|
Foto: .jpg | TANKET SOVJETIKE NË PRAGË, ALARM NË BEOGRAD DHE TIRANË
Shtator 1968, sulmi sovjetik Shqipërisë do t’i vinte duke kaluar nga qielli mbi Kosovë. Çfarë të fshehte shtetërore pohon për këtë në një libër të saj Nexhmije Hoxha.
(Botuar në gazetën “Shqiptarja.com” më 26 dhjetor 2015)
Në 4 qershor, të martën, në kryeqytetin jugosllav u shpall gjendja e jashtëzakonshme, çfarë e rriti tensionin dhe nuk e uli zemëratën e të rinjve. Ata, me flamuj të kuq në duar si edhe me portretet e Josip Broz Titos (kishte edhe fotografi të Çe Guevarës), vendosmërisht mbanin të pushtuara të gjitha fakultetet e Universitetit të Beogradit.
Tashmë auditoret e tij i quanin me emrin e ri “Universiteti i Kuq Karl Marks”.
Por nga qeveria u erdhi jo fryma e bashkëbisedimit. I goditi akuza e ashpër se po shkatërronin demokracinë socialiste.
Duke qenë se asgjë nuk po e fashiste shpirtin e tyre të kundërshtimit, në mos ai po merrte edhe më tepër flakë, në 9 qershor ndërhyri vetë Tito.
Me një fjalim para të rinjve ai u premtoi se do t’i realizonte reformat që ata kërkonin si edhe problemet të cilat ngrinin. Për t’i dhënë më shumë peshë ndikimi veprimit të tij në po atë takim Josip Broz kërcënoi se, në rastin e vazhdimit kokëfortë të protestave studentore, ai do të dorëhiqej.
Në 10 qershor, të qetësuar nga siguria që u dha Tito, studentët liruan auditoret e zëna forcërisht të universitetit dhe manifestuan të entuziazmuar nëpër rrugët e Beogradit.
Kështu kjo javë e nxehtë u mbyll, duke lënë përshtypjen se qe konsumuar përfundimisht edhe shpirti i revoltuar i të gjithë studentëve jugosllavë.
Nuk e pritnin t’u ndizej në Prishtinë dhe në Tetovë.
Porse shqiptarët do të kishin frymë dhe kërkesa të tjera.
Karakteristikë e lëvizjes studentore beogradase qe se ndryshonte jo vetëm me ato të prishtinasve apo të tetovarëve, por edhe me homologet në vendet e Perëndimit. Beogradasit nuk kërkonin ndryshimin thelbësor të sistemit politik. Protesta e tyre nuk ishte as revolucion dhe as revoltë, por vetëm presion për të përmirësuar socializmin që kishin.
Demonstruesit nuk qenë dakord që një punëtor të merrte 35 apo 45 mijë dinarë të vjetër në muaj, kurse drejtorët e fabrikave vetëqeverisëse dhjetë herë më shumë. Apo që një futbollist të fuste në xhep një milion për ndeshje. Këtë e konsideronin pabarazi të madhe dhe të papajtueshme me parimet e shoqërisë socialiste.
Studentët beogradas po ashtu qenë zemëruar dhe donin koregjimin e padrejtësive në regjistrimet nëpër universitete, ku bijtë e punëtorëve dhe të fshatarëve përbënin shumë pak dhe auditoret ishin të mbushur me fëmijtë e përkëdhelur të funksionarëve dhe të nëpunësve.
Protesta studentore marksiste në Beograd
Enver Hoxha, duke parë që këto manifestime në Perëndim qenë në rritje dhe me objektiv ndryshimin rrënjësor të sistemeve politike ekzistuese, duke gjykuar se ato, sadopak, kishin forcë ndikimi, bëri kujdes që temperatura e tyre të mos mbërrinte deri në Tiranë.
Hoxha i tutej sidomos modelit të protestës studentore në Beograd. Ai mund të ndiqej në Tiranë nga grupe të veçuara spontane të të rinjve shqiptarë, pse jo, sipas tij dhe përvojës që kishte, edhe të nxitura prej agjenturës jugosllave.
Ndërsa në 10 qershor u fik manifestimi një javor i studentëve të Beogradit, në ditën e njëzetë e tetë të po atij muaji Enver Hoxha shkoi në Gradishtë të Lushnjës dhe mbajti një miting me studentët vullnetarë në ndërtimin e hekurudhës Rrogozhinë-Fier.
Ndërkohë stina e nxehtë e verës po mbyllej pa asnjë shqetësim të dukshëm për Partinë e Punës dhe sistemin e saj politik, kur tronditja e madhe do të vinte papritur nga një drejtim tjetër.
Tanket e Bashkimit Sovjetik dhe të Traktatit të Varshavës pushtuan brenda pak orëve, nëpër natë, Pragën dhe tërë territorin e Çekosllovakisë.
Ishte 20 duke u gdhirë 21 gusht 1968.
Shqipëria kishte dalë formalisht prej kampit socialist dhe strukturave të tij ushtarake që kur u divorcua me Bashkimin Sovjetik dhe Nikita Hrushovin, shtatë mote të shkuara, por tashmë ajo që u ngjau çekosllovakëve mund t’u ndodhte tani edhe dy vendeve të tjera të pabindura ndaj Moskës: shqiptarëve dhe jugosllavëve.
Mund të pushtoheshin veç e veç, por edhe të dy shtetet njëherësh.
Qenë ngjitur me njëri-tjetrin, futur nga gjeografia në të njëjtin koridor fluturimi për avionët e mëdhenj të transportit “Tupolev”, të cilët mund të zbarkonin njëherësh blinde dhe desantë.
Korridori i fluturimit të avionëve agresorë: Kosovë-Maqedoni
Në librin e saj me kujtime “Jeta ime me Enverin”, pjesa e parë, botim i vitit 1998, në faqen 255, Nexhmije Hoxha shkruan: “Për Enverin ishte e qartë se Titoja kishte një personalitet të tillë të afirmuar që luante një rol me rëndësi në unitetin e Jugosllavisë si federatë. Nuk di se ç’mendonte Enveri se si do të bëhej kjo shpërbërje e Jugosllavisë, si do të arrihej shkëputja e pavarësia e Kroacisë dhe e Sllovenisë, por atë e preokuponte diçka tjetër: se mos ndoshta forca të caktuara ultrareaksionare e nacionaliste serbe, për të ruajtur interesat e Serbisë së Madhe, i drejtoheshin Bashkimit Sovjetik (Rusisë) dhe e lejonin atë të realizonte ëndrrën e saj për daljen në Adriatik, nëpërmjet Kosovës dhe Maqedonisë, duke pushtuar Shqipërinë, ashtu siç bëri me Çekosllovakinë, se mos vazhdonte të ekzistonte dhe të ushqehej në këto qarqe mendimi se kjo ishte zona e influencës së BS dhe pjestare e Traktatit të Varshavës, pavarësisht se ne e kishim denoncuar atë, pikërisht për të evituar këto rreziqe”.
Në këtë fragment të librit “Jeta ime me Enverin” të bën përshtypje ideja e autores se drejtimet e një agresioni të armatosur të Bashkimit Sovjetik dhe të aleancës ushtarake të vendeve të eurolindjes komuniste do të kalonin jo nëpër troje serbe dhe malazeze, vojvodinase, kroate apo sllovene apo duke ndjekur vijën bregdetare të Adriatikut prej veriut në jug, por nga toka të shqiptarëve.
Brezi i hamendësuar dhe i shprehur nga Nexhmije Hoxha, Kosovë-Maqedoni, si territor i kalimit të trupave sovjetike për të pushtuar befasisht Shqipërinë, është hapësirë e gjërë, tepër e mjaftueshme për operacione ajrore masive.
Doemos që më lehtë këtë rrugëkalim do ta kishin njësi të vendosura në Bullgari, vendin më besnik që ato kohë Moska zotëronte në brendësi të Ballkanit.
Në vitin 1968, duke e vëzhguar nga afër gjithçka që Enver Hoxha në ditarin e vet ka shkruar për Kosovën, një ide e tij për të ngulmuar që rusët dhe ushtarët e aleancës komuniste eurolindore, pas pushtimit të Çekosllovakisë, do ta sulmonin Shqipërinë duke ardhur nga vetëm krahu i Kosovës dhe i Maqedonisë, nuk ka.
Nuk gjendet një gjykim i përafërt as përgjatë shënimeve ditore të tij në vitin 1969. Madje në këta dy vite dhe ca më pak në periudhën gusht-shtator 1968, në temën që lidhej me çështjen e fatit të Kosovës, nuk ndihet në asnjë frazë atmosfera e tensionuar që Shqipëria këto çaste ka kaluar në pasiguri të integritetit të saj tokësor.
Ndërkaq edhe tani mes nesh, ndërsa rrëfejnë mbresa nga ky moment shumë i vështirë, disa bëjnë të qarkullojë fjalënaja se Enver Hoxha prej ndjenjës së alarmit dhe të ankthit, që në fund gusht-fillim shtator e kishte mbërthyer, një pasmesnate pati dalë në oborr të banesës së tij dhe rojet e Bllokut e kishin dëgjuar të fliste përçart.
Ky thashethem nuk është provuar kurrë, por ka mbetur në kujtesë të njerëzve më tepër si një dëshmi e tërthortë e çastit të përjetuar si një pasiguri e madhe territoriale.
Që trupat desante ajrore të Bashkimit Sovjetik dhe të Traktatit të Varshavës do ta sulmonin Shqipërinë nga drejtimi i Kosovë-Maqedonisë, provohet masivisht në veprimtarinë e ushtrisë shqiptare gjatë këtyre momenteve.
Nexhmije Hoxha në librin e saj thotë të vërtetën.
Tito shmang një fat të Shqipërisë dhe të vetes si Çekosllovaki bis
Pas denoncimit në mes shtator 1968 nga Kuvendi Popullor i agresionit mbi Çekosllovakinë zbulimi shqiptar mblodhi të dhëna se me shpejtësi të madhe, por tepër fshehurisht, Bashkimi Sovjetik dhe Traktati i Varshavës sollën në Bullgari një divizion me trupa desantuese nga ajri. Informacioni i siguruar paralajmëronte se ato do të përdoreshin në një sulm mjaft të afërt mbi Shqipëri.
Të nesërmen e denoncimit të agresionit nga parlamenti i Tiranës tërë armata e vendit u ngrit në alarmin numër një dhe të gjithë studentët e shkollave ushtarake ndërprenë mësimet, duke u shpërndarë nëpër njësi luftarake, sidomos në Shqipërinë e Mesme, ku ndodhej edhe fusha e madhe e Tiranës, vend tepër i përshtatshëm për zbarkim nga ajri dhe pushtim të shpejtë të kryeqytetit dhe të portit kyç të Durrësit.
Ky mobilizim u ndërpre vetëm pas një muaji, sepse, siç u tha, rreziku kaloi.
Kanosja qe shmangur nëpërmjet denoncimit që iu bë afrimit të këtij divizioni në Bullgari dhe synimeve të tij për të vepruar në drejtim të Shqipërisë. Bërja e ditur e këtij veprimi para opinionit publik ndërkombëtar bëri që plani i fshehtë të dekonspirohej dhe sovjetikët t’i tërhiqnin trupat e tyre speciale.
Kosova si gjeostrategji ekstra për Moskën
Ushtarakët e lartë, të cilët janë marrë këtë kohë me përballjen e kësaj gjendjeje, dëshmojnë se divizioni i Traktatit të Varshavës për të realizuar objektivin e tij do të kalonte mbi qiellin e Kosovës dhe të Maqedonisë.
Sepse, në fund të fundit, kjo ishte jo thjesht rruga më e shkurtër drejt Shqipërisë, por edhe e vetmja.
Greqia qe zonë e NATO-s.
Mirëpo për të fluturuar mbi trojet e shqiptarëve jashtë kufirit të tyre shtetëror e të përfshirë në federatën jugosllave, Moska duhej të merrte leje nga autoritetet këtij vendi, më së pari prej Titos.
Një rrethanë e tillë nxjerr në pah dhe e bën shumë të qartë e mbi të gjitha (në rastin kur sovjetikët e kishin mirë me Josip Brozin apo në variantin e kundërt të marrëdhënieve), rolin e madh që kishte për ta gjendja e brendshme në Kosovë, mundësia që ajo të shndërrohej në faktor mbështetës për ta dhe njëherësh kundër dy objektivave: Republikës Federative Socialiste të Jugosllavisë dhe Republikës Socialiste të Shqipërisë.
Serbët vërtet etnikisht rusët i kishin më afër familjes së tyre të sllave, ku edhe ndiheshin të qenë lidership, por politikisht gjithnjë patën pasur mospërputhje.
Për të dalë në ujrat e ngrohta të Mesdheut ia kishin nevojë pozicionit të avancuar të serbëve në Ballkan, por pikërisht për këtë rol edhe ndodheshin në përplasje të fortë me ta.
Këtë epërsi sllavët e jugut, pra ata gadishullorë, e dëshironin për vete.
Ndërkohë ruso-sovjetikët qenë mjaft të dëshiruar që edhe situata në Maqedoni të rridhte në favor të tyre, pra të plotësonte kushtet e një plasdarmi kundër Titos dhe Enver Hoxhës.
Ja përse Kosova dhe Maqedonia u shndërruan për Moskën, në vitin 1968 dhe më pas, në territore të rëndësisë së veçantë gjeostrategjike.
Ja cila është edhe një nga arsyet që na shtrëngon të shohim “me lente” përse shpërthyen këtë vit demonstrata të rrepta në Prishtinë e qytete të tjera të krahinës kosovare si edhe në Tetovën e repubikës maqedone.
Mbi të gjitha të kuptojmë, nëse jka dalim dot, cilët qenë shtytësit apo përfituesit e tyre në prapaskenë.
Po ashtu nëse ky depërtim në demonstratat e motit të trazuar në botë, në Evropë dhe në Ballkan, 1968, na hap ndonjë shteg për t’iu afruar misterit të marrëveshjes së fshehtë në 1977, në Vjenë, mes Mehmet Shehut, Kadri Hazbiut dhe Hysen Tërpezës.
(Vijon)
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|