Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

.jpg
Foto: .jpg
RAMIZ ALIA: MEHMET SHEHUN GJITHSESI DO TA VARNIM


Rikthim tek e fshehta shtetërore e Hysni Tërpezës

(Botuar në gazetën “Shqiptarja.com” më 24 dhjetor 2015)

Ramiz Alia në takimin e tij me sekretarët e tjerë të Komitetit Qendror të PPSH-së në 12 shtator 1983 (ky informacion për lexuesin e “Shqiptarja.com” është i freskët sepse kjo e përditshme para pak ditësh e botoi të plotë procesverbalin e kësaj mbledhjeje), spikat këto veprime të Kadri Hazbiut:
Ishte vetë Fiqret Shehu që në sallën e gjyqit pati deklaruar se, para se i shoqi të vetëvritej, në shtëpinë e tyre kishte ardhur Kadriu. Sipas saj ky i pati thënë Mehmetit se pas mbledhjes së Byrosë Politike atë ditë të 17 dhjetorit 1981 gjendja për kryeministrin ishte bërë shumë e rëndë dhe se Hazbiu dyshonte mos udhëheqja e partisë zotëronte ndonjë provë apo kishte ndonjë sinjal kompromentues ndaj tij.
Ramiz Alia thekson se Fiqreti pati pranuar në gjyq se kur i shoqi ishte kthyer nga mbledhja e Byrosë, i kishte thënë se do të punonte dhe përgatitej për vazhdimin e mbledhjes të nesërmen, porosi që ia kishte dhënë edhe Enver Hoxha. Mehmet Shehu i qe shprehur po ashtu të shoqes se takimi i Byrosë Politike të nesërmen do të mbaronte brenda paradites dhe pasdite le të shkonin tek Hekuran Isai në një vizitë ngushëllimi për vdekjen e nënës së tij.
Sipas Alisë këto qenë shenja që qarta se Shehu, ende pa i ardhur Kadri Hazbiu, nuk e kishte shkuar në kokë vetëvrasjen.
Pastaj, siç e vijon interpretimin e tij zëvendësi i parë i Enver Hoxhës, Fiqreti pati pohuar se kur erdhi Kadriu ata të dy u futën në dhomë, kështu që biseda mes tyre qe zhvilluar pa praninë e saj. Por ajo kishte vënë re se ardhja e Kadri Hazbiut ia kishte ndryshuar pamjen të shoqit. Mehmet Shehu qe zverdhur.

Loja e konspirimit me njeriun e natës para vetëvrasjes

Alia në takimin e 12 shtatorit 1983 ngulmon se Kadri Hazbiu pati ardhur atë mbrëmjen e 17 dhjetorit, rreth orës 21.30-22.00, për të ndikuar tek Shehu, me që “t’u zbuluan petët e lakrorit” dhe si rrugëdalje nga ajo gjendje kryeministri të zgjidhte vrasjen e vetes.
Sipas hamendjes së Alisë po ashtu Kadri Hazbiu i paska thënë Mehmet Shehut se “Kam urdhër që nesër të të arrestoj, prandaj si do të bësh, do vish nesër në mbledhje dhe unë të të vë prangat se këtë unë jam i detyruar ta bëj, apo do të gjesh rrugë tjetër?”
Njëkohësisht arsyetimi, pse jo edhe intriga që tashmë Ramiz Alia po e deklaron hapur, shkonte atë 12 shtator edhe më larg. Sipas tij “Kadri Hazbiu ka menduar se Mehmet Shehu u mbërthye dhe po u mërzit ai, do shtrëngohet dhe mund të flasë, mund të tregojë edhe për mua, atëherë u dogja edhe unë, prandaj Mehmeti duhet eliminuar”.
“Si ta eliminonte?”, vazhdonte logjikën e tij Alia, Ta vriste? S’kishte se si ta bënte. Atëherë gjeti rrugën tjetër: ta frikësonte, ta trembte, në mënyrë të tillë sa që ai t’i binte vetes. Kështu që Kadriu atë natë duhet t’i ketë thënë: “Unë jam ministër i Mbrojtjes, tani po trajtohem mirë, unë jam anëtar i Byrosë Politike, prandaj mua dhe jo Feçor Shehun, më kanë ngarkuar të të vë hekurat. Erdha kështu që t’i ndajmë hesapet se kjo punë nuk bëhet ndryshe”.
Dhe me tej Ramiz Alia shkon drejt mbylljes së skemës së tij të akuzës: “Jo vetëm kaq, por ajo është logjike edhe nga pikëpamja e jugosllavëve. Në fakt deri sa jugosllavët i dhanë detyrë Mehmet Shehut të bënte atentat kundër Enver Hoxhës, ata e eliminuan atë. Ai ishte fundi i tij. Vritej apo nuk vritej terroristi Mehmet Shehu atje ku mendonte të bënte atentatin, Partia dhe populli atë do ta varnin në litar”.
Ja edhe batuta tjetër e akuzës: “Si vrasës, si terrorist të Enver Hoxhës, ai s’kishte shpëtim, ai mbaronte. Pra jugosllavët e zhdukën, e dogjën agjentin e tyre për një çështje më të madhe. Kishin hallin e Kosovës ata. Fundi i fundit ata menduan: përse e duam këtë kartë ne? Në radhë të parë për të shpëtuar veten. Kur po digjej Jugosllavia, ia vlente “barra qiranë” ta eliminonin Mehmet Shehun....”
Ja edhe finalja e të gjithë kësaj loje arsyetimi: “Në kohën e ngjarjeve të Kosovës, më 1981, kur përgatitej prej tyre ky komplot kaq i rrezikshëm kundër Partisë, kundër shokut Enver, Kadri Hazbiu kishte thërritur oficerin e poliagjentit Mehmet Shehu, armikun Ali Çeno dhe i kishte thënë: “I dëgjon ngjarjet që po bëhen në Kosovë?”. “Po, - i kishte thënë Aliu, - i kam marrë vesh”. “Ato që bëhen atje mund të ndodhin edhe këtu te ne, prandaj ti, duke qenë se je pranë Mehmet Shehut duhet të kujdesesh që asnjë qime të mos i bjerë mbi jakë Mehmet Shehut. Je përgjegjës përpara Partisë”.


Kur shkroi “Tablonë sinoptike” dhe ia bashkëngjiti librit të tij “Titistët”, me këtë rast edhe për të akuzuar Mehmet Shehun si të tillë, Enver Hoxha e dinte, prej procesit hetimor, se Kadri Hazbiu i kishte shkuar natën e 17 dhjetorit dhe se vetëm pas kësaj pati ndodhur vetëvrasja, por hesht për këtë rrethanë.
Edhe ai, si Ramiz Alia, e lidh çfarë ndodhi me Shehun dhe Hazbiun, me ngjarjet e vitit 1981 në Kosovë, me demonstratat e shpërthyera papritur e të shtypura dhunshëm nga serbët.
Pasi shkruan se Shqipëria qe korrekte në bashkëpunimin e saj shtetëror me Jugosllavinë dhe se gjithçka që ajo arriti nuk e kreu “me anë agjenturore, pse, së pari, kjo nuk ishte vija e Partisë sonë dhe, së dyti, se në krye të organeve të Ministrisë së Punëve të Brendshme ishte vetë agjentura jugosllave (me Feçor Shehun). Prandaj tezat e jugosllavëve për gjoja ndërhyrjen e Shqipërisë në rrugë agjenturore për organizimin e demonstratave në Kosovë, s’kanë asnjë bazë”.
Më pas ja një frazë që nuk duhet të na shpëtojë pa e ruajur mirë në kujtesë: “Agjentura amerikane dhe ajo jugosllave filluan të shqetësohen se mos u ikte nga kontrolli Kosova, se mos ndërhynte Shqipëria në bashkëpunim, ndoshta, sikurse mendonin ata, me Bullgarinë dhe me Bashkimin Sovjetik”.
Nuk duhet të harrojmë edhe këtë fragment tjetër nga libri “Titistët”: “Më 16 dhjetor 1981, në orën 10 të natës, Feçor Shehu i shkoi Mehmet Shehut në shtëpi dhe i transmentoi urdhrin e qendrës së tyre agjenturore”. Siç më sipër Enver Hoxha e shkruan, ky urdhër i UDB-së (që bashkëpunonte me CIA-n) ishte: “Enver Hoxha të vritej me çdo kusht edhe në mbledhje, qoftë edhe duke u vrarë edhe ai vetë”.
Në përpjekjen për të shpërndarë mjegullën e manipulimit politik që i është bërë vitit 1981 dhe kaq shumë ngjarjeve enigmatike brenda tij, kujtojmë lexuesin se Kadri Hazbiu, megjithëse iu nxorën dëshmitarë, përfshi edhe shoferin e tij, se natën e 17 dhjetorit kishte shkuar e qendruar tek vila e Mehmet Shehut për njëzetë minuta, ai nuk e pranoi asnjëherë.
E mbajti gojën kyçur.

Rikthehemi tek e fshehta e Hysni Tërpezës

Në 24 korrik 1999, në shpjegim të letrës sekrete të firmosur nga Mehmet Shehu dhe Kadri Hazbiu, të cilën e gjeti në kutinë postare të banesës ku po qëndronte në Vjenë, ai e vazhdoi kështu rrëfimin e vet: “Dhe vendosa të shkoj në ambasadën shqiptare, por e bëra këtë gjë ditë të shtunë, që ishte pushim.
Vajta.
Roje në ambasadë ishte një kosovar. E pyeta “Ka ardhur ambasadori?” “Po” m’u përgjegj. “Ka mundësi t’i thoni se ka ardhur një plak nga Kosova dhe dëshiron t’ju takojë?” Roja më refuzoi, siç e kemi ne shqiptarët nga fodullëku. Më në fund e binda dhe ai me këmbët zvarrë hyri brenda.
Pas pesë minutash pashë se po i zbriste shkallët me vrap. Kuptova se kishte diçka serioze. Ma hapi portën me butonin elektrik që lart, në katin e dytë, dhe më bëri shenjë të hyja menjëherë.
Në krye të shkallëve qendronte ambasadori. Më priti sikur ishim miq të vjetër, sikur kisha shkuar edhe herë tjetër e jo sikur e shihja për herë të parë. Më uli në tavolinë, më qerasi, bëmë goxha muhabet. Vetëm pasi kaloi një kohë e mirë (ishte e shtunë dhe nuk na bezdiste njeri) më bëri të njëjtën kërkesë e më tha të njëjtat shprehje që kishte letra. Dhe në fund të propozimit shtoi “Ne e dimë se diku duhet të merrni leje. Këtu në tavolinën time ka tre telefona, dy përgjohen, por ky tjetri jo”.
Dhe më vuri para një situate që unë duhej ta merrja vendimin në çast.
Nuk mund të thosha jo. Edhe pse manovrova dhe ja ndryshova bisedën, ai përsëri më tha “Mund të bisedojmë“. Atëhere ngrita telefonin që nuk përgjohej dhe andej ku duhej të merrja leje më thanë “Gjykoheni vetë!“
Në rrethana të tilla thashë me vete “Edhe ata, shefat e mi, diçka dinë. Diçka luhet deri sa më thanë menjëherë se mund ta vendosja vetë. Nuk më thanë dale ta mendojmë këtë punë. Sepse mora në telefon kryesorin, nuk mora ndonjë nëpunës të zakonshëm. Sidoqoftë nuk i thashë ambasadorit se çfarë më thanë, por një “Do të mendohem”. Kur më përcolli ambasadori më propozoi “Kur të vendosni mund të vini të takohemi, të takohemi qoftë edhe për një kafe”.
“Faleminderit që më pritët” iu përgjegja. Shtrënguam duart dhe kështu u ndamë.
Pas një farë kohe vendosa që të shkoj përsëri. Vajta e kontaktova ambasadorin dhe ai më tha “Faleminderit! Na duhet një fotografi juaja”.
Unë e çova fotografinë dhe pas ca kohësh më ftuan “Ejani të pijmë një kafe!”
Kur vajta më thanë “Pasaporta është gati. Jeni me emër dhe mbiemër tjetër, i lindur në Shkodër në vitin 1921, tani emigrant në Siri”.
Ambasadori më tha edhe “Urdhëro biletën! Është e paguar. Vetëm se do të shkoni ju në agjensi për të fiksuar datën. Nga Vjena do të shkoni në Stamboll”.
Dhe kështu bëra, vendosa e ika në Stamboll. Mirëpo nuk sqarova dot se kush do të më priste. Megjithatë thashë me vete se këta me siguri e kanë organizuar pritjen.

(Vijon)










Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com