|
Foto: .jpg | FANTAZMA E MEHMET SHEHUT NË AMBASADËN JUGOSLLAVE
(Botuar në gazetën “Shqiptarja.com” në 15 nëntor 2015)
Pas demonstratave studentore të Universitetit të Prishtinës në mars 1981 dhe më pas, në prill, përhapur në të gjithë krahinën dhe në tërë shtresat e popullit, kur panë që Shqipëria nuk mbajti qëndrim neutralizues, por u bashkua me kërkesat e manifestuesve, mes të cilave (dhe më kryesorja) qe Kosovës t’i jepej statusi i republikës brenda Federatës Jugosllave, krahu radikal i Beogradit vuri në lëvizje “asin” e rrugëdaljes prej situatave të vështira: ministrin e Brendshëm Franjo Herleviç.
Rankoviçian në traditën e tij politike dhe po ashtu në identitetin profesional dhe psikologjinë e vet, ai kreu llojin e zgjidhjes së gjendjes nëpërmjet “hedhjes së patates së nxehtë”. Tensionin e brendshëm të krijuar me shqiptarët e Kosovës dhe shqetësimin e një pjese të madhe të opinionit ndërkombëtar se ndaj protestuesve autoritetet e Beogradit patën tejkaluar dukshëm të drejtën e shtypjes së tyre, e transferoi në Tiranë.
Njerëz të shërbimit të tij, por të kamufluar si diplomatë, në 23 maj 1981, pra në një çast ende mjaft të përshtatshëm për ta çkoklavitur me mjete të buta përplasjen dymujore të shtetit të tij me masën e protestuesve shqiptarë, në orën 21 e 17 minuta shpërthyen në tarracën e kuzhinës së ambasadës jugosllave në Tiranë dy masa (llokume) dinamiti.
Veprimi u krye pa dijeninë e ambasadorit Branko Komatina, sepse në Sekretariatin e Punëve të Jashtme të Jugosllavisë (Ministrinë e Jashtme), edhe pse në përbërje personeli ishte me shumicë serbe, nuk qenë aq fort për zgjidhjen e konfliktit me mënyra të sforcuara, afatshkurtra, të cilat shumë shpejt shkaktonin bumerang.
Komatina i paditur dhe i sigurt që shpërthimi ishte kryer prej njerëzve të vënë nga qeveria e Tiranës ose së paku prej individësh apo ndonjë grupi ultranacionalist kundërshtarë ideologjikë të komunizmit, por që për çështjen e Kosovës në mos ishin bashkuar, të paktën pa bërë ndonjë marrëveshje kokë më kokë, vepronin të harmonizuar me pushtetin bolshevik të Enver Hoxhës, protestoi energjikisht pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë.
Mjetin plasës ai e quajti bombë, një formulim sipas rekomandimit që i patën bërë nga qendra. “Bombë në ambasadën jugosllave në Tiranë” qe një titull i lakmueshëm për faqet e para të gazetave të kontinentit, siç edhe realisht ndodhi. Lajmi “me bombë” u përhap shumë shpejt. Beogradi ishte një qytet ku media evropiane rrinte sy e vesh.
Branko Komatina nguli këmbë për variantin “bombë”, por nuk i refuzoi, megjithatë, që krahas ekspertëve të ardhur prej vendit të tij të ndodheshin edhe ata të caktuar nga Tirana.
Këta të fundit konstatuan se nga plasja qe shkaktuar gërvishtje në përmasën 1 cm e asfaltit të çatisë si edhe rënien e një cope të vogël të suvasë së kuzhinës. Kuzhina ishte brenda oborrit plot 14 metra larg murit rrethues të ambasadës. Ky i fundit qe i lartë dy metra. Duke qenë se në të dyja anët e godinës së ambasadës jugosllave qëndronin dy roja policë dhe këta nuk kishin parë asnjë lëvizje në rrugë, u kuptua se shpërthimi ishte krijuar nga brenda.
Pas kësaj Tirana organizoi një sulm propagandistik agresiv për ta bërë të dukshme në opinionin ndërkombëtar se në përfaqësinë diplomatike jugosllave ishte shkaktuar një autobombë. Qe agjencia e lajmeve Reuter që në 29 maj e mori nga kryeqyteti shqiptar dhe e shpërndau nëpër Evropë dhe botë. Pasi e kishte siguruar lajmin prej korrespodentit të saj në Vjenë, njoftimin se nënministri i Jashtëm Reiz Malile një ditë më parë e kishte thirrur ambasadorin Branko Komatina dhe i pati deklaruar se nuk qe shteti i tij që e kishte vënë eksplozivin, në datën 30 e botoi edhe “News York Times”.
Kështu në qershor efekti i “bombës” së tipit Herleviç ishte
kthyer në pikën zero. Gjithsesi grupi radikal në Beograd kaloi në zbatimin e masave të tjera të stilit ngacmues, por efekti bumerang i ngjarjes së 23 majit filloi të shndërrohej në sindromë.
Qe ankthi i përdorimit të shpërthyesve në ambasada: përderisa jugoserbët e kishin bërë këtë ndaj shqiptarëve përse edhe këta të fundit të mos ia kthenin me të njëjtën monedhë?
Kabina e milicit jugosllav para ambasadës shqiptare në Beograd
Ndërsa në 1 nëntor në Tiranë filloi punimet Kongresi i Tetë i Partisë së Punës të Shqipërisë dhe në presidium, ndryshe nga e gjithë udhëheqja komuniste e veshur me ngjyra të çelura, rrinte fytyrëngrysur me kostum fare të zi Mehmet Shehu, në 6 nëntor mbërriti në Ministrinë e Punëve të Jashtme një telegram i dërguar prej ambasadës tonë në Beograd.
Radiogrami i shifruar kishte numrin 2986.
Njoftonte se autoritete të një niveli të rëndësishëm dhe me këtë nënkuptonin Sekretariatin e Punëve të Jashtme, “me porosi nga lart”, u kishin thënë se “përpara ndërtesës së përfaqësisë sonë do të vendoset një kabinë e përhershme për milicin që do të bëjë roje 24 orëshe”.
Shpjegonte se këtë propozim “e kanë motivuar me frazën “për të parandaluar ndonjë akt të mundshëm kundër ambasadës”.
Radiogrami, pasi vinte në dukje se autoriteti jugosllav i nivelit të të rëndësishëm u qe lutur që t’i jepej përgjigje nëse ishin dakord për këtë, saktësonte se ky, kur e pati parashtruar problemin e mësipërm, kishte thënë tekstualisht “...Nuk dëshirojmë që ngjarje të vogla të bëhen shkak për acarimin e marrëdhënieve midis dy vendeve, për të cilat ne jemi të interesuar që t’i zhvillojmë normalisht”.
Radiogrami i shifruar i ardhur nga ambasada në Beograd më tej arsyetonte: “Deri tani jugosllavët nuk kanë vënë roje para përfaqësisë tonë dhe një gjë të tillë e kërkojnë për herë të parë. Sigurisht motivet e shpjeguara prej tyre nuk janë gjithçka, ata duan ta kenë nën mbikqyrje të vazhdueshme ambasadën tonë dhe në mënyrë të hapur për të penguar vajtjen e shqiptarëve në ambasadë”.
Pastaj: “Nuk përjashtohet që pas kësaj çështjeje jugosllavët të fshehin edhe ndonjë paramendim tjetër për të organizuar ata vetë ndonjë veprim provokativ ndaj ambasadës, po qe se nga ana jonë nuk pranohet vendosja e kabinës në kushtet që ata vënë”.
Ndërkaq dy ditë më pas, në 8 nëntor, në përvjetorin e themelimit, PPSH përfundoi punimet e Kongresit të Tetë të saj. Tashmë për asnjë nga delegatët nuk ishte më sekret se Mehmet Shehu nuk i kishte punët mirë. Enver Hoxha e pati vënë në shenjë.
Gjendjen e këtyre marrëdhënieve e ndiqte nga afër edhe ambasada jugosllave në Tiranë. Këtë kohë ambasadori Branko Komatina qe thirrur të kthehej në atdhe dhe në vend të tij ishte emëruar si i Ngarkuar me Punë a. i. këshilltari Spasoje Tuniq.
Në javën e parë të dhjetorit 1981, pa pritur miratimin e Tiranës, qëndrim që po vononte, para godinës së ambasadës shqiptare në Beograd u vendos kabina e milicit roje. Deri atë çast kjo përfaqësi diplomatike nuk pati pasur asnjëherë roje.
Shfaqja e milicit roje qe një nga efektet bumerang të lojës provokuese të vetëshpërthimit në ambasadën jugosllave në Tiranë në 23 maj.
Në javën e dytë të dhjetorit Sekretariati i Punëve të Jashtme të Jugosllavisë e përsëriti edhe njëherë tjetër kërkesën e tij që pala shqiptare të mbështeste masën garantuese të sigurisë që patën sipërmarrë dhe me këtë rast, sipas një rregulli që e kishin për të tëra ambasadat e huaja, ambasada t’i përballonte policit roje shpenzimet e energjisë elektrike për ngrohje dhe ndriçim.
Ambasadori shqiptar në Beograd Sokrat Plaka mori nga udhëheqja e tij në Ministri se ishin dakord për t’i kryer këto shpenzime, por kërkonin që kjo të ndodhte edhe me policin shqiptar në hyrje të ambasadës jugosllave në Tiranë. Deri atëherë pagesat për ngrohjen dhe ndriçimin e asaj kabine kryheshin prej autoriteteve vendase.
Tre telefonata të ngutshme nga ambasada jugosllave në Tiranë
Në 15 dhjetor 1981 në orën 21.02 punonjësin në gatishmëri njëzetë e katër orëshe në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Refat Kasimati, e morën në telefon nga ambasada jugosllave.
Personi fliste shqip.
Tha se i Ngarkuari e tyre me Punë a.i. kërkonte të takohej menjëherë “me shokun Justin Papajorgji për disa gjëra që kanë ndodhur përreth ambasadës tonë”.
E kishte zërin jo të qetë dhe Refat Kasimati kuptoi se diçka pati ndodhur me të vërtetë në mjediset e afërta të përfaqësisë diplomatike të Jugosllavisë. Ishte mjaft e freskët në kujtesë loja që kjo ambasadë pati kryer me vetëplasjen në terracën e kuzhinës së tyre.
I ktheu përgjigjen “Po interesohem dhe do t’ju njoftoj”.
Njoftoi menjëherë Justin Papajorgjin, i cili qe drejtori i Drejtorisë së Ballkanit. Ky telefonoi Ministrinë e Brendshme dhe pyeti mos prej rojeve të tyre apo nga çdo informacion tjetër kishin marrë ndonjë të dhënë nëse përreth ambasadës jugosllave qe shfaqur ndonjë shqetësim. Këta iu përgjigjën se atje mbizotëronte qetësi e plotë.
Në rrethana të tilla për ta pritur në atë orë të natës diplomatin e parë të Jugosllavisë në Tiranë, ndërkohë që nga ambasada nuk po u shpjegohej se për çfarë arsye konkrete shefi i saj po i kërkonte takim nëpër natë, Juzstin Papajorgji gjykoi se hë për hë le të prisnin edhe ca. Mbase ndodheshin para një provokacioni të ri. Spasoje kishte qenë këshilltari politik i Branko Komatinës dhe pas ngjarjes së 23 majit nuk ishte sjellë shumë mirëkuptues.
Punonjësi jugosllav që fliste shqip, rimori në telefon në 21.55. Tha: “Kemi kërkuar takim me shokun Justin Papajorgji dhe nuk kemi marrë përgjigje”.
Refat Kasimati: “Po e kërkojmë, por nuk ndodhet në shtëpi”.
Jugosllavi i ambasadës: “Çështja është urgjente dhe duhet të shpejtuar”.
Kasimati: “Me ta gjetur do t’ju njoftoj, prandaj të lutem mos u shqetësoni!”
Shqipfolësi i ambasadës jugosllave telefonoi sërish në orën 22.25. Përsëriti çfarë edhe në dy herët e mëparshme pati kërkuar. Refat Kasimati i ktheu përgjigjen se ende shokun Justin Papajorgji nuk e patën gjetur, ndodhej ende jashtë shtëpisë.
Jugosllavi bëri një pauzë si të qe pragu i pyetjes “Si është e mundur që një drejtor i rëndësishëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë për pothuaj një orë e gjysmë nuk e gjendej dot?”
“Mos u shqetësoni, përsëriti i qetë Kasimati, do ta gjejmë patjetër e do t’ju kthejmë një përgjigje”.
Atëherë jugosllavi u dorëzua dhe më në fund nisi të sqarojë arsyen përse u duhej ai takim urgjent nëpër natë: “Shkruaj sa më poshtë!”, tha. Dhe vijoi: “Shkak i kërkesës është se në njërin rulot të dritares së ambasadës tonë është vendosur një metal që është diçka që mund të jetë eksploziv. Me qenë se është vendosur në anën e jashtme të dritares, heqja e saj duhet të bëhet me shpenzimet tuaja”.
Ishte histori me bombë.
Refat Kasimati e vuri menjëherë në dijeni Justin Papajorgjin, i cili tashmë kishte mbërritur në Ministri dhe po priste zhvillimin e mëtejshëm të ngjarjes së papritur të ardhur prej ambasadës jugosllave. Ajo i kishte të gjitha shenjat të bëhej një provokacion i ngjashëm me atë të 23 majit.
Këtë herë Papajorgjit eprorët i thanë se si përgjegjës i drejtorisë së Ballkanit, pra i një drejtorie politike, qe më mirë të qëndronte formalisht jashtë kësaj ngjarje, pra të ishte “ende akoma i pakthyer në shtëpi”. Takimin me Spasoje Tuniqin ta kryente një drejtor jo politik, Jovan Antoni, i cili në Ministrinë e Punëve të Jashtme ishte shefi i Protokollit të Shtetit.
Ndërkaq Antoni pati mbërritur në godinën e ministrisë dhe folësit shqip të ambasadës jugosllave i qe kthyer përgjigja se të Ngarkuarin me Punë a.i. ishin gati ta prisnin menjëherë.
Spasoje Tuniqi u takua me Jovan Antonin në orën 23.00.
Diplomati jugosllav: “Sot në orën 18.40 punonjësit që rrinin në kancelerinë e ambasadës, dëgjuan një krismë nga jashtë në grilat e dritares në anën e rrugës së ambasadës. Në fillim ata menduan se krisma do të jetë shkaktuar nga zhvendosja e grilës me qenë se ato janë vënë të reja këto ditë, megjithatë dolën jashtë dhe konstatuan se në grilën plastike të penxheres ishte vendosur një gjë metalike me një madhësi të rrumbullakët sa një 5 qindarkëshe. Sigurisht ajo duhet të jetë e mprehtë nga ana e brendshme përderisa është ngjitur në grilë. Ne e fotografuam por nuk dimë se çfarë mund të jetë ajo. Mundësisht të shikohet nga ana e ekspertëve”.
Më pas vijoi: “Mund të shihet nga ju, sepse mund të jetë edhe eksploziv. Ne jemi vende fqinje dhe nuk është mirë të ndodhin gjëra të tilla”.
Po ashtu Spasoje Tuniq këmbënguli: “Edhe njëherë e përsëris që mundësisht të vijnë ekspertët tuaj sa më shpejt. Ne jemi gati t’i pranojmë”.
Jovan Antoni iu përgjigj: “Porsa bëtë njoftimin e parë lidhur me këtë çështje ne morëm kontakt me organet kompetente, të cilat na thanë se ambasada jugosllave është e siguruar mirë me roje dhe nuk është parë asgjë nga jashtë. Por me që ju kërkoni, ne po vimë në vend me ekpertët që ta shikojmë çështjen”.
Tuniq ra dakord me dërgimin në vend të ekspertëve, çfarë u krye në pasmesnatë dhe objekti me madhësinë e një pesëqindarkëshe nuk ishte as eksploziv dhe as regjistrues. Qe thjesht një mbeturinë metalike e rëndomtë.
Kishte gdhirë 16 dhjetori 1981. Pa asnjë incident me ambasadën e Jugosllavisë, e cila për t’u shpaguar me demonstratat e popullsisë shqiptare të Kosovës që kërkonin për krahinën e tyre statusin e republikës brenda federatës dhe po ashtu për t’u hakmarrë për mbrojtjen që Shqipëria u bëri këtyre protestave, pati bërë gjithçka që në Tiranë të mos kishte qetësi.
“Shpërthimi” i pandodhur
Njëzetë e katër orë më pas, në pasditen e 17 dhjetorit nisi mbledhja e posaçme e Byrosë Politike të PPSH-së për të shqyrtuar gabimet e rënda politike të Mehmet Shehut. Në mbrëmjen e vonë të saj kryeministri vrau veten.
Enver Hoxha do ta denonconte më pas, mes të tjerash, edhe si agjent jugosllav.
Ndoshta shpirti i tij që do të akuzohej kaq rëndë, ende i padalë nga trupi, e gërvishte me zhurrmë grilën e ambasadës jugoserbe dy netë më parë.
Njerëzve të saj u dukej si të ishte pragu i një shpërthimi, këtë herë të vërtetë, të bërë nga kryeministri shqiptar. Pak muaj më parë, menjëherë pas demonstratave, me porosi të Enver Hoxhës Mehmet Shehu pati drejtuar në sekretin më të madh përgatitjen e një operacioni të quajtur “Shpërthimi”, sipas të cilit, në rast se armata jugosllave e sulmonte Shqipërinë, në veprimet kundërsulmuese të ushtrisë tonë parashikohej edhe vajtja deri në Prishtinë, pra edhe çlirimi i Kosovës.
Enver Hoxha ia kishte vlerësuar shumë këtë punë, por një ditë, ndërsa po hynte shtatori, pati urdhëruar asgjësimin e çdo materiali për këtë projekt, duke porositur ruajtjen vetëm të një kopjeje të hartës luftarake dhe të disa shënimeve plotësuese.
Dy oficerëve shumë të lartë të ushtrisë shqiptare, të cilët do të kryenin në shumë fshehtësi asgjësimin me procesverbal të operacionit të planizuar “Shpërthimi”, me një shqetësim dhe nervozizëm të dukshëm Mehmet Shehu u kishte thënë: “Hajdeni më pështyni në varr nëse nuk do të vijë dita që ky plan të mos ju duhet përsëri!”
Shënimi i Reiz Maliles
Në 24 dhjetor 1981, nënministri i Jashtëm Reiz Malile shënoi në fund të një radiogrami të mbërritur nga ambasada shqiptare në Beograd, i cili shtronte edhe njëherë tjetër si duhej të vepronin në lidhje me kabinën e milicit jugosllav dhe përballimin e shpenzimeve të energjisë elektrike për ngrohje dhe ndriçim, që kërkesa e Sekretariatit të Punëve të Jashtme të Jugosllavisë të pranohej sipas kushteve të tyre dhe rreth kësaj çështjeje tani për tani të mos ngrihej asnjë problem.
Ylli Polovina
Tiranë, më 13 nëntor 2015
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|