Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

NJË LIBËR ITALIAN PËR “SHQIPËRINË E PARADOKSEVE”


(Botuar në gazetën “Panorama” më 28 shkurt 2016)

Shqiptarët kur nuk qenë ende shtet unik, por vetëm komb, për shekuj të tërë e kanë tërhequr vëmendjen e popujve të tjerë për një cilësi të dukshme: pazhvillimin e duhur. Po ashtu edhe për natyrën e tyre të dhënë pas armëve dhe stolisjes vetiake me to, cilësi që krenaria jonë e ka emërtuar si gjoja shpirt të veçantë luftarak dhe trimëror.
Në këto njëqindvjeçarë të Mesjetës shqiptari i pashtet, gjithsesi shpërndante përreth përshtypje të mirë, veçanërisht me vetinë mjaft të shprehur të mikpritjes, por në të cilën “garë” grekët ia kalojnë.
Ndërkaq na është mbushur mendja se në ushtrimin e saj jemi kampion në Ballkan.
Megjithatë kur Mesjeta e konsumoi epokën e vet dhe Evropa nisi Rilindjen moderne, kur edhe progresi eci vrullshëm më tej, ndërsa më në fund shpallën një shtet që fuqitë e mëdha ia dhanë përgjysmë, shqiptarët sërish mbetën ekzotikë për të huajt, pra tërheqës për shenjat e shumta të së kaluarës që dëshmonin. Ardhësit prej përtej kufijve ishin kuriozë me ta. Për sytë e botës shqiptarët qenë jo thjesht të veçantë, sepse kjo është cilësi e brendshme e çdo etnie, por allasoj, disi të qendërsuar ndryshe, në të kundërt, pothuaj stërprapthi.
Pas vitit 1912, me shtet të tyre dhe të qeverisur nga të vetët, të pazhvilluar sa duhet mbetën sërish. Edhe pse hapat i ngutën dhe i shpejtuan ca. Problemi i shqiptarëve nuk ishte vetëm distanca e tyre e mëparshme nga Koha, por edhe sepse e krijonin përsëri.
Kur me shtetin e tyre të përgjysmuar bënë një lloj mbretërie, e cila të huajt i bënte për të qeshur (pa të keq), bota mbeti me gojë hapur kur vuri re se shqiptarët me stil jete secili sipas kokës së vet, iu nënshtruan disa rregullave që nuk vinin me imponim prej një qendre perandorie, por nga ca zyra të vogla kryeqytetase të shtetit të tij.
Kur shqiptarët i pllakosi pas Lufta e Dytë Botërore, e cila ua bashkoi fatin për një gjysmë shekulli me sistemin politik gjysmëbotëror të komunizmit, të huajt nuk kish pse të mos çuditeshin kur dëgjonin se ai popull i vlerësuar për mikpritjen ndaj të huajve, qe mbyllur hermetikisht brenda kufijve. Se bashkëjetesën fetare të spikatur, në vend që ta ruante, me ndalimin shtetëror bolshevik të besimeve e kish shtyrë fare në humnerë.
Kur komunizmi në Evropë ra dhe Shqipëria më në fund u hap plotësisht para syve të botës, ata që erdhën për të na parë në gjendjen e re politike dhe shoqërore, tashmë gjetën një rast më të favorshëm për të na njohur, kuptuar dhe shpjeguar më mirë.

Atje ku bunkerët....

Elena Pagani, një vajzë italoveriore, pra në një farë mënyre një banore e Evropës Qendrore, për të cilën autori i këtyre radhëve ka mendimin se është kërthiza historike kontinentit dhe për shqiptarët ka manifestuar përherë mirësi, ka shkruar e botuar së fundmi, në gjuhën e vet, një libër interesant.
E ka titullin “Dove i bunker diventano coccinelle”.
Pra “Atje ku bunkerët shndërrohen në pashkëza”.
Pashkëza, siç e dini, është ajo krijesë e vockël, e mahnitshme, me madhësinë e një xixëllonje, e cila shpinën dhe krahëzat i ka të mbushura me pikëla shumëngjyrëshe. Në fantazinë popullore ato janë ogurmira. Sjellin dashuri dhe hare dasmash.
Në letërsinë e huaj për shqiptarët e paskomunizmit vetëm Elena Pagani i ka krahasuar të njëqind e shtatëdhjetë mijët hijerëndë bunkerë të luftës në mbrojtje, në një farë mënyre streha të qëndresës, por edhe të vdekjes, me këtë simbol ngarendës të gëzimit të jetës. Pashkëzën shkenca e quan insekt shumë të dobishëm për mbarësinë e punëve bujqësore, kurse shqiptarët e venerojnë sepse mendojnë se u sjell fat në jetën personale.
Elena, tek i lexon të 106 faqet e librit të saj të publikuar nga “BESA”, tradicionalja shtëpi botuese italiane me seli në Brindisi, me profil autorë të Evropës Lindore, të përcjell besim se ajo hyn në grupin e udhëtarëve të huaj-autorë që kanë ditur të na njohin. Inteligjenca personale e tyre, por edhe dashuria për shqiptarët, i kanë bërë që nëpër shekuj edhe të na qortojnë për të metat tona dhe ne asnjëherë t’i marrim inat.
Elena Pagani përfaqëson udhëtaren më të fundit të gjithë plejadës dhe e traditës së tyre. Kjo është arsyeja përse po ndalemi tek libri i saj, tek dëshmia që ajo përhap, tek gjykimet pozitive që jep, për qortimet që bën.
Elena për nga natyra është një vajzë e ëmbël, por kjo cilësi i dyfishohet sepse me Shqipërinë ka një lidhje dashurie vetiake. E fejuar për disa vite dhe e martuar këtë janar me sipërmarrësin shqiptar nga Kopliku i Shkodrës, Marjan Fierza, ajo është tepër e sinqertë dhe e besueshme tek në faqen e fundit të librit të saj shkruan: “Falënderoj prindërit e mi, shëmbulli më i mirë i bashkëpunimit që kam pasur ndonjëherë, si edhe Marjanin që më rrëfeu Shqipërinë e tij: jeni familja ime italo-shqiptare”.

Vendi pa shqiponja, por i mbushur me paradokse

Pas katër kapitujve që rrëfejnë për lexuesin italian historinë e Shqipërisë (“Ardhja e Perandorisë Otomane”, “Pavarësimi i shtetit shqiptar”, “Monarkisti, fashisti, komunisti” dhe “Nga regjimi komunist tek tranzicioni demokratik”) Elena Pagani parashtron të pestin: “Shqipëria e vitit dymijë: Vendi i paradokseve”.
Prej katër nënkapitujve të tij zgjodhëm, për ta nxjerrë në pah, vetëm të fundit: “2008-2014, përvoja ime në Vendin e Shqiponjave”.
Pikërisht këtu ndodhet këndvështrimi i autores për identitetin dhe karakteristikat e shqiptarëve ose në një farë mënyre përpjekja e saj për të provuar praninë e theksuar të paradokseve tek ne. Elena Pagani nuk zotohet se emërtimi i saj për Shqipërinë si vendi i paradokseve do t’i zerë vendin emrit vezullues që na ka vënë Evropa disa shekuj më parë, për të na inkurajuar luftën kundër pushtimit myslimano-turk. Titulli “Vendi i Shqiponjave”, kur në të vërtetë shpendë të tillë si edhe simbol përfaqësues nëë+r flamuj gjeje në të tërë Ballkanin, po ashtu edhe luftëtarë më të zellshëm kundër Perandorisë Osmane, mbetet një kompliment i dashur për të.
Jeta e Elena Paganit pranë shqiptarëve ka nisur vetëm gjashtë mote të shkuara (në 2008) dhe se eksperienca e saj fillestare qe e një turisteje (siç quhet sot personi i huaj që shekuj më parë emërtohej “udhëtar”). Sipas Elenës që në nisje të përvojës së saj njohëse mbërriti në mendimin se “Shqipëria e sotme është krejt ndryshe nga ajo që na kanë treguar në librat e historisë”.
Nuk e thotë se çfarë i kanë treguar këta libra historie, të shkollës qofshin apo të librarive dhe bibliotekave të shumta të vendit të saj, por me siguri nëpërmjet tyre ka parë me sytë e mendjes një vend dhe një popull me më pak pozitivitet nga sa konstatoi më pas vetë.
Për ta ilustruar këtë mundësi gabimesh në paraqitjen e shqiptarëve para italianëve, ku përveç dëshirës së mirë janë vërejtur edhe paragjykime, na ndihmon edhe vetë libri “Atje ku bunkerët shndërrohen në pashkëza”. Në jo pak faqe që lidhen me periudhën e “socializmit” dhe të Enver Hoxhës gjen edhe një gjykim të autores sikur ky i fundit u dëbua si mësues prej gjimnazit të Korçës, sepse nuk desh të regjistrohej në Partinë Fashiste (nëntor 1939), kur e vërteta është disi ndryshe: u dëbua i tërë këshilli pedagogjik i liceut për pjesëmarrje dhe inkurajim të nxënësve në demostrimin patriotik për Ditën e Flamurit. Në kujtimet e tij as vetë Hoxha nuk e ka parashtruar pretendimin se i kanë bërë trysni për t’u anëtarësuar në ndonjë strukturë partiake fashiste. Këtë hollësi nuk e paraqitëm si provë që libri i Paganit ka të tilla, sepse ai është tepër korrekt në pjesën e vet historike, as përse autorja duket disi e anësuar kur në nënkapitullin e dytë të kapitulit të pestë, shkruan disa faqe rreth temës “Edi Rama: një artist në politikë”.

Shqiptari si “Katunare në shtëpi të re”

Në analizën e saj për popullin tonë Elena, siç e pohon vetë, tashmë e re intelektuale italo-shqiptare, thotë se për të dalë në një rezultat sa më të vërtetë mbi karakteristikat kryesore të popullit tonë i duhet të kuptojë se cilat mekanizma e kanë bërë atë ashtu siç është.
Në këtë ndërthurrje të këtyre faktorëve ajo paraqet një lloj radhe: Një e kaluar e vështirë, zgjedhje të gabuara të një populli të lodhur dhe që reagon impulsivisht, komb shumë ndikuar prej historisë së vendeve fqinje. Në këtë të fundit saktëson “sidomos prej atij që quhet Perëndim dhe që deri para ca kohësh dukej larg”. Ky anësim, sigurisht, e gëzon.
Shkruan Elena: “E kam quajtur “Vendi i paradokseve”, ku tradita dhe modernja pleksen fort, e shkuara me të tashmen,... ku ka akoma rregulla në fushën e moralit”. Dhe pranon se mbetet gojëhapur para faktit se tek shqiptarët “martesa është festa më e rëndësishme e familjes”. Madje shton e befasuar: “që zgjat tre ditë”.
Elena Paganit i bën përshtypje rëndësia që populli ynë i jep ndërtimit të shtëpisë dhe që këto janë tepër të mëdha për aq sa banojnë në të, më shpesh vetëm prindërit e moshuar vetmitarë sepse fëmijtë e tyre ndodhen në emigracion. Duke qene se Pagani merret edhe stilizimin e veshjeve të modës dhe duhet thënë se edhe në këtë profil paraqet mjaft shije dhe talent, si simbol të shtëpisë së re tepër të madhe dhe moderne të shqiptarit në viset tona të veriut, ka një foto të saj që po e paraqisim bashkëngjitur me këtë shkrim “Katunare në shtëpi të re”. Ngjan me një foto-simbol për të tërë ne.
Elena Paganit i pëlqen shumë përpjekja jonë për ndërtimin e arterieve rrugore. Ndërkohë ngul këmbë se “për qeveritë, por mbi të gjitha për qytetarët, problemi i parë është rëndësia e të mirës publike”. Shton: “E pashë se sa e nënçmuar është ajo”. Elena thotë se tek ne po ashtu “indiviualizmi ekstrem duhet zëvendësuar me shpirtin e bashkëpunimit”.
Na vë në dukje se kemi shumë idolatri të parasë dhe se shqiptarizmi, ky frymëzim yni i spikatur, duhet vërshuar i tëri tek investimet ekonomike.
Duke qenë se ajo ka bindjen se trojet e etnisë tonë në Ballkan janë hapësira “ku takohesh dhe përplasesh”, spikat një orientim tonin të domosdoshëm: shumimin e njerezve-ura, pra të individëve të mënçuar që japin e marrin me zhvillimin e madh të Evropës, me njeri-tjetrin brenda vendit po ashtu.
Elena, kjo italo-shqiptare e re, vetëm njëzetë e tetëvjeçare, e bukur dhe e mençur, protagoniste disa vite më parë me praninë e saj në një emision quiz të kanalit të parë të televizionit italian, Raiuno, ku me fjalët e saj të ngrohta për Shqipërinë shkaktoi ato çaste një kulmim ndjekësish disamilionësh, me librin e saj “Atje ku bunkerët bëhen pashkëza”, na ka bërë një dhuratë.
Emri i saj mbi kopertinë është si një fiongo me ngjyrë të kuqe të bukur.

Ylli Polovina

Tiranë, më 21 shkurt 2016

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com