Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

CILI DO TË VDISTE MË SHPEJT: TITO APO ENVER HOXHA?


(Botuar në gazetën “Shqiptarja.com” në 17 mars 2016)

Viti 2016 shënon 35-vjetorin e demostratave të Prishtinës të mars-prillit 1981 dhe të shtypjes së tyre të dhunshme. Po ashtu në 24 maj mbushen tridhjetë e pesë vite nga dy shpërthimet provokative në ambasadën jugosllave në Tiranë. Në 18 dhjetor kanë të njëjtin përkujtim ngjarjet që çuan në humbjen e jetës së Mehmet Shehut.
Ylli Polovina, duke filluar nga funddhjetori i shkuar dhe në vijim, ka botuar në “Shqiptarja.com”, me dy pjesë me nga pesë shkrime gjithsecila, ciklin “E fshehta e vitit 1981”.
Ky që po nisim të publikojmë sot, është pjesa e tretë e tij.


CILI DO TË VDISTE MË SHPEJT: TITO APO ENVER HOXHA?

Një dokument tepër sekret në arkivën e ambasadës amerikane në Buones Aires

(Pjesa e tretë e ciklit)

Shkrimi i parë

Enver Hoxha nuk kish si ta dinte në 24 tetor 1972, tek sa në ditarin e tij analizonte “Ç\'mund të ngjasë në Jugosllavi pas vdekjes së Titos?”, se kjo temë e nxehtë për kanceleritë e Perëndimit dhe të Lindjes me interesa të drejtpërdrejta në Ballkan, do të hapej shumë shpejt edhe për të.
Kjo do të ndodhte pas një viti, saktësisht pas tetorit 1973, kur një infarkt zemre shumë i rëndë do ta çonte atë deri në buzë të vdekjes.

Fadil Hoxha dërgon mesazh

Por në 17 korrik 1973 ishte fort i qetë për ecurinë e të ardhmes dhe të projekteve për të mbetur në krye të historisë së shqiptarëve. Shënonte në ditar se para disa javësh Fadil Hoxha, numri një i shqiptarëve të Kosovës dhe besniku i Josip Broz Titos, kishte shkuar në ambasadën e tyre në Beograd dhe shefit të saj, Sokrat Plakës, i kishte dërguar këtë mesazh: “Jepu të fala shokëve në Tiranë nga unë dhe nga Titoja dhe u thuaj se Jugosllavia dëshiron sinqerisht të zhvillojë dhe të përmirësojë më tej marrëdhëniet me Shqipërinë.
Tash marrëdhëniet janë të mira, por ne dëshirojmë që këto të kalojnë në një stad më të avancuar. Ne ju sigurojmë se duke bërë këto propozime, na besoni, nuk kemi asnjë qëllim të keq. E kaluara nuk përsëritet më dhe duhet ta harrojmë. Ne dëshirojmë sinqerisht që të kemi kontakte me ju, të shkëmbejmë mendime për një sërë problemesh. Këto kontakte reciproke le t\'i fillojmë nga zëvendësministrat e Jashtëm, pastaj nga ministrat, pastaj mund të vijë edhe Mehmet Shehu”.
Vijonte më tej mesazhi i Josip Broz Titos: “Të vijnë edhe nga ne personalitete në Shqipëri”.
Pastaj shprehte mendimet e tij vetë Fadil Hoxha: “Kështu, në këtë mënyrë, ngrohet situata, pse e kërkojnë kohët. Duhet të mendohet edhe për shqiptarët e Kosovës, nuk dihet se çdo të ngjasë më vonë pas vdekjes së Titos, ose pas 20-25 vjetësh etj”.

Kush qesh i fundit apo kush vdes i fundit?

Infarkti i rëndë i tre muajve më pas nga ky mesazh afrues i ardhur nga Beogradi, por edhe prej Prishtinës, pothuaj përmbysi çdo parashikim. Duke filluar prej motit 1974 do të ecin paralelisht fantazmat e jo një, por e dy të panjohurave ballkanike: të periudhës së pritshme jugosllave pa Josip Broz Titon dhe të Shqipërisë pa Enver Hoxhën.
Ankthi i llogaritjeve gjeostrategjike për të përballuar të papriturat e pas Titos dhe të pas Enverit do t’i shumonin tensionet midis jo pak shtetesh, por ashtu edhe intensitetin e intrigave ndërkombëtare afër dhe larg rajonit.
Edhe pse Hoxha qe gjashtëmbëdhjetë vjet më i ri se shemri i tij jugosllav, shëndetin e kishte më pak premtues për jetëgjatësi. Diabeti pothuaj i lindur bashkë me të dhe ndërkohë mjaft agresiv, i diktuar rastësisht pas lufte, pra ndërsa deri atëherë i pati shkaktuar jo pak dëm, kur ndodhi infarkti i zemrës kishte plus edhe mbi një çerek tjetër shekulli që e rënonte dalngadalë.
Sa do t’i zgjaste moskëputja e fillit të jetës qe një enigmë, deshifrimin e të cilës askush nuk e merrte përsipër, ekip i brendshëm mjekësor apo i huaj.
Një ekip emergjent kinez, i cili nuk qëndroi gjatë, deri sa gjendja e të sëmurit vip e kapërceu krizën e rëndë, u zëvendësua prej francezëve, mes të cilëve do të shquhej si mik i shqiptarëve edhe Pol Miliezi.
Përtej kufijve të Shqipërisë për shëndetin e Enver Hoxhës në vitet shtatëdhjetë më të informuarit qenë këta edhe pse ekipi i mjekëve të Tiranës i përcillte Parisit për kryepacientin e tyre vetëm një dosje me të dhëna, por pa emër sipër.
Sidoqoftë zyrave në kontinent, të cilave u duhej patjetër ta dinin kur afërsisht Hoxha do ta kapte limitin e jetës së vet, kuptonin mjaftueshëm që kjo mund të ndodhte edhe para të njëjtit fat të Titos.
Në Perëndim nuk qenë fort të gëzuar në rast se do të ngjante më e tmerrshmja: vdekja e të dyve në pak distancë prej njëra-tjetrës. Kjo do të shkaktonte tërmetim të plotë të Ballkanit, gjendje paqendrueshmërie tepër të rëndë, ku, pse jo, do të rridhte gjak si lumë.
Tërë muajt e fillimit të vitit 1974 Enver Hoxha e ka përjetuar këtë gjendje fati të keq si të qe një peshë shtypëse mbi gjoksin e fatit të tij politik. Ai ishte duke ndërtuar dhe plotësuar, madje përkryer, imazhin e tij ndërkombëtar përballë atij të Josip Broz Titos, shumë më të njohur në botë dhe më popullor. Në këtë garë për të pasur vite të mjaftueshme që ta mundte rivalin e vet ballkanik, ai i qe dhënë me tërë forcën e mbetur hartimit të doktrinës së tij, të cilën e quante pastërtisht marksiste-leniniste dhe të domosdoshëm për tërë historinë botërore.
Që me enverizmin ta sfidonte kryekomunistin jugosllav dhe platformën e tij politike dhe ideologjike njëkohësisht, titizmin, Hoxhës i nevojitej jetë, sepse kështu si po i shkonte shëndeti kishte të ngjarë që i moshuari Tito, të cilin shokët e luftës dhe bashkëpunëtorët e pas saj e thërritnin “Plaku”, të jetonte më shumë se “i riu” Hoxha.
Mirëpo në përleshjen me shemrin ka rëndësi strategjike jo aq shumë “kush qesh i fundit”, po kush vdes i fundit.
Infarkti i fundvjeshtës 1973 dhe gjendja disa mujore mjaft delikate e kryekomunistit shqiptar u mbajt tepër sekret dhe deri tani nuk janë zbuluar të dhëna që mund të vërtetojnë se anglo-amerikanët apo vendet fqinje, grekët ose italianët, gjatë vitit 1974 kanë nuhatur diçka. As prej jugosllavëve nuk vjen ndonjë shenjë e tillë, pra se qenë informuar në kohë për shkuarjen e Enver Hoxhës deri fikja e ekzistencës fizike.
Që ai nuk po gëzonte shëndet të mirë u kuptua pak nga pak prej spastrimeve të pamëshirshme që filluan të kryheshin ndaj grupeve të ndryshme të udhëheqjes politike, që të gjitha të ngulitura në pozicionet më kyçe të vendit: në media dhe në kulturë, në ekonomi, në ushtri, po ashtu edhe shërbimin e fshehtë.
As në Lindje dhe as në Perëndim nuk kishin dyshim: qe një luftë tipike se cili do të ishte pasardhësi i tij.
Sepse, në rast se do të ndërronte jetë shumë më përpara nga çasti kur Hoxha e konsideronte pak a shumë të formuluar gjer në hollësi doktrinën e vet, pasardhësi i mirëzgjedhur do të qe ai që enverizmin do ta forconte edhe më tepër, do ta çonte më tej. Do ta shtynte në kohë.
Që Enver Hoxha ishte tashmë “me bombë në xhep” dhe një infarkt i dytë do të qe fatal, u mor vesh edhe prej ngritjes ngjitur me zyrën e tij në aparatin e Komitetit Qendror të PPSH-së, të një dhome operative mjekësh. Po ashtu në godinë u hap edhe një mjedis tjetër, një e quajtur “dhomë pushimi”, ku Hoxha pinte kafenë e mëngjesit dhe, duke kryer një pjesë të punës së zyrës, bisedonte aty me bashkëpunëtorët e tij të udhëheqjes së lartë të partisë.
Ndërsa sëmundshmëria e lartë iu nënkuptua, por goditja nga infarkti jo, erdhi një ditë kur gjendja e sekretit të rreptë edhe mbi dokumentacionin rreth kësaj çështjeje u prish. Kjo ndodhi gjatë vitit 1975.
Në shkurt 1976 Departamenti Amerikan i Shtetit u dërgoi një informacion të njëjtë, paralel, ambasadës së tyre në Beograd dhe asaj në Romë. Burimi kryesor i të dhënave qe ajo çfarë kishte pohuar ambasadori italian në Tiranë tek një mik i vet.
Mes të tjerash informimi i qeverisë amerikane thoshte: “...Sekretari i Parë Enver Hoxha është i sëmurë dhe ambasadori mendon se ai nuk do të jetë në skenë edhe për shumë kohë. Ambasadori raporton se ka parë gjatë vitit të kaluar dosjen mjekësore të përgatitur nga një grup doktorësh francezë, të cilët e kishin vizituar atë në Tiranë. Sipas kësaj dosjeje, Hoxha vuan nga një formë e avancuar e diabetit, si dhe nga efekte të mëdha negative në qarkullimin e gjakut. Ambasadori raporton se edhe Kryeministri Shehu nuk është në një shëndet të mirë, por gjithsesi ai tha se nuk është situatë serioze si ajo e Hoxhës...”

Shqetësim në Perëndim dhe Lindje: Përse Shqipëria nuk e firmosi Marrëveshjen e Helsinkit?
Viti 1975 u bë si çelës për ta kuptuar më mirë çfarë kishte në kokë të bënte Enver Hoxha, i mbërthyer tashmë, për shkak të pasigurisë së të ardhmes fizike të jetës së vet, prej një lufte të brendshme shumë të egër e të përgjakshme.
Në 15 gusht të këtij moti në Helsinki 35 kryetarë shtetesh, duke filluar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja, Turqia, Britania e Madhe po ashtu edhe Franca, Spanja, Republika Federale Gjermane, Austria, firmosën të dhjetë pikat e një marrëveshjeje, e cila u quajt Akti Final i Konferencës të Sigurisë e të Bashkëpunimit në Evropë. Firmosës prej vendeve të kampit socialist qenë Bashkimi Sovjetik, Bullgaria, Çekosllovakia, Polonia, Rumania dhe Hungaria. Nga vendet fqinje me shqiptarët, shtete nënshkrues të lidhur me NATO-n, ishin Italia dhe Greqia.
Marrëveshjen e firmosi edhe Jugosllavia.
Prej vendeve evropiane nuk e hodhi nënshkrimin mbi të, duke mos dërguar fare as delegacion, vetëm Shqipëria.
Ky gjest nëpër kontinent shkaktoi një thashethemnajë të madhe, sepse duke qenë se Akti Final, me mision rritjen e sigurisë së euroshteteve, në pikën tre ndalonte ndryshimin e kufijve aktualë, refuzimi hapte shteg të mendohej se Tirana kërkonte t’i kishte duart të lira për të ndërhyrë e marrë Kosovën.
Specialistët e çështjeve ndërkombëtare si edhe politikanët arsyetuan se Shqipëria, pavarësisht asaj që pati deklaruar si demagogji superfuqish, fshehtas me mosfirmosjen këmbëngulëse këtë qëllim kishte. Në pikën dy të marrëveshjes thuhej se nuk pranohej përdorimi i kërcënimeve dhe i forcës për zgjidhjen e problemeve mes shteteve.
Si rrjedhojë veçanërisht në Perëndim u forcua bindja se njerëzit e Enver Hoxhës Kosovën do të përpiqeshin ta merrnin me forcë.
Pra, nëpërmjet një lufte.
Por kjo do ta pështjellonte Ballkanin dhe mund të përplaste fuqitë e mëdha.
Nga kjo mosfirmosje shqetësim i madh, doemos, u shkaktua në Jugosllavi.
Në Beograd e dinin se Hoxha i pleksur në vështirësitë e tij për të administruar luftën e brendshme për pushtet dhe kapërcyer politikisht më lehtë gjendjen e tij të pasigurt shëndetësore, do t’i lypej një mbartje e problemeve përtej kufijve. Saktësisht ta fuste vendin dhe popullin e vet në një zell dhe objektiv nacionalist.
Dhe ajo që pritej, ndodhi. Mosfirmosja e marrëveshjes së Helsinkit nga Tirana prej popullsisë shqiptare të Kosovës u interpretua si vendosmëri e shtetit amë që më në fund ta sillte sa më afër çështjen e bashkimit të të gjitha trojeve kombëtare.
Por Enver Hoxha që u informua për këtë entuziazëm të rritur të shqiptarëve të përtej kufirit, të cilin në të vërtetë vetë e pati shkaktuar, tek pa se ai shumë vrullshëm do t’i kthehej në bumerang, në 23 shtator 1975 në ditarin e vet la të shkruara këto fjalë: “Kosovarët patriotë duhet të mendojnë vetë për të tashmen dhe për të ardhmen e tyre; vetë ata duhet të vendosin ç\'duhet të bëjnë tash e më vonë, vetë ata duhet të gjejnë mënyrat e organizimit të tyre.
Ndihma jonë nuk mund të mendohet dhe as të shtrohet, siç bëjnë disa në Kosovë: \"A do të na ndihmojë Shqipëria me ndërhyrje të armatosur?\". Këta njerëz, në qoftë se s\'janë provokatorë, duhet të mendojnë më parë si do të mbrohen vetë dhe jo të presin që Shqipëria socialiste \"t\'i deklarojë Jugosllavisë luftë të armatosur\". Shqipëria socialiste do të mbrohet, në rast se atakohet nga cilido shtet kufitar. Ne do të mbrojmë vëllezërit tanë kosovarë, siç kemi bërë në çdo kohë, në rast se persekutohen, por jo duke i deklaruar luftë Jugosllavisë”.

Argjentinë: dokumenti top sekret në ambasadën amerikane

Ndërkohë ka edhe një detaj, të cilin nuk është mirë ta kalojmë anash.
Në nëntor 1975 në Departamentin Amerikan të Shtetit u përkthye një informacion tepër sekret për Shqipërinë. Qe me numrin 321-40-60. Përbëhej nga tri faqe.
Pastaj ai iu dërgua menjëherë ambasadës së SHBA në Buones Aires. Në të thuhej se përmbajtja e tij qe tepër sekret dhe se nuk i jepej për informim asnjë përfaqësie tjetër diplomatike të shtetit amerikan. Në fund të atij përcaktohej se “Ambasadori i Buenos Airesit....do të jetë ambasador në Tiranë në rast suksesi”.
Përse bëhej fjalë përderi sa Departamenti Amerikan do t’i ngarkonte këtë detyrë mjaft të fshehtë shefit të diplomatëve të vet në Argjentinë?
Në Tiranë pritej që agjenti i tyre me kodin M8, i cili ishte në nivelet e larta të udhëheqjes shtetërore dhe politike të vendit, nëpërmjet ushqimit do të vriste Enver Hoxhën. Pas kësaj do të merrte pushtetin dhe dalngadalë do ta afronte Shqipërinë me Perëndimin.
Këtë dokument, të porsaardhur nga ambasada shqiptare në Buenos Aires, Ramiz Alia e lexoi të plotë në ditën e fundit të punimeve të Kongresit të Nëntë të PPSH-së, veprimtari politike e mbajtur nga 3 deri në 8 nëntor 1986. Ai u kujdes ta linte qartë të kuptohej se M8 nuk kishte qenë njeri tjetër veç Mehmet Shehut.
Por Alia nuk e shqiptoi as në kongres dhe në asnjë rast tjetër, qoftë edhe në rreth të mbyllur, emrin e atij që kreu operacionin e sigurimit të dokumentit: argjentinasit Hernando Farran. Delegatëve u tha se sigurimin e atij superdokumenti të imperializmit amerikan e pati kryer një mik i vendit të tyre.
Kjo, siç edhe e kishte qëllimin, ndezi përplasje të ngazëllyera pëllëmbësh.

(Vijon)

Ylli Polovina

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com