Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

KUSH E KISHTE DEKONSPIRUAR NJERIUN E SIGURIMIT SHQIPTAR, KOSOVARIN HYSEN TËRPEZA



Në Madrid Leka Zogu përgatit grupe sulmi kundër Shqipërisë

(Botuar në gazetën “Shqiptarja.com” në 18 mars 2016)

(Pjesa e tretë e ciklit)

Shkrimi i dytë

Informacioni i njëkohshëm i Departamentit Amerikan, në shkurt 1976, për dy ambasadat e veta, atë në Romë dhe tjetrën në Beograd, thoshte se në Tiranë qeveria vendase po zbatonte një platformë të tërë për bunkerizimin e përgjithshëm të territorit shtetëror, madje u pati kërkuar edhe disa përfaqësive të huaja diplomatike, të vendosura në pika kyçe të relievit të kryeqytetit, të pranonin vendosje të tyre edhe brenda kangjellave apo mureve rrethues.
Ambasadori italian kishte qenë refuzuesi më i parë i këtij propozimi.
Lloji i një bunkeri të tipit shqiptar qe pothuaj krijesë e veçantë, model i studiuar prej specialistëve vendas pasi këta qenë këshilluar më së pari me çfarë ishte zbatuar në botë me mjaft sisteme të mëparshme fortifikimi. Ky tip si kurriz breshke përballonte valën goditëse të një bombe atomike deri në 20 kiloton. Prova e parë e kryer në vitin 1975 në Grykën e Këlcyrës dhe tjetra më 1976 në Peldhja të Sarandës, ndërsa brenda qendrave të zjarrit qenë vendosur kafshë të gjalla, patën duruan deri mbi njëmijë predha artilerie si edhe afro njëqind bomba aviacioni nga pesëdhjetë deri pesëqind kilogramëshe.
Në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore me këtë rast u krijua edhe posti i zëvendësministrit për fortifikimet.
Ndërkohë bashkë me bunkerizimin e rrufeshëm Tirana përpiqej të mblidhte informacion si do të vepronte NATO në qoftë se Traktati i Varshavës do të hynte me forcën e armëve në Ballkan. Në dhjetor 1975 zëvendësministri i Jashtëm Ksenofon Nushi pati pyetur ambasadorin italian në Tiranë nëse Aleanca Atlantike do të ndërhynte po të ndodhte që Jugosllavia të sulmohej nga forcat ushtarake të kampit socialist.
Brenda po atij muaji, dhjetor 1975, por vetëm një javë më pas, qe ambasadori jugosllav i cili e kishte pyetur këtë ambasador nëse NATO do të vepronte po qe se sovjetikët dhe aleatët e tyre të Traktatit të Varshavës do të bënin një agresion kundër Shqipërisë.
Të dyja përgjigjet kishin qenë të rrumbullakosura, por me një nënkuptim të qartë: NATO-s nuk i pëlqente hiç jo një depërtim konkret i Bashkimit Sovjetik, por edhe thjesht një shkuarje nëpër mend. Aleanca Atlantike e konsideronte këtë rrezik si një kërcënim të përhershëm. Kur në vitin 1981 ambasada shqiptare në Romë për këtë çështje siguroi një material të plotë analize të Zyrës së Kërkimit, të Studimit dhe të Programimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Çështjeve Politike të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë, atje qe e shkruar se kanosja e rusëve dhe e aleatëve të tyre në Jugosllavi pas Luftës së Dytë Botërore mbi Jugosllavi dhe në Ballkan vijonte që prej tridhjetë vitesh.
Pra, nuk kishte pushuar ndonjëherë.
Ndërsa mes popullit kosovar perceptohej dhe madje qe krijuar bindja se pas qëndrimit të Tiranës zyrtare për të mos firmosur Aktin Final të Konferencës së Sigurisë dhe të Bashkëpunimit në Evropë qëndronte plani i saj për të ndërhyrë ushtarakisht dhe çliruar trojet etnike në Jugosllavi, pikëpamje që e hamendësonin herë pas here edhe mjaft kanceleri të Perëndimit, shumë burime pohonin të kundërtën: që Enver Hoxha kishte problem jo kapërcimin e kufirit, por mbrojtjen totale brenda tij.
Nga disa gazeta të Europës kjo dukuri u quajt “frika e shqiptarëve prej një agresioni të huaj”.

Enigma e dy arkave me dokumentacion planesh ushtarake

E përjavshmja hungareze “Magjarorsza” në fillim të prillit 1976 i hapi vend të dukshëm temës së raporteve të Shqipërisë dhe Kinën e sidomos lajmit, që kishte filluar të buiste nëpër shtypin perëndimor, se kjo e fundit i kishte pakësuar dy herë ndihmat për vendin e vogël në buzë të Adrtiatikut ballkanas.
“Magjarorsza” shënonte po ashtu se Shqipëria kishte në krye “gjashtëdhjetë e tetë vjeçarin sekretar të përgjithshëm të “Partisë së Punës”, Enver Hoxhën, dhe kryeministri gjashtëdhjetë e tre vjeçar Mehmet Shehun”, duke shtuar se “Hoxha vuante prej kohësh nga një “paralizë parciale”.
Ndërkohë në Tiranë sekretari personal i Enver Hoxhës, Haxhi Kroi, pikërisht këtë muaj, prill, filloi të mbante në zyrën e tij, të kyçur në kasafortën e vet dhe me roje të dubluar njëzetë e katërorëshe tek dera, dy kuti me dosje dhe harta ushtarake.
Qe urdhër i prerë i Hoxhës.
Ato dy kuti dolën vetëm në 15 qershor, e cila ditë qe e martë, kur në orën 9.00 u mbajt një mbledhje rreptësisht e mbyllur e Këshillit të Mbrojtjes.
Qenë të pranishëm të pesë anëtarët e saj dhe Enver Hoxha, si për të provuar që po ndodhte një gjë tepër e pazakonshme, largoi nga salla mbajtësen e përhershme të protokollit. Urdhëroi të qëndronte aty për ta kryer këtë punë vetëm Haxhi Kroi.
Ndërsa nisi të mbante fjalën e tij të daktilografuar më parë u kuptua se Hoxha qe mjaft i lodhur dhe mezi shihte. Pastaj ai, siç e ka shkruar në ditarin e vet Kroi, “hapi një kapak të xhepit të jelekut dhe nxori një tabletë për ta pirë. Në çast shoku Mehmet propozoi të bëhej pushim. Unë shkova t’i mbushja një gotë ujë…”
Përmbajtja, qëllimi dhe sidomos fryma e kësaj mbledhjeje mund të nënkuptohen nga çfarë Enver Hoxha ka pohuar të paktën një muaj më parë, në 19 maj. Një direktivë e tij e kësaj date mes të tjerash thoshte: “Formula “rrojmë në rrethim dhe se duhet të punojmë e të luftojmë si në rrethim” nuk është një formulë e kotë. Ky rrethim ekziston dhe duhet njohur dhe luftuar. Ekziston edhe “presioni i armikut të brendshëm e të jashtëm”, edhe ky duhet njohur që të luftohet, ekziston edhe “agresioni ideologjik që i përgatit terrenin agresionit të armatosur”, prandaj edhe duhen njohur variantet, format dhe metodat e tyre...”
Në këtë tekst mund të dallosh, nëpër mjegullën e fjalëve të veshura me teorizim, se Enver Hoxha çështjen kombëtare dhe sidomos atë të përgatitjes në Kosovë të një gjendjeje favorizuese për bashkimin e saj me Shqipërinë, e ka të pleksur fort me fatin e tij politik. Me platformën ideologjike “jetojmë dhe luftojmë në rrethim” ai ka parasysh edhe mbrojtjen dhe mosprekjen e pushtetit të tij personal për sa do të qe i gjallë.
Madje pasuesi, për postin e të cilit po ndesheshin njerëz rreth tij, duhej të qe vazhdimtari i doktrinës së tij, i ndikimit të pakëputur të saj, pra i ushtrimit të pushtetit edhe pas vdekjes.
Ja përse gjendjen e rrethimit të Shqipërisë Hoxha, pa e shpikur, por duke e tejzmadhuar, për t’i shërbyer më së pari vetvetes, e shndërroi deri në psikozë.
Kjo përzjerje motivesh vetiake dhe kombëtare e bën më të qartë përse ndodh që jo vetëm në pranverë dhe në verë të vitit 1976, por edhe më pas, tek Enver Hoxha nuk e kupton dot mirë ku e ka cakun e dallimit një sforcimi të madh ushtarak për të ndërhyrë në Kosovë ose për t’i dhënë asaj kurajë në Kosovë, me radhështrëngimin e nënshtetasve vetëm për njëzetë e tetë mijë kilometrat katrorë të republikës së tij.
Duke filluar prej këtij momenti çështja e bashkimit të trojeve nacionale bëhet nga pak edhe lojë.

Delegacioni i Universitetit të Prishtinës dhe prania e vazhdueshme e ambasadorit jugosllav

Në 28 korrik 1977 rektori i Universitetit të Tiranës, Petrit Radovicka, i dërgonte një relacion të gjatë Ministrisë së Arsimit dhe të Kulturës, po ashtu edhe asaj të Punëve të Jashtme. Tema e raportimit qe ajo e vizitës që kishte kryer në Tiranë një delegacion i Universitet të Prishtinës, përfundimi i gëzuar i të cilës ishte nënshkrimi i një protokolli bashkëpunimi për vitet 1977-1978.
Mes të tjerash në këtë informim thuhej se “Përfaqësuesit e Ambasadës Jugosllave në Tiranë e kanë ndjekur nga afër ardhjen dhe veprimtarinë e delegacionit të Universitetit të Prishtinës”.
Në vijim rektori Radovicka shkruante: “Atë ditë që do të vinte delegacioni i Universitetit të Prishtinës, Ambasada Jugosllave kërkoi që Qemal Muhaxhiri, sekretar i Ambasadës, të bënte pjesë si antar i delegacionit dhe u prezantua si i tillë në takimin e parë të delegacioneve. Delegacioni i UP këtë shtesë e mësoi kur erdhi në Tiranë.
Në takimin e parë të delegacioneve, rektori i Universitetit të Prishtinës, ftoi delegacionin tonë që fill mbas takimit të shkonin në Ambasadën Jugosllave për të asistuar në një koktel që shtronte ambasadori.
Ambasadori Lipkovski mori pjesë në darkën e mirseardhjes të shtruar nga rektori i Universitetit tonë, në nënshkrimin e protokollit, me kërkesën e tij u pranua të merrte pjesë në pritjen që dha Ministria e Arsimit dhe e Kulturës, në darkën e largimit të shtruar nga Universiteti i Tiranës.
Ai vetë dha një drekë për nder të delegacionit. Në të mori pjesë edhe delegacioni i Universitetit tonë, shoku Luan Omari, sekretar shkencor i Akademisë së Shkencave dhe Justin Papajorgji, drejtor i drejtorisë së katërt në Ministrinë e Punëve të Jashtme.
Në drekën e shtruar prej tij dhe në darkën tonë, duke përfituar nga rasti foli për zgjerimin e marrëdhënieve midis dy universiteteve...dhe midis dy vendeve “duke kaluar pengesat”. Përsëriti kërkesën për vendosjen e marrëdhënieve me Universitetin e Malit të Zi”.
Duke e vazhduar më tej raportimin e hollësishëm për eprorët e qeverisë rektori Petrit Radovicka vinte në dukje se “Këshilltari i Ambasadës Jugosllave Perunoviq, gjatë drekës që shtroi ambasadori, në bisedë e sipër pyeti njërin nga antarët e delegacionit a) a ka studentë kinezë në Universitetin e Tiranës, b) janë shumë dhe në çfarë profili studjojnë...”

Madrid: Hysen Tërpeza takon qëllimisht Leka Zogun, pastaj fare rastësisht Geraldinën

Enver Hoxhës zbulimi politik shqiptar jashtë vendit i pati sjellë informacion se i biri i vetëm i Ahmet Zogut, Leka, tani që i jati i zgjuar dhe mjaft i kujdesshëm nuk jetonte më, i kishte dhënë vetes rol tepër strategjik.
Sidomos në motin 1975, pasi edhe qe martuar, ndihej i aftësuar për t’u përleshur me Hoxhën.
Që nga Madridi ku ato çaste jetonte, filloi të krijonte një strukturë ushtarake të përbërë prej komandosh. Objektivi i tyre kryesor ishte dobësimi i regjimit në Shqipëri.
Aktet e diversionit duhej të shkonin deri në asgjësimin fizik të vetë Enver Hoxhës.
Në 19 tetor 1977 ballisti kosovar Hysen Tërpeza, për rekrutimin e të cilit nga Mehmet Shehu dhe Kadri Hazbiu kemi folur në shkrimet e mëparshme, kreu misionin e tij të parë tepër të rëndësishëm: takimin me Leka Zogun.
Me të mbërritur në Madrid, prej stacionit hekurudhor shkoi dhe u vendos në një hotel. Pastaj thirri një taksi dhe i tregoi adresën ku donte të shkonte. I lajmëruar që më parë Leka Zogu e përqafoi dhe filloi të pyeste si po ja kalonte në Turqi. Pretedenti për fronin mbretëror të Shqipërisë donte të dinte nëse takonte shumë shqiptarë dhe çfarë thoshin ata.
”Për besë për këtë kam ardhur që të bisedojmë, shqiptoi Tërpeza, duke vijuar “Një numër i madh i tyre shihet krah për krah me udbashët serbë”. Pastaj shtoi: “Në bel kanë nga dy patllake. Unë nuk po di se çfarë, në të vërtetë, është puna e tyre. Dhe, po thonë se do ta sulmojnë
Shqipërinë!”
Një sekondë më pas, tek hetoi se Leka Zogu nuk qe gati për të shprehur një mendim për çfarë po i thoshte, pohoi: “Unë kam ardhur t’ju them se as ne kosovarët nuk e duam regjimin e Enver Hoxhës, madje, përkundrazi, e urrejmë atë regjim të egër komunist, porse ne nuk jemi për të hyrë në Shqipëri dhe për të nisur luftë vëllavrasëse. Ne, thjesht, e duam Shqipërinë”.
Leka ia nguli vështrimin: “Dua të them diçka, zotëri Tërpeza. Kur kalove nga Amerika për të jetuar në Turqi, neve na erdhi informata se ti ke shkuar nga Amerika në Shqipëri”.
Hyseni nuk e dha veten. Udhëtimi i tij i fshehtë në Tiranë i pak muajve më parë, në mos edhe takimi sekret që bëri me Mehmet Shehun dhe Kadri Hazbiun, qenë dekonspiruar.
Buzëqeshi.
“A e dini kur mund të shkoj unë në Shqipëri, Lartmadhëri? Nëse do ta sulmojë Shqipërinë Jugosllavia apo Greqia. Unë atëherë, edhe nëse nuk do të më pranojnë ata, do të shkoj kaçak për të luftuar për atë tokë shqiptare. E juve, nëse u dezinformojnë mbi udhëtimet e mia ata njerëz që nuk e kanë shkrepur asnjë plumb, as për Kosovë
e as për Shqipëri, është diçka krejtësisht tjetër”.
Leka Zogu vazhdonte të vështronte ngulmueshëm: “Jo, jo! Unë nuk kam dyshuar asnjëherë në ju, zotëri Tërpeza, por ashtu na erdhi lajmi fillimisht”.
Qëndruan bashkë edhe ca kohë, tashmë të mbështjellë me më shumë mister dhe nëntekst se më parë, por gjithsesi në një bisedë formalisht të ngrohtë. Pastaj Hysen Tërpeza i dha përshendetjen e largimit dhe iku. Një taksi e risolli në hotel.
Leka Zogu ia kishte lënë mesazhin se e dinte që ai kishte nisur të bashkëpunonte me qeverisësit e Tiranës. Kur e dinte këtë ai, të tjerë armiq më të fuqishëm dhe më të rëndësishëm të Shqipërisë Socialiste se ai, e njihnin lidhjen e tij sekrete më hollësisht.
Të nesërmen, para dreke, ndërsa po bëhej gati të kthehej për në Francë, prej ku do të shkonte në Gjermani dhe në vazhdim të merrte një avion për në Amerikë, në hotel erdhi Geraldina. Ai nuk e njohu gruan e Ahmet Zogut, por ia paraqiti njëri prej miqve të tij ato çaste aty.
Geraldina i propozoi të drekonin së bashku.
Në tavolinë, tek hanin, ata biseduan gjerë e gjatë dhe kur mbaruan, mbretëresha e pyeti nëse kishte nevojë për ndonjë ndihmë. Tërpeza iu përgjigj se dy vite më parë pati dalë në pension me një shumë të mjaftueshme për të jetuar normalisht, përshi edhe blerjen e biletës së kthimit me avion.
Kur mbërriti në Gjermani i shkruajti një letër Leka Zogut: “Lartmadhëri, Ju falënderoj për pritjen që më keni bërë në rezidencën Tuaj me 19 tetor 1977. Kam qenë i shtrënguar që nga Stambolli të vija në Madrid që t’i zhvilloja ato bisedime me Ju. Dhe, nga ato biseda ngela i kënaqur, megjithëse e kam ditur se në çështjen kombëtare nuk gaboheni as Ju, sepse do të futeshit në tradhti...”
Qe një tekst i hartuar me gjuhë të dhjetëfishtë.
Për Hysen Tërpezën Shqipëria ishte mbi çdo regjim që kishte në Tiranë. Tradhëti nuk qe tjetër veç ta godisje atë ushtarakisht.
Leka Zogu ia ktheu përgjigjen disi vonë, tek po vinte viti i ri 1978. Me sa duket me këtë gjest edhe ai llogariti të formulonte një mesazh distance për ballistin kosovar që e kishte lënë të hapur një derë të vogël për bashkëpunim me komunistët.
Leka i shkroi se kishte pasur nderin që pati me një luftëtar të dorës së parë.
Sidoqoftë për Hysen Tërpezën kishte më tepër rëndësi tjetër gjë: tashmë qe e qartë se në Tiranë ose e kishin përgjuar mjeshtërisht njerëz të jugosllavëve dhe dreqi e dinte se si e dhëna pati rënë në dorë të njerëzve të Titos, të cilët donin t’ia shtypnin kokën të birit të Ahmet Zogut.
Ose ishte spiunuar prej vetë atyre që e kishin vënë në bashkëpunim. Pra e patën tradhëtuar.
Tani duhej t’i mbante sytë hapët ditë dhe natë.

(Vijon)

Ylli Polovina



Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com