Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

.jpg
Foto: .jpg
ÇU EN LAI: NË 1969 DO T’JU SULMOJNË AMERIKANËT


Shqipëria në rrezik prej Traktatit të Varshavës, Kina nuk i jep armë të rënda

(Pjesa e dytë e ciklit)

Shkrimi i tretë

(Botuar në gazetën “Shqiptarja.com” më 5 shkurt 2016)

Në fillim të nëntorit 1968 ajo që pati ndodhur në Çekosllovaki nëpër natën e 21-22 gushtit e kishte dhënë një rezultat pozitiv mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë.
Midis tyre qe krijuar një pakt i heshtur.
Ky, përderisa kishte të bënte me më jetiken, ruajtjen e sovranitetit teritorial, nuk duhej të qe i përkohshëm. Kërcënimi sovjetik dhe i vendeve të anëtarësuar në Traktatin e Varshavës, ishte afatgjatë.
Për rrjedhojë lufta ideologjike mes dy modeleve komunistë, titizmit dhe enverizmit, mund të zhvillohej pa u penguar apo kushtëzuar prej këtyre raporteve ekzistenciale. Në fund tetor 1968 kjo strategji e harmonizuar e Beogradit dhe e Tiranës ndodhej në procesin e forcimit dhe të qëndrueshmërisë në rritje.
Ajo po mbante larg çdo rrezik që mund ta trazonte, kur krejt papritur dhe pa asnjë shenjë paralajmëruese, në Kosovë shpërthyen demonstrata.

Shqiptarët: “Të shesim kopetë dhe të blejmë armë”

Nuk mund të mos pranohet se çfarë ndodhi mes shqiptarëve të Kosovës në 1968 qe pjesë e atmosferës së përgjithshme botërore të këtij viti protestash. Pa 1968-tën e globit demonstratat do të ngjanin, por mbase në një mot tjetër, i cili sidoqoftë nuk do të ishte tepër larg.
Kishte mjaft arsye për ta përndezur gjendjen.
Ja një informacion njohës se cilat këtë kohë qenë “kongjijtë” e zjarrit që i shpërtheu flakët papritur: është një raport me numri 15 i Drejtorisë së Zbulimit që ndodhej në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë dhe kishte punonjës të saj të kamufluar si diplomatë në pothuaj tërë rrjetin e ambasadave të vendit jashtë.
Daton 27 qershor 1968.
I referohet “një burimi ynë kompetent dhe i besueshëm”.
Sipas këtij raportimi vendimet e plenumit të 14 të Lidhjes Komuniste të Serbisë, të cilat nuk i hapën rrugë kërkesave të popullit shqiptar të Kosovës për një autonomi më të plotë patën shkaktuar pakënaqësi dhe shqetësim, madje jo vetëm në masën e gjerë të popullit, por edhe “në vetë krerët tististë kosovarë dhe jugosllavë”.
Raporti informonte se “Ymer Pula dhe Mehmet Hoxha po u thonë shqiptarëve të bëhen të durueshëm” dhe se “kërkesat për një autonomi më të plotë nuk morën fund me diskutimin që ju bë në Plenumin e 14 të LK të Serbisë, se ato do të diskutohen në Kuvendin Federativ dhe Kongresin e 9-të të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë dhe se patjetër do të gjejnë zgjidhje pozitive, etj”.
Me këtë rast zbulimi politik shqiptar njoftonte qeverinë e vet se “në popull punimet e këtij Plenumi janë pritur negativisht dhe reagimet vijnë gjithmonë duke u shtuar nga masat shqiptare”.
Në një paragraf tjetër shkruhej se për t’i dalë përpara dhe dekurajuar ndonjë revoltë, autoritetet serbe dhe ato jugosllave kanë “bërë lëvizje të forcave ushtarake nga thellësia e krahinës në drejtim të kufirit me vendin tonë. Repartet e Ferizajt, të pajisura me mjete të karrocuara dhe me topa të kalibrave të vegjël, janë dislokuar në afërsi të Pejës, Gjakovës dhe Grykës së Rugovës, duke bërë edhe punime xheniere. Po ashtu, kanë larguar ata kosovarë që kryejnë shërbimin e detyrueshëm ushtarak në afërsi të kufirit me vendin tonë për në thellësi të Kosovës”.
Po ashtu “Reaksioni serb në Kosovë, i trembur nga gjallërimi i ndjenjave dhe veprimtarisë kombëtare në Kosovë, vazhdon të armatoset në mënyrë sekrete dhe deri diku të organizuar. Tipik është rasti i Trepçës, ku elementit serb që punon në këtë kombinat, i janë shpërndarë para një muaji dy kamionë me armë, të çuara në orët e vona të natës pa e marrë vesh kosovarët. Në të njëjtën kohë ata i porositën që të jenë në gatishmëri të plotë në çdo kohë për të mbrojtur veten nga sulmet që mund të ndërmarrin elementët kosovarë. Për një armatosje të organizuar dëshmon edhe një e dhënë tjetër, sipas së cilit që para tri javësh, janë kapur midis Pejës dhe Lipjanit, dy kamionë me armë të reja të papërdorura, shumica e të cilave ishin pushkë, të destinuara për elementët shovinistë serbë, përkrahës të Rankoviçit. Para kësaj situate edhe kosovarët nuk janë duke qëndruar indiferentë. Ata kanë hedhur parullën “të shesim kopetë dhe të blejmë armë, për t’i pasur për çdo situatë” dhe janë duke u armatosur me armë të blera në Gjermaninë Perëndimore kontrabandë”.
Një raport tjetër i Drejtorisë së Zbulimit pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, një muaj më vonë, i datuar 19 korrik 1968, informonte qeverinë: “Një burim i joni në SHBA në një bisedë që ka pasur me një shqiptar që ka marrë pjesë në kursin e zbulimit që ka çelur CIA në Bari të Italisë dhe për të cilin kemi informuar në informacionin tonë të 5 marsit të këtij viti, ky i fundit, në mes të tjerash i ka thënë burimit tonë se në bisedat që kanë organizuar në kurs me instruktorët amerikanë, duke folur për situatën në vendin tonë, u kanë thënë si më poshtë:
-Situata e brendshme në Shqipëri, aktualisht në zonat e Veriut, paraqitet jo e favorshme për qeverinë dhe me leverdi veprimi, bile dhe për organizim kryengritje nga ana e amerikanëve. Këtë ata e shpjeguan se masat e popullit në Veri janë të pakënaqura dhe në heshtje nuk i pranojnë masat e marra nga qeveria shqiptare lidhur me kolektivizimin e zonave malore si dhe me luftën kundër fesë.
Mirëpo, kanë shtuar ata, neve nuk mund të veprojmë tash për tash, për arsye se çdo hap në këtë drejtim mund të krijojë një gjendje shumë të acaruar në Evropë dhe kjo mund të ketë konseguenca të pandreqshme për Amerikën dhe aleatët e saj. -Neve, shpjegon instruktori amerikan, i marrim të gjitha masat qysh tani (megjithëse tani për tani nuk veprojmë) në mënyrë që të jemi të gatshëm për të vepruar menjëherë sapo edhe situata në Evropë të na e lejojë, për arsye se të njëjtën gjë kundrejt Shqipërisë do të bëjnë dhe sovjetikët porsa t’i lejojë situata, sepse ata duan me çdo kusht të dalin në bregdetin Adriatik dhe vendi më i preferuar i tyre është Shqipëria”.

Lojë me aleanca ballkanike, Enver Hoxha refuzon

Raporti i zbulimit politik shqiptar i 19 korrikut paralajmëronte se “Një burim i yni që ka të njohur në rrethet e nëpunësve të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Jugosllavisë, na informon se, me situatën e krijuar në vendet revizioniste, Tito ka urdhëruar sekretariatin e Punëve të Jashtme të Jugosllavisë të përgatisë dhe të hedhë idenë për krijimin e një konfederate ekonomike të Ballkanit, në të cilën të marrin pjesë Jugosllavia, Greqia, Rumania dhe Bullgaria, e më vonë të mendojnë për t’u bërë anëtare të kësaj konfederate edhe Hungaria e Çekosllovakia. Formalisht, një propozim i tillë mendohet që t’i bëhet edhe vendit tonë. Në pamje të jashtme, Federata do të ketë karakter ekonomik, por qëllimi kryesor i saj është që t’i kundërvihet KNER-it dhe influencës sovjetike në vendet e KNER-it, të shpejtojë procesin e vënies së ekonomisë të vendeve revizioniste në rrugën e plotë drejt kapitalizmit dhe njëkohësisht të kundërbalancojë presionin ekonomik të B.S. ndaj Çekosllovakisë dhe Rumanisë.
Me krijimin e kësaj federate ekonomike, jugosllavët gjithashtu synojnë që ta izolojnë ekonomikisht vendin tonë...”
Për një lidhje tjetër aleance shkruan në ditarin e tij edhe Enver Hoxha, por këtë herë protagoniste është Kina e konkretisht në aksion Çu En Lai. Në ditarin e tij të 15 tetorit (1968) janë edhe këto shënime: “Çu En Lai, duke biseduar me Beqir Ballukun për situatën ndërkombëtare dhe veçanërisht mbi situatën e krijuar në Ballkan pas invandimit të Çekosllovakisë, propozoi që të hynim në tratativa me titistët dhe të nënshkruanim me ta një traktat miqësie dhe ndihme reciproke!”
Hoxha e përsërit këtë përpjekje të udhëheqësit kinez nëntë ditë më pas, në 24 tetor: “Sipas të dhënave të sigurta që kemi, del se në kohën e acarimit të situatave në mes të Jugosllavisë dhe Bashkimit Sovjetik, si edhe Bashkimit Sovjetik e Shqipërisë (në muajt shtator-tetor të vitit 1968), udhëheqja e lartë jugosllave diskutoi mundësinë e një lidhjeje në aleancë mbrojtëse Jugosllavi-Shqipëri. U fol që ky propozim të vinte nga ana jugosllave. Mirëpo, pas shumë diskutimesh, dhe duke qenë të bindur se do t’u hidhej poshtë nga ana shqiptare, kjo çështje u la në heshtje.
E çuditshme është se mendimi i jugosllavëve koincidon me propozimin e Çu En Lait. Me siguri jugosllavët ua kanë sugjeruar kinezëve të paktën, në mos e kanë diskutuar në mënyrë sekrete së toku”.
Shkon më tej analiza e Enver Hoxhës: “Dhe kjo e fundit ka mundësi, se propozimi në fjalë i Çu En Lait u shoqërua me kundërshtimin e parimeve strategjike dhe taktike të mbrojtjes sonë. Një gjë e tillë na u bë e qartë, sepse Çuja nuk u tregua i gatshëm të na jepte armë të rënda; na sugjeroi që qysh në sulmin e parë të armikut të cedonim para tij dhe të hidheshim në male për të bërë luftë partizane; na sugjeroi që të bashkëpunonim me Titon dhe, më në fund, për të na frikësuar, ai i vuri kapakun kësaj, duke thënë se “pas zgjedhjeve të presidentit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga pranvera ose nga vera e vitit 1969, mund të rrezikoheni.
Me fjalë të tjera, Çu En Lai na tha neve: Shpejtohuni, lidhuni me Titon, bëni bashkimin dhe aleancën, se atje e keni shpëtimin”.

Demonstruesit kosovarë me parullën “Në një dorë kazmën dhe në tjetrën pushkën”

Në këtë ndërthurrje të thiktë qëllimesh, interesash gjeostrategjike dhe po ashtu ballafaqimi shumë të tensionur, të kulmuar në fundgusht me agresionin sovjetik në Çekosllovaki, por që tërmeti për Shqipërinë e vogël nuk përfundonte këtu, kur asaj i duhej me çdo mënyrë, pa qenë absolutisht indiferente, të rrinte mënjanë përplasjes, pra kur nuk pritej fare dhe për Tiranën nuk ishte aspak e nevojshme, shpërtheu protesta në Kosovë.
Referuar vëzhguesit Sheradin Berisha manifestimi nismëtar i protestës u zhvillua në 6 tetor, në Prizren. Vatër e saj qe Shkolla e Lartë Pedagogjike “Xhevdet Doda”.
Dy ditë më pas, në 8 tetor, një demonstratë e ngjashme u organizua në Suharekë. Pas kësaj u vendos që përmasa e këtyre protestave të zgjerohej. U zgjodh edhe dita superdemonstratës: më 27 nëntor. E shtrirë në pothuaj tërë teritorin e Kosovës, në Podujevë, në Ferizaj dhe në Gjilan, shpërthimin e plotë ajo do ta bënte në Prishtinë.
Këtu manifestimi filloi para Fakultetit Filozofik. Qe ora 16 e 55 minuta. “Deri në orën 17.00 masa e demonstruesve u rrit në rreth 8 mijë veta” saktëson Berisha. Sipas rrëfimit të tij kolona filloi të marshojë nëpër rrugën kryesore “Marshall Tito” dhe iu drejtua qendrës së kryeqytetit. Në ballë ndodheshin disa të rinj me në duar flamurin kombëtar shqiptar. Po ashtu demonstruesit mbanin edhe pankarta me parulla të shumta. Këto ishin mesazhet që kërkonin t’i përcillnin tërë trojeve shqiptare në federatë, qeverisë jugosllave dhe opinionit publik ndërkombëtar.
Ato qenë maksimaliste. Kërkonin hapur bashkimin me Shqipërinë (”Duam vetvendosje deri në shkëputje”, “Duam bashkimin e të gjitha viseve shqiptare me Kosovën”).
Ndërsa ngulnin këmbë për të pasur kushtetutë më vete si edhe universitet të pavarur, protestuesit në parullat e tyre paralajmëronin edhe përdorim force: “Askush të mos luajë me fatin tonë” apo “Për të drejtat tona edhe gjak do të derdhim!” Madje nuk mungonte edhe një tekst i huazuar fjalë për fjalë nga Tirana. Për të realizuar bashkimin me Shqipërinë do të përdorej lufta me armë. “Në një dorë kazmën, në një dorë pushkën!” thoshte kjo parullë.

(Vijon)

Ylli Polovina

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com