Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

.jpg
Foto: .jpg
MISIONI SEKRET: KRYENGRITJE NË KOSOVË


Pohimi i ballistit Tërpeza: Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu, nacionalistë të mëdhenj

(Botuar në gazetën “Shqiptarja.com” më 25 dhjetor 2015)

Hysen Tërpeza do ta vazhdonte kështu, në 24 korrik 1999, historinë e bashkëpunimit të tij të dyfishtë me CIA-n dhe Mehmet Shehun e Kadri Hazbiun: “Zbrita në Stamboll dhe pasi kalova doganën u bëra kurioz se kush do të më priste. Dallova një burrë të gjatë që ma bënte me dorë nga larg dhe unë u drejtova tek ai. Kur iu afrova pashë se ishte djali i axhës. Ishte refugjat në Gjermani. Sa e takova, sa i dhashë dorën, nuk vonova ta pyetja “Edhe ti me të kuqtë qenke?”
“Po” më tha “Me të kuqtë“.
“Epo në dreq të vejë kjo punë!” thashë me vete.
Kjo pritje me njeriun tim më bëri të qartë se komunistët e Tiranës nuk do të më dorëzonin te serbët. Djali i axhës më mori, më futi në hotel dhe më porositi “Të lutem, mos dil, sepse të njohin shumë kosovarët. Ata nuk duhet ta dinë që je këtu”. Dhe nuk dola nga hoteli.
Pas tre ditësh më mori dhe çoi në aeroport “Tani do të nisesh për në Athinë. Në Athinë do të shkosh në filan hotel. Të është prenotuar edhe dhoma e do të vijnë të takojnë persona që do të shoqërojnë aty”.
Vajta në Athinë. Gjeta hotelin dhe sa bëra një dush e isha duke fshirë trupin kur trokiti dera. Çila derën me atë zinxhirin që e mban pak të hapur, kur pashë dy djem të rinj. Më folën në emrin tim dhe më thanë “Duam t’ju takojmë”. Hapa derën dhe i futa.
Më lanë porosi “Shih të lutem, mos dil jashtë se edhe në Athinë ka shqiptarë që mund të të njohin”.
Këtu njëlloj, mbeta në hotel. Ata erdhën një ditë tjetër, prenë biletën e më dërguan në aeroport. Mora avionin e linjës Athinë-Tiranë. Më shoqëruan dhe më thanë “Rruga e mbarë!“
Më lanë këtë porosi “Të lutem kur të zbrisni në Rinas do të hiqni kapelen, do ta mbani në dorë dhe do të kruani kokën që t’ju njohin personat e duhur”.
Kështu bëra, por nuk na zbritën në Rinas por në një aeroport afër Tiranës, në atë të Laprakës. Ishte e organizuar ajo punë.
Sapo zbrita më dolën përpara, më thanë “Mirserdhë!” dhe më çuan në Hotel Dajti.
Më mbajtën një javë në hotel, më thanë se ditën nuk duhej të dilja, kurse në mbrëmje, ora 20.00, më merrnin dhe më shëtisnin në Durrës, në Krujë dhe në Elbasan.
Një natë të bukur, pasi më bënë një xhiro në Tiranë, më thanë se “Tani do të shkojmë te kryeministri”.
Nga ora dhjetë deri në dy të natës unë kam bërë bisedë me Mehmet Shehun.
Në dyzetë vite në shërbim të CIA-s, mund të kem takuar 40 burra shtetesh, por burrë më të zgjuar në jetën time nuk kam kontaktuar asnjëherë. Ma bënte pyetjen dhe që në fjalën e parë e merrje vesh përgjigjen.
Më në fund më tha “Bacë Hysen, kemi vendosur të shpërthejmë kryengritjen në Kosovë. Ne duam vetëm sebepin që të shpërthejë kjo kryengritje, duam shkakun që të mund të ndërhyjmë. Ndryshe nuk e justifikojmë dot në Kombet e Bashkuara. Këtë kryengritje dëshirojmë tua ngarkojmë juve. E merrni përsipër? Mbrapa keni shtetin shqiptar”.
Dhe unë pranova”.

Pas heshtjes së Kadri Hazbiut në 1983 hesht në 1999 edhe Hysen Tërpeza

Në 24 korrik 1999 rrëfimi i Hysen Tërpezës për bashkëpunimin e tij të fshehtë me udhëheqjen komuniste të Tiranës, pasi dëshmoi me hollësi si u realizua kontakti, papritmas u ndërpre.
U mbyll prej atij vetë.
Doemos, po të bëhej publike në atë drekë, ku përvec kolonelit Dilaver Goxhaj qenë edhe të pjesëmarrës të tjerë, do të ishte shkelje e sekretit.
Njeriu që pati punuar së afërmi me CIA-n, pas kësaj heshtjeje të qartë, gjithsesi iu përgjigj një pyetjeje këmbëngulëse të një të pranishmi.
Fjalët shpjeguese ishin vetëm një dyzinë, thelbi i të cilave qe: Kryengritja e Kosovës ishte tradhëtuar në Tiranë.
Por Hysen Tërpeza e përjashtonte prej kësaj akuze Enver Hoxhën dhe Mehmet Shehun.
Atëherë cilët qenë ata, sipas interpretimit të tij (pse jo, edhe të atyre që në fund të viteve shtatëdhjetë i rrinin pas), të cilët e patën sabotuar këtë kryengritje?
Labirinth i madh.
Ja përse na duhet të vëzhgojmë tërë periudhën e hamendësuar të përgatitjes sekrete të kësaj ndodhie të pohuar pjesërisht në Tërpezë të Kosovës, ngjarje që si kufi fundor maksimal mund të ketë demonstratat studentore dhe më pas gjithpopullore në Prishtinë e në disa qytete të tjera në mars-prill 1981.

Marrja e Kosovës, po si?

Kur për shkak të rrethanave rajonale, duelit për kontrollin e sllavëve të Ballkanit në tërë boshtin Beograd-Sofje, Stalini i shpalli luftë Josip Broz Titos, në Shqipëri u ndërpre një proces i vrullshëm i jugosllavizimit të saj.
Në këto çaste fatlume, si të rëna nga qielli, Enver Hoxha kreu një veprim dinak. Ai i propozoi shefit të bolshevikëve sovjetikë se rrëzimi i Josip Brozit, i dëshiruar dhe doemos i dirigjuar prej Moskës, duhej të kalonte në një gjendje të re. E kishte fjalën për një ndërhyrje ushtarake në Jugosllavi.
Sipas Hoxhës, qe Kosova ajo, e cila e para mund të merrte përsipër rolin dhe kontributin për ta goditur Titon nga brënda.
Apo, pyeste dhelpërisht ai, për ta mundur atë me armë, kundër Beogradit do të bashkoheshin të gjitha vendet e bashkësisë socialiste në Evropën Lindore?
Zgjidhjen me luftë Enver Hoxha mund t’ia ketë ofruar Stalinit sepse nëpërmjet armatës sovjetike hiqte qafe në gadishull një person, i cili përfaqësonte rrezik të përhershëm për pushtetin e tij. Po ashtu frenonte revanshin etnik të serbëve për të futur nën vete njëherë e mire shqiptarët.
Mirëpo Stalini e refuzoi.
Ai argumentoi se ndaj Jugosllavisë duhej treguar mjaft kujdes dhe se, në ballafaqimin me të, qenë të detyruar të konsumonin vetëm mjete politike.
Shpjegim më tepër nuk i bëri. Për shëmbull t’i thoshte Hoxhës se për fatin e atij vendi, të të gjithë gadishullit ballkanik dhe Evropës, po ashtu globit, në Jaltë tre fuqitë e mëdha fitimtare të Luftës së Dytë Botërore patën bërë një marrëveshje që nuk mund të prishej.
Vetëm në rast se të treve u hipte në kokë për të shpërthyer një luftë tjetër globale!
Që prej këtij çasti në arkivat e shtetit komunist të Tiranës nuk është regjistruar një rast tjetër i përsëritjes së idesë se raportet Tiranë-Beograd dhe bashkë me të edhe çështja kombëtare e shqiptarëve, ajo e bashkimit të trojeve amtare, mund të shkonte drejt zgjidhjes përfundimtare edhe nëpërmjet ndeshjes me armë.
Më 19 shtator 1966 në ditarin e tij Enver Hoxha do të shkruante “Për fat të keq, lufta e shqiptarëve të Kosovës, për të drejtat e tyre demokratike, nuk është e organizuar, nuk është e udhëhequr, është e çoroditur politikisht dhe organizativisht”.
Pse Hoxha gjykon në një mënyrë të tillë?
E shpjegon kështu: “Ajo ndjek me shumë pak ndryshime tiparet e vjetra të paraçlirimit. Dilet me parullat \"luftë për t’u bashkuar me Shqipërinë\", lejohet emigrimi në masë në Turqi, pa organizuar punën që asnjë të mos lëvizë nga trualli i të parëve, lejohet të shesin tokën, nuk luftohet sa duhet dhe si duhet për të përfituar nga lëshimet që titizmi është i detyruar të bëjë, si shkolla shqipe etj., por organizohen \"grupe sekrete\" që s\'kanë asnjë sekret për udbashët”.
Pasi këtë mënyrë veprimi e konsideron “rezistencë..., por me pikëpamje jo reale”, Enver Hoxha shprehet: “Çështja e Kosovës nuk është e lehtë dhe as nuk mund të zgjidhet aq shpejt sa mendojnë disa kosovarë me vullnet të mirë...”
Disa radhë më poshtë: “Populli i Kosovës duhet të kuptojë në mënyrë të qartë, se RP e Shqipërisë nuk mund ta atakojë ose ta sulmojë Jugosllavinë”.
Ndërkohë Hoxha saktëson një veçansi që duhet ta kemi parasysh si pikë orientimi: “Në qoftë se Jugosllavia atakon Shqipërinë, ai është problem tjetër. Shqipëria do të mbrohet, do të luftojë dhe do të fitojmë. Atëherë edhe problemi i Kosovës do të vihet krejt ndryshe”.
Po në këtë ditar, në 15 janar 1968, pasi përshkruan në Krujë ceremoninë e dorëzimit të titullit \"Qytet Hero\" dhe më pas një shëtitjeje të tij në kala, Enver Hoxha u ndal për të pirë kafe me një grup profesorësh kosovarë, të ardhur si të ftuar në Konferencën e Dytë të Studimeve Albanologjike.
Gjatë bisedës u ka thënë: “Nuk ka forcë në botë që ta ndalojë popullin shqiptar të rrojë i bashkuar, i lirë, i pavarur e sovran.
Këtë e kanë vërtetuar kohët e lashta dhe kohët e reja. Po ta lypin rrethanat, këtë do ta vërtetojnë edhe kohët e ardhshme”.
Në 5 dhjetor të po këtij viti (1968), në ditarin e tij regjistron: “Më 27 nëntor, në Prishtinë dhe në shumë qytete të tjera të Kosovës rinia studenteske zhvilloi demonstrata. Pati një të vrarë dhe shumë të plagosur, nga njerëzit e UDB-së që sulmuan demonstruesit dhe nga demonstruesit që u mbrojtën. Siç njoftojnë organet jugosllave të shtypit demonstruesit ishin të rinj shqiptarë, të cilët ata i cilësojnë \"armiq\" dhe \"të frymëzuar nga jashtë\".
Kuptohet të frymëzuar nga ne...”
Pasi saktëson se këtë akuzë ndaj Tiranës gjithsesi drejtuesit jugosllavë nuk e thonë hapur, “por e lënë të kuptohet hapur”, Hoxha nënvizon: “Natyrisht ne nuk kemi as gishtin më të vogël në këto demonstrata, ne nuk zhvillojmë asnjë punë agjenturore dhe subversive as në Jugosllavi as në Kosovë. Titistët e dinë këtë, por ua do puna të shpifin e të thonë të kundërtën”.

Rasti i favorshëm i shkëputjes së Kosovës nga Jugosllavia: viti 1968

Viti 1968 qe i përfshirë në të gjithë botën, pas SHBA, veçanërisht në disa vende të Evropës Perëndimore, prej protestash të furishme studentore. Ato në kontinentin tonë filluan që në prill dhe u përhapën gjithkund, në Francë, në Gjermani, në Angli, në Itali...
Në 2 qershor protestat shpërthyen edhe në Beograd.
Dukej si një ngjarje e paralajmëruar. Disa javë më parë një anketë që kërkonte të dinte se sa shoqëria dhe sistemi i tyre politik ua plotësonte dëshirat, pati dalë në përfundimin se më të pakënaqurit ndodheshin në Lidhjen Komuniste të Jugosllavisë.
Gjendja ziente sipër, atje ku edhe mund të shpërthente, por edhe të përballej më lehtë.
Ajo që do të quhej në shtypin perëndimor si “Java e nxehtë e Beogradit” do të niste të dielën e 2 qershorit dhe me atë hov përhapjeje vazhdoi edhe të nesërmen. Policia ndërhyri fort dhe mes të dy palëve pati përleshje.
Shkak i dukshëm për protestën studentore qe bërë pamundësia e tyre për të hyrë dhe marrë pjesë në sallonin e Festave të lagjes së Beogradit të Ri, e cila ishte mbushur tërësisht vetëm prej militantëve të partisë.

(Vijon)











Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com