një kapitull për veprimet ushtarake që duheshin ndërmarrë në situata të favorshme që mund të krijoheshin. Sigurisht këtu fjala qe për çfarë në Federatën Jugosllave mund të ndodhte pas vdekjes së Titos.
Ministri i Brendshëm shqiptar ishte mbi të gjitha i qartë për një veprim urgjent: hartimin e një plani operativ në mënyrë që në çastin e duhur të ndërhyhej ushtarakisht drejt Prishtinës.
Kadri Hazbiu nguli këmbë që ky plan ushtarak duhej përgatitur në disa variante.
Enver Hoxha, i cili qe frymëzuesi, por edhe porositësi i platformës së konkretizuar prej numrit një të shërbimit të fshehtë shqiptar, pasi e lexoi të përfunduar, shënoi mbi të: “Çështja e Kosovës është me rëndësi kapitale për lirinë e Shqipërisë; se Kosova është një forcë e madhe për mbrojtjen e Shqipërisë, një forcë që i shërben forcimit të Shqipërisë në Ballkan dhe Evropë”.
Sipas Hoxhës, çdo shpenzim pér Kosovén nuk ishte diçka e humbur.

Enver Hoxha me sytë përtej kufijve

Ndërkohë në 3 dhjetor 1977 ai pati shkruar në ditarin e vet analizën e tij të dytë të posaçme se çdo të bëhej në Jugosllavi pas vdekjes së Josip Broz Titos. Shënonte në letër: “Ky është një problem me shumë pikëpyetje, por në përgjithësi mendojmë se, pas vdekjes së Titos, gjendja nuk do të jetë e qetë në Jugosllavi, do të ketë turbullira dhe do të duhet një kohë mjaft e gjatë për stabilizimin e situatës”.
Pastaj: “Kush prej dy grupeve të mëdha ushtarake në Evropë ka Jugosllavinë, ai ka një pozitë të fortë strategjike kundër grupit tjetër. Në rast se NATO-ja e humbet influencën në Jugosllavi dhe këtë influencë e fiton Bashkimi Sovjetik, atëherë Bashkimi Sovjetik veçon Greqinë, vë në rrezik Austrinë, i afrohet Italisë dhe dominon në Adriatik e në Mesdhe.
Kështu që NATO-ja pëson një humbje të madhe strategjike. Mirëpo do ta lejojë imperializmi amerikan këtë gjë? Unë mendoj se është zor ta lejojë. Po do të shkojë në luftë imperializmi amerikan në rast se Bashkimi Sovjetik ia
hedh kthetrat thellë Jugosllavisë ose e pushton këtë ushtarakisht? Mendoj se NATO-ja nuk do të rrijë me duar lidhur, por pa arritur akoma në një konflagracion të përgjithshëm, do të bëhet më parë një luftë e ashpër ekonomiko-politike për ta pasur Jugosllavinë gjithsecili në krahët e tij. Prandaj vdekja e Titos edhe për ne do të krijojë kokëçarje”.
Atë që Enver Hoxha nuk mund ta thoshte açik, e derdhi me bojë stilografi në ditarin e tij sekret. Ishte 13 qershori i vitit 1978: “Qëndrimi ynë ka qenë dhe është që vëllezërit tanë që jetojnë në Jugosllavi, në Kosovë, në Mal të Zi dhe në Maqedoni janë në vatrat e tyre, në tokat shqiptare. Këto toka janë grabitur nga serbomëdhenjtë, nga malazeztë me ndihmën e fuqive të mëdha imperialiste të asaj kohe. Ato prandaj i përkasin Shqipërisë”.
Në vijim: “Por, duke i pasur të qartë këto objektiva, ne nuk kemi dashur të hyjmë dhe nuk do të hyjmë në konflikt të armatosur për çështjen e bashkimit me mëmëdheun të trojeve shqiptare nën Jugosllavinë. Në këto situata një veprim i tillë nuk mund të realizohet.
Megjithatë nuk ka ardhur akoma koha që ne të kërkojmë bashkimin e tokave dhe të popullsisë shqiptare që jeton në tokat e veta në Jugosllavi me RPS të Shqipërisë. Në këto situata, po ta shtronim një gjë të tillë, do të bënim gabim”.
Pastaj saktëson: “Në situata të tjera që mund të krijohen, si, për shëmbull, në rast se Federata Jugosllave do të prishet, ose në rast se sovjetikët do të sulmojnë Jugosllavinë, ose do të vendosin në mënyra të tjera influencën e tyre në Serbi, në Maqedoni e në Mal të Zi, ose në rast se imperializrmi amerikan dhe NATO-ja do të orvaten të futen në Jugosllavi, atëhere po, ne nuk mund të qëndrojmë duarlidhur. Në një rast të tillë do të jenë krijuar të atilla situata që shqiptarët, tokat e të cilëve padrejtësisht i janë shkëputur Shqipërisë dhe i janë dhënë Jugosllavisë, duke ndihmuar veten, do të përpiqen të gjejnë rrugën e bashkimit me atdheun e tyre. Atëherë ata do të kenë ndihmën e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, e cila nuk do të lejojë më që shqiptarët e Maqedonisë të bëhen preja e bullgaromëdhenjëve, që Kosova të mbetet e robëruar nën sundimin e serbomëdhenjëve dhe shqiptarët e Malit të Zi të mbeten shërbëtorë dhe rajatë e malazezëve”.

Flet Veli Llakaj, por a thotë të vërtetën?

Në tetor 1978, në Festivalin Foklorik Kombëtar të Gjirokastrës, i cili organizohej çdo pesë vjet, shefi i Shtabit të Ushtrisë Popullore, Veli Llakaj, ka takuar në këtë qytet kryeministrin.
Me këtë rast në fillim të viteve dymijë ai dha edhe këtë dëshmi publike: “Mehmet Shehu më ka takuar mua me një grup aktivistësh të Kosovës në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës..., të cilët ishin në krye të revoltave e demonstratave të njohura më 1981. Edhe sot ruaj miqësinë me ta”.
Ky fakt duhet ngulitur mirë në kujtesë, sepse hedh dritë mbi rolin e kryeministrit dhe të qeverisë shqiptare në veprime të fshehta, por konkrete, për shpërthimin e demonstratave studentore në Prishtinë në mars dhe prill 1981.

(Vijon)

Ylli Polovina



Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com