Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI


Foto:
VJENË 1977, LETRA E FSHEHTË E MEHMET SHEHUT DHE E KADRI HAZBIUT


Për ballistin kosovar Hysen Tërpeza, informator i CIA-s

(Botuar në gazetën “Shqiptarja.com” më 23 dhjetor 2015)

1981-shi është një prej viteve më dramatikë jo vetëm të periudhës komuniste të Shqipërisë, por të tërë historisë së saj si shtet që nga fundnëntori 1912 deri në këtë çaste, dhjetor 2015, kur po shkruhen këto radhë si një nga interpretimet e shumta të tij.
Depërtimi në skuta që janë mbajtur qëllimisht në terr, do të na ndihmojë të kuptojmë më mirë çfarë realisht bëhej nga klasa politike e kohës për zgjidhjen e çështjes kombëtare, e lënë në gjendje të gjymtë në 1913 dhe për rolin e komunistëve dhe të vetë Enver Hoxhës, çështje për të cilën shfaqen qëndrime nga më të skajshmet, veçanërisht ato mohuese.
Me motin 1981, si me asnjë tjetër, mund të kthjellojmë për veten dhe për lexuesin cili qe e mbeti, deri sa ngjau shpërbërja e saj, roli i Jugosllavisë në Ballkan e sidomos në raport me shqiptarët dhe shtetin e tyre të vetëm ato kohë.
1981-shi ka qenë për gadishullin tonë një vit tërmeti shumëballësh, social, politik dhe etnik.
Ai mot u trondit deri në themele që në muajt e tij të parë, në mars, me shpërthimin e demonstratave studentore në Prishtinë e të shtrira më pas në të gjithë Kosovën. Vijoi me trandjen tjetër: me dhunën e pafre për shtypjen e tyre dhe jo qetësimin. Vazhdoi më pas, në muajin maj, me dy plasje të forta eksplozivi në një aneks të ambasadës jugosllave në Tiranë.
Duke u mbyllur në dhjetor me vetëvrasjen e kryeministrit më jetëgjatë dhe më të zëshëm të Shqipërisë së shekullit të shkuar, Mehmet Shehut, lajmit që përfshiu menjëherë tërë botën dhe përhapi njëmijë dyshime çfarë po ndodhte realisht në Tiranë, cili shtet i huaj po ja delte ta dominonte.
Vit mjaft i ndërlikuar, po të mundemi ta deshifrojmë, 1981-shi do të na bëjë sadopak dritë mbi disa mistere, mes tyre edhe nëse Enver Hoxha qe krejt i sinqertë në dashurinë e tij për Kosovën apo nëse ishte e tillë, e çiltër, edhe ajo çfarë mendonte e shoqja, Nexhmije Xhunglini, person me ndikim jo aq të vogël tek ai, por po ashtu dekadën e fundit edhe autore e të libri posaçërisht me këtë temë.
Ose: Josip Broz Tito në përmirësimin të shkallë për shkallshëm, në vitet shtatëdhjetë, të raporteve me shqiptarët e Prishtinës dhe të Tiranës bënte lojë gjeostrategjike balancimi me serbët apo prirej edhe nga një vlerësim pozitiv për ta si popull?
Viti 1981 më shumë se çdo tjetër na ofron një rast më të qartë për të kuptuar si përplaseshin, për ta mbajtur nën influencë Ballkanin, dy shumëfuqitë e kohës, Bashkimi Sovjetik dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Apo edhe fuqi më të vogla, por me interesa strategjike në gadishull si gjermanët, francezët, anglezët apo italianët.
Mirë interpretimi i 1981-shit zotëron mjaft mundësira për t’i bërë të dukshme marrëdhëniet e vërteta shtetërore dhe diplomatike mes Republikës Federative Socialiste të Jugosllavisë dhe Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë.
Shpresojmë, madje, që ky depërtim i tanishëm nëpër të, të na japë edhe më shumë mundësi njohjeje se kaq sa më sipër ju parashtruam.
Atëherë le të hyjmë në këtë sprovë!



24 korrik 1999, komuna e Vitisë

Me urdhër të Ministrit të Mbrojtjes të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës Azem Syla dhe në emër të tij, shefi i kabinetit ministror, koloneli nga Tirana, Dilaver Goxhaj, i ardhur vullnetar në UÇK dhe gjatë luftës kryer atje detyrën e zëvendës shefit të Shtabit të Përgjithshëm të saj, mori pjesë në komunën e Vitisë në një veprimtari jo të zakonshme.
I urohej mirëseardhja patriotit Hysen Tërpeza, i cili kthehej në atdhe pas 54 motesh emigrim.
Kishte vendosur që vitet e fundit të jetës t’i kishte në vendlindje. Atje edhe varrin, siç edhe ndodhi në vetëm tre vite më pas, në 23 qershor 2002.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore Hysen Tërpeza pati qenë rreshtuar me antikomunistët ose me ata që në zhargonin e përgjithshëm politik të kohës quheshin ballistët e Kosovës.
Në fshatin Tërpezë ai prej kohësh ka një shkollë me emrin e vet. Ia kanë kushtuar vetë banorët.
Para kësaj shkolle ngrihet shtatlartë një lapidar i madh.
Në të gjitha shpjegimet që i bëhen këtij monumenti shkruhet qartësisht se “Hysen Tërpeza punoi si një punonjës i Shërbimeve të Fshehta të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ka jetuar në këtë vend për pesëdhjetë vite. Ai u rikthye në vendlindjen e tij, në Tërpezë para se të ndërronte jetë”.

Një histori top-sekret

Pas festës masive Hysen Tërpeza e ftoi “shqiptarin e Tiranës”, kolonelin Goxhaj, të ishte mik i tij për drekë. Kur më në fund u ulën pranë njeri-tjetrit (dikush solli edhe një mikrofon) ballisti nacionalist nisi t’u thoshte të pranishmëve të shumtë: “Sot unë po u tregoj një të vërtetë. Në emigracion kam qënë 54 vite dhe të paktën 54 intervista i kam bërë. Në të pesëdhjetë e katër intervistat unë kam gënjyer vetëm në një pikë. Kur më thoshin se kush ma ka djegur shtëpinë unë përgjigjesha se ma ka djegur shkjau. Por sot po e them për herë të parë: shtëpinë ma dogjën partizanët e Enver Hoxhës. Ishin partizanët e brigadës së Shefqet Peçit. Po e them këtu pas pesëdhjetë e katër vjetësh”.
Pastaj pati vijuar: “Por Enver Hoxha...”.
Këtu kishte heshtur një çast si të deshte ose të gjente fjalët më të zgjedhura ose ta rregullonte tonin e zërit që të mund t’ua tërhiqte dëgjuesve të gjithë vëmendjen.
“Unë kam qënë armiku i tij ideologjik, mëshoi Hysen Tërpeza, por nacionalist të madh se Enver Hoxha nuk gjen dot. Le të thonë çfarë të duan për të, i meriton të gjitha vlerësimet më të këqija, por për nacionalizmin e tij mendoj ndryshe”.
Kjo deklaratë e një antikomunisti të njohur i la mbresë të fortë Dilaver Goxhajit dhe kur pas drekës miqtë ikën, i tha Tërpezës: “Zoti Hysen, më bëri përshtypje që thatë se Enver Hoxha është armiku im, por ndërkohë ishte nacionalist. Më duket se këtu ka një kontradiktë. Çfarë ju bashkon kështu me një armik ideologjik dhe çfarë po ashtu nuk ju përputh me të?”
“Ke të drejtë, u përgjegj ballisti kosovar, më vjen mirë që e kape. Do të ta tregoj historinë e ti pastaj gjeje çfarë më bashkonte me atë diktator dhe çfarë jo”.
Kështu Hysen Tërpeza filloi të tregonte.

Fillimi i rrëfimit të së fshehtës shtetërore

“Në fund të vitit 1976 apo kur pati filluar 1977-ta, nuk më kujtohet mirë muaji, isha me shërbim në Vjenë dhe një ditë të bukur në kutinë postare gjeta një letër. Ajo nuk kishte adresën e dërguesit. Tregonte vetëm marrësin dhe kjo më bëri përshtypje.
E grisa zarfin me të shpejtë për të parë në fund të letrës se kush e bënte, cili e kishte firmosur. Kur ç’të shoh?
Letra nënshkruhej nga Mehmet Shehu dhe Kadri Hazbiu.
Nuk u besova syve dhe ngjita shkallët shpejt e shpejt. Në dhomë ndërrova syzet, vura ato të leximit, dhe shoh prapë: “Me respekt Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu”.
Ishin edhe firmat e të dyve.
Fillova ta lexoj. Nga që kisha shumë emocione dhe nuk përqendrohesha dot mund ta kem lexuar atë letër disa herë.
Fillonte kështu: “Baca Hysen, kemi qënë të gabuar. Kini pasur të drejtë. Ne nuk i kemi njohur jugosllavët dhe kemi dëshirë të bisedojmë konkretisht me ju. Në rast se ka mundësi ejani në Tiranë. Në rast se dëshironi të vini kontaktoni me ambasadorin tonë në Vjenë. Me shumë respekt Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu”.
Unë thashë “Ky është provokim, është kurth i jugosllavëve”. Dhe mund të jem menduar një muaj apo dy. E analizoja letrën në çdo kënd.
Më në fund vendosa të plotësoja kureshtjen: ishte kurth apo një ftesë serioze?

12 shtator 1983

Në selinë qendrore të PPSH në Tiranë Ramiz Alia po bënte një takim me sekretarët e Komitetit Qendror të saj. Tema kryesore ishte vetëvrasja e Mehmet Shehut dhe gjyqi i porsazhvilluar kundër Kadri Hazbiut.
Për ta bërë sa më të kuptueshme atmosferën politike tronditëse të këtij shtatori po i drejtohemi ditarit të sekretarit personal të Enver Hoxhës, Haxhi Kroit.
Sipas tij në 5 shtator 1983, çfarë qe ditë e hënë, pas dy muajve pushim në Pogradec, Hoxha pati ardhur, në orën 10.40, në zyrë. Menjëherë pas pak kishte shkuar në takim me të katër sekretarët e Komitetit Qendror.
Në 14 shtator, pra dy ditë më pas nga takimi i Alisë me po këta sekretarë, Enver Hoxha nuk doli në zyrë. Qe e mërkurë. Kjo do të thotë se të hënën dhe të martën, më 12 dhe 13, ai ishte shfaqur në selinë e Komitetit Qendror.
Ndërkohë që më 14 shtator ndenji në banesën e vet, tek vila e tij e njohur, ishte Nexhmije Hoxha që i dërgoi pjesë-pjesë Haxhi Kroit fjalën që do të mbante Enveri në Plenumin e ardhshëm të KQ për dënimin, pas përfundimit tashmë edhe të gjyqit, të Kadri Hazbiut, të Fiqret Shehut dhe të të tjerëve.
Qe e nesërmja, 15 shtator, kur u zhvillua një mbledhje e Byrosë Politike. Fjalimin e tij Hoxha nuk e mbajti vetë, por ia dha Kroit ta lexonte.
Më 19 shtator, çfarë ishte ditë e hënë, Enver Hoxha nuk erdhi në zyrë, por përgjegjësi i sigurisë së tij Sulo Gradeci, i pohoi Haxhi Kroit se shefi po regjistronte në magnetofon çfarë do të komunikonte në plenum për “Kadri Hazbiun e kompani, bashkëpunëtorë të ngushtë të tradhtarit Mehmet Shehu”.
Ditën e premte, më 23 shtator, Nexhmije Hoxha i kishte kërkuar Kroit të nxirrte nga “Tabloja sinoptike…” dhe nga fjala e Enverit në mbledhjen e Byrosë Politike të datës 8 tetor 1982 çfarë kishte thënë dhe si e kishte trajtuar ai çështjen e Teme Sejkos. Po ashtu Nexhmije Hoxha donte t’i rikujtonin si pati shkruar i shoqi për vajtjen këtë kohë të Kadri Hazbiut në Dajt.
Haxhi Kroi e përpiloi materialin e shkruar dhe ia dërgoi në banesë në orën 20.00.

Flasin dhe qeshin

Takimi i sekretarëve të Komitetit Qendror ditën e hënë të 12 shtatorit 1983, është e mbushur me shumë fjalë dhe herë pas here edhe mjaft të qeshura.
Tallen me çfarë kishin thënë në gjyq Fiqiret Shehu dhe sidomos Kadri Hazbiu.
Kishte tre ditë që ky i fundit, në mesnatë, qe pushkatuar tek kodrat e liqenit të Tiranës. Në të vërtetë ndaj tij dhe tre të tjerëve, të cilët konsideroheshin si bashkëpunëtorë dhe agjentë të Mehmet Shehut dhe të Kadri Hazbiut, nuk u krye vendimi gjyqësor, pra vrasja e tyre nëpërmjet një skuadre pushkatimi.
Ajo erdhi ne vendin e ekzekutimit, zbriti edhe prej kamionit, por ndërsa po bëhej gati të vepronte, një urdhër i papritur nga lart e hoqi mënjanë dhe ua ngarkoi këtë tre funksionarëve shumë të lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Këta, sigurisht të vënë në vështirësi por në pamundësi të kundërshtonin, e kryen vrasjen me pistoletat e tyre të dorës.
Ai, i cili qëlloi kundër Kadri Hazbiut, qe nënministër. I shtiri në qafë. Nga plumbi ish-ministrit dhe dikur partizanit të Luftës Nacionalçlirimtare, vrima iu hap aq e madhe, sa u duk se e patën qëlluar me predhë antitanku.
Ramiz Alia, i cili ishte figura kryesore e PPSH-së pas Enver Hoxhës, tregon se si në gjyq seanca e ballafaqimit mes Kadri Hazbiut, Fiqrete Shehut dhe ish-përgjegjësit të sigurisë së kryeministrit të vetëvrarë, Ali Çeno, qe shndërruar në një komedi.
Por për çfarë këmbënguli më shumë Alia?
Në një pikë: takimin e fshehtë të Kadri Hazbiut me Mehmet Shehun në banesën e këtij të fundit natën e 17-18 dhjetorit 1981, pak çaste para se ky i fundit të qëllonte veten me pistoletën e vet “Makarov”.
Mirëpo në “Tablonë sinoptike”, tekst i cili fillimisht zuri vend të dukshëm në librin e tij me kujtime “Titistët”, botuar më 1982, Enver Hoxha nuk e përmend fare këtë takim, por ngul këmbë se njëzetë e katër orë para vetëvrasjes Mehmet Shehut në vilë i kishte ardhur vetëm Feçor Shehu.
Si është e mundur një mospërputhje e tillë, kjo “pasaktësi”, kur në mes është Nexhmije Hoxha, personi që kujdeset germë për germë në botimet e librave të të shoqit dhe ka dijeni shumë të afërt me çdo dokument tjetër të shkruar prej tij?
Thua zgjatet deri në vitet 1982-1983 hija e gjatë e asaj që pati ndodhur fshehurisht në Vjenë në fillim të 1977-tës dhe të cilën ballisti kosovar Hysen Tërpeza e pohoi për herë të parë publikisht në 24 korrik 1999?

(Vijon)

















Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com