Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

EDHE FATOS LUBONJA OFRON DHUNËN


(Botuar në gazetën “Shqip” më 29 shkurt 2016)

Në shkrimin e tij të fundit (“Panorama”, 26 shkurt, “Parku, Oligarkia dhe Edi Rama si kryemaskë”) me temë çfarë ndodhi herën e parë mes policëve të dërguar në mbrojtje të projektit të këndit të lojrave te Liqeni (Artificial) dhe një grupi protestuesish, mes të tjerash publicisti i njohur hodhi në letër edhe këto fjalë: “Kundër këtij fashizmi duhen përdorur të gjitha mjetet. Dhunës së tij i duhet përgjigjur edhe me dhunë nëse është nevoja. Sepse kur arrin një kryeministër të guxojë të thotë se kush nuk më voton mua është ose dele, ose budalla, kjo tregon se fashizmi ka bërë hapa shumë të rrezikshëm përpara. Prandaj ai duhet shporrur një sahat e më parë me gjithë shpurrën e tij”.
Ndërkohë më parë se të deklaronte për sa më sipër Fatos Lubonja në të njëjtin shkrim la edhe këtë frazë: “Të gjithë e dimë që këto projekte kanë prapa oligarkinë që deri dje është kamufluar edhe prapa maskave Berisha, Basha. Edi dhe Erioni thjesht kanë nxjerrë në treg aftësinë e tyre për të qenë maska, për të mos u skuqur dhe as zverdhur, por janë oligarkët përfituesit kryesorë të këtyre projekteve”.
Njëzetë e katër orë pas publikimit të këtij artikulli gazeta “Rilindja Demokratike”, të shoqëruar me një foto të madhe të portretit të Lubonjës si edhe me një titull germëmadh në mes të faqes së parë rreshtonte fjalët “Ne dele? Dhunës t’i përgjigjemi me dhunë”. Njëkohësisht këtë citim e paraqiste lëvizshëm edhe me një titull tjetër: “Dhunës së Ramës le t’i përgjigjemi me dhunë”.
Por është rezultative dhe me fryte të sigurta demokratike ndërhyrja nëpërmjet dhunës sociale. Në rast se atij shkrimi me frymë të lartë proteste qytetare, si edhe aftësi të dukshme parashtrimi, do t’i mungonte thirrja e drejtpërdrejtë për zgjidhje politike me dhunë, a do të humbte ndonjë vlerë?
Duke qenë se autori i këtyre rradhëve mendon se me thirrjen për dhunë ka ndodhur pikërisht e kundërta, pra shkrimi i vlefshëm shoqërisht ka humbur sadopak, nuk mund veç t’i paraqesë tani lexuesit argumentet e tij.
E para e papërshtatshme është vetë fjala dhe koncepti DHUNE. I shumëpërdorur prej opozitës aktuale pa kthjelluar ndonjë zgjidhje, por i dëgjuar disa herë edhe i dalë prej gojës së disa politikanëve të sotëm në qeverisje, kur qenë edhe ata në opozitë, dhuna si e kuptojnë ata nuk të lë asnjë shteg pozitiv. Në historinë politike të Shqipërisë kjo “simpati” ndaj këtij mjeti lufte për pushtet ka zenë vend gjatë tërë njëqindvjeçarit si shtet i mëvetësuar, përjashto shpalljen e Pavarësisë dhe Lëvizjen e Dhjetorit.
Edhe partia blu, e cila ende mbetet me një zemër që rreh në mënyrë të dyfishtë, të çrregullt, përherë në mëdyshje për të përdorur apo jo në ndeshjen e brendshme politike mjete ultra radikale, ndërsa e spikat fjalën dhunë dhe i inkurajon gjestet e saj, gjithsesi ndonjëherë fytyrën ja bojatis me termin “revolucion”, madje edhe në formën tingulluese dhe shkencore “revolucion demokratik”.
Kurse Fatos Lubonja jo. Nuk tutet.
Ai e konsumon drejtpërsëdrejti dhe fare qetësisht fjalën “dhunë”, ndërsa dihet që në historinë e botës dhe të kontinentit tonë luftën politike me mjete të dhunës në programet e tyre i kanë shpallur dhe zbatuar vetëm Fashizmi dhe Komunizmi.
Këta e kanë shkruar në letër para se gjëma e tyre të ndodhte. Mund t’u bësh çdo akuzë, por jo atë që përdorimin e këtij mjeti e mbajtën fshehur.
Zoti Lubonja, një i shumëvuajtur personalisht prej dhunës politike, ka marrë mbi vete përgjegjësi të madhe. Jo juridike, as politike, as morale, por para vetë Historisë. Ai është një intelektual personalitet.
Ndërkaq teknikisht dhuna në politikë është mënyra më e favorshme për të shkëmbyer vendet në pushtet jo vetëm antidemokratët e maskuar, por edhe vetë oligarkët ekonomikë, të cilët me të drejtë Fatos Lubonja i denoncon në parim në shkrimin e vet.
Duke e vizatuar Edi Ramën si fashist publicisti i nderuar në të vërtetë është shprehur si bolshevik, me terminologjinë e tyre të dikurshme. Ka ecur praptazi panevojshëm.
Si asnjëherë pas vitit 1990 Shqipëria e sotme, me gjithë problemet që ka, nuk ka qenë e bollshme me mjete politike nga më të rafinuarat për ta hequr në çastin e duhur këtë kryeministër me prirje autoritariste fare të qarta dhe për një mijë arsye dhe shenja që mund ta shtyjnë më tej në rast se vijon t’i keqkuptojë rregullat e pluralizmit.
Edi Rama do të jetë ai shef qeverie që do të ndërrohet më lehtë.
Veç në çastin e duhur.
Është në të drejtën e tij të japë edhe disa prova të tjera se di të bëjë. Edi Rama mund të lërë pas një gjurmë pozitive. Për këtë ekzistojnë dëshmitë.
Me të gjitha mjetet, përveç dhunës, ne duhet t’ia lëmë hapur rrugën për të ndërtuar shtet. Siç kemi vepruar me të gjithë kryeministrat dhe qeveritë tona të pas nëntëdhjetës.
Jodhuna (edhe në politikë) bën mrekullira.
Ajo jep kohë.
Pastaj, po nuk dite, ta merr sikur nuk ke ekzistuar kurrë.

Ylli Polovina

Tiranë, më 27 shkurt 2016

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com