|
HAJDE TA BËJMË EDHE ENVER HOXHËN DISIDENT!
(Botuar në gazetën Shqip: më 19 dhjetor 2015)
Ndalimi i njerësve me të kaluar apo precedentë kriminalë për të hyrë në parlament apo zenë vende në administratën shtetërore nuk ka përse të mos quhet një gjest pozitiv, por po ashtu edhe të cilësohet hipokrit. Nuk u krye me nismëtare dhe frymëzuese klasën tonë politike, e cila këto çaste po mundohet ta shtojë në biografinë e saj. E shpërthyen skandalin vetë deputetet që shtinë me armë dhe morën jetë njerëzish apo tentuan të krijojnë rrethana për grushte të brendshme shteti, sepse po të qenë më të vetëpërmbajtur do të rizgjidheshin dhe duartrokiteshin edhe në votimin e ardhshëm.
Nga të paktën dy partitë kryesore (nëpër dy qeverisjet e fundit kaluan lehtësisht nga njëra masë politike tek tjetra).
Ndërkohë përse nevojitej që pas një çerek shekulli shoqërie të hapur duhej bërë ajo gjë fare e thjeshtë, funksion bazë i një shteti normal: të qenë ndalur të kandidonin dhe të uleshin në Kuvend?
Prandaj ende nuk ka ndodhur kthesa e madhe.
Tani për tani ajo nuk ka gjasë të bëhet realitet sepse mbi Shqipëri, ku mes qindra mijra bashkëkombësve gjallon një jetë përherë dhe më e emancipuar, shumë më e vetëdijshme se më parë për rolin e saj qytetar, ka rënë e rendë dhe mbytëse një shtresë e trashë zmogu gënjeshtre.
Mashtrohet për çdo gjë.
Ajo nuk prodhohet nga poshtë, por shkundet nga lart, prej duarve të disa individëve, përfaqësues nga grupe sedentare, pjesë elitash që kanë rikërcyer në pushtet dhe për të cilat viti 1990 dhe ata pasardhës, janë strategjikë jo ndryshimi, por vazhdimësie.
Një fragment i kësaj tabloje do të ishte edhe çfarë do të shkruajmë më poshtë dhe ka të bëjë me temën e disidentëve të Bllokut.
Ka një çerek shekulli që pakica reale e disidentëve, e cila u përndoq dhe u persekutua, u bë njësh, turmë, me ata që rrinin në poste të larta dhe në shërbime të rëndësishme të nomenklaturës së dikurshme. Askujt, edhe të tillëve, demokracia nuk ia ndalon ndryshimin e ca më tepër rolin ndikues pozitiv për një të ardhme më të mirë, por në fund të fundit çdo gjë ka një masë etike morale.
Shumica e sajuar e disidentëve, e cila e shtyu në kënd pakicën reale dhe ndihet e shlyer me të duke i dhënë dëmshpërblimin, nuk po e ndal këtë turavrap. Po shtohet nga viti në vit. Tani po kërkohen të paraqiten si kundërshtarë të vetëdijshëm të komunizmit deri edhe përfaqësues nga rrethi më i ngushtë i udhëheqjes së atëhershme.
Nga ata katër: Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Hysni Kapo dhe Ramiz Alia.
Kështu një prirje e tillë revizionizmi po e vizaton këmbëngulshëm Mehmet Shehun si proamerikan, si njeri të fshehtë të Perëndimit, si personin që pas vdekjes së Hoxhës do ta hapte Shqipërinë. Këtë legjendë, për nevoja djallëzimi të Shehut, e formuloi i pari vetë Enver Hoxha, por pas nëntëdhjetës u shkaktua prej frymëzimesh të tjera. Si drejtues mjaft i lartë i të kaluarës, individ shumë inteligjent, figurë historike po ashtu, Mehmet Shehu ka qenë një stalinist fort i egër, tepër agresiv për shtimin në rritje të shtypjes politike nëpërmjet luftës së klasave.
Hysni Kapo, një tjetër hierark i kësaj të shkuare, pikë ekuilibri në grupin prijës të diktaturës, ndoshta edhe për shkak të këtij pozicioni jo irritues, nuk ka pësuar ndonjë operacion imazhi si disident. Rrethi i tij i afërm, si përherë pragmatist, e quan të padobishëm një gjest të tillë.
Purifikimin e Ramiz Alisë dhe shndërrimin e tij si bartës të demokratizimit në Shqipëri dhe për pasojë edhe si arkitekt të shembjes nga brenda të diktaturës, e ka sipërmarrë me përparësi sekretari i dikurshëm i tij Guro Zeneli.
Njeri për tu respektuar në integritetin dhe modestinë e vet, që kur Alia nuk jeton më, ai i ka vënë vetes mision që nëpërmjet intervistave ta shpjegojë atë nën një dritë të re.
Ka kohë tashmë, po bëhen vite, kur Ramiz Alia i tre librave të tij të pas diktaturës, një botim italian dhe një tjetër në shqip (ku ka dhënë intervista përfshirëse), si edhe autobiografia Jeta ime, vetërrëfim personal dhe njëkohësisht testament politik, nuk përputhen aq fort me atë të bashkëpunëtorit të tij të ngushtë dhe dashamirës.
Në këto tre libra-pohime Alia nuk ka pak shmangie, gjysmëthënie, çerek të vërteta, vende-vende edhe heshtje totale. Ai qe një heshtës problematik.
Referuar tre librave të tij të pas nëntëdhjetës Ramiz Alia gjithsesi e përshkruan veten më pak iniciator dhe prijës të ndryshimit në favor të një modeli zhvillimi krejtësisht perëndimor nga sa ndihmësi i tij po i krijon pas vdekjes. Në tre libra-dëshmi, megjithëse lë të nënkuptojë se me disa veprime të Enver Hoxhës nuk qe dakord, në faqe të tëra ai shpallet mbrojtës i trashëgimisë së tij ideologjike.
Pas vitit 1990 Alia përsëriti atë që e kishte plotësisht bindje kur në prill 1985 u bë kreu i sistemit shoqëror monist dhe diktatorial që i la Hoxha. Ai qe njeriu i vazhdimësisë, jo vetëm ato çaste për shkak të një llogaritjeje pushteti, por edhe pas nëntëdhjetës, deri sa ndërroi jetë. Ishte stalinist.
Por me zemër të butë, shumë i kujdesshëm në masën e ushtrimit të dhunës. Në këtë cilësi pozitive ndikoi edhe natyra e tij e mëdyshtë, e pavendosur, çfarë do ti kthehej në cen në pazotësinë për të reformuar demokratikisht vendin. Gjithsesi Ramiz Alia është protagonisti kryesor i një tranzicioni pasenverist të butë (1985-1992).
Duke qenë se ndryshe prej shefit të vet, Enver Hoxhës, Alia i ka të rehabilitueshëm disa elementë të jetës, përse shkohet në pikturimin e tij deri aq sa të thuhet se në takimin me intelektualët (12 gusht 1990), qenë jo ai dhe krahu ultrakonservator dhe radikal në PPSH që donin ta frenonin procesin e shumëpartitizmit, por ata, shkrimtarët, artistët, veprimtarët shoqërorë, të cilët i pati thërritur për një bisedë që rezultoi konfuze?
Në prag të 8 dhjetorit jubilar, në një cikël të re intervistash, ndihmësi teknik i dikur Sekretarit të Parë të PPSH-së, Guro Zeneli, shkoi edhe më larg. Ai deklaroi se Lëvizja Studentore e në thelb vetë Lëvizja Demokratike e Dhjetorit, e cila u bë forca kryesore e shpërbërjes së Partisë së Punës, ka qenë e frymëzuar dhe e ndjekur nga afër, e mbrojtur, prej vetë Ramiz Alisë.
Sigurisht këto tejkalime të bëjnë të besosh që më shumë se analiza dhe dëshmi historike çfarë po revizionohet së fundi në imazhin e Ramiz Alisë janë pjesë e një angazhimi në ndeshje të brendshme politike.
Të mbërritur në një portret Alie pothuaj disident, shkon nëpër mendje sakrilegjin: përse të mos e bëjmë këtë përpjekje revizionimi edhe me vetë Enver Hoxhën?
Kështu mbase ndalet njëherë e përgjithmonë edhe kjo ethe patologjike për të qenë disident Blloku. Nuk mbetet më tjetër për tu akuzuar si përgjegjës për të shkuarën dhe me këtë shterr edhe arsyeja e lënda konkrete e të qenit kundërshtar i regjimit.
Mirëpo (po ta keni vënë re) mjeshtrit e të vetësajuarit si disidentë e kanë gjetur marifetin që materiali të mos u mungojë. Ka më shumë se dy dekada që vepron një platformë për ta bërë përgjegjësen kryesore të atij gjysmëshekulli, bashkëshorten e tij, Nexhmije Hoxhën.
Ylli Polovina
Tiranë, më 18 dhjetor 2015
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|