|
VRASJA E LEJLEKUT
Historia e një të burgosuri politik 15 vjeç
(Pjesa e parë)
(Botuar në gazetën “Shqip” më 25 tetor 2015)
Kur u çlirua Shqipëria bashkë me familjen e vet jetonte në Tiranë dhe ishte në klasën e tretë fillore. Po i afrohej moshës së nëntë vjetëve, sepse pati lindur në Vlorë në 28 janar 1936. Kaq i vogël sa qe, nuk mund të gjykonte se çfarë realisht po ndodhte ato çaste. Pushtetarët e rinj bënë në kryeqytet, nën fluturimin dhe përshendetjen e disa bombarduesve anglo-amerikanë, një parakalim të madh dhe thoshin se në Berat, në një mbledhje të tyre, patën shpallur një lloj Karte e të Drejtave të Njeriut dhe ngritur një Qeveri Demokratike.
Thjesht për moshën e vogël po ashtu nuk mund të ishte i qartësuar pse qe vendosur nga fuqitë e mëdha fitimtare të Luftës së Dytë Botërore që Shqipëria t’i kalonte nën ndikim Bashkimit Sovjetik dhe “Mustaqes”, siç me këtë nofkë atë kohë i thoshin Stalinit dhe jo “Çibukut”, siç thërritej Çurçilli.
Ky moshë-vogël dhe trupimtë quhej Reshat dhe ishte njëri nga shtatë fëmijët e Qazim Kripës. Mbiemrin e kishin nofkë. Gjyshi i tyre, Hamdiu, pati qenë për një kohë shumë të gjatë (katër dekada) drejtor i Kripores në Vlorë dhe aq fort peshë dhe autoritet pati pasur ky fakt saqë njerëzit, kur e citonin, i binin shkurt: Hamdiu i Kripës.
Kur qe dy vjeç e gjysmë Reshati për pak sa nuk kishte vdekur. Në korrik 1938 qenë me pushime familjarisht në vilën e plazhit, kur një pasdite, ndërsa gjyshi dhe gjyshja qëndronin në verandën duke pirë kafe, i shpëtoi kontrollit të prindërve dhe u nis për tek deti. Ai kishte valë të mëdha, të cilat i hidhte me shkulm drejt bregut.
Vocraku u ndal në buzë të ujit, vështrimi iu përpi nëpër trazimin e dallgëve dhe nuk ndjeu se ato po ia lagnin këmbët njomzake. Njëra prej tyre krejt befas u përplas me forcë mbi trupin e tij, por ai, ende në këmbë, i parrëzuar, qeshi nga kënaqësia që mbi vrullin e saj doli fitimtar. Bëri dy hapa përpara, tani për ta sfiduar me të vërtetë detin. Një dallgë tjetër, më e madhe, e goditi, e shkundi fort dhe e rrëzoi. Pastaj e gëlltiti brenda masës së shkumbëzuar të ujit.
Po mbytej, jeta e tij qe në fill sekondash.
Fati iu shfaq në formën e një karrocieri, të cilin vlonjatët e thërritni “Zdrypni“, sepse ishte me origjinë nga veriu dhe kur mbërrinte në stacionin e Skelës thoshte gjithmonë “zdrypni, zdrypni!” Sillte në plazh pushuesit. Ai e pa vogëlushin që po mbytej, u hodh në det dhe e ngriti vetëtimshëm. U mblodh tërë plazhi. I nxorrën ujin që kishte pirë dhe e përmendën.
Reshat Kripa shkruan (sepse Reshat Kripa vitet e fundit ka botuar edhe disa libra): “Pas disa ditësh kaloi andej një arixhofkë, nga ato që parashikonin fatin. Nëna e pyeti për të ardhmen time dhe ajo, pasi mori një fije nga flokët e mi, tha: “Djali do të kalojë një rini të rëndë, një burrëri të vështirë dhe një pleqëri të qetë”.
Për PKSH ishte borgjez, edhe pse vetëm dhjetë vjeç
Babai i këtij imcaku në moshë dhe në shtat që i kishte shpëtuar njëherë vdekjes, gjashtë vjet shkollë të mesme i pati përfunduar në Selanik. Këtu bashkë me të qe edhe Avni Rustemi, të cilit i lutej të mos merrej me politikë se prej saj kishte për të ngrënë kokën. Pas shkollimit në Selanik Qazim Kripa kreu dy vite studimi në kolegjin “Robert College“ të Stambollit.
Në 1920 u martua me Myneveren, bijën e Mehmet Radhimës, një avokat i njohur i asaj kohe, ish-drejtor dogane në Vlorë në motet 1913–1914. Banesën prindërore Qazimi e kishte patur tek Kriporja, por vitin e dasmës përfundoi ndërtimin e një shtëpie të re dykatëshe”. “Ndërsa në vitin 1929, shkruan në kujtimet e tij Reshati, ndërtoi një fabrikë për prodhimin e vajit të ullirit. Ndërtoi edhe një dyqan të madh ku tregëtonte vajin...Në vitin 1936, së bashku me të vëllezërit, përfunduan së ndërtuari një vilë tjetër në plazhin e Vlorës, si dhe një shtëpi verore prej druri në Llogora. Ndërsa në vitin 1941 blenë një truall në Lagjen e Re, ku filluan ndërtimin e një fabrike të re vaji, më të madhe dhe më moderne se e para”.
I pasionuar pas veprimtarisë së bisnesit Qazimi ishte tërësisht indiferent ndaj politikës dhe çdo posti që të jepte ajo. Nuk e kishte kursyer këtë qëndrim edhe kur u shpall Pavarësia dhe qeveria e Ismail Qemalit i ofroi disa nëpunësi.
Çifti Qazim-Mynevere lindi katër vajza dhe tre djem. Fëmijës së parë, e cila qe vajzë, i vunë emrin kuptimplotë Liria. Të tjerëve: Drita, Agim dhe Besnik. Për tre të tjerët u përdorën kujtime të shtrenjta të së shkuarës familjare: Qamile, Fatushe dhe Reshat.
Në skaj të viteve tridhjetë hapën një dyqan për tregtim vaji në Tiranë, ku edhe u vendosën familjarisht në një banesë me qera tek Rruga e Kavajës, karshi Radio-Tiranës. Pas një bombardimi të aleatëve antifashistë kundër aerodromit ushtarak italian shkuan në një vend më të sigurt, tek lagjia me emrin “Pazari”, në katin e dytë të vilës së një mjeku të njohur të kryeqytetit.
Vitet e luftës i ndanë shqiptarët në kahe të ndryshme, madje edhe politikisht kundërshtare, por tek familja Kripa kjo nuk ndodhi. Asnjë prej tyre nuk u lidh me Ballin Kombëtar apo me Legalitetin. Drita dhe Fatushja, nxënëse tek “Nëna Mbretëreshë”, u aktivizuan me grupet ilegale të drejtuara nga Fronti Nacionalçlirimtar. Shkruan Reshat Kripa: “Po ashtu dy djemtë e hallës, Bardhyli dhe Petriti, kishin qenë partizanë. Dajo Nuriu dhe teze Zyhraja gjithashtu. Sinan Gjoni dhe Shyqyri Alimerkua, që më vonë u shpall hero, dy nga komunistët e parë të qytetit të Vlorës, ishin kushërinjtë e parë të nënës”.
Gjatë vitit 1945 familja Kripa ndihej e sigurt se pushteti i ri, i cili po i shpërsonte qëndrimet ndaj mospajtuesve me të, nuk i konsideronte shenjë goditjeje. Ndërsa Drita qe martuar me këngëtarin bariton Hysen Pelingu, një veprimtar i njohur i Lëvizjes Nacionalçlirimtare, tashmë pjesëmarrës në Filarmoninë e Shtetit, u punësua në Teatrin e Shtetit, duke u bërë njëra prej themeluesve të tij. Ndërkaq Liria qe kthyer në Tiranë, sepse i shoqi ishte emëruar në Bankën Kombëtare të Shtetit. Motra tjetër, Qamilja, qe fejuar me Muharem Çoratin nga Libohova, bërë zëvendësministër i Industrisë dhe i Minierave.
As në rrethin e saj më të afërt Familja Kripa nuk kishte ndonjë të arratisur jashtë shtetit apo ilegal në male.
Në mes të majit 1946 Reshat dhjetëvjeçar pa mbi tavolinën e shtëpisë, sjellë prej të atit, gazetën “Bashkimi”. Në faqen e parë qe një dekret i Presidiumit të Kuvendit Popullor, sipas të cilit shtetëzoheshin pa asnjë shpërblim të gjitha fabrikat e vajit. Në mënyrë të vetëtimtë kuptoi se tani do të humbnin tërë pronën e tyre të vënë me punë të ndershme sipërmarrjeje.
Për herë të parë ndjeu mbi vete peshën e fjalës “borgjez”.
Ai me kostum blu është Bahri Omari!
Për herë të parë e kishte dëgjuar atë fjalë, “borgjez”, kur u bë Gjyqi Special. Qe, me një bashkëmoshatar, ai edhe ai tjetri vetëm nëntë vjeç, mes grumbullit të kuriozëve jashtë godinës kinema të shndërruar në gjykatore. Kur ata që do të dënoheshin, i zbrisnin nga makinat e burgut dhe i futnin në sallë, njerëzia më shumë i kishin ngulur sytë tek kunati i Enver Hoxhës, Bahri Omari. “Po pushkatoi atë, ka për t’i bërë kërmë të tjerët” thoshin ata, duke shtuar njëkohësisht se ai do të vritej pikërisht që të pranohej vrasja në masë e të tjerëve.
Ishte e lehtë ta identifikoje me sy Bahri Omarin: qe i veshur me një kostum blu.
Përreth ndërtesës-gjykatore mbështetës së Partisë Komuniste, kapur dore për dore, vallzonin dhe këndonin: “Përpara në luftë, përpara, urra, urra!/ Ndër barrikadat proletare urra, urra!/Rendin borgjez do ta shkatërrojmë!”... “Mbi kufomat e tradhtarëve do marshojmë!”
Borgjez, tradhtar...Këto dy fjalë iu ngulën në tru si të qenë gozhdë.
Pas shtetëzimit të fabrikës së vajit në Vlorë si edhe të godinës së fabrikës së dytë po aty, e cila qe ende në ndërtim (me muret e vetëm katit të parë), po ashtu edhe shlyerjes së detyrimit të një tatimi të jashtëzakonshëm, nga Ministria e Brendshme në fundtetor të të njëjtit vit, 1946, mbërriti urdhri që brenda dhjetë ditësh familja Kripa duhej të largohej nga Tirana për t’u rikthyer në Vlorë.
U dërguan edhe kamionin. Qe një “Trentaquattro”.
Udhëtimi zgjati pothuaj tetë orë. Rrugët dhe urat qenë ende të shkatërruara dhe në çdo hyrje dhe dalje qyteti postblloqe të policisë kontrollonin pa rreshtur dokumentet e udhëtarëve.
Në Vlorë katin përdhes të shtëpisë së tyre këshilli i lagjes ia kishte dhënë një familjeje nga Tragjasi. Ata u sistemuan në katin e sipërm. Qazimin e punësuan si teknik në ish-fabrikën e tij. Në nëntor Reshati filloi klasën e gjashtë tek shkolla shtatëvjeçare “Naim Frashëri”.
Në një nga ditët e zakonshme në koridor, tek “Gazeta e Murit”, gjeti një karikaturë të pamjes së tij. Poshtë nxinin me laps të trashë fjalët “Poshtë borgjezia!” Në mbrëmje thuri poezinë e tij të parë. Qenë pesë strofa. Titulli ish “BORGJEZ…!?” Disa nga vargjet: “Pse ky term po më përndjek?/Jam i vogël, jam fëmi,/Kudo shkoj para e gjej,/Si demon prapa më rri./E dëgjoj kudo në shkollë,/Dhe nga njerëzit në rrugë,/Më tmerron, fikson në kokë,/Një mendim që s’dua unë./Pse s’e lini botën time,/Botën time shpirtërore,/Po e ndrydhni me fiksime,/Më prishni ëndrrat rinore?/Lermëni të ëndërroj,/Të këndoj si zog i lirë,/Jetën time ta ndërtoj,/Më të bukur, më të mirë./Porse termi më përndjek,/Që nga mbrëmja në mëngjes,/Dhe në gjumë më thërret,/Ti s’je yni, je borgjez…..!?”
Shkruan në kujtimet e tij Reshat Kripa: “Ishte vetë shteti që po na hidhte në kampin kundërshtar. Po na bënte armiq të tij pa dëshirën tonë”.
Një porosi e Stalinit për Enver Hoxhën
Në 23 mars 1949 Enver Hoxha u takua në Moskë me Josif Visianoroviç Stalinin. Ky, mes të tjerash, i tha: “Në vendet e demokracisë popullore, borgjezia kombëtare është e njollosur me lidhjet e saj me pushtuesit gjermanë dhe italianë. Prandaj kur ushtria sovjetike hyri në këto vende, borgjezia ia mbathi me gjermanët. Në territorin e Shqipërisë nuk pati as ushtri sovjetike dhe as ushtri jugosllave. Prandaj dikush nga borgjezia kombëtare ka mbetur, në qoftë se shokët shqiptarë nuk e kanë likuiduar”.
Pastaj: “Të përçmosh një borgjezi të tillë, që është për pavarësinë e vendit, nuk është gjë e mirë”.
Pak minuta më vonë Stalini mëshoi fjalët: “Në qoftë se do të ketë në Shqipëri kapitalistë të vegjël, që do të hapin ndërmarrje të vogla, dyqane apo punishte, atëherë u duhet dhënë atyre patenta, t\'u vendosen taksa, por atyre u duhet krijuar mundësia të merren me tregti dhe veprimtari industriale gjersa të forcohet ekonomia e Shqipërisë. Kur kjo gjë të realizohet, atëherë do të krijohet një situatë tjetër dhe mund të dalë përsëri çështja e borgjezisë”.
Por në 23 mars 1949 Stalini, megjithëse në atdheun e vet kishte bërë kërdi të brendshme, ka menduar se në takimin që bëri me Enver Hoxhën, ky porosinë e tij për një taktikë të kujdeshme ndaj borgjezisë kombëtare, sapo të rikthehej në Tiranë, do ta vinte në jetë.
Gabohej. PKSH e kishte shfarrosur brenda vitit 1946 të gjithë atë shtresë dhe kush shpëtoi nga progromi i parë, u zerua në 1947. Një vit më pas Shqipëria nuk kishte më as borgjezi të madhe (të cilën nuk e kishte pasur kurrë), as të mesme (kjo sa pati lëshuar sythet e parë) dhe as të vogël (që ishte fare pak dhe si forcë ekonomike nuk kërcënonte asnjë pushtet politik).
Arrestimi i të vëllait
Nga takimi Enver Hoxha-Josif Visianoroviç Stalin, ku ky e porositi të fortin e Tiranës të mos e persekutonte tani për tani borgjezinë kombëtare, por ta licensonte për të punuar me sipërmarrjen e saj ekonomike, pati kaluar një vit i tërë kur në 15 prill 1950, Reshat Kripës i arrestuan të vëllanë, Besnikun. I vunë prangat edhe dy të tjerëve, bashkëpunues me të. Nëpërmjet trakteve kishin zhvilluar veprimtari propagandistike klandestine kundër pushtetit në fuqi. Pas gjashtë muajsh hetimi u dënua me njëzetë vite burgim. Në gusht 1950 “borgjezin” Qazim, që ishte vetëm një teknik me rrogë shteti në ish-punishten e tij, e larguan nga puna. Arsyeja iu tha troç: “Pushoheni për shkak të aktivitetit armiqësor kundër Pushtetit Popullor të djalit tuaj Besnik Kripa”.
(Vijon)
Ylli Polovina
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|