Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

.jpg
Foto: .jpg
1971, NJU JORK, SHEFI I UDB-së I KOSOVËS NUK DENONCON ZBULUESIN E SIGURIMIT SHQIPTAR


Ballistin Hysen Tërpeza përpiqet ta rekrutojë UDB-ja

(Pjesa e dytë e ciklit)

Shkrimi i pestë

(Botuar në gazetën “Shqiptarja.com” më 7 shkurt 2016)

Ndërsa në 1 mars 1969 Enver Hoxha, në një takim me nacionalistin shqiptar nga Kosova Rexhep Duraku i komunikoi atij orientimin “të shfrytëzojnë drejt të gjitha momentet e volitshme që u krijohen nga gjendja e përgjithshme ose nga një punë e tyre e pjekur dhe e matur politikisht, pa u hedhur në aventura”, në vëzhgim të përhershëm ndaj prirjes sovjetike për t’i goditur ushtarakisht Jugosllavinë dhe Shqipërinë dhe si duhej kundërvepruar, qenë edhe shtete të rëndësishme të Perëndimit.
Në mars 1971 delegacioni britanik pranë NATO-s i bëri një analizë të hollësishme “Doktrinës Brezhnjev” (“The Brezhnev Doctrine and a European Security Conference”). Konkluzioni që ai spikati, ishte kanosës për Evropën: Bashkimi Sovjetik mund ta përdorte forcën edhe përtej vendeve të Traktatit të Varshavës.
Ja pse BRSS, shpallte mendimin e saj analiza e delegacionit të Londrës pranë Aleancës Atlantike, përbënte një rrezik të madh për paqen në Evropë.
Sipas këmbënguljes së tij “në rast se do të ndodhte pushtimi i Jugosllavisë dhe i Shqipërisë, trupat sovjetike do të mbërrinin deri në pjesën jugore të NATO-s”.
Ndërkaq që në fillim të vitit 1969 Roma dhe Beogradi filluan kontaktet e para mes oficerëve të tyre të lartë si edhe të komandave që hynin me vendndodhje në koridorin e mundshëm të depërtimit luftarak sovjetik, i cili kalonte nëpër Jugollavinë veriore dhe pasi hynte në Italinë e sipërme, e hidhte lakminë e pushtimit në Evropën Qendrore.
Pasi në vjeshtë 1971 Leonid Brezhnjevi kreu një vizitë në Jugosllavi, kur viti po mbyllej, diplomacia britanike, pra civilët dhe jo grupi i përzjerë me ushtarakë i dërgatës pranë NATO-s, nisi ta sugjestionojë veten me idenë se plani i mëparshëm rus për të goditur në Ballkan ishte relativisht në tërheqje dhe kjo, këtë herë, për arsye të një llogarie tjetër strategjike të Moskës.
Sipas saj, Jugosllavia dhe modeli i Josip Broz Titos Kremlinit i duhej të funksiononte ashtu siç qe. Një format i tillë, shumë i veçuar, në rast se sovjetikët ia delnin që me mjete politike apo ideologjike, po ashtu edhe me propagandë, t’ia thellonin ndryshimin me ato të vendeve të tjera të kampit socialist, nga gjendja e joshjes ai do të shndërrohej në të kundërtën e vet: braktisjen, mosndjekjen e atij shembulli.
Diplomatët anglezë qenë të bindur se në qëllimin e përgjithshëm të rusëve për të pakësuar ndikimin amerikan në Evropë, përdorimi i mënyrave të nxehta, si ishin armët, po ashtu nuk jepte asnjë rezultat.
Pra: manovër e butë.
“Përkëdhelje”.

Në sallën e Kongresit të Lidhjes së Prizrenit janë afër Sigurimi dhe UDB

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ushtronte veprimtarinë e saj Lidhja e Tretë e Prizrenit me kryetar Xhaferr Devën dhe zëvendës të tij Hysen Tërpezën, e shpallur organizatë shumë armike prej qeverisë së Beogradit, njerëzit e UDB-së kryen disa përpjekje për ta përçarë dhe bërë sa më pak të efektshme.
Në atë kongres u duk i qartë shkëputja mes kryetarit dhe zëvendësit, çfarë qe një prishje përfundimtare. Xhaferr Deva rrinte në tribunë dhe Hysen Tërpeza në një karrige në fund të sallës.
Viti 1971 qe çasti kur do të mbanin në Nju Jork kongresin e radhës dhe për të marrë pjesë në të, i maskuar, brenda në sallë, erdhi dhe qendroi tërë kohës edhe Selim Brosha, shefi i këtij shërbimi të fshehtë për Kosovën.
Deva, Tërpeza si edhe të tjerë, do ta merrnin vesh këtë kohë më pas.
Por kjo nuk do t’i shpëtonte zbulimit politik të Tiranës.
Në atë sallë kishte ardhur, si një prej përfaqësuesve të simpatizantëve të Lidhjes së Prizrenit nga Kosova, një person, i cili në profesion qe inxhinier dhe identitetin e tij po e mbajmë të kyçur.
Bashkëkombësi ishte nga Gjilani dhe studimet e larta për inxhinieri i pati përfunduar në Zagreb. Kur qe në vitin e tretë të universitetit u mor në kontakt nga zbulimi shqiptar dhe ftesës për të bashkëpunuar për çështjen nacionale iu përgjigj pozitivisht.
Kur do të mbahej kongresi i Lidhjes së Tretë të Prizrenit, me udhëtim e çdo shpenzim tjetër qëndrimi në Nju Jork të paguar nga Tirana, i ndoqi punimet e mbledhjes. Aty një çast dalloi Selim Broshën, të cilin e njihte sepse qe edhe ai nga Gjilani.
Iu fsheh vështrimit të tjetrit menjëherë.
Në pushimin e parë të kongresit doli në rrugë dhe prej një kabine telefonike lajmëroi rezidentin e zbulimit politik të Shqipërisë në përfaqësinë e saj diplomatike pranë OKB-së. Ky e thirri, sapo të gjente kohën e përshtatshme, të vinte menjëherë në selinë diplomatike. E pyeti nëse Selim Brosha e kishte parë, por tjetri i tha se nuk i qe dukur se e pati vënë re. Sidoqoftë mos u shqetëso, i tha. Ndiqi punimet e kongresit si të jesh një pjesëmarrës i tij dhe simpatizant i tyre. Kur do të kthehesh në Kosovë kanë për të të arrestuar, por në hetim do të mbajnë vetëm një javë dhe pastaj, për mungesë provash, do të lëshojnë.
Kështu edhe ndodhi.
(Në vitin 1991, ndërsa Selim Brosha kishte dalë në pension, personi të cilit ia fshehëm emrin, u ul në një tavolinë kafeneje të Prishtinës, e cila qe mbushur plot. Tek hyrja pas disa minutash pa Broshën, i cili iu afrua dhe i kërkoi leje të ulej, duke i shpjeguar me këtë rast se të gjitha tryezat e tjera qenë të zëna.
“Mund të ulesh!” ia ktheu inxhinieri, i cili me prishjen e regjimit punist në Shqipëri, nuk ishte më zbulues aktiv i Tiranës. Gjatë bisedës, kur ajo u bë e ngrohtë dhe e hapët, e pyeti Selimin mos kishte qenë në vitin 1971 në Nju Jork në kongresin e Lidhjes së Tretë të Prizrenit. “Isha”, iu përgjigj ky dhe pastaj shtoi “Të pashë edhe ty atje”.
“Po pse nuk më denoncove?”
Selim Brosha vuri buzën në gaz: “Sepse nuk ka kishin dhënë atë detyré”.
Inxhinierit menjëherë i brofën në kokë të kthjellta fjalët e rezidentit të zbulimit shqiptar në Nju Jork: Mos u shqetëso, do të të arrestojnë, do të të mbajnë një javë dhe pastaj do të të lëshojnë”.

Diplomatët britanikë përherë syhapët për Ballkanin

Josip Broz Tito bëri në Moskë nga data 5 deri në 10 qershor 1972 një vizitë, e cila prej diplomacisë britanike u vlerësua si mjaft inteligjente për të zbutur raportet e ndërsjella dhe vënë në vështirësi çdo trill për ndonjë sulm ushtarak ndaj Jugosllavisë.
Megjithatë në vjeshtë të këtij moti në shërbimin e jashtëm anglez hynë shumë të dhëna, sipas të cilave papritur qe krijuar një acarim i marrëdhënieve mes jugosllavëve dhe sovjetikëve. Në kundërlojë Tito nisi të bënte “balet”. Ai nga një anë i nxiste të dërguarit e tij të firmosnin në Moskë marrëveshje për furnizim me teknologji moderne ruse, por ndërkohë nuk u jepte lejen luftanijeve sovjetike të bazonin për disa ditë në portet e vendit të tij.
Kur hyri viti 1973, pastaj edhe në vazhdim, në Londër, por tashmë edhe në Uashington, besohej se jo vetëm për Ballkanin, por edhe më tej, në zona të tjera të globit, sovjetikët hë për hë qenë të interesuar të ruanin “status quo”-në e gjërave.
Me pak fjalë, më së pari britanikët që e ndiqnin me shumë ngulmim çfarë ndodhte në Mesdhe, e kishin të patundur opinionin se mjetet më të efektshme për të fituar sfidën e konkurencës me këdo fuqi tjetër rivale, përfshi edhe përplasjen SHBA-BRSS, qenë ato të luftës së ftohtë.

1972, alarmi i parë: po sikur të vdesë Tito?

Që rreziku sovjetik ishte permanent, por tashmë përkohësisht në dremitje, besohej njëlloj në Beograd dhe në Tiranë. Madje duhet thënë se si Josip Broz Tito ashtu edhe Enver Hoxha kishin një prirje të njëjtë për ta zmadhuar sadopak këtë kërcënim.
Ishte kjo paranojë individuale apo makth për ruajtje të pushtetit personal?
Qe lojë e brendshme politike?
Llogaritje jo tërësisht e saktë?
Zhurrmë e njëanshme e bërë prej ushtarakëve apo ndonjë klani të tyre të ngjizur me kolegët e ideologjisë?
Një analizë më e detajuar e kësaj do të kërkonte kohë shumë më tepër, çfarë, duke qenë se nuk është ky qëllimi i tematikës së këtij cikli shkrimesh, do të ishte një vrapim nëpër një shteg të gabuar.
Ndërsa përmes bisedimeve dyermbyllura mes Beogradit dhe Romës në parim u ra dakord që në rast të një agresioni sovjetik kundër Jugosllavisë kjo të përdorte për nevoja të aviacionit të saj aeroporte ushtarake në veri të Italisë, njëkohësisht të realizonin edhe veprime të përbashkëta të dy ushtrive për të mbrojtur brigjet e detit Adriatik, madje do të kishte edhe depërtim të trupave italiane brenda territorit të federatës së sllavëve të jugut, çfarë kishte marrë edhe pëlqimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, u çel tema e fatit të jetës së Josip Brozit.
Çfarë do të ndodhte pas vdekjes së tij?
Ky vërtet rezultoi një problem i madh, pak i vëzhguar më parë. Deri tani në Perëndim kishin gjykuar si rrezik numër një agresionin ushtarak sovjetik dhe të Traktatit të Varshavës në Jugosllavi dhe në Shqipëri, pushtimin e tyre, por pothuaj të njëjtat pasoja do t’i shkaktonte gjeostrategjike mund t’i shkaktonte vdekja e Titos.
Enver Hoxha analizën e parë të tij për këtë temë, të cilës do t’i rikthehet edhe herë të tjera, në ditarin e tij ka të shënuar datën 24 tetor 1972.
“Ç\'mund të ngjasë në Jugosllavi pas vdekjes së Titos?”, pyet ai që në fillim dhe jep këtë përgjigje: “Sipas mendimit tim, pas vdekjes së Titos, në Jugosllavi, do të thellohen në kulm kaosi dhe anarkia;”. Më pas, duke ia toleruar terminologjinë e tij dogmatike, vijon: “do të bëhet preja e rivaliteteve nacionaliste të brendshme dhe fushë intrigash e fuqive të mëdha imperialiste, - e imperializmit amerikan dhe e socialimperializmit sovjetik.....Por, për pozita influence e në mos edhe më shumë, deri në copëtimin e Jugosllavisë aktuale, janë të interesuar dhe lëvrijnë intensivisht edhe shtete të tjera kapitalisto-revizioniste, që bëjnë pjesë në grupimet e NATO-s dhe të Traktatit të Varshavës ose jashtë tyre”.
Enver Hoxha nuk i përfundon këtu gjykimet e tij, por nënvizon pasojat e tjera të periudhës së pas Titos: “...brenda në Jugosllavi klanet serbomëdha dhe ustasho-kroate do të përplasen fort njeri kundër tjetrit. Rreth tyre do të lëvizin interesat e maqedonasve, malazezve, sllovenëve, të Bosnjë Hercegovinës etj. Në këto klane do të mbështeten edhe fuqitë e huaja për dominim të influencës së tyre, në mos për më shumë. Të gjithë përgatiten për këtë eventualitet, për këto goditje. Rol do të luajë ushtria jugosllave në vendosjen e hegjemonisë së njerës ose tjetrës palë”.
Dhe Enver Hoxha përfundon: “Probleme shumë të koklavitura do të krijojë situata e ardhshme në Jugosllavinë titiste. Prandaj vigjilenca jonë duhet të jetë e madhe dhe përgatitja ushtarako-ekonomiko-politike e vazhdueshme. Në këtë rrëmujë armiqtë tanë që na rrethojnë, mund të orvaten të cënojnë kufijtë tanë, mund të na provokojnë, mund të afrohen edhe ushtritë e NATO-s dhe të vendeve të Traktatit të Varshavës në kufijtë tanë tokësorë të Veriut dhe të Lindjes.
Prandaj ne do të përgatitemi për variantin më të zi...”

Njeriu i UDB-së tek pragu i derës

Në prill 1973 një grup vëzhguesish zyrtarë amerikanë dëgjoi në Beograd të përsëritur me këmbëngulje pikëpamjen se në strategjinë e sovjetikëve ndaj Jugosllavisë qe edhe provokimi i tensioneve të brendshme, duke filluar nga ato etnike. Me me shumë bindje qenë se për shkaktimin e këtyre trazirave do të përdorej Bullgaria. Buton shpërthimi ajo do të përdorte Maqedoninë. Kjo republikë, pa e thënë me zë të lartë, konsiderohej nga drejtuesit e lartë të Beogradit pjesa më delikate e federatës.
Kosova zinte vend të dytë, edhe pse pikërisht për të fshehur të vërtetën e parë, gishtin akuzues e ngrinin më shumë kundër krahinës shqiptare.
Ndërkaq në SHBA ballisti Hysen Tërpeza, i cili në fillim të vitit 1977, siç e kemi treguar në pjesën e parë të këtij cikli shkrimesh u rekrutua nga Mehmet Shehu dhe Kadri Hazbiu, në 16 qershor të 1973-tës dha dorëheqje të parikthyeshme nga funksioni që kishte në udhëheqje të organizatës së Lidhjes së Tretë të Prizrenit. Megjithatë shpalli se i qendronte besnik programit të saj
Një muaj më vonë nga gjesti dorëheqës, sipas pohimit që i ka bërë vetë me zëregjistrim bashkombësit të tij në Zvicër, Mustafë Xhemaili, “në Nju Jork erdhi një pjestar i sigurimit jugosllav, shqiptar nga Ferizaj. Ishte njëfarë Shefqet Hashani. Ai në Amerikë erdhi me gjithë të shoqen”.
I porsardhuri kërkoi të takohej dhe Hysen Tërpeza pranoi. Dialogu mes tyre, gjithnjë sipas zëregjistrimit, ishte ky:
“Fol, burrë, çfarë deshe të flasësh me mua”, i thashë.
“Po ia heq dushkun”, më tha ai. “Mua më ka dërguar Beogradi, por edhe disa udhëheqës të Kosovës, dhe më kanë thënë se juve ju garanton shteti se mund të ktheheni kur të doni në Kosovë. Ne e dijmë se Ju nuk keni bërë krime. Kthehuni dhe do t’ua lirojmë tokën që u është marrë. Anëtarët e familjes dhe kë të doni do t’ua punësojmë...”, më thoshte. “Pastaj, tashti Kosova ka një autonomi të kënaqëshme për shqiptarët. Njerëzit jetojnë të patrazuar”, më thoshte ai.
“Mirë, bre Shefqet, ty të ka dërguar UDB-ja që të vish këtu. Por, po të pyes, në katër sy, veç me Zotin dëshmitar: Çka ta merr mendja, bre mixhë, ti, pa qenë i shkolluar këtë detyrë të rëndësishme që ta kanë dhënë nuk do të ta jipnin. Apo, nëse do të ishe një besnik shumë i madh i regjimit, këtë detyrë do ta jipnin edhe pa shkollë?! Po autonomia jonë nuk nënkupton vetëm katër prefektura, atë të Prishtinës, të Mitrovicës, të Pejës dhe të Gjakovës...Viset e robëruara shqiptare janë prej Manasitiri në Ulqin dhe Tivar. Po a e din ti se zemra e shqiptarizmit janë viset shqiptare të Maqedonisë dhe të Malit të Zi? Ato janë vise historike, kombëtare, bre!...Ti mund të flasësh ndoshta ndryshe e të më thuash se sot për sot po jetojmë kështu apo ashtu, por kjo liri nuk është kurrësesi!”, i thashë.
“Por, a ma jep një kopje tënden të dorëheqjes sate nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit”, më pyeti ai.
“Pse jo”, i thashë. Dhe ia dhashë.
“Dhe si po ia bëjmë punës që të kthehesh në Kosovë”, më pyeti.
“Unë do të kthehem në Kosovë atëherë kur e tërë Kosova do të bëhet Shqipëri”, ia ktheva”.

Tiranë, më 28 janar 2016

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com