|
FAIK KONICA SI BURRE I LIG
(Botuar më gazetën “Shqip” më 24 janar 2016)
Sigurisht që nuk kishte asnjë lidhje përse një shkrim denigrues i njërit prej diamanteve të inteligjencës kombëtare, Faik Konicës, për Ismail Qemal Vlorën u botua në disa nga gazetat tona pak ditë para 24 janarit të këtij viti, e cila qe edhe ditëlindja e shpallësit të njohur të pavarësisë.
Ishte e tëra një rastësi, por gjithsesi e hidhur, e trishtueshme. Me efekt (pa dashje) të keq, gjithashtu, sepse pothuaj askush autoritet mediatik apo politik nuk u kujtua për këtë 172 vjetor. Jo sepse nuk qe jubilar dhe për këtë arsye mund të anashkalohej, por sepse këtë herë duhej spikatur për shkak të atyre tre-katër ditëve pararendëse, kur disa të përditshme hodhën e pritën tek njëra-tjetra këtë lloj “letre”, të cilën Faik Konica e pati përhapur kundër bashkëkombësit të tij njëqind vite të shkuara.
Ky shkrim ka qenë i bërë publik edhe më parë, por ai u duk si risi sepse shqiptarët kanë gati një shekull që e harrojnë sapo e lexojnë.
Të krijuar në “28 Vjesht’ e Trete, 13 Qershuar 1917 dhe e publikuar në “Kuvendi”, Romë, 30 Nëntor 1919”, Faik Konica e përshkruan aksionin e Ismail Qemal Vlorës sikur ai, vetëm kur Turqia e humbi luftën, “doli nga vrima, u hoth në Bukuresht, e andej në Vjenë ku, që të përdorim një fjalë të popullit, “i kish rënë era kërmë”. Plaku zëmër-thatë e i vdekur nga çdo ndjenjë, s’humbi kohë me prralla idealiste, po nisi të shtrojë listën e harxheve: harxhe që s’kish në mëndje t’i bëjë, as i bëri kurrë. Berchtold-i, kërrusur nën barrën e mejtimeve, s’kish ngë të bëjë pazarllëqe..., po me sy të mbyllur dha ç’i kërkuan. Ismail Qemali, torbën me flori nënë sqetull, edhe doli në Durrës. Atje mblodhi edhe ca njerëz të tjerë, edhe të gjithë, ca kaluar e ca më këmbë, ca në qerre të hequra prej buajsh, u nisnë për në Vlorë.
Kjo karvanë, e përzjerë, e varfër, e qelbur... Ismail Qemali, i ngrysur e i rëndë, me maskën e Moisiut të ngjitur mirë në faqe, mbahej si një profet i theatros edhe kalonte pa folur”.
Disa paragrafe më poshtë nga ky shkrim i Faik Konicës gjen edhe këto radhë: “Padyshim, më 28 të Vjeshtës së Tretë 1912, kur dora thonjë-mbrehur e tij ngriti në Vlorë flamurin e vjetër të Skënder-beut, katërqint vjet të harruar, çasti i math për Shqipërinë ka qënë edhe më i bukuri në jetë të turbulluar t’Ismail Qemalit. Sikur të kish vdekur të nesërmen, do të kish mbetur i rritur dhe i paharruar në zemër të popullit. Po rrojti. Rrojti mjaft sa të çbëjë me rrënjë atë që kish nisur edhe sa t’a ndyjë flamurin gjithë me atë dorë me të cilën e kish ngrijtur”.
Më tej, pasi e përshkruan si përkrahës të vorioepirotizmit dhe i një Shqipërie me kufi të skajshëm jugor deri në lumin Vjosa, pra me Korçë dhe Gjirokastër të helenizuar, e akuzon Ismail Qemalin “E poshtër moralisht, sjellja e tij ish politikisht e lajthitur” dhe se i “nxiu vetëdijat e Shqipëtarëve që prisjin dritë, edhe fëlliqi flamurin t’onë në sy të botës. Pakë nga pakë i dolli turpi, hoqi maskën, u duk hajduti sheshit, gjer sa më në funt një oficer i Hollandës i vuri hekurat në dorë e, mes dy zaptiesh me sungji përpjetë, e futi në vapor edhe e nxori për gjithnjë nga sheshi i politikës”.
Në jetën e Faik Konicës, mbushur me gjeste kombëtariste të shumënderuara, ka edhe ligësi të tjera. Fan Nolin, ndërsa ishte përfaqësues zyrtar i shtetit (konsull në SHBA) dhe personalisht për shkak të dhuntive të tij shquara intelektuale qe edhe përfaqësues i tërë kombit, e denoncoi tek autoritetet amerikane si agjent të sovjetikëve në mënyrë që të ndikonte që mos rikthehej më në Shtetet e Bashkuara dhe po të mbeste këtu, ta kishte jetën përfundimisht të nxirë. Kur Fan Noli, si intelektual po aq brilant si Faiku, për shkak të një të ftohti të rëndë po vdiste dhe i kërkonte shtetit shqiptar një ndihmë financiare për t’u kuruar, Konica i shkroi Ahmet Zogut të mos ia jepte këtë ndihmë.
Zogu, përkundrazi, edhe pse e kishte pasur rivalin më të madh në politikë, ia dërgoi shumën e mjaftueshme të shpëtonte nga vdekja.
Faik Konica do të qe për disa çaste ndër kolaboracionistët e parë të Luftës së Dytë Botërore, sepse që në vitin 1940 dhe sidomos kur Italia fashiste nisi agresionin kundër Greqisë, mori financim të rregullt dhe të fshehtë nga regjimi i Musolinit.
Dhe është po ai që i pati kujtuar Ismail Qemalit njëzetë vite të shkuara një gjoja torbë me flori që paska marrë nga qeveria austrohungareze dhe e ka futur në xhep!? Nga që një politikan i ditëve të sotme në një libër të tij ia përsëriti Plakut të Vlorës akuzën se qe vjedhës, ka ardhur koha të ngulet këmbë që këta shumëpërdorues të fjalës, ndërsa nuk e paskam merak mirpëruajtjen e përgjegjësisë morale, të mbajnë atë juridike (para gjyqit). I kanë dhënë liri shumë të tepërt vetes dhe mornicave të tyre për pushtet!
Akuza se Ismail Qemal Vlora, themeluesi i shtetit tonë të pavarur, qe një hajdut, jo vetëm mbetet sjellje e turpshme, por është krej e padokumentuar. Ai ishte një politikan me pasuri familjare vetëm një gjysmë pylli në Vlorë dhe se financimet që merrte prej ndonjë fuqie të kohës (çfarë e bënin të gjithë atëherë dhe nuk kanë shumë cipë ta bëjnë disa edhe sot), i përdorte jo për t’i shpenzuar nëpër klube bixhozi apo vënë mënjanë në ndonjë llogari bankare të kamufluar, por vetëm për veprimtari politike e mbajtur familjen e tij të madhe, ku djemtë qenë nëpunësit e tij ndihmës. Ishte një shtëpi e tërë, si zyrë, që punonte për atdheun.
Po të ish ndryshe populli në këngën kryesore kushtuar atij pas vdekjes nuk do të thoshte se ai u kishte lënë pas jo një pasuri, por një Shqipëri.
Nga që nuk ishte lajkë, ky motiv i jashtëzakonshëm ndershmerie njerëzore nuk u përsërit kurrë për asnjë politikan tjetër nga ata që deri tani i kanë qeverisur shqiptarët.
Ylli Polovina
Tiranë, më 26 janar 2016
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|