Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NĖ BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PĖR KOHĖN
”REPUBLIKA E SHTATĖ”
“AMBASADOR NĖ BALLKAN”
“LOTĖT E SORKADHES”, botimi i dytė
LOTĖT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

FESTA PËR TË SHTREMBËRUAR HISTORINË


(Botuar në gazetën “Shqip” më 4 dhjetor 2015)

Sërish pamë që në pikën e nxehtë të 28 dhe 29 nëntorit, edhe këtë vit, të njëzetë e pestin e pluralizmit, në sjelljen publike ndaj tyre shumë pak gjëra kanë bërë përpara. Ka lëvizur shoqëria shqiptare, madje hovshëm, por politika jo. Tepër e ngurrosur. Me sa duket nuk do.
Siç po lihet të kuptohet prej këtij modeli, e njëjta gjendje do të përsëritet në 8 dhe 12 dhjetor.
E para është ditë e shënjuar e Lëvizjes së Dhjetorit dhe e dyta ajo e themelimit të Partisë Demokratike, çfarë i hapi rrugë fillimit real të jetës shumëpartiake.
Bashkia e Tiranës i shkoi deri në fund shpalljes së saj kryeneçe për ta festuar me dy dyzina veprimtarish të posaçme, përfshi edhe një Natë të Bardhë dhe një këngëtar të huaj, vetëm 29 nëntorin. Për këtë gjest nuk kreu asnjë moderim, madje gjeti të udhës ta manipulojë inisiativën e saj të pastër ideologjike me gjoja Ditë pa Makina apo përdori aktivitete fëmijësh. Akt shumë i r]ndë ndërhyrjeje në histori.
Kësaj atmosfere iu shtua dijenia më e plotë publike për një listë të para një viti me medalje për kontributin në luftën antifashiste, hartuar nga Ministria e Mbrojtjes, ku disa emra përbënin kontrast demokratik të qartë me imazhin e lënë prej tyre gjatë gjysmëshekullit të para nëntëdhjetës.
Prania e kryeministrit Rama në Vlorë, në krah të Presidentit, veprim mjaft i qartë në nderim të 28 Nëntorit, nuk mundi gjithsesi të sjellë një baraspeshim në këtë qëndrim mosrespektues ndaj jo vetëm vlerës së parimeve, por mbi të gjitha edhe të kritereve historike.
Në rast se me rregullin e parë, atë moralin, dëshirojnë të jenë jo shumë të ndjeshëm (në fund të fundit pasojat bien personalisht mbi ta, në mos sot, ato nuk vonojnë nesër), të dytin rregull janë të detyruar ta zbatojnë, sepse rrjedhojat bien mbi të gjithë vendin, mbi mënyrën dhe shpresën e zhvillimit të tij.
Një histori kombëtare e shtrembëruar është një e ardhme po aq e deformuar.
Politikanët kanë një të drejtë të tyre ekskluzive: të jenë historibërës. Por i tejkalojnë të gjitha caqet e ndarjes të të drejtave demokratike, kur bëhen edhe historiregjistrues. Kur shpërndajnë “tapitë” e saj.
Pikërisht këtë ripamë në 28-29 nëntor jo vetëm në rastin e bashkisë së Tiranës (po ku qeveria nuk është aspak dorëjashtë), por edhe në çfarë veprimesh kreu opozita kryesore. Në mbështetje të domosdoshme të spikatjes së kryefestës kombëtare, 28 Nëntorit, ajo nuk sipërmori këtë ditë asnjë veprimtari të dukshme dhe gjurmëlënëse. E la në fatin e saj rutinë ose më saktë nën arrogancën e atyre që ditës historike të 29 Nëntorit, kësaj shpëtimtareje të sovranitetit territorial, duan t’i vënë në ballë edhe një shkëlqim që në kujtesën kombëtare nuk e ka: solli mohimin e demokracisë.
Opozita blu me në krye (të qartë edhe vizualisht), të dy prijësve të saj Berisha-Basha, në një rit thjesht protokollar dhe propagandistik, i nderoi në një ditë si Njëzetë e Tetën ashtu edhe Njëzetë e Nëntën. Pleksi bashkë ditën e pavarësisë dhe atë të çlirimit.
Ka një çerek shekulli që po e kryen këtë gabim dhe nuk do të prapset. Mbase një grupi brenda saj do t’i pëlqente që 29 Nëntori të fshihej nga lista e ditëve të veçanta dhe shumë të rëndësishme të historisë tonë, por ajo është në dijeni të një “sekreti” për të cilin nuk bën fjalë ta marrin vesh të thjeshtët e partisë: po qe se Shqipëria e qeverisur prej të kaltërve do ta kryente këtë veprim, do të qenë ata të përjashtuar menjëherë e madje të fshirë krejtësisht prej të gjitha listave të njohjes dhe të bashkëpunimit me vendet demokratike e të zhvilluara të Perëndimit.
Prandaj, ndërsa u hanë duart që në një kompensim përfitimi votash prej atyre mbështetësve jo të paktë që u vijnë prej një të kaluare bashkëpunuese me dy pushtuesit fashistë, për ta “humbur” ditëçlirimin, e hedhin atë tek njëzetë e katër orët e vyera dhe madhështore të 28 Nëntorit.
Historishkruesit që u angazhuan në mbështetjen e kësaj teze politike gjetën disa fakte dhe ndihen akoma të ngazëllyer se kanë bërë një punë të mençur, siç po ashtu ndihen fitimtarë të pathyer ata kolegë të tyre që risollën, në përkrahje të 29 Nëntorit, akoma edhe më shumë prova. Mënjanë të angazhuarve edhe për pasion politik, në dëshmi se janë dy data historike të ndara, ka një kontribut mjaft profesional Ana Lalaj. Në librin e saj afro 450 faqesh, të botuar një vit më parë, “Dosjet e luftës”, historiania ka të përfshirë edhe një studim të pakundërshtueshëm, me përmasat e një libri me vete. Quhet “Dilema e çlirimit”.
Në të vërtetë strehimi i Njëzetë e Nëntë Nëntorit tek Njëzetë e Teta ka qenë projekti fillestar i Enver Hoxhës dhe i PKSH-së. E mbajtën në këtë status deri sa e ndërruan, nëpërmjet një sjelljeje servile ndaj të porsashpallurës në Jugosllavi 28 nëntor, si dita e republikës së re komuniste të saj. Viti 1946 njihet si moti i triumfit në pushtetin qeverisës të Tiranës të sjelljes nënshtruese ndaj Beogradit. Qe viti apogje i Koçi Xoxes dhe i grupit të gjithfuqishëm të jugosllavistëve, të cilët, që ta bënin Shqipërinë republikë të shtatë, jo vetëm nxitën dëbimin e anglo-amerikanëve, por bënin presion të vazhdueshëm të largonin edhe këshilltarët sovjetikë.
Futja brenda njëra-tjetrës i dy datave historike, gjithnjë si një marifet politik për të nënvleftësuar dhe mohuar njërën prej tyre, po ngjan me 8 dhe 12 dhjetorin. Në vitin 1990 e para shënonte protestën studentore për rrëzimin e diktaturës, e cila në pak orë u shndërrua në Lëvizje Demokratike dhe që në ditët e para u regjistrua në kujtesën kombëtare si Lëvizja e Dhjetorit (një revolucion i vërtetë i trëndafiltë, i denjë po aq sa edhe ai i shumënjohur në kontinent, ai çek).
E dyta regjistron themelimin dhe shpalljen publike të Partisë Demokratike, e cila ishte fryti i parë kryesor i kësaj Lëvizjeje, por jo gjithçka ajo.
PD u krijua një ditë më pas nga çasti i lejimit politik prej partisë së vetme në pushtet, PPSH, i pluralizmit partiak. Partia Demokratike, për shkak të shumë rrethanave, nuk ka asnjë orë të jetës së saj në ilegalitetin e diktaturës. Por ndërsa ka ngjarë kjo, pra që ishte PPSH e cila nga zori lejoi shumëpartitizmin, ishte Lëvizja e Dhjetorit ajo që e shtrëngoi atë të pranonte fundin e monizmit të saj.
Fryma e protestës publike dhe formatimi i kësaj Lëvizjeje, e cila lindi dhe u rrit nën diktaturë dhe në rrethana mungese lirie iu imponua asaj, qe me jetë shumë muaj më parë nga 8 dhjetori, të paktën që në fillim verë 1990, me hyrjen masive në Tiranë nëpër ambasadat e huaja të Perëndimit.
PD nuk ishte kur qe ajo, prandaj 12 Dhjetori nuk ka pse e pronëson, e njëjtëson veten me të. Për hir të së vërtetës historike ajo duhet të qendrojë larg kësaj ndërhyrjeje.
Tetë Dhjetori është kryefestë për të gjithë. Për fat të keq mjaft pak bëhet për ta veçuar dhe gëzuar si dita më e shënuar e shqiptarëve pas 28 Nëntorit 1912. Ka ende shumë prej atyre që këtë ditë qenë në pushtet dhe “u ka mbetur hatri”.
Njëzetë e Nënta e tyre vjen pas 8 Dhjetorit.
Përveç gjakut të derdhur, e cila e bën 29 Nëntorin ditën më mirënjohëse ndaj të rënëve vetëdijshëm për çlirim dhe liri të atdheut në të gjithë historinë tonë.

Ylli Polovina

Tiranë, më 3 dhjetor 2015

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com