|
DUELI BEOGRAD-TIRANË NË FESTAT E NËNTORIT 1981
(Botuar në numrin special të “Illyria” më 28 nentor 2015)
Festat e fundnëntorit, ato të Ditës së Flamurit, 28, dhe të Çlirimit nga pushtimi fashist gjatë Luftës së Dytë Botërore, data 29, në vitin 1981 nën regjimin komunist Shqipëria do t’i kishte, në pamje të parë, të zhvilluara sipas rrjedhës së saj të zakonshme.
Megjithatë nuk qe tamam kështu.
1981-ta ishte një mot fort ndryshe nga të tjerët, jo thjesht krahasuar me “të qetët”, por edhe me të shumëtrazuarit 1948 (kur u shkëputëm me jugosllavët), 1961 (kur u ndamë prej sovjetikëve), 1973 (kur u këput çdo shpresë për liberalizimin e brendshëm të sistemit socialist) dhe 1978 (kur iu dha fund raporteve të ngushta gjeostrategjike me Republikën Popullore të Kinës).
Në 11 dhe sërish në 26 mars nisën demonstratat studentore të Universitetit të Kosovës. Pavarësisht prej çfarë shkaku të dukshëm dhe nga cilët individë shpërthyen ato, mënyra si e patën dinamikën provonte se në thelb qenë një revoltë e mirëfilltë kundër sundimit të gjatë shtatëdhjetëvjeçar shtetëror serb.
Në kërkesat e demonstruesve parulla e parë qe “Kosova – Republikë”. Në një variant tjetër të saj ajo shkoi deri në një skaj mjaft të ashpër dhe paralajmërues për konfrontim “Republikë kushtetutë, ja me hatër ja me luftë”.
Tashmë me një vit pa Josip Broz Titon, i cili në maj 1980 kishte ndërruar jetë, Kryesia kolektive e Jugosllavisë e emërtoi protestën si kundërrevolucion dhe me këtë rast Republika e Serbisë nuk bëri durim për asnjë minutë. Ajo veproi shumë dhunshëm dhe drejt për së drejti me shtypje fizike të demonstruesve.
Tirana që vazhdonte të heshte, (dhe ky qëndrim më shumë se paudhësi mbetet një mister marrëdhëniesh të brendshme mes Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut) në 8 prill shpalli reagimin e saj zyrtar. Qe në “Zërin e Popullit”. Ishte një artikull mjaft i ashpër ndaj autoriteteve jugosllavo-serbe, në mbrojtje të palëkundur të kërkesave studentore.
Artikulli i dytë goditës ndaj sjelljes së Beogradit u botua në të njëjtën të përditshme në 23 prill.
Ndërkohë në kryeqytetin jugosllav dhe njëkohësisht serb, shumë politikanë të lartë u pleksën në betejën e nxehtë ideologjike me Tiranën, sidomos me fjalime publike.
Mes tyre qenë edhe Millosh Miniç e Petër Stamboliç.
Nuk munguan të rreshtoheshin me ta, edhe pse jo aq të egërsuar si të mëparshmit, edhe disa politikanë shqiptarë të Prishtinës. Në kujtesën e kohës këta u regjistruan me emrat e njohur të Azem Vllasit dhe të Fadil Hoxhës.
Ai që nuk kish fare cipë quhej Rahman Morina.
Në vijim të një mbledhje të Byrosë Politike të PPSH-së dhe të vendimit të saj (13 maj 1981), në ditën e 17 majit në “ZP” doli editoriali “Kërkesa për statusin e Republikës së Kosovës është e drejtë”.
Kjo mund të konsiderohet pika më kulmore e fuqisë së goditjes propagandistike të Tiranës kundër Beogradit. Afërsisht në këtë kohë Enver Hoxha urdhëroi paralelisht një kundërmasë tjetër, nga më të përfolurat pas rënies së bolshevizmit shqiptar: përgatitjen në fshehtësi të thellë të operacionit ushtarak të koduar me shifrën A-81.
Në një rreth prej pesë vetësh ishte i njohur edhe nën formulimin me fjalën “Shpërthimi”.
Për herë të parë në historinë pothuaj katër dekadëshe të regjimit planifikohej jo vetëm thyerja e një sulmi ushtarak jugosllav, por edhe kalimin në një kundërmësymje me objektiv final marrjen e Prishtinës.
Në krye të këtij operacioni tejsekret u vu Mehmet Shehu.
Përgjigja serbe nuk vonoi. Ajo kishte mjaft agjentë në Tiranë dhe e dinte çfarë po luhej aty. Më pak se një javë më vonë prej deklaratës së paepur të shtetit shqiptar se Kosovës Jugosllavia duhej t’i jepte të drejtën e të qenit republikë brenda federatës, në 23 maj 1981, ora 21.17, nëpunës të agjenturës së UDB-së të kamufluar si diplomatë, pa dijeni të ambasadorit të tyre, kryen në godinës së përfaqësisë në Tiranë dy plasje eksplozivi në tarracën e kuzhinës.
Përgjegjësinë Beogradi ja hodhi menjëherë, siç qe parapërgatitur kurthi, autoriteteve shqiptare.
Pas këtij çasti në krye të fushatës denigruese ndaj Shqipërisë kaloi në vijë të parë gazeta jugoserbe “Politika”. Ajo shpërndahej edhe nëpër Evropë. Në 3 qershor, në përgjigje ndaj zellit të saj dhe lojës së Beogradit që synonte largimin e vëmendjes së ndërkombëtarëve nga jehona e demonstratave studentore, por edhe që synonte të provokonte një valë të re tensioni mes dy vendeve, “Zëri i Popullit” publikoi artikullin “Mbi ngjarjet e ambasadës jugosllave në Tiranë”.
Tregoi të vërtetën: që ishte një autobombë.
Deri këtu përshkruam një radhë ngjarjesh pak a shumë të njohura për lexuesin e mirë informuar. Tani do ta vëmë në dijeni për të tjera, të pathëna.
Katër minuta shkelje të hapësirës ajrore
Në 11 korrik shefi i Shtabit të Përgjithshëm në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore, Veli Llakaj, i cili ishte në të njëjtën kohë edhe hartuesi kryesor teknik i projekt operacionit ushtarak “Shpërthimi”, i shkroi Ministrisë së Punëve të Jashtme një letër. Në të e vinte në dijeni se po atë ditë, prej orës 00.16 deri në 00.20, pra për vetëm katër minuta, në pasmesnatë, një avion jugosllav pati shkelur hapësirën ajrore të vendit.
Sipas Shtabit të Përgjithshëm aeroplani luftarak kishte fluturuar me shpejtësinë 750-800 km orë dhe në lartësinë e 6000 metrave. I ardhur nga hapësira ajrore e Jugosllavisë avioni shkelës pati hyrë në brendësi të Shqipërisë në thellësinë 5-10 km, saktësisht në rajonet Shishtovec, Kukës, Krumë dhe Zogaj i Tropojës.
Fantazma e kabinës roje para ambasadës shqiptare në Beograd
Në 1 nëntor filloi punimet në Tiranë Kongresi i Tetë i Partisë së Punës të Shqipërisë. Ndërsa ishte në prag të mbylljes së tij tradicionale, me 8 nëntorin ditëthemelimin e PKSH-së dhe në presidium, ndryshe nga e gjithë udhëheqja komuniste e veshur me ngjyra të çelura, rrinte fytyrëngrysur me kostum të zi Mehmet Shehu, në 6 nëntor mbërriti në Ministrinë e Punëve të Jashtme një telegram i dërguar prej ambasadës tonë në Beograd.
Radiogrami i shifruar kishte numrin 2986.
Njoftonte se autoritete të një niveli të rëndësishëm dhe me këtë nënkuptonin Sekretariatin e Punëve të Jashtme, “me porosi nga lart”, u kishin thënë se “përpara ndërtesës së përfaqësisë sonë do të vendoset një kabinë e përhershme për milicin që do të bëjë’ roje 24 orëshe”. Shpjegonte: “... e kanë motivuar me frazën “për të parandaluar ndonjë akt të mundshëm kundër ambasadës”.
Në vazhdim: “Lidhur me këtë është thënë se sipas rregullave që kanë jugosllavët shpenzimet për ndriçimin dhe ngrohjen e kabinës do të paguhen nga ambasada jonë”. Pasi vinte në dukje se autoriteti jugosllav i nivelit të mesëm u qe lutur që t’i jepej përgjigje nëse ishin dakord për këtë, saktësonte se ky, kur e pati parashtruar këtë problem, pati thënë tekstualisht edhe “...Nuk dëshirojmë që ngjarje të vogla të bëhen shkak për acarimin e marrëdhënieve midis dy vendeve, për të cilat ne jemi të interesuar që t’i zhvillojmë normalisht”.
Radiogrami i shifruar në këtë pikë parashtronte: “Deri tani jugosllavët nuk kanë vënë roje para përfaqësisë tonë dhe një gjë të tillë e kërkojnë për herë të parë. Sigurisht motivet e shpjeguara prej tyre nuk janë gjithçka, ata duan ta kenë nën mbikqyrje të vazhdueshme ambasadën tonë dhe në mënyrë të hapur për të penguar vajtjen e shqiptarëve në ambasadë”.
Pastaj: “Nuk përjashtohet që pas kësaj çështjeje jugosllavët të fshehin edhe ndonjë paramendim tjetër për të organizuar ata vetë ndonjë veprim provokativ ndaj ambasadës, po qe se nga ana jonë nuk pranohet vendosja e kabinës në kushtet që ata vënë”.
Mendimi final i përfaqësisë diplomatike: “Nëse duan jugosllavët të vënë para ambasadës një roje të tillë kjo është punë e tyre dhe nuk mund t’i pengojmë, por na duket se nuk është nevoja që nga ana jonë të hiqen shpenzimet që ata kërkojnë, pavarësisht nga rregullat e tyre”.
Ministria e Punëve të Jashtme nuk e vonoi gjykimin e saj: “Shokët tanë mbetet që të shtojnë vigjilencën, ndërsa jugosllavët në daçin ta vënë në daçin jo kabinën”.
Udhëzime të prera nga Tirana
Në Tiranë Kongresi i Tetë kishte përfunduar me një kryeministër që thirrej vazhdimisht nga Enver Hoxha të bënte autokritikë përherë e më të thelluar përse lidhi krushqi me një vajzë të një familjeje biografiprishur. Ndërkaq me Jugosllavinë acarimi kishte rikulmuar: kongresi pati përsëritur kërkesën që patjetër për Kosovën të vihej në jetë statusi i republikës brenda federatës.
Një valë e re zemërimi përfshiu Beogradin zyrtar, të alarmuar tashmë përse Shqipëria shkonte këmbëngulshëm në këtë drejtim. Po afronin për të dy palët festat e të njëjtës datë: 29 nëntor. Jugosllavia pas lufte në këtë ditë ishte shpallur shtet socialist, kurse Shqipëria e pati zgjedhur në të njëjtën kohë si ditëçlirimi. Por në Tiranë më 28 kishin edhe ditëshpalljen e pavarësisë, edhe pse mes dy datave nëntoriane Enver Hoxha me të tijtë i jepte më shumë theks luftës partizane.
28-29-ta ishte një çast i mirë që mes dy vendeve të hetohej nëse kishte ende hapësirë për të kuptuar nëse beteja mes dy shteteve do të rikthehej në qetësinë e para demonstratave të studentëve apo do të gremisej drejt përplasjes pa kthim.
Në Tiranë qe vendosur të zbatohej qëndrimi i ashpër. Për 28-29 nëntorin e një viti më parë, 1980, me porosi të Ministrisë së Punëve të Jashtme ambasada shqiptare në Beograd u dërgoi 250 ftesa personaliteteve të ndryshme jugosllave, duke filluar nga Presidenca Federative, republikat, krahina e Vojvodinës dhe ajo Socialiste Autonome e Kosovës. U përfshinë si të mirëseardhura edhe firma tregtare.
Pothuaj të gjithë të ftuarit erdhën, veçanërisht nga Kosova pjesëmarrja qe e madhe.
Një mot më vonë, më 1981, pas ngjarjeve dramatike që kishin ndodhur, Tirana shkurtoi gjithçka në mënyrë drastike. Në 12 nëntor ministri i Jashtëm Nesti Nase i dërgonte ambasadorit Sokrat Plaka dhe tërë përfaqësisë diplomatike në kryeqytetin jugosllav direktivën që “nga ambasada jonë në Beograd të ftohet një numër i vogël personash, 110-125 vetë, në bazë të këtyre kritereve. Të mos ftohen personalitete që kanë mbajtur qëndrime të theksuara armiqësore publike kundër vendit tonë si Petar Stamboliçi, Dobrivoje Vidiçi, Millosh Miniçi, Fadil Hoxha, Ali Shukria etj. Mund të ftohet ndonjë që ka folur, por për arsye të vetë funksionit që ka, si për shembull Peshiq, zëvendësministër i jashtëm, që nuk mund të evitohet dot. Të ftohet kryetari i Presidencës, anëtarë të saj jo, dhe Fadil Hoxha është i tillë. Të ftohet kryetari i Këshillit Ekzekutiv Federativ dhe 3-4 anëtarë të qeverisë si edhe dy ministrat shqiptarë, Ismail Bajara dhe Ymer Pula. Të ftohen 2-3 veta nga Kuvendi Federativ, të mos ftohet kryetari i Kuvendit Dragosllav Markoviç, i cili dallohet si shovinist dhe antishqiptar i tërbuar. Për të hapur rrugë për ftesa në Kosovë mund të ftohen 2-3 vetë nga secila republikë dhe krahina e Vojvodinës, duke përfshirë edhe Serbinë. Nga Kosova të ftohet kryetari i Kuvendit Ilia Vakiq dhe nënkryetarja Drita Dobroshi, kryetari i Këshillit Ekzekutiv Riza Sapunxhiu dhe 3-4 anëtarë të Këshillit, Rektori i Universitetit Mynyr Dushi dhe 3-4 prorektorë e dekanë, presidenti i Akademisë së Shkencave Idriz Ajeti, si edhe institucione të tjera kosovare, gjithsej 20-25 vetë”.
Strategjia e diferencimit të thellë propozohej edhe për Maqedoninë. Prej saj porositej të ftohej vetëm “kryetari i Këshillit Ekzekutiv Bllagoje Popov si edhe 2-3 ministra, midis të cilëve ministri shqiptar Tahir Kadria, kryetari i Odës Ekonomike, rektori i Universitetit dhe prorektorët, kryetari i Akademisë së Shkencave, rektori i Akademisë Pedagogjike ku mësohet në gjuhën shqipe, si edhe nga filalja e saj në Tetovë”.
“Për Malin e Zi të ndiqen të njëjta kritere si edhe me Maqedoninë”, i shkruante ministri Nase ambasadorit Plaka.
Në fund i transmentonte udhëzimin se për shkak të situatës së krijuar nga Kosova të mos u bëheshin ftesa përfaqësuesve të shkollave dhe personaliteteve të kulturës me qëllim që të mos u jepej shkak autoriteteve serbe të kryenin ndëshkime ndaj tyre.
Në mbyllje qe shënimi “Ambasada këtu nuk ka dërguar akoma ftesat për pritjen që ajo zakonisht jep për festën kombëtare jugosllave”.
Dy shtetet përgjonin njëri-tjetrin dhe nuk hapnin udhë.
Më 17 nëntor, ata që e nismuan dhunën ndaj studentëve dhe e akuzuan si kundërrevolucion, pra si tentativë për të përmbysur rendin publik dhe shoqëror në Jugosllavi, botuan të quajturin “Libër i Kaltër”. Ishte platforma e qëndrimit ndaj çështjes shqiptare dhe Kosovës: shtypje dhe sundim.
Zhurmues jugosllavë prishin valët shqiptare
Në 20 nëntor (1981) funksionari i lartë të Ministrisë së Punëve të Jashtme Justin Papajorgji thirri në takim të Ngarkuarin me Punë a. i. të ambasadës jugosllave në Tiranë, Spasoje Tuniq dhe i komunikoi se që “nga fillimi i nëntorit e në vazhdim në një pjesë të territorit të RPSSH sidomos në zonat e Shkodrës, të Kukësit, të Lezhës, të Krujës, të Dibrës, të Korçës etj. programet e radios dhe të televizionit shqiptar pengohen nga ndërhyrje e zhurma të vazhdueshme profesionale që bëhen nga Jugosllavia, të cilat kanë krijuar vështirësi dhe shqetësime në ndjekjen e emisioneve shqiptare”.
Papajorgji shtoi se këto që po deklaronte, pra se zhurmat penguese vinin prej territorit jugosllav, qenë vërtetuar nëpërmjet matjeve dhe kontrolleve të rregullta teknike. Ai nguli këmbë se ndërhyrjet ishin të organizuara me paramendim. Sipas tij “Këto janë në kundërshtim të hapur me marrëveshjet ndërkombëtare, ku figurojnë të regjistruara këto valë”. “Njëkohësisht, vuri theks ai, ato përbëjnë një ndërhyrje të hapur në punët e brendshme dhe një cenim i sovranitetit të Shqipërisë në këtë fushë”.
Pastaj kërkoi që “pala jugosllave të merrte masat përkatëse dhe të menjëhershme për t’i dhënë fund prirjeve të tilla arbitrare dhe që të mos përsëriten në të ardhmen”.
I Ngarkuari me Punë a. i. i ambasadës jugosllave në Tiranë, Spasoje Tuniq, u përgjigj se këtë problem po e dëgjonte sot për herë të parë, në mëngjes prej shtypit të vendit dhe tani nga Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë. Ai theksoi se nuk besonte që këto zhurma bëheshin me qëllim nga ana e shtetit të tij, por gjithsesi për çfarë iu tha do t’i vinte në dijeni organet përkatëse jugosllave.
Sërish e sërish avionë reaktivë jugosllavë
Pesë ditë më pas nga protesta e Justin Papajorgjit ndaj Spasoje Tuniqit, në 25 nëntor, ndodhi një shkelje e re e hapësirës ajrore të Shqipërisë. Këtë ia njofton Ministrisë së Punëve të Jashtme zëvendës ministri i Mbrojtjes Popullore Hasan Berberi.
Aeroplani reaktiv i ardhur prej territorit të Jugosllavisë dhunimin e sovranitetit e kreu në gjashtë minuta: nga 9.53 deri 9.59. Ai pati fluturuar në qiellin e Shqipërisë në drejtim të liqenit të Shkodrës, të Koplikut, Gurit të Kunorës. Malit të Drenit dhe të Thethit.
Lartësia e lëvizjes së avionit luftarak jugosllav qe 3500-4000 metra dhe shpejtësia 600 ose 650 km orë.
Shkelja tjetër e hapësirës ajrore prej një aeroplani jugosllav u bë në 27 nëntor, në orën 10.32. I ardhur nga vendi fqinj ai fluturoi në drejtimin Kepi i Zanit-Topojan. Pas 23 minutash, në 10.55, doli mbi Pogaj të Kukësit dhe rihyri në qiellin e vendit të vet.
Beograd, 29 nëntor
Si shkuan festimet e 28-29 nëntorit 1981 në ambasadën shqiptare në Beograd informacionin telegrafik me numër 3222, datë 29, në një radiogram të gjatë prej gjashtë formatesh tip që Ministria e Punëve të Jashtme përdorte për deshifrim, ambasadori Sokrat Plaka e ka përshkruar kështu: “Pritja jonë kaloi shumë mirë. Kishte një pjesëmarrje të gjerë, rreth 300 veta, njësoj e bile më shumë se vitin e kaluar”.
Në vijim: “Gjatë dy orëve të pritjes sallat ishin plot me njerëz. Të gjithë të pranishmëve u bëri përshtypje dhe pritja kaloi me sukses të plotë, çka i dedikohet Kongresit të 8-të të Partisë dhe raportit të shokut Enver”.
Pastaj: “Kjo është një goditje e madhe për jugosllavët, të cilët erdhën më pak, rreth 40 veta përfaqësues të firmave tregtare dhe 10-11 veta të institucioneve, Dhomës Ekonomike, Komitetit Federativ të Transportit”.
Më tej: “Jugosllavët erdhën me nivel të ulët, por tërhoqi vëmendjen se qëndruan gjatë në pritje dhe u larguan duke na folur me ngrohtësi veçanërisht ambasadori Llapkovski dhe shefi i protokollit Vilus”.
Sokrat Plaka po ashtu shënonte: “Edhe ambasadorëve u tërhoqi vëmendjen niveli i ulët, por mendojnë se një pjesëmarrje e tillë nuk tregon se jugosllavët kanë ndryshuar qëndrimin themelor, veçse një gjë e tillë diktohet nga atmosfera e propagandës lidhur me Kongresin e Tetë të Partisë. Ambasadori grek dhe të tjerë na thanë se jugosllavët kanë probleme të vështira me kufirin, por nuk e kanë me Shqipërinë, pra niveli i ulët shpjegohet vetëm me momentin, thanë ata”.
Më tej radiogrami i shifruar e informonte qendrën se “Nga Kosova erdhën vetëm tre shqiptarë, drejtorët e Farmakosit dhe Printeksit dhe një nëpunës i doganës së Beogradit. Të tjerët nuk i kanë lënë për shkak të gjendjes së acaruar në Kosovë. Të ftuarit na bënë urime të shumta e të ngrohta. Kosovari Haxhi Rexha na tha “ardha të sjell urimet më të mira për festën dhe për jetë të gjatë për shokun Enver Hoxha nga populli i Kosovës, veçanërisht nga komuna e Istokut dhe nga të rinjtë studentë. Njerëzit në Kosovë e dinin që isha ftuar në pritje dhe më porositën të sillja këto urime” tha Haxhiu. Patëm edhe biseda telefonike me shqiptarë që na urojnë për festën e 29 nëntorit, duke nënvizuar “festën tonë të përbashkët”.
Në mbyllje diplomati i parë i RPSSH në Beograd, Sokrat Plaka, informonte se “Shumë ambasadorë si ai grek, të vendeve arabe, afrikane, latino-amerikane etj. na uruan suksese të mëdha në ndërtimin e Shqipërisë dhe jetë të gjatë udhëheqësit tonë, shokut Enver Hoxha”.
Më pas: “Na erdhën edhe disa telegrame dhe letra urimi, por më pak se vitin e kaluar dhe nuk patëm të tilla nga Kosova për arsyet që dihen”.
Ja edhe fjalia e fundit, tërësisht sipas gjuhës zyrtare dogmatike të kohës: “Qëllimi i pritjes u arrit”.
Por do të vinte shumë shpejt dhjetori dhe do të kuptohej se ballafaqimi i Shqipërisë me Jugosllavinë e pas Titos në tensionin përvëlues mes dy palëve do të digjte një kryeministër, hartuesin e operacionit “Shpërthimi”, i cili parashikonte edhe kundërmësymjen e armatës shqiptare deri në Prishtinë.
Mehmet Shehu nga Enver Hoxha do të akuzohej si agjent i shumëfishtë, mbi të gjitha i jugosllavëve. Çështje që do të mbetej enigmë deri tani, bashkë me pyetjen pa përgjigje “Cili vërtet në udhëheqjen e lartë të PPSH-së ishte njeriu i Beogradit?”
Ylli Polovina
Tiranë, më 11 nëntor 2015
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|