|
NATA ME HËNË TË FSHEHUR
Roja me kallashnikov midis Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut
(Botuar në gazetën “Shqip” më 17 janar 2016)
(Pjesa e parë)
Ishte koha e fraksionit të Vlorës, çasti kur në fillim pranverë 1943, nën nxitjen e Sadik Premtes, në këtë qytet dhe tërë krahinën qerthuese, PKSH-së i doli nga br{nda një opozitë shumë e fortë. Në aksionin e shfarrosjes së saj Enver Hoxha dhe Hysni Kapo, të shoqëruar prej një skuadre truprojesh si edhe duke udhëtuar në këmbë mbi kurrize malesh, këmbëngulshëm në drejtimin Tragjas-Hysaverdhë, ndeshën rastësisht tek bariu vendas Zenel Beja.
Ishte pasdite.
Ky, i cili e njihte Kapon, i priti me një sheleg që e preu dhe e poqi në çast. Vështrimit se cili qe i panjohuri që po mbante në krah të tij, Hysniu iu përgjigj shkurt: “Është si unë”.
Në shtëpitë e para të fshatit, të orientuar deri aty prej djalit të tij që Zeneli ua dha me vete, dy komunistët mbërritën në mbrëmje, kur tashmë errësira po binte e plotë. Hysni Kapo, pasi qëlloi tre herë në ajër, iu afrua i vetëm oborrit të shtëpisë së Sherif Hasanit, i cila qe ngjitur me atë të Zenel Bejës, që të dyja familjet kushërinj të parë. Enver Hoxha ndenji pak më larg, tek një shkurre pralle. Kur më në fund hynë në shtëpinë e Sherifit nuk pranuan të hanin. Ranë të flinin afër mesnatës, nëpër shtroje që u vunë përdhe. Pa vajtur ora katër e mëngjesit u çuan dhe ikën.
Kur tashmë Hoxha dhe Kapo, pas disa ditësh me takime në zonë morën drejtimin e kundërt dhe ikën, një ballist nga Bolena, në ndëshkim që pati strehuar dhe treguar rrugën komunistëve, sidomos atij të ardhur nga Tirana, i shtiri me armë Zenelit. Veç nuk e vrau dot. I plagosur në majë të njërit vesh, por me shumë rrjedhje gjaku nëpër fytyrë, ky arriti të fshihej në një guvë guri. Zëmërimin e vet politik antikomunisti e plotësoi me rrëmbimin që i bëri njërës prej tre kopeve me dhenë të Zenel Bejës. Pastaj të treqind delet i zbriti tatëpjetë, drejt portit të Pashalimanit. Këtu i hipi një nga një në një në anijen që po e priste dhe shkoi t’i shiste në Brindisi të Italisë.
“Drejtoria e Gështenjës” në Bllok
Djali tjetër i Zenelit, i cili do të jetë protagonisti kryesor i këtij rrëfimi që na çon në vitin 1981 tek Mehmet Shehu dhe Enver Hoxha, ishte në ato mote të trazuar lufte me pushtuesin dhe po aq fort edhe brenda vetes, vetëm shtatë vjeç.
Quhet Asim.
Në muajin mars të vitit 1975, oficer i ri i shkolluar, me një uniformë të veshur hijshëm, ai ndodhej në Tiranë në shtëpinë e të birit të Sherif Hasanit, i cili qe atë kohë shef i shtabit të Gardës së Republikës. Po shërbente duke u dhënë kafe njerëzve që vinin në ngushëllim për vdekjen e të atit të kushëririt të parë. Mes tyre qenë një çast edhe Hysni Kapo me Kadri Hazbiun. I pari rrinte me rroba civile, i dyti qe veshur gjeneral.
Sapo Asimi u ofroi kafet e mortit Kapo pyeti: “Po ky djali cili është?” Ia thanë emrin e të atit. Tjetri nuk e përmbajti gëzimin. I tha oficerit të ri “Lere pak tabakanë dhe eja të të puth!” Pas Hysniut Asimin e puthi edhe Kadri Hazbiu. “Sa vjeç je?”, vazhdoi Hysni Kapo. “Njëzetë e shtatë”, i erdhi përgjigjia. “Ku punon?”, “Në Institutin e Topografisë”; “Je komunist?”, “Kam një vit që kam mbaruar stazhin e partisë”.
Pas kësaj Kapo iu drejtua Hazbiut: “Dëgjo Kadri! Babai i tij më ka siguruar në kohë të luftës dhe nuk e harroj. Më ka bërë mish dhe arapash. Bëji letrat që të kalojë tek ty, në Ministrinë e Brendshme! Shoqëruesi im po plaket. Do të vijë koha ta zëvëndësojë ky djalë i ri”.
Dy ditë më vonë, ndërsa po bëhej gati të dilte në terren, ku zakonisht punonjësit e Institutit Topografik qëndronin deri në gjashtë muaj, e thirri drejtori dhe i tha se nuk do të shkonte. Do të rrinte aty. Shtoi se u kishte mbërritur një kërkesë nga Ministria e Puneve të Brendshme për ta marrë në punë atje. Tani pritej të vinte urdhri i transferimit.
Çuditërisht ky urdhër u vonua shumë. Mbërriti në korrik 1979. Dy muaj më pas, në 23 shtator, ndërroi jetë Hysni Kapo. Mbrojtësi i tij tashmë nuk qe më dhe në Ministrinë e Brendshme shkoi zemërthyer. Si për t’ia vërtetuar këtë mbresë jo të mirë në dikasterin e ri e caktuan roje në Bllok. Do të mbante krahëqafë një automatik “Kallashnikov” dhe katër karikatorë. Po ashtu pistoletën personale. Turnet e shërbimit qenë gjashtë orëshe: tetë me katërmbëdhjetë, katërmbëdhjetë me njëzetë, njëzetë me dy, dy e natës me tetë e mëngjesit.
Vendi ku do ta kryente shërbimin e rojes ishte një kabinë para Shtëpisë së Partisë, e cila qe një lloj klubi ku mblidheshin, bisedonin e shihnin filma, anëtarët e udhëheqjes politike të PPSH-së si edhe ministrat që ishin të zgjedhur në forumet më të larta të partisë së vetme në pushtet.
Afër kabinës ndodhej një gështenjë. Kur miqtë e ngushtë pyetnin Asimin se ku punonte, ky ende jo fort i kënaqur, nuk përgjigjej se qe punësuar tek Drejtoria e Sigurimit të Udhëheqjes apo Drejtoria e Dytë apo Dega e Sigurimit të Bllokut.
Thoshte me ironi: “Drejtoria e Gështenjës”.
Disa gjeste ndryshe të Enver Hoxhës
Drejtoria e Sigurimit të Udhëheqjes së Shtetit në vitin 1981 kishte në krye të saj Xhule Çirakun dhe ruajtësit e brendshëm të Bllokut qenë oficerë, madje disa edhe ish-kapitenë apo dikur majorë.
Mehmet Shehu kishte katër të tillë, të vendosur me ndërresa në dy vendroje. Enver Hoxha dy herë më shumë: katër vendroje jashtë dhe një tjetër brënda vilës, në katin e dytë.
Përveç kësaj mbroje të palëvizshme si edhe trupës së lëvizshme për sigurim të afërt, të dyja struktura të varura prej Ministrisë së Punëve të Brendshme, një rreth tjetër garancie fizike për lagjen e udhëheqjes e ngrinte Garda e Republikës.
Ata që ruanin Bllokun shihnin shumë më tepër se çdo koleg i tyre kudo ku ndodhej, deri edhe në zonat më sekrete. Ata dinin po ashtu hyrje-daljet e të mëdhenjve të partisë e të shtetit, njihnin temperamentet e tyre si edhe ndjenin nga afër humoret që kishin, pëlqimet e mosdashjet mes njeri-tjetrit, çfarë ndodhte nëpër garazhet apo papafingot e shtëpive ku banonin, kush hynte shpesh në Bllok si i privilegjuar apo servil dhe cili tepër rrallë ngaqë shihej me dyshim, si silleshin fëmijët e njërit apo të tjetrit udhëheqës, çfarë miqsh apo shokësh të tyre i futnin në lagje, duke ua lehtësuar depërtimin nga jashtë të perimetrit të tij të mbyllur rreptësisht.
Qe kjo mundësi e oficerëve roje të Drejtorisë së Sigurimit të Udhëheqjes, veçanërisht e atyre që kishin pozicione qëndrimi afër vilës së Enver Hoxhës dhe të Mehmet Shehut, të cilët një ditë vjeshte të vitit 1981 dalluan diçka që u bëri përshtypje.
Ishte i sigurt lajmi se njëri nga djemtë e kryeministrit, Skënderi, po fejohej me vajzën e një pedagogu të njohur të matematikës së Universitetin Shtetëror të Tiranës. Kjo studente, e bukur dhe e heshtur, kishte nisur të kapërcente rrethin hermetik të mbrojtjes së Bllokut dhe tashmë hynte në banesën e Shehëve.
Kur në vilën kryeministrore erdhën për vizitë dhe urim Enver Hoxha me të shoqen, Mehmeti me Fiqireten u bënë një si shtrim buke, edhe pse qe pasdite e vonë. Në kaq veprime asgjë nuk kishte të pazakonshme, por gjesti i ndryshëm nga herët e tjera ndodhi shumë shpejt. Ai iu konfirmua më pas oficerëve roje edhe nga gratë e shërbimit të të dy vilave.
Enver Hoxha nuk e piu kafen në shtëpinë ku pati ardhur për urim fejese, por ajo i erdhi prej banesës së vet. Ia solli me termos Dash Andoni, një punonjës i shërbimit pranë tij, i cili njihej si specialist i pajisjeve elektronike. Ky e shoqëronte Hoxhën sa herë që zhvendosej nga Tirana për në banesat pushuese në Durrës, Vlorë apo Pogradec. Flitej që mes të tjerash ai teknik merrej me rregullimin e sistemit të antenave, të cilat përcillnin tek Enveri sinjal të mirë të kanaleve televizive italiane, prej ku ky ndiqte, si një burim alternativ informacioni, zhvillimet rajonale apo ato botërore.
Fotografia e përbashkët që u bë më pas, tek po rrinin në verandë, ishte edhe ajo tepër ndryshe. Enver Hoxha vuri njërën dorë grusht përpara dhe Mehmet Shehu, pasi mblodhi fort gishtrinjtë të vetës, e vendosi mbi të. Qe Hoxha, i cili mbi grushtin e kryeministrit vuri dorën tjetër të mbledhur dhe mbi këtë, të grushtuar, dorën e dytë edhe Mehmet Shehu.
Qe mesazhi se të dy ishin të bashkuar dhe të pandarë përjetë.
Rojet e afërt, mes tyre edhe Asimi, i cili ndodhej tek kabina me në brinjë pemën e gështenjës, tek i ndiqnin pas xhamave të verandës veprimet e dy më të fuqishmëve të Shqipërisë, pikasën edhe një veprim tjetër jo të rutinës. Ndryshe nga çdo herë tjetër, ata të dy nuk i morën me vete bashkëshortet e tyre në shëtitjen që bënë në lulishten e vogël të vilës. Ecën dhe biseduan, fare të qetë, vetëm të dy, për plot një çerek ore. Pastaj Enveri mori Nexhmijen dhe, të ndjekur në distancë prej shoqëruesve të tyre, u nisën drejt shtëpisë, e cila qe afër dhe shihej e plotë prej dritareve të vilës së Shehajve.
Akrepat e orës vërtiteshin rreth njëzetës.
Roje tek dera e vilës së Mehmet Shehut
Në sektorin e tij në Ministrinë e Punëve të Brendshme Asimi ishte edhe sekretar organizate bazë, ndërkohë që për një vit pati përfunduar një kurs intensiv në shkollën për sigurim. Në fillim të vjeshtës 1981 shefi i grupit shoqërues të Enver Hoxhës, Sulo Gradeci, e ftoi që me të tijtë të bënte një orë mësimi tregues për topografinë.
Niveli i njohurive të Asimit i bëri shumë përshtypje Gradecit dhe një ditë, pasi kishte mbaruar turnin e tij të shërbimit në orën tetë, afër vilës së familjes Kapo i doli përpara dhe, siç e kishte zakon, i hodhi dorën në sup. Pastaj i tha se dëshironte që Asimi të bashkohej me grupin e tij të ruajtjes fizike të Enver Hoxhës.
Tjetri mbeti i pagojë. Me takt u përpoq t’ia refuzojë. I tha se nuk mund më të vazhdonte punën e rojes me automatik në krahë dhe se dëshironte të rikthehej në profesionin e tij të topografit të lartë. Por nuk qe e lehtë të shpëtonte nga këmbëngulja e njeriut të fuqishëm pranë Enver Hoxhës. Kështu që i futi mik një kushëri.
U duk sikur shpëtoi kur në krye të disa pak ditëve e thirri Ali Çeno. Ky i komunikoi se qe emëruar roje tek banesa e Mehmet Shehut. Madje dosjen e tij vetë kryeministri e kishte parë dhe ndërkohë edhe firmosur. Kur e dëgjoi këtë e kuptoi se nuk kishte më as kushëri dhe as perëndi ta kthente mbrapsht.
“Kur?”, e pyeti pothuaj me zë të fikur. Druhej mos tek grupi shoqërues i Enverit kjo që po i ndodhte, keqkuptohej si pjesëmarrje e tij në ndonjë rivalitet mes Hoxhës dhe Shehut.
“Do ta fillosh punën që nesër”, iu përgjigj Ali Çeno.
Asimit instiktivisht i dogji pëllëmba. Njëherë ndërsa qe me shërbim tek kabina e gështenjës, ishte shfaqur papritur kryeministri dhe ai një cigare që po e pinte, e fshehu menjëherë në dorën e mbyllur fort që të mos ia diktonte. Ky tmerr zgjati me shumë se një minutë, deri sa Shehu, pasi iu zbraz me zë të rëndë, iku me nxitim drejt vilës së tij.
Ali Çeno po i thoshte “Ti e ke ndërresën në dy të natës, por me që është dita e parë dhe duhet të mësosh disa rregulla të shërbimit, po munde sakrifiko pak dhe eja në orën tetë, kur shërbimin e fillon kolegu. Duke e parë atë, sidomos si e përdor çitofoninë, nuk do të krijohet ndonjë problem në turnin tënd”.
Asimi ra dakord.
E nesërmja qe dita e 17 dhjetorit 1981, kur pasmesnate sytë do t’i shihnin vdekjen e Mehmet Shehut.
(Vijon)
Ylli Polovina
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|