|
GJOJA BALLISTI MORINA
(Botuar në gazetën Shqip në 16 tetor 2015)
Krijimi i historisë së tij, bashkëkombësit të thirrur Ismail, me emrin kaq të njohur mes nesh prej gjestit madhështor të ngritjes së flamurit kuq e zi në 28 nëntor 1912 nga më i shquari i familjes Vlora dhe po ashtu veprës letrare botërore të shkrimtarit Kadare, është tipike e jona.
Tërësisht shqiptare.
Sepse Ismail Morinën e bëmë ne, e prodhuam ne. Pa ne, pa të paktën masën e madhe që e legjendarizoi, atë do ta kishte përpirë dhe hedhur tej në breg, si lëmyshk, rrjedha e vrullshme e ngjarjeve thelbësore të kombit.
Ja pse shumë prej nesh brenda vetes, thellë në nënndërgjegje apo ndërgjegjshëm në vetëdijë, janë nga pak Ismail Morina. Këtë e shpallën publikisht jo vetëm thjesht një trainer futbolli prej Kosovës, i cili kumtoi se fitorja historike e ekipit tonë futbollistik nacional qe meritë e të sipërcituarit dron-ngritës në Beograd, por edhe dy politikanë të fuqishëm, krerë të dy partive politike deri tani më të mëdhatë e të gjitha hapësirave shqiptare: Sali Berisha dhe Edi Rama.
I pari shpërndau në rrjetin social internetik një pamje të tij në zyrën e punës, tek rrinte ulur fare pranë raftit qendror të bibliotekës, në të cilin (që ta shihnin të gjithë), qe vendosur posaçërisht fotua e Ismail Morinës me bezen e vizatuar të një Shqipërie Etnike.
Kryeministri Rama, jo më pak pëlqyes i teknikave moderne të komunikimit me publikun (ku rrinë edhe zgjedhësit), e projektoi pothuaj të njëjtën pamje, në një mbrëmje, mbi fasadën e selisë ku si çdo politikan në një shoqëri të hapur, do të jetë përkohshëm kryeministër, por që për mbarë kombin është simbol i përhershëm i përfaqësimit të shtetit tonë.
I mbërritur gjer kaq lart (dhe tepër larg) imazhi i Ismail Morinës dhe i flamurit të tij, edhe pse sot ai ndodhet në burg në pritje të gjykimit në shkallë të parë dhe mbi të janë sulur për ta bërë nul mjaft nga ata që në periudhën e fryerjes propagandistike të tij patën heshtur, përbën një dukuri për ta vëzhguar.
Siç po bëjnë edhe të tjerë, autori i këtyre radhëve ka zgjedhur një kend të vetin: është vërtet ballist Ismail Morina?
Sepse që kur ai ngriti dhe uli dronin e tij në mes të ndeshjes së futbollit në Beograd pikërisht kur loja fliste për epërsinë e ekipit tonë dhe kur, kush e di për të satën herë, pas tronditjeve ciklike, mes Shqipërisë dhe Sërbisë kishte nisur, në emër edhe të mirë-integrimit në BE, ringrohja e marrëdhënieve, pra që prej çastit kur ne nuk na duhej një lëndim i panevojshëm i marrëdhënieve mes dy vendeve dhe popujve, emrin e plotë nuk e ka me dy pjesë, por me tre: Ballisti Ismail Morina.
Fjala ballist i ka zënë vendin e babait (e gjen në shtyp edhe në formën Ismail Ballist Morina).
Duke qenë se të famshëm e bëmë ne, sepse po të qemë ndryshe gjestin e tij do ta kishim vlerësuar si provokim ordiner dhe se, po të donte ta shkaktonte xënxën e tij dhe të binte në sy, siç me të vërtetë e ka patologji të brendshme, le të ngrinte dhe të ulte në Beograd, madje në momentin më të paforshëm futbollistik për ne, flamurin tonë kombëtar, atë kuq e zi, figurativisht shumë karakteristik, madje mjaft sugjestionues dhe i bukur.
Pas kësaj gjesti i atij lojtari serb që desh ta shqyente, do të ishte ndërkombëtarisht për të dhe vendin e tij një mosaprovim total. Ashtu do ta kishte fatin edhe çdo gjë tjetër më pas, që nga qarqe të caktuara të shtetit apo të shoqërisë serbe, u përpunua për qëllime të ringritjes së tensionit.
Besojmë se, me më pak pasoja ndërshtetërore, flamuri ynë kombëtar i ulur mes ndeshjes së Beogradit, do ta bënte edhe më shumë të famshëm Ismail Morinën se kur ngriti bezen.
Mirëpo për të shpjeguar flamurin e sajuar të Shqipërisë Etnike, ai thotë se është ballist, ka bërë pjesë edhe në një strukturë të tillë partiake në Maqedoni, ku siç edhe vetë pohon, ata e kanë refuzuar si të padisiplinuar.
Por a keni dëgjuar që Ismail Morina të jetë anëtar i ndonjë prej disa partive trashëgimtare të Ballit Kombëtar, organizatë nacionaliste e shpallur publikisht pas fundnëntorit 1942, madje më saktë, me një trakt, në janar 1943?
Po ashtu a keni dëgjuar, qoftë edhe në formë fjalënaje, që bashkëkombësi ynë i dronit në fushën e futbollit të Beogradit, pas asaj që bëri, i shndërruar në hero për muaj të tërë, të jetë ftuar në ndonjë prej këtyre partive për tu anëtarësuar apo të jetë shpallur si anëtar nderi i tyre?
Në të vërtetë Ismail Morina politikisht, madje edhe ideologjikisht, nuk është ndjekës i traditës së Ballit Kombëtar dhe i dekalogut-program të tij. Është një ballist sipas mënyrës së vet, më saktë sipas egoizmit të tij për tu ngulur në histori.
Ne që nuk kemi ndihur të shkojnë në këtë panteon me dhjetra dijetarë të shquar apo veprimtarë kombëtarë të pafjalë, me Morinën këtë punë e bëmë me qejf të madh. Në fillim duke e lartësuar dhe tani që është në burg, duke e ulur.
Kështu ai njëlloj bën emër.
Ismail Morinën e bëmë ne, e prodhuam ne edhe për shkak se, duke ia pranuar se është ballist, modeli me të cilin e gjykuam dhe e sendërtuam si imazh, ishte ajo çfarë na kanë futur në tru, para vitit nëntëdhjetë, për plot një gjysmë shekulli.
Balli Kombëtar e kërkoi Shqipërinë Etnike në Mukje si objektiv të bashkimit të Shqipërisë me Kosovën pas lufte, atdhetari që e shfaqën në këtë mbledhje pajtuese (çfarë u mbajt e fshehur për tri breza me rradhë), edhe komunistët. Këta e kundërshtuan më së shumti për mënyrën e formulimit. Kur ndodhi gjëma e prishjes së njëanshme të marrëveshjes, siç e provoi hapja e arkivave pas vitit 1990, trysninë e ndarjes me shkak moslënien e Kosovës ti bashkohej trungut kombëtar, e patën kryer të dërguarit komunistë jugosllavë.
Balli Kombëtar edhe më pas, madje edhe në çastet kur kursin në parim antifashist, e zëvendësoi me një antikomunizëm ideologjik dhe gjatë periudhës së pushtimit gjerman përfundoi në krahë e madje në bisht të këtyre të fundit, asnjëherë nuk ka ngritur mbi krye ndonjë flamur bezeje me siluetën e të quajturës Shqipëri Etnike, por atë kuq e zi. Këtë kusht e vuri që në Konferencën e Pezës, një vit para Mukjes. Sipas dakordësimit të dy palëve çetat komuniste do të mbanin flamurin kuq e zi me shenjën e yllit në të, kurse ato balliste vetëm flamurin historik: fushë e kuqe me në mes shqiponjën e zezë.
Madje në ballë, nëpër kasketa, ndërsa çetat e drejtuara nga PKSH do të vendosnin vetëm yllin e kuq, ato të BK, vetëm shqiponjën e zezë me dy krerë.
Barazimi i Ismail Morinës me nacionalistët e Ballit Kombëtar dhe politizimi i rastit të tij për manovra partiake ngjan mbështetje e shëmbulltyrës djallëzuese që iu bë gjatë të shkuarës së para Lëvizjes së Dhjetorit. Është vazhdim pa dashje i kësaj fushate denigruese.
Mirë është që këtë bashkëkombës ta lëmë në hallin dhe kuturisjen e tij, por tashmë, për humanizëm, edhe pa e braktisur. Mori vrull kot, sepse ia dhamë ne. Tani që është në qeli, sipas policisë sepse mbante me vete dy pistoleta Zastava (dhe nënkuptimi se ato mund ti përdorte për trazirë dhe rirënie në sy gjatë ndeshjes në Elbasan) dhe sipas kryetarit të Komisionit Parlamentar të Sigurisë Kombëtare, se mbante me vete vetëm një pistoletë të vjetër nga që druhej mos e vrisnin serbët, kemi një arsye më tepër për të ngulur këmbë se mbi fatin e tij personal, ku po vallzon politika, ligji nuk ka pse bën përjashtim, por dorën në zemër ta vërë.
Sepse në të vërtetë, në qeli, duhej të qenë me dhjetra mijra nga ne.
Ylli Polovina
Tiranë, më 15 tetor 2015
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|