Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

.jpg
Foto: .jpg
ISHTE FADIL HOXHA AGJENT I ENVER HOXHËS APO KY I FUNDIT NË SHËRBIM TË UDB-së?


Spiunim me anë të librit “Titistët”

(Botuar në gazetën “Shqiptarja.com” më 11 tetor 2015)

Pjesa e pestë dhe e fundit

Në librin e tij me kujtime “Fadil Hoxha në vetën e parë” ky i fundit ngulmon se në fillim të tetorit, pasi e ftoi Gjoka Pajkoviçi t’i vinte në zyrë, shko menjëherë. Aty gjeti edhe Spasoje Gjakoviçi. Gjoka në thelb i komunikoi këto fjalë: 2Fadil, Spasoja ka marrë një farë telegrami nga Tirana, në të cilin thuhet se shokut Enver Hoxha i je ankuar për gjendjen në Kosovë dhe Metohi”.
Fadil Hoxha tregon më pas se e kundërshtoi këtë akuzë si të pavërtetë. Në fund pati shqiptuar: “Nga kushdo që ka arritur ai telegram, nuk mund të ketë vërejtje, biseda ka qenë e hapur e informuese dhe shoqërore. Bisedë të ngjashme, por më të shkurtër kam pasur edhe me Koçi Xoxen, Mehmet Shehun dhe Kristo Themelkon në drekat dhe darkat, të cilat na i shtruan. Ata hollësisht më kanë njoftuar për gjendjen në Shqipëri. Të gjitha ato takime kanë qenë miqësore, ndërsa bisedat të hapura”.
Po Spasoja menjëherë i paska thënë: “E po, megjithatë nuk është dashur që me të të bisedoje për dobësitë dhe gabimet tona. Ai është udhëheqës i një shteti tjetër”.
Këtë çast Gjoka Pajkoviçi ka ndërhyrë: “Më duket se mirë bëri që Spasoja na njohu me atë telegram, sesa ta kishte mbajtur për vete, e të mbetej enigmë për atë bisedë në Tiranë. Për këto gjëra më mirë është të bisedohet dhe të sqarohen, sesa të errësohen”. Pa ia kërkuar njeri, një çast shefi i shërbimit të fshehtë jugosllav në Kosovë, Spasoje Gjakoviç, ka pohuar: “Nuk mund t’jua tregoj burimin e atij telegrami, por edhe unë kam menduar se më mirë është që të dyve t’ju njoftoj për përmbajtjen e tij, sesa të mbeten paqartësi lidhur me të”.
Kështu kjo çështje u mbyll me kaq.
Për t’u rizgjuar në dhjetor 1984 në raportin konfidencial të Shërbimit të Sigurimit Shtetëror Jugosllav dhe të Sekretariatit Republikan i Punëve të Brendshme i Republikës Socialiste të Serbisë.

Njeriu i jugosllavëve në Tiranë

Sipas Fadilit, çfarë ia ka pohuar dhe Veton Surroit, familjarit shumë të afërt, por edhe përkujdesësit e botuesit të librit me kujtime (pas vdekjes): “Shpejt e bënë për vete Koçi Xoxen. Informata për bisedën time me Enverin i shkoi OZNA-s para se të kthehesha unë në Prishtinë”.
Kur në fillim të viteve nëntëdhjetë (prill 1994) Fadil Hoxha dha një intervistë për takimin e fundshtatorit 1945, pohon se “Enverit i rrëfeva për pozitën e rëndë në të cilën gjendej populli i Kosovës menjëherë pas përfundimit të luftës. Atij i thashë hapur se ne gjatë luftës luftuam me flamurin kombëtar, bile me qeleshe e kishin vënë simbolin kombëtar e tashti po na ndalohet përdorimi i flamurit. Enverin e njoftova se tashti po na quajnë si pakicë kombëtare dhe se të gjitha parullat e shkruara gjatë luftës, ku ndër të tjera shkruante “Rroftë Shqipnia”, “Rroftë Enver Hoxha” etj., po i shlyejnë sipas urdhrave të policisë dhe pushtetit popullor. Atij i tregova po ashtu se po vriten ditën e natën shqiptarët pa fije faji duke u shpallur gjoja si armiq dhe kriminelë. Ne, i përsërita edhe një herë Enverit, kemi hyrë në luftë me qëllim që të bashkohemi e tash na thuhet se kjo nuk është e mundshme”.
Pyetjes së gazetarit “Si reagoi Enver Hoxha?” Hoxha tjetër iu përgjigj: “Enveri më dëgjoi tërë kohën dhe duke u përpjekur që të më qetësonte më tha, se çështjet duhet t’i shtrojmë në parti dhe të mos ju japim shkas forcave reaksionare dhe të ngarkuara në ish-Jugosllavi e Serbi rreth çështjes së Kosovës. Ai disa herë e përmendi “në parti, në parti”, sa që për një çast u detyrova t’i them se ne po i shtrojmë në parti, por ato nuk po shkojnë mirë. Ia bëra me dije se ne kemi nevojë për përkrahje morale të udhëheqjes se Shqipërisë dhe personalisht nga ai, duke i apostrofuar se materialisht ishim më mirë se ata vetë”.
Në këtë intervistë të gjysmës së parë të viteve nëntëdhjetë për çështjen e telegramit denoncues Fadil Hoxha deklarohet i sigurt se ai kishte ardhur nga ministri i Brendshëm jugosllav Aleksandër Rankoviçi dhe se “Në të vërtetë, Rankoviqit i kishte dërguar telegram më parë Koçi Xoxe...Doli se Xoxe kishte lajmëruar pikë për pikë për bisedën tonë mes meje dhe Enverit”.
Në vazhdim të intervistës Fadil Hoxha pohon se me Enver Hoxhën pati folur hapët edhe për dobësitë e punës dhe se një qëndrim të tillë, të hapët, e kishte mbajtur edhe në të dy herët kur në Beograd e pati thirrur Rankoviçi.
Pastaj Fadil Hoxha përfundon: “Pas bisedës me Gjokën, u mendova shumë dhe mu kujtua se unë të gjitha ato i kam biseduar kokë me kokë me Enverin, prandaj kush ka mundur të tregojë me aq saktësi se çfarë kam thënë...? Si ishte e mundur që Beogradi, pa arritur unë në Prizren të dinte fije për fije përmbajtjen e bisedës. Edhe atëherë isha i mendimit se këtë e kishte bërë Koçi Xoxe, të cilin që atëherë, as Enveri nuk e kishte nën kontroll, por Rankoviqi...”
Tani edhe ne të tjerët, që nuk kemi qenë në këto ngjarje, por duhet t’i analizojmë ato, mund të bëjmë arsyetimin se biseda e dy Hoxhave u krye pa asnjë prani tjetër dhe Koçi Xoxes ia ka thënë fije për fije përmbajtjen e saj vetë Enveri.
Sigurisht duke i theksuar njeriut të jugosllavëve, i cili më pak se një vit më parë në plenumin e Beratit gati e kishte rrëzuar nga posti i shefit të partisë dhe të vendit të porsaçliruar, se Fadilit nuk ia kishte pranuar fare kritikat për PKJ dhe Titon dhe se e pati këshilluar që ato duhej t’i shtronte vetëm në Beograd.
Këtë qëndrim dhe sjellje të Enver Hoxhës e vërteton sadopak edhe Kasëm Trebeshina, i cili në romanin e jetës së tij “Dafina të thara”, shkruan: “Ndoshta ishte qershori i 1945-ës kur u takova rastësisht me Fadil Hoxhën - Atë e kishte thirrur në audiencë Enver Hoxha në zyrën e tij në ndërtesën e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste dhe jo në rezidencën e Kryeministrit, siç është shkruar në librin “Titistët”.
Fadili ishte i zbehtë në fytyrë si një meit...E përqafova...Pastaj e pyeta:
-Pse kaq i zbehtë?
Ai m’u përgjegj i dëshpëruar.
-Na braktisët!...Tashti jemi kurkushi për ju!...
Fadil Hoxha ishte një nga udhëheqësit e mi dhe nga miqtë e mi që nga 1939-ta. Ai ishte komunist i Grupit të Shkodrës dhe për më shumë se katër vjet ishim takuar me njëri-tjetrin. I çuditur nga fjalët e tija i thashë:
-Çka ndodhur?!...
Ai m’u përgjegj: “U takova me “të atje”!...I fola për masakrat që po bëjnë serbët në Kosovë...Por ai e di si m’u përgjegj?!...Më tha se jam mikroborgjez dhe nacionalist i vogël!...Kjo nuk është e drejtë!...
Dhe heshti. U çudita shumë nga ato që dëgjova dhe thashë:
-Mos u mërzit!...Do të zgjidhet në një farë mënyre!...
U përqafuam dhe ikëm në rrugë të ndryshme. Fati e vendosi që të mos takohemi më kurrë”.

Libri “Titistët” shet Fadilin

Në librin “Titistët” vërtet thuhet se selia ku Hoxha i Shqipërisë priti Hoxhën e Kosovës qe Kryeministria. Këtë hollësi e thekson edhe Nexhmije Hoxha në librin e saj “Jeta ime me Enverin”, 1998: “Gjatë luftës, nënvizon ajo, Komiteti Krahinor i Kosovës dhe i Metohisë (Rrafshit të Dukagjinit), ku një nga udhëheqësit kryesorë ishte Fadil Hoxha, shkruante se një shumicë e madhe kosovarësh shprehen hapur: “Le të vijë kush të dojë, veç Jugosllavia të na hiqet qafe”. Po këtë mosbesim, po këto ndjenja e mendime të popullit të Kosovës për PKJ, siç më ka treguar Enveri, ia shprehu me gojën e tij vetë Fadil Hoxha, kur erdhi në Tiranë, pas Çlirimit. Enveri e priti e bisedoi gjatë me të në zyrën e tij, në Kryeministri. Fadili u ankua për gjendjen e rëndë që ekzistonte në Kosovë. Për situatën e ndjekjeve, raprezaljeve e të terrorit ndaj shqiptarëve që zotëronte në tërë krahinën dhe hapur i kishte thënë: “As po shohim, as ka ndonjë ndryshim nga e kaluara, kur vuanim nën Jugosllavinë e kralëve”.
Doemos raportimin e pjesës kritike të bisedës ndaj PKJ-së Beogradit ia dërgoi Koçi Xoxe dhe jo Enver Hoxha. Ky thjesht ia raportoi Koçit për t’i dëshmuar Josip Broz Titos, nëpërmjet Xoxes, besnikërinë e tij totale. Kjo i duhej për të ruajtur të drejtën të ishte i pari i vendit.
Porse për të mbushur superdosjen sekrete të shërbimit të fshehtë jugosllav kundër Fadil Hoxhës, të hartuar në 1984, ka shërbyer libri i tij “Titistët”.
Ai u botua në 1982 dhe një nga arsyet shtytëse përveç goditjes, pas vdekjes, të imazhit ndërkombëtar të Titos, shemrit të tij në Ballkan, ishte të shprehte indinjatën ndaj qëndrimit represiv dhe antishqiptar që udhëheqja në Beograd mbajti ndaj protestave të popullit kosovar në pranverë 1981 dhe në vijim.
Me këtë rast Enver Hoxha vë në shënjestër të demaskimit publik edhe disa udhëheqës protitistë në Prishtinë: Veli Devën dhe Fadil Hoxhën.
Libri “Titistët” u përkthye në Tiranë në disa gjuhë dhe pasi u shtyp po këtu, ambasadat e vendit tonë e shpërndanë kudo, kurse bashkëkombës të shumtë e futnin në ilegalitet edhe në Kosovë.
UDB, duke e lexuar dhe rilexuar, mund të konsultohej me të sa herë të donte, sepse ka kapur dhe sekuestruar me dhjetra e dhjetra kopje. Tek ky libër ajo ka ndeshur fragmentin “Në letrat që na dërgonte në vitet e luftës Komiteti Krahinor i Kosovës e i Metohisë (Rrafshit të Dukagjinit) një ndër udhëheqësit kryesorë të të cilit ishte Fadil Hoxha, fare hapur pohohej mosbesimi që ndihej në Kosovë ndaj PKJ dhe ndaj partizanëve jugosllavë, për shkak të shtypjes së egër serbomadhe, për shkak se “edhe skojevcka (të rinj komunistë jugosllavë-shënim sqarues i librit) kanë vra shqiptarë të pafajshëm”. “Le të vijë kush të dojë, -shpreheshin, sipas kësaj letre, një shumicë e madhe kosovarësh, - veç Jugosllavia të na hiqet qafe” dhe në vazhdim theksohej: “Ne jemi tue pritë të na ndihmoni ju”.
(Informojmë se te “Titistët” dëshmohet që fragmenti i mësipërm është shkëputur prej një letre të Komitetit Krahinor të PKJ për Kosmetin dërguar KQ të PKSH në 6 shtator 1943).
Vijon Enver Hoxha në librin e tij denoncimin e drejtpërdrejtë të Fadil Hoxhës edhe për bisedën kokë për kokë të fundshtatorit 1943: “Po këtë mosbesim, po këto ndjenja e mendime të popullit të Kosovës për PKJ-në m’i shprehu me gojën e tij vetë Fadil Hoxha kur erdhi pas çlirimit të vendit në Tiranë dhe unë e prita dhe bisedova me të në zyrën time, në Kryeministri. Ai u ankua për gjendjen e rëndë që ekzistonte në Kosovë, për situatën e ndjekjeve, të raprezaljeve e të terrorit ndaj shqiptarëve që zotëronte në krahinë dhe hapur më tha se “as po shohim, as ka ndonjë ndryshim nga e kaluara, kur vuanim nën Jugosllavinë e kralëve”.
Pastaj Enver Hoxha shpërthen maraz: “E tamam po ky Fadil Hoxha, tash në pranverën e 1981-shit ngre dorën e jep votën në Presidencën e RSF të Jugosllavisë, për të dërguar tanket e bajonetat e ushtrisë serbomadhe që të vrasin, të shtypin e të mposhtin popullin e rininë kosovare që u ngritën për të kërkuar respektimin e të drejtave të tyre. Dhe si për ta treguar sheshit metamorfozën e tij të plotë në këta 40 vjet, Fadil Hoxha, i titozuar kokë e xhep, arrin gjer atje sa në mbrojtje të kasnecëve serbomëdhenj ngrihet para të vrarëve e demonstruesve shqiptarë të 1981-shit dhe i quan....”plehra!”
Por Fadil Hoxha në librin e tij testament e pohon publikisht dhe pa asnjë pendim se është titist dhe se Josip Broz pas vitit 1968 është përpjekur që, në përballje të shovinizmit serb, të mbështeste fatin e mbarë të Kosovës. Protestat e vitit 1981 Fadili i cilëson si shkallëzim i nacionalizmit dhe i separatizmit shqiptar, veprim që “ka nxitur me të madhe nacionalizmin serb në Kosovë”.
Fadil Hoxha është ndarë nga jeta me bindjen se “Sigurimi i Shqipërisë ka luajtur një rol mjaft negativ në mobilizimin e këtyre forcave dhe në rekrutimin e njerëzve prej emigrantëve dhe dërgimin e tyre qoftë në Kosovë si ilegalë qoftë me pasaporta”.
Pastaj, në vijim të bindjes së tij se edhe gjatë protestave të vitit 1981 Sigurimi Shqiptar ka luajtur rol, pohon: “Ne nuk kishim një evidencë të plotë për aktivitetin e këtyre njerëzve, ndonëse organet tona mjaft pretendonin se i kishim krejt në dorë”.
Nuk do të shkojmë më tej, por roli i shërbimit të fshehtë të Shqipërisë në demonstratat e vitit 1991 është tema e një analize të ardhme.
Ajo që këmbëngulim të theksojmë në mbyllje të këtij cikli është kjo: megjithëse Enver Hoxha fare hapët e flaku për tek spiunët e UDB-së, Fadil Hoxha kurrë nuk i hodhi sipër ndonjë faj. Akuza e tij mbeti përherë tek emri i Koçi Xoxes.
Në prill 1994, kur tashmë po shkonte drejt plakjes së thellë dhe vdekjes së afërme, kur ishte tamam rasti të mund t’ia kthente Enverit (të cilit shqiptarët ndërkohë ia patën shembur në Tiranë monumentin), shuplakën e kthimit, deklaroi krejt i palëkundur: “Mendoj se Enveri ka mundur të bëjë së paku më shumë për Kosovën, edhe pse duhet të pranojmë se ai e kishte gjendjen shumë të rëndë në vet Shqipërinë”.

Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com